Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Jurisprudencë

PROJEKTLIGJI I DEPUTETES ZHUPA PËR BUTRINTIN

Nga Agron Alibali

Në kuadrin e fiascos së Butrintit, ose e thënë ndryshe, nismës kryeneçe për t’ia transferuar menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit një fondacioni jo-kulturor të huaj, tërheq vëmendjen një nismë ligjore e paraqitur me 11 maj 2022 në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetja e Sarandës, Ina Zhupa.

Nisma e deputetes Zhupa propozon ndryshimin dhe shfuqizimin e neneve 171-173 të Ligjit 27/2018 Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, nene të cilat janë shumë problematike sa i takon pajtueshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe me Konventën e vitit 1972 të Trashëgimisë Botërore, të Parisit.

Projektligj i arsyeshëm dhe elegant

Nisma është e drejtë, koncize, e qartë, dhe në përputhje të plotë me burimet e lartpërmendura të së drejtës. Personalisht i nënshkruari do të mbështeste një shfuqizim en bloc të Neneve 171 -173.  Siç jemi shprehur më parë në këto faqe:

Ndofta u takon edhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të ndërmarrin një nismë të menjëhershme ligjore për abrogimin e neneve 171-173 të Ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”. Fundja, pse të mos ishte vetë deputetja Kumbaro nismëtare e këtij abrogimi? Errare humanum est. Përkundrazi, moskorrigjimi i gabimit do të ishte diçka që zorr se mund të falej.[1]

Kjo do t’i shërbente mbylljes tërësisht, njëherë e mirë dhe pa dykuptimësi të shtegut juridik që shmang, qëllimshëm ose jo, shtetin shqiptar nga atributet e tij sovrane, kushtetuese dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për administrimin apo menaxhimin e pasurive, vendeve, peizazheve të trashëmisë kulturore etj. që janë pronë shtetërore, publike.

Mirëpo nisma e deputetes Zhupa është më elegante. Përmes ndryshimit të pjesshëm, por thelbësor, të Nenit 171, që i çel rrugën “administrimit indirekt” të pasurisë kulturore në pronësi publike, nisma ligjore e deputetes Zhupa gjen një formulë të arsyeshme kompromisi. Me të drejtë projektligji kufizon formën indirekte të menaxhimit apo administrimit, duke ia mundësuar këtë vetëm “fondacioneve të krijuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore…”.  Me fjalë të tjera, rruga indirekte e menaxhimit ose administrimit të trashëgimisë kulturore që është pasuri publike do të kryhet vetëm nga fondacione të krijuara prej institucioneve të saj, dhe jo nga entitete të fushave të tjera, pa lidhje me trashëgiminë kulturore, ose me lidhje krejt periferike me të.

Rrjedhimisht, përmbajtja e re e Nenit 171 do të jetë si më poshtë: (me vizë në mes paraqitet përmbajtja për t’u shfuqizuar).

“Mënyrat e administrimit

  1. Pasuritë kulturore në pronësi publike administrohen në formë direkte ose indirekte.
  2. Administrimi direkt realizohet nëpërmjet strukturave organizative të specializuara në varësi të institucioneve shtetërore ose subjekteve të tjera publike me autonomi shkencore, organizative, financiare dhe me personel të specializuar tekniko-shkencor. Institucionet publike mund të realizojnë administrimin direkt edhe në bashkëpunim me organe të tjera të administratës publike.
  3. Administrimi indirekt kryhet nëpërmjet:
  4. a) fondacioneve të posaçme, të krijuara sipas nenit 172 të këtij ligji;
  5. b) fondacioneve të krijuara nga institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore, sipas këtij ligji;
  1. c) personave fizikë apo juridikë, publikë ose privatë, të cilëve pasuria kulturore u jepet në administrim nëpërmjet procedurave publike të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave dhe vendim të KKMPK-së, bazuar në vlerësimin krahasimor të projekteve të paraqitura.
  1. Administrimi indirekt synon realizimin e një administrimi më efektiv të pasurive kulturore. Zgjedhja ndërmjet dy formave të administrimit, të përcaktuara në pikat 2 e 3, të këtij neni, bazohet në një vlerësim krahasues në terma ekonomiko-financiarë dhe efektiviteti, bazuar në objektiva të paracaktuara.
  2. Marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike dhe personave fizikë apo juridikë, publikë ose privatë, sipas shkronjës “c”, të pikës 3, të këtij neni, përcaktohen nëpërmjet kontratës së lidhur me këto subjekte. Në kontratë përcaktohet përmbajtja e projektit të administrimit, shërbimet thelbësore që duhen garantuar për shfrytëzimin publik të objektit, afatet e realizimit, nivelet cilësore të aktiviteteve dhe shërbimeve që do të ofrohen, si dhe

kërkesat për nivelin profesional të punonjësve.

  1. Subjekti, i cili ka lidhur një kontratë sipas pikës 5, të këtij neni, mund të përfitojë edhe të drejtën e shfrytëzimit të hapësirave të nevojshme për ushtrimin e këtyre aktiviteteve, nëpërmjet lidhjes së një kontrate të posaçme, e cila i bashkëlidhet kontratës fillestare. Anulimi i kontratës së parashikuar në pikën 5, të këtij neni, sjell, automatikisht, anulimin e kontratës për hapësirat, pa të drejtë dëmshpërblimi. [2]

Mbyllja e shtegut juridik

Më tej, projektligji i propozuar nga deputetja Zhupa shfuqizon në tërësi nenin tejet problematik 172, që mbulon të ashtuquajturat “fondacione të posaçme të trashëgimisë kulturore”. Është sidomos ky nen që ka shkaktuar shqetësime të përligjura në mbarë shoqerinë në lidhje me papajtueshmërinë me Kushtetutën dhe me të drejtën ndërkombëtare të zbatueshme. Shfuqizimi i këtij neni i mbyll shtegun përfundimisht administrimit apo menaxhimit të trashëgimisë kulturore që është pasuri publike nga çdo fondacion, vendas ose i huaj, që nuk është i krijuar nga institucione të specializuara të trashëgimisë kulturore. Me fjalë të tjera, nuk mjafton që të jesh i shkëlqyer në financë, administrim biznesi, ekonomi, investime, shkencat e natyrës, ndërtimin e raketave, kozmologji apo çfarëdo. Administrimi i trashëgimisë kulturore i takon të bëhet nga specialistët e trashëgimisë kulturore, ku shteti ka rol dhe kontroll parësor.

Së fundi, projektligji i deputetes Zhupa përshtat Nenin 173 të ligjit duke hequr referencën për Nenin e shfuqizuar 172.

Mosmarrëveshje kushtetuese

Projektligji Zhupa vjen në kohën e duhur. Pikërisht më 19 maj është futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë shqyrtimi në Seancë Plenare i Ligjit të propozuar nga Këshilli i Ministrave (që për lehtësi po e quajmë Projektligji Margariti), i cili ia kalon AADF-së apo Fondacionit të Posaçëm të ideuar, të krijuar dhe të kontrolluar prej saj, administrimin apo menaxhimin e Vendit të Trashëgimisë Botërore të Butrintit.

Përplasja ose konflikti juridik që krijohet efektivisht nga paraqitja paralele dhe e njëkohshme e dy Projektligjeve Zhupa dhe Margariti, si dhe varësia dhe pajtueshmëria ose jo përkatëse e tyre me Kushtetutën e Shqipërisë, krijon në vetvete “mosmarrëveshje kushtetuese” sipas Nenit 124 të Kushtetutës së Shqipërisë. Në rast se kjo nuk zgjidhet nga Kuvendi, atëherë atë e shqyrton dhe e zgjidh Gjykata Kushtetuese.

Po si mund ta zgjidhte vetë Kuvendi këtë ngërç të rëndësishëm kushtetues dhe ligjor?

Alternativat para shqyrtimit kushtetues

Natyrisht rruga më e mirë, më e shpejtë dhe më e ligjshme do të ishte (i) tërheqja nga vetë qeveria e Projektligjit të Këshillit të Ministrave, bazuar në Nenin 72 të Rregullores së Kuvendit.[3] Të gjithë gabojmë, dhe korrigjimi në kohë i gabimit është akt i maturisë dhe urtësisë politike. Në rastin konkret ky hap do të kishte mbështetje shumë të gjerë në opinionin publik, por edhe do të rivendoste dinjitetin dhe respektin ndaj vendit në rrafsh ndërkombëtar, në UNESCO dhe më gjerë. Një tjetër mundësi, por që për momentin i ka gjasat të vogla, do të ishte (ii) tërheqja e AADF-së nga e gjithë kjo punë. Siç kemi theksuar tjetërherë, angazhimi i kufizuar dhe ngushtësisht filantropik i AADF-së në Butrint dhe gjetkë më përpara ka qenë pozitiv dhe duhet përshëndetur. Ajo çka nuk mund të pajtohemi është përfshirja e AADF-në në menaxhimin apo administrimin e trashëgimisë kulturore që është pasuri publike apo shtetërore, që për mendimin tonë, është jashtë qëllimit e misionit të saj, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, si dhe jo në pajtim me praktikat më të mira botërore, dhe as me politikat përkatëse në SHBA dhe në Shqipëri.

Përndryshe, Projektligji Zhupa lyp kohën e vet të shqyrtimit parlamentar dhe, pse jo, edhe konsultim publik me zgjedhësit, etj.[4] Ky shqyrtim “nuk mund të fillojë pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes” së tij.[5] Me fjalë të tjera, në qoftë se Projektligji Zhupa është regjistruar më 11 maj 2022, ai nuk mund të shqyrtohet përpara datës 25 maj 2022, gjë që e bën të pamundur shqyrtimin e programuar të Projektligjit Margariti në Seancë Plenare në datën e parashikuar në Kalendar më 19 maj 2022. Kjo seancë plenare duhet pa tjetër të shtyhet, mundësisht për një datë tjetër të arsyeshme, por jo më herët se në shtator 2022.

Në rrethanat konkrete kërkohet reflektim e maturi, dhe jo arrogancë, bullizëm politik, mbytje e debatit publik, apo ngutje. Sikurse është shprehur ish-kongresmeni J. DioGuardi:

Shqipëria sivjet feston 110 vjetorin e Pavarësisë. Vallë a beson ndokush se Shqipëria nuk i ka kapacitetet dhe burimet për të menaxhuar vetë Butrintin…”?[6]

Kësisoj, do të ishte në nderin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht nga përkatësitë partiake, që ta mbështesnin njëzëri nismën ligjvënëse të deputetes Zhupa, nismë që korrigjon përfundimisht të metat e theksuara të Ligjit 27/2018 për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë sa i takon administrimit indirekt të trashëgimisë kulturore pasuri publike nga të ashtuquajturat “Fondacione të posaçme kulturore’, një model i papajtueshëm me Konventën e vitit 1972 për Trashëgiminë Botërore, dhe as me Kushtetutën e Shqipërisë.

(c) 2022 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Teatri vdiq, rroftë teatri, Peizazhe të fjalës, 1 qershor 2020, tek: tinyurl.com/49ambu4z

[2] Ligji Nr. 27/2018, datë 17 maj 2018 për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, nga faqja zyrtare e Ministrisë së Kulturës.

[3] Neni 72 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

“Tërheqja e nismës

Nismëtari i projektligjit ose i projektvendimit mund ta tërheqë projektin e tij deri në çastin kur ai nuk është votuar në parim në seancë plenare.”

[4] Sipas Nenit 68.2/1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, por që mund të kërkonte përditësim të relacionit shoqëries.

[5] Neni 69.3 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

[6] Letër për Kryetaren L.  NIkolla nga ish-kongresmeni J. DioGuardi, dt. 22 prill 2022, tek Gazeta Dielli, The Sun, New York, SHBA.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin