Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

SINJALE NGA KAUKAZI

nga Arbër Zaimi

Në Kaukazin jugor ka sërish luftime. 26 vite pas luftës së parë të Nagorno-Karabakut, nisi lufta e dytë. Azerbaixhani ka sulmuar për të siguruar kontrollin mbi një territor i cili zyrtarisht është brenda kufijve të vet, por mbi të cilin faktikisht nuk ushtron asnjë kontroll sovran qysh prej 32 vitesh. Palët ndërluftuese: Azerbaixhani dhe strukturat vetëqeverisëse të Nagorno-Karabakut, që vetëquhen Republikë e Artsakut. Flitet për mijëra të vrarë, dhe numrat shtohen dita ditës. Ndërmjetësit ndërkombëtarë të «Grupit të Minskut», të drejtuar nga ShBA, Franca e Rusia, të cilët janë garantuesit e paqes së vitit 1994, po duken sivjet në 2020 të pafuqishëm. Një armëpushim i negociuar nga Moska, nga Lavrov-i, u shkel nga palët pak ditë pasi e nënshkruan. Armëpushimi i dytë, i negociuar nga Macron-i, zgjati edhe më pak, e u shkel brenda disa orësh. U duk sikur po u lihej vend diplomatëve amerikanë që të arrinin një sukses për ta përdorur në fushatën elektorale. Por, fatkeqësisht, edhe armëpushimi i negociuar në Uashington, u shkel nga palët brenda fare pak ditësh.

Nuk është synimi im në këtë shkrim të gjej se cila palë ka të drejtë në atë konflikt, edhe pse e drejta sigurisht, do të duhej të kishte rëndësi të madhe. Por, me një objektiv jo dhe aq universalist, duke u ruajtur prej soditjes së luftës si të ishte një lojë futbolli ndaj të cilës mund të rrish si tifoz, do të përpiqem të shoh se a ka sinjale prej asaj fushëbeteje, të rëndësishme për ne, si shqiptarë të zhytur në realitetin tonë ballkanik.

Ngjashmëritë e Ballkanit me Kaukazin ekzistojnë. Të dy rajonet historikisht kanë qenë të shenjuara prej interesimit të Perandorive Osmane e Ruse, kanë realitete e raporte etnike të ndërlikuara me ato religjioze, janë rajone që gjatë Luftës së Ftohtë kanë qenë pjesë e kampit lindor dhe të sferës së influencës moskovite, me përjashtim të ekstremeve jugore ku ka qenë prezente NATO-ja, në Ballkan me Greqinë e Turqinë, në Kaukaz vetëm me Turqinë. Pas rënies së perdes së hekurt, për shumë kombe në këto rajone u mendua se erdh dita e lirisë (nën përkujdesjen e ShBA-ve proaktive të kohës së Clinton e Bush). Por kriza ekonomike globale ndërlidhur ngushtë me një politikë ekonomike neoliberale, e fokusuar te pasurimi i bizneseve të mëdha e te dobësimi i shtresës së mesme dhe i vetë shtetit, u krijoi telashe ShBA-ve, e gjatë mandateve të presidentëve Obama e Trump të cilët më shumë kanë qenë të fokusuar në çështjet e brendshme të Amerikës. Kështu u krijuar edhe një herë hapësira për daljen në skenë të aktorëve të tjerë gjeopolitikë. Pikërisht gjatë kohës së këtyre dy presidentëve, të shenjuar prej krizës ekonomike neoliberale, kemi ringritjen e Rusisë së Putin-it, e sidomos avancimin në skenën globale me projekte gjigande infrastrukturore, të Kinës me kapitalizmin e saj shtetëror. Po ashtu, është krijuar hapësira për projektim të fuqisë edhe nga fuqi të mesme, si Turqia. Pra ngjashmëritë nuk janë pak, si në aspektin historik, ashtu edhe në aktualitetin socio-kulturor, politiko-ekonomik, por edhe në rrafshin e interesave prej faktorëve gjeopolitikë.

Çka e prodhoi pra luftën aktuale në Nagorno-Karabak? Pse nuk po kanë më efekt thirrjet për armëpushim e paqe, qofshin ato të Rusisë, Francës apo ShBA-ve? Është e qartë se Azerbaixhani pretendon rikthimin e kontrollit në atë rajon që praktikisht funksionon si autonom qysh prej 1988, mirëpo, pas paqes së vendosur në vitin 1994 e të stabilizuar prej dekadash, pse u kujtua Azerbaixhani pikërisht tani për pretendimet e veta?

Duhen parë variablet që kanë ndryshuar ose që po ndryshojnë, për të gjetur se çfarë i parapriu luftës. Specialistët që ndjekin zhvillimin e ngjarjes theksojnë si tregues kryesor buxhetin e shpenzuar nga Azerbaixhani për armatim. Burimet e naftës e të gazit i kanë mundësuar Azerbaixhanit të shpenzojë 6 herë më shumë se Armenia për armatime, gjatë viteve 2009-2018. Në vitin 2019 Azerbaixhani shpenzoi një buxhet rekord për armatim. Përmes këtyre shpenzimeve, u bë e mundur që të modernizohen kapacitetet e ushtrisë, duke blerë sisteme moderne armatimi, dronë e sisteme raketore mbrojtëse e sulmuese, prej partnerëve tradicionalë si Rusia e Turqia, por edhe prej Izraelit, duke dëshmuar se paraja arrin gjithnjë e më shumë t´i mbivendoset traditës, në gjeopolitikën e shënuar prej neoliberalizmit.

Armatimi intensiv dhe modernizimi i ushtrisë nga ana e Azerbaixhanit, shpërtheu në këtë luftë. Parimi i famshëm i pushkës së Çehovit (nëse në aktin e parë të dramës autori vendos në mur një pushkë, në aktin e fundit ajo duhet të shkrehet) para se të vlejë për letërsinë, vlen sidomos për gjeopolitikën. Askush nuk shpenzon miliarda për armatim kot.

Pse tash kjo luftë e jo më vonë? Rënia e çmimeve të naftës gjatë vitit të fundit dhe paqartësitë e tjera të shkaktuara prej krizës së koronavirusit të ri, janë reflektuar në politikën azere. Qysh në fillim të vitit 2020 Ilham Alijevi kërkoi prej vartësve të vet të fillonin projektimin e një ekonomie «post-oil», duke pranuar se «projekti i ëndrrave» i nisur prej Hajdar Alijevit në vitet 1990, nuk mund të vazhdonte pafundësisht. Llogaritet se rezervat azere të naftës e gazit e kanë patur kulmin e tyre në vitin 2010, e prej atëherë janë në rënie, kështu që qysh prej vitesh tashmë Azerbaixhani po investon në diversifikimin e ekonomisë (njësoj siç po bëjnë edhe disa vende të Gjirit, që po ashtu paraprijnë rënien e naftës tek e cila janë mbështetur deri tani). Ky ndryshim strukturor, pra një ekonomi e cila nuk do të ketë mundësi të mbështetet kaq fort te nafta edhe për shumë kohë, mund t’i ketë dhënë Ilham Alijevit sinjalin për të sulmuar tash, kur ka avantazhin e një armatimi super-modern, ndoshta duke ditur se nuk do të mund të shpenzojë për secilin vit të ardhshëm po aq sa ç´ka shpenzuar në vitet paraprake.

Në këtë histori të shkurtër të konfliktit, të cilin e kam ndjekur me shumë vëmendje (gjithnjë duke u përpjekur të kap ndonjë sinjal apo të nxjerr ndonjë mësim që na intereson neve, si shqiptarë në Ballkan), bie në sy diçka interesante. E kam fjalën për dështimin e një partneriteti tek i cili armenët shpresonin shumë, dhe ai është partneriteti Armeni – Rusi. Në konfigurimin e Kaukazit Gjeorgjia është vendi haptazi pro-amerikan e anti-rus dhe pro-NATO, Armenia është vend i cili është rreshtuar vazhdimisht pas Rusisë në skenën ndërkombëtare (edhe pse armenët si pasojë e historisë së tyre kanë diaspora të mëdha e të mirë-organizuara edhe në vendet perëndimore), ndërsa Azerbaixhani ka qenë vend i diskutueshëm, as andej as këndej, edhe këndej edhe andej, i hapur për tregti me të dyja palët, të cilat janë përpjekur ta joshin për vetë rëndësinë gjeopolitike që ka një vend i pasur me naftë, por edhe që ndodhet në një rajon me interes, ku kalon projekti kinez i Brezit e i Rrugës, e ku janë pranë disa shtete problematike. Thënë shkurt, Armenia ka pritur që në edhe në këtë krizë të ketë mbështetjen e Moskës, siç e ka patur edhe në fillim të viteve ´90 por edhe më vonë. Mirëpo Moska (e cila mban bazë ushtarake në Armeni) po heziton kësaj radhe. Kontratat e Azerbaixhanit siç duket kanë qenë të mjaftueshme për të blerë, jo vetëm Tel Avivin.

Nuk do të vazhdoj më gjatë me detaje prej konfliktit, i cili është në zhvillim e sipër dhe për të cilin shpresoj të mbarojë sa më shpejt, me sa më pak dëme në jetë njerëzish, dhe me një paqe që sjell drejtësi në radhë të parë për banorët e zonës, e më pas edhe për shtetet e përfshira. Do të kaloj, me ndihmën e një shikimi të shpejtë krahasimor, apo analogjik, te leximi i sinjaleve që mund të jenë me interes për ne.

Duke qenë se variabli kryesor që shkaktoi luftën atje ishte, siç thamë,  armatimi intensiv i Azerbaixhanit, që solli ndryshim të balancës mes faktorëve rajonalë, le të shohim ç´bëhet në Ballkanin Perëndimor me këtë variabël. Çka bie në sy, dukshëm, është se Serbia, e cila në vitet 2012-2016 i ka zvogëluar shumë shpenzimet e saj ushtarake (duke arritur në 2016 të ketë pikën më të ulët, 750 milion usd në vit), në katër vitet e fundit ka ringritur shpenzimet në mbi 830 milion usd në vit, e duke i rritur vit pas viti. Janë pikërisht këto katër vite qysh kur ka ardhur në pushtet Aleksandër Vuçiqi. Vetëm në vitin 2017 (viti i parë i Vuçiqit në pushtet) Serbia importoi armë thuajse pesë herë më shumë se në vitin paraprak. Ndërsa në vitin 2019, importet u 13-fishuan, në raport me 2016.

Serbia ka blerë gjithnjë e më shpesh sisteme moderne armatimi prej Rusisë, dhe në vitin 2020 u bë vendi i parë në kontinentin evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Po ashtu, gjatë këtij viti, presidenti i Serbisë deklaroi se është i interesuar të blejë armë prej Izraelit dhe, sipas fjalëve të tij «jo një porosi të vogël». Njëherazi, Serbia ka nisur procedurat për të blerë armatim modern e dronë edhe prej Turqisë. Po ashtu, mediat serbe kanë njoftuar se qeveria është interesuar sivjet të blejë 20 aeroplanë luftarakë amerikanë, gjë për të cilën ende nuk ka përgjigje zyrtare prej ShBA-ve. Nga Uashingtoni vazhdimisht kanë shprehur shqetësime për armatimin rus e kinez të Serbisë, mirëpo shqetësimet kanë mbetur në letër, sepse amerikanët kanë vazhduar të dërgojnë ndihma ushtarake e të ruajnë partneritetin me Serbinë. Në një farë mënyre, Serbia për Ballkanin Perëndimor po del të jetë pak a shumë si Azerbaixhani në Kaukazin Jugor, një vend i cili nuk është as andej as këndej, por që luan edhe me Rusinë edhe me ShBA-në. Strategjia bivektoriale e Serbisë, e cila ka një traditë të gjatë, e ka ndihmuar atë vend të marrë një pozitë të lakmueshme në rajon.

Ndërkohë vendet pro-amerikane e anti-ruse, Shqipëria e Kosova, kanë një buxhet të pakrahasueshëm ushtarak. Kosova në raport me Serbinë shpenzon 14 herë më pak (në vit), ndërsa Shqipëria rreth 5 herë më pak. Serbia shpenzon në vit gati katërfishin e buxhetit që shpenzojnë të dyja bashkë Kosova e Shqipëria, e sa i përket importit të armëve, në vitin 2019 Serbia ka shpenzuar 34 herë më shumë se Shqipëria. Shqipëria madje nuk arrin të përmbushë as kriterin e vendosur nga NATO, sa i përket përqindjes së buxhetit që duhet shpenzuar për mbrojtje.

Po ta shohim këtë panoramë në një perspektivë krahasuese me atë që po ndodh në Kaukazin Jugor, lindin tre pyetje të rëndësishme.

Së pari: pse po armatoset Serbia? Sigurisht, ajo nuk po përgatitet për të goditur Bullgarinë, e cila ka një buxhet e ushtri më të madhe. As Kroacinë, e cila shpenzon në vit gati njësoj sa Serbia. Sigurisht, as Malin e Zi e Maqedoninë, të cilat i kontrollon pa patur nevojë për angazhime ushtarake. Asimetrinë më të madhe Serbia e ka me Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjën (e cila shpenzon në vit pak më shumë se Shqipëria – pra imagjinoni, edhe Bosnja e ngecur mes njëqind problemesh, shpenzon në armatim e ushtri më shumë se Shqipëria).

Së dyti: ku po i gjen paratë Serbia? Të blesh prej Rusisë, Kinës, Turqisë, Izraelit, Amerikës, Francës… duhen shumë miliarda. Naftë e gaz, si Azerbaixhani, Serbia s’ka. A është e mundur që këto para të vijnë prej Rusisë? Apo Kinës? Kjo do të ishte e mundur, duke ditur se këta dy faktorë janë të interesuar për volatilitetin e shtuar në oborrin e Evropës. Ndoshta janë edhe paratë që vjel nga rrjetet e oligarkëve që kontrollojnë tregjet e Ballkanit Perëndimor e që e përdorin Serbinë si qendër importi e financash. Megjithatë ne nuk mund ta dimë. Çka dimë është se armatimi i Serbisë lë për të dyshuar sa i përket burimeve të financimit në këtë vend jo edhe aq të pasur.

Së treti: A është e mundur të na gjejë fati i keq i Armenisë? E cila e bazoi mbrojtjen e saj te një partner historik e te një «miqësi e përjetshme» (me Rusinë), por që në momentin e krizës kuptoi se askush nuk ishte i gatshëm të angazhohej për të. Sigurisht, partneri ynë historik nuk është Rusia, por Amerika. Sa do të ishte e gatshme Amerika e Obama-s, apo e Trump-it, të angazhohej ushtarakisht për të mbrojtur shqiptarët? Të mos harrojmë pasivitetin e Obama-s gjatë krizës së ndërhyrjes ruse në Ukrainë (Ukraina një vend që duke u bazuar te garancia amerikane për paprekshmërinë e kufijve, shkatërroi arsenalin e vet bërthamor). Po ashtu e pamundur të harrojmë se gjatë administratës Trump gjithnjë e më shumë është bërë temë tërheqja e ushtarëve amerikanë prej vendeve të ndryshme, madje edhe me koston që të bëhen marrëveshje me faktorë të urryer, si Talibanët. A do të vijojë ngjashëm dhe administrata e Biden-it?

Shpresoj që këto pyetje të shtrohen me sinqeritet e seriozitet nga aktorët politikëbërës e opinionbërës në Shqipëri. Askush nuk dëshiron të jetë në pozicion të Kasandrës e as të Laokontit.

© 2020, Arbër Zaimi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin