(nga Stanislaw Lec*)
Çështja që shtron Hamleti nuk ka të njëjtën peshë kudo.
Ai që lind klasik, nuk vdes kurrë. E harrojnë.
Ai që e kuptoi i pari shakanë, ka akoma kohë për t’u hequr sikur nuk e kuptoi.
Kush i mbijetoi një tragjedie, nuk mund të ketë qenë heroi i saj.
Ka shkrimtarë të papërkthyeshëm në gjuhë të huaja. Prandaj mund t’i promovosh në botë pa problem.
Tamam art! Gjithë këto personazhe në skenë, që bisedojnë për faktin që autori s’ka asgjë për të thënë.
Nekrologjia do të shërbente si kartëvizitë e shkëlqyer!
Ka ca që i paguajnë për të mos duartrokitur.
Titull libri: Gjashtë personazhe që ia mbathin nga autori.
Rruga që shpie në përsosmërinë e artit: eliminimi. Por jo i krijuesve.
Në jetën e vet, njeriu luan një rol mjerisht të vogël.
Ndodh që dafinat e kurorës të hedhin rrënjë në kokë.
Aspekti tragjik i një epoke shprehet në të qeshurën e saj.
Materialet historike duhej të ishin të ndezshme.
Disa pjesë teatrale janë kaq të dobëta, sa nuk arrijnë as të largohen nga skena.
Pushteti më shpesh kalon nga një dorë tek tjetra, se nga një kokë tek tjetra.
Po sikur të ballafaqoheshin dy Hamletë: kush duhej të rronte, dhe kush të mos rronte?
I ka rezistuar provës së kohës? Duhet saktësuar se cilës kohë!
Heronjtë pozitivë nuk ka nevojë t’i krijosh, mjafton t’i thërrasësh me emër.
Pjesët teatrale edukative janë edhe ato që të çmësojnë të mendosh.
Kam vënë re që njerëzve u pëlqejnë mendimet që nuk të detyrojnë të mendosh.
Mendimet inteligjente dalin nga koka, si Athina; mendimet e bukura, nga shkuma, si Afërdita.
Problemet personale më të tmerrshme janë ato të njerëzve që nuk ekzistojnë.
Fjalët që nuk përdoren thonë më shumë për një epokë, se ato që përdoren tej mase.
Shkrimtari i pavdekshëm vdes në epigonët e vet.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).