Pas 1990-ës, mass mediat në Shqipëri u resetuan, për të adoptuar brenda natës modelin perëndimor të lirisë së fjalës dhe pluralizmit; por pa qenë profesionalisht gati për këtë ndërrim kaq dramatik të perspektivës. Në shumë raste, ishin të njëjtët gazetarë dhe punonjës si më parë, që tashmë dolën me fytyrë të re; dhe pothuajse gjithnjë liria e fjalës u ushtrua në mënyrë të pavarur nga përgjegjësia e medias para publikut. Në të njëjtën kohë, numri i mediave u shumua në mënyrë artificiale, përtej nevojave të publikut për burime të ndryshme informimi; në krye ishin gazetat që i mbushën kioskat, të ndjekura nga televizionet private dhe më në fund nga portalet dhe sajtet online.
E gjithë kjo ndodhte përballë një publiku i cili ende kish nevojë të edukohej me mënyrën si duhej konsumuar lajmi, informacioni dhe opinioni, në një shoqëri ku fjala ishte, në parim, “e lirë”; dhe në rrethanat kur në Shqipëri ndodhnin shumë ngjarje herë të rënda dhe herë të pakuptueshme, të cilat objektivisht kërkonin ndërmjetësimin e mediave. Veçanërisht lypej kultivimi i gazetarisë investigative, e cila duhej të plotësonte dhe të çonte përpara përpjekjen e përbashkët, edhe institucionale edhe të qytetarëve, për drejtësi. Kjo nevojë për gazetari investigative ndihet edhe sot, meqë nuk u përmbush kurrë.
Politika në Shqipëri nuk ishte mësuar as me pluralizmin shumëpartiak dhe partitë që u krijuan pas 1990-ës ende nuk e kishin të qartë, qoftë edhe thjesht nga ana teknike dhe protokollare, si do të komunikonin mes tyre. U përvijua një tendencë për luftë të pamëshirshme dhe frontale, para publikut, dhe marrëveshje xhambazësh në prapaskenë – teksa Parlamenti filloi shkallë-shkallë të degradohej në diçka midis pazarit të gjësë së gjallë dhe estradës. Politikanët filluan të akuzonin njëri-tjetrin për tradhti kombëtare dhe vjedhje të pasurisë së përbashkët; dhe panë se asnjë pasojë nuk po u vinte nga akuza të tilla, përkundrazi. Në të njëjtën kohë, krimi i organizuar u pasurua me të shpejtë dhe filloi të kthehej në faktor – sado të tërthortë – edhe në jetën publike.
Këto janë disa nga arsyet që e lehtësuan dhe e lubrifikuan adoptimin e teorive të komplotit, si model të një gazetarie “quasi” investigative, nga shumë media në Shqipëri. Shumë ngjarje dramatike dhe të rënda, që e tronditën qytetarin e atyre viteve – që nga krijimi i Partisë Demokratike, rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës dhe protestat e nostalgjikëve, te ekzodi masiv i vitit 1991 drejt Italisë, organizimi i kalimit të detit me gomone dhe mbytja e anijes me refugjatë Katër i Radës, shoqëritë financiare (piramidat) dhe kolapsi i tyre, prodhimi dhe tregtia e drogës, tregtia e armëve dhe Gërdeci, vdekjet enigmatike dhe vrasjet e mëdha si të Gramoz Pashkos, Kosta Trebickës, Azem Hajdarit, Sokol Olldashit, Artan Santos; dhe ngjarje të tjera të ngjashme, iu dhanë rregullisht publikut të shoqëruara nga teoritë përkatëse të komplotit. Mediat, në rrethana të tilla, funksionuan edhe si kasë akustike e teorive të komplotit që qarkullonin furishëm në popull, duke i amplifikuar dhe legjitimuar, dhe duke i përdorur si gjethe fiku, në maskim të dështimit të tyre në detyrë.
Kjo vetvetiu e uli standardin e trajtimit të lajmit në gazetë ose në ekran, duke i hapur dyert spekulimit jo rrallë pa skrupuj. Publiku nuk protestoi shumë ndaj narrativave që i silleshin si “shpjegime” për ngjarjet e ndryshme dhe u duk sikur po e pranonte filozofinë kryesore të teorisë së komplotit, se gjithçka me rëndësi që ndodh është vendosur që të ndodhë nga një elitë të fuqishmish, të cilit kanë në dorë fatet e Shqipërisë/të planetit. Kështu edhe erdhi duke u normalizuar ideja se mediat duhet të pozicionohen ndaj ngjarjeve të ndryshme me standarde më të ulëta se organet hetimore ose gjykata; sikurse edhe ideja tjetër se politikanët dhe megafonët e tyre nuk mund të mbahen si të përgjegjshëm, për akuzat e përbindshme që i lëshojnë njëri-tjetrit. Toleranca e rritur ndaj teorive të komplotit u pa jo vetëm në lajmet dhe në komentet politike, por edhe në emisione të tjera shoqëruese, si në ato të debateve në studio ose filmave dokumentarë televizivë. Vetë mediat herët a vonë e realizuan edhe se këto teori komploti e argëtonin publikun shumë më tepër se përpjekjet për të ruajtur standarde profesionale në dhënien dhe komentimin e lajmit.
Të gjitha këto ndodhën në rrjedhë të dy-tre dekadave, dhe teksa mediat tradicionale po përpiqeshin të mbijetonin përballë konkurrencës nga Interneti dhe më pas nga rrjetet sociale, ku standardet e diskursit janë edhe më të ulëta dhe ku divorci i së drejtës së fjalës nga përgjegjësia e fjalës tashmë ishte sanksionuar. Por rënia e standardeve profesionale dhe vetëdija se teoritë e komplotit argëtonin, si dy zhvillime të pavarura, konverguan për t’ia ndryshuar përfundimisht pamjen dhe funksionimin mediave, mes të tjerash edhe duke ua hapur dyert teorive të komplotit jo vetëm në politikë, por edhe në fusha të tjera si historia, albanologjia, shkenca dhe mjekësia, të cilat do t’i përqafonin këto teori, brenda sferës së mediave, për të tërhequr dhe argëtuar publikun – po atë publik që i kish pranuar tashmë teoritë e komplotit gjetiu.
Deri dikur aty nga fundi i viteve 1980, dija dhe gazetaria anembanë botës bashkëpunonin më fort në lëmin e popullarizimit në kontekstin edhe të optimizmit për arritjet teknologjike globale, por më pas televizioni, në kërkim të dëshpëruar për publik të ri, e pranoi edhe modelin e tabloidëve të shtypit të shkruar, duke e zëvendësuar hap pas hapi informimin me argëtim. Edhe pse mediat në Shqipëri nuk i kanë pasur dhe as i kanë fondet e mjaftueshme për produksion televiziv të tillë si ai që sheh ndonjëherë në History Channel, për vizitorët nga kozmosi dhe lidhjet e nazistëve me Tibetin dhe okultizmin, sërish e kanë përjetuar të fortë shtysën për t’i dhënë vend, në programacion, paranojave të ndryshme që i bashkëlidhen botëkuptimit dhe ideologjisë kombëtariste. Që këtej, edhe proliferimi, në këtë dhjetëvjeçarin e fundit, i dokumentarëve me interpretime “alternative” të historisë dhe të arkeologjisë shqiptare, si dhe i emisioneve televizive ku ftohen të flasin teoricienë komplotesh, për tema nga më të ndryshmet – nga COVID-i, te vaksinat dhe Illuminati dhe, natyrisht, pellazgët.
Emisione të tilla televizive nuk zbatojnë më asnjë lloj standardi, profesional dhe tjetërlloj, në informimin e publikut; teksa u japin të ftuarve në studio audiencë shumë të gjerë dhe të padiferencuar, për të shtjelluar lirisht elukubracionet e tyre, në zbulim investigativ të elitave sekrete që përpiqen, ditë e natë, të na mashtrojnë ne njerëzit e thjeshtë; dhe, ngjashëm, të së huajve që kontrollojnë fatet e shqiptarëve, duke ua shkatërruar dhe shtrembëruar lavdinë historike. Paralelisht, në rrjetet sociale sillen lirisht në shqip gjithfarë materialesh të përkthyera (zakonisht keq) nga sajte të dizinformacionit dhe të lajmit informativ, krahas me teori komploti që rimarrin tema të konsumuara të komplotizmit (hebrenjtë, Soros-i, CFR-ja, Rothschield-ët), për t’ia dhënë edhe ato publikut. Prej qytetarit në Shqipëri, konsumator të mass mediave, çuditërisht pritet tani që mosbesimin total ndaj autoritetit publik (shtetit, etj.) ta kompensojë me mirëbesimin po aq total ndaj disa figurave të pompuara nga mediat, por pa kredenciale të profesionit ose me kredenciale shumë të dobëta. Rezultati kryesor i këtyre zhvillimeve relativisht të vona në mass mediat është kristalizimi i një kategorie profesionale argëtuesish, të cilët nuk kanë asnjë status profesional përtej atij që të zbulojnë çfarë mbahet qëllimisht e fshehur dhe të sjellin dita-ditës teori komploti në vëmendje të publikut, qoftë kjo në lëmin e historisë antike, të gjuhës shqipe, të albanologjisë, të mjekësisë dhe të epidemiologjisë. Edhe pse në media këta i dëgjon ndonjëherë të quhen konspirativistë (konspiracistë), marrëdhënia e tyre me konspiracizmin e mirëfilltë është e ngjashme me atë të komentatorit të një ndeshjeje futbolli me lojën që luhet në fushë. Pasi është trajnuar me idenë paranoide, se çdo informacion që del nga burimet zyrtare (institucionet publike) është i gënjeshtërt, ose i manipuluar nga “armiqtë” e shqiptarëve, publiku e ka më të lehtë t’i pranojë shpjegimet alternative – që nga ai që COVID-in e hedhin nga ajri, si aerosol, te mikroçipi i vaksinave dhe, në një rrafsh tjetër, se shqipja është mëma e të gjitha gjuhëve dhe se heronjtë homerikë kanë folur shqip, sikurse kanë folur shqip vetë poemat homerike.[1]
Ja edhe një shembull i freskët i “normalizimit” të teorive të komplotit nga mass media në Shqipëri do të ndihmojë për të ilustruar sa u parashtrua më lart. Një opinionist dhe komentator politik i njohur i shtypit të shkruar dhe televiziv, shkruan sa vijon në përpjekje për të interpretuar dinamikën e nënujshme të marrëdhënieve të Edi Ramës me liderin serb Vuçiç dhe atë kosovar Kurti:
Kur mbajtja e koncertit të Goran Bregoviçit në Korçë u pasua nga debati i fortë për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj së shkuarës së afërt dhe se sa duhet të respektojmë dhimbjen dhe emocionin e kosovarëve që kanë vuajtur, në veri të Kosovës ndodhi një ngjarje që në Tiranë nuk pati shumë vëmendje. Këngëtari me diskurs të theksuar antishqiptar Bora Gjorgjeviq, i grupit “Riblja Çorba”, mbajti një aheng në qytetin e Leposaviqit. Deri këtu mund të duket si rastësi, por jo po të dish se evenimenti u organizua nga Ministria e Kulturës e Republikës Serbe. Mesazhi qe i qartë: këta djemtë e Vetëvendosjes bëjnë si patriota në Shqipëri, por qeveria e tyre në Kosovë, ndryshe nga sa ka premtuar, nuk i ndalon dot tingujt e një nacionalisti antishqiptar në territorin e shtetit të saj. Vartësat e Vuçiçit iu gjendën në krah Edi Ramës për të krisur me sa mundeshin autoritetin e Albinit.
Teoria e komplotit e nënkuptuar këtu është se Edi Rama dhe Vuçiçi, me qeveritë përkatëse, punojnë fshehurazi së bashku për të minuar Albin Kurtin, duke bashkërenduar deri edhe datat e koncerteve kontroversiale. Për këtë nuk sillet ndonjë argument, veç disa të dhënave rrethanore dhe disa përkimeve në datat – çfarë normalisht nuk do të mjaftonte. Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur një marrëveshje të heshtur në mos sekrete, për t’i sjellë këngëtarë serbë kontroversialë publikut shqiptar, si në Shqipëri edhe në Kosovë; por ekzistenca e kësaj marrëveshjeje duhet provuar, gjë që nuk di ta ketë bërë kush. Përndryshe, duket afër mendsh që një këngëtar nacionalist serb të shkojë të këndojë në Leposaviq madje edhe i sponsorizuar nga një institucion qeveritar i Serbisë, sikurse njihet popullariteti i Bregoviçit me një shtresë të caktuar të publikut në Shqipëri. Se kush hyn dhe del në Leposaviq, nuk ka pse të jetë në vëmendjen e opinionit dhe të mediave në Tiranë. Albin Kurtin në fakt e patën kritikuar për standarde të dyfishta, sa u përket këtyre qokave politiko-artistike, duke i kujtuar se përgjegjësia e tij ish më parë për çfarë ndodh në Kosovë, i së cilës është kryeministër, se për çfarë ndodh në Shqipërinë (londineze), e cila ka kryeministër tjetër. Por siç edhe është sqaruar tashmë, teoria e komplotit ofron shpjegim jo vetëm alternativ, por edhe të pagjasë të ngjarjeve, duke parë agjenci atje ku mund të ketë pasur vetëm konvergjencë. Këtë lloj diskursi e dëgjon shpesh, mes komentatorëve të çështjes kosovare dhe të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë; meqë argumentet e sjella atje nuk janë as të plota as bindëse, ai më shumë pështjellon se informon. Edhe në shembullin më sipër, mbase opinionisti në fjalë di më shumë nga çfarë shkruan dhe mund ta provojë më mirë, por e gjykon të udhës ta lërë me aq, sepse të tilla janë standardet që sundojnë sot diskursin e opinionit dhe të komentariatit në mediat shqiptare.
(vijon)
© 2021 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: kjo ese është pjesë e një cikli shkrimesh kushtuar teorive të komplotit në mediat shqip të kohëve të fundit. Do të sugjeroja që të lexohej në kontekstin e përgatitur prej shkrimeve paraprijëse:
Ditë konspiracistësh
Komplote njerëz teori
Teatri i konspiracionit
[1] Këto të fundit nuk mund t’i klasifikosh si teori mirëfilli konspirative, sepse janë më shumë crackpottery, edhe pse u shoqërohet shpesh ideja – kjo, po që është konspirative – se elita akademike, në Shqipëri dhe gjetiu, konspiron aktivisht për ta shurdhuar dijen e mirëfilltë albanologjike. Ideja që mbroj është se ulja e standardeve në media, e sanksionuar nga toleranca e shtuar ndaj teorive konspirative, çon pastaj edhe në normalizimin e amatorizmit albanologjik.