Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kulturë / Totalitarizëm

KU FYTYRA, KU MASKA (II)

Një mënyrë tjetër për t’iu afruar temës së dyzimit të personalitetit nën totalitarizëm do të ishte analiza e pritjes që i është bërë, në vite, shkrimtarit kombëtar Ismail Kadare nga lexuesi shqiptar.

Edhe këtu qasja ime do të jetë fund e krye spekulative, sepse Kadareja është jo vetëm ende aktiv si shkrimtar dhe shumë i pranishëm në jetën shqiptare; por edhe ka ndryshuar ai vetë në kohë së bashku me lexuesin e vet dhe me Shqipërinë vetë.

Për të kanë thënë se ka qenë disidenti më i rëndësishëm në vitet e totalitarizmit, sikurse kanë thënë që ka qenë bard i Enver Hoxhës dhe i terrorit të kuq; disa e kanë konsideruar ndoshta më të madhin shkrimtar bashkëkohor, ndërsa të tjerë shkëlqimin e tij ia kanë atribuar lojërave diplomatike midis regjimit të Tiranës dhe Francës, në vitet e Luftës së Ftohtë. Një palë betohen me emrin e tij dhe besojnë se veç vepra e tij i ka shpëtuar nga shkretëtira kulturore e Shqipërisë komuniste; të tjerë, përkundrazi janë të mendimit se, me veprën e vet dhe me personazhin e vet si përjashtim që vërtetonte rregullën, ai e bëri regjimin më të tolerueshëm për ata që ndoshta ishin më të ekspozuar ndaj ndikimit subversiv të Perëndimit.

Megjithatë, nuk është qëllimi im këtu të gjykoj rolin e Kadaresë në kulturën shqiptare bashkëkohore, por vetëm të këqyr më nga afër arsyet e mundshme e luhatjeve që janë vënë re në produktin e tij letrar, pas vitit 1990 – shembjes së regjimit diktatorial në Shqipëri dhe arratisjes ose strehimit të vetë shkrimtarit në Francë.

1. Elipset e rrokullimës

Për një numër të madh lexuesish, të cilët janë rritur me Kadarenë dhe e kanë ndjekur në krijimtarinë e vet, madje e kanë pasur për një kohë të gjatë pikë referimi të eksperiencës së tyre letrare, vepra letrare e këtij autori pas vitit 1990 ka pësuar një rënie të dukshme në forcën artistike e dramatike dhe në stil. Dua ta sqaroj menjëherë se edhe unë vetë jam i këtij mendimi.

Është ende herët të thuhet nëse ky perceptim i përgjigjet së vërtetës, aq më tepër që një pyetje e tillë mund edhe të mos ketë kuptim fare. Për ta vazhduar dot këtë diskutim, do ta marr si të mirëqenë që një perceptim i tillë ekziston dhe është relativisht i përhapur; madje ndoshta edhe më i përhapur sesa perceptimi i kundërt, që Kadareja pas vitit 1990 është ndier më i lirë në krijimtarinë e vet dhe ia ka dhuruar publikut të gjitha ato kryevepra që regjimi komunist nuk do t’ia kish lejuar t’i botonte.

Gjithashtu, këtë argument do ta trajtoj brenda kufijve, sado artificialë, të atij brezi lexuesish që e kanë ndjekur Kadarenë që në fillimet e veta, ose që e kanë lexuar, së paku, që prej kohës kur u botuan për herë të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”, në vitet 1960 dhe në fillimet e viteve 1970, e gjithsesi para romanit “Dimri i madh”. Nuk jam në gjendje të them asgjë për pritjen e këtij autori nga lexuesi shqiptar i cili ia ka njohur veprën duke filluar nga vitet 1990, ose në kohën kur Kadareja vetë po trajtohej si mostro sacro i kulturës shqiptare dhe i krejt kombit shqiptar; dhe kur numri i atyre që e lëvdonin po vinte duke ia kaluar numrit të atyre që e lexonin; as për pritjen e këtij autori nga lexues që nuk e kanë përjetuar totalitarizmin në Shqipëri, me të cilët kam parasysh brezin e ri të shqiptarëve dhe lexuesin e huaj në Perëndim, i cili i qaset Kadaresë në mënyrë tjetër, e gjithsesi së jashtmi.

Me fjalë të tjera, diskutimin dua ta orientoj në luhatjet me të cilat është perceptuar Kadareja prej të gjithë atyre shqiptarëve të cilët e njohën dhe e adhuruan kur Shqipëria ishte ende totalitare dhe vepra e tij trupëzohej e tëra në kundërvënie, shpesh mortale, me censurën e regjimit.

Natyrisht, shkrimtarët kanë ulje dhe ngritje në krijimtarinë e tyre; dhe nuk është e pamundshme që Kadareja t’i ketë arritur majat e veta artistike me vepra të tilla si “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe” dhe “Pallati i ëndrrave”, pa pasur kjo kurrfarë lidhjeje me historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë, as me klimën kur u botuan dhe u lexuan këto vepra, dhe të tjera artistikisht jo të këtij niveli.

Megjithatë, koincidenca e kësaj rënieje të perceptuar, dhe fundit të regjimit totalitar në Shqipëri ose strehimit politik të autorit në Francë nuk mund të shpërfillet.

Ç’lidhje mund të ketë pasur, atëherë, midis veprës së Kadaresë dhe totalitarizmit shqiptar? Vallë mund të thuhet se arti i Kadaresë i detyrohet tensionit midis dy personaliteteve të një figure publike, e cila detyrohej të ruante, në çdo çast, drejtpeshimin delikat midis disidencës dhe miratimit të regjimit, joshjes ndaj Perëndimit dhe autarkisë kombëtariste, europianizmit dhe unicitetit të shqiptarëve, traditës dhe modernitetit, komunizmit dhe fashizmit?

Thonë se sa më e lartë është diga, aq më i thellë është liqeni i formuar përbri. Një pengesë aq formidabël sa censura totalitare ndaj artit në Shqipëri, ishte përnjimend në gjendje të ndihmonte për të krijuar, në rrethana të favorshme, një letërsi të pashoqe jo vetëm për shqiptarët, por ndoshta edhe për botën mbarë.

Sipas këtij interpretimi, arti i Kadaresë është sublimim i dëshirës së autorit për të qenë i lirë; prandaj edhe, që nga momenti kur kjo dëshirë u realizua, vetë arti i krijuar rishtas u shndërrua në një hije të të mëparshmit.

2. Magjia e maskës

Shkruante Czeslaw Milosz dikur në fillim të viteve 1950:

Qytetarët e vendeve perëndimore nuk e kuptojnë dot se miliona njerëz pak a shumë të ngjashëm me ta, jetojnë në një botë aq fantastike sa edhe marsianët. Nuk janë të vetëdijshëm për perspektivat që ia hap Ketmani natyrës njerëzore. Të jetuarit në tension të brendshëm konstant zhvillon disa talente që përndryshe mbeten latente te njeriu. Ky i fundit as mund ta përfytyrojë se çfarë zotësish mund të shfaqë e të kultivojë, në rrethana që e detyrojnë të gjejë rrugëdaljen, ose të humbasë. Mbijetesa e atyre që u përshtaten më mirë kësaj akrobatike mendore krijon një tip njeriu që ka qenë i rrallë deri më sot. Çka e shpie njeriun në Ketman, ia mpreh edhe intelektin […]

Për ta thënë me pak fjalë, Ketmani është realizim i vetvetes duke iu kundërvënë diçkaje. Kush praktikon Ketmanin vuan, për shkak të pengesave që i dalin përpara; por sikur këto pengesa një ditë të zhdukeshin papritmas, ai do të shihte veten të zhytur në një zbrazëti që ndoshta mund të jetë shumë më e dhimbshme. Ndonjëherë revolta e brendshme ka rëndësi thelbësore për shëndetin shpirtëror, dhe mund të krijojë një formë të veçantë lumturie. Çfarë mund të thuhet haptazi është shpesh shumë më pak interesante sesa magjia emocionale e të mbrojturit së tempullit privat. Për shumicën e njerëzve, nevoja për të jetuar në tension të vazhdueshëm dhe vigjilencë është torturë, por shumë intelektualë e pranojnë këtë me një farë kënaqësie mazohiste.

Kush praktikon Ketman-in, gënjen. Por a do të ishte vërtet më pak i pandershëm, sikur të fliste të vërtetën?

Për Ismail Kadarenë, kjo mund të formulohet kështu: ishte i madh, sa kohë letërsia e tij i kundërvihej, duke e sfiduar, forcës vdekjeprurëse të totalitarizmit – ose të paktën sa kohë që ne lexuesit gjenim në letërsinë e tij një sfidë ndaj forcës vdekjeprurëse të totalitarizmit. Sot, që një forcë e tillë ka përfunduar në arkivat e historisë, dhe diga ndaj lirisë së mendimit është shembur, veprës së Kadaresë i mungon dimensioni i tretë, që për disa materializohej si sfidë, për disa të tjerë si alegori.

3. Po pasqyrat?

Megjithatë – dhe kjo është një megjithatë themelore – ky interpretim, sado i nyjëtuar të jetë e sado të mbështetet në analiza të mirënjohura që i janë bërë kulturës dhe intelektualëve në regjimet totalitare, mbështetet në premisën e gabuar se ndryshimet në veprën e Kadaresë, ulje-ngritjet dhe rënia e pashmangshme, ose rrëgjimi artistik, kanë ndodhur përballë një lexuesi që ka mbetur i pandryshuar në kohë, konstant; si të ishte një madhësi e ftohtë aritmetike, jo produkt po aq historik sa edhe vepra vetë, ose autori i saj.

E them këtë, meqë është elementare të supozohet se ripërmasimi i veprës letrare të Kadaresë në vitet 1990 varet, në masë të madhe, nga ripërmasimi i vetë lexuesit tradicional të Kadaresë; i cili deri atëherë kishte vuajtur së bashku me shkrimtarin dhe ishte dyzuar së bashku me shkrimtarin; dhe kishte ëndërruar, së bashku me shkrimtarin, për ditën kur të gjithë shqiptarët do të çliroheshin nga hekurat e ndryshkura të totalitarizmit; por që pas 1990-ës, përsëri së bashku me shkrimtarin, pati rast të mësojë se ëndrra për liri, dhe përjetimi i vetë lirisë, nuk janë madhësi të bashkëmatshme.

Kadarenë shkrimtar e idolizuan intelektualët shqiptarë të viteve 1970-1980, ose të gjithë ata që e ndienin veten si “më të mirë” sesa kasta e pushtetarëve, ose profesionistët e dhunës totalitare në Shqipëri; pa qenë doemos kundërshtarë të regjimit vetë, as adhurues të Perëndimit dhe të Europës. Ky idolizim, i cili nuk kishte lidhje me suksesin e Kadaresë në Francë e gjetiu ku ishte përkthyer, ishte efekt anësor i tensionit të përftuar, në mendjet e intelektualëve, prej po atij Ketman-i që, pas gjase, e kishte ndihmuar Kadarenë vetë të krijonte kryevepra.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë krijimi dhe përvetësimi i veprës letrare të Kadaresë në Shqipëri ndodhën në kushte të tilla sociale dhe kulturore, të cilat pas 1990-ës nuk ekzistojnë më; as mund të rikrijohen. Brezi ynë është i dënuar të mos e shijojë dot më atë vepër siç e shijonte atëherë, në një kohë që nuk mund ta vlerësojë dot së jashtmi, ose si lexuesit në Perëndim dhe kritikët që e kanë propozuar për çmimin Nobel, e që ia kanë dhënë ndërkohë çmimin Booker International.

Njëlloj sikurse Kadareja vetë, ne jemi më shumë personazhe, sesa konsumatorë të asaj vepre, sa kohë që përpiqemi të vendosim ose së paku të rivendosim një marrëdhënie artistike normale me të.

Paradoksalisht, lexuesi më normal i veprës së Kadaresë ekziston sot në Perëndim; sepse brezat e rinj në Shqipëri janë shurdhuar prej përvetësimit që i është bërë shkrimtarit nga propaganda trashamane kombëtariste dhe lajkatarët gjithfarësh; ndërsa brezat më të vjetër kanë mbetur të ngecur brenda asaj vepre, dhe e kanë të vështirë të përjashtësohen.

4. Liria e lexuesit

Pavarësisht nga spekulimet e mësipërme, ndryshimi madje hendeku që ndan veprën letrare të Kadaresë të pas 1990-ës, me veprën e periudhës “klasike”, të viteve 1965-1985, nuk është çështje përshtypjeje; madje mund të qëmtohet në mënyrë objektive. Krahasimi i prozës nxjerr në dukje një dobësim të theksuar të karakterizimeve dhe të ligjëratës së drejtë; fjalitë janë bërë më të shkurtra, ritmi i frazës është thjeshtuar, dhe një mani e çuditshme për të promovuar neologjizma në emër të pastrimit të gjuhës (p.sh. qiellzanë për “tavan”) e largon vëmendjen nga loja e tekstit me kuptimin dhe ia prish efektin estetik fjalës. Gjithashtu, përshkrimet kanë ardhur duke e humbur sugjestivitetin pamor; dhe e ashtuquajtura mise en abîme, ose rrëfimi brenda rrëfimit, mungon ose nuk e ka zhdërvjelltësinë e dikurshme. Vende-vende të duket sikur shkrimtari lodhet e sfilitet për të fryrë një kamerdare tashmë të shpuar.

Nga ana tjetër, në vitet 1990 janë botuar edhe një numër veprash që Kadareja i ka pasë shkruar në kohë të tjera, e që i janë ndaluar, censuruar ose kthyer në karton nga regjimi; vepra që mua më janë dukur, në përgjithësi, të dobëta, madje aq të dobëta sa gati-gati jam tunduar të mendoj se censura, sado politike dhe sektare të ketë qenë, objektivisht i ka bërë mirë shkrimtarit, duke ia ruajtur veprën e vet më të mirë nga pranëvënia me vepra më të dobëta. E theksoj se kjo ka qenë përshtypja ime, ndoshta edhe e shumë të tjerëve me të cilët komunikoj; e që mund të lidhet jo aq me cilësinë e veprave vetë, sesa me ndryshimin rrënjësor në raportet tona me lirinë e mendimit dhe subversionin e ideve; sikurse edhe me faktin që tani ne kemi rënë në kontakt me autorë ndoshta po aq të mëdhenj sa edhe Kadareja ynë – Calvino, Kundera, Borges-i, Cortázar-i, Marquez-i, Saramago, Koetzee, Eco, Wolfe, Roth, Amish, Pamuk… E që ndryshe nga Kadareja ynë na aviten rishtas, e na e gjejnë imagjinatën të virgjër.

Pasioni dhe kujdesi ynë për veprën e Kadaresë – dhe këtu e kam fjalën për brezin tim – i detyrohet edhe frikës, madje panikut, se mos ajo pjesë e jetës sonë e kaluar nën totalitarizëm është në të vërtetë diçka krejtësisht pa vlerë, mbeturinë që nuk e meriton as të çohet në kosh të plehrave, aksident i shëmtuar i historisë, ëndërr e keqe që duhet harruar. Për ata intelektualë prej Shqipërie, që kanë nisur të mendojnë në 1945, janë plot dyzet e pesë vjet që duhen shpjeguar njëfarësoj, ri-renditur në raft të kujtimeve, rilexuar ose rikënduar sipas një partiture të re, të rifreskuar e të ripunuar. Vepra e Kadaresë është njëfarësoj emri që ia vëmë asaj çka do të kishim dashur të shpëtonim me çdo kusht prej asaj kohe të sëmurë, përtej lumturive personale dhe kujtimeve imanente të fëminisë, familjes, natyrës, shtëpisë, qytetit, miqësisë dhe dashurisë; është konfirmimi që edhe ne rezistuam, jo sepse ajo vepër na mësoi të rezistonim, por sepse na siguroi që edhe të tjerë si ne, e të bashkuar me ne në vaskën e madhe të leximit, po rezistonin, në mënyrat e veta, disa edhe pa e kuptuar plotësisht. Ndoshta edhe akti i fundit i besnikërisë prej lexuesi, që na ka mbetur të bëjmë, është të mësohemi me të vërtetën se ç’ka mbijetuar prej kuptimit të saj të vjetër është tanimë pjesë e muzeut tonë personal, të cilin edhe ne vetë ngurrojmë ta vizitojmë rregullisht.

13 Komente

  1. Kadareja eshte shembulli me i persosur i duazimit, i mbijeteses.

    Te gdhiheshe ne mengjes ne nje qytet me Kadaren nuk kish sesi mos te ndjeheshe mire, aq me teper ne nje qytet ku mbizoteronte grija dhe frika. Kur pakkush merrte guximin edhe te lozte rolin e Kadarese , rolin e shpreses, afersise me lirine.

    Dhe shpresa ish gjithshka qe ne kishim.

    Ne fund te fundit askush beri gje tjeter, ose me mire edhe ata qe bene “dicka me shume” u quajten te cmendur.

    Te lexoje Kadarene ne ato vite, te beje aludime per shkrimet e tij ishte nje lumturi ne vetvete, te nanurisje endrrat e lirise midis fjaleve ne librat e Kadarese, ishte e vetmja shprese legjitime qe kishim sepse Kadareja ishte nje nga ne.

  2. Shoh nje paralelizem ne mes I. Kadares dhe E. Hoxhes, i vetmi ndryshim eshte epersia ne pergjithsi e shkrimtarit (artit) ndaj politikanit.

  3. Une personalisht e quaj krejt te besueshme ate qe thote Milosz per ketmanin, dmth s’me duket ndonje sakrilegj ta quash Kadarene e para-1990 produkt te rrethanave te paperseritshme. Ndersa per ate dyzimin “disident” apo “bard” them se ne cdo veper te madhe (greater than life) secili mund lexoje ate cka deshiron, por puna eshte qe secili te perpiqet per nje lexim sa me te xhveshur nga paragjykimet.
    Nga ana tjeter, paralelizmin ndermjet Kadarese e Hoxhes gjer tashti s’e kam kuptuar. Vemendje, te lutem a mund te na ndriçosh me disa detaje?

  4. Kadareja duket se i ka disa probleme me Ketman-in edhe sot e kësaj dite, për sa i takon marrëdhënieve të tij si personalitet publik me shtypin e huaj dhe opinionin publik perëndimor në përgjithësi. Ja ç’thotë në një intervistë me një gazetar çek, botuar në “Gazeta shqiptare”:

    Të ishe shkrimtar normal në vendin më të egër stalinist të Evropës, siç ishte Shqipëria, ishte shumë e vështirë. Disidenca paguhej me vdekje. Letërsia dhe disidenca përjashtonin njëra-tjetrën. Duhej të zgjidhje, o njërën o tjetrën. Unë zgjodha letërsinë, dhe mendoj se bëra mirë. Arrita të bëj diçka që dukej si e pamundur: shkrova një letërsi, sikur regjimi të mos ekzistonte […] edhe pse jetoja në një vend stalinist, përpiqesha të isha shkrimtar si gjithë të tjerët, kudoqoftë në botën e lirë. Botimi i librave të mi në Perëndim dhe kryesisht realiteti, se a po pëlqeheshin, është një dëshmi e fortë.

    “Shkrova një letërsi sikur regjimi të mos ekzistonte”? E kundërta më duket më e vërtetë: pa totalitarizmin e Hoxhës dhe pa kundërvënien ndaj totalitarizmit, letërsia e Kadaresë nuk do të ekzistonte. Është produkt i asaj kohe të keqe njëlloj sa edhe hapja e tokave të reja, kazma dhe pushka, drita e Partisë, burgu i Spaçit dhe kooperativat e konsumit. Kjo nuk do të thotë që duhet zhvlerësuar, as që duhet harruar, përkundrazi. Në totalitarizëm thjesht nuk kishte vend për figura që të ishin edhe publike edhe indiferente, se përndryshe ç’totalitarizëm do të ishte? Ja, p.sh. Lasgush Poradecin shumë nga dashamirësit e dinin të vdekur, sepse si mund të ishte gjallë e shëndoshë një poet e të mos i këndonte Partisë? Kadareja ishte komunist i njohur, aktivist politik, drejtues institucionesh jashtëzakonisht të politizuara si Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e më pas deri edhe i Frontit Demokratik; deputet në Kuvendin Popullor; mik i familjeve të mëdha. Kadareja shkruante poema për Partinë dhe romane ku Enver Hoxha ishte personazh kryesor pozitiv. Kadareja i druhej terrorit të bardhë. Të gjithë e dinë se pse aktivizohej në politikë dhe pse e paraqiste kreun e totalitarizmit shqiptar si figurë shekspiriane – për të mbijetuar. Të gjithë e dinë dhe shumica nuk e bëjnë me faj – sepse ashtu të detyronte Ketman-i të silleshe, ashtu t’i lëvizte kukulltari fijet. Në nivelin e masave, Ketman-i të bënte të ngrije lart fotografinë e shokut Spiro Koleka në paradë të 1 Majit ose të këndoje “Enver Hoxha o tungjatjeta” në mbrëmje të vallëzimit; në nivelin e lartë, elitar, Ketman-i të bënte të shkruaje poema për Partinë si rrap madhështor në këtë vend të lashtë. Edhe botimi i veprave të Kadaresë në Perëndim nuk mund të kryhej, sikur të mos konsiderohej si operacion me vlerë propagandistike nga Sigurimi dhe Partia…

  5. Nekije,
    Duhet te dish per te dy trimat ne fjale, qe te shohesh paralelizem.

    1- Enveri: Majtist “Mbreteror”
    Kadare: “Mbreteror” Majtist

    2- Enveri: Ku shkeli dhe s’shkeli kemba e Enverit ne politik, s’duhej te mbetej njeri tjeter.
    Kadare: Ku shkeli dhe s’shkeli kemba e Kadares ne letersi, s’duhej te mbetej njeri tjeter.

    Po e le me; ata ishin nga gjirokastra, dhe komunikuan si te till.

  6. Para ca ditesh lexova nje shkrim te Kastriot Myftarajt per Kadarene. Nuk lexova se c’thoshte Myftaraj, me thene te verteten, kerkoja thonjezat dhe lexova pjeset e shkeputura nga vepra e Kadarese te cilave ju referohej. Dhe “ndjeva mall.”

    Letersia e mire, shkrimtari i talentuar, lexohet. Lexohet me endje pavarsisht se ne gojen e kujt jane fjalet, pavarsisht se mund te mos jesh fare dakord me shume nga idete qe paraqet. Eshte letersi, fundja me ne fund, nuk eshte traktat a studim.

    Kadareja eshte, per mua, pa asnje diskutim shkrimtari me i talentuar shqiptar i gjysmes se dyte te shekullit XX. Kush di te me tregoje per nje shkrimtar tjeter me te njejtin talent, bujrum. Qe ka nje renie e sforcim ne shkrimet pas ’90, ka. E shpjegoi XhaXhai, s’kam c’them une me shume. Por gjithnje i krahasuar me veten, me askend tjeter.

    Nuk thua dot qe ishte “disident” as ai vete nuk thote qe ishte. S’ka nevoje per komente pse. Te gjithe e dime qe tre rruge kishte: o do ishe disident dhe do shkoje ne burg e nuk do shkruaje; o do ishe disident dhe nuk do shkruaje; o do shkruaje ne menyren me te mire te mundshme ne ato kushte. Kadareja beri kete te fundit, dhe e beri mire. Shume mire, madje.

    Nese duam ta krahasojme me shkrimtare te medhenj boterore, nga ata qe perqafuan idera e filozofi qe shenuan kthesa e krijuan rryma te reja ne mendimin dhe filozofine boterore, nuk besoj se e bejme dot, se nuk eshte Kadareja i atij kalibri.

    Pervecse per efekt riformatimi qe te behet me i pranueshem per Nobelin qe pretendon, Kadareja nuk ka asnje arsye te shpjegohet, te justifikohet e te retushohet. Ka shkruar mjaftueshem, ka shkruar shume mire. Nuk ka c’i provon me askujt.

    P.S. Nuk jam dakord ta quajme “aktivist politik.” Kur te therriste Nexhmie Hoxha dhe te thoshte “do te te bejme nenkryetar te Frontit/deputet, shoku Ismail” nuk thoje dot “nuk dua te behem.” Nese dikush di qe Kadareja ka luftuar e eshte perpjekur per ti marre ato poste, terhiqem.

  7. “Kadareja eshte, per mua, pa asnje diskutim shkrimtari me i talentuar shqiptar i gjysmes se dyte te shekullit XX. Kush di te me tregoje per nje shkrimtar tjeter me te njejtin talent, bujrum.”

    @LG,
    E. Hoxha eshte, per …pa…diskutim politikani…talentuar…te shekullit XX. Kush di … per politikan tjeter me te njejtin talent, bujrem.

  8. Meqë ra fjala, LG, rrallë të qëllon të lexosh analiza më të dobëta dhe më keqdashëse se ato të Myftarajt për letërsinë kadarejane, në gazetën “Sot”; ky gardist i kuq i post-totalitarizmit shqiptar ose nuk kupton absolutisht asgjë nga letërsia, ose frymëzohet nga ndonjë zell i vjetër prej hetuesi enverist të cilit ia kanë prerë vrullin në kohën e vet.

  9. Dyzimi i opinionit publik shqiptar ne lidhje me Kadarene, te cilen xhaxhai e ka pershkruar mire e bukur:

    “Per te kane thene se ka qene disidenti me i rendesishëm në vitet e totalitarizmit, sikurse kanë thënë që ka qenë bard i Enver Hoxhës dhe i terrorit të kuq; disa e kanë konsideruar ndoshta më të madhin shkrimtar bashkekohor, ndersa te tjere shkelqimin e tij ia kane atribuar lojerave diplomatike midis regjimit te Tiranes dhe Frances, ne vitet e Luftes se Ftohte. Nje pale betohen me emrin e tij dhe besojne se vec vepra e tij i ka shpetuar nga shkretetira kulturore e Shqiperise komuniste; te tjere, perkundrazi jane te mendimit se, me vepren e vet dhe me personazhin e vet si perjashtim qe vertetonte rregullen, ai e beri regjimin me te tolerueshem per ata qe ndoshta ishin me te ekspozuar ndaj ndikimit subversiv te Perendimit”,

    mund te njesohet fare mire e bukur me supozimin qe ndoshta ka qene dhe i ka bere te gjitha bemat e skajeve te dyzuara, dhe keshtu shpetojme njehere e mire prej Kadarese (dhe ai prej nesh qe po ja nxijme jeten), i cili eshte eshte bere nje pengese monumentale rreth se ciles edhe sot edhe kesaj dite verdallosen te kacafytur admirues dhe percmues, puthadores dhe kafshimdores. Vetem se del nje problem, nese pengesa Kadare nje dite do te zhdukej papritur nen kupolen e perhirte dhe te perhiruar te nje mauzoleu (nenkuptuar prej kumtit te xhaxhait ne kete postim), do ta shihnim veten te zhytur ne nje zbrazeti qe ndoshta mund te jete shume me e dhimbshme se kacafytja tragjiko-komike e sotme dhe kacafytja tragjike safi e djeshme perreth majes se paarritshme te letrave shqipe (thene pa ironi sepse admirues e percmues e kane Kadarene si asimtote, dmth e synojne per ta lepire ose per t’a peshtyre pa e arritur dot). Shkuar me tej me fantazi drejt asimtotes se utopise dhe perfytyruar nje dite te ardhme ku te gjitha pengesat qe po n’a hane shpirtin jane zhdukur, dhe bashke me to natyrshem edhe Ketmani persian, c’fare merzi dhe zbrazeti e tmerrshme krahasuar dhe dhimbjen dhe tmerrin e sotem nga cfare n’a shohin syte, n’a degjojne veshet dhe n’a peson lekura. C’fare merzi dhe zbrazeti e tmerrshme te capitesh ne shtegun drejt nje cezme per te shpelare fytyren nga zhegu, dhe per te lare duart e femijes te ndyra nga akullorja, te pershendeshes fqinjen nenoke qe ushqen pulat prej avllise, te plases mbi bar sepse del huq kur godet topin dhe te qeshesh me te madhe si budalla duke pare si notojne re te bardha ne qiell blu (te pikturuar me blu) nderkohe qe fijet e barit te kilikosin veshet, dhe se fundi ne te ngrysur te kthehesh ne shtepi dhe ne lajmet e ores 8 te mos degjosh lajme interesante si fjala vjen: nje president afrikan mban kundeshtaret e tij – sigurisht ata qe e kane teper te zhvilluar sensin e Ketmanit persian – si tigra ne kafaz dhe ha njerin ne tave te pjekur cdo te djele familjarisht (njesoj si nga anet tona mblidhemi te uritur rreth byrekut te vjerres), se nje tjeter perdor buzkat e sekretares si adoleshentet doren e djathte, tjetri perlan arken e shtetit sikur te ishte e babes, tjetri i ve flaken tere puseve te naftes te nje vendi te tere, tjetri zhduk popuj te tere, tjetri klasa shfytzuese te tera, ngjarjet e 97-tes, Gerdeci etj. C’fare merzie e boshet nje bote pa artista, sepse ku dreqin do ta gjejne nobelistat frymzimin dhe Ketmanin, kur pothuajse te gjithe e kane bere mendjen top se virtuti nuk prodhon letersi.

  10. Agjenti 333 thote:

    C’fare merzie e boshet nje bote pa artista, sepse ku dreqin do ta gjejne nobelistat frymzimin dhe Ketmanin, kur pothuajse te gjithe e kane bere mendjen top se virtuti nuk prodhon letersi.

    …ashtu sic e kan bere mendjen top se virtuti nuk ben politike, nuk ben biznes, nuk te ben te mencur, nuk te fiton ndonje vend ne shoqeri, dhe do shkoja deri aty sa te thosha se disave u eshte mbushur mendja se edhe deri ne familje nuk te siguron paqe. Ja ky eshte Ketmani i artistit shqiptar sot.

  11. Vemendje, kujtova se per çoç paralele i kishe fjalen, se sa per te tilla si ato qe ke cituar ti, di edhe une plot te tjera:

    1. Enveri vinte syze kur lexonte, Kadareja i heq syzet kur lexon
    2. Per te dy ata viti 1936 ishte teper domethenes: per Enverin, sepse u kthye ne Shqiperi (ne vend qe te shkonte ne Spanje) dmth u rilind si komunist, per Kadarene sepse u lind pikerisht ne ate vit
    3. Enveri thekte buken me pare, pastaj i hidhte siper therrime djathi, Kadareja ka edhe sot te njejtin zakon.

    Keto s’mund te jene te rastit, tha.

  12. XhaXha i dashur,

    Shume dakord per Myftarajn. Prandaj dhe une thashe “nuk lexova c’thoshte Myftaraj, por vetem citimet nga vepra e Kadarese.”

    Vemendje,

    Ky krahasim eshte kot fare. Edhe sikur te mos e vleresosh aspak talentin e Kadarese, edhe sikur te kesh rezerva per karakterin e tij etj. , perseri nuk mund ta krahasosh me nje diktator si EH. Nuk jane as te nje fushe, perpos te tjerave.

  13. GH,
    nuk i krahasoj, por vazhdova paralelizmin, e siperpermendur me Neken.
    Pastaj, fjala eshte se u eklipsua c’do shkrimtar tjeter nen konvejerin e letrave te Kadares per dyzet vjet, po ashtu ndodhi edhe me E.H. s’mbeti mendim politik tjeter ne kemb.

    Une jam i mundur te them se: Kadare eshte unikal ne me shume se te qenurit shkrimtar i pa kontestueshem, duke u ber model i vecuar per njeriun. Ai eshte shqipetar, dhe une kam nje rrug me teper te shkel, ashtu, sikur eshte shqiptare sepse ai eshte , ka qene, dhe do te jete misherim i karakterit shqiptar, dhe jo i dyzuar mendoj. Ndryshimi, duhet te mos ngaterrohet me dyzimin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin