Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

MBI GJUHËN DHE LETËRSINË SHQIPE

Nga Gustav MEYER
përkthyer nga Anila Omari[1]

Nga “Rruga detare” në Korfuz shijohet pamja e maleve shqiptare. Këtej jeta e harlisur në dritën e kthjellët të pranverës, ullishtat e ndritshme dhe portokallet me gjethet e tyre të errëta, dhe nga lart, të ndara vetëm nga ngushtica e vogël e detit, sundojnë lartësitë e errëta e të zymta. Fshatra të vegjël kanë mbirë mbi shkëmbinj dhe majat janë të mbuluara me borë: janë atje në gjithë magjinë e botës greke, si një enigmë, si një botë e huaj e jo mikpritëse. “Këtu endet ujku, shqiponja mpreh kthetrat, këtu banojnë njerëz të egër si ujku e si shqiponja”. Të shumta janë lëvdatat e thurura nga lordi Bajron për këta njerëz, dhe Georg von Hahni bëri për zakonet dhe institucionet e tyre studime të gjata e plot dashuri. Megjithatë vetëm ngjarjet politike të viteve të fundit tërhoqën vëmendjen e gjithë botës mbi shqiptarët. Tani dihet se ata janë një element i rëndësishëm në gadishullin Ballkanik, një element që në çdo mënyrë duhet ta marrin në konsideratë si grekët ashtu edhe sllavët. Sidomos sllavëve shqiptarët u rrinë përpara me pushkë në dorë, por edhe praktikat miqësore të grekëve deri tani nuk kanë pasur ndonjë rezultat të mirë.

Kur lexojmë për fshatra, banorët e të cilëve përshkojnë me not një lumë me calikë e me lëkura dhish të fryra, priremi t’i kërkojmë në Kongo ose në Guinenë e Re. E megjithatë këto fshatra ndodhen në një vend europian, dhe lumi është Drini në rrjedhën e tij nga liqeni i Ohrit deri në Shkodër. Të tilla veçanësi fsheh Shqipëria. Është e çuditshme që zelli për zbulimet gjeografike dhe etnografike nuk është drejtuar te ky vend, të cilit pak vetë pas Grisebachut e Hahnit ia kanë parë bukuritë mahnitëse natyrore dhe askush më nuk i përshkroi. Edhe në fushën ende të errët të historisë shqiptare janë bërë pak hetime; në përgjithësi edhe sot nuk dimë më shumë nga ajo që na njoftoi Hahni në vitin 1854. Shumë shpesh na u paraqitën tezat e tij, por për fat të keq pa ia përmendur emrin; e edhe gabimet jo të pakta ku ra dijetari i shquar si pasojë e kulturës së pamjaftueshme gjuhësore, shpesh nuk na kursehen, edhe pse sot mund të sillet i njëjti justifikim. Thuajse i harruar, për shkak të përmbledhjeve të bëra nga Hahni, mbeti njëri prej paraardhësve të tij, i cili i pari shprehu për marrëdhëniet e popujve më të lashtë të gadishullit Ballkanik ato gjykime, që ende mbahen si të drejta; dhe ky është Thunmanni, hulumtimet e të cilit për historinë e popujve të Europës lindore janë një vepër, e cila, për kohën kur u shkrua (1774), është pa dyshim e denjë për admirim.

Shkaku kryesor i njohurive tona të gjymta për historinë shqiptare është mungesa e burimeve. Te ky popull nuk lindi kurrë mendimi për të mbajtur shënim të paktën gjërat më të rëndësishme të historisë së tij dhe gjithmonë duhet t’u drejtohemi për njoftime atyre popujve që erdhën në kontakt me shqiptarët. Për kohët e reja nuk mungojnë; dhe ne jemi në gjendje të përshkruajmë me qartësinë e duhur karakterin dhe prirjet e një Ali Tepelene.

Në mesjetë shqiptarët u vunë në vëmendje të gjithë perëndimit, pra kur fuqia dhe heroizmi i Gjergj Kastriotit shkatërruan ushtritë islame; por panegjiriku pa kritikë që i bëri Barleti ndikoi më tepër për ta mbajtur të errët historinë e asaj periudhe. Më anë tjetër njoftimet për historinë e Shqipërisë në mesjetë i gjejmë te kronistët bizantinë, të cilët vetëm rrallë u merakosën për atë vend të largët. Një shqyrtim i imtë i këtyre burimeve ndoshta do të japë si rezultat ndonjë hollësi interesante, por natyrisht jo një njohje të plotë. Gjithsesi një shqyrtim i tillë është për t’u dëshiruar, pasi traktati i Hopfit është një gjë e rrallë, leximi i tij është i vështirë dhe përmbledhja që i bëri zoti Hertzberg është krejt e pamjaftueshme.

Siç dihet, emri i shqiptarëve alban del për herë të parë te gjeografi Ptoleme, domethënë në gjysmën e shekullit II pas Krishtit. Gjatë numërimit të fiseve ilire krahas taulantëve, elimiotëve dhe orestëve figurojnë edhe albanët me kryeqytetin e tyre Albanopoli. Sipas të dhënave të Ptolemeut, ky fis duhet kërkuar në rajonin e Dibrës e pranë Drinit të Zi; por duket se këto të dhëna janë arbitrare e pa ndonjë vlerë.

Prandaj besoj se nuk mund të ketë ndonjë kundërshtim, nëse te Albanopoli duam të gjejmë Elbasanin e sotëm. Mirëpo kjo pa dyshim është e gabuar. Ne e dimë emrin e lashtë të Elbasanit, Skampën, dhe nuk gabojmë po të besojmë se ky emër është ruajtur në atë të lumit Shkumb; në brigjet e të cilit shtrihet Elbasani. Veç kësaj emri Alban i shkruar me l s’është gjë tjetër veçse trajta e greqizuar e emrit të shkruar në zanafillë me r. Serbët i quajnë shqiptarët, fqinjët e tyre me emrin Arbanas, grekët i quajnë Arvanitis, dhe nga kjo trajtë e fundit zë fill turqishtja Arnaut, që përdoret edhe nga bullgarët. Arbëri është emri i një krahine të Shqipërisë, dhe në të vërtetë i po asaj krahine që quhet edhe Lapëri apo Labëri; është krahina e maleve Akrokeraune dhe e zonës në brendësi prapa tyre që përfshin rrethet e Vlorës, Kurveleshit, etj. Banorët quhen arbër. Në këtë emër duhet të shohim rrënjën e atij, i cili më pas, siç ndodh shpesh, u bë prej të huajve emri i përgjithshëm i një krahine shumë më të madhe. Vetë shqiptarët, sidomos ata të Veriut dhe ata që jetojnë në mbretërinë e Greqisë dhe në Itali, u përshtatën të përdorin këtë emërtim. Në gojën e shqiptarëve vlejnë si emërtime më të drejta të kombësisë së tyre emri Shqiptar, që do të thotë “arbër”, dhe emërtimi shqip që do të thotë “gjuha shqipe”.

Janë bërë orvatje për të shpjeguar këtë fjalë, duke e rrjedhuar nga emra që kanë kuptimin “shqipe” apo “shkëmb”; por i vetmi shpjegim i mundshëm është ai nga folja shqiponj “kuptoj”. Pra shqiptar nuk do të thotë tjetër, veçse “ai që kupton”; dhe pikërisht kështu shqiptari quan atë që kupton gjuhën e tij. Emërtimi është relativisht i ri, sepse folja është marrë nga latinishtja excipere “kuptoj”.

Si në raste të tjera, edhe këtu nuk mund të themi me siguri se si emri Arbër u bë emër i përbashkët i shqiptarëve. Duket se shqiptarët emigruan në rajonet ku banojnë tani nga vende më në veri; në hartën e Kiepertit gjejmë pranë lumit Arzen (Erzen – sh. p.), në jug të Tiranës dhe në lindje të Durrësit, vendbanimin Arbona, emri i të cilit ndoshta ka lidhje me ato që thamë. Kështu i afrohemi krahinës së shënuar nga Ptolemeu. Shndërrimi i një emri vendas Arbër, apo, siç shqiptohej emri në zanafillë e shqiptohet edhe sot në veri, Arbën, në Alban, nuk duhet të na habisë meqë është fjala për grekët. Për fat të keq grekët nuk u denjuan asnjëherë të riprodhonin saktë emrat e huaj të popujve e vendeve në trajtën e tyre vendase; dhe duke dashur t’ua përshtasin ligjeve të gjuhës së tyre dhe duke dashur t’i afrojnë me emra të njohur e të dëgjuar më shpesh, shkaktuan shndërrime, që tani në çdo hap krijojnë pengesa për gjeografinë dhe etnografinë, dhe madje kanë çuar në rrugë të gabuar shumë hulumtime. Në këtë pikë mund të kenë pasur ndikim arbëreshët e Italisë apo ata të Kaukazit.

Është karakteristike për njëfarë rryme të etnologjisë fakti që ky barazim i emrave, që është i mëvonshëm, mjaftoi për të ndërtuar përrallën, e besuar deri në kohët e reja, të një emigrimi të shqiptarëve nga Kaukazi. Kjo hipotezë nuk ka as themelin më të vogël, nuk mbështetet nga ndonjë traditë historike, as nga krahasimi mes gjuhës shqipe dhe dialekteve të folura nga popullsitë e Kaukazit.

Më tepër duhet të besojmë, meqë asnjë fakt nuk flet kundër, se shqiptarët kanë banuar në Shqipëri ose të paktën në një pjesë të saj qysh prej kohësh shumë të lashta, dhe se janë pasardhës të ilirëve, të cilët në lashtësi kishin ardhur e ishin vendosur në rajonet e Dalmacisë së sotme, Bosnjës dhe Shqipërisë; dhe kjo pikëpamje po vjen duke u përhapur gjithnjë e më shumë.

Pra t’i quash shqiptarët me emrin ilirë të rinj (Neo-Ilirë) është po aq e drejtë sa të quash grekë të rinj grekët e sotëm. Një tjetër gjë në vetvete shumë e mundshme dhe që vërtetohet gjithnjë e më shumë nga rezultatet e kërkimeve gjuhësore, është se gjatë shekujve u zhvillua në shkallë të gjerë një shkrirje me elementët italikë e sllavë. Po të vërejmë se si shkrimtarët antikë theksojnë dallimet trupore mes pushtuesve keltë, të gjatë, të zhvilluar, flokëverdhë, dhe banorët e Ilirisë të shkurtër, të dobët, të zeshkët, kjo nuk përkon aspak me tipin e luftëtarit të sotëm shqiptar. Për këtë ndoshta mund të presim sqarime nga antropologjia, kur kjo t’i ketë dhënë një formë më shkencore metodës së saj, dhe kur t’i jetë vënë në dispozicion lëndë e mjaftueshme nga ato zona.

Duke lënë mënjanë faktin e sigurt se shqiptarët rrjedhin nga ilirët, ka ende shumë gjëra të errëta e të dyshimta. Hahni deshi të dallonte në të dy dialektet kryesore të gjuhës shqipe, pra në gegërishten dhe në toskërishten, ndarjen e lashtë në ilirishte e epirotishte. Kjo është e mundshme, madje mund të them se ka të ngjarë, por nuk është aspak e vërtetuar. Nuk është e sigurt se banorët e Epirit, të cilët ndërkaq nga grekët janë mbajtur gjithnjë si barbarë, flisnin një gjuhë që nuk ishte greke dhe ishte e afërt me ilirishten. Gjithsesi, ndryshimi i sotëm mes gegërishtes e toskërishtes, i cili në fund të fundit nuk është aq i madh, mund të rrjedhë nga një dallim i mëvonshëm. Studimi i shqipes së folur në Greqi tani më bën ta mbaj këtë pikëpamje si më të pëlqyeshmen.

Për shtrirjen e trungut ilir në lashtësi nuk mund të thuhet gjë. Autorët antikë dhe kompiluesit e mëvonshëm quajnë ilirë ata popuj për të cilët nuk dinin asgjë të saktë, ashtu si në rajone të tjera abuzuan me emrin e skithëve. Që atyre u përkisnin edhe dalmatët e delmatët është thuajse e sigurt, megjithëse unë nuk e quaj të vërtetuar prejardhjen e këtij emri nga shqipja dele.

Nisseni në librin e tij shumë të mirë “Italische Landeskunde” i mban edhe popujt fqinjë, domethënë liburnët, istrët e venetët, si pjesë përbërëse të trungut ilir; dhe ne mund të krahasojmë me kënaqësi një fjalë si venetishtja ceva “lopa”, me shqipen ka-u.

Edhe Helbigu me të drejtë i cilësoi japigët e mesapët e gadishullit të Tarantos si ilirë. Dhe kur lexojmë që Straboni kur arriti në Brindizi mësoi se brention te mesapët kishte kuptimin “krye dreri”, lehtësisht mund të shkojë mendja te shqipja brin. Por nuk duhet harruar se interpretimi i emrave antikë të vendeve e popujve përmes një gjuhe aspak të lashtë, madje përkundrazi krejt të tjetërsuar në tinguj, në forma e në fjalë nga lloj lloj ndikimesh të huaja, siç është shqipja, ka pak baza të qëndrueshme. Shpesh deri në ditët tona është shkruar, për shembull edhe në gjeografinë e shkëlqyer të Kiepertit, se emri i japigëve është identik me atë të labëve, banorë të vendit të lartpërmendur të Arbërisë. Kjo më duket e gabuar sepse emri lap, Labëri (pasi del edhe trajta me b), pa dyshim nuk është tjetër veçse emri Arbëri, në sllavishte Alberi, i ndryshuar sipas teorive tingullore të sllavëve, të cilët në këtë mënyrë ndryshuan emrin dalmat AlbonaLabin, dhe emrin e lumit Albis “Elba” në Labe.

Ilirët e Japigisë mbërritën në këtë vend duke përshkuar detin që midis Otrantos dhe kepit të Gjuhëzës nuk është shumë i gjerë. Duhet përmendur një veçori e tingujve, që haset në Italinë e jugut dhe që gjendej që në gjuhën e lashtë oske, domethënë asimilimi i ndnn, dhe i mbmm; dhe këtë veçori e gjejmë edhe në shqipe. Me këtë rast mund të mendojmë për ndikimin e gjuhës japige, sadoqë nuk duhet harruar se shpesh herë rastësia ka përftuar dukuri të njëjta në gjuhë krejt të huaja për njëra-tjetrën. Më duket për t’u hedhur poshtë kryekëput hipoteza që ilirët janë shtrirë në gjithë Greqinë dhe po ashtu identifikimi i tyre me pellazgët e zakonshëm të etnografisë antike.

Kësaj hipoteze i përgjigjet pohimi i një eruditi të shquar grek, i cili mori për shqiptarë deri dhe sllavët, që gjatë mesjetës ishin shpërngulur në Greqi. Kur u bë ky pohim, unë e hodha poshtë prerazi, dhe megjithëse miku im Sathas – që është autori i saj – u lëndua nga kjo, unë edhe sot mbroj mendimin se në mos tjetër emrat e vendeve sllave në Greqi e vërtetojnë si të pamundur këtë mendim. Është për të ardhur keq që grekët e shndërrojnë këtë çështje thjesht shkencore në një çështje politike e kombëtare; dhe mua më kujtohet se si u nxeh një herë Karl Simrocku, kur Adalbert Kuhni e pati quajtur me prejardhje sllave.

Pra, nëse ilirët qenë paraardhësit e shqiptarëve dhe gjuha ilire një fazë më e lashtë e shqipes së sotme, atëhere ilirishtja ka qenë një gjuhë indogjermane; prandaj shqipja është pa dyshim indogjermane. Meqenëse kjo gjuhë është pak e njohur dhe shumë e përzier me elementë të huaj,  për një kohë të gjatë këtë fakt nuk deshën ta pranonin, e madje edhe kur qe një gjë e vërtetuar, nuk u besua dhe aq.

Tani duhet përcaktuar më saktë vendi i saj në familjen e gjuhëve indogjermane. Ende sot mbizotëron mendimi se ka farefisni të afërt me greqishten, madje se nuk është gjë tjetër veçse një dialekt i lashtë grek shumë i prishur. Kësaj pikëpamjeje i dhanë shkas idetë historike jo fort të qarta për një marrëdhënie të ngushtë mes helenëve dhe ilirëve; ngatërresë solli jo vetëm hipoteza mbi pellazgët por u futën gjithashtu edhe prirjet politike për të shkrirë elementin shqiptar me atë grek. Në mënyrë të veçantë Kamarda, arbëresh nga Italia, u përpoq ta vërtetojë këtë pikëpamje me vullnetin e tij të mirë me të cilin nuk shkojnë baraz njohuritë e tij gjuhësore. Nga ana tjetër edhe një analizë e kujdesshme shkencore e gjuhës shqipe nuk e zgjidh aspak këtë problem.

Gjuha iliro-shqipe duhet konsideruar si anëtare e pavarur në familjen indogjermane. Këtu nuk mund të zgjatem për marrëdhëniet e saj me gjuhën e Trakës, e cila është krejt e vdekur, por, siç besohet, ka lënë gjurmë të saj në rumanishte. Ilirët, pra, erdhën dikur, në kohët parahistorike, në atdheun ku banojnë ende; të paktën deri tani asnjëra nga hipotezat e ndryshme që janë bërë për vendbanimet e para të popujve indogjermanë nuk ka përmendur si të tillë gadishullin Ballkanik. Por me këtë arrijmë sakaq ta mbajmë si afër mendjes mundësinë që ilirët të kenë gjetur atje një popullsi më të vjetër; pasi është e sigurt se Europa ishte e banuar para se indoeuropianët të shtriheshin në vendbanimet e tyre të tanishme. Kjo hipotezë përforcohet kur marrim parasysh thesarin e fjalëve shqipe. Një numër i madh fjalësh që lidhen me kulturën janë të përbashkëta me shqiptarët dhe me racat e tjera indogjermane; dhe mund të besohet se këto fjalë janë mbartur me vete nga atdheu i parë. Të tillë janë, për të përmendur disa shembuj, emrat: vit, muaj, dimër, ditë e natë, emrat e hënës, dheut, ujit. Nga kafshët kanë emra indogjermanë ariu, ujku, miza, pleshti, miu, delja, dhia, krimbi; si indogjermane mund të shpjegohen fjalët që i përgjigjen mishit, hudhrës, arrës, barit, gurit; emrat e pjesëve të trupit si sup, krahëror, gisht, dorë, gju, vesh, dhëmb, dhe fjalët mjekër, gjak, eshtra, lot gjejnë fjalë të afërta në gjuhët motra. Emrat që dalin në qerthullin e jetës shtëpiake nuk janë gjithmonë ata që përdoren në shumicën e popujve indogjermanë: por kemi për atë e nënë emra jo të huaj për gjuhët indogjermane; emrat për bir e bijë përkojnë me latinishten, kurse fjalën motër unë e besoj identike me indogjermaniken mater “nënë”, që në lituanishte ka kuptimin e përgjithshëm të “gruas”.

Vetëm fjala vëlla ka pamje të huaj, por ndoshta është e mundur të vihet në lidhje me indogjermaniken bhràter.

Me lëndën gjuhësore që kemi tani për tani në dorë, vështirë se është e mundur të krijojmë një ide të qartë për shkallën e kulturës së ilirëve në kohën e zhvendosjes të tyre për në vendbanimet e reja, pasi shumë fjalë të vjetra që lidhen me kulturën më vonë humbën ose u zëvendësuan me fjalë latine. Por më i rëndësishëm është fakti se në gjuhën shqipe gjejmë një sasi fjalësh, të cilat nga të gjitha anët t’i shohësh nuk janë indogjermane. Ka mundësi që disa prej tyre t’i përshtaten në analizë të fundit një prejardhjeje nga gjuhët ariane; por sigurisht jo të gjitha. Mund të hamendësohet që fjalë të tilla t’i përkisnin gjuhës së banorëve të parë dhe që pastaj të kenë depërtuar në shqipe. Disa nga këto fjalë interesante janë të përbashkëta në shqipe e në rumanishte; kjo të shpie të besosh se fazat më të lashta të këtyre dy gjuhëve kanë pësuar ndikimin e një gjuhe të njëjtë parahistorike e të huaj.

Kur agimi i historisë kishte lindur prej kohësh për Greqinë, në veri në Iliri mbretëronte ende natë e errët. “Në lëvizjen e madhe të popujve, që edhe atje mund të ketë ndodhur asokohe, nuk mbërrin flaka e historisë dhe vezullimet e vetmuara që shihen aty, janë si një dritë e zbehtë në errësirë të thellë, më e aftë të prodhojë pështjellim sesa të sjellë ndriçim.” Kemi lajme të përsëritura të luftërave mes mbretërve të Maqedonisë dhe ilirëve, të cilat ndërkaq duket se nuk kanë pasur kurrë si pasojë një nënshtrim të plotë. Dyndja e keltëve, të cilët në fillim të shekullit të katërt para Kr. u shfaqën në gadishullin Ballkanik dhe pushtuan për një kohë mjaft të gjatë tokën e ilirëve, nuk la, me sa shoh, asnjë gjurmë në gjuhën e tyre. Më pas sundon në histori figura e mbretit Pirro. Ai është një epirot me emër grek; pa dyshim qysh atëhere në ato krahina ishte shumë i fuqishëm ndikimi i helenizmit. Te ky njeri shikojmë qartë gjurmën e “kapedanëve” të ardhshëm shqiptarë. Filloi si kapiten i madh dhe përfundoi si aventurier. Luftërat e romakëve në Iliri, që bashkohen me emrat e mbretëreshës Teuta e të mbretit Gent, janë shtjelluar gjerësisht nga Zippeli. Pasojë e saj qe një regjim romak, dhe kjo pati ndikim shumë të madh edhe në gjuhën ilire. Mund të thuhet se vetëm me shumë vështirësi gjuha i shpëtoi një romanizimi të plotë, dhe për pak sot nuk kemi në vend të shqipes një gjuhë romane. Fjalët e marra nga latinishtja janë në numër shumë të madh, dhe nuk ka dyshim që janë marrë shumë herët, pasi c para e-së dhe i-së e ruan ende vlerën e saj të lashtë të grykores. Dhe nga romakët u morën jo vetëm fjalë që shprehnin sende kulture, të cilat ilirët ndoshta i mësuan prej tyre, por edhe të tjera në të cilat zakonisht ndikimi i huaj nuk ka fuqi: dhe në këtë kohë shumë fjalë të lashta ilire u zhdukën përgjithmonë nga gjuha. Nga emrat e kafshëve janë latinë[2]: kalë, qen, pëllumb, gjel, luan, iriq, flutur, peshk; po ashtu mollë, qershi, bathë, frut, thekër e deri dhe rremb e fletë; mbajnë emra latinë ar, argjend, plumb, ashtu si dhe vaj, bukë, qepë, piper, ve, ndoshta edhe verë e uthull. Për emrat qiell, erë e ajër, lumë, flakë gjithashtu hynë fjalë latine.

Shumica e fjalëve që lidhen me banimin në banesa të qëndrueshme dhe me marrëdhëniet publike kanë emra romane: qytet, mur; fshat, kështjellë, burim, banjë, shtëpi, kasolle, shkallë, stufë, tendë, këmbanë; mbret, kurorë, gjyq, ligj, luftë e paqe, mik e armik, fqinj. Në jetën shtëpiake janë fjalë të huazuara: nip, thjeshtër, martoj, i varfër, e ve. Mbajnë emra të huaj veshje si: këmishë, pantallona, kapele, xhep, mëngë dhe sende të përdorimit të përditshëm, si: shtrat, libër, kartë, pendë, kandil, vazo, lugë, sharrë, bastun. Por fjalët latine vlejnë edhe për shtat e shpirt, gojë, stomak, mëlçi, flokë, madje deri për “jetë”. Nga stinët pranvera ka emër latin, ndërsa janë pak të rëndësishme dhe jo të shumta në numër fjalët e futura nga krishtërimi, si Pashkë, Kërshëndella, kreshmë, engjëll, djall; edhe një nga emrat e “Zotit” (Perëndi) është me burim latin. Por të gjitha këtyre nuk u duhet dhënë shumë rëndësi; përzierjet në fjalor nuk tjetërsojnë në fund të fundit thelbin e gjuhës; kjo ndodh vetëm kur eptimi gjendet i prekur në themel nga ndikimet e huaja; atëhere fillojnë të shfaqen disa veçori të cilat më në fund shpien në përdorimin e plotë të ndërtimit të huaj; dhe kjo ka ndodhur në shqipen. Në zgjedhim gjejmë forma kohore e mënyra thjesht latine, në lakim shumësi ndjek latinishten: mund të bëhet pyetja nëse disa përemra të rëndësishëm dhe nyja janë me burim latin. Lidhur me këtë nuk vlen ndonjë gjë e madhe të tregohet se janë marrë nga latinishtja lidhëza shumë të përdorshme si: e, po/por, që, dhe shumë parafjalë.

Sidoqoftë dimë se në mesin e shekullit të pestë para Krishtit në vendet mes Adriatikut, Egjeut dhe Detit të Zi, latinishtja ishte gjuha e shtetit dhe e familjes. Dhe është dëshmi e shkëlqyer e fuqisë asimiluese të gjuhës latine fakti që ia doli mbanë të arrinte suksese të tilla me një popull kaq të pabindur dhe të dashuruar me lirinë, si populli shqiptar. Asnjë nga popujt, të cilëve më vonë iu nënshtruan shqiptarët, nuk arriti me gjuhën pasoja të tilla. Gotët dhe normanët nuk lanë asnjë gjurmë. Alariku qeverisi Ilirinë për afro dhjetë vjet; edhe pas vdekjes së tij qëndruan disa gotë në Shqipërinë e Veriut, dhe ushtria e tyre u tërhoq nga Dalmacia vetëm në vitin 535, pra mund të thuhet se sundimi i tyre zgjati 130 vjet; e megjithatë askush nuk mundi të vërtetojë seriozisht që në shqipen gjendet një fjalë gotike. Pa pasoja qe gjithashtu depërtimi i normanëve nën Guiskardin e Boemundin. Midis këtyre dy pushtimeve bien depërtime të ndryshme të sllavëve, të cilët pas gjase u shfaqën për herë të parë në gadishullin Ballkanik në shekullin e tretë. Që atëhere dyndjet sllave përsëriten vazhdimisht në të gjithë historinë bizantine. Këtu nuk është vendi t’i ndjekim një nga një; për ato na njoftojnë hulumtimet e njohura, mes të cilave duhet vënë re me spikamë të veçantë ai i eruditit bullgar Drinov. “Në mesin e shekullit të shtatë kolonizimi i gadishullit Ballkanik nga sllavët ishte përfunduar.” Shqipëria veriore deri në gjysmën e dytë të shek. XIV formonte një provincë të Serbisë; vetëm gjatë rrëmujave që lindën pas vdekjes së Stefan Dushanit mes trashëgimtarëve të tij, shtëpitë dinastike vendase u çliruan. Shqipëria jugore mbeti rreth njëqind vjet nën sundimin e bullgarëve; zotërimi i car Simeonit përfshinte bregdetin shqiptar, me përjashtim të disa porteve që kishin mbetur nën bizantinët nga Korfuzi deri në grykëderdhjen e Drinit; nga ana e Serbisë kufijtë formoheshin nga Drini i Bashkuar, Drini i Bardhë dhe Ibri, dhe vetëm me sundimin despotik të Epirit mbaroi sundimi i bullgarëve.

Për sllavët në Shqipëri ka një traktat të shkruar në rusisht nga Makushevi, studiues i merituar i historisë së sllavëve të jugut, por për fat të keq deri tani nuk kam mundur ta konsultoj. Në gjuhën e shqiptarëve nuk mund të mos vihet re një ndikim i fortë sllav. Numri më i madh i fjalëve të marra nga sllavishtja gjendet në të folmet e Shqipërisë veriore, e cila qëndroi më gjatë nën sundimin sllav dhe ndodhet edhe sot në kontakt të vazhdueshëm me elementin sllav. Por një numër fjalësh të marra hua nga sllavishtja është i përbashkët për të gjitha dialektet e shqipes, edhe për ata që fliten në Greqi e në Itali; kjo tregon se këto fjalë kanë hyrë në shqipe mjaft herët, pa dyshim para shekullit XIV.

Në Itali, për shembull, përdoren për kyç, grazhd, treg, gozhdë fjalë sllave; trajta gozd del vetëm në bullgarishte. Përndryshe thuajse të gjitha elementet sllave në shqipe ndjekin në formë serbishten. Edhe këtu fjalët e huazuara janë në numër shumë më të madh nga ç’duhet të jenë; për shembull u futën jo pak folje, por eptimi gjatë kontakteve mbeti krejt i paprekur. Shumica e fjalëve të huazuara lidhet me jetën fshatare; kjo përkon me pohimin e Kallayt, që shqiptarët në Serbi kanë qenë kryesisht blegtorë. Kësula (shapka) dhe sandalet (opinga) mbajnë emra sllavë, si dhe zanate si ai i farkëtarit (kovaç) dhe endësit (kaç). Emra të huazuar kafshësh e bimësh janë të paktë; por kemi fjalët që lidhen me marrëdhënie pronësie çeta dhe bashtina; zakon është fjalë e njohur edhe në Itali.

Shqiptarët që banojnë në mbretërinë e Italisë arrijnë në rreth 100.000. Të parët kanë ardhur me siguri në vitin 1461, kur Skënderbeu ndërmori ekspeditën e tij plot aventura në Pulje në ndihmë të Ferdinandit të Aragonës. Tregohet se për këtë ndihmë, e cila ishte me rëndësi të paktë, iu vu në dispozicion qyteti i Tranit me dy vende të tjera të fortifikuara, si vendstrehim dhe spirancë shpëtimi në rast katastrofe. E cila mbërriti menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut (1468).

Një numër i madh ikanakësh gjetën në truallin italian mikpritje dhe gëzimin e privilegjeve të favorshme. Në atë kohë lindën fshatrat shqiptare në Kalabri, Kapitanatë, Bazilikatë dhe në Terra d’Otranto; lista e saktë gjendet te Biondelli. Në Sicili ngulimi i parë ishte Kontesa (në vitin 1450); pasuan Palaco Adriano (1481), Piana dei Greci (1488) dhe Mexojuzo (1490); Santa Kristina është një ngulim dytësor i rrjedhur nga Piana në shekullin XVII. Të folmet e arbëreshëve të Italisë mbartin tiparet kryesore të shqipes së Jugut, por shfaqin një gjurmë shumë më të vjetër sesa toskërishtja moderne.

Është e natyrshme që ato të jenë të mbushura me fjalë të marra nga italishtja; dhe që nuk mungojnë fjalë sllave, kjo u tha më lart. Që edhe sot këndohet një këngë ku vajtohet Moreja, tregon se një pjesë e këtyre të shpërngulurve vinin nga Greqia, prandaj nuk duhet të na duken të çuditshme disa fjalë greke që dalin në leksikun e gjuhës së tyre. Më të rëndësishme këtu janë huazimet nga turqishtja: në esetë gjuhësore të Papantit gjejmë hak “e drejtë”, inat “zemërim”; pranë Otrantos për treg thuhet pocar domethënë “pazar”, në këngët popullore të De Radës haset pexher për “dritare”. Këto dhe fjalë të tjera të huazuara duhet të jenë mbartur që nga përtej deti, dhe tregojnë sa pak qëndresë ka mundur t’i bëjë shqipja ndikimit turk, që asokohe ishte i shkurtër.

Plot me fjalë turke është shqipja moderne e folur në Shqipërinë turke, sidomos të folmet gege, dhe mes tyre në mënyrë të veçantë dialekti i qytetit të Shkodrës. Prirjet puriste të Kristoforidhit drejtohen veçanërisht kundër këtyre fjalëve të huazuara. Në Shqipërinë e Jugut vendbanimi i përbashkët me elementin grek nuk mbeti pa pasoja. Natyrisht numri më i madh i fjalëve greke gjendet midis shqiptarëve që banojnë në mbretërinë e Greqisë; kur pyesja për kuptimin e disa fjalëve, ndër dhjetë syresh dëgjova gjithnjë pesë deri gjashtë greke. Dihet se në Atikë fshatarët janë në shumicën dërmuese shqiptarë (për shembull në Eleusinë, në Menidhi etj.); para dyerve të Athinës dëgjohet të flitet shqip, dhe “Ishullari i vogël” i Vilhelm Mylerit, që frymëzon për ushtrime recitimi nxënësit e vitit të katërt të gjimnazeve austriake, është një çunak shqiptar. Në faqet më të lavdishme të historisë së luftës për liri të grekëve gjejmë shqiptarë, Boçarët e Xhavellat dhe Miaulin, kapitenin trim të detit. Ata përfaqësohen në numër të madh edhe në pjesë të tjera të Greqisë, sidomos në Beoci, në Argolidë, në Korint, në Arkadinë jugore, gjithsej jo më pak se 200.000. Nuk dimë gjë më të saktë për kohën e këtyre ngulimeve dhe as për prejardhjen e tyre. Shqiptarë në Peloponez përmenden për herë të parë në vitin 1349, por nuk mund të vihet në dyshim se që shumë kohë më parë disa fise shqiptare kanë banuar në Greqi. Duke shqyrtuar gjuhën jemi të detyruar të besojmë në një imigrim nga Shqipëria jugore.

“Kombit tim të ndarë e të shpërhapur por një të vetëm” – kështu lexon kushtimi i librit Degli Albanesi, ricerche e pensieri, botuar në vitin 1848 nga Vincenzo Dorsa, patriot shqiptar i lindur në Itali në Frashinetë të Kalabrisë. Arbëreshët e Italisë, të cilët nga kultura ua kalojnë mjaft bashkëkombasve të tyre të Epirit, nuk e humbën kurrë ndjenjën e bashkimit shpirtëror me ta, sidoqë mendojnë më tepër për një panshqiptarizëm. Por deri dhe bashkimi i shqiptarëve që banojnë në atdhe lë shumë për të dëshiruar si nga ana politike ashtu edhe fetare e gjuhësore. Të ndarë politikisht në një numër fisesh me madhësi e rëndësi të ndryshme, rivalitetin e të cilave, i mbajtur gjallë thuajse gjithnjë nga gjakmarrjet, e pati përshkruar me ngjyra të gjalla Gopçeviqi në veprën e tij për Shqipërinë e epërme; fetarisht të përçarë nga kundërshtia midis krishtërimit dhe islamizmit, dhe nga ajo mundësisht dhe më e spikatur mes kishës katolike e asaj greke ortodokse, shqiptarët vuajnë edhe nga ndryshimet në gjuhë, gjë që bën që shqipja e veriut, gegërishtja, të kuptohet me vështirësi nga toskët e jugut.

Askush nuk duhet të habitet që mes një populli, tek i cili shkrimi e këndimi janë artikuj të rrallë luksi, dhe ku pushka – e çfarë pushke e lashtë dhe e nderuar me strall! – përbën shpesh pasurinë më të çmuar të një njeriu, nuk ka dalë ende një Dante apo një Luter, për t’i sjellë këtij populli të mirat e një gjuhe të shkruar. Shqiptarët e varfër gjenden në kushtet më të këqia njerëzore: nuk kanë as edhe një alfabet që të jetë i njohur nga të gjithë. Në Shqipërinë veriore, ku shqiptarët e krishterë janë të gjithë katolikë romanë, mbizotëron ndikimi i klerit italian; për ta Propaganda e Romës hartoi nja dy doracakë gramatikorë e leksikorë dhe përktheu në shqip disa traktate të vegjël fetarë. Janë shtypur me shkronja italiane; për tingujt karakteristikë e të posaçëm të shqipes janë përdorur disa shkronja të shpikura rishtas, që nuk duken dhe aq bukur, dhe që u zbatuan qysh nga murgu Blancus (Bardhi) (shqiptar) në fjalorin e tij të botuar në vitin 1635. Edhe arbëreshët e Italisë përdorin shkronjat latine; vetëm siciliani Demetrio Kamarda në gramatikën dhe në tekstet e tij shtiu në punë alfabetin grek. Në ato vende, ku elementi grek mbizotëron moralisht, si në Shqipërinë jugore, mbizotëron edhe përdorimi i alfabetit grek; kështu është shtypur për shembull një përkthim i Dhiatës së Re botuar në Korfuz në vitin 1827. Por madje edhe midis shqiptarëve të Greqisë disa përdorin alfabetin latin, siç e tregon letërkëmbimi i të ndjerit doktor Reinholdit nga Athina, që unë kam në dorë. Nga dijetarët e huaj, pastaj, të cilët u morën me gjuhën shqipe, thuajse secili ka ndonjë veçori në riprodhimin e tingujve vendas; Xylanderi dhe Hahni përdorin shkronjat greke, Miklosichi dhe Dozoni latinet; dhe në disa raste të tjera ndryshojnë mes tyre.

Nuk ka dyshim se krijimi i një shkrimi të njësuar është kushti themelor për të vendosur një lidhje shpirtërore mes fiseve e dialekteve të ndryshme të shqiptarëve, prandaj disa atdhetarë në kohë të ndryshme bënë përpjekje të ndryshme. Hahni zbuloi në Elbasan një alfabet kombëtar prej 52 shenjash, dhe na njoftoi gjerësisht për të në pjesën e parë të “Studimeve shqiptare” të tij. Unë besoj se asnjeri nuk është sot në një mendje me të, që ky alfabet qenka një monument i lashtë i kulturës pellazgjike, dhe që bashkë me alfabetin grek të jetë zhvilluar nga fenikishtja; mësuesi grek Teodor, që tradita e lidh me emrin e tij, me gjasë duhet mbajtur autori i tij. Më pas alfabeti u krijua përsëri nga fundi i shekullit të kaluar, por nuk u përhap jashtë Elbasanit; dhe madje atje numri i njerëzve që e njohin nuk është më i madh se pesëdhjetë. Nga një shkrim i vogël i shtypur në Lamie në vitin 1861 del se njëfarë Naum Bithkuqi deshi të shkruajë shqipen me shkronja sllave; ndonjë gjë më të saktë për metodën e tij nuk munda të mësoj. Në çdo rast kjo përpjekje është në bashkëlidhje me atë të gjuhëtarit të njohur Kopitar, i cili në një disertacion, që për atë kohë ka qenë pa dyshim i shkëlqyer, i botuar në Vjetarin vjenez të letërsisë të vitit 1829 (f. 50-106), trajtoi gjuhën rumune, bullgare e shqipe në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, e veç kësaj jep një provë nga gjuha shqipe (parabola e djalit plangprishës nga Ungjilli i Sh. Lukës), në të cilën e shkroi tekstin me shkronja latine, duke u ndihmuar edhe me shenja cirilike. Me alfabetin grek u bënë shpesh përpjekje, sidomos nga një toskë i frymëzuar nga dashuria për të kaluarën dhe për të ardhmen e popullit të tij, në një gazetë të themeluar në Lamie në vitin 1860. Pa dyshim përdorimi i alfabetit latin, i plotësuar me disa shenja është jo vetëm i përshtatshëm për qëllime shkencore, por është edhe i arsyeshëm nga ana praktike, pasi atë e përdor pjesa më e madhe e popujve europianë; dhe prandaj në përpjekjet për të krijuar një alfabet kombëtar, të cilat kanë një bazë më reale sesa hamendja për farefisninë e lashtë të pellazgëve me helenët, u mor si pikënisje shkrimi latin. Këto përpjekje janë dy: njëra është bërë nga zoti Kristoforidhi nga Elbasani, dijetar e studiues shqiptar, që ia mësoi shqipen konsullit francez Dozon, dhe që ka në dorëshkrim një fjalor të pasur të kësaj gjuhe.

Në një përkthim gegërisht të Dhiatës së Re, ashtu si dhe në një abetare dhe në një pjesë nga historia biblike ai përdori një sistem shkrimi shumë të lavdërueshëm, domethënë prej shkronjash latine me shenja diakritike, siç i përdorim ne në veprat shkencore dhe siç i përdorin për shembull çekët në alfabetin e tyre tepër racional. I huaji do të dëshironte të shtoheshin edhe thekset, po për vendasit natyrisht nuk janë të nevojshme.

Nuk e di përse përpjekja e dytë e bërë kohët e fundit është larguar kaq shumë nga metoda e Kristoforidhit. Falë mirësjelljes së profesor Comparettit nga Firencja mora një vepërzë të shtypur në Stamboll në vitin 1879, që përmban statutet e një shoqërie të krijuar me qëllimin për të shtypur libra për popullin shqiptar në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë mora një abetare të botuar nga kjo shoqëri, e cila, përveç ushtrimeve të leximit e shkrimit, përmban copa të shkurtra të historisë së Shqipërisë, të gjeografisë, të elementeve të historisë së natyrës, të katër veprimeve aritmetike e gjëra të ngjashme të domosdoshme. Sistemi i shkrimit qëndron shumë më poshtë nga thjeshtësia e qartësia nga ai i përdorur nga Kristoforidhi, pasi shkronjat me shenja diakritike janë zëvendësuar me shkronja të ndryshuara arbitrarisht nga forma e tyre fillestare, ose me shkronja greke të përdorura arbitrarisht. Me të njëjtën ortografi ka filluar të dalë pikërisht tani në Stamboll një gazetë shqiptare “Drita”.

Megjithatë, edhe nëse shqiptarët do të binin në një mendje për të përdorur njërin apo tjetrin alfabet, nuk do të kishin edhe shumë gjëra për të shtypur. Së pari dua të përjashtoj nga ajo që mund të quhet letërsi shqipe, përkthimet e lartpërmendura të porositura nga Propaganda. Unë kam një koleksion të pasur të vepërzave të tilla në dialektin gegë. Meqenëse mënyrat e shprehjes dhe ndërtimet janë shumë të kushtëzuara nga italishtja, sigurisht që shpesh herë dhunojnë frymën e gjuhëve të tjera, kështu që në këto përkthime, që nuk janë as të një Schlegeli as të një Heyse, nuk mund të presim të gjejmë një shprehje besnike të shqiptimit shqip të pastër e burimor. Megjithatë për gramatikën e për fjalorin kanë disa vlera. E njëjta gjë vlen për përkthimin e Biblës. Përkthimi toskërisht i Dhiatës së Re, për të cilëm folëm më lart, botuar në Korfuz më 1827, u rishtyp në Athinë në vitin 1858; ajo qe minierë e çmueshme për punimet gramatikore të Xylanderit dhe të Hahnit. Veç këtyre munda të njihem me disa përkthime më të reja. Dhiata e Re u shtyp në Korfuz në vitin 1870, Psalteri qysh në vitin 1868 në gjuhën shqipe me shkronja greke; dialekti edhe këtu është toskërishtja; përkthyes është zoti Kristoforidhi. Por shumë më interesante janë përkthimet e këtij të botuara në vitin 1872 në Stamboll, domethënë ai i Dhiatës së Re dhe i Psalmeve në dialektin shumë më të panjohur të Shqipërisë së Veriut, domethënë në gegërishte. Më në fund princi Luciano Bonaparte, i njohur për hulumtimet e tij gjuhësore sidomos për dialektet italiane dhe për baskët, përktheu Ungjillin e Sh. Mateut në dialektet e shqiptarëve të Piana dei Grecit në Sicili, të Frashinetës në Kalabri dhe të Shkodrës, dhe e nxori në botime shumë elegante në Londër në vitet 1868-70.

Alfabeti i përdorur këtu për gjuhën shqipe është më i thjeshti dhe më i miri që njoh; për fat të keq librat u shtypën në pak ekzemplarë, prandaj janë pak të njohur; ksomblat që kam, ia detyroj mirësjelljes së zotit Comparetti nga Firence, si edhe vetë princit Bonaparte.

Nëse unë ia jap vendin e parë veprimtarisë letrare të arbëreshëve të Italisë, këtë e bëj sepse pikërisht atje sundon prej kohësh një jetë e gjallë intelektuale, e cila tek ne është krejt e panjohur, e madje edhe në Itali mezi vihet re.

Klasa e kulturuar e arbëreshëve merr pjesë gjallërisht në zhvillimin politik e letrar të atdheut italian (deputeti i njohur e i famshëm Crispi është një arbëresh nga Sicilia), dhe kjo nuk ua zbeh dashurinë e thellë për kombësinë e tyre. Duke pasur parasysh pozitën e jashtëzakonshme që vazhdojnë ta gëzojnë arbëreshët në Itali në lidhje me kishën – ata janë katolikë romanë të ritit grek – dhe nevojën që rrjedh këtej për të pasur priftërinj bashkëkombas, nuk mund të na habisë fakti që një numër i madh njerëzish me vlerë të lartë intelektuale i është kushtuar priftërisë, dhe se midis shkrimtarëve, pjesa më e madhe janë priftërinj.

Për atë që do të mësojë hollësisht rreth kësaj veprimtarie letrare, që nuk u shua kurrë që nga fillimi i këtij shekulli, mund ta udhëzojmë te një disertacion i princeshës Elena Gjika, e cila me pseudonimin Dora d’Istria shkroi shumë për popujt ballkanikë, dhe në të gjitha shkrimet e saj shfaqi një mirëkuptim të hollë për gjithë ç’ishte kombëtare e popullore. Disertacioni u botua në revistën Indépendance hellénique, dhe u përkthye e botua si broshurë në italisht nga zoti N. Camarda (Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale, Palermo, 1867).

Lënda e mbledhur këtu është më e plotë sesa në traktatin më të vjetër të G. Stierit “Die Albanesen in Italien und ihre Literatur”, e shtypur në “Periodico mensile universale” të vitit 1853, f. 864-874, i cili në thelb mund të mbështetet në shkrimin e përmendur më parë të Vincenzo Dorsës. Unë nuk dua ta mbaj më gjatë lexuesin as mbi Jul Varibobën, i cili ashtu si murgu Otofrid iu përkushtua historisë së shenjtë dhe shkroi një poezi në rimë për jetën e Shën Mërisë së Virgjër, as mbi Anton Santorin, i cili më 1848 kompozoi një himn plot frymëzim për lirinë, dhe quhet autor novelash dhe i një drame, as për të tjerë, veprat e të cilëve ose nuk u shtypën kurrë, ose unë nuk i pata para syve. Do të mjaftohem të them diçka për poetin më aktiv e të ndritur të arbëreshëve të Italisë, Jeronim de Radën. Ai është me prejardhje nga San Demetrio në Kalabrinë Latine, dhe familja e tij përmendet që në shekullin XVI. Poezitë e tij, të hartuara pjesërisht para vitit 1848, por të rishtypura herë pas here në Napoli deri vitet e fundit, trajtojnë tema nga legjenda heroike e Shqipërisë nën udhëheqjen e Skënderbeut në shekullin XV. Ai e mori shtysën nga këngët popullore, siç këndohen edhe sot ndër bashkatdhetarët e tij, dhe në poezitë e tij u përpoq të përshtaste formën e kësaj poezie popullore për poezinë artistike. Sipas mendimit të tij ndër shqiptarët e atdheut të tij ekzistojnë cikle këngësh, si ato që kërkimet shkencore i kanë mbajtur si parathënie e themel të poezive homerike dhe të epopeve të tjera më të lashta. Më vonë, në vitin 1866, ai i botoi ato këngë popullore shqiptare, duke i titulluar “Rapsodi të një poeme shqiptare”, nga e cila disa pjesë u riprodhuan në faqet e kësaj reviste nga zonja Caterina Pigorini Beri në vitin 1883 me titullin Passeggiate in Calabria. Në të njëjtën formë që De Rada u përpoq të përcaktojë për poezinë popullore të arbëreshëve të Kalabrisë, janë hartuar edhe poezitë e tij origjinale. Figura e De Radës ka diçka prekëse; ai plak, i goditur së fundi nga vdekja e të gjithë pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë e anësorë, nuk lodhet së luftuari me fjalë e pendë për kombin e tij që e do mbi çdo gjë tjetër dhe për të cilin prej disa kohësh ka themeluar deri edhe një gazetë shqiptare.

Poeti më i rëndësishëm artistik i lindur mirëfilli në Shqipëri është Nezim Beu nga Përmeti. Pak gjëra janë të njohura nga poezitë e tij, të cilat nuk u shtypën asnjëherë. Ato janë shkruar në të folmen gege, dhe poeti gëzon një nam të madh ndër bashkëkombasit e vet. Zoti von Hahn botoi tetë këngë prej tyre në përmbledhjen e tij me këngë popullore shqiptare; një koleksion i gjerë i poezive të Nezimit të shkruara me shkronja turke thuhet se gjendet në duar të një beu nga Elbasani. Ato që botoi Hahni janë shkruar me frymën sensuale e të shthurur erotike orientale, dhe janë larg nga shija jonë artistike, pasi nuk i drejtohen një të dashure, por një të dashuri. Kjo lloj lirike dashurore, që pavarësisht nga Shekspiri dhe (August) Plateni na duket e çuditshme, i përgjigjet plotësisht një veçorie kombëtare të gegëve. Secili banor i Shqipërisë veriore para se të martohet ka një marrëdhënie të pasionuar, edhe pse krejt platonike, me një të ri tjetër, i cili e keqtrajton po aq sa ndër ne një dashnore e virtytshme apo koketë; këngë të shumta popullore na përshkruajnë mizorinë e të dashurit të ri, admirimin dhe vuajtjet e të dashuruarit.

Frymës së poezive të Nezimit, që përmend Turqinë e Persinë, i përgjigjet edhe forma gjuhësore; me fjalët shqipe është përzier një sasi kaq e madhe fjalësh turke, e relativisht kaq shumë persiane dhe arabe, saqë vetëm kush i njeh gjuhët orientale është në gjendje të kuptojë këto vjersha. Po jap këtu një nga vjershat më të thjeshta të Nezimit në version të lirë.

“Unë jam robi yt dhe ti je i adhuruari im; pra të lutem o xhan, më vra ose më bëj derman; merr e zgjidh çfarë të pëlqen. Tërë kohës po lotoj e dëshpërohem, se jeta m’u mërzit, dhe dua të vras veten që të çlirohem nga kjo dashuri. Asnjë fjalë e mirë s’na ngushëllon; jemi robër të dashnorëve; oh! vdekja na bën derman”.[3]

Në qoftë se me këto poezi nuk mund të flitet për një letërsi kombëtare të shqiptarëve, si shpërblim gjejmë aq më të zhvilluar këngën popullore. Të gjithë popujt e ndryshëm që banojnë pranë njëri-tjetrit në gadishullin Ballkanik, serbët, bullgarët, shqiptarët e grekët, kanë një poezi popullore shumë të pasur në të cilën, ndryshe nga popujt e tjerë, kënga popullore epike shfaqet veçanërisht e kultivuar. Është një çështje me interes të veçantë për psikologjinë e përgjithshme të hulumtohet dhe të paraqitet gjithçka që bashkon këngët e këtyre katër popujve. Ajo shkrimtare plot finesë, që është princesha Elena Gjika (Dora d’Istria), në një artikull plot frymëzim, në Revue des deux mondes të 15 majit 1866, u përpoq të karakterizojë kombin shqiptar nga poezitë popullore. Natyrisht sot mund të thuhet shumë më tepër për këtë temë, pasi qysh atëhere nga ato treva na janë bërë të njohura shumë poezi popullore. Disa prej tyre u botuan nga konsulli francez Auguste Dozon në veprën e tij Manuel de la langue chkipe (Paris, 1879); por pjesa më e madhe gjendet në një përmbledhje shumë të pasur, që botoi në Aleksandri në vitin 1878 një toskë që jeton në Egjipt, zoti Mitko, me titullin “Bleta shqiptare”. Me këtë libër është vërtetuar si e sigurt ajo që më parë dyshohej, domethënë se edhe te shqiptarët jeton në këngë kujtimi i ngjarjeve të ndryshme të historisë kombëtare. Sigurisht ngjarje të kohëve moderne, sepse edhe në këtë përmbledhje më kot kërkohet heroi i madh kombëtar i mesjetës, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Për të këndohet ende sot vetëm ndër arbëreshët e Italisë, siç tregojnë të lartpërmendurat “Rapsodi” të zotit De Rada. Në to heroi, që “në verën e nxehtë shkul lisat dhe i bën freskore”, arrin deri në figurën e gjigantit.

Në këto këngë gjëllijnë ende të gjitha tmerret e kohës turke, të cilat i panë me sy paraardhësit e përtejdetit.

Në një kullë të vetmuar pranë detit qëndron i burgosur djali i vetëm i vejushës. Kalon në fluturim një trumbë zogjsh, dhe ashtu si i burgosuri në gjirin e Mauritanisë në poezinë e bukur të Béranger-së, ai i pyet nëse vijnë nga atdheu i tij. “Jo, por do të kalojmë nga fshati yt.” Atëhere ai i lutet një zogu t’i shpjerë një letër nënës së tij.

“Kur të mbërrish te porta ime, atje është një ulli; ulu mbi atë ulli, shkund e rrih krahët, se prej teje do të bjerë letra. Do të dalë nëna ime në mëngjes për të parë këto male dhe do të shohë letrën; e merr dhe shkon te i dituri: Kam gjetur këtë fije letër. – Kjo është letra e tët biri dhe thotë që yt bir do të vijë. Kur deti të bëhet vreshtë, atëhere yt bir do të vijë; kur lisi të bëjë arra, atëhere yt bir do të vijë”.

Një nokturn edhe më të zymtë gjejmë në poezinë popullore: Një turk ndjek në male një vashë, e kap dhe e lidh nga gërshetat pas bishtit të kalit të tij. Ulërimat e së gjorës që hiqet zvarrë jehojnë në lugina. Katër shqiptarë, që rrinë në pritë duke gjuajtur drerin, i dalin përballë kalorësit. I pari hap zjarr dhe gabon, po kështu i dyti dhe i treti, por Nik Peta e qëllon turkun në zemër. Ai ndalon kalin, dhe kur hedh sytë te vajza njeh gruan e tij që po jep shpirt.

Por turqit dridheshin kur Skënderbeu zhvishte shpatën, dhe si Cidi spanjoll edhe pas vdekjes, i lidhur fort mbi kalin e tij Babiesa u kallte tmerrin arabëve, ashtu dhe heroi ynë në çastin e vdekjes u thotë besnikëve të tij:

“Mbi kokën e kalit shpalosni flamurin tim në erën e detit, në mes të flamurit lidhni shpatën time. Kur të fryjë tramundana e fortë, kali do të hingëllijë, flamuri do të valëvitet dhe shpata do të tringëllijë; turku do ta ndiejë dhe i frikësuar do të kujtojë vdekjen që fle në pallën time dhe nuk do t’ju ndjekë andej nga do të shkoni.”

Përkundrazi në këngët e mbledhura nga Mitkoja fondin themelor e formojnë luftërat e Ali Pashës; por edhe ngjarje më të reja i dhanë subjekt poezisë popullore, siç ishin luftërat kundër boshnjakëve dhe malazezëve. Që të ketë mes këngëve popullore të Epirit, siç njofton Biondelli, një këngë lufte që nga koha e Pirros, lejohem ta vë në dyshim, aq më tepër që edhe për Biondellin një këngë e tillë mbeti e panjohur. Askujt nuk do t’i shpëtojë afërsia e madhe që ekziston mes këtyre këngëve shqiptare dhe këngëve greke të kleftëve të Epirit. Po citoj këtu si provë një këngë të vjetër e shumë të njohur për vdekjen e një të mercenari të ri shqiptar.

“Mbeçë, more shokë, mbeçë përtej urës së Qabesë. Jepini të fala nënës dhe i thoni të m’i shesë qetë dhe t’i japë paratë nuses sime. Nëse pyet nëna për mua, i thoni  se u martua, nëse pyet se ç’nuse mori, i thoni, tre plumba krahërorit, gjashtë në këmbë e gjashtë në krahë; në pyet se ç’krushq i vajtën në dasmë, i thoni se korbat e sorrat e hanë.”

Në përgjithësi këngët popullore erotike të shqiptarëve lënë për të dëshiruar atë thjeshtësi e atë butësi që i dallojnë kaq shumë këngët greke. Sensualiteti është më i ashpër, ekspozicioni më i ngarkuar dhe më afër frymës së popujve orientalë. Megjithatë hasen atje mendime të brishta e plot frymëzim, sidomos në improvizimin e katër vargjeve, që me një fjalë turko-arabe quhen bejte.  Këto përfaqësojnë këtu formën më të lashtë të këngëve popullore të dashurisë, dhe mund të krahasohen me kuartinat e italianëve veriorë dhe me distikët erotikë grekë, të cilat vetëm në dukje përbëhen prej dy rreshtash, pasi secili nga vargjet “qytetare” që sundojnë gjithë poezinë popullore greke shpërbëhet vetvetiu në dy gjysma. Folëm më parë për veçorinë që një pjesë e madhe e erotikës shqiptare i drejtohet një djali të ri. Këtu po sjellim disa shembuj të kthyer në prozë. I dashuruari ndalon në rrugë dhe bën gjeste të ëmbla drejt dritares së të dashurit:

“Si një gur mbeta në rrugë – dhe kushdo më shkel me këmbë; – trëndafili në saksi – dhe ne shihemi sy më sy.”

Bukuria e të dashurit edhe në dimër pasqyron pranverën:

“Jaseminë e narcizë – kurrë nuk pashë në dimër – më thuaj në ç’vend i mblodhe – që të na sjellin pranverën.”

I dashuruari i kërkon të dashurit një fjalë të vetme miqësore:

“O i dashur, do të të them një fjalë; – plotësoma! – “Ti e di, o i dashur, sa të dua, – fol e më thuaj një fjalë.”

Por ai është më mizor se malet e ashpra:

“Këto male me dëborë – si vajtojnë mbi vuajtjen time! – Ç’ke, o i dashur, që s’flet me gojë! – Oh, Zoti të vraftë!”

Megjithatë ai është mendimi i vetëm i adhuruesit, të cilin e ndjek imazhi i tij edhe në xhami dhe në gjumin më të thellë:

“Kur arrita në xhami, – vështrova rretheqark; – ç’më ka ikur mendja! – Në faqe më rridhnin lotët.”

“Edhe gjumë kur fle – më djeg dashuria për ty; – derisa të vdes – nuk do të ndahem prej teje, o i shtrenjtë.”

Nuk dua të përmend proverbat dhe gjëegjëzat shqiptare; dhe do të trajtoj akoma edhe një anë tjetër të letërsisë popullore, domethënë përrallën. Zoti von Hahn në veprën e tij “Përralla greke dhe shqiptare” (Laipcig, 1861) botoi nëntë përralla shqiptare të përkthyera; njëzetekatër gjenden në tekstin e tyre origjinal në librin e Dozonit, i cili botoi edhe një përkthim frëngjisht të tyre, dhe dymbëdhjetë të tjera në “Bletën shqiptare” të Mitkos. Edhe këtu gjejmë temat e njohura të përrallave, që, në vijim të hulumtimeve të vëllezërve Grimm, u vërtetuan që gjendeshin tek të gjithë popujt europianë: Borëbardha (në dy versione, Hahn nr. 103, Dozon nr. 1), Vëllai i vogël i shndërruar në qingj (këtu në dhi; Mitko 1), Vëllezërit që bëjnë çudira (Dozon 4, Mitko 10), Përralla e Fatbardhit (Mitko 9) etj., etj. Për të treguar që edhe ekspozicioni i këtyre përrallave është shumë i lehtë, po përkthej këtu përrallën “Borëbardha” siç e ka Dozoni; lexuesi mund ta krahasojë me përrallat siciliane nr. 2-4 në përmbledhjen e Laura Gonzenbachut, dhe me atë të popujve të tjerë që ka shtuar në shënime Reinhold Köhler.

“Na ishin një herë tri motra; më e vogla, Fatimja, ishte më e bukura nga dy të tjerat. Një ditë motrat u ngritën dhe pyetën diellin: “Diell o diell i dashur, kush është më e bukura nga ne?” “Fatimja”. Atëhere dy të tjerat vranë mendjen ç’mund t’i bënin dhe i thanë njëra-tjetrës: “Nesër do bëjmë sikur shkojmë për dru, do të ngrihemi para Fatimes dhe do t’i themi: Do të na gjesh atje ku do të varim kungullin.” Kështu vendosën, dhe ditën tjetër i thanë Fatimes: “Ti pastro shtëpinë, ne po shkojmë për dru, dhe do na gjesh atje ku do të varim kungullin.” Dy motrat dolën jashtë dhe Fatimja, pasi pastroi shtëpinë, shkoi atje ku ishte varur kungulli. Kërkoi andej-këtej, por nuk i gjeti motrat. Atëhere u end nëpër pyll duke kërkuar rrugën, por s’gjeti gjë. Ndërkohë u bë natë dhe ajo u ngjit në majë të një peme. Atëhere pa nga larg një dritë të zbehtë, vajti në atë drejtim dhe duke u lutur me zjarr hyri në një shtëpi.

“Mirëpo ajo shtëpi ishte banesa e dyzet hajdutëve, të cilët natën dilnin për plaçkë dhe ditën ktheheshin në shtëpi. Si zakonisht edhe atë ditë erdhën në shtëpi, goditën derën me një pushkë dhe ajo u hap e ata hynë brenda. Pasi u ulën në tryezë, vunë re se gjellët nuk ishin gatuar nga dora e shërbëtorit të tyre. Pra ky kishte ngarkuar Fatimen të gatuante gjellët, ngaqë ishte dashuruar pas saj. Ata i thanë shërbëtorit: “Ke njeri në shtëpi?” “Ai në fillim nuk deshi të tregonte gjë, por më në fund u tha të vërtetën. Atëhere secili prej tyre donte ta merrte për vete, por për të mos u zënë ia dhanë shërbëtorit. Dhe që atëhere edhe shërbëtori dilte me ta dhe dyzet hajdutët e donin Fatimen si motër dhe i sillnin në shtëpi shumë gjëra të bukura.

“Por motrat e saj e morën vesh që Fatimja ishte gjallë dhe ishte martuar. U zemëruan shumë dhe vendosën t’i gjenin anën e ta vrisnin. Një ditë i dërguan me një shërbëtore një gjerdan ari që e kishin helmuar, që kur ta vinte të vdiste. Shërbëtorja shkoi, e përshëndeti siç e kishin porositur motrat, dhe i dha gjerdanin; dhe ajo me ta vënë, vdiq. Hajdutët erdhën dhe goditën me pushkë që ajo, si zakonisht, t’u hapte derën; por më në fund, meqë nuk po u përgjigjej njeri, e shpërthyen dhe hynë brenda. Atëhere panë Fatimen të shtrirë në mes të dhomës. E tundën nga të gjitha anët, më në fund i hoqën gjerdanin dhe sakaq ajo u ngjall. Atëhere ajo u tregoi si kishte vdekur, dhe kur ata e dëgjuan i thanë që herë tjetër të mos pranonte gjë nga motrat.

“Kur ditën tjetër motrat dëgjuan që ajo s’kishte vdekur, i dërguan me të njëjtën shërbëtore një sitë plot me flori. Fatimja u magjeps prej tyre, dhe sapo i ranë nga sita florinjtë në rroba, vdiq prapë. Hajdutët u kthyen me shërbëtorin e tyre nga plaçkitja dhe si e gjetën të vdekur, e kontrolluan gjithandej dhe i gjetën florinjtë që i kishin rënë në gjoks, e kështu ajo u ngjall përsëri. Atëhere e këshilluan më me ngulm të mos pranonte asgjë nga ç’i dërgonin motrat; po ajo prapë u magjeps, sepse ditën e tretë motrat, që kishin dëgjuar që ishte ngjallur prapë, i dërguan një unazë. Fatimja e mori, dhe me ta vënë në gisht, vdiq edhe një herë. Hajdutët u kthyen nga plaçkitja dhe e gjetën përsëri të vdekur; kërkuan andej-këtej, por nuk u shkoi në mend t’i shihnin duart dhe atëhere filluan të qanin.

“Pastaj e vunë në arkivol, e mbuluan dhe e vendosën në një pemë, në këmbët e së cilës ishte një burim. Një ditë në atë burim shkoi një stallier i mbretit për t’i dhënë ujë kalit; por kur iu afrua burimit kali iku dhe nuk deshi të pijë, sepse në ujë pasqyrohej pamja e arkivolit. Stallieri u kthye te mbreti dhe i tregoi ç’kishte ndodhur; atëhere mbreti shkoi vetë atje, dhe meqë kali iku përsëri, vështroi ujët dhe pa pasqyrimin e arkivolit. E zbriti poshtë nga pema, dhe kur pa se në të ishte një vajzë e bukur, e mori arkivolin me vete dhe e mbylli në një nga dhomat e tij. Fatima, duke ndenjur shtrirë e vdekur për një kohë të gjatë, filloi të dobësohej dhe atëhere i ra unaza nga gishti, dhe ajo u ngjall përsëri, dhe mbreti e mori për grua. Ajo u plak dhe jetoi e lumtur.”

Shihet qartë se në fushën e letërsisë nuk rritet dafina për të cilën synon apo mund të synojë shqiptari. Ashtu si njëmijë a dymijë vjet më parë, edhe sot ai është thjesht luftëtar. Trimëria dhe dashuria e zjarrtë për atdhe janë cilësitë më fisnike të një shqiptari. Për vite me radhë, shpesh deri në gjysmën e jetës së tij, ai shërben si ushtar në vende të huaja dhe shikon zakone më të lira dhe jetë më të këndshme; por kur kthehet, malet e egra dhe luginat shkëmbore e të thikëta të atdheut janë për të po aq të dashura sa në kohën kur në ato vise i ati për herë të parë i kishte mësuar të përdorte pushkën. Në një strofë të bukur të “Pelegrinazhit të Çajld Haroldit” lord Bajroni lëvdoi virtytet luftarake të shqiptarëve: “Të pagdhendur janë bijtë e Shqipërisë, por kjo racë krenare malësore ka edhe virtyte që e zbukurojnë. Kur ndonjëherë ua panë shpinën armiqtë? Kush e duron më me guxim se ata mundimin e luftës? Të fortë si shkëmbi qëndrojnë në betejë dhe në vështirësitë e katastrofave; zemërimi i tyre sjell vdekjen, e kulluar është miqësia e tyre; nëse nderi e mirënjohja i shtyn drejt vdekjes, hidhen verbërisht në luftë nën komandën e zotit të tyre.”

Por kjo mbyllje është ndoshta më poetike dhe optimiste sesa e saktë.

Sigurisht shqiptari është besnik ndaj vëllait të gjakut, që ka pirë në një filxhan me verë gjakun e tij përzier me të vetin; po përndryshe shokë të pandarë të tij janë mashtrimi dhe tinëzia.

Jeta e orientalit nuk është si jona e mbrojtur nga ligji; gjithkush duhet të qëndrojë syçelët kundër të tjerëve; që këtej vjen edhe dinakëria e finokëria më e madhe, por që këtej vjen edhe sinqeriteti më i paktë dhe besimi i paktë i gjithë orientalëve.

Te asnjë njeri tjetër cilësitë qoftë të mira qoftë të këqia të shqiptarit nuk gjetën shprehje kaq të plotë sa tek Ali Pasha, zot i Janinës. Nuk duhet të jemi sentimentalë, nëse duam të vlerësojmë denjësisht këtë figurë demoniake. Vështirë një tjetër mund të realizojë kaq besnikërisht idealin e princit të Makiavelit. I shtyrë në karrierë nga e ëma dhe e motra me gjakimin e jashtëzakonshëm për hakmarrje, që me papajtueshmërinë e saj të tmerrshme të kujton Krimhildën e epikës heroike gjermane, gjatë gjithë jetës së tij ai, me këmbëngulje e guxim, grabiti e vrau, fshehu e gënjeu, bëri be të rreme dhe u tall me marrëveshjet; e megjithatë të ngjall në shpirt një ndjenjë thuajse mëshire kur tirani, plak tetëdhjetë vjeç dhe i braktisur nga të gjithë, herën e parë kur beson pa dyshuar, goditet në zemër nga hanxhari i mysafirit të tij. Një njeri i trajtuar nga Napoleoni me kaq dashamirësi, pa dyshim që nuk ishte njeri i zakonshëm. Dhe në të vërtetë jeta e tij iu kushtua realizimit të dy ideve të mëdha politike. Në njërën dështoi, nuk arriti ta çlirojë atdheun e tij nga sovraniteti i Portës së Lartë; por tjetrën e kreu. Si në Francë Luigji XI, ashtu dhe ai në Shqipëri e theu pavarësinë e krerëve të veçantë, dhe në këtë mënyrë i dha fund mesjetës për vendin e tij. Ai qëndron në kufirin e fundit të historisë moderne të Shqipërisë. Natyrisht pas vdekjes së tij shpërthyen përsëri armiqësitë mes fiseve, dhe ekzistenca e gjakmarrjes tregon se atje mesjeta la gjurmë shumë më të thella se tek ne, por fakti që sot ekziston një Lidhje shqiptare tregon që mendimi unitar i Ali Pashës jetoi edhe pas tij. Dhe jetoi edhe kujtimi i luftërave të tij të lavdishme, dhe shqiptari turk mund të këndojë edhe ai himnin luftarak të Bajronit:

Kurrë gjysmëhëna, nga Muhameti e këha,
S’pa një hero të lavdishëm si Ali Pasha.


Falënderojmë Anila Omarin që pati mirësinë të na e dërgojë këtë artikull të albanologut Gustav Meyer, botuar më parë në Milosao, 22 dhe 29 nëntor 2015; dhe pastaj Studime Filologjike, nr. 1-2 2015. Po e risjellim këtu edhe si pjesë të një debati, që po duam ta mbajmë të hapur, për orientimin ideologjik të albanologjisë këta dy shekujt e fundit.

[1] Marrë nga: G. Meyer, “Della lingua e della letteratura albanese”, Nuova Antologia, vol. L, Serie II, 1885, f. 585-607. Përktheu Anila Omari.

[2] Disa nga etimologjitë latine të Meyerit janë ripërcaktuar nga dija e mëvonshme, khs. E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, vëll. I-VII. (Shën. i përkth.)

[3] Ja dhe versioni origjinal i Nezimit: “Më ke rop e të kam xhan. Shpirti im ashtu më rrush; No më vra no më ban derman, Merr e sgjith cin të dush. Qaj e qaj e po pëlcas, Se mu ka mërzit dynjaja, Ne vetvetën dua t’a vras, Të shtëpoj nga sëvdaja. Mbi gjith’ këto hallë që kemi Dylberat’ me goj’ s’na flasin; Na qolet’ e tynë jemi, Makar le t’na vrasin.”, shih R. Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Tiranë, 1997, f. 54.

(http://www.elsie.de/pdf/B1997HistLetShqip.pdf)

 

6 Komente

  1. Nuk doja, por s’e mbaja.
    Ndiqni kete video “wildes albanien i am land der adler” ne minutat: 1,57-2; 2,56-; 7,25 -7,40; 7,50 -8; 14,17-15; 15,30-15,40; 16,36-17; etj.
    https://www.youtube.com/watch?v=pQblJLZRt7Q

    Dhe tani Gustav Mayer-i:
    “Janë bërë orvatje për të shpjeguar këtë fjalë, duke e rrjedhuar nga emra që kanë kuptimin “shqipe” apo “shkëmb”; por i vetmi shpjegim i mundshëm është ai nga folja shqiponj “kuptoj”. Pra shqiptar nuk do të thotë tjetër, veçse “ai që kupton”; dhe pikërisht kështu shqiptari quan atë që kupton gjuhën e tij. Emërtimi është relativisht i ri, sepse folja është marrë nga latinishtja excipere “kuptoj”.”

    Ja dhe emertimi i ketij shpendi ne gjuhet te tjera:
    gjermanisht -adler; anglisht -eagle; italisht – aquila; greqisht – aetos; serbisht – orao; rusisht – orel; rumanisht- vultur; frengjisht – aigle; hungarisht – sas; estonisht – kotkas; irlandisht – lolar; baskisht – arrano; armenisht – artsiv; turqisht – kartal; arabisht – nasir; mongolisht – byrget; japonisht – washi…

    Tani, une nuk besoj se midis emertimit “Shqi(y)pe” dhe tingujve te ketij shpendi “Shqi(y)p” nuk ka lidhje. Pra nuk besoj se fjala njerezore Shqip eshte koiçidence me tingujt e Shqiponjes.
    Nga gjuhet e botes vetem gjuha jone perdor tingujt e ketij shpendi per ta emertuar ate vete.
    Un nuk besoj se Shqiperimin e Shqipes (analogjikisht me cicerimen e zogjve)mund ta kete degjuar kush, veç banoreve te lartesive, ne kohen kur mungonte elektronika.
    Deri ketu, do t’me turreshin letshem. Por nese do te shtoja se si pasoje fakteve te lartpermendura, burimi i fjales “shqip” me shume mundesi ka te kete prejardhje nga kjo jo/koiçidence, sesa nga latinishtja “excipere”, gjykatesit do t’me çonin ne turren e druve.

    1. Unë nuk do t’ju digjja në turrën e druve – por vetëm do t’ju vija në dukje që po harxhonit kohë me hulumtime në një fushë që duket se nuk është juaja.

      1. E para, videon duket qe nuk e ke pare.
        e dyta, kur ta shohesh (megjithese dihet qe s’ke per ta pare) jep mendim nese eshte koiçidence a jo.
        dhe pas kesaj s’ka rendesi ç’do te thuash, se mendimi yt dihet qe perfundimet e nje shkencetari A jane dhe mbeten shkencore edhe nese nje shkencetar B verteton shkencerisht gabimin e A-se; çka do te thote se seria mund te vazhdoje deri ne fund te alfabetit, per te rifilluar me germat e vogla – e keshtu pa fund. Bisede e vjeter kjo. Por une nuk po vazhdoj me se e di qe e ke gati kartonin e kuq.

        1. Dakord. Po ju nuk është se e latë komentin për të angazhuar patjetër mua: unë e lashë mendimin tim, si komentues. Jo si moderator. Kur flas si moderator, kujdesem që ta saktësoj këtë – se përndryshe kam dëshirë të marr pjesë edhe në diskutime. Dhe ju kujtoj se ndjesinë e fajit dhe të viktimës e sollët ju në koment, jo unë (se po flas si Skënderbeu tani).

  2. Po e gjithe kjo nuk ka kuptim nese ju nuk i hidhni nje sy videos, me kufje sigurisht. Une qellimisht kam shenuar dhe minutat ku mund te dallohet per çfare flas, se e di qe s’ka nge njeri te ndjeki 45 min video.
    Pastaj, s’merrem fare une me hulumtime ne fushe te etimologjise. Pse solla nje kuriozitet? apo meqe shtrova diku tjeter nje pyetje per dyrrenjeshen -me hanger? pyetje ishte dhe ajo; dhe nuk e turrem te them se mbeti (?) pa pergjigje…

    Po hajt mo.

  3. Hajt mo, po futem dhe une si pyke. Per ne “pykat” qe s’dime gjermanisht, cfare thote gjermoni, ne keto minutat e cituara ?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin