Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Mjekësi

SIÇ E THOTË FJALA “SËMUNDJE”

E kanë shpjeguar prej kohësh se shqipja sëmurë, sëmundje e ka pikënisjen nga togfjalëshi nuk mund, s’mund; pra i sëmurë është ai që nuk mundet, nuk “ka fuqi”; dhe sëmundje gjendja e atij që është i sëmurë. Formimi ka një paralele me i pamundur, që veç kuptimit “impossible”, ka edhe kuptimin “që është pak i sëmurë”; dhe jashtë Ballkanit, mund të afrohet strukturalisht me latinishten impotens, “që nuk ka fuqi”. Çabej, te lema përkatëse në SE VII, vëren se “formimi i konceptit të sëmundjes nga ai i të pamundurit është ballkanik”; me gjasë, do të shtoja unë, e ka zanafillën në latinishten ballkanike; paçka se, nga ana tjetër, latinishtja infirmus, shënjon dikë që është “i dobët, jo i fortë, jo i qëndrueshëm,” duke ndjekur një strategji semantike tjetër.

Megjithë prejardhjen e i sëmurë nga ideja e pafuqisë, sot edhe vetë kjo ide është metaforizuar, drejt pamundësisë zakonisht fizike për të bërë diçka, pengimit, frenimit; që mund të vijë nga pafuqia, sikurse mund të vijë nga dhimbja ose ndonjë pengesë tjetër. Në thelb i sëmuri është ai që “nuk; bartës i një atributi në thelb mohor. Njëlloj edhe shprehja sinonimike, jam pa qejf, me qejf që shënon këtu dëshirën ose gatishmërinë për të bërë diçka; në këtë shprehje të qenit sëmurë përfytyrohet si ndonjë lloj i anhedonisë, paaftësisë për të ndier kënaqësi; dhe të vërehet edhe njëherë natyra negative e konceptit, ose “mungesa” si tipar semantik bazë.

Më kujtohet të kem lexuar, shumë vjet më parë në Tiranë, në hyrje të një artikulli për antropologjinë e sëmundjes, këtë citat nga Marksi: “Sëmundja është jetë e kufizuar në lirinë e saj.” Mbaj mend edhe që artikullin e kam ndeshur te një numër i hershëm i revistës “Shkenca dhe jeta” (ndoshta i shkruar nga dr. Pëllumb Bitri). E kam kërkuar citatin për ta verifikuar më vonë, por nuk e kam gjetur dot – në shqip do të ketë mbërritur i ndërmjetësuar nga ndonjë gjuhë e tretë, me gjasë rusishtja, dhe kushedi si ka tingëlluar në origjinal. Por esenca e këtij aforizmi – lidhja mes sëmundjes dhe lirisë së jetës – më pat mbetur në mendje.

Nga përkufizimi – me gjasë i Marksit – te forma e brendshme e fjalës sëmurë në shqip; rruga nuk ka shumë dredha, megjithëse përkimi kuptimor do të jetë i rastit. Ai që mundet, është më i lirë se ai që s’mundet. Shëndeti konstituohet kështu si kusht negativ i të qenit i lirë; negativ, sepse ka trajtën e një mungese pengesash. Kjo sëmundje, që i kundërvihet shëndetit, është një gjendje e trupit, një shmangie nga “norma”, një cen; dhe nuk është identike me sëmundjen si kategori të nozologjisë, dhe që lidhet drejtpërdrejt me diagnozën dhe emërtimin: epilepsi, zgjebe, diabet, anemi. Kush është sëmurë është më parë i pashëndetshëm (ka dhimbje, nuk ka fuqi, vuan, etj.) dhe më pas ka këtë apo atë sëmundje.

Si në shumë gjuhë të tjera, i sëmurë në shqip ka filluar të përdoret – si eufemizëm – edhe për dikë që “vuan nga nervat” (që “është i marrë”, “i çmendur”); por metaforizimi ka shkuar më tej, sa kohë fjala sëmundje ka marrë pastaj edhe kuptimin “fiksim, ves”; iu bë sëmundje futbolli; iu bë sëmundje ajo vajzë. Këtu sëmundja, si pengesë, përfton të kundërtën e vet – obsesionin; edhe pse ideja themelore mbetet shmangia nga normativiteti.[1]

Që këtej edhe ai zhvillim kuptimor që e lejon mbiemrin i sëmurë të përdoret në kontekste të tilla si mendime të sëmura, familjaritet i sëmurë, me sedër të sëmurë, gjithnjë nëpërmjet theksimit të anormalitetit. Përdorime të tilla i ndeshje rëndom në shqipen totalitare, si kur flitej kundër “shfaqjeve të huaja”; ku metafora e sëmundjes dhe e të qenit sëmurë jo vetëm i referohej normativitetit si shëndet social, por edhe sillte me vete metaforën tjetër të shërimit, si mënyrë për zgjidhjen e problemeve, ose mënjanimin e patologjive sociale, psikologjike, politike, etj.[2]

Jo pa të drejtë, sëmundja është parë si prishje e harmonisë së brendshme të një entiteti biologjik (dhe, me metaforë, social); si shtim i kaosit në organizëm – çfarë presupozon se shëndeti përfaqëson normën; nga kjo pikëpamje, sëmundjen e shkakton gjithnjë diçka, ndërsa shëndeti nuk ka nevojë për shkak. Për shëndetësinë dhe mjekësinë totalitare, sëmundja, qoftë edhe si “jetë e kufizuar në lirinë e saj”, kish natyrë historike dhe klasore – dhe në një shoqëri tërësisht të lirë, si në atë komuniste, njeriu praktikisht nuk do të sëmurej kurrë.

Por sëmundja nuk është gjithnjë kufizim i lirisë; provo t’ia thuash këtë fëmijës, që e shijon sëmundjen, sa kohë që mund të rrijë shtëpi; ose politikanin, që sëmuret mu kur i duhet të ballafaqohet me diçka që s’i vjen për shtat. Në shoqëritë gjysmë-patriarkale si jona, gratë kanë qenë “sëmurur” shpesh dhe gjatë; me simptoma që sot disa i klasifikojnë si psiko-somatike, por që dikur s’e kishin për gjë t’i quanin “histeri”. Dhe histerinë një rrugë e shkurtër e ndan nga simulimi: si ai i fëmijës që bën sikur ka dhimbje barku, për të mos shkuar në shkollë, ose ai i gruas që i shmanget seksit bashkëshortor, me arsyen (pretekstin) se “ka dhimbje koke.”[3]

Përveçse manifestim i pafuqisë, sëmundja ka qenë dhe mbetet një formë e negocimit të statusit, nga ana e më të dobëtit; po të duam edhe një formë rebelimi e trupit, ndaj dhunës psikologjike, me fjalë të tjera, stresit social sidomos atij vertikal. Te një libër i botuar në 2007, The Status Syndrome, Michael Marmot – epidemiolog dhe specialist i shëndetit publik – tregon se ka një korrelacion të fortë midis statusit social dhe shëndetit; në kuptimin që eksperienca psikologjike e pabarazisë ndikon fort në shëndetin tonë. Të pasurit dhe të fuqishmit jetojnë më gjatë dhe janë më të shëndetshëm jo ngaqë kanë pará por ngaqë e shijojnë statusin në majë të piramidës sociale dhe përfitimi u përkthehet drejtpërdrejt në shëndet.

Dhe nëse është kështu, atëherë për shumë nga ne sëmundja vjen edhe si përgjigje ndaj stresit, ose statusit të rrezikuar; dhe një argument për këtë do të ishte edhe ai që të sëmurit, si rregull, do t’i tolerohet nëmos falet tërheqja nga jeta sociale dhe do t’i kushtohet vëmendje e privilegjuar. Me fjalë të tjera, sëmundja mund të jetë vërtet, biologjikisht, shprehje e kaosit të shtuar në organizëm; por për njeriun është edhe shprehje e mungesës së harmonisë sociale.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kjo e normativitetit nuk është hiç e pafajshme si ide, dhe as e vetvetishme, në rrethanat kur “normalja” varet nga artikulimi i pushtetit në marrëdhëniet sociale. Për shembull, në Shqipërinë e viteve 1960-1980 ishte “normale” që gjithkush të punonte, sa kohë që regjimi pretendonte se u ofronte punë të gjithëve; prandaj kush rrinte në shtëpi, ishte “anormal” dhe madje në konflikt me normën sociale, nëmos me ligjin (kish madje një ligj kundër parazitizmit, që lejonte ndëshkimin e “parazitëve”). Dhe nëse e pranojmë këtë lidhje të normës me pushtetin, atëherë edhe sëmundja, si shmangie nga norma, mund të ri-interpretohet ndonjëherë si manifestim i refuzimit të pushtetit. Mbase për të njëjtën arsye, shteti totalitar e vinte theksin te shëndeti sidomos i rinisë, meqë vetë të qenit i shëndetshëm mjaftonte për t’u integruar në mekanizmat dhe format e (riprodhimit të) pushtetit.

[2] Këto i kam trajtuar më hollësisht te Shqipja totalitare, Botime Çabej, nënkapitulli “Shoqëria e shëndetshme”, ff. 211-215.

[3] I sëmuri përjashtohej edhe nga edukimi fizik dhe nga stërvitja ushtarake. Shih për këtë edhe esenë Si u shkalit çeliku, këtu te Peizazhet.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading