Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

GORANI NË KORÇË

Zhurmë e madhe për koncertin e Goran Bregoviçit në një festival birre në Korçë – të thuash se do të nisë Lufta Ballkanike, ose më mirë do të vazhdojë, pas ndonjë pauze të shkurtër, anormale.

Përshtypja ime, kështu me instinkt, është se ka njerëz që nuk jetojnë dot, po nuk u kundërvunë dhe se e gjithë kjo zallahi është e tipit i bie dritares të dëgjojë dera: lidhet me “mini-shengenin” e Ramës dhe Vucicit dhe refuzimin e Albin Kurtit për t’u bërë pjesë e asaj marrëveshjeje.

Por meqë instinktit nuk i duhet besuar gjithnjë, thashë të shoh se ç’e ka frymëzuar këtë protestë dhe zemëratë kundër një muzikanti dhe artisti – le ta quaj – ballkanik, si Bregoviçi.

Me një parantezë. Bregoviçin e mbaj mend si të grupit Bijelo Dugme, në vitet 1974-1989. Brezi im – në periudhën e vet të snobizmit akut – e përçmonte muzikën jugosllave; rock-u i fqinjëve na dukej qesharak, ndoshta ngaqë shihnim atje karikaturën e asaj çfarë dëshironim të bëheshim, po të na linte Enveri.

E megjithatë… mbaj mend edhe se këngën Yesterday, të Beatles-ve, e kam dëgjuar për herë të parë në jetë nga një cover prej Bijelo Dugme, në një koncert të transmetuar nga “dyshi i sllavit”. E përcolla me një përdëllim gati mistik dhe thashë me vete: çfarë është kjo mrekulli?

Dhe pastaj është Bregoviçi i romëve, i filmave të Kusturicës dhe i fanfarave që shoqëronin katrahurën në Ballkanin e viteve 1990. Kam thënë: ja një i madh. Dhe e them akoma.

Por tani – sikurse dikur në 2006 kur Bregoviçi erdhi në Tiranë dhe u prit me nderime dhe entuziazëm, si personalitet dhe artist – lexoj se ka shumë që e përbuzin madje e denoncojnë atë muzikant si të përlyer me krimet serbe në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë dhe si “bard” të nacionalizmit serb këto 30 vjetët e fundit.

Nëse është kështu, atëherë u jap të drejtë atyre që gjykojnë se mikpritësit e tij, në Korçë, ndoshta janë ngutur në ftesën e tyre dhe se me pak urtësi prej tyre këto polemika dhe karshillëqe të tanishme mund të ishin shmangur.

Pyetja që kam: sa qëndrojnë akuzat kundër Bregoviçit?

Una Hajdari, një gazetare nga Kosova:

Ndryshe nga njerëzit që në të vërtetë shkruan muzikë duke bërë thirrje për masakra, Goran Bregovic nuk e bëri këtë. Mediat kosovare që pretendojnë se ushtria/policia serbe dëgjoi muzikën e tij, kjo nuk do të thotë se ai frymëzoi masakra.

Ai është një qenie njerëzore e vetëkënaqur që i pëlqen të jetë në marrëdhënie të mira me të gjithë, nuk i kupton vërtet markat tregtare ose të drejtën e autorit dhe natyralizon muzikën rome. Por ai nuk bëri thirrje për masakra.

Kjo më kujton një incident edhe më zemërues, kur Zdravko Çoliç u ngacmua edhe nga mediat kosovare para se të performonte në Tiranë në vitin 2014. Zdravko Çoliç është standardi i artë i një muzikanti që nuk promovoi dhe nuk promovon muzikë apo besime nacionaliste…

Kosovarët duhet të ndalojnë policimin e Shqipërisë se si duhet të lidhet me artistët nga ish -Jugosllavia, veçanërisht ata si Colic, të cilët mund të kënaqen duke e ditur se ata kurrë nuk promovuan retorikë urryese.

Në përgjigje të kërkesës popullore, artistët që shkruan këngë për të frymëzuar masakrat gjatë konfliktit në Jugosllavi: Baja Mali Knindza, Thompson, Ceca, Rade Jorovic, Lepi Mica, etj. Dhe një përmendje për Emir Kusturica si një kineast që ka retorika më të neveritshme.

Ja edhe Migjen Kelmendi sërish nga Kosova, që Bregovic-in e njeh më mirë se shumëkush tjetër (në një shkrim të vitit 2006, por që e kanë risjellë këto ditë në vëmendje):

Juriiis……pucaaaaaj!

Asht nji kangë dhe nja 2 komanda ushtarake që i japin nji dimension ma shumë krejt kësaj dalldie me ritme e muzikë. Kanga “Kalasnjikov” dhe ato 2 komanda ushtarake që i ka adaptue si komanda për orkestër Bregovic: “Pucaj”, asht nji fjalë rrënqethëse, që domethanë “Krisja” (pushkës), “Qillo”; dhe, “Juris”, që dmth “Sulmo”. Me këto dy komanda ushtarake, Bregovic na kthen në kontekstin e krejt ngjarjeve të dekadave të fundit në Ballkan, ku Milosevic dhe skuadrat e tij të vdekjes patën rolin kryesor. Po mundohem me argumentue se asht bash kjo kangë dhe këto 2 komanda ushtarake që e bajnë si të ngutun e të pamatun mirë vendimin e Edi Ramës, me ja dhanë Çelësin e Qytetit të Tiranës, si qytetar nderi, Bregovic’it.

“Pucaaaaj…” asht komandë që i jepet togës së pushkatimit, si n’Srebrenicë, komandë që i jepet njisisë tenkiste, si gjatë rrethimit dhe shkatërrimit që ju ba Vukovarit e Sarajevës. Janë fjalët ma të urryeme e ma të randa që u shqiptuen në gjuhën serbe. Janë fjalët që i paraprinë urbicidit të qyteteve dhe egzekutimit të qinda-mija viktimave në tanë ish Jugosllavinë. Njeriu i mentalitetit që prodhoi këto komanda dhe i shqiptoi para njisisë tenkiste në Sarajevë e Vukovar, në Srebrenicë e n’Qyshk, asht ai njeri dhe ai mentalitet që ka emanue kangën “Kalasnjikov”.

Kanga “Kalasnjikov” e ka nji histori të vocërr. Asht pjesë e muzikës për film të regjisorit Emir Kusturica, nji pamfleti politik që shërbeu si ‘maskirna uniforma’ për njisitet tenkiste për me e shkatërrue Sarajevën –“Under- ground”.

Filmi “Underground” u xhirue në kulmin e fuqisë së Milosevic’it. Beogradi, kur duhej me xhirue Kusta e me incizue Brega, ndalej. Ata ishin dy artista që mujshin me e ndal qytetin e Beogradit nëse ju duhej për artin e tyne. Beogradi ishte kryeqendra e Milosevicit në kohën kur ai ndalej sahere donte Kusta e Brega. Imaxhinoni fuqinë dhe afrinë që kishin këta dy artista me SPS, partinë që udhëhiqte Beogradin në kulmin e pushtetit dhe fuqisë së Milos’it.

Po kush ishin ata njerëz që vrajshin dhe kallshin nëpër Jugosllavi, si dukeshin, çka pëlqenin…Fatkeqësisht, muzika e Bregovic’it asht muzika e preferueme edhe e kriminelave të Milosevic’it. Sidomos, kanga “Kalasnjikov’, sepse ata ishin njerëzit e atij mentaliteti që fëmiut të tij për ditëlidje ja blejnë pushkën si lodër; njerëz që si dhuratë mikut ja falin rakinë në shishen me formën e kallashnjikovit, si në foton e „Javës“, dhe konjakun në shishen me formën e bombës; njerëzit që i shofin nëpër tytën e pushkëve mjediset ku jetojnë, komshitë, Tjerët; gjithmonë me idenë e ekspandimit dhe grabitjes; njerëz që edhe para aktit seksual piskasin: Juriiiis; njerëz që edhe në koncert, në situata benigne përdorin komanda ushtarake si, „Pucaaaaaaj“!

“Ne tako…ovako“

Ky asht njeriu i mentalitetit që emanoi kangën “Kalasnjikov”, që frymëzoi artistin dhe mbeti i shenuem në këte kangë. Për mue personalisht kjo kangë ka domethanie të nji materiali kulturor me randësi antropologjike, sepse na ndihmon me e dekodue dhe kuptue mendësinë që ka mujt me pjellë Bllacen, Stankovecin, Srebrenicen, Vukovarin, Sarajevën.

Brega nuk distancohet, nuk merr qëndrim të kundërt e as akuzon politikën dhe veprimet e Milosevic’it. Eventualisht kisha me thanë vetëm polemizon. „Ne tako…ovako“ (Jo ashtu …kështu). Brega ma shumë dialogon me miqtë e tij milosevician si Milorad Vucelic (ish shefi i SPS, partia e Milosevic’it), tue u thanë se ka qenë e gabueme metoda, por jo edhe ideja e ekspandimit të Serbisë. Brega prej Tirane, tue i shti tironasit e Edi Ramës me piskat „Juriiis“, e tue i ba gratë e çikat europiane të Kadaresë me u dalldisë e me u bo horr, i çonte mesazh miqve të tij në Beograd e Republika Srpska se JO me hekurin e tenkave, po me llamarinën e Trubave të Dragacevo’s realizohet andrra e moçme serbe me e ‚pushtue’ Tiranën. Jo me helmeta n’krye, po me sajkaca (kapelat popullore serbe) n’krye hyhet n’Tiranë. Bregovic prej Tirane dialogonte pandërpre gjatë tanë koncertit me mikun e tij Milorad Vucelic, ish kryetarin e SPS, parti e Milosevic’it, dhe ish drejtorin e Radio Televizionit Serb, RTS, se me kulturë e jo me ushtri pushtohen vendet sot, qytetet, njashtu si u pushtue Tirana metaforikisht nga Brega.

“Ne tako…ovako”, dialogonte Brega me miqtë e tij serbë. Dhe, jo se ata tuten prej teje, por të donë, ta japin vet Çelësin. “Vidis….ne tako…nego ovako” (E shef, jo ashtu, po kështu!).

E bani prrallë Brega Tironën e dalldisun, tue i ba me piskatë “juriiiis” e “kalasnjikov”. E për çudi, ishte publiku që e kërkonte në bis bash kangën – „Kalasnjikov“ (!).

Argumenti i Kelmendit është kompleks, sepse ai vetë e di që Bregoviçi nuk mund të kategorizohet si ahengxhi i mejhaneve të nacionalistëve serbë të viteve 1990; por edhe vëren se muzika e tij është “muzika e preferueme edhe e kriminelave të Milosheviçit.” Kelmendi ndalet te kënga Kalasnjikov origjinalisht e kolonës zanore të filmit Underground të Emir Kusturicës, me komandat ushtarake drejtuar edhe togës së pushkatimit, për të shpjeguar pse këtyre kriminelëve të luftës u pëlqeu kjo këngë, që në veshët e tyre glorifikonte dhunën, armën e zjarrit dhe zgjidhjen e konflikteve me plumb.

Por – ja një por e madhe – një artist nuk mban përgjegjësi morale për përdorimin që ia bëjnë këngës së tij – dhe teksti i Kalasnjikov-it të Bregoviçit e tregon haptazi se bëhet fjalë për një këngë romësh, për romët, që duan të lajnë hesapet mes tyre, me kallashnikov.

Pyetje: po pse u pëlqeu kaq shumë serbëve nacionalistë dhe bandave të tyre para-ushtarake që terrorizuan Ballkanin, veçanërisht Kosovën, në vitet 1990?

Titulli i këngës së Beatles-ve, i shkruar me gjak, në frigoriferin e shtëpisë ku u vra Sharon Tate. Vëreni gabimin drejtshkrimor.

Kësaj pyetjeje nuk i përgjigjem dot, por po sjell një shembull që më duket relevant për argumentin. Më 8 gusht 1969, me urdhër të cult leader-it Charlie Manson, një grup hippiesh i njohur si The Manson Family hynë në një shtëpi nw Hollywood dhe vranë gruan shtatzënë të Roman Polanski-t, aktoren Sharon Tate, bashkë me disa mysafirë të tjerë që gjendeshin atje – një krim që tronditi Amerikën. Sipas Manson-it, kjo vrasje duhej të shënjonte fillimin e një lufte racash në SHBA, të cilën luftë ai e quante Helter Skelter, sipas titullit të një kënge të Beatles-ve nga White Album.

Pasi kryen vrasjet në vilë, pjesëtarët e bandës shkruan në mure, me gjak, disa fraza mes të cilave edhe Helter Skelter (thuhet edhe se e patën shkruar fjalën gabim, si Healter Skelter).

Tani, në anglishte kjo helter skelter do të thotë “rrëmujë, konfuzion, kaos”; dhe kënga e Beatles-ve, e shkruar nga Paul McCartney, është për një amusement park ride, ku thuhet, mes të tjerash: “When I get to the bottom I go back to the top of the slide / Where I stop and I turn and I go for a ride / Till I get to the bottom and I see you again.”

Charlie Manson ishte i bindur se, nëpërmjet kësaj kënge, McCartney po dërgonte mesazhe të koduara, për të nisur luftën ndër-raciale. Një nga ndjekëset e tij dekaroi më pas se, në mendjen e Manson-it, çdo këngë e Beatles-ve në White Album përmbante mesazhe për kultin e tyre dhe lëvizjen Helter Skelter.

Është thënë, më pas, se kënga Helter Skelter e Beatles-ve luajti rol kyç në zhvillimin e heavy metal – por edhe të punk rock; dy zhanre muzikore që i kanë bashkëlidhur me dhunën. Megjithatë, askush nuk i ka bërë Beatles-at përgjegjës moralisht për marrëzitë kriminale të Charlie Manson-it; aq më tepër që, në fund të viteve 1960, kish një rrymë irracionale, në kulturën pop të Perëndimit, që kërkonte për “mesazhe të fshehura” në këngët e sukssesshme.

Prandaj gjithnjë është mirë të kujtojmë dhe të bëjmë dallim mes “leximit” të një vepre arti dhe përdorimit të saj; kujtoj këtu se muzikën heavy metal dhe kushërirën e saj death metal e kanë përdorur si mjet torture, në burgjet amerikane në Irak, në Afganistan dhe në Gitmo; dhe unë njoh disa që do të rrëfenin krime që s’i kishin bërë, po t’i detyronin të dëgjonin, për një kohë të gjatë, muzikën që transmetojnë supermarketet amerikane gjatë Krishtlindjeve…

Por le të vijmë te Kalasnjikov-i. Me sa kuptoj unë, kënga i qaset temës me qesëndi, gati me hilaritet, duke glorifikuar por në distancë një kulturë të dhunës teatrale, ose që nuk mund të merret seriozisht; e gjitha kjo, brenda kontekstit të universit rom (cigan) në muzikën dhe estetikën e Bregoviçit. Romët e tij, edhe kur vringëllijnë një kallashnikov, të bëjnë të buzëqeshësh. Por unë ende nuk mund ta përfytyroj dot si u tingëllon kjo këngë shqiptarëve në Kosovë që i kanë përjetuar spastrimet dhe terrorin serb… Nga ana tjetër, është edhe ky shkrim i Mikaela Mingës i vitit 2016, që jua rekomandoj me të madhe, më rrëfen një histori të arsyetuar, për fatet e muzikës në konflikte dhe luftë (Tinguj që pushtuan frontet).

Nuk kam ç’të shtoj. Shpresoj që kolegë dhe miq nga Kosova, që e njohin mirë Bregoviçin, të sjellin prova të implikimit të tij në krimet serbe të luftës, në Kosovë dhe gjetiu në Jugosllavi; përndryshe publikut do t’i shërbehen vetëm epika si kjo më poshtë, e reperit Gold Ag, çfarë nuk mjafton:

Nal Bregoviç mos merr yrysh …
Se bashkia ka çu fjalë se Bregoviçi ka me ardh,
Biri shkinës ka me ardh
Se birra n’Korçë po don me marrë,
Mos ja shti therrën n’kom vetit
Shko te ai që t’ka dhan çels të qytetit,
Se bone prap me shkel Shqipnin
Ta q*n Korça at nan’ shkin,
Ani kur po folin do tradhtar t’zi
Thojn që arti snjeh kufi
Le ta din bijt e tradhtarve
KOHA ËSHTË E MASKARENJVE
POR SHQIPNIA E SHQIPTARVE.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin