Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

DEVEJA SHET

A përmenden devetë në Kuran?

Sipas Borges-it, që i referohet Gibbon-it, jo.

Por Borges-i – siç e kanë vënë në dukje – gabon dyfish: në Kuran devetë dalin disa herë; dhe Gibbon-i nuk e ka thënë gjëkundi që Kurani nuk flet për deve.

Borges-i gabon dyfish, edhe pse argumenti i tij vlen për të kundërshtuar ata kritikë, që e qortojnë se prozës së tij i mungojnë “ngjyrat argjentinase”. Jo, shpjegon ai, unë jam vërtet shkrimtar argjentinas, por nuk kam nevojë ta provoj këtë, duke e veshur letërsinë time me kostumin popullor lokal.

Për një të njëjtën arsye, një shkrimtar shqiptar nuk është gjë – as estetikisht as moralisht – i detyruar të rrëfejë për besën, gjakmarrjen, malin, kanunin, virgjëreshat, pushtuesit dhe të tjera klishé të Shqipërisë ekzotike.

Ta mbushë, si me thënë, letërsinë e vet me deve.

Madje edhe kur thjesht synon të tërheqë vëmendjen e publikut perëndimor; sepse është kundërprodhuese dhe gjithsesi jo-artistike, që yni ta shohë realitetin me sytë e një të huaji që i qaset shqiptarisë me kuriozitet.

Me gjasë, ky nuk do të ishte shkrimtar, por hack; dhe vepra e tij do të kishte po aq art, sa edhe një dyqan për turistët.

Dhe aq më keq, sikur në raste të tilla të përdorej arsyeja kombëtariste për të përligjur tematikën: letërsia nuk është banak për t’u shitur kombin tënd të huajve, as megafon për t’ua reklamuar.

Unë shoh gjithnjë një paradoks, te përpjekjet e atyre që duan të tërheqin me çdo kusht vëmendjen e “tjetrit përtej”, duke i rrëfyer unicitetin shqiptar; paradoks që lidhet me atë që uniciteti, si i tillë është i papërkthyeshëm.

Deri dje rënkonim që regjimi na mbante në izolim; sot të paktën le të kemi aq delikatesë, sa të mos e rindjellim izolimin sërish, duke u etnicizuar artificialisht.

Për ta thënë prapë me Borges-in: El original es infiel a la traducción (origjinali nuk i qëndron besnik përkthimit).

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading