Më doli parasysh një faqe ueb që kremtonte 100 vjetorin e lindjes së Gianni Rodari-t, shkrimtar italian nga më të dashurit e fëmijërisë sime dhe jo vetëm, me vepra si Aventurat e Çipolinos por jo vetëm. Tani shoh që e mbanin si shkrimtarin më të madh italian për fëmijë, të shekullit XX.
Nuk më pëlqejnë përvjetorët dhe as më duken arsye e mjaftueshme për të shkruar; por për Rodari-n shqip më duket me rëndësi të them se na ka ardhur, si shumë të tjerë, nëpërmjet ndikimit dhe miratimit sovjetik (si edhe të tjera vepra të Rodarit, nga “Shigjeta e kaltër”, te libri “Ç’erë kanë zanatet”, që më duket se ka qenë me vjersha).
Rodari vetë ishte komunist dhe mbante marrëdhënie të ngushta me Moskën.
Për t’u shënuar, te kjo histori e ndikimeve kulturore sovjetike në Shqipërinë e viteve 1960, është se ndodhnin pak si në prapaskenë, meqë zyrtarisht marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike nuk ekzistonin më.
Përndryshe, Çipolinoja ishte jashtëzakonisht popullor në Bashkimin Sovjetik. I botuar për herë të parë në 1951, prej këtij romani kishin nxjerrë edhe një film vizatimor:
Madje jo vetëm: i kishin kushtuar edhe një pullë poste!
Kujt nga brezi im nuk do t’i kujtohen Vishnjushi, Princ Limoni, Sinjor Domatja, Limonuthët dhe amerikani Mister Karotou me mastinon e vet Kape-Mbaje?
Nuk di të them sa ka qenë kjo meritë e përkthyesit shqip të romanit (Gjergj Zheji) dhe sa e versionit rusisht.
Kanë qenë kohë që nuk mund të kuptohen, pa u deshifruar: Italinë dhe Rodarin e kishim te pragu i derës, por shpesh na duhej që t’i futnim në shtëpi nga dritarja e censurës sovjetike – madje edhe pasi Bashkimin Sovjetik, si entitet, e kishim fshirë nga realiteti.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.