Një malësor i ri, Lekë Binaku, takon një shtojzovalle te një krua dhe lidh dashuri me të; shtojzovallja i thotë se e ka lakmuar dhe ndjekur nga pas që kur ky ishte ende fëmijë. Me mua do të jesh i lumtur si kurrnjeri ndonjëherë, i thotë, por vetëm bëj kujdes të mos i rrëfesh kujt për “kët ndeshën t’onë”, se po e bëre, do të ndëshkohesh. I premton se do ta vizitojë natën në shtëpi, dhe ashtu Leka i kërkon nënës që t’i shtrojë për gjumë veç, në odën e vogël. Nëna kërkon të vijë edhe ajo të flejë me të birin, se mos ka nevojë për gjë natën, por djali refuzon. Me të trokitur mesnata, shfaqet shtojzovallja “me bukurin hyjnore qi gojë njeriu s’mundet me e rrëfye”, me një tufë me lule që i shpërndan në shtrojat e duke përshëndetur me fjalët “Mbrâmja e mirë, burri i em” para se të flerë me Lekën. Dhe kjo është vetëm e para natë e një gjerdani netësh dashurie të pacak. Por me kalimin e kohës, Leka fillon të komunikojë me të tjerët rrallë e më rrallë, ta humbë fillin në bisedë, të mbyllet në vete, të kërkojë vetminë… Aq sa nëna shqetësohet dhe fillon ta pyesë çfarë i ka ndodhur. Në krye Leka nuk tregon, ruan sekretin, por si nëna ngul këmbë dhe i lutet me lotë për faqe dhe i përbetohet, dorëzohet më në fund dhe i thotë: “Jam martue me një shtojzovalle e për natë bij me tê.” Dhe Leka ashtu ia kallëzon krejt historinë, por sa mbaron tregimin e humb gojën dhe nuk flet më kurrë.
Kjo është, e rrëfyer shkurt (dhe ndoshta keq), fabula e tregimit “Nusja e mrekullueshme” të Ernest Koliqit, që hap vëllimin Hija e maleve, botuar në vitin 1929. Ka trajtën e një përralle popullore, me një djalë mali që bie viktimë e një dashurie të pamundur. E megjithatë, autori zgjedh t’i qaset tërthorazi: duke e filluar ligjërimin në vetë të parë, si të rrëfyer nga një mysafir në malësi përndryshe i padetajuar më tej; i cili e ndesh rastësisht Lekë Binakun e pagojë gjatë një gare shenjëtarie, dhe pastaj e dëgjon historinë e tij të treguar nga mikpritësi i tij Don Marku, famullitari i atij vendi. Don Marku rimerr, me fjalët e veta, një histori që me gjasë është treguar shumë herë në katund, dhe që e ka burimin te rrëfimi që ia dha nënës vetë Leka, para se t’i ikte goja. Ashtu edhe tregimi, sado në dukje i thjeshtë, artikulohet në të paktën katër ligjërime: ai i vizitorit në malësi që flet në vetën e parë, ai i Don Markut në rolin e rrëfyesit dëshmitar, ai i nënës së Lekës si burim i ndërmjetëm dhe ai i Lekës vetë si origjina; në mënyrë të tillë, që secili nga ligjërimet rimerr tjetrin, derisa arrijmë tek ai fillestari i viktimës, i cili tani nuk ligjëron dot më.
Vetë historia e rrëfyer, e malësorit të ri që hyn në “martesë” me shtojzovallen, nuk është tekst dosido: po t’i besojmë Lekës, nënës së tij dhe Don Markut, djali u ndëshkua me memecëri mu ngaqë rrëfeu se çfarë po i ndodhte në jetë. Nga një këndvështrim më abstrakt, ndoshta ky ndëshkim erdhi prej natyrës mëkatare të lidhjes, por në logjikën narrative, ishte shtojzovallja që e premtoi (e kërcënoi). Lekës i iku goja jo sepse mëkatoi me shtojzovallen, por sepse iu rrëfye nënës. Shtojzovallja, kjo krijesë femërore magjike që personifikon natyrën e egër në mitologjinë popullore dhe në folklor; dhe që ontologjikisht u përket vetëm rrëfimeve që thuhen për të dhe këngëve që i këndohen, nuk mund ta tolerojë rrëfimin e lidhjes së saj me një djalë të ri.[1]
Ironikisht, në tregimin e Koliqit djali nuk iu rrëfye priftit, por nënës; dhe Don Markut nuk i mbeti veçse ta kallëzojë historinë e tij, por pa e dëgjuar mëkatin në konfesion (po ta kish dëgjuar, nuk do ta kallëzonte dot). Ne si lexues e dimë tashmë se Leka e ka treguar se çfarë i ndodhi vetëm një herë, ose mu para se t’i ikte goja; të gjitha rimarrjet e mëtejshme të lidhjes së tij me shtojzovallen janë ri-tregime, rrëfime të zhdrejta. Don Marku vetë e sjell atë histori të përpunuar, me gjithë zbukurimet e një proze pak precioze dhe klishetë e letërsisë e asaj kohe, për malësorët dhe botën e maleve – duke luajtur në ekonominë e rrëfimit rolin e një shkrimtari tradicional katolik të Veriut, që ia lejon vetes të mahnitet me ligjësitë e tjera që veprojnë në atë topologji (“due me t’a kallzue ashtu si e dij”). E megjithatë ndalet herë pas here dhe kërkon konfirmim nga Leka, që është i pranishëm në bisedë: “A kje kështu?”. Dhe pastaj i thotë mysafirit: “ai bân bé se ndodhja qi po të tregoj â kryekëput e vërtetë.” Por mysafiri ka dyshimet e veta, që nuk i shpreh.
Ngaqë nuk flet, por është gjithë kohës i folur, Leka e ka njërën këmbë në botën reale dhe tjetrën në fantazi; marrëdhënia që pati me shtojzovallen e ka shënjuar për jetë, duke e dënuar të shërbejë si personazh i një rrëfimi, si ilustrim i një prove se shtojzovallet ekzistojnë. Në fakt, në skenën ku Don Marku i rrëfen mysafirit se çfarë i ndodhi Lekës, shtojzovallja është e pranishme si memecëri, si bllokim i të folurit, si refuzim i funksionit rrëfimor të fjalës, si mos-rrëfim. Sado protagonist i ngjarjes, Leka veç mund të konfirmojë, me gjeste, çfarë thonë të tjerët për të. Afazia e tij – për ta thënë me një term mjekësor – sjell me vete licencën që historinë e martesës me shtojzovallen t’ia rrëfejnë të tjerët, dhe ai vetë të vijë duke u reduktuar në personazh mitologjik, gati mishërim të një përralle morale.
Tregimi i Koliqit, dhe legjenda e një malësori që dashurohet me një shtojzovalle i referohet tek-tuk edhe mitologjisë klasike, sidomos me “kushtin” që vihet që një marrëdhënie të ruhet (tabunë): Orfeu e humbi Euridicen (edhe kjo nimfë) ngaqë nuk duroi dot dhe e ktheu kokën prapa, kur po dilnin nga mbretëria e të vdekurve; Psyche-ja e kish të ndaluar që ta shihte fytyrën e të dashurit të saj të parrëfyeshëm, i cili e vizitonte natën, por edhe ajo nuk duroi dot, dhe ashtu e humbi Kupidin. Por humbja e të folurit, që i ndodh Lekës, e ka paralelen më të fortë te historia e nimfës Echo, e cila u mallkua nga Hera që të mos fliste më fjalët e veta, me zërin e vet, por vetëm të përsëriste fjalët e të tjerëve. Të paktën nga Freud-i e këtej, e kemi dëgjuar edhe se afazia është një lloj ndëshkimi censurues ndaj shkeljes (së perceptuar) të tabusë. Për Koliqin nuk do të jenë të huaja tone të tilla të nëndheshme fërkimesh, tensionesh dhe tabush seksuale – jemi distancuar tashmë nga psikologjia kolektive tradicionale, ku shtojzovallja luan një rol fiks në ecurinë e ngjarjeve dhe të botëve, rol që i konfirmohet me çdo ri-rrëfim. Në fakt, për një lexues dinak, personazhi më misterioz në këtë tregim duket të jetë nëna e Lekës.
© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Shtojzovallja e tregimit të Koliqit duket të ketë më shumë tipare të përbashkëta me najadat e mitologjisë klasike, se me ato të folklorit të Veriut tonë. Te A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture, Robert Elsie përmend megjithatë një legjendë, sipas së cilës shtojzovallet zgjodhën të mbajnë qëndrim asnjanës në një betejë qiellore mes engjëjve të krye-engjëll Mëhillit dhe engjëjve të rënë të Luciferit, prandaj tani herë pas here qajnë në shenjë pendese. Nëse dikujt i bie sipër një pikë loti e shtojzovalles, ai do të vdesë. Që këtej edhe shprehja “i ra pika”, për dikë që pëson një goditje në tru. Elsie i bazon këto që shkruan në prurje nga Hahn-i, Stadmüller-i, Lambertz-i dhe T. Dhama. Kur po lexoja për pikën që i bie dikujt, u kujtova se ashtu quhet në shqip edhe apopleksia ose ishemia cerebrale, e cila edhe kur nuk vret, shpesh i lë viktimat “pa gojë”: afazia është efekt i rëndomtë i goditjes cerebrale.