Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi / Totalitarizëm

JETA DHE FATI I VASILI GROSMAN-IT

nga Dashnor Kokonozi

Një nga shkrimet më të fundit të Ardian Vehbiut për krijimtarinë e poetëve perëndimorë kushtuar Stalinit, më solli në mendje shkrimtarët sovjetikë, ata që dikur i recitonim para klasës në orën e rusishtes. E megjithatë, jo të gjithë shkruanin e qyrraviteshin për mustaqet e Stalinit. Por, nëse është folur gjerë për Trifonovin, Abramovin, S. Zalygin-in, Tvardovskin apo për botimet Samizdat, më pak është folur për Vasili Grosman dhe romanin e tij Jetë e fat. Një nga librat që dikur më ka kthjelluar shumë paqartësi dhe më ka ndihmuar të ndaj mendjen përfundimisht për rolin e pathënë kurrë të Revolucionit rus, hapjet e të cilit na i fusnin me gishta thellë në grykë e na detyronin t’i gëlltisnim më një gotë ujë të përgjakur të revolucionit frëng.

Ka një episod të jetës së V. Grosman-it që nuk mungon në asnjë biografi të shkruar për të. Librin Jetë e fat, një afresk madhështor të betejës së Stalingradit, ku autori ishte i pranishëm si gazetar, ai e filloi më 1948 dhe e përfundoi më 1962. Dorëshkrimin e dorëzoi në revistën Znamia, për t’u botuar në disa numra. Vadim Kojevnikov, kryeredaktori i revistës e lexoi me kujdes, mbylli zyrën e shkoi ta dorëzojë te ai institucioni mjaft i njohur, në sheshin Ljublianka, ku ishte selia e KGB-së. Pas kësaj e ndjeu veten mjaft më të qetë. Ajo që kishte lexuar e kishte tmerruar.

Ndërsa po kërkoj të përditësoj disi kujtesën time për këto lexime, vërej se vajza e Kojevnikov-it po përpiqet ta përgënjeshtrojë këtë ngjarje. Eshtë e drejta e saj. Por kjo nuk i lëviz asnjë presje faktit se pak ditë më pas në shtëpinë e Vasili Grosman-it trokitën dy burra me veshje civile. Një major dhe një kapiten i KGB-së. Ata i paraqesin një mandat kontrolli dhe sekuestrimi të librit. Por para se të fillojnë të bëjnë punën e tyre të ndytë, i thonë autorit se mund t’ia kursejnë kontrollin e shtëpisë nëse ai pranon t’u dorëzojë vetë të gjitha kopjet e dorëshkrimit të librit të tij.

Kur u larguan, morën jo vetëm të gjitha kopjet e shtypura me makinë shkrimi, por edhe një thes të madh me skica e shënime, si edhe të gjitha shiritat e makinës së shkrimit dhe letër-kopjativat (jam i sigurtë se më të rinjtë nuk po e marrin vesh se për çfarë po flas), se gjithnjë ekziston mundësia që të kqyrura para një burimi drite në to mund të gjenden gjurmë të asaj që tashmë është fiksuar në letrën e bardhë…

Për të mos u treguar të pandjeshëm ndaj vajzës së Kojevnikov-it, shumë vetë janë përpjekur të kuptojnë si mund të jenë zhvilluar ngjarjet. Një version i besueshëm më duket ai që jep E. Etkind në një studim të shkëlqyer që i bën romanit të Grosman-it. [1].

Sipas tij, Kojevnikov-i edhe pse nuk i mungonte përvoja në këto punë, ia ka kaluar dorëshkrimin për lexim edhe dy antarve të tjerë të redaksisë së revistës, Ljudmilla Skorino-s dhe Aleksandër Krivitski-it. Bashkërisht ata kanë vendosur se si duhet proceduar më tej me atë libër që autori, mbase duke shpresuar në ndonjë mrekulli, ka patur idenë e çuditëshme (e pakta gjë që mund të thuhet), ta dërgojë për botim!

Fati i librit ishte tashmë i qartë për të gjithë por autori nuk u arrestua. Do të vdesë nga kanceri pas gati një viti e gjysmë. Rashë në duar kasapësh, do t’i thotë një miku pak kohë më parë.

Eshtë periudha e shkrirjes së akujve, por me gjasë, ai kishte shpresuar më shumë se sa duhej. Gjithsesi, pushteti sovjetik nuk vendosi për të sikundër për fatin e mjaft të tjerëve që u shpallën armiq të popullit, si Babel, Pilniak, Boris Korilov. Etkind thotë se për të u ndoq politika e heshtjes, si rruga më e mirë për të varrosur veprën e tij madhore. Me të ai kishte shkuar shumë më larg se sa mund të lejonte nomenklatura në pushtet.

E megjithatë, në fillimet e tij Vasili Grosman kishte besuar te komunizmi. Me romanin Stepan Kolçugin, qe bërë një shkrimtar i njohur sovjetik i realizmit socialist, madje me bekimin e Maksim Gorkit doli shkrimtar në krijimtari të lirë. Më tej vjen romani Për një çështje të drejtë që edhe ky trajton betejën e Stalingradit, por ruan disi frymën e legjendës sovjetike të kohës. Stalini aty nuk del drejtëpërdrejt, por është ndërhyrja e tij që zgjidh situatat e vështira, gjë që për të karakterizuar këtë fenomen, G. S. Morisson përdor shprehjen Stalin ex machina në një artikull në New York Review of Books.

Te romani jetë dhe fat, që autori e kishte konceptuar si duologji me të parin, gjithçka ndryshon. Ai ka trajtën e një akt-akuze të pamëshirshme kundër regjimit stalinist, një kritikë e thellë që nuk ishte shkruar kurrë ndonjëherë nga një shkrimtar sovjetik.

Duhet ndjekur filli e jetës së autorit për të kuptuar arsyet e kësaj çmagjepsjeje ideologjike. Gjatë Luftës së madhe patriotike ai ishte nga gazetarët më të lexuar. Reportazhet e tij nga fronti ndiqeshin me interes të jashtëzakonshëm. Bashkë me Ilia Eremburgun ai bënte pjesë te Komiteti antifashist hebre që kishte për qëllim të aktivizonte lobin hebre në Amerikë, për të ndikuar që qeveria amerikanë të ndihmonte sa më fuqimisht Bashkimin Sovjetik.

Gjatë viteve të luftës, që të dy ata u ngarkuan të regjistrojnë gjithçka që kishte të bënte me krimet naziste kundër popullsisë hebreje. Grosman ishte nga personat më të mirinformuar. Ai do të marrë pjesë edhe në betejën e jashtëzakonshme të Kurskut dhe në atë të Dnjeprit. Në territorin e Ukrainës do të zbulojë masakrën e jashtëzakonshme të hebrejve. Ai shoqëroi Ushtrinë e Kuqe në betejat e Odesës dhe më tej në Bjellorusi e Poloni, ndoqi ofensivën në Vistul-Oder dhe pastaj betejen e Berlinit (ku do të shohë edhe krimet dhe përdhunimet e ushtarëve dhe oficerëve sovjetike ndaj popullsisë civile).

Ai do të jetë nga të parët që hyri në kampin e shfarosjes në Treblinka si edhe në Majdanek. Dëshmitë e tij që u botuan në përmbledhjen “Fletoret e luftës” u përdorën gjërësisht në Procsin e Nurembergut.

Grosman është me origjinë hebreje dhe pas Lufte ka të ngjarë që të ketë ndjerë një ndryshim të vijës politike, kur u arrestuan dhe ekzekutuan thuajse të gjithë drejtuesit e Komitetit antifashist hebre. Stalini, menjëherë pas komplotit të Bluzave të bardha do të deklarojë para Presidiumit të Partisë komuniste se: çdo hebre është një nacionalist dhe agjent i spiunazhit amerikan. Ndërkohë, që më 1946 mori fund edhe një periudhe relative lirie dhe në arte nis e zotëron logjika zhdanoviste. Grosman-i në këtë kohë kritikohet rëndë për pjesën e tij: Nëse u besojmë pitagoricienve. Edhe romani Për një çështje të drejtë, që në fillim ishte pritur mirë nisi të kritikohet rëndë, ndërkohë që zhvillohej procesi i Bluzave të bardha. Ai u detyrua të shkruajë një letër akuze kundër të arrestuarve dhe priste të arrestohej edhe ai vetë. Nëse kjo nuk ndodhi, arsyeja duhet kërkuar te vdekja e Stalinit.

Letrën e mësipërme, edhe pse nuk u botua te Pravda, ai nuk ia fali kurrë vetes.

Shenja se vetëdija e tij si shkrimtar kishte evoluar vërehen që në romanin “Gjithçka kalon…” ku konstaton se historia e Rusisë ka patur zhvillime të kundërta me atë të Perëndimit. Në vend që të formohej si një shtet të bazuar te liria, Rusia ndërtoi shtetin e saj të bazuar te shtypja. Bujkrobëria që ishte rivendosur nga Pjetri i Madh veçse u forcua më tepër nga Lenini. Rusia, thotë ai: ndërtoi një shtet të bazuar te forca dhe përbuzja e lirive.

Këtu do të kenë rolin e tyre edhe dramat e tij personale. Gruaja e tij, Ejovçina arrestohet për shkak të veprimtarisë së burrit të saj të parë, Boris Guber-it që ishte pushkatuar. Grosman u detyrua t’i shkruajë Nikolai Lejov-it për ta liruar. Ndërkohë birësoi edhe dy fëmijët e saj me bashkëshortin e parë, ndryshe ata do t’i dërgonin në një jetimore, ashtu siç vepronin me të gjithë fëmijët e “armiqve të popullit”.

Megjithatë është për t’u shënuar se pavarësisht nga presionet që iu bënë, Grosman asnjëherë nuk pranoi të hynte të radhët e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Sot ata që analizojnë arsyen e konfiskimit të romanit Jetë e fat thonë se romani i Pasternakut Doktor Zhivago edhe pse u cilësua si kundërrevolucionar dhe u refuzua të botohet nga revista Novi Mir, nuk u konfiskua nga policia. As romani i Aleksandër Bek-ut “Emërtim i ri”, as dorëshkrimi i i poemës së Tvardovskit Tjorkini në botën tjetër. Vetëm Arkipelagu Gulag i Solzhenicinit do ta ketë të njëjtin fat, sikundër romani i Grosman-it, por kjo do të ngjasë dymbëdhjetë vjet më vonë.

Nëse është e kuptueshme gjuetia ndaj Arkipelagut… sepse është mbushur plot dëshmi, fakte, ngjarje, lista njerëzish të internuar, torturuar etj., romani i Grosman-it është frut i imagjinatës së autorit të tij. Ndryshe nga dokumentet realë, sekretë etj., që zbulojnë skandale dhe krime fshehura, nuk ka ndodhur ndonjëherë që letërsia artistike të shkaktojë rënien e ndonjë regjimi a partie, thonë biografët e Grosman-it. Atëherë çfarë fsheh ky roman që policia u kujdes të sekuestrojë edhe letrat e karbonit ku kishin mbetur gjurmë të ideve dhe mendimeve të autorit të tij?

Përgjigjen, natyrisht e jep vetë libri. Veprimi i tij zhvillohet në disa plane dhe nivele të shoqërisë sovjetike, por edhe në kampin kundërshtar, forcat naziste. Këtu edhe pse nuk më mungon dëshira të bëj një përmbledhje të tij (se e di që nuk do të ketë shumë vullnetarë që do të ulen sot të lexojnë më shumë se një mijë faqet e tij), ndonëse punë jo e lehtë sepse për nga natyra shumëplanëshe e tij romani është krahasuar me Luftën e Paqen e Tolstoit, pra, megjithëse dëshira për ta përmbledhur nuk më mungon, duket më interesante po të ndalojmë në dy tre momente të tij, që mua më kanë lënë më përshtypje.

Një nga ato është biseda në një kamp përqendrimi midis Liss, një oficer SS i rangut të lartë dhe një funksionari bolshevik të zënë rob, Mostovskoi, bisedë kjo që nxjerr në pah ngjashmërinë ideologjike të dy sistemeve, nazizmit dhe komunizmit. Një tabu edhe sot e gjithë ditën kjo temë: “Kur ne shohim njëri tjetrin, i thotë Liss bolshevikut të vjetër, ne nuk shohim vetëm një fytyrë që urrejmë, por shohim edhe veten në pasqyrë. Këtu është tragjedia e epokës sonë. Ju (bolshevikët) nuk shihni dhe njihni veten tuaj te ne? Mendohu mirë, kush gjendet në kampet tona të përqendrimit në kohë paqeje? Armiqtë e partisë dhe armiqtë e popullit, apo jo? Janë një racë që ju e njihni mirë e që mbush kampet tuaja. Nuk ka ndonjë golle midis nesh. Ne jemi veçse e njëjta lëndë në dy forma të ndryshme. Shtet-parti… Edhe ne thërrasim për unitet dhe hov kombëtar, edhe ne themi se partia shpreh aspiratat e popullit gjerman. (…) Ju besoni se na urreni ne, por kjo është vetëm dukja e gjërave; te ne ju urreni veten tuaj. Është e tmerrshme, apo jo? (faqe 371 e botimit frëngjisht).

Dhe gati të duket e pabesueshme tek lexon diku më poshtë, kur oficeri nazist i thotë bolshevikut të vjetër: Sot ju dukeni të tmerruar nga urrejtja jonë kundër judaizmit, por nesër jeni ju që do të bëni të njëjtën gjë…

Mjaft interesante më është dukur gjithmonë edhe analiza që Grosman i bën Betejës së Stalingradit, rolit të saj në histori. Triumfi i Ushtrisë sovjetike, thotë ai, fsheh në vetvete sa madhështi aq edhe horror, sepse fitorja e popullit rus doli të jetë triumf i Stalinit dhe i regjimit të tij imperial. Dhe pasi thotë se në breg të Vollgës u luajt fati i shekullit tonë, i forcave aleate dhe kjo është e vërtetë, por në të njëjtën kohë u luajt edhe një gjë tjetër: ajo fitore ishte katastrofë për ata që u thyen, por edhe për ata që fituan! Ajo që u luajt aty, thotë ai, është fati i kalmukëve, tatarëve të Krimesë… që me urdhër të Stalinit u degdisën në Siberi e humbën të drejtën t’u mësojnë fëmijëve gjuhën dhe historinë e tyre, u luajt fati i Mikohersit dhe mikut të tij aktorit Zuskin, shkrimtarëve Bergelson, Markish, Fefer, Kvitkvo, Nusinov (të gjithë personazhe të romanit që do të ekzekutohen ndërsa po gatitet procesi i Bluzave të bardha). Aty u luajt fati i hebrejve që Ushtria e kuqe i shpëtoi dhe mbi të cilët Stalini do të vërtisë shpatën që i mori nga dora Hitlerit…

Nëpër faqet e këtij romani të madh në të gjitha kuptimet, V. Grosman përpunon një lloj teorie filozofike e sociale rreth shumëfytyrësisë së fashizmit botëror. Dhe në origjinë të tij ai vendos Revolucionin e Tetorit. Sipas tij, udhëheqësit e Revolucionit rus, mbase deshën t’i bëjnë mirë njerëzimit, por realisht ata sollën në fuqi Të Keqen, një të keqe të paparë ndonjëherë, të padëgjuar, apokaliptike, në shkallë universi. (Këtu mbase ka parasysh edhe katastrofën që u kushtoi kombeve të tjera ku u vendos një regjimi stalinist)

Askush deri atëherë nuk kishte guxuar të shihte historinë moderne te Rusisë jashtë prerogativave të vijës politike në fuqi…

Në kulmin e shqetësimit e të pafuqisë, V. Grosman-i u shkroi autoriteteve më të larta që “të lironin” librin e tij. Përgjigja i erdhi nga Suslovi, antar i Byrosë politike. Pasi i foli për të keqen e madhe që i kishte shkaktuar Pasternaku Bashkimit Sovjetik, ai i thotë: “është krejtësisht e qartë që Jetë e fat është një tekst pafundësisht më i dëmshëm e më i rrezikshëm se Doktor Zhivago

Romani u cilësua i humbur përfundimisht, por në vitet ’70 do të jetë Semion Lipkin, poet dhe mik i Vasili Grosman-it ai që do të gjejë dorëshkrimin. Një numër njerëzish do të punojnë fshurazi për ta hedhur në mikrofilm dhe më tej do të jetë Andrei Sakrov ai që do ta nxjerrë nga Bashkimi Sovjetik. Që nga ai çast filloi një punë e jashtëzakonshme intelektualësh dhe profesorësh emigrantë politikë rusë që do të merren me deshifrimin e tij.

Pas një pune kolosale (ku u deshën përcaktuar një serë rregullash dhe kriteresh për të ruajtur vullnetin dhe versionin e fundit të autorit) u arrit që romani të botohet në Zvicër më 1980.

Në Rusi libri do të botohet gati dhjetë vjet më vonë, në periudhën e glasnosit. Me atë rast, Literatournaja Gazeta shkruan, duke sintetizuar një nga tezat më të guximëshme të librit, : Në krye të popullit çlirimtar gjendej një tiran, një kriminel që i vodhi atij fitoren, duke e bërë një fitore personale.

Vetëm më 2013 FSB-ja, pasardhësja e KGB-së, nxori dorëshkrimin nga arkivat e saj dhe ia dorëzoi Ministrisë Ruse të Kulturës.

 

(c) 2020, Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Mjaft e vlerësuar është edhe biografia që Myriam Anissimov i ka kushtuar atij më 2012.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin