Më 13 nëntor të vitit 2017 Anthony, një fëmijë 5 vjeç nga Sierra Leone, u gjet – i vetëm dhe gati i vdekur së ftohti – në stacionin hekurudhor të Brenneros, Itali.
E kish sjellë një tren mallrash nga Verona, me destinacion Gjermaninë.
Ngjarje – fillim i një historie – fund i një aventure. Fëmija që u gjet mbase kishte humbur, po mbase ishte vetë fëmija që e gjeti më në fund stacionin e vet.
Këtij momenti kaq fluid – siç janë zakonisht ato që shkruhen mbi pëlhurat-vela udhëtare të stacioneve – i kushtohet vëllimi i sapodalë poetik Tempi che sono… /Zeiten wie…/ Kohë që janë…”, i Gentiana Mingës.
I botuar nga shtëpia botuese Terra d’Ulivi, vëllimi vjen i ndarë në katër pjesë, prej të cilave dy janë në italisht dhe në shqip, dy të tjerat në italisht dhe në gjermanisht (përkthimi gjermanisht nga Werner Menapace dhe Ilir Ferra).
Italishtja dhe gjermanishtja në poezitë e librit takohen në vetë qytetin e Brennero-s, të provincës autonome të Bolzano-s, në Tirolin e Jugut; një qytet kufijsh në disa mënyra njëherësh, me shumicën e popullsisë që i flet gjermanisht, por që i përket pakicës gjermane në Itali.
Shqipja është e vetë autores Gentiana Minga, nga Durrësi, që ka botuar vëllime poetike dhe me tregime, si dhe cikle poezish në shqip, në italisht dhe në gjermanisht, por edhe ka përkthyer për revistën Poeteka. Krijime të saj janë përfshirë në antologji të ndryshme.
Ti vije kapur pas një treni, mall prej kufijsh me dëborë!
Oh, Anthony, i vogli Anthony, je nga të shpëtuarit!
Kristal i agimit të nëntorit e pistil lulëkuqesh,
je nga të shpëtuarit!
Thotë një nga poezitë e vëllimit. Megjithatë, koncepti që e tendos vargun ka të bëjë – dhe shumë – me dyshimin se mund të jetë edhe i vogli Anthony, i shpëtuari në akullin e dimrit të Brennero-s, ai që do t’i shpëtojë shpëtuesit e vet. Le vie della salvezza sono infinite!
Jemi të gjithë të ardhur në këtë botë, por Minga – si e mërguar që është vetë – e përjeton këtë përmasë të qenies me vetëdijen që ia lyp frymëzimi.
© Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.