Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Narratologji / Totalitarizëm

LETËRSI NË INTERNIM

– vazhdimi me kartela –  

Nga Visar Zhiti 

Internimi – ligjërisht është dënim. Çuarje, dëbim në brendësi të vendit, në kampe përqendrimi, nën një mbikëqyrje të rreptë. Ushtrohet mbi kundërshtarët politikë, disidentët, të dyshuarit, njerëz të armikut a të një shteti që kërkon luftë, – ky ishte afërsisht shpjegimi nga fjalorët e huaj, ndërsa ata shqiptarë e shihnin si dukuri të vendeve borgjeze e revizioniste, që “tek ne nuk ekzistonte”, – internimi kështu, por regjimi totalitarist në Shqipëri ishte ende më mizor. Atyre që s’i donte shteti, pasi i burgoste, u internonte zakonisht familjen të gjithë, gratë, fëmijët, pleqtë dhe, kur i lironte nga burgjet, internimi i priste më së shumti.

Jeta në internim i ngjante një gjendjeje të ndërmjetme, si të thuash asaj midis fshatit dhe burgut, por më afër kishte vuajtjen e burgut me apele, kontrolle deri edhe tela me gjemba. Puna ishte e rëndë si në fshat.

Në librin tim, “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe kreu i veçantë i internimeve, të atyre autorëve të letrave shqipe, që u ndaluan dhe u dëbuan nga sistemi, që nuk duhej të ishin shkrimtarë apo artistë, por që u kundërshtua me vepra. Kjo ka më rëndësi, besoj..

Po shkëpus disa fletë, kartela që dëshmojnë:

  *   *   *

(Vendet e internimeve) zgjidheshin sa më larg kufijve shtetërore, sa më brenda, sa më të fshehur dhe si në fundbotë. Me rrugë të këqija a pa rrugë fare, gërxhe, ku frynin erërat a fushëtira, ku s’kishte ku të fshiheshe a të ikje, kapeshe menjëherë. Banonin në kapanone të përbashkët familje shumë ose në stalla, në punërat sa më të rënda, mbartje drunjsh nëpër lumenj, kriporeve, lagunave, kanaleve, me kazmë baltrave dhe me luftë klasash xhindosëse, me vapë e mushkonja e policë, me përmbytje e arrestime herë pas here.

Gryka e Tepelenës – Aushvici shqiptar ku vdisni fëmijët… Shtyllas si shtyllë kryqëzimi… Zvërnec – ishull i vetmive si dënim. Myzeqe – dhimbje pa anë dhe cak..,

Bunkerë gjithandej, që prisnin të vinte armiku i jashtëm dhe barakat mes baltës, plot me gjurmë kafshësh dhe spiunësh. Se duhej përgjuar ç’po dëgjonin fshehurazi ata… Se pasi mbyllnin dritaret mirë, që të mos dukej drita jashtë, hapnin radiot, ata që kishin, ata që s’kishin, shkonin te miqtë e besuar dhe dëgjonin zëulët stacionet e huaja që flisnin shqip: Zëri i Amerikës, Radio Londra, Radio Vatikani, Radio Moska… folka shqip dhe Australia… Nga Veriu, andej nga Shkodra, dëgjohej ndonjëherë dhe Tuzi, po ç’stacion është ky? I një qyteti në Mal të Zi. Dhe Radio-Prishtina arrinte deri  në Kukës. Çfarë thonë titistët ashtu? Ja, shajnë komunizmin. Po këtë tonin? Jo, s’është yni, na e kanë sjellë…

A ka shpresa?… Po dëgjohet zhurma e “Gazit” të Degës së Punëve të Brendshme, ka ngecur në baltë… kë do të marrin, kush e ka radhën të arrestohet?

 

MYZEQE, NË LUSHNJËN, KUR UNË ISHA…

…qytet i vogël si fshat, fshat i madh si qytet… me vendasit të urtë e të mirë e të ardhurit si fajtorë pa faj, të dëbuar nga e gjithë Shqipëria, nga ata që s’i donte regjimin, por që s’e donin as regjimin dhe as komunizmin e tij. Kishte të liruar nga burgjet, familje të arratisurish, të pushkatuarish, që duke ua shtyrë ditën e lirimit gjithnjë dhe me 5 vjet të tjera internim, ua shtynin dhe vendbanimin, gjithnjë më thellë, nga Pluku e Dushku, në Çërmë e Grabian, Savër, Muçias, te Tokat e Vdekura.

Fëmijë ministrash të dikurshëm, kryeministrash, të shpallur tradhtarë, të cilët kishin marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë së vendit, në Kongresin historik të Lushnjës, kishin luftuar, kuislingë, por në dobi të vendit, jo të pushtuesit, nacionalistë, monarkistë, madje dhe nga ata që kishin qenë partizanë, intelektualë të rrëzuar, shkrimtarë, artistë, piktorë, etj, gra gjermane e italiane të mbetura nga lufta, por dhe gra të lira, të çthurura për sistemin e ri, të dëbuara nga kryeqyteti, etj, etj, priftërinj, luftëtarë grekë, të ikur nga lufta civile, të arratisur shqiptarë të Kosovës, të arratisur nga Jugosllavia, bashkëshorte të huaja nga kampi socialist, rumune, polake, kujtoj një ruse dhe një bullgare, të dyja mësuese të miat…

Kisha mësues dhe një muzikant të madh, Fotaq Filipeu, i porsa dalë nga burgu i Burrelit, që bashkë me tim atë, pak a shumë me të njëjtin fat, aktor dhe autor skeçes pa fund, nisën punë në teatrin e estradës së Lushnjës, të porsa krijuar, ku do të sillnin nga internimi dhe Gjosho Vasijan, parodisti me kitarë, por dhe trombistin Franc Pali, me babanë të arratisur në Itali, edhe piktorin Lekë Pervizi, që kishte studiuar në Itali e tani ndërronte internim, vinte nga ai i Tepelenës, etj, e vetmja estradë në botë, besoj, e ngritur me armiq, e aty do të niste karrierën dhe këngëtarja Vaçe Zela.

Tjetër, kujtoj inxhinier Mërgim Korça, kishte lindur në Austri, thoshin, me babanë ministër arsimi gjatë luftës, që vdiq me grevë urie në burgun e Burrelit, ai shpikte makina bujqësore, ishte talent. Thellë fushëtirave, ku ishin familjet kundërshtare të Çokëve, kishin sjellë nga Veriu Dinet, Merlikajt, Kaloshët, Mujët, por dhe nga Jugu, Tasët, Staraveckat, etj. Poeti gjirokastrit Pano Taçi, i dalë nga burgu, ishte internuar në Savër tani bashkë me Dom Ernest Koliqin nga Shkodra, vëlla i shkrimtarit të ikur Ernest Koliqi, që do të ishte dhe kardinali i parë shqiptar..

Aty vdisnin pleq të internuar dhe lindnin fëmijë të internuar,

Kartela e parë: Lek Pervizi
Piktor dhe poet
Atë e bir…

…E pashë që kur isha fëmijë, e kishin thirrur ata të arsimit të pikturonte një skenë për veprimtaritë e shkollës për Vitin e Ri, borën për herë të parë e pashë nga ai, e bëri si të vërtetë, me një bardhësi heshtjeje plot paqe siç ishte dhe vetë.

Vinte me çizmet me baltë nga rrethinat e internimit, nga Pluku i Lushnjës, pothuajse nuk i fliste askujt, ndërrohej, thjeshtë, por pastër, më fanitet si i zbathur në skenë, me penelat ndër duar dhe ja, e mbaroi një shtëpi përrallore, krijoi dimrin e bukur. I afroheshim që të dëgjonim gegërishten e tij të ëmbël…

 …ishte nga Veriu, nga Kruja e Skënderbeut, bir gjenerali, thoshin, nga një familje e njohur katolike. Kishte studiuar në Itali, Në Torino e Firence dhe pastaj në Romë, në Kolegjin Santa Maria, i pasionuar pas poezisë dhe pikturës..

Me kapitullimin e fashizmit në 1943 kthehet në vendlindje. Fitimtarët komunistë, me të marrë pushtetin, i djegin shtëpinë, i konfiskojnë pronat në fshat, Skuraj e Laç e në kryeqytet. Babai arratiset. I internojnë familjarisht, ndërsa dy vëllezërit më të mëdhenj, Valentini, oficer akademik, dhe Genci, aviator, përfundojnë burgjeve. Lekën e arrestojnë në 1 maj 1950 dhe e burgosin në Kalanë e Gjirokastrës, ku takon vëllanë në qeli me 200 të dënuar të tjerë. Dhe nuk i rrihet pa vizatuar aty e të thurë vargje. Pastaj veç ndërro kampe, por po ajo dhunë e frikë: Porto-Palermo, por i heqin shpejt të dënuarit se ishte parë një nëndetëse e verdhë, mos po donin të shpëtonin të burgosurit? Dhe i çojnë në Tepelenë, kampi me 2500 mirditorë, me fëmijë që do të vdisnin urie, Shtyllaz, ku do të punonin me të burgosur të tjerë në hapje kanalesh, Kuç, Lushnjë, punë e detyruar në bujqësi (Savër, Gradishtë, Pluk).

Familja Pervizaj u mbajt në internim që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore e deri sa ra perandoria komuniste, pra nga 1945 deri në 1991. Gjithsej Pervizajt  morën 700 vjet burg e internime. Nga ky fis u pushkatuan dhe vdiqën burgjeve 23 veta.

1990 ikja. Me të parët. Ku është liria. Në Europën e ëndërruar. Në Belgjikë. Malli tjetërlloj për atdheun. Dhe në Bruksel Leka ringjallet. Nxjerr revistën patriotike, antikomuniste “Kuq e zi”. Boton libra me poezi: në shqip, “Ankimi i zanave” e “Gjurmë të humbura”, italisht “Il grande Lamento” dhe “”Petalo di rosa”, për të cilat ka marrë dhe çmime në Itali, në frëngjisht, “Complainte de Nymphes” dhe tregimet “Dans les Cercles de l’Enfer”, etj. Përkthen dhe nga latinishtja e vazhdon të shkruajë trilogjinë e jetës, tani në moshën 90 vjeçare.

Shkolla në Pluk të Lushnjë ku ishte internuar, tani mban emrin e tij, e ka vizituar dhe është dekoruar nga Presidenti i Republikës. Por më të rëndësishme janë vizatimet. Tronditëse, infernale na shfaqen skicat e Albumit të Kampit të Tepelenës, kapanonet si një Aushvic tjetër, telat me gjemba, kushtet çnjerëzore në linjat kockëdala të fytyrave, rrathët e gojëve të hapura nga uria, vdekjet si fletë të pavizatura dot, të bardha dhe të zeza. Unikale. Dhe vazhdon të pikturojë… me duart e të birit.

Leonardo Pervizi

djali i Lekës, që lindi në internim dhe nuk i ekspozonin asgjë në atdhe, madje më tregoi, kur u vajta për vizitë në shtëpi në Bruksel, se nuk e harronte kurrë që nja dy poeto-piktorë socrealistë i kishin thënë me cinizëm në qendër që “jo ti nuk do të ekspozosh, por as yt bir; të shohim ç’do të bëhet me nipërit, varet nga lufta e klasave, nga fitoret e komunizmit në botë…” Poshtërsi. Cinizëm. Aq sa do të dukeshin më të mirë policët e kampit. Doja të zbuloja pjesë shëmtie nga fytyrat e tyre në pikturat e mëdha të Leonardos, ai tashmë është piktor i njohur në Bruksel, madje akademik.

Shikoja Krishtin, vetëm Krishtin, Krishtin sërish me në sfond kështjellat shqiptare. Do të doja të bija aty në gjunjë dhe të lutesha.

 

Lame Kodra
(1900 – 1971)
i vetmuar…

I internuar pak më tej, në Fier, “Babai i letërsisë komuniste në Shqipëri” – e quajti Arshi Pipa, por që komunistët do ta dënonin herët, në fillimet, edhe pse luftoi krah për krah me ta, ndoshta ishte më i dituri i tyre dhe më liberali.

Arsimin fillor e nisi në vendlindje, në Përmet, në Malëshovën që e kishte dhe mbiemër dhe studimet e mesme i kreu në Itali, në Kolegjin arbëresh De Radian, San Demetrio di Corona. Nisi të botojë vjershat e para dhe, së bashku me mikun e tij, skulptorin Odhise Paskali, hapën revistën “Studenti shqiptar”. Më pas do të shkonte në Romë për të studiuar në mjekësi.

Kthehet në atdhe dhe Sejfulla Malëshova do të jetë sekretar i kabinetit të kryeministrit Fan Noli. Vetëm 6 muaj, se, pas rënies së Revolucionit të Qershorit, do të ikë në Bashkimin Sovjetik e do të studiojë për filozofi në Universitetin Lomonosov, në Moskë.

Në Parti bënte debate dhe për edukim e largojnë të punojë për tre vjet në një uzinë në Kaukaz. Kthehet dhe e bëjnë pedagog, madje dhe dekan po në Universitetin Lomonosov. Martohet me një moskovite, por u nda menjëherë, nga që revolucionarët gjaknxehtë si ai, nuk krijojnë dot familje. Pranohet në Komintern dhe me këtë detyrë vjen në Shqipëri në vitin 1941. Është në udhëheqje të luftës nacional-çlirimtare, por dhe pas luftës: Ministër Arsimi në qeverinë e parë të fitimtarëve dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Boton librin e tij “Vjersha” me emrin Lame Kodra.

Hyn në konflikt me Enver Hoxhën për shumë çështje të politikës, ekonomisë, drejtimit dhe mbajtjes  së aleatëve,  jo vetëm ata sovjetikë, por dhe amerikanë. E shkarkojnë nga të gjitha funksionet, përjashtohet nga Partia dhe internohet në Fier, ku punon si magazinier në grumbullim. 24 vjet kështu, i vetmuar dhe i përgjuar deri sa vdes. E përcjellin pa funeral, veç e motra me dy varrmihës.

S’dihej në kishin mbetur dorëshkrime të tij pas bastisjeve dhe përmbytjeve. Gjithsesi, pas rënies së komunizmit dhe diktaturave të tij, u botuan tre vëllime nga poeti Lame Kodra, poezi, publicistikë dhe përkthime.

“Internacionalja” që këndonte në çdo kongres Enveri me shokët dhe delegatët, ishte përkthimi i tij. Nëpër shkolla, kur flitej për Maksim Gorkin, jepej të mësohej përmendsh dhe proza poetike “Zgalemi”. Mua më kishte takuar ta recitoja si nxënës dhe ta komentoja si mësues. Përkthim mjeshtëror, por pa emër. I atij. Virtuozit të socrealizmit…

 

Lazër Radi  (1916 – 1998)
dhe Jozef Radi,
atë e bir në një libër…

Erdhi nga Prizreni – vendlindja e tij, kryeqyteti përbashkues i shqiptarëve, që t’i shpëtonte përndjekjes jugosllave, në Tiranën, kryeqytet i ri.

Një rrugëtim-ëndërr për në Shkodër, kryeqyteti kulturor dhe pastaj më tej, përtej detit, në Europë, në Romën e përjetshme, kryeqytet perandorak, për të studiuar në Universitetin e madh e të hershëm “La Sapienza”, për Drejtësinë, që mungonte aq shumë.

Si bohem kryeqytetesh nuk do të ketë fat. Siç duket Lazër Radin Zoti e ngarkoi me një misionin ndryshe golgotian. Mbas Luftës II Botërore do të burgosej deri kur të binte perandoria komuniste. Ai veç do të ndërronte burgje e kampe internimesh si rrathët e ferrit. Ato do të ishin studiot e tij.

Kur Lazrin e burgosin për herë të parë, e shoqja mbeti vetëm me foshnjën në krahë, por do ta burgosnin dhe atë. Vajza e vogël u vdes. U bë engjëll dhe ikën në qiell, sa më larg tmerreve të kësaj toke.

Internimi, burrë e grua, i priste pas burgut, puna e rëndë kanaleve për të siguruar bukën e përditshme. Në internim do të lindnin tre fëmijë, do t’u vinin emra shprese dhe drite: Adriana, Jozef, Luçian. Do të nisnin shkollën, por do t’i kishin të ndaluara studimet e larta. Kërshërinë për librat nuk ua hiqnin dot…Të lindësh i dënuar! Ashtu siç trashëgohet titulli “princ”, trashëgohej dhe titulli i mynxyrshëm “i dënuar”. Fëmijët e të burgosurve, të të internuarve, sa të rriteshin dhe ca, i priste burgu.

Pas shembjes së Murit të Berlinit dhe perandorisë komuniste, ku diktaturat ranë njëra pas tjetrës, edhe kjo jona, Lazri plot gjallëri dhe vrull të riu do t’i përvishej punëve të letërsisë, aty ku ia kishin ndërprerë, të sistemonte ç’kishte shkruar fshehurazi.

Dhe unë i propozova, që ai bashkë me të birin, i cili shkruante poezi, të dilnin me një libër të përbashkët për të parë se trashëgimia e tij nuk ishin vetëm dënimi, baraka e internimit, por dhe të shkruarit. Doli përmbledhja “Muret e muzgut” me parathënien time, “në emër të atit dhe të birit dhe shpirtit të poezisë”. Pastaj Lazri do të tregonte në botimet e mëpastajme si askush tjetër vitet ‘30 të Shqipërisë, atë pluralizëm e zhvillim mendimi të pa besueshëm, europian më shumë, ku bënte pjesë dhe vetë. Do ta pasonin kujtimet me Migjenin, që e kishte njohur në Pukë, si njeri të shënjuar nga vdekja dhe si shkrimtar të pamort. E kisha lexuar dorëshkrimin, që kur isha gjimnazist, se qarkullonte fshehurazi ndër miq të paktë. Mahnitesha kur shikoja rrugëve një burrë që kishte njohur Migjenin. Dy herë do të botonte monografinë për Mirash Ivanajn, një herë me titullin“Misteret e një ministri”, pastaj “Ministër i hekurt”, e kishte patur mësues, ishte i plotdijshëm, thoshte, dhe u bënë bashkëvuajtës në burg. Do të shkruante për Musine Kokalarin, e para disidente grua në gjithë perandorinë komuniste, e para grua shkrimtare në letërsinë moderne shqipe, etj., tregoi “gjyqin special”, të vetin dhe të të tjerëve, familjet e mëdha, rimëkëmbjen, do të sillte në shqip Platonin, histori europiane, poetë ballkanikë, poemën e një malazezi të shquar, të cilit ia kisha çuar dikur, natën, në internim, se donim të dinin si shkruanim fqinjët, etj, etj.

E gjithë krijimtaria e Lazër Radit do të përmblidhej nën kujdesin e trashëgimtarëve, e të birit, Jozefit, për t’u botuar postume në disa vëllime, Ndërkaq dhe Jozef Radi do të botonte artikuj të ndryshëm, ndërsa në vitin 2000 do të nxirrte vëllimin me poezi “Kujtesa e mjegullës”, 10 vjet më vonë “Fletorja e vjeshtës”, së fundmi dhe një përmbledhje dygjuhëshe, shqip dhe italisht, e boton në Itali, ku dhe banon…

Vepra e Lazër Radit tashmë iu shtua asaj tradite të mirë e të çmuar, që ishte mohuar, me thyerjet dramatike si koha e me mungesat si vetë historia, jo vetëm e Tij, por dhe e Shqipërisë.

  

Gazetari nga fshatrat e Lushnjës
Sokrat Shyti,

…pas studimeve në Moskë, kthehet dhe punon në redaksinë e Radios në Tiranë, por kur prishen marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, deri dhe ato diplomatike, fillon përndjekja e atyre që ishin diplomuar në vendet e Lindjes, sidomos të nostalgjikëve. Pas arrestimit të dy kolegëve të tij, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, të cilët dhe i pushkatuan, duke i marrë nga burgu i Spaçit, arratiset dhe një vëlla i Sokratit, piktori Zoi Shyti. Në shtator të 1963 e arrestojnë edhe Sokratin dhe e dënojnë me internim familjarisht. 27 vjet do të jetojnë në një kasolle lopësh në një fshat afër Lushnjës.

Shkruan romanet “Përtej misterit”, “Mes tundimit dhe vorbullës”, “Gërryerjet e makthit”, “Hija e turpit dhe e vdekjes”, etj, ndërsa në romanin me dy volume, “Pështjellimet e fatit”, do të  tregojë pushkatimin e gazetarëve dhe dënimet e intelektualëve liberalë.

 

Nga kodrat vinte Sherif Bali

…e donim si Eseninin e Myzeqesë. Rridhte poezi i gjithë. Vinte nga larg, nga fshatrat e kodrave të Lushnjës, nga Balaj, çdo ditë në këmbë, dy orë, tre, për të ndjekur gjimnazin në qytet. Lexonte rrugës librat e shkollës, por dhe poezi. Eseninn të parin, magjikun, fshatarin si ai, harrakatin me flokët si thekrishte, ashtu i krihte flokët dhe Sherifi, pastaj Pushkinin, Lermontovin, Robert Bërnsin, Uollt Uitmanin, “Fije bari”, pse u shkruajtka dhe kështu, Majakovskij, sa i vrazhdë!

Kur binte shi, vetëtimat dhe gjëmimet si metafora do t’i fuste në poezitë e veta, ai mbërrinte i qullur në shkollë dhe kthehej buzë mbrëmjes në shtëpi. Lexonte i lodhur me llambën me vajguri te kryet dhe të nesërmen herët në mëngjes do ta zgjonte e ëma ashtu si Esenin; Më zgjo nesër me natë pa gdhirë, / Nënë e dhëmbshur, nesër më zgjo…. dhe përsëri në këmbë, zbriste kodrat, nëpër baltë, me çizme pune, ndonjëherë i gjente gjimnazistët të rreshtuar para shkollës duke bërë fizkulturën e mëngjesit, sipas modelit të revolucionit kulturor kinez. Pse vonë, Sherif, – i bërtisnin mësuesit. Je i përjashtuar për sot. Harronin që vinte për ditë nga andej, ku gjimnazi vetëm një herë në vit, kur bënin marshimet e programuar për kalitje, sa i afroheshin fshatit të tij.

Fletoret me poezitë e tij, që na jepte për të lexuar, ishin mrekullira për ne. Sa shkrim të bukur që kishte, shkronjat si zogjtë mbi degë pemësh a mbi telat e shtyllave të telefonit. Mësuesi ynë, poeti Faslli Haliti, ua çonte në Tiranë, gazetave dhe revistave, ua tregonte shkrimtarëve në krye.

Çfarë thanë? – prisnim ne me padurim. I pëlqyen, është poet thanë. Dhe dolën poezitë e para dhe letrat kundër kundër tij, nga fshati dhe nga qyteti. Kujt i botoni, ju, kulakut? A e dini që është familje e deklasuar?! Të pasur në fshat… Po, thoshte Sherifi, kemi mbajtur me bukë dhe të varfrit në fshat, por dhe brigadat partizanët gjatë luftës, që po vazhdonte si luftë klasash tani.

Sherifi tregonte se kulakun në fshat e hipnin në një gomar dhe e shëtisnin fshatrave të tjerë, me një tabelë në qafë, “Kulaku, ha njerëz”. Kështu që dhe unë linda armik, thoshte Sherifi.

Na vinte në shtëpi. Kujtoj se po i tregonte njëherë time eti se si i ishin qepur ata, të Degës, donin që ta bënin bashkëpunëtor… bëj shumë kujdes, i tha im atë, por mos prano…

Gjatë verës punonin fushave, afër fshatrave të internimeve, një grup gjimnazistesh bashkë për të marrë ndonjë lekë që të blinim librat. Me Sherifin, që vinte përsëri nga larg, nga kodrat përtej, prashisnim misër dhe s’e arrinim dot. Hanim bashkë bukë me domate e djathë, të lodhur dhe pastaj Sherifi recitonte poezi. Esenini apo të tiat. Të bukura njëlloj. I mësoja dhe unë përmendësh

Eh, moj çupë të kam dashuruar
(Edhe kokën e lija për ty)
Mjaft idile të ëmbla m’u zgjuan,
Kur t’i pashë idilikët sy

………………………………………

Eh, moj çupë, të kam dashuruar,
(Por sot kokën s’e lej më për ty.)
Paska shumë njeriu për të udhëtuar
Paskan shumë për të parë këta sy.

Ç’ishte kjo dashuri qe sprapste Sherifin? Koha, fati? Që mbi shalqinj, pjepra shkruante emra vajzash, me të cilat binte në dashuri menjëherë dhe nuk shkruante fjalën “Parti”.

E çojnë ushtar, por në reparte pune, jo me pushkë, por me kazmë.

Unë pata fatin, që në “vitet e liberalizmit” të më lejojnë të vazhdoj shkollën e lartë për gjuhë dhe letërsi në Shkodër dhe kur vija me pushime në shtëpi, në Lushnjë, kërkoja dhe Sherifin. E gjeja te banaku i librarisë së vetme të qytetit, ishte aty për librat e reja apo për shitësen? Më vinte zor prej tij që unë isha student dhe ai jo. E dhimbshme, e padrejtë, e… i tregonim poezitë e reja njëri-tjetrit, ja, dhe përkthimet e fshehta, Sharl Bodler, Pol Eluar, Federiko Garsia Lorka, Evgenij Jevtushenko, Nazim Hikmet, Isikava Takuboku, ti i ke përkthyer të gjitha, jo, jo, do m’i japësh dhe mua, patjetër, të lutem ruaji, kujdes…

…kur dola nga burgu dhe mezi fillova punë punëtor krahu në fabrikën e tullave, aty punonte dhe Sherifi, roje në një depo uji. Poet i heshtur pa të drejta botimi, i paburgosur, por kurrë i lirë, gjithmonë si në internim, me dekada, më i vetmuar tani, me ironinë më të zbutur, me po ata flokë eseninianë, me një vizë anash si me shteg hëne mbi krye. Dhe i ikej. Për ku? Në një asgjëkund tjetër të trishtë.

Nga kokrra e shegës, çarë përgjysmë,
Pikë-pikë pikon tetori. 

Kështu shkruante. Gjak shege apo gjaku i tij? Imi? Për Sherifin poet mbase ishte njëlloj. Ishte gjaku i poezisë së tij imazhiniste.

Kur ndërruan kohët dhe erdhi demokracia, kështu themi sikur ajo të ishte stinë, që të mos zgjatem më shumë, Sherifi i kthehet shkollës së lartë, pa shkëputje nga puna, në Universitetin e Elbasanit. Bashkë me diplomën dhe libri i tij i parë, i shumëprituri, “Koncert sipas kërkesës së dëgjuesve”, 1994,  ku gjithë mallëngjim donim dhe autografin në faqen e parë.

Dhe mbas tre vjetësh libri tjetër, “Hënë, përkthemë në qiell” e deri te më i fundit, “Kunata e vogël në mur”.

Tërhoqi vëmendjen menjëherë. Shkrimtari Koço Kosta do të botonte një shkrim, ku bënte dhe apelin që poeti duhet dashur me përulësi, deri dhe nga presidenti, jo si në diktaturë.

Nëse fshati rus i Eseninit për nder të tij është quajtur Esenino, fshati i Sherifit e ka natyrshëm mbiemrin e poetit tonë, Balaj.

 

Një ndërprerje për me tej:
Tromba në terr

Kisha muzikë të vdekur brenda vetes, por se si po ngjallej, frynte. Si era në një grykë… Ishin Krishtlindjet, po më tregonte Gjosho Vasija, miku i tim eti, aktor komik dhe ai… – Si mundnin?…

E dëgjoja me dhembje, qeshja i trishtuar. Ai, gjithë jetën internimeve, me baba të vrarë, im atë me vëlla të vdekur gjatë torturave, edhe ai i torturuar në burg, por si doli gjallë? Apo që të lindja unë?…

Ishin Kshnellat në internim, përsëriste Gjosho Vasija, në Progonat, në Grykën e Bënçit. Punonim me trungjet, i hidhnim në lumë, nga 100 shtylla për brigadë. I ndiqnim nëpër shkambinj, ku ngecnin, i shtyjshim, binim në ujë dhe vetë, vriteshim. Na kthyne me qëllim ma vonë se herët e tjera nga puna, qe ba terr i madh. Tepelenë. Sa fryn nj’atje! Flejshim poshtë kështjellës, ku kishte ken dhe Bajroni, në fushë, rrethue me tela me gjema, në çadra të çame, dyshekë kashte… Duert na dhimbshin, i kishim të vrame nga puna, përgjakeshin çarçafat, nënkresa. Çoheshin nanat, gratë, motrat me na pa, a kishim ardh përnjimend gjallë nga puna, a po flejshim dot? Ftohtë. Frynte për kjamet. Ishin Kshnellat. Nuk na merrte gjumi, as vdekja, ankth, lodhje, asnji qiri, veç na treteshim. E kishim urue njani-tjetrin na za, kur na shpërndajshin langun e groshës: “Për shum vjet kshnellat!” Kaq. Po afronte kund mesnata, ishim të xanun me kujtimet e festës, fshamje, krumje e ndoj gërhatje e mbytun… Në ket humbëtinë na bahet se ndijohet gjithë jehonë malesh nji trombë në sordinë, vajtimtare, kanga “Shtille Nacht”, e famshmja, e njeh dhe e këndon mbarë bota kristiane. Ishin Kshnellat. Mos na bane veshët të tanve, halucinacion auditiv? Po nuk mund ta marrish me mend se çka ndodhi mbrenda gazermës, dridhje, ngritje koke, gulçe, biseda me frigë, ngricë e përndritun gjithandej. A thue përnjimend u ngjall ajo trombë? “Shtille Nacht” Po, po, e përhapte era si pelerinën e Bajronit. Melodi engjëllore mes nesh, mes torturave tona, besoj se duhet të jetë regjistrue në faqen e parë të Qielles, aty pranë Zotit të Madh. Kjamč deri në mengjes, saqi, edhe kur u gjetëm të rreshtuem në orën 6.30, i kishim sytë e ajun nga lotët. “Shtille Nacht”. Paskësh kenë e vërtetë kanga! Po ç’ishte ai magjistar me trombë, nga erdhi, ku iku? Nuk e kapne? Të nesërmen mbrama, kur mrrijtëm nga lumi, na lajmëroi nji “mik polic” se ka ken Gasper Çurçija, qi asht ulë nga makina, atje nalt, brij rrapit e kalasë dhe i ka ra… burisë. Ah, ai, e dinte që ishim na, s’kishte kurrnjigja me na dhurue, veçse melodisë së famshme “Shtille Nacht” në terr. Na solli nëpër erë Kshnellat e mungueme. Mandej ishte nisë për Gjinokaster, ku kishte shërbimin. Eh, nuk ia harrojshin dhe e gjetne rastin, e kapën për do faje tjera, me taman s’dihej për çka, por ai kishte futë muzikë xhazi në Festivalin XI, kje i pari dhe… e pushkatuen.

(Njerrë nga burgologjia “Ferri i Çarë”, Tiranë 2012)

 

“Shkrimtari”
Mehmet Myftiu
(1930 – 2019)

…njihet dhe si ndër themeluesit e letërsisë realiste pas Luftës së Dytë Botërore, i akuzuar si mbrojtës i fjalës së lirë dhe mik me shkrimtarin disident Kasem Trebeshina, madje dhe është dënuar me internim për këtë, ndërkaq ka qenë i internuar dhe nga nazistët në Prishtinë, kur ishte vetëm 12 vjeç, se ishte i lidhur me partizanët, anëtar i organizatës “Debatik”.

Pas Luftës së Dytë Botërore u bë gazetar, shkruante tregime, mori dhe çmime letrare dhe do të ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Por doli romani i tij “Shkrimtari”.

Një Mehmet tjetër, me mbiemrin Shehu, kryeministër, në një plenum partie e dënon veprën si të shkruar për shokun e tij të ngushtë të mendimit, Kasem Trebeshinën, element antiparti i vendosur… Dhe kështu dënohen vepra dhe autori. Mehmet Myftiu arrestohet dhe dërgohet në internim në Shtyllas të Fierit fillimisht, duke iu hequr e drejta e botimit për 25 vjet rresht. Rehabilitohet, kalon në arsim, vazhdon studimet e ndërprera, e punon si cigareshitës deri në rënien e diktaturës. .

Riboton “Shkrimtari”-n, romanin e parë disident, sipas tij, por dhe eseistikë, poezi e prozë, etj. Shuhet në dhjetorin e vitit 2019. Si vazhdim i veprës së tij janë dhe librat e së bijës, shkrimtares Besa Myftiu, e njohur tashmë në diasporë, jeton në Zvicër, por dhe e bija e saj, Elina Duni, është e njohur si këngëtare.

 

Halil Qendro
(1936-2013)
shkëmb…

Poeti nga Tepelena, me temperamentin e vendlindjes së tij, Progonatit me erëra dhe gërxhe dhe trimëri të njohura, ishte ushtarak, i diplomuar për gjuhë dhe letërsi, gazetar dhe redaktor dhe e internuan për shkaqe politike. 22 vjet rresht zgjati internimi..Prandaj dhe ishte urdhëruar harrimi i i tij.

Rehabilito e çrehabilto, kështu e kishte kjo punë si të ishin mbjellje dhe shkulje patatesh për ushtrinë. Mbas rënies së perandorisë komuniste do të botonte poezinë e tij më të mirë, tregime e romane.

E kisha parë në tregun e Tiranës, pranë atij çam, punonte në një nga shitoret, s’e di a ishte e tij, Flisnim për librat dhe pinim kafe bashkë.

Ja, disa nga titujt e tij:  “Dashuri e shqetësuar”, “Loti i diellit”, “Hemoragji”, “Jam tepër i lodhur”, “Endacaku i shpresës”, “Ezopi në gjyq”, etj, “Rrëfimet e pasmesnatës”, “Dimra të Shqipërisë në dy kohë”, roman.,

Kur ndërroi jetë, shkruajtën miqtë e tij: ra dhe një rrap nga Progonati, u këput një shkëmb…

 

Jusuf Alibali
(1922 – 2003)
antikonformist…

…do të çonin dhe profesorin nga Shkodra, që studionte në Firence për drejtësi dhe e arrestojnë atje si antifashist. Kur del nga burgu, kthehet në Shqipëri dhe e vazhdon luftën, arrestohet sërish nga forcat gjermane dhe burgoset në burgun e Tiranës. Lirohet shpejt dhe del malit partizan.

Pas luftës punon në Ministrinë e Kulturës dhe bashkëpunon me Radio- Tiranën dhe revistën “Bota e re”. E çojnë në Moskë për të kryer studimet e ndërprera në Drejtësi, mbaron shkëlqyer në Universitetin Lomonosov. Bëhet zv/ministër i Drejtësisë, anëtar i Gjykatës së Lartë, etj.

Si liberal dhe antikonformist e heqin nga detyrat dhe e internojnë familjarisht. Bashkëshortja e tij, balerina Adivije Alibali, ka qenë e njohur dhe si aktore, ajo ka luajtur në filmin “Skënderbeu” rolin e Mamicës, motër e Heroit. Në internim Jusuf Alibali shkroi poezi, studime, etj, që do t’i botonte pas rënies së komunizmit.

Biri i tij, avokati dhe studiuesi Agron Alibali, i cili nga internimi – tani në SHBA, ka botuar artikuj me rëndësi e libra studimorë, të vlerësuar dhe me çmime.

*   *   *

Edhe Liri Belishova, anëtare e Komitetit Qendror dhe e Byrosë Politike, (nxënëse e xhaxhait tim të vrarë nga partia e saj), e goditur dhe ajo nga të vetët, me të cilët kishte luftuar për të goditur, e internuar me vite, botoi së voni ditarin dhe poezitë e trishtuara të së bijës, Drita Çomo, vdekur fare e re në internimin e saj. Liri Belishova ishte e vetmja funksionare e lartë që kërkoi falje për krimet e sistemit stalinist..

Kur unë punoja në ambasadën tonë në Itali, ajo ma dërgoi librin e së bijës që t’i gjeja botues. Dhe doli me ndihmën e mikut tonë, Profesor Françesko Altimari, me parathënie të Kadaresë. “Dritë nga humnera”.  Unë shtoj se duhet të themi se kush e hodhi dritën në humnerë…

 

DRAMË E PASHKRUAR, FAMILJA TASI

Koço Tasi – ministër dhe guvernator i Kosovës
Akil Tasi –  i vëllai, ministër
Napoleon Tasi – i biri i Koços, përkthyes
Ylli Tasi – i biri, inxhinier
Tefta Tasi – e bija, autore e një libri me përralla
Lekë Tasi – i biri, violonçelist, piktor, shkrimtar

 Personazhet e dramës? Aktet e së cilës janë luajtur në skenat e jetës shqiptare të shekullit XX. Shfletoj kartelat e tyre, që i kam përgatitur vetë.

Kartela I:
Koço Tasi (1889 – 1966)

Ishte nga Përmeti, vendlindja Leusë… dhe studioi në Romë për jurisprudencë. Kishte përvojën e udhëtimeve dhe të mërgimit, në vitet 1903-6 jetoi në Rumani dhe në vitet 1906-13 në SHBA dhe kthehet në Shqipëri të bëjë avokatin, duhej mbrojtur vendi duke i dashur njerëzit e saj, prandaj dhe u bë anëtar i “Krahut kombëtar”. E zgjedhin deputet për Gjirokastrën në parlamentin e parë pas Kongresit të Lushnjes dhe e emërojnë në disa ministri, zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Drejtësisë dhe i Punëve Botore.

Shqipëria kishte nevojë për libra, për dije në ligjshmëri dhe në të drejtën . Në vitin 1923 Koço Tasi boton veprën me shumë rëndësi: “E drejta dhe logjika”, e përbërë nga tre libra “E drejta”, “E drejta Penale” dhe “Kritika e Traktateve të Etikës”.

Qeveria e Nolit e emëron prefekt në Gjirokastrës, ndërsa në vitet e luftës, nën pushtimin nazi-fashist, do të jetë inspektor i përgjithshëm i Kryeministrisë në Shqipëri.

Dhe një fakt tjetër historik, do të jetë guvernatori i parë i Kosovës. Ndërsa Ernest Koliqi si Ministër i Arsimit ideoi ringjalljen e shkollave shqipe në Kosovë duke dërguar 200 arsimtarë, guvernatori Koço Tasi e realizoi ekonomikisht, si financë, si shpërndarje dhe ruajtje të parasë kombëtare.

Kartela II:  Akile Tasi,

i vëllai, i diplomuar në Bolonjë në Itali, edhe ai Ministër i Kulturës Popullore,.

Dhe fitimtarët e ardhshëm, kur çlirohej kryeqyteti nga ushtria gjermane, në 17 nëntor 1944, vëllezërit Tasi i arrestojnë me akuzën e përbashkët “për krime të rënda ndaj atdheut” dhe ajo që quhej gjykata speciale, pa juristë, i dënon me burgim të përjetshëm e punë të rëndë të detyruar.

Koçoja në burg vazhdoi të shkruajë për atë që mungonte, drejtësinë, të shumtë janë doracakët dhe vepra juridike të tij, madje dhe një fjalor etimologjik i shqipes dhe kur do ta lironin, nuk ia lanë t’i merrte me vete. Ndërsa vëllai i tij, Akile, vdes në burg.

Bashkëvuajtësit e tij në Burrel i ruajtën dorëshkrimet e Koço Tasit dhe pas viteve ’90, me rënien e komunizmit, ia dhuruan familjes Tasi, të cilat u botuan në 2011 në kujdesin e djalit, Lekës. Ishin shkruar gegërisht, si sfidë mbase, për të treguar që dy dialektet e shqipes janë fare pranë njëri-tjetrit, të lëvrueshëm bukur a mbase i shkroi ashtu në nderim të bashkëvuajtësve malësore, rrëfimeve të tyre në burg, të qëndresës legjendare, eposit.

Kartela III: Bijtë.
Ylli Tasi,

ka qenë në burg për shtatë vjet. Pasi kishte kryer shkollën teknike, e ishte përjashtuar nga të gjitha shkollat dhe u fut në punë te karburantet e përgjithshme. Atje kryen një heroizëm, shpëton nga zjarri makineritë duke u futur vetë mes flakëve.. Digjet në fytyrë e trup, por mbeti gjallë. Me t’u shëruar, i japin të drejtën e studimit. Bëhet inxhinier. Do të jetë shpikës në fushën e teknikës, do te ketë disa patenta, por gjithmonë shmangej emri i tij, se kishte qenë në burg politik ai, babai… etj.

Tefta Tasi,

Kur ishin në internim,  e arrestojnë dhe e dënojnë me tre vjet burg me akuza të tilla: ka sharë “mollët e internimit”, sikur të ishin mollë biblike, nuk ka bërë në shkollë një hartim për Enver Hoxhën duke thënë se “gjithë të këqijat i kemi prej tij”.

Pas ndryshimeve, kur Familja Tasi kthehet në Tiranë, Tefta vendos të rrijë pranë nënës, donte qetësinë e munguar, të ndihej vogëlushe, prandaj dhe shkruajti një libër me përralla.

Para se të ikte në Qiellin “me bukuri magjepsëse”, vuajtjet e saj në ferrin e burgut, punët e rënda nën britmat e gardianeve, jo si njerkat, por si shtrigat e përrallave të saj, ia tregonte të vëllait të vogël, le t’i shkruante ai..

Napoleon Tasi

vëllai i madh… gjithmonë nën hijen e zymtë të një familjeje me të burgosur, të vdekur burgjeve, armiq të regjimit, do të gjente strehëz te librat dhe do të shkëlqente në përkthim. Te të mëdhenjtë. Shekspir. Shekspiriane ishin dhe vuajtja, dhe dënimet, dhe durimi..

Por ti, i tkurrur në sytë e tu të hijshëm
Nga vetja flak’n e dritës sate ushqen
Duke i shtënë zinë një kopshti t’begatshëm
Armik i vetes, veten sa mizorisht po e bren.

Këtu, në këto 4 vargje të sonetit të parë të Shekspirit, sikur përmblidhet dhe fati i familjes Tasi dhe i të gjithë shqiptarëve të persekutuar, të tkurrur në sytë tyre, që ushqeheshin me dritën dhe zjarrin e brendshëm, në kopshtin që na i bënë të zi sundimtarët, duke na shndërruar në armiq të vetes.

Kartela IV:

Leka Tasi

më i vogli i familjes, që i shpëtoi burgut, por jo internimit. Studioi muzikë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, si për ta kundërshtuar zhurmën e çmendur të bombave dhe armëve me violonçelin e tij, pedagog pati Walter Caletti-n. Punoi çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës, pastaj, me një hovëzim të ri të luftës së klasave, e pushuan për shkaqe politike dhe u dërgua në internim, familjarisht në Grabjan të Lushnjes deri në vitin 1990.

E ka rrëfyer të gjithën në librin memuaristik “Grabjani rrëzë kodrave”,  botuar në 2009 në Tiranë. Muzika, e pafjetur brenda tij, do të shndërrohej në ngjyra dhe linja. Piktura do të bëhej parësore. Hap disa ekspozita, edhe në Kosovë dhe do t’i kthehej romanit.

Qëndruan dhe ia dolën duke patur si shembull prindërit, siç thotë vetë Leka, aq vitalë dhe fisnikë

 

FLATRAT

si epilog

 Në Myzeqenë e internimeve, në qiejt e saj sipër kënetave të dikurshme, ka mbetur në ajër dhe një dëshmi me flatra… si në mitologji.

Kartelë për një lejlek me emrin Sait

…ngjan me mrekullitë. Në burgun e hapur pranë kënetës së Tërbufit, ra nga qielli një lejlek i vogëlth e s’fluturonte dot. S’dihej ku ishte plagosur, diku pishave a telave të ndonjë shtylle elektrike a ashtu deshi Hyu. Kështu tregojnë të burgosurit, që e kanë parë këtë ngjarje a ata që e kanë dëgjuar prej tyre. Tufat me lejlekë vinin rrotull nëpër erë dhe klithnin dhe ajo më therësja duhej të ishte klithma e lejlekut-mama.

Mjeku i burgut, Hysenbegasi i mirë, i rraskapitur nga mundimi i madh në luftë me epidemitë, komanda më e keqe se diarre, etj, e pa lejlekun, rendi nëpër baltë atje ku kishte rënë, duke rënë dhe vetë. E gjeti. Nisi me ledhatime. I dha frymë, i futi barnat që duheshin në sqepat e hapur. U hapën dhe sytë e vegjël dhe po vezullonin si dy pika vese, kur u bie rrezja e diellit, sipas atyre që e tregojnë. Lejleku u ngjall, por ende s’fluturonte dot. Ndërkaq qielli kishte mbetur bosh, vargu me lejlekë kishte ikur larg në qiej të tjerë e vende të tjera. Lejleku i vogël i burgut po e merrte veten dhe shpupuriste flatrat dhe hante ç’i jepnin, doktori i vuri emrin Sait. Ai e dinte përse e kë donte të kujtonte, ç’hero a dhimbje burgu…Dhe lejleku nuk iku. Vendosi të rrinte me shpëtimtarin e bashkëvuajtësit e tij të shumtë aty në kënetë. Fluturonte sipër kokave të të burgosurve dhe ikte andej ku i çonin ata, në rreshta të gjata. Ndalte ku i ndalnin ata.

Kështu çdo ditë, i përcillte për në punë, pushonte mes tyre në kallamishte dhe ngrihej për t’u kthyer bashkë me ta në pasdite e vona, të murrëtyera si trishtimet. Ndërkaq lejleku po e ndjente kur ishte koha e ngrënies dhe duhej të vinin kazanët me supë dhe flatronte pak para kohe si për të dhënë lajmin. Po kështu dhe kur vinte orari i lënies së punës. Ishte bërë ora qiellore e të burgosurve. Prej tij, nga mënyra se si klithte dhe nga lloji i tallazitjes së flatrave kuptonin, ata që kuptonin, nëse kishte ardhur ndonjë familje për takim në kamp apo ndokush kishte ndërruar jetë në infermierinë e burgut. Po kështu merrnin dhe kumte të tjera të mistershme qiellore, nëse do të kishte amnisti së shpejti apo do të keqësohej gjendja edhe më. Ai që e kuptonte, ua shpërndante të gjithëve. Lejleku Sait hovte gjithë elegancë dhe dhimbje si një shpirt ogurmirë, bënte elipse mbi kokat e të burgosurve si brerore të mëdha, të padukshme shenjtësh. Ai ishte motiv në qiell, poezi, ngushëllim, shpresë, kishte aftësi zbutëse, futej në ëndrra flatër-bardhë.

Dhe kur erdhi dita dhe i shpërngulën të burgosurit në një kamp tjetër për në Shtyllas të Fierit, Lejleku Sait, miku shpirtëror, ndiqte nga pas gjithë merak karvanin e makinave, shtrinte krahët e bardhë si shamitë e nënave dhe motrave nga larg, në ndarje a mirëseardhje. Dhe atje kur mbërritën, ndodhi tragjedia.

Teksa lejleku Sait po ulej i ngazëllyer, nga fare afër e qëlloi me pushkë njëri nga rojet e burgut të ri. Ai ishte lajm divin për të burgosurit, që i kalonte telat me gjemba pa leje. S’duhej lejuar. Ai s’dëgjonte asnjë “ndal!”. Ra mes psherëtimave të të burgosurve, si në pambuk të përgjakur, i pajetë. Prapë u ngrit, i ëndërrt në shumë poezi të të burgosurve, në tregime e romane, madje dhe në një dramë, personazh biblik, hero i reve dhe i baltës të një stine fatkeqe.

Shpend martir i qiejve. Shpirti ynë…

 

(c) 2021, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin