Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

AMBASADORI SHPJEGON

“turqit janë të mirë”
– stërgjyshja ime, Hatiqe Emiri-Ciu (“Aneja”), nënshtetase aksidentale e Perandorisë Osmane, e datëlindjes 1880.

Po flitet, këto ditë, për një deklaratë të ambasadorit turk në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, gjatë një aktiviteti në Universitetin e Shkodrës.

Po e citoj deklaratën siç e gjeta në rrjet:

Po ta shikojmë në planin historik, Ballkani është një zonë e hapjes dhe përhapjes të natyrshme të shtetit osman. Lëvizjet osmane në Ballkan nuk ishin vetëm ushtarake, por edhe kulturore, historike, sociale, arkitekturore dhe ekonomike. Në atë periudhë, bota e krishterë po haste një përplasje të përgjakshme mes sekteve të tyre. Osmanët qëndruan pranë popujve orthodoksë që përbënin shumicën dërmuese të rajonit, dhe duke qenë tolerantë ndaj tyre, osmanët arritën që të bëjnë shtetin e Ballkanit. Gjatë periudhës 550 vjeçare, osmanët në Ballkan kanë ndërtuar rreth 15 mijë vepra të ndryshme. Një e treta janë për qëllime fetare, ndërsa dy të tretat kanë qenë ndërtesat e tjera për qëllime tregtare, sociale dhe arsimore. Dhe sot nga këto vepra janë ruajtur vetëm një e dhjeta e tyre.

Edhe në atë kohë, një nga elementët më të sigurtët që garantonin sigurinë në rajon kanë qenë shqiptarët dhe trojet shqiptare. Fara e miqësisë mes dy popujve tanë është hedhur që në kohën e Sulltan Muratit të Parë dhe kjo është edhe në dokumente. Marrëdhëniet tona kanë qenë të ndihmës reciproke, duke mbështetur njëri-tjetrin. Osmanët erdhën këtu për të mbrojtur trojet shqiptare. Ju shkodranët e dini edhe për rolin e veçantë që ka luajtur Hasan Riza Pasha në mbrojtjen e Shkodrës.

Meqë detyra e një ambasadori është të mbrojë interesat e shtetit që përfaqëson dhe të promovojë politikat, përfshi edhe politikat kulturore përkatëse, unë nuk do t’i jepja shumë rëndësi këtij pozicioni, përveç faktit që ai dëshmon njëfarë neo-otomanizmi të përditësuar, për rrethanat e sotme në Ballkan. Nuk besoj se zotëria ka kryer analiza historike të pavarura – gjasat janë që t’i mbështetë këto gjykime në burime akademike të caktuara. Për të cilat do të thoja, së paku, se nuk përkojnë me ato të historiografisë sonë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në kuptimin që ne, si komb, praktikojmë një narrativë tonën të ngjizjes kolektive, e cila – që nga Rilindja e këtej – themelohet mbi “lufën për shkëputje dhe çlirim” nga Perandoria Osmane. Kjo narrativë në thelb u përpunua, nga ideologët e Rilindjes, gjatë shekullit XIX dhe fillimeve të shekullit XX, në një kohë kur Perandorisë Osmane i kish filluar tatëpjeta dhe në kontekstin kur narrativa të tilla ishin përpunuar anembanë Ballkanit, sipas modelit të Revolucionit Grek. Gjithnjë në bazë të këtyre narrativave në thelb romantike, popujt e Ballkanit jetonin në robëri dhe duhej të ngriheshin kundër Portës së Lartë, për t’i hequr qafe vargonjtë e Perandorisë Osmane dhe – njëfarësoj – për t’u kthyer në gjendjen kur ishin para pushtimit osman, gjendje e cila vetvetiu do të idealizohej, ose të paktën do të paraqitej si “normale”.

Gati të gjithë popujt e Ballkanit e kultivuan edhe aspektin fetar të Rilindjeve të tyre, duke e përfytyruar revoltën anti-osmane edhe si revoltë të Krishterimit kundër Islamit; dhe duke e interpretuar dëbimin e osmanëve nga trojet kombëtare edhe si dëbim të Islamit nga trojet e Krishtera (reconquista). Gati të gjithë popujt, me përjashtim të shqiptarëve, të cilët nuk e përqafonin dot këtë pozicion, ngaqë një pjesë mjaft e madhe e tyre ishin të fesë Islame. Edhe pse diskursi anti-Islam u përpunua gjerësisht në qarqet arbëreshe, përkatësisht shqiptare-ortodokse dhe vllahe-ortodokse në diasporë, ata që kërkonin dhe përgatitnin autonominë dhe shkëputjen e shqiptarëve si komb nga Perandoria Osmane e kuptonin se këtë nuk do ta realizonin dot po t’i mëshonin argumentit fetar, njëlloj siç e kuptonin se nga Perandoria Osmane nuk do të shkëputeshin dot me vjersha dhe rima kundër “qenit turk”.

Megjithatë ngjyrimi anti-Islam i Rilindjes shqiptare nuk u shlye kurrë dhe mbetet edhe sot e kësaj dite në tekstet dhe liturgjitë bazë të kombëtarizmit, sa kohë që Islami jo rrallë vijon të shihet si importim kulturor dhe matricë fetare-kulturore “e panatyrshme”, në raport me Krishterimin; dhe kjo jo vetëm nga këndvështrimi ideologjik shqiptar katolik dhe shqiptar ortodoks, por edhe nga ideologët laikë, të cilët e gjejnë Islamin si në kundërshtim me “identitetin europian” të shqiptarëve.

Sa më lart, është ideologji dhe nuk varet shumë nga të dhënat historike. Narrativa kombëtariste shqiptare, e tillë siç mësohet në shkolla dhe rimerret – si premisë – në çdo diskurs kulturor dhe akademik zyrtar, nuk i ka të forta dhe as të përditësuara lidhjet me historinë; por praktika ka treguar se ndryshimet në të janë praktikisht të pamundura për t’u realizuar. I vetmi ndryshim serioz, në këtë narrativë, ka ndodhur me gjallërimin e idesë – pas vitit 1990 dhe aktualizimit të çështjes kosovare – se fqinjët, veçanërisht serbët dhe grekët të frymëzuar nga ideologjitë kombëtariste përkatëse – e kanë kërcënuar identitetin kombëtar të shqiptarëve më fort se Perandoria Osmane, njëlloj siç kanë kërcënuar hapësirat jetike të shqiptarëve, në gjeografi, në ekonomi, në politikë dhe në kulturë.

Dashur pa dashur, kjo krijon një dyzim në mënyrën si e përjetojmë identitetin tonë kombëtar – a kanë qenë shqiptarët, në shekuj, ekzistencialisht me të rrezikuar nga osmanët (turqit) apo nga greko-serbët? Cili ka qenë armiku ynë, ose antagonisti aq i nevojshëm për një rrëfim identitar? Në Shqipëri ka sunduar, prej më se një shekulli, ai version i narrativës që e sheh të keqen te Perandoria Osmane, ndërsa të mirën te shkëputja prej saj (prej Lindjes) dhe afrimi me Europën (Perëndimin); ndërsa në Kosovë duket se e ka ruajtur përparësinë versioni i kërcënimit ekzistencial të shqiptarëve prej fqinjëve, veçanërisht prej hegjemonisë serbe. Ka pastaj edhe një version ekstrem të narrativës, e cila e sheh të keqen tek “i huaji” si i tillë dhe rezulton i themeluar në ksenofobi; paçka se ndonjëherë paraqitet si opsion për shqiptarin laik, që nuk dëshiron të bjerë në kurthet identitare të “pluralizmit” fetar.

Megjithatë, këto tridhjetë vjet u është mëshuar ndonjëherë me dorë të rëndë afiniteteve europiane të Shqipërisë; dhe kjo jo vetëm për hir të strategjive politike të anëtarësimit (në NATO, në BE, etj.) por edhe ngaqë shteti i sotëm modern tek ne është i ndërtuar sipas modelit të demokracive perëndimore; çfarë përfshin edhe parimet bazë kushtetuese. Në vija të trasha, kjo ndodh edhe në Kosovë, ku orientimi pro-perëndimor ka rrënjë të dyfishta – te kontributi i Perëndimit për shkëputjen e Kosovës nga sundimi serb, por edhe te një traditë institucionale që nga kohët e Jugosllavisë.

Por nuk është vetëm ky kontekst që i spikat për keq fjalët e zotërisë ambasador të Turqisë. Ndoshta është edhe përkthimi i pagoditur, por mua më tingëllojnë të pambështetura, në mos absurde, pothuajse të gjitha premisat e shtjellimit të tij – që nga “përplasjet e përgjakshme mes sekteve të botës së krishterë”, tek osmanët që “u qëndruan pranë popujve orthodoksë” deri te ardhja osmane “për të mbrojtur tokat shqiptare”. Përmendja në fund e Hasan Riza Pashës dhe e rolit të tij në mbrojtjen e Shkodrës mbase mund të përligjet në kontekstin specifik të tubimit ku fliste ambasadori, por përndryshe është një non sequitur. Në përgjithësi, ideja se osmanët – si ushtri, si shtet, si shkatërrues e si ndërtues, erdhën në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri “për të mbrojtur” nuk tingëllon e argumentuar; madje edhe sikur të përmendet fakti që ndërhyrjet osmane mund të jenë kërkuar nga ky apo ai sundimtar ballkanik, që është ndier i kërcënuar nga një tjetër.

Por mua njëlloj po më duket edhe se, habia që shkakton ky vizion historik i përfaqësuesit të Turqisë, mishëron imazhin spekular të disa teprimeve që ia kemi lejuar vetes, në Shqipëri, me përpjekjet për të theksuar lidhjet “tona” me Perëndimin; pa u ndalur në çfarë ka ndodhur më parë, po përmend vetëm prezantimin e bujshëm tani së fundi të Statuteve të Shkodrës dhe përvetësimin e tyre si dëshmi e një “qytetërimi arbër para-osman” (në kontekstin e “shihni çfarë kulture kishim para se të vinin osmanët”); paçka se ato i referohen një Shkodre romane-venedikase e cila ka vetëm emrin dhe gjeografinë të përbashkët me këtë të sotmen. Ne gjithnjë e kemi të vështirë të pranojmë se identiteti ynë modern, si shqiptarë, ka lindur në periudhën kur shqiptarët ishin nënshtetas të Perandorisë Osmane; dhe se nga periudha para-osmane i vetmi institucion identitar madhor që kemi trashëguar ka qenë gjuha. Këtë hipotezë historike duket se e mbështet edhe ndërrimi i emrit etnik (nga arbëreshshqiptar), që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe.

Narrativa kombëtariste zyrtare, e shqiptarëve që nuk e pranuan kurrë zgjedhën osmane dhe e “treqind kryengritjeve në katërqind vjet” nuk mund të mbrohet me argumente historike; fakti që mbahet akoma në këmbë ka të bëjë me vështirësinë, në mos me pamundësinë për ta zëvendësuar me diçka tjetër. Por edhe alternativa, që nxjerr krye edhe në fjalët e zotit ambasador të Turqisë, mbetet gjithaq e papranueshme: shqiptarët individualë mund të kenë pasur sukses si etni brenda Perandorisë, por trojet shqiptare për shekuj me radhë nuk ishin veçse zona periferike, kufitare të shtetit osman, borderlands, çfarë mund të shpjegojë edhe specializimin ushtarak (mercenar) të banorëve të këtyre anëve, të ngjashëm me atë të kozakëve në Rusinë cariste. Edhe degradimi i bregdetit shqiptar, duke filluar nga rrëgjimi i Durrësit dikur port madhor i Adriatikut madje i Mesdheut, tregon se osmanët nuk kishin ndonjë interes për ta zhvilluar ekonomikisht këtë “ndërfaqe” tregtare me Perëndimin.

Pakënaqësitë, fërkimet dhe përplasjet mes shqiptarëve dhe Perandorisë nuk mund të ndahen nga periudha e sëmundjes dhe e agonisë së kësaj të fundit; dhe përpjekjet e Portës së Lartë për t’u rimëkëmbur përmes reformave gjithfarësh. Projeksioni i këtyre kundërvënieve edhe në shekujt më herët se i 19-ti dëshmon shndërrimin e narrativës historike në mit; sikurse është gjithaq mit ky tjetri, që i sheh osmanët në rolin e një pranie avunkulare mirëdashëse, në mbrojtje të shqiptarëve kundër fqinjëve të ligj, përfshi këtu sllavët e Ballkanit dhe Europën me gjithë Vatikan brenda. Nuk ka asnjë arsye që përftimi i kombit shqiptar në rrjedhë të historisë të shihet si diçka absolutisht pozitive, madje as për ne vetë. Përkundrazi, janë shqiptarët që duhet ta provojnë, dita-ditës, se janë një e mirë historike edhe për veten, edhe për të tjerët; çfarë nuk është e lehtë, në rrethanat e dyzimit të tyre identitar dhe të varjes pezull, mes Lindjes dhe Perëndimit. Të mençurit mund ta shfrytëzonin këtë dyzim për t’i hapur vetes një hapësirë unike negocimi dhe veprimi mes dy botëve; të marrët, do ta përdornin si shkas për t’u kacafytur mes vedit.

 

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi nga palë të treta. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Kopertina: Jean-Léon Gérôme, Prière dans la maison d’un Arnaut chef arabe.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin