Para një muaji, Mimoza Hysa nga Qendra e Botimeve për Diasporën më kërkoi mendime për disa çështje të hapura të mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë; në thelb, për nëse nevojiten politika shtetërore në këtë drejtim dhe sesi duhen orientuar ato, por jo vetëm.
Përgjigjet e mia, të cilat janë botuar tashmë në faqen publike të QBD-së, po i sjell edhe në vijim. Me shpresë mbetem edhe unë se do të ketë një diskutim të mëtejshëm rreth temave të prekura.
- A është e rëndësishme për brezat e rinj të shqiptarëve jashtë vendit që të ruajnë gjuhën shqipe? Nëse po, për çfarë mendoni se u shërben?
Besoj se këtë e dinë, më mirë se kushdo tjetër, familjet që rritin fëmijë në mërgim dhe të rinjtë me origjinë nga familje ku flitet shqip. Nuk ka vend për paternalizëm. Sikurse nuk ka një qëndrim të përbashkët, edhe mes shqiptarëve të mërguar. Ka që e gjykojnë shqipen të domosdoshme, për arsye identitare, ka që nuk i japin rëndësi. Në përgjithësi, shqipja normalisht mund të kultivohet si një hobby, njëlloj si pianoja ose karateja – me kusht që fëmija të ndihet mirë. Por në praktikë vlerat e të diturit shqip, sidomos e të mësuarit shqip në shkollë, janë të papërfillshme. Fëmijët sot e kanë kaq të ngarkuar ditën, sa nuk mund t’ua rëndosh duke u shtuar edhe një gjuhë si shqipja, e cila mund të ketë vlera shpirtërore dhe identitare, por jo në jetën e përditshme. Në shumë familje të mërguara të brezit të parë, shqipja mbetet “gjuhë e vatrës”, ose e një komunikimi gojor ku marrin pjesë edhe fëmijët. Por kjo e lë jashtë shqipen e shkruar, e cila i përket një niveli tjetër funksional; tek e fundit, fëmijës nuk i duhet të komunikojë me shkrim në familje.
- Gjuha shqipe ndihmesë apo pengesë për integrimin e shqiptarëve jashtë vendit?
Mund të pyesim nëse shqipja i jep ndonjë avantazh fëmijës ose të riut. Në vija të trasha, do të thoja se nuk i jep, përkundrazi. Formimi i identitetit është proces tejet delikat dhe fëmijës i duhet të kalojë përmes një procesi mizor konformimi, ku edhe aksenti më i lehtë e ekspozon ndaj bullizmit. Nga përvoja ime, si shqiptar që jeton prej shumë vjetësh në SHBA, mund të përmend disa raste ku fëmijët nga familje të mërguara bëjnë çmos, që t’i mbajnë të ndara jetën në shkollë dhe jetën në familje. Në një mjedis aq kompetitiv sa shkolla publike në një metropol, gjuha e dytë amtare do të përjetohet nga fëmija si handikap. Edhe familja, edhe fëmijët, nuk kanë arsye të humbin energji mendore dhe shpirtërore, duke u përpjekur të mbajnë gjallë një shenjë identitare kaq të kushtueshme.
- A duhet të ketë një politikë shtetërore për mbështetjen e përhapjes së gjuhës shqipe në botë dhe cili është roli i institucioneve shtetërore në këtë proces?
Mendoj se shteti mund të ofrohet dhe të ndihmojë ato palë të treta, p.sh. shoqata kulturore shqiptarësh të mërguar, që duan ta praktikojnë mësimin e shqipes, si mënyrë për të organizuar fëmijët dhe të rinjtë në komunitetet përkatëse specifike. Pra, në varësi me kërkesat që vijnë nga poshtë. Përndryshe, nuk shoh pse duhet të shqetësohet shteti, që “gjuha shqipe të përhapet në botë”, sepse gjuha shqipe nuk është fe dhe as janë mërgimtarët misionarë. Përkundrazi, shteti ka për detyrë të shqetësohet, me përparësi, që gjuha shqipe të realizojë potencialin e saj të plotë, brenda territorit që kontrollon. Kjo do të ndihmonte pastaj, tërthorazi por seriozisht, edhe komunitetet që e përdorin shqipen në diasporë dhe duan ta zgjerojnë ose ta ruajnë këtë përdorim. Di që në NYC, ku jetoj, ka disa shkolla të tilla që meritojnë të ndihmohen – kryesisht me tekste dhe materiale të tjera didaktike, sikurse ka edhe televizione lokale, që mund të ndihmohen me materiale. Me siguri ka edhe gjetiu. Gjithashtu mendoj se shteti shqiptar nuk duhet të përzihet në punët dhe hallet identitare të arbëreshëve të Italisë; këto komunitete, pjesë e një shoqërie pluraliste dhe demokratike si ajo italiane, janë në gjendje t’i zgjidhin vetë punët e tyre, aq më tepër që kanë nxjerrë një elitë kulturore të spikatur, e cila ka zënë vend të qëndrueshëm në disa universitete të mëdha të atij vendi.
- Përtej politikave shtetërore, cilat mendoni se mund të jenë rrugët më efikase për mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe jashtë vendit?
Kryesore është që të ekzistojë vullneti në komunitet. Ka vende ku jetojnë një masë mërgimtarësh shqiptarë, të cilët duan të organizohen dhe t’u japin fëmijëve atë identitet kombëtar që kanë sjellë me vete. Unë nuk do ta bëja sepse jam skeptik ndaj nismave të tilla, por nuk kam asnjë arsye që t’i gjykoj keq promotorët. Me siguri ka prindër që mendojnë se mësimi i shqipes, prej fëmijëve të tyre, do t’u japë këtyre një avantazh në formimin intelektual dhe në integrim. Por, e përsërit, rruga më e mirë, edhe pse krejt e tërthortë, është që të bëhet Shqipëria tërheqëse për brezin e dytë dhe të tretë të mërgimtarëve, dhe jo vetëm si vendi mistik i origjinës, por edhe si realitet i përditshëm; çfarë do të realizohej edhe duke ia rritur Shqipërisë prestigjin në botë.
- Çfarë është për ju gjuha shqipe?
Për mua, si A.V., shqipja është indi i qenies, ose hapësira ku më aktualizohet botëvështrimi. Por kjo nuk ndodh, p.sh., për vajzën time, e cila është rritur pjesërisht në Itali dhe pastaj ka shkuar në shkollë, që e vogël, në NYC, dhe që do ta konsideronte si të tillë anglishten. E kuptoj mirë sa i dhimbshëm dhe i rëndë është mërgimi për të gjithë; një lloj amputacioni, nga i cili i mërguari nuk shërohet dot kurrë; por vendimi për të mërguar kërkon – etikisht – edhe gatishmërinë për t’u integruar në vendin pritës, tënden dhe për brezat që vijnë. Ne nuk kemi ardhur këtu ku jemi, që të ngremë ngulime shqiptare dhe as të mirëmbajmë identitetin etnik brez pas brezi. Kush e ndjen këtë si të nevojshme, mund të kthehet dhe ta bëjë lirisht në Shqipëri.