Luaj shpesh videolojëra (në PC), edhe pse i kam lënë pas kohët e arta të Half Life 1&2 (plus Episode 1 & 2), Crysis 1,2 & 3, Far Cry, Bioshock dhe Doom, për të kaluar më shumë orë, vitet e fundit, me Warhammer 40K (real time strategy) dhe FIFA (futboll). Në disa nga lojërat, shijoj dizajnin dhe arkitekturën; madje aq fort sa kjo besoj më ka ndikuar edhe në skenografinë e ëndrrave që shoh.
Herët në vitet 2000 pata luajtur me pasion të madh SimCity, një simulacion, ku të duhet të ndërtosh dhe të zgjerosh një qytet tëndin, në luftë me kufizimet e buxhetit. SimCity kërkon angazhim të madh dhe të streson; pasi dhashë e mora të mbajta në kontroll krizën financiare të qytetit “tim”, erdhi një moment kur u lodha, gjeta diku një cheat code, e mbusha arkën e Bashkisë me verdhushka dhe pastaj thjesht vazhdova të zbavitem me qytetin, duke shpenzuar si magnat i naftës në Emiratet dhe duke e bërë Utopinë time përditë e më ekstravagante (një qytetar – një aeroport ose marina), derisa më ndodhi një crash i hatashëm (ndoshta ngaqë zemërova zotat në Olimp) dhe ashtu edhe nuk e rifillova lojën më, sepse m’u dëmtua skedari me të dhëna.
Kur e kisha vajzën të vogël, e kishim zakon të luanim bashkë, me orë dhe për muaj me radhë, një “lojë aventurë”, Syberia 1 (dhe pastaj 2), duke zbuluar një botë të panjohur, me sfida dhe mistere, në zemër të ish Europës lindore dhe Rusisë. I mbaj mend mirë edhe mjediset e lojës, të dizajnuara nga Benoît Sokal, që të çonin te një Mitteleuropa melankolike, të tillë që nuk e gjen dot as në realitet: disa nga dizajnet e lojës i “rinjohëm”, me vajzën, kur shkuam pak vite më vonë në Parkun Zoologjik të Vjenës.
Kam më se një çerek shekulli që luaj dhe rrallë më ndodh që një “koncept” videoloje të më kapë në befasi, për sugjestivitetin. Por më ndodhi kështu para pak ditësh me Townscaper, një lojë e vogël për PC ende në early access e krijuar nga Oskar Stålberg, ku lojtari vihet të ndërtojë qytetin e vet, duke pasur në dispozicion të njëjtin bllok ndërtues, dy veprime elementare me mí (klikim majtas, klikim djathtas), një paletë ngjyrash dhe një rrjetëzim (grid) të rrotullueshëm, me pamje uji – det, ndoshta edhe liqen.
Qytetin ti e ndërton izometrikisht, bllok pas blloku, sipas dëshirës, gjithnjë duke filluar nga një shtëpi e vetme. Kodi vetë krijon rregullisht variacione, në bazë të konfigurimit prej teje të blloqeve – duke shtuar një verandë ose një ballkon, duke e bërë një çati me spirë, duke krijuar portale me harqe ose lulishte ose shkallë që zbrezin deri poshtë te plazhi. Mund të ngresh kulla dhe të ndërtosh magazina industriale, stalla kuajsh, saraje princeshash, fortifikime, ura të varura dhe pallate banimi masive, si Shallvaret e Tiranës. Madje edhe The Grand Budapest Hotel, po të kesh oreks për torta me shurup trëndafili. Rrjetëzimi nuk është ortogonal, por pak off, si një farë tjegullzimi aperiodik, rrugët dhe muret gjithnjë do të shkojnë horizontalisht pak shtrembër. Nëse nuk ndërhyn te një mëhallë për një copë herë, në çatitë e saj ulen dhe rrinë pëllumba. Mes dy kullave, mund të qëllojë që të shfaqen flamurka, ose litarë me rrobe të nderura. Banorët nuk i sheh askund, qyteti është gjithnjë bosh, si në karantinë; por jo i vdekur. Lojën nuk mund ta fitosh, as ta humbasësh; madje krijuesi i saj, Stålberg, e quan toy, “lodër”, të krahasueshme me blloqet lego, ose me lodra të tjera ndërtuese. Ndryshe nga shumë lojëra të tjera, sekreti i saj është thjeshtësia, qetësia, qetësimi; madje shija zen e të luajturit. Teksa qyteti yt merr formë, me qiellin në sfond, ti përjeton një lloj shpengimi metafizik. Mbase kjo nuk u ndodh të gjithëve, por besoj nuk do të jem i vetmi.
Loja është procedurale – imazhet e qyteteve përftohen automatikisht nga kodi, në bazë të konfigurimeve të lojtarit; çfarë edhe e bën eksperiencën e të luajturit të ngjashme me një test Rorschach, vetëm se këtu je ti, i testuari, që e dizajnon edhe testin, duke i dhënë një pamje arkitektonike fantazive të tua arbitrare. Çfarë më tërheq edhe më, është që nuk mund të ndërtosh dhe as të shkatërrosh shpejt; blloqet duhet t’i vendosësh njërin pas tjetrit, dhe nuk zhvendos dot blloqe blloqesh, as ndërtesa të gatshme (si në SimCity). Blloqet janë modularë, por edhe nuk të lënë të “gabosh” dhe as ta “dreqosësh”.
Mendova të shkruaj për këtë lojë se më ngacmoi, pse m’u duk e freskët në koncept; por edhe për një arsye tjetër – ndryshe nga shumë video-lojëra të tjera (Doom?), Townscaper më duket e përshtatshme që ta luash me fëmijën: E thjeshtë, meqë kërkon vetëm lëvizje dhe klikime të miut; ekscesive – në kuptimin që ndërtimi nuk ka kufij të tjerë veç durimit – dhe fëmija mund ta përfundojë më në fund rrokaqiellin 200-katësh, që nuk e realizoi dot kurrë me lego; e ngjyrshme, me një paletë si karamele; sugjestive, meqë ndërtesat, pallatet, kështjellat, tempujt me pak fantazi mund t’i shndërrosh në vende rrëfimi, ku të ankorosh një përrallë, një aventurë, një dëshirë, një enigmë; dhe, më në fund, e lirë: 6 USD, tani që shkruaj. Fëmija mund të ndërtojë shtëpi dhe pallate/kështjella për personazhet e veta të preferuara, duke e përdorur hapësirën e lojës si skenë, dhe mund të eksperimentojë me kombinime hapësirash dhe ngjyrash pa pasur frikë se mund t’i shkasë dora dhe ta prishë të gjithën.
E kam blerë dhe shkarkuar nga platforma Steam (https://store.steampowered.com/), por me siguri do të ketë edhe opsione të tjera.
Shkrova me shpresën për ta ndarë, qoftë edhe me një lexues të vetëm, kënaqësinë.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Faleminderit për këtë shkrim. Kam lexuar sa e sa shkrime të tuat mirpo nuk ma merrte mendja që do shkruaje edhe për videolojra. SimCity e kam luajtur edhe unë, në versionin mobile, pastaj e lashë.
Do të të sugjeroja një lojë mjaftë të bukur për citybuilding apo survival, për PC, e vogël dhe e thjeshtë: Banished. Besoj se mund ta gjesh në Steam dhe besoj se ka çmim të lirë. Një tjetër lojë, më e re, shumë interesante, është Dawn of Man. Kjo është më e madhe si lojë dhe do një kompjuter relativisht të mirë. Unë nuk e kam luajtur por kam parë video nëpër jutub dhe dua shumë që ta luaj por nuk ma hap kompjuteri, do kartë grafike të mirë. Nëse ke luajtur FarCry me atë kompjuter atëherë besoj se do të ta hapë edhe këtë lojë. Nëse do e luash para meje lutem për përshtypjet. 🙂
Nëse SimCity të ka pëlqyer atëherë do dashurohesh me Banished apo Dawn of Man. Këto janë kryesisht citybuilding por janë edhe lojëra strategjike. Dhe meqë jemi te strategjitë, kryeloja e të gjithave, për mua dhe jo vetëm, është Rome Total War I. Rrekesh të menaxhosh të ardhurat, qytetet, provincat, ushtritë, senatin në varësi të versionit të lojës dhe sigurisht, të pushtosh në mënyrë që të rrisësh perandorinë tënde dhe të fitosh lojën sipas winning conditions që ke vendosur para se të fillosh të luash. Të gjitha Total War i gjen në Steam. Mjaftë e bukur është edhe Medieval Total War. Sa më i ri të jetë versioni i lojës aq kompjuter më i mirë të duhet. Loja më e fundit e Total War është Troy dhe del në gusht.
Falemnderit, edhe për sugjerimet Kam shkruar edhe herë tjetër për video-lojërat dhe lojërat në përgjithësi (duke filluar nga shahu), jo vetëm se më pëlqejnë dhe kaloj kohë me to – kur mundem; por edhe se më lidhen me interesat më “intelektuale”; p.sh. lidhjet e shahut me linguistikën, që vuri në dukje Saussure-i dhe pastaj u vendosën në themel të çdo didaktike për dallimet mes sinkronisë dhe diakronisë; ose lidhjet e – të them – perspektivës FPS (first person shooter) dhe të ashtuquajturve shifters në gjuhë; ose roli i narratologjisë në lojërat role-playing dhe ato me fund të hapur. Shumë prej nesh e gjejnë të natyrshme të flasin për filmat, ndërsa video-lojërat i shohin si gjëra për fëmijë ose adoleshentë; por në fakt nuk e kanë idenë se çfarë talenti dhe investimesh po derdhen sot në atë sektor dhe sa inovative janë disa prej produkteve.
Për fat të keq, eksperienca e tyre me video-lojërat kufizohet me disa lojëra të vogla në telefon. Në një kohë që magjia e videolojës është edhe te mundësia që të jep, po t’i dorëzohesh, për t’u transportuar në një botë tjetër – jo për ta parë nga larg, si filmin, por për t’u bërë pjesë e saj, për ta modifikuar me vendimet dhe veprimet e tua. Për këtë të duhet edhe një sistem i mirë – por unë sot nuk shoh arsye për të blerë dhe pasur desktop, përveçse për lojëra; aq më tepër që monitorët e mëdhenj kushtojnë tani kaq lirë. Dhe e gjithë kjo, pa folur për realitetin virtual VR, që ende nuk e kam provuar, sepse kam frikë se do të më lërë pa punë. Mendimi im është se dikush “duhet” të luajë seriozisht video-lojëra njëlloj siç “duhet” të shohë seriozisht filma; duke qenë video-loja gjithnjë diçka më tepër se filmi (në të njëjtin kuptim siç është filmi diçka “më tepër” se teatri: kujdes thonjëzat).
Tani, sa për SimCity, pata shkruar një herë, gjysmë me shaka, se kjo lojë duhet të jetë pjesë e training-ut permanent të personelit të bashkive në Shqipëri, duke filluar nga Tirana. Çfarë më tërhiqte shumë, kur e luaja, është pse disa lagje të qytetit tim fillonin të degradoheshin dhe ta humbnin shkëlqimin, edhe pse parametrat e shërbimeve i kishin në rregull; ndërsa disa të tjera lulëzonin. U hapja një stacion metroje, u ndërtoja një park aty afër, një stadium, një lidhje të re me autostradën, por nuk e merrnin dot veten. E kuptoj që kodi i lojës ashtu e lexonte konfigurimin tim dhe reagonte në përgjigje, por edhe shoh që e njëjta gjë ndodh me qytetet ku kam jetuar, dhe jo vetëm në Tiranë. Çfarë më ndihmoi SimCity është që t’i shihja qytetet si qenie të gjalla, organike; që jo vetëm ndërtohen, por edhe “rriten” vetë, marrin frymë, shkëlqejnë, ose e kundërta, sëmuren dhe plaken.
Por arsyeja që më shtyu më fort, këtë herë, që të shkruaj ishte potenciali i video-lojërave në edukimin e fëmijëve, por edhe në pasurimin e marrëdhënies prind-fëmijë ose edukator-fëmijë. Fëmijët tërhiqen vetvetiu ndaj lojërave (këtë ma konfirmon edhe fëmija brenda meje), por prindi/edukatori është në gjendje ta shohë se ÇFARË e tërheq fëmijën te një lojë e caktuar: disa kanë interes për zgjidhjen (puzzle), të tjerë për aksionin, të tjerë për thjesht fitoren, të tjerë akoma për efektin estetik, të tjerë për dramën (narrativën), të tjerë për simulimin. Pa folur fare për rolin e LOJËZIMIT (GAMIFICATION) në edukim, do të mjaftohesha me atë që video-loja, e zgjedhur me kujdes, e ndihmon fëmijën të testojë realitetin dhe të zhvillojë interesa të rinj, pa ankthin që mund t’i ngjallë bota drejtpërdrejt. E kam provuar vetë, si prind.
Kjo puna e “nënvlerësimit” të videolojrave është kaq aktuale, sidomos në Shqipëri. Mendoj se një nga arsyet e kësaj gjëje është padija e njerëzve në evoluimin e videolojërave dhe si rrjedhojë ata dështojnë për të kuptuar ndjesinë e kënaqësisë që të jep një lojë e caktuar.
Nga lojërat tradicionale, sidomos nga ato para videolojrave, përveç shahut, asnjë lojë nuk i afrohet videolojrave moderne sa i përket gamës së strategjive që ti si lojtar mund të aplikosh. Dhe kjo gjë është ajo çfarë më kënaq më së shumti, se ashtu si ti, edhe unë preferoj lojërat strategjike, pa lënë mënjanë grafikat që aplikohen në të.
Sa për industrinë e videolojërave është thjeshtë i pabesueshëm investimi që kryhet në të. Sipas reuters, Newzoo ka parashikuar që vetëm për këtë vit tregu i videolojërave do të gjenerojë rreth 160 MILIARDË dollarë amerikanë. Unë mendoj se kjo shifër do të tejkalohet duke marrë parasysh edhe pandeminë. Po i njëjti studim sugjeron që ky treg ti kalojë 200 miliardë dollarë në 2023.
Këto shifra janë sa për të krijuar një ide. Ka sa e sa forume që janë enkas për lojëra të caktuara. Kam vizituar shumë forume dhe disa nga ata janë PTF më vehte në fushën e tyre, pra nuk janë vetëm paratë. Jutubi gjithashtu është një platformë mjaft e lidhur me videolojërat ku shumë lojtarë të zotë krijojnë të ardhura të konsiderueshme vetëm nga jutubi në bazë të shikueshmërisë së videove dhe jo vetëm. Lëre më pastaj për këto platformat e tjera si Twitch, discord etj. etj.
Shpresoj që qasja ndaj videolojrave të ndryshojë, dhe sa më shpejtë të jetë e mundur. Mjaft u munduan të rinjtë të luajnë disi fshehurazi se mos i qorton mamaja apo babai se ngelën gjithë ditën duke luajtur. Është mjaftë e vështirë të bindësh prindërit që videolojrat kanë vlera, sidomos ata me formim mesatar apo nën-mesatar nga komunizmi, njeriun e ri, dhe kjo është fatkeqsi.
Faleminderit 🙂
Një lojë që duhej ta kisha përmendur, në muhabetin më lart, është The Talos Principle. Loja është, në thelb, një seri me puzzles, gjithnjë e më të vështira; por luhet në “vetën e parë” (FPS) në mjedise fantastike, të cilat janë marrë, tullë pas tulle e gur pas guri, nga Egjipti i lashtë, Roma Imperiale, Roma Kristiane e Hershme, Europa Gotike, e kështu me radhë. Kam jetuar në Romë dhe e kam shijuar eksperiencën e rrënojave antike: Foro Romano, Foro Imperiale… të cilën ma risjell tani ajo lojë. Veçanërisht më kujton Terme di Caracalla, vendin ku kam kaluar një ditë të paharrueshme tani vonë. Deri edhe zhurmën e mizave të vogla në bar, më duket sikur e dëgjoj. Përndryshe, puzzles janë të vështira, madje vjen një moment kur njeriu dorëzohet dhe thotë: mjaft. Nuk mund t’i kushtoj jetën kësaj gjëje. Çfarë vlen edhe si mësim në modesti: ideja se ka njerëz, në botë, që i zgjidhin lehtë të njëjtat puzzles për ty të pamundshme… Loja duhet provuar, përndryshe këto që shkruaj mund të tingëllojnë pa kuptim. Tani që e pashë në Steam, ishte goxha shtrenjtë, 40USD, por unë mbaj mend që e kam blerë për hiç gjë. Thjesht ngaqë ishte prodhuar nga e njëjta kompani që kish bërë serinë Serious Sam, dhe qasja e tyre grafike më kish pëlqyer. Por The Talos Principle, bashkë me extensions, është unike. Disa nga puzzles kam shkuar t’i shoh në YouTube, sepse nuk i zgjidhja dot. Gjithsesi më ka mbetur e papërfunduar, si lojë; por e përsëritshme pa fund, si eksperiencë.
SimCity eshte qyteti i ankthit, i monopolit, i kapitalit, ku duhet te luftosh perdite per te mbijetuar e siguruar vendin tend ne te. Townscaper eshte qyteti mesjetar qe te komforton shpirtin, me temporitem te ulet dhe me shkalle njerezore.
Nuk është më çështje “nënvleftësimi” kur të duhet të urosh me vete që fëmija, i cili s’është më fëmijë, të marrë makinën e të takojë në realitetin që ndajmë të gjithë, një shok a një shoqe, t’i përqafojë, të pijë një birrë, të viijë në shtëpi më vonë…, në vend se të quajë “shokë” njerëz me të cilët luan virtualisht, e të cilët banojnë në anën tjetër të botës. Pavarësisht arritjeve teknologjike, për njerëzit kontakti i drejtpërdrejtë është akoma thelbësor për ekuilibrin psiko-fizik.
Këto pa dashur të nënvlerësoj rolin e lojërave edhe si vetëmjekim, në vend të alkoolit, drogës e psikofarmarmakëve: lojërat si pushim nga qerthulli i mendimeve obsesive, armëpushim me botën.
Po për t’iu kthyer temës, hasa dje në një nivel të vështirë të një loje të cilën e luaj prej kohësh, dhe mendova që tashmë jam në gjendje të kuptoj duar të ndryshme kontribuesish/krijuesish/ideuesish brenda lojës. Nuk i njoh ata me emër, merret vesh, po them se mundem me një lloj saktësie të grupoj pikëvështrime të ndryshme mbi vështirësinë, estetikën e brendshme dhe të jashtme të niveleve të ndryshme.
Une tani lodroj vetem me fps, team fortress, por para disa vitesh iknin ore e nete me Command e Conquer. Keto te ngadaltat i loz gruaja, qe nuk me le te blej C&C remastered nga Steam. Tek keto lojrat asaj nuk ja ha qeni shkopin, shume kompetitive. Keto me puzzle i luajne me siguri jashte-tokesore, dhe gruaja ime.
Une nuk kam luajtur vete po shpesh jam thirrur te jap nje mendje ( natyrisht me pritshmerine qe te shpreh admirimin tim) per qytete te ndertuara ne SimCity – vite me pare- dhe tani vitet e fundit ne Minecraft. Nuk jam fort “fan” i lojrave por mendoj se per brezat e femijeve te sotem sado te perpiqesh jane te paevitueshme dhe keto lloj lojrash me ndertime mendoj qe u nxisin femijeve fantazine dhe sensin krijues . Me pelqen kur me therrasin pastaj dhe me shpjegojne se cfare kane ndertuar, dhe si funksionon 🙂