Ndonjërit do t’i kujtohet një parullë e shkruar në anët e stadiumeve në Shqipërinë e para 1990-ës, kur anët e stadiumeve ende nuk përdoreshin për të reklamuar plaçka. MË SHPEJT, MË LART, MË LARG, lexonte ajo parullë, dhe unë e kisha kuptuar si një version të sterilizuar të impenjimit totalitar për sportin, a si reklamë “të shëndetshme”, edhe pse në fakt tani e kuptoj se do të ketë qenë përkthim i përafërt i latinishtes CITIUS, ALTIUS, FORTIUS – që ndryshon nga shqipja vetëm te hallka e tretë, fortius, që do të thotë “më fort,” jo “më larg”; por që, përndryshe, kjo CITIUS, ALTIUS, FORTIUS nuk qenkësh veçse motoja olimpike, e propozuar nga Pierre de Coubertin, i njohur edhe si Baroni de Coubertin, themeluesi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe “krijuesi” i Lojërave Olimpike të kohëve moderne. Thuhet se De Coubertin-it ia pat sugjeruar këtë moto miku i vet, Henri Didon, një prift katolik dhe predikues dominikan. Figura të tilla retorike, që kanë strukturë tripjesëshe, njihen edhe si endiatris, nga greqishtja ἓν διὰ τρεῖς (hen dia treis), me kuptimin “një, dy, tre”, dhe janë mjaft të përhapura, që nga LIRI, BARAZI, VËLLAZËRI e Revolucionit Francez, te CREDERE! OBBEDIRE! COMBATTERE! e fashistëve italianë te MËSOJMË, PUNOJMË, KALITEMI që ishte motoja e shkollarëve të revolucionarizuar në Shqipërinë e fundviteve 1960. Që tre fjalë të përftojnë një endiatris, duhet të jenë të ngjashme a të barasvlershme, të afërta kuptimisht, por edhe, p.sh. të jenë të së njëjtës pjesë të ligjëratës – tre emra ose tre folje, etj.; efekti i figurës mbështetet mbi përsëritjen dhe jo rrallë mbi një crescendo, ku elementi i fundit i treshes është më “i fuqishëm” se i pari.
Mirë deri këtu. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që përtej emrit nuk i afrohet shumë atij të themeluarit prej De Coubertin-it, ka vendosur këto ditë që ta modifikojë moton ekzistuese, duke i shtuar solemnisht një fjalë të katërt, e cila të shënjojë solidaritetin që duhet të shënjojnë Lojërat e tanishme, përballë epidemisë botërore të Covid-it; në mënyrë që motoja tani në latinishte të tingëllojë kështu: CITIUS, ALTIUS, FORTIUS – COMMUNITER, me kuptimin “më shpejt, më lart, më fort – së bashku”. Mbase ideja nuk është e keqe, sado e shpëlarë, por specialistët e latinishtes po vërejnë se ajo COMMUNITER që i shtohet frazës latine nuk shkon. Dhe jo vetëm ngaqë e prish efektin retorik të endiatris-it, por edhe ngaqë fjala e shtuar nuk e ka kuptimin aq sublim që kanë dashur të përcjellin burokratët olimpikë.
Një revistë italiane online, Lab Parliamento ka intervistuar, për këtë temë, Mario de Nonno, profesor ordinar i letërsisë latine në Roma Tre, i cili shpjegon se, në formën e vet të amenduar, motoja e re e CIO-s ishte formuluar në krye si CITIUS, ALTIUS, FORTIUS – COMMUNIS, por kjo COMMUNIS nuk i përket të njëjtit rend gramatikor me tre ndajfoljet e shkallës krahasore të origjinalit, meqë është një mbiemër i thjeshtë në rasën emërore; prandaj edhe u ndryshua pastaj në COMMUNITER, e cila vërtet është ndajfolje si tre të parat, por që kuptimisht sërish nuk shkon, sepse – gjithnjë sipas këtij eksperti – COMMUNIS dhe ndajfolja përkatëse COMMUNITER nuk e japin dot konceptin e të vepruarit së bashku, as të solidaritetit; por përcjellë atë ide që anglishte do ta jepnin fjalë si sharing, to share; dhe se, për ta përcjellë konceptin e duhur, ndoshta duheshin përdorur fjalë të tilla si SIMUL ose UNA; dhe se kujt i shkon mendja tani te Google Translate nuk është për t’u qortuar fare.
Gjëra të vogla? Aspak. Sepse kush merr mundimin të shkojë dhe të rishkruajë një moto latinishte super të njohur, të lëvizjes olimpike, mu në momentin kur Lojërat Olimpike janë në syrin e një vorbulle organizative dhe shëndetësore, për shkak të epidemisë, duhet të paktën të dijë se çfarë po bën. Duke filluar nga shkatërrimi i endiatris-it, nëpërmjet shtimit të një gjymtyre të katërt; dhe pastaj te përdorimi gabim i një fjale latine. Askush nuk është i detyruar të zotërojë latinishten dhe aq më pak anëtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar; por këta duhet të kishin ditur që, në rrethana të tilla, duhej të këshilloheshin me ndokënd që latinishten (ende) e njeh. Fjala e shtuar, COMMUNITER, me kuptimin e supozuar “së bashku, të bashkuar”, nuk është se shton ndonjë gjë të madhe, as lajmëron a shenjtëron ndonjë ndryshim të frymës olimpike: lojërat do të luhen siç edhe janë luajtur dikur, dhe nëse këtë herë kërcënohen nga një urgjencë epidemiologjike, kjo nuk ka ardhur gjë për shkak të përçarjes a të mungesës së bashkërendimit; dhe se sporti nuk mund të bëhet veçse bashkë me të tjerë, por “solidariteti” nuk është gjëja e parë që të shkon në mendje, kur shikon atletin që gatitet të hedhë gjylen ose çekiçin, me ose pa maskë. Me fjalë të tjera, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i është bashkuar edhe ai lëvizjes së përgjithshme të bullshit-it performativ, duke provuar – sikur të ishte nevoja – se bullshitizmi dhe injoranca janë vëlla dhe motër.
Duke përshëndetur këtë moment historik të ndryshimit të motos olimpike, presidenti i IOC-së Bach tha: “Solidariteti ushqen misionin tonë për ta bërë botën një vend më të mirë, përmes sportit. Mund të ecim më shpejt, të synojmë më lart dhe të bëhemi më të fortë vetëm duke qëndruar së bashku – në solidaritet.” Pastë Olimpiada, e cila sapo ka nisur, më shumë domethënie se këto fjalë boshe.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.