Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kinema / Totalitarizëm

TAKIME NË SKENË

Një miqësi e vjetër e lidhte këngëtarin dhe aktorin amerikan Paul Robeson dhe poetin sovjetik Itzhak Feffer. Ishin takuar në New York, 8 korrik 1943, gjatë një eventi të Komisionit Judaik Anti-Fashist, të drejtuar nga Albert Einstein-i: një nga aktivitetet më të mëdha pro-sovjetike që ishin mbajtur ndonjëherë në SHBA.

Tregon David Horowitz (te Radical Son, A Generational Odyssey, Touchstone Edition, 1998) se kur Robeson shkoi gjashtë vjet më pas në BRSS, për të festuar 150-vjetorin e lindjes së Pushkinit, kërkoi që të takohej me mikun e vet, Feffer-in. Ky i fundit, përveçse poet i mirënjohur në jidishte (gjuha që flasin hebrenjtë ashkenazi), ishte edhe militant i vendosur i kauzës komuniste. Mirëpo doli një problem i vogël: Feffer-in e kishin arrestuar, gjatë një vale spastrimi kundër eksponentëve të komunitetit hebraik në Bashkimin Sovjetik.

Në SHBA të interesuarit kishin filluar të pyesin se “Çfarë i ka ndodhur Itzhak Feffer-it?”, por askush nuk e dinte këtë me siguri. Kish edhe zëra se e kishin pushkatuar. Për këtë arsye, Robeson-i kërkoi që ta shihte, dhe aty i thanë se duhej të priste pak, meqë Feffer-i ishte me pushime në Krime. Në të vërtetë, Feffer-i kish qenë në burg që prej tre vjetësh dhe autoritetet sovjetike nuk donin që t’ia sillnin Robeson-it menjëherë, sepse poeti kish humbur shumë shëndet në burg.

Kur Robeson-i po priste në Moskë që të takohej me mikun, policia sekrete e Stalinit e nxori Feffer-in nga burgu, e shtroi përkohësisht në spital dhe filloi ta ushqejë me detyrim, që ta shëndoshte për ta bërë gati. Kur e pat marrë pak veten, e çuan poetin në Moskë dhe organizuan takimin me Robeson-in, në një dhomë të survejuar rreptë. Feffer-i e dinte që nuk fliste dot hapur, por kur Robeson-i e pyeti si po ia çonte, ky bëri një shenjë me gishtin tregues përmes qafës, dhe i lëvizi buzët, për t’i thënë mikut të vet: “Do të na vrasin. Kur të kthehesh në Amerikë, bëj diçka për ne.”

Feffer-in e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan në 12 gusht 1952, në burgun Lubjanka. Robeson-i e tregoi historinë e takimit me të shumë vjet më vonë.

Deri këtu Horowitz-i.

Këtë histori e tregon edhe kompozitori Shostakoviç, në kujtimet e tij (Testimony, The Memoirs of Dmitri Shostakovich, as related to and edited by Solomon Volkov, Limelight 1984); duke shtuar se, kur Robeson-i u kthye në SHBA, i siguroi të interesuarit se thashethemet për arrestimin dhe vdekjen e Feffer-it ishin shpifje dhe se ai e kish takuar mikun e vet dhe kish ngrënë darkë me të.

Heshtja e Feffer-it gjatë darkës, me ose pa mesazhin sekret, mund të kuptohet – mbase i kishin premtuar se, po të sillej “mirë” në takimin me Robeson-in, do t’ia falnin jetën. Heshtja e Robeson-it nuk mund të kuptohet, përveçse si tradhti e mikut për hir të konformizmit politik dhe militancës.

Marifeti i “rehabilitimit” momental të një të burgosuri politik rishfaqet në filmin Delegacioni (2008), të Bujar Alimanit, që u prit mirë edhe nga publiku i festivaleve ndërkombëtare. Këtë film unë e kam ndjekur që nga zanafilla, kur ekzistonte vetëm si një ide në mendjen dhe imagjinatën e të ndjerit Artan Minarolli, që pati punuar gjatë me skenarin dhe pastaj me regjinë, por që nuk arriti ta fillojë xhirimin.

Një anëtar i delegacionit të Këshillit të Sigurimit në Bashkimin Evropian vjen në Shqipëri me mision zyrtar në fund të vitit 1989 dhe kërkon, mes të tjerash, të takohet me Leon, mikun e vet të kohës së studimeve universitare – i cili vuan prej 17 vjetësh dënimin në një burg politik. Autoritetet në Tiranë gjykojnë se ky takim mund t’ia zgjatë njëfarësoj jetën regjimit përndryshe të ngordhur Alia dhe vendosin ta organizojnë, duke e nxjerrë Leon nga biruca dhe duke e bërë gati për një rol të shkurtër dhe të çuditshëm.

Edhe në film, euro-diplomatit mysafir i thuhet se miku i tij Leoja nuk gjendet në Tiranë por është diku larg me punë… teksa producentët e këtij inskenimi urgjent fillojnë ta bëjnë gati të burgosurin për takimin.

Nuk besoj që Minarolli të kish dëgjuar për historinë e Itzhak Feffer-it – pse mbaj mend që e tërhiqte ideja e inskenimit të një realiteti të rremë, ndoshta edhe i ngacmuar estetikisht nga Danilo Kish, i vëllimit me tregime Një varr për Boris Davidoviç-in (dhe veçanërisht nga tregimi “Luanët Mekanikë”); ose nga dukuria e njohur me emrin “fshati Potemkin”.

Le të skicojmë një algjebër elementare të ngjashmërive mes situatave në fjalë: dy miq të ndarë nga humnera gjeografike, informacionale dhe historike – njëri e ka praktikisht të pamundur të marrë vesh, në kohë reale, se çfarë ndodh me tjetrin; njëri prej miqve bie ndërkohë viktimë e terrorit totalitar, por tjetri këtë nuk e di; miku tjetër vjen për vizitë në vendin totalitar dhe kërkon ta takojë mikun e dikurshëm, pa e ditur se këtë e kanë hedhur në birucë; territori i shtetit pritës njihet edhe si hapësirë ku individi natyrshëm mund të humbë pa lënë gjurmë, por këtë herë shteti i gjithëpushtetshëm gjykon se është e mundshme të rishkruhet biografia e viktimës dhe takimi të realizohet, për raison d’état.

Çfarë duket tani si një truk prej cirku ose prej operete, ka qenë në fakt metodë operative e regjimeve staliniste, si në BRSS ashtu edhe në Shqipëri dhe gjetiu; regjime që nuk janë tutur para sfidës për ta zhbërë një të vërtetë historike, qoftë kjo edhe e personalizuar, si në rastin e një të burgosuri të vetëm, që duhet të shpër-burgoset dhe t’i shfaqet publikut i freskët dhe i rruar taze, për të ruajtur konsistencën e një fasade, ose një realiteti imagjinar; si kundërfigurë dhe kundërpeshë e realitetit “real”. Shteti stalinist, siç mund ta dëshmojnë edhe ata që e kanë njohur në Shqipëri, ka nevojë sa për burgun, aq edhe për “kundër-burgun”, ose imazhin skenik për botën përtej. Njeriu i shkretë madje mendon se, po të kish vdekur ndërkohë Feffer-i (gjëra që ndodhnin shpesh aso kohe), mikut Robeson do t’i çonin në takim një sozi të poetit, ose – si rast ekstrem – trupin e tij të balsamosur.

Më mirë se arsyetimet, frymën e këtij lloj inskenimi e ilustron anekdota më poshtë: në fund të viteve 1920, pak kohë pas vdekjes së Leninit, e shoqja e tij, Krupskaja, nuk po solidarizohej me vijën e Stalinit, duke lënë të kuptohej se nuk e shihte si trashëgimtar të denjë të së shoqit. Kur Stalinit i erdhi në majë të hundës nga distancimet e Krupskajës i udhëzoi ndihmësit e vet kështu: thojini asaj të rrijë urtë e të mos hedhë vickla, përndryshe do t’i gjejmë Leninit një vejushë tjetër.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin