Një tregim fare i shkurtër, që shpesh ia atribuojnë Hemingway-t:
For Sale, Baby Shoes, Never Worn
Teksti rimerr, në formë, lajmërimet personale për shitje (insertet), që i gjeje dikur rëndom në gazetat amerikane lokale: duke shërbyer ajo for sale si formula standard që sinjalizon qëllimin e lajmërimit, e ndjekur nga baby shoes, “këpucë bebesh” që është malli për t’u shitur, dhe pastaj mbyllja disi e beftë, never worn, “të papërdorura”, edhe kjo e fundit formulë standard e anglishtes, në lajmërimet personale për shitje rrobash e këpucësh, por që në kontekst tingëllon e dhimbshme. Fjalia me gjashtë fjalë evokon një event të nënujshëm, me shpresa, ëndrra dhe humbje.
Edhe pse i antologjizuar shpesh dhe sot zellshëm i rimarrë në gjithfarë faqesh letrare online, ky tregimth miniaturë nuk duket të jetë i Hemingway-t, meqë nuk ka asnjë provë që ky ta ketë shkruar, qoftë edhe privatisht. Kuriozët ia kanë ndjekur zanafillën te Papa, monodramë nga një John deGroot kushtuar nobelistit amerikan dhe vënë për herë të parë në skenë në vitin 1996. Gjatë dramës, të ambientuar në Kubën e vitit 1959, Hemingway vihet ta rrëfejë këtë historizë gjatë një takimi me një fotograf të revistës Life.
Teksti rezulton kështu si i shkruar nga Hemingway personazh i një drame, jo autori i Lamtumirë armë; dhe shërben për ta karakterizuar personazhin, duke i shtuar diçka nga fryma unike e autorit përkatës.
Suksesi i tregimthit, në kulturën e sotme të bazuar në batutën dhe miniaturën që ka gjetur veten në rrjetet sociale dhe në citim-kopjimin si praktikë tualeti intelektual për prezantimin e vetes online, i detyrohet edhe evokimit të stilit lapidar të Hemingway-t, fjalitë tipike të së cilit vijnë jo rrallë të rrethuara nga pauza, heshtje dhe kuptime të nënujshme.
Në kuptimin që tregimin mund ta kish shkruar Hemingway, madje duhej ta kish shkruar.
Shkrimtari bashkëkohor Doug Weller autor i dy vëllimeve me Six Word Stories, ka botuar tani miniaturën e mëposhtme:
For Sale, Baby Sheep, Never Shorn
Edhe kjo në stilin e njoftimeve personale për shitje – duke nisur me formulën For Sale, dhe duke e përshkruar mallin si Baby Sheep, që do të ishte diçka si “qengja”; dhe duke e mbyllur me Never Shorn, që do të thotë se “nuk janë qethur kurrë.”
Gjashtë-fjalëshi i Weller-it u referohet dy teksteve model: njoftimeve personale për shitje (“for sale… never…”), por edhe e sidomos mini-tregimit të Hemingway-t, të cilin e rimerr në strukturë edhe sintaksore, edhe kuptimore, edhe prozodike:
For Sale, Baby Shoes, Never Worn
For Sale, Baby Sheep, Never Shorn
Ku baby shoes bëhen baby sheep dhe never worn bëhen never shorn (dëgjoni edhe rimën). Rimarrja sjell edhe një efekt komik – atje ku “never worn” në njoftimet standard pritet që t’ia rritë vlerën veshjes ose këpucëve (“të papërdorura”) dhe atje ku në tekstin e Hemingway-t e njëjta frazë sjell me vete kobin e një bebeje të vdekur a gjithsesi të humbur, fakti që qengjat nuk janë qethur kurrë vështirë se do t’ua rriste vlerën në sytë e blerësve…
Këtu mund të pyesim edhe nëse kjo pastiche që ia bën Weller-i tregimthit të Hemingway-t duhet interceptuar detyrimisht prej lexuesit, që miniatura me qengjat të funksionojë. Me gjasë, pastiche-i tjetër, i formulës së shitjeve, nuk mjafton për ta ngritur tekstin e Weller-it në nivel letrar – dhe paralelizmat prozodikë me tregimthin e referuar luajnë rolin e vet.
E pamë që tregimthi i Hemingway-t në fakt i atribuohet një Hemingway-i personazh drame dhe kjo me gjasë e bën tekstin edhe më “hemingway-ian” se një gjë autentike, e dalë nga pena e atij shkrimtari; meqë ky tekst – qoftë i rremë, qoftë i stisur – duhet t’ia ulërijë lexuesin autorësinë e vet, për të qenë i besueshëm. Dhe, në të vërtetë, ata që e shijojnë tregimthin e shijojnë edhe ngaqë e lexojnë sipas rregullave të écriture-s të atij autori, të cilën e njohin në atë masë që i afrohen tekstit të ri me pritjet që ua ka zgjuar emri i autorit. E lexojnë tregimin si dramë, sepse presin prej Hemingway-t që të shkruajë ashtu. Pyesin në heshtje se kush po i shet këto këpucë bebesh të papërdorura, nëse është apo jo nëna, nëse fëmija ka vdekur që pa lindur (e dështuar) apo pasi ka lindur (ose babai, që ka humbur edhe beben edhe të shoqen, kushedi gjatë lindjes); madje edhe nëse nëna ka qenë e detyruar ta japë fëmijën për adoptim a e ka lënë në derën e një kishe; por nuk pyesin nëse personi që shet po e bën këtë për një motiv banal – p.sh. ngaqë kish harruar që ia kishin dhuruar këpucët dhe këto tani bebes nuk i bëjnë më ose bëhet fjalë për këpucë të një bebeje që i ka veshur, por nuk ka ecur me to; dhe nuk pyesin, sepse nuk presin nga Hemingway që ta rrëfejë këtë version të fundit si histori. Nga ana tjetër, “realiteti” të cilit i referohet tregimthi mbetet i besueshëm, edhe në vetvete dhe në raport me njoftimet banale për shitje, siç do t’i shkonte një shkrimtari realist, si Hemingway (edhe ai imagjinar, madje aq më tepër ai imagjinar). Sa për versionin e Weller-it, ky i referohet kaq fort tregimthit paraprijës, sa është e vështirë t’i japësh realitet tjetër, veç atij intertekstual – askush nuk shet qengja të paqethur dhe asnjë lexues nuk do të ishte i interesuar të lexonte për këta qengja, duke e shijuar këtë si eksperiencë letrare.
Nga një këndvështrim krahasues, në thelb, edhe te Hemingway edhe te Weller-i, na paraqiten, nga njëra anë, krijesa të brishta, që ende nuk e kanë nisur rrugëtimin e jetës: fëmijë, bebe, të vegjël kafshësh; përballë pjesoresh (worn, shorn), të cilat shënjojnë efekte entropike, të konsumit material, të përdorimit. Që këto efekte (qethja, konsumi nga përdorimi) nuk kanë ndodhur, kjo aludon për një anomali, një ndërprerje, një shkëputje në rrjedhën e të jetuarit; e cila formalizohet pastaj nëpërmjet aktit të shitjes (for sale), ose të dëshirës për dëbim të objektit nga hapësira personale. Te Hemingway, vullneti për rifillim, sado i shprehur, nuk ka shans, përballë kujtimit të katastrofës që mund të ketë ndodhur, meqë autori anonim i formulës nuk do të arrijë kurrë ta heqë qafe kujtimin e çfarë ka ndodhur; prandaj edhe ndodh pastaj që dëshpërimi i ofertës të kthehet në hilaritetin e qengjave të paqethur të Weller-it, aq më tepër që shitësi i tyre nuk pritet të ketë përjetuar ndonjë katastrofë të nënujshme. Por e gjithë kjo, nuk do të funksiononte dot mirë pa rimën worn/shorn të anglishtes.
Ky shtresëzim referencash tekstuale, citimesh dhe jehonash sugjeron një koncept të efektit letrar të bazuar në intertekstualitetin: teksti fillestar, i një njoftimi personal të rëndomtë për shitje, rimerret nga një miniaturë që i atribuohet Hemingway-t dhe pastaj nga një miniaturë tjetër, që e “dekonstrukton” këtë autor, duke e vendosur formulën e vet për shitje qengjash të paqethur në një univers më shumë diskursiv, se “real”.
Le të krahasojmë:
For Sale, Geox Shoes, Never Worn
For Sale, Baby Shoes, Never Worn
For Sale, Baby Sheep, Never Shorn
Asnjë nga miniaturat 2 dhe 3 nuk do të funksiononte dot pa tekstin fillestar, që nuk ka natyrë letrare. Anasjelltas, arsyeja që këto dy miniatura letrare shijohen, ka të bëjë edhe me anonimitetin banal të formulës për shitjet personale, e cila pritet të zërë vend në skajin më antipoetik të mundshëm të diskursit.
Por ashtu ndodh edhe e kundërta: lexuesi i mallëngjyer nga miniatura e Hemingway-t me këpucët e bebes, dhe pastaj i argëtuar me dyfish-pastiche-in e Weller-it me qengjat e paqethur, nuk do të jetë më në gjendje t’u qaset formulave fillestare në pafajësi; dhe prapa çdo njoftimi personal shitjesh, pa dashur do të vihet të kërkojë një dramë të fshehur, në mos një komedi, duke përgjuar e këqyrur përmes tyre jetën vetjake të Tjetrit, si përmes një vrime çelësi. Emri i Hemingway-t shërben, në këtë kontekst, si kualifikues i një strukture tekstuale komplekse, duke i shtuar kësaj – praktikisht – një përmasë të tretë.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.