Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PËRSE ËSHTË E RËNDËSISHME PROTESTA?

nga Rei Bala

Në diskursin e ditëve të fundit qarkullojnë mendime të ndryshme në lidhje me protestën pas vrasjes së Klodian Rashës. Çdokush mjaft i arsyeshëm, – dhe fatmirësisht thuajse gjithkush – e dënon vrasjen e të riut, por diferencimet në mendësitë e diskursit nisin me pasojat që vrasja solli. Nga një anë janë ata, të cilët nuk mund të mjaftohen me pohimin e dënimit, por që përkundrazi ndërmarrin iniciativa për t’iu kundërvënë autoritetit të institucionalizuar në Shqipëri, dhe nga ana tjetër ata të cilët kërkojnë tashmë rikthimin e “stabilitetit” monoton të ditës. Këto dy palë, së bashku me të tretin(1) përbëjnë komponentët e vetëm të protestës, e cila çdo ditë e më shumë afirmon kauzën e vet, – dhuna, që duhet dënuar, është më parë ajo institucionale.

Ka një sërë arsyesh përse protesta është e rëndësishme. Si fillim, në lidhje me kauzën që ajo kërkon të mbrojë, si edhe shkaqet, që ajo kërkon t’i dënojë. Megjithatë kjo nuk mund të jetë arsyeja e vetme, përse protesta vërtet ka rëndësi. Protesta gjithmonë synon drejt transformimit moral të një shoqërie, ndërkohë që jo rrallë shkon deri tek rotacioni politik(2). Mirëpo në rastin tonë kjo e fundit nuk mund të thuhet me siguri në do të arrihet. Kjo për arsye se protesta e ditëve të fundit në vend është e dyta në këto katër vjet, e cila merr jetë nga rrathët më në hije të shoqërisë. Protesta studentore e vitit 2018-2019 qe e para. Edhe pse përgjithësisht ngjyrimi politik nuk është përpjekur kurrë të mos përfshihet në manifestimet popullore, kjo e fundit sërish nxjerr në pah një të vërtetë të rëndësishme, – lindjen e iniciativës individuale.

Por nga vjen iniciativa individuale dhe pse pikërisht tani? Janë të rinjtë ata, që përbëjnë masivisht grupet e protestuesve në 4 vitet e fundit, dhe kjo jo pa shkak. Arsyeja është fare e thjeshtë. Duke qenë në hije të shoqërisë, ata nuk mund të jenë partizanë të asaj apo kësaj partie. Përkundrazi të rinjtë janë ata, që jo rrallë herë shfrytëzohen e shkelen nga autoriteti sundues politik. Brezit të ri nuk i ngelet gjë tjetër veçse të ndiejë skepticizëm e vrer real ndaj klasës politike të momentit. Të pambështetur askund, ata gjejnë mbështetje te njëri-tjetri, dhe kauza e çdokujt kthehet në kauzën e gjithkujt. Kjo nuk do të thotë ama që askush përveç se të rinjve, nuk mund ta ndjejë realisht vokacionin e protestës. Megjithatë prirja e një brezi në moshën e konservimit për të ruajtur status quo-n e autoritetit të saj është shumë herë më e madhe se fryma post-tranzitore, të cilën kërkojnë të shprehin të rinjtë.

Nuk duhet harruar edhe se vetëm 4 muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 2021, dhe situata politike në vend është e polarizuar. Tendenca e viteve të fundit flet për rotacion partiak, por vetëdija politike e shqiptarëve nuk është më ajo e para 15 apo 10 viteve. Skepticizmi politik ka arritur apogjenë e vet, dhe protestat dëshmojnë qartë synimin drejt shpërbërjes totale të klasës së kalbur politike. Kurrë më parë dakordësia drejt anti-partizanizmit politik nuk ka qenë më e madhe në vend. Njëkohësisht mbështetja e fundit që u ngelet 3 partive më të mëdha vjen nga ata simpatizantë që ende shpresojnë në përfitimin e tyre vetjak, a thua se të pakët kanë qenë në këto 30 vjet lobistët, bashkëpunues të çdo regjimi, të cilët çdo 4 vjet kanë kërkuar pjesën e tyre të tortës. Është e qartë se çdokush mjaft i arsyeshëm sa për të kuptuar seriozitetin e situatës është i pakënaqur me çka e rrethon, dhe se njëkohësisht ndryshimi nuk mund të vijë më nga “stabiliteti” i të ndenjurit në vend. Në fund të fundit, t’i shërbesh status quo-s në kohërat e mjerimit, do të thotë t’i shërbesh vetëm mjerimit.

Por a i paraprin protesta rotacionit partiak? Absolutisht jo. Në ka vërtetë pakënaqësi, do të ketë në çdo aspekt, të cilin ajo prek, përndryshe vdekja e Rashës është thjesht objekti i momentit për manipulim nga pronarët e karrigeve të parlamentit, ashtu siç në fakt ka qenë përgjatë gjithë vijimësisë së sajë vetë odiseja e ekzistencës së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Protesta nuk shpreh vetëm pakënaqësinë popullore, por edhe sintetizimin e moralitetit të ri, që kjo pakënaqësi sjell. E ardhmja, në fund të fundit, u takon atyre, që e kërkojnë, e barra për të reflektuar mbi të ardhmen do t’i ngelet edhe një herë, si gjithmonë, asaj moshe fluturake, që s’do më tepër, veçse të jetojë.

(c) 2020, Rei Bala. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


1 Në këtë rast, regjimin.

2 Ku përgjithësisht ndryshohet fytyra, e jo gjendja politike.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin