Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

KUR KANOÇJA NUK ËSHTË MË KANOÇE

Botimi tani vonë në shqip i libri të Lea Ypit, Të lirë (Dudaj) ka rikthyer interesin për mënyrën si po e rrëfejmë eksperiencën totalitare në Shqipëri.

Librin vetë në Shqipëri quajtën “roman”, por mua më duket si libër kujtimesh (memuar), që mbulon një periudhë specifike të fundit të regjimit totalitar dhe të kaosit që pasoi.

Me gjithë ngazëllimet e cave se “ky ishte libri që prisnim”, dhe se “askush deri më sot…”, kontributi publik i këtij libri mund të vlerësohet drejt vetëm në kontekstin e kontributeve të sjella nga autorë të ndryshëm, qoftë si kujtime, qoftë në trajtë historiografike, qoftë si studime akademike ose ese, në rrëfimin e atyre viteve të errëta.

Mes atyre që kanë shkruar non-fiction për atë periudhë, do të përmendja Maks Velon, Visar Zhitin, Fatos Lubonjën, Elidor Mëhillin, Artan Fugën, Bashkim Shehun, Olsi Lelën. Ka edhe autorë që kanë ardhur “nga jashtë” dhe e kanë analizuar totalitarizmin në Shqipëri; vetëm tani së fundi kanë dalë libri publicistik Mud Sweeter than Honey, i Margo Rejmer-it dhe Ciao Shqipëria, Il Secolo dei media italo-albanesi, i Vito Saracino-s.

Libri i Rejmer-it madje përfundoi i përballur me librin e Leas dhe nuk munguan përpjekjet – patetike – për t’i polarizuar këto dy kontribute sipas llogoreve të luftës politike në Shqipërinë e sotme.

Në çdo rast, Të lirë është një tekst që nuk mund të interpretohet drejt, pa pasur parasysh që Ypi vazhdon atje një diskurs intelektual akademik, të cilin e ka nisur prej kohësh brenda angazhimit të saj në filozofi; dhe pa pasur parasysh që libri, i shkruar anglisht dhe i publicizuar në mënyrë fenomenale në Perëndim, nuk i drejtohet me përparësi lexuesit në Shqipëri – sikurse edhe ai i Reimer-it.

Ai libër që nuk synon me përparësi lexuesin shqip, por i vjen atij i përkthyer, ka nevojë për përpjekje rikontekstualizuese, sepse vetë transferimi – nga një gjuhë dhe kulturë në një tjetrën – sjell me vete humbje të kontekstit dhe u hap rrugë keqkuptimeve dhe keqleximeve.

E kam vështirë të marr me mend si do ta presë librin e Ypit brezi që nuk e ka jetuar totalitarizmin, por vetëm ka mësuar për të (deri më tash keq e mos më keq) nëpërmjet mediave, shkollës, publicistikës dhe kujtimeve të prindërve e të fisit.

Përkundrazi, një lexues i brezit tim e ka të pashmangshëm krahasimin mes atyre çfarë rrëfen Ypi dhe eksperiencës së vet.

Më duket papjekuri alarmante të shpresosh se një libër si Të lirë do të rrëfejë edhe eksperiencën tënde si lexues, sidomos kur i përket një brezi tjetër dhe një shtrese sociale të ndryshme nga ajo e autores.

Ypi përshkruan një eksperiencë specifike, të një familjeje qytetare tejet specifike – sepse kjo familje na jepet e individualizuar. Aq sa pjesa e parë e Të lirë (ajo që përfundon në fund të vitit 1990 dhe ku jam mbështetur për këtë ese timen), më shumë edhe se një rrëfim për Shqipërinë totalitare, duhet parë si rrëfim në vetë të parë, i një fëmije të mirëmbrojtur nga çdo lloj impakti me vrazhdësinë e shtetit dhe të agjentëve të tij. Na tregon jo aq impaktin e sistemit totalitar në jetët individuale, sa atë që, po ai sistem, e mundësonte që një familje ta mbante fëmijën në izolim të bekuar nga e keqja politike, duke e lei-fenizuar.

Më ka qëlluar të bisedoj me njerëz nga familje dikur të deklasuara, që kanë qenë të mitur në periudhën totalitare – këta më kanë rrëfyer përvoja të kundërta me ato të Ypit, ku në familje flitej hapur kundër regjimit dhe Enver Hoxhës; dhe ky “sekret”, i cili mund të sillte edhe katastrofë po të merrej vesh nga fqinji ose nga Sigurimi, edhe e mbante familjen së bashku, ia ruante kohezionin, e ndihmonte për të mbijetuar.

Si autor gjithnjë i interesuar për komunikimin publik dhe privat në totalitarizëm, në vite jam munduar të rrëfej si individi asokohe, edhe kur i pafuqishëm përballë shtetit, arrinte të krijojë një hapësirë të lirisë vetjake, duke u shkëputur mendërisht nga realiteti i drejtpërdrejtë dhe duke u angazhuar, me imagjinatë, në komunikimin me një kulturë për të aksidentale (paçka se oksidentale).

Kanoçja e Coca-Cola-s, e cila pluskon e vallëzon edhe në ujërat e kujtimeve të Ypit, ishte atëherë simbol i një dhurate rastësore, të sjellë në Shqipëri prej detit; dhe jo më kot trajektorja e disidencës pasive, të qytetarit shqiptar të atyre viteve, kalonte nga ajo kanoçe te kanoçja tjetër – ajo që mundësonte ndjekjen e televizionit të huaj dhe transformimin shpirtëror nëpërmjet kontaktit me një kod kulturor Tjetër.

Edhe nga fëmijëria ime në vitet 1960 ruaj kujtime fare të ndryshme nga ato të Ypit; për çudi, të miat janë apolitike në thelb, dhe të politizuara vetëm në anët; “xhaxhi Enver” nuk zinte ndonjë vend të rëndësishëm, në fantazitë dhe në frikërat e mia. Shumë më tepër rëndësi kishin Apollo 11 dhe I holli me të trashin (Stanlio e Olio).

Përpiqem vetëm të marr me mend, aq sa mundem, si do të ketë qenë jeta e një bashkëmoshatarit tim, në një kamp internimi; dhe si do ta lexonte ky tani librin e Ypit, me autoren e të cilit kushedi mund ta afronte statusi social, gjaku ose thjesht “biografia”.

Të tjerë, të një brezi më të hershëm se imi, janë goditur prej dhunës totalitare dhe pastaj kanë shkruar për eksperiencën: kam lexuar Maks Velon dhe Visar Zhitin, por i sjell vetëm si shembuj.

Të gjitha këto eksperienca vetjake kanë një emërues të përbashkët: përballjen e subjektit me regjimin totalitar. Por ky regjim nuk do të kuptohet dot kurrë mirë, pa deshifruar kodin që e mbante në punë – dhe që, siç e ka treguar Elidor Mëhilli, në monografinë e vet, nuk ishte veçse një automat i programuar për të prodhuar sovjetizëm, dhe që vazhdonte punën verbërisht edhe pasi ai lloj sovjetizmi (stalinizmi) tashmë ishte diskredituar. Një dukuri të ngjashme, të manifakturimit masiv të vetëdijeve, përshkruan edhe Artan Fuga, në një varg esesh që ka botuar këto vite.

Dhuna burokratike – ose ai lloj ndërzimi i organizuar i shtetit kundër individit dhe lirisë së tij që ndodh si rutinë, edhe pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të ndonjë subjekti – është ajo që ka lënë vulën e vet në jetët tona; dhe që meriton të rrëfehet po aq sa edhe krimet e këtij apo atij eksponenti të regjimit.

Ashtu siç pikturohet në fëmijërinë e vet, tek Të lirë personazhi Ypi më vjen si nënprodukt paradoksal i kësaj dhune. Dikush në Facebook pat bërë një krahasim me etosin e filmit La vita è bella, të Roberto Benigni-t – por edhe ai lloj falsifikimi i ndërfaqes së privates me publiken, ka qenë pjesë e jetës së përditshme në totalitarizëm dhe meriton të rrëfehet.

Mënyra si iu prezantua publikut në Shqipëri libri i Ypit e shndërroi atë, dashur pa dashur, në një produkt kitsch, të paketuar në mënyrë super-profesionale, por mu për këtë arsye të përshtatshëm për fushata politike dhe public relations. Jo më kot elitat politike, në Tiranë, vrapuan që t’i bashkohen asaj qerreje, për të qenë pjesë e “eventit” të botimit. Libri me siguri ka shitur mirë – tek e fundit, për një takëm njerëzish blerja e një libri nuk ka ndonjë lidhje me leximin dhe aq më pak me reflektimin rreth çfarë është lexuar.

Ajo çfarë nuk u bë, ishte vendosja e librit në dialog me libra të tjerë të ngjashëm, që i kanë paraprirë; dhe kjo në masë të madhe i detyrohet injorancës së operatorëve kulturorë, të cilët – të obsesionuar me “evente” – nuk e përfillin temporalitetin në kulturë dhe shtresimin e vlerave të përftuara dhe të qarkulluara. (Që dialogun nuk e pat nisur vetë Ypi, kjo më vlen si provë e mëtejshme se libri nuk është konfeksionuar për lexuesin dhe kulturën në Shqipëri).

U duk sikur, pas interesimit të tyre për librin, shumë nga fytyrat e ndritura që pamë në prezantimet fshihnin interesimin për vetë Ypin dhe rekrutimin e saj politik. Por besoj fort se ajo autore, që ka ditur të shkëlqejë në angazhimet e saj akademike, nuk ka nevojë për përqafime dhe kontaminime të tilla.

 

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi i shkrimit në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin