nga Arben Dedja
Joe Brainard, artisti dhe shkrimtari amerikan, e botoi veprën e vet më të njohur, I remember, më 1970 duke i dhënë jetë, mund ta themi, një zhanri të veçantë letrar. Qysh atëherë shumë libra të këtij lloji janë botuar nëpër botë; homazhi më i njohur për Brainard-in mbetet ai i George Perec-ut, Je me souviens (1978). E shpjegon shumë mirë këtë shkrimtari, aktori dhe regjisori Ylli Demneri që ka shkruar për ne shqiptarët e, veçmas, për ne të një brezi me të, një Më kujtohet tejet të bukur, që tashmë ka arritur në dy vëllime dhe disa ribotime (shihni edhe: https://peizazhe.com/2013/10/27/na-kujtohet/).
Mirëpo unë sot dua të bëj të kundërtën. Po dua të përmend disa gjëra që NUK më kujtohen. Në qoftë se juve, lexues të dashur, miq, përndryshe disa këto gjëra ju kujtohen fare mirë, një “bravo” të madhe nga unë dhe, në ma vikeni në dukje kujtesën tuaj vezulluese krahas venitjes së times, mua hatri nuk më mbetet. Natyrisht, për një pjesë të gjërave që përmend këtu mund të informohesha nga shokët, familjarët, interneti… Por, siç thoshim ne atëbotë (kjo shprehje, po, më kujtohet):
“Kështu nuk quhet!”.
Në fund të fundit, në fërkimin e asaj që nuk më kujtohet me ç’më kujtohet, në sforcon – nganjëherë sipërane – për të kujtuar, mbështetet krijimtaria ime.
Të fillojmë menjëherë e pa të shohim ç’bëhet.
*** *** ***
Nuk më kujtohet sa kushtonte një simite.
Nuk më kujtohen të gjitha shoqet dhe shokët e klasës.
Nuk më kujtohet sa e kishim racionin mujor të sheqerit.
Nuk më kujtohet si u humba njëherë prindërve, sa, bile, lajmëruan edhe policinë. Aq shpesh ma kanë treguar, sa, tashmë, kam arritur ta përfytyroj fort mirë. Më vjen ndër mend si në ëndërr. Ndodheshim në Sheshin Skënderbej, ku sot është pesëmbëdhjetëkatëshi; kish një shitore ëmbëlsirash aty. Nuk isha më shumë se tre vjeç. Prindërit po shkëmbenin dy fjalë me një të njohur, kur iu shkëputa nga duart (isha fëmijë hiperaktiv). U vërtita gjatë, hutueshëm, mes çifteve që shëtisnin, familjeve të tjera të lumtura me fëmijë për dore. Nuk e di sa kohë eca kështu, gjersa më gjeti një komshi që quhej Ilir. Por nuk qava, nuk pata asnjë ankth ose, të paktën… nuk më kujtohet.
Nuk më kujtohet kur mora pjesë në Festivalin e Parë për Fëmijë. Ndodhi pak kohë pasi u kisha humbur prindërve (e paskam pasur të lavdishëm vitin 1967!). Aq shpesh ma kanë treguar, sa, tashmë, kam arritur ta përfytyroj fort mirë. Më vjen ndër mend si në ëndërr. Por nuk dua ta rrëfej, se vjersha që kam recituar atë mbrëmje përmend edhe… xhaxhin Enver (titullohej, në mos gabohem, “Një pushkë të vogël kam”). Fatkeqësisht, nëna ime ruan programin e shfaqjes që ma vërteton pjesëmarrjen.
Nuk më kujtohet Byroja Politike.
Nuk më kujtohet mbërthim-zbërthimi i armës automatike AK47 (kallashnikovit).
Nuk më kujtohet vaksina e lisë.
Nuk më kujtohet kur e kam mësuar biçikletën. Me cilën biçikletë, pastaj, për sa kohë që gjatë fëmijërisë dhe rinisë sime nuk kam pasur kurrë biçikletë në shtëpi?
Nuk më kujtohet kur më vdiq stërgjyshja.
Nuk më kujtohet si zgjidhet një ekuacion i gradës së dytë.
Nuk më kujtohet me kë luante Alite (ndoshta me “Partizanin”?). Po a nuk kam qenë unë, i vogël, tifoz i “Partizanit”?
Nuk më kujtohet se ç’ndodh në asnjë nga romanet e Balzac-ut (dhe i kam lexuar të gjitha ato që janë përkthyer gjatë periudhës së komunizmit – ishin jo pak).
Ndonëse e kam parë me dhjetra herë (përfshi një herë në plazhin e Durrësit dhe një herë në Shtëpinë e Punëtorëve në Pogradec), nuk më kujtohet asgjë nga filmi “Aventurat e Til Ulenshpigelit”.
Nuk më kujtohet apendektomia e parë që kam bërë në autonomi të plotë.
Nuk më kujtohet asgjë nga anatomia e trurit.
Nuk më kujtohet Festivali i 11.
Nuk më kujtohet cili është tregimi i parë që kam shkruar.
Nuk më kujtohet si e hante qeni shkopin.
Zhdrag-zhdrug! Nuk më kujtohet a e mbylla me çelës derën e shtëpisë? E di me siguri që do ta kem bërë, por më mirë të kthehem ta kontrolloj. Zhdrug-zhdrag!
Ah, më në fund diçka që më kujtohet: më kujtohen oksiuret në kakë.
(c) 2020, Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Mos valle vjersha – qe me vone u be kenge per fatosat titullohej “Pushka ime, shoqja me besnike”? Per hater te kujteses se pakujtuar apo kujteses (jo si qellim ne vetevete) qe pret te kujtohet! Është ne avantazhin tone te shijojme disa here te njejtat dhe te vetmet kujtime, ato jane te denja per t’kurorezuar kujtesen!
Me kujtohet qe kam shkruar dicka po ketu per gjerat qe harrojme, ca prej te cilave si zberthimi dhe rimberthimi i nje arme apo anatomia e trurit nuk jane ne fakt te rendesishme te kujtohen; jane nga ato “ndodhi” te memories te cilave njeriu u kthehet kur/nese do dhe i freskon. Harruthat quhet. Mbaj mend edhe nje tjeter gje qe kam shkruar, ndoshta po tek Peizazhet qe lidhet me heren e pare dhe kujtimin e ndjesise se vecante qe le hera e pare. Kujtimi dhe kujtesa… vjen nje moshe, dhe na interesojne shume, na behen buke e perditshme qe ushqen ate qe do vije
Kujtime te bukura!
Te ndertosh nje realitet nisur nga çka nuk te kujtohet, se keshtu e shoh kete shkrim, ideja eshte bajagi interesante.
Por nuk eshte hiç e thjeshte kjo moskujtese, te paken jo aq e thejshte sa duket. Nuk harrojme vetem gjerat pa interes, gjerat e vogla, pa rendesi. Harrojme dhe gjerat qe duam vete t’i harrojme, madje kembengulim t’i harrojme. Thuhet se kjo aftesi per te harruar eshte nje kusht e rregullator i rendesishem per nje jete te qete. Per shkrimtarin paraqet nje sfide te vertete.
Ka te tjera gjera qe kujdeset vete truri t’i harroje, qe e ul ai vete çelsin, ndryshe ato shkaterrojne e rendojne shume jeten e njeriut. Virulencen e tyre nuk e kontrrollon dot kollaj. Thuhet se gjithsesi shperthejne e shfaqen nje nje etape te dyte, ne kushte mjaft te veçanta…
Pra, moskujtesa i ka te gjitha erzat per nje pjatë po aq te shkelqyer sa edhe kujtesa.
Një pyetje që ia bëj shpesh vetes: jam më shumë produkt i gjërave që mbaj mend, apo i atyre që kam harruar?
Ndoshta këtë fjalë të fundit, “harruar”, duhej ta kisha vënë në thonjëza.
Nuk besoj duhet të jetë njeriu freudian, për të besuar se shumë kujtime i kemi akoma të shkruara diku, por nuk i “lexojmë” dot. Dhe nuk i lexojmë dot, nuk i sjellim dot në vëmendje, nuk ua drejtojmë dot projektorin, sepse i kemi “ndrydhur”.
Ka teknika psikoterapeutike – që nga interpretimi i ëndrrave te hipnoza – që mund të ndihmojnë për t’i sjellë këto kujtime të fundosura sërish mbi ujë.
Por pse nuk i kujtojmë dot ca gjëra, edhe kur janë të rëndësishme? P.sh. eksperienca traumatike, poshtëruese, trishtuese – që na duket sikur i kemi fshirë?
Ta zëmë se mendja e bën këtë për t’u mbrojtur. Por nëse është kështu, kujtimet e harruara janë edhe më të rëndësishmet.
Sa mund t’i krahasosh këto me copërat e mermerit që heq skulptori nga një bllok, për të nxjerrë statujën?
Sepse identiteti që kemi, është produkt edhe i kujtimeve që nuk i “kujtojmë” dot më.
E gjitha kjo, pa folur për kujtimet e rreme. Besoj se Freud-i, ose freudianët në përgjithësi, kanë shpjeguar se kujtimet tona më të hershme janë false, sajime dytësore, histori që i rrëfejmë vetes dhe që kanë nevojë të interpretohen po aq sa edhe ëndrrat.
Pra, nga njëra anë ngjarje që na kanë ndodhur vërtet, por që nuk i kujtojmë dot; nga ana tjetër, kujtime për ngjarje që nuk na kanë ndodhur.
Kujtesa – ose çfarë na duket se kemi qenë dhe kemi bërë dhe na ka ndodhur – vjen si një kombinim të qenash, të paqenash dhe zgavrash.
Dhe jo vetëm – sepse disa nga gjërat që mbajmë mend janë kaq të parëndësishme, sa nuk e shpjegojmë dot pse nuk i kemi harruar dot. Mund të jenë të vërteta, t’i përgjigjen “realitetit”, e megjithatë i bën të pavërteta thjesht fakti që janë ruajtur pas kaq e kaq kohësh.
Gjërave që mbajmë mend, sidomos nga fëmijëria, duhet t’u shtojmë edhe pseudo-kujtimet, që na i kanë ushqyer të afërmit: prindërit, vëllezërit dhe motrat, gjyshërit, etj. Edhe këta mund t’i kenë po aq të rikrijuara kujtimet e tyre “me ne”.
Jemi për të tjerët – për të afërmit – çfarë këta mbajnë mend prej nesh; por që kurrsesi nuk përkon me çfarë mbajmë ne mend për veten (pa sjellë fare në vështrim atë çfarë mbajmë mend për të tjerët).
Ime më tregon shumë histori për mua fëmijë – që mua nuk më kujtohen, por që, njëfarësoj, i kam adoptuar si të miat, duke i bërë pjesë e “narrativës personale”. Eksperienca e saj me mua është tani pjesë e eksperiencës sime me veten. Pa çka se ajo mban mend, nga unë, atë çfarë i është dashur, për të ruajtur narrativën e vet personale.
Viktima e parë e kësaj loje pasqyrash është e vërteta.
Ka një truk që e përdorin ndonjëherë në romanet a në filmat me spiunazh: implantimin e kujtimeve. Mbase kjo ende nuk është arritur, ashtu siç e rrëfejnë; por le të mbajmë parasysh se këtë lloj implantimi na e bën familja fare rëndom.
Nëse kujtesa kolektive – e një shoqërie – ekziston në trajtë narrativash mitike, edhe kujtesa individuale duhet të ketë trajtën e një miti që mirëmbajmë për veten.
Dhe nëse është kështu, edhe kujtimet e këqia, traumatike, ose që do të kishim preferuar t’i kishim harruar, por që kthehen e rikthehen për të na menduar, duhet t’i përligjim si një lloj “ndëshkimi” që ia bëjmë vetes.
Nuk me kujtohet nese kam qene ndonjehere ne burg .Shprehja e preferuar e zyrtareve me precedente penale ..
Njeriu duhet te harroje qe te zbuloje. Kush ka shkruar shume, te thote nese e ka frike perseritjen. Besoj se perseritja eshte terrori i shkrimtarit. Prandaj vetem harresa te lejon te zbulosh, ose rizbulosh nese duhet rikonfirmim ne momente dyshimi.