Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Nacionalizëm / Politikë

KOMBI I FACEBOOK-UT

Rrjedhja e fundit e disa të dhënave nga Facebook, të mbi 500 mijë të dhënave nga përdorues shqiptarë (rreth 500 milionë nga e gjithë bota) nuk duhet të përbëjë ndonjë shqetësim të madh. Në prag të zgjedhjeve, shqiptarët duhen ta dinë se emri, gjinia, numri i telefonit dhe lidhjet familjare qarkullojnë si lista votuesish nëpër partitë e mëdha politike. Plotësuar këto me të dhëna të plota mbi punësimin, partinë që parashikohet të votohet nga pjesëtarët e familjes, etj. Veç problemit të pandjeshmërisë që kemi ndaj shpërndarjes së të dhënave personale, rrjedhja lejon edhe për një vështrim sociologjik mbi përfaqësimin gjinor shqiptar në rrjetet sociale.

Facebook thotë që këto të dhëna kanë rrjedhur në 2019. Por nuk është ende e qartë se në cilin moment. Nga 2018 deri në 2019 ka pasur katër vjelje të dhënash masive nga baza e të dhënave të Facebook sipas Wired). Ndërsa vazhdon të vjelë numra telefoni dhe të shtrëngojë format e autentifikimit. Të shpresojmë që këto të dhënat e rrjedhura nuk do të përpunohen më tej nga ata që i lidhin me të tjera shërbime apo informacione që gjenden në internet. Chrome, shfletuesi i internetit, më thotë se kam rreth 50 llogari në faqe të ndryshme që janë hack-uar apo informacioni i të cilave ka rrjedhur diku në internet. Duke qenë se në këto shërbime kam përdorur vetëm një fjalëkalim, edhe atë të rekomanduar nga sistemi i atëhershëm i Yahoo, nuk e vras shumë mendjen, ose ndoshta duhet…

I. Kemi folur edhe më parë në këtë log për vjeljen e të dhënave nga shërbimet e ndryshme sekrete shqiptare me apo pa proces të drejtë ligjor (ministria e brendshme, e mbrojtjes, kryeministria, shtuar së fundmi edhe bashkia e Tiranës, ministria e arsimit e ndonjë institucion tjetër.) Atij që çuditet për bashkinë e Tiranës apo ministrinë e arsimit, mjafton t’i kujtohet se këto të dhëna merren në momentin e regjistrimit për shërbimet online (p.sh. provimin e maturës) apo edhe thjesht të një shërbimi pa-tel (wifi) në qendër të Tiranës.

Atëherë ku qëndron problemi? Tek çështja që këto të dhëna tashmë vilen nga kinezë, indonezianë e koreanë veriorë, veç atyre gjithmonë të pranishëm: shërbimet amerikane apo ruse që nuk kane nevojë të vjelin direkt të dhënat e shqiptarëve. Këto të fundit i marrin drejtpërsëdrejti nga shërbimet tona kundrejt parasë apo hacking-ut. E këtu kemi diskutuar edhe më parë për sisteme kompjuterike në gjendje të përpunojnë miliarda vëzhgime (jo thjesht të dhëna bazë të individëve, por lidhjet, sjelljen në internet, vendndodhjen, etj.)

D.m.th.., shteti shqiptar, nëse ka pasur ndonjëherë monopol mbi njohjen e qytetarëve të tij, e ka humbur këtë përfundimisht. Jo vetëm se nuk ka juridiksion t’i mbrojë qytetarët në botën virtuale nga peng-marrja e llogarisë së Facebook, apo personalitetit virtual, por se nuk ka asnjë mundësi teknike ta ushtrojë këtë monopol.

Për një qeveri që ekziston kryesisht në botën virtuale, së shpejti as qytetarët virtualë nuk do t’i ketë më shqiptarë. Hiq botet nga ekuacioni, se sikur kemi thënë gjysma e popullatës aktive në rrjetet sociale dhe internet është falsë, ka shumë gjasa që punët e qeverisë shqiptare të ndiqen nga indonezianë që urojnë për vete një kryeministër po aq të suksesshëm sa Edi Rama. Ose ta eksportojmë në Bangladesh. Ca më e lehtë se të ndërrohet një popull.

II. Disa prej të dhënave të Facebook-Albania, Facebook-Greece dhe Facebook-Italia lejojnë për të mësuar diçka mbi karakteristikat e audiencës shqiptare në Facebook.

Nga 500 mijë e kusur të rrjedhur nga Facebook-Albania, rreth 30 për qind (158.4 mijë) janë femra. Lipset që burrat, dhe partitë politike t’i kërkojnë femrat në Instagram. Rreth 6 përqind (30 mijë) nuk kanë vendosur gjini. Pjesa më e madhe (85 për qind) nuk kanë vendosur statusin civil. Ata që e kanë përcaktuar janë kryesisht të martuar (7 për qind), ndërsa 5.3 për qind janë beqarë. Vetëm 0.14 për qind janë në marrëdhënie të hapur (700 vetë). Më pak se gjysma kanë të dhëna për vendin. Kryesisht janë në Tiranë (16.5 për qind), Durrës (2.2) dhe Elbasan e Shkodër (1.3). Rreth 8000 persona kanë të dhëna mbi punësimin, pjesërisht edhe këto të papërdorshme. Nga emrat vihet re që grupmosha mesatare duhet të jetë rreth 30-40 vjeç. Këta nuk e vrasin shumë mendjen për sigurinë. Kush e di se për ç’arsye, ndoshta mendojnë se nuk kanë gjë për të fshehur.

 

Facebook leak, shqiperia

 

Facebook-Greqi kishin dalë rreth 600 mijë të dhëna individuale. Me një kërkim të shpejtë rezultojnë gati 4 mijë shqiptarë, kryesisht nga Tirana, Elbasani, Berati, Vlora, Pogradeci, Shkodra dhe Korça. Këtu evidentohet gati e njëjta shpërndarje e gjinisë, ku meshkujt kryesojnë me 70 përqind, edhe pse në totalin grek 55 përqind janë meshkuj.

Facebook-Italia ishte vendi me të dhënat më të shumta të rrjedhura (3.5 GB, diku te 35 milionë përdorues). Vetëm një transhë me 12.3 milionë individë ka rreth 4500 shqiptarë, edhe këtu kryesisht meshkuj (me 70 përqind.)

Veç hapësirës publike fizike (baret, kafenetë, parqet, etj.), edhe hapësira virtuale shqiptare është pra e mashkullzuar, sa është habi që divat digjitale shqiptare kanë kaq sukses në klikime. Por kjo ndoshta është një temë tjetër. Gjithsesi ngelet për tu sqaruar nëse ndjekësit mashkullorë të këtyre video-blogjeve janë një tjetër lloj audience perverse. P.sh. si mund të kuptohet një bashkëshort që me dorën në prehërin e gruas së tij sheh kuleçët që gatuan A. M, kurabiet e shkrifëta të I. T, apo foshnjën në gjirin e C. F-t?

Gjithashtu, interesant është edhe fakti që burrat kanë më shumë nevojë për këtë jetë virtuale (vetmia, kafenetë e mërzitshme?), duke u munduar ndoshta t’ia kufizojnë grave. Tregojnë diku se, jaranët e Lushnjës bekonin antenat e transmetimit të telefonisë celulare kur këto filluan të mbilleshin gjithkund e ta sheshonin vërtetë Shqipërinë këtë radhë. Ndoshta tani kanë filluar t’i mallkojnë.

(c) 2021, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin