Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

ENVER IN SCRIPTURA

Te Enver in Fabula, Arjan Shahini vëren se “një pjesë e madhe e teksteve që i atribuohen [Enver] Hoxhës nuk janë shkruar prej tij dhe se “autorët mund të identifikohen nëpërmjet analizës së teksteve me kompjuter,” pastaj vazhdon me një shembull si mund të kryhet kjo analizë (statistikore).

Kam rezerva të mëdha me këtë qasje. Duke filluar me shprehjen “teksteve që i atribuohen Hoxhës”, të thuash se është fjala për atribuime të bëra nga tekstologët, të ndonjë përmbledhjeje dorëshkrimesh të shekullit XII, për efekt autentifikimi. Përkundrazi, duhet kthjelluar – mendoj unë – koncepti i autorit, në lidhje me tekstet e Enver Hoxhës, p.sh. ato të veprave të plota.

Meqë ky nuk është autori, në kuptimin që ka termi në letërsi (publicistikë, eseistikë), dhe as autori në kuptimin që ka termi në botimet shkencore; por më shumë autori si autoritet performativ, ose personi që mban përgjegjësinë (ideologjike, morale, politike) për çfarë thuhet në tekst – sipas edhe përkufizimit të njohur të Foucault-it. Emri i Enver Hoxhës, si lider totalitar, i bën ato tekste performative (mes të tjerash, edhe të citueshme), sepse bëhet fjalë për mveshjen ligjërimore të eksperiencës totalitare të përditshme. Për ta thënë me Foucault-in, ky autor “shërben për të neutralizuar kontradiktat që gjenden në një seri tekstesh,” çfarë edhe e vendos Enver Hoxhën, si autor, në kontekstin ligjërimor dhe social-ligjërimor të shqipes publike të viteve 1945-1990.

Vetëm ky lloj autoriteti autorial do të mund t’i mblidhte bashkë, nën të njëjtën etiketë, tekste me natyrë krejt heterogjene.

Të marr si shembull veprën 25 (që e kam zgjedhur me randomizim, ngaqë eseja e Shahinit u botua më 25 qershor). Kjo vepër përmban, mes të tjerash, një letër përshëndetjeje drejtuar një konference për përhapjen dhe leximin e librit, një raport të mbajtur në plenumin X të KQ të PPSH, fjalën e mbylljes në plenum, disa artikuj të botuar në gazetën Zëri i Popullit, diskutime në mbledhjen e sekretariatit të KQ të PPSH, diskutime në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH, teza për revizionizmin, fjalime në mitingje në Çorovodë dhe në Memaliaj, fjalime me nxënës shkollash në Kuçovë dhe në Gjirokastër, një bisedë me kuadrot e kooperativave bujqësore të rrethit të Beratit, një fjalim para kooperativistëve, një diskutim në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, një fjalim për inaugurimin e shtëpisë së kulturës në Tepelenë, një bisedë me një delegacion kinez të punonjësve të kulturës dhe të filmit e kështu me radhë.

Sërish, çfarë kanë të përbashkët këto tekste, tashmë të mbledhura në një vepër është (1) periudha kohore dhe (2) fakti që ato Enver Hoxha i ka njohur si të vetat – ose, me fjalë të tjera, që mund të citohen si të Enver Hoxhës. Kjo e citueshmërisë është po aq e rëndësishme, sepse citimet nga Enver Hoxha pritet që të shërbejnë si premisa në çdo lloj argumentimi, me shkrim apo me gojë, të një ideje ose teze në publik.

Por, për nga origjina (burimi i thëniezimit/énonciation) tekstet dallojnë mjaft. Një raport në Plenum është detyrimisht rezultat i punës kolektive të aparatit të KQ të PPSH, letrat e përshëndetjes i ka shkruar sekretaria, fjalimet me popullin janë zbardhur sërish nga punonjësit përkatës, kryeartikujt për gazetën Zëri i Popullit – të botuar pa emër autori, pra me pretendimin për autoritetin e fjalës së desubjektivizuar – mund t’i ketë shkruar Enver Hoxha vetë, etj. Çfarë i afron këto tekste, nga pikëpamja e autorit si “stil” (ose écriture) duket të jetë, në masë të madhe, ndërhyrja masive e ekipit të redaktorëve, me gjasë nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, të cilët e normalizonin ligjërimin, duke e uniformizuar – ose duke i sjellë format e shprehjes dhe formulat në trajtat parafabrikate, të miratuara sepse të përdorura më parë. Ky i uniformizimit ishte edhe kusht që tekstet të fitonin virtytin e “citueshmërisë”.

Por kjo do të thotë edhe se filli i përbashkët i teksteve të tilla është disiplina e tyre ligjërimore dhe stilistike, e siguruar nga ndërhyrjet e korrektorëve dhe të redaktorëve, në leksik dhe në sintaksë, por edhe në ton. Dallimet mes teksteve nuk janë aq dallime mes autorësh ghost, por dallime mes zhanreve: një bisedë me popullin do të artikulohet ndryshe nga një bisedë me delegacionin kinez; një bisedë me kuadrot e Beratit ndryshe nga një takim në sekretariatin e KQ; një fjalim me dyer të mbyllura ndryshe nga një fjalim publik; një diskutim për intrigat në Byronë Politike dhe demaskimin e armikut të radhës (ti the, ai tha, ne të thamë, ti ke thënë) ndryshe nga një diskutim për vendburimet e reja të kromit, që me gjasë mbështetet mbi materiale të përgatitura prej ekspertëve të fushës. Nga pikëpamja mirëfilli stilistike, individualitetin tekstologjik e garanton zhanri, ndërsa autori si autoritet shfaqet në trajtat standard. Analizat statistikore këtu kanë po aq vlerë sa edhe analizat e llojeve të këpucëve që mbath një batalion i ushtrisë – sa kohë që këpucët janë të njëjta me rregullore, ose njëjtësia e tyre përcaktohet në mënyrë gjenerative.

Përtej materialeve të përmbledhura në veprat e plota, le të përmendim që disa prej veprave “teorike” të Hoxhës, si ajo kushtuar vetadministrimit jugosllav, Imperializmi dhe Revolucioni dhe Eurokomunizmi është Antikomunizëm, duke pretenduar të luajnë rolin e një instant classic në literaturën marksiste-leniniste të kohës, janë produkte të punës kolektive, sërish – me gjasë – të Institutit të Studimeve M-L, ku autorësia individuale, e Enver Hoxhës, reduktohet në emrin në kopertinë; edhe pse aty as edhe një presje nuk mund të veçohet nga forca autoritative e Hoxhës autor.

Përkundrazi, libra të tjerë, si ato me natyrë kujtimesh (nga Hrushovianët e Titistët, Me Stalinin dhe Dy Popuj Miq, te cikli për historinë e partisë dhe të pushtetit, etj. dhe ato me kujtime të vegjëlisë) kanë natyrë më “letrare” dhe lejojnë manifestime individuale të autorit edhe në rrafshin ligjërimor – në kuptimin që lexuesi e ndien zërin narrativ si të njerëzuar. Këto vepra mund edhe t’u atribuohen autorëve të caktuar ghost, nëpërmjet analizave të tekstit.

Sa për ditarët e Enver Hoxhës, që së bashku përbëjnë një korpus jo të vogël, studiuesi edhe aty ndodhet përpara një heterogjeniteti të theksuar: disa prej këtyre, të integruara në Shënime për Kinën, janë qartazi të përpunuara thellë, ndërsa disa të tjera janë më bruto; mbase te këto të fundit mund të gjenden shenja të mirëfillta të Hoxhës autor, në kuptimin që ka fjala në kontekstin e studimeve letrare, ose si zëri i atij që përfytyrojmë se po na i rrëfen ngjarjet dhe përshtypjet që lexojmë.

Për ta mbyllur, po e përmend sërish se profili i Enver Hoxhës si autor (dhe autoritet) i veprës që ka lënë, në vija të trasha, nuk është veçse rezultat i punës normalizuese që kanë bërë mbi tekstet ekipi i redaktorëve, korrektorëve dhe specialistëve të ndryshëm të aparatit të KQ të PPSH, sekretariatit, sekretarëve privatë dhe grupeve të punës në Institutin e Studimeve M-L; një punë kolektive, me përkufizim rrafshuese e individualitetit, dhe që i garanton ligjërimit të Hoxhës funksionimin si skripturë e shqipes totalitare. Nga kjo pikëpamje, studimi analitiko-statistikor i teksteve, pa i seleksionuar më parë sipas zhanrit, do të ishte një studim, në vija të trasha, i parafabrikateve të kësaj shqipeje, që vijnë – me përkufizim – si mohim edhe i vetë konceptit të autorësisë në analizën e ligjërimit. Përkundrazi, analiza statistikore e teksteve sipas zhanrit (p.sh. e letrave që ka shkruar Enveri) do të ishte, në rastin më të mirë, analizë e zhanreve të shqipes totalitare, sa kohë që nënshkruesi i tyre nuk mëtonte kurrë që të shprehte individualitetin e vet, por vetëm të konfirmonte lidershipin edhe si subjekt i thëniezimit të shqipes publike. Një analizë e teksteve të botuara të fjalimeve dhe bisedave, sidomos të atyre të improvizuara (pa letër), me fjalimet dhe bisedat vetë, në formë të regjistruar zanore, do të mund të evidentonte ndërhyrjet precize të zbardhësve, sekretarëve dhe redaktorëve, mes të cilëve edhe të Enverit vetë, si korrigjues i teksteve.

Pra, identifikimi i ghost writers mund t’u vlejë kuriozëve për tekstet me natyrë intime (memorialistikën) – por përndryshe është punë ingrate, pa interes filologjik dhe kulturologjik (askujt nuk do t’i interesonte sot seriozisht nëse Spiro Dede, siç shkroi një koleg te komentet e esesë së Shahinit, e ka shkruar apo jo librin Vite të vegjëlisë dhe deri në ç’masë), ndërsa qëmtimi i zërit personal të Enverit, në materiale arkivore (dorëshkrime, etj.) do të ishte punë për biografët e këtij autori, nëse do të ketë ndonjëherë të tillë. Në tërësinë e saj, vepra e shkruar e Enver Hoxhës është dëshmi kryesisht e shqipes totalitare, të performativizuar nëpërmjet autorizimit ligjërimor nga lideri.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

9 Komente

  1. Ndoshta eshte nje diskutim shume specifik, dhe audiences nuk i intereson. Por megjithate, …

    se pari, autoresia eshte e rendesishme per cfare shprehem, per lidhjen ndermjet profilit psikologjik te Enver Hoxhes dhe politikave shteterore te ndjekura ne ate periudhe. Ne studimet e kesaj natyre kjo lidhje evidentohet nepermjet analizes te teksteve, prandaj eshte e domosdoshme qe te identifikohen se pari shkrimet origjinale. Une prandaj mora shembull Veprat dhe u zgjata te teorite e marredhenieve ndermkombetare.

    se dyti, ka te beje me studimet mbi sistemet autoritare (authorship eshte i lidhur me kete). Sa autoritar ka qene ky individ? Ne nje shoqeri komplekse (fundja kishte sistem arsimor, shendetesor e industri), a kishte mundesi ky te kishte ide origjinale, koncepte e aftesi artikulimi (e prekur nga Lyss ne nje koment), aftesi delegimi e perqendrimi etj.? Ka modele teorike te politikberjes qe shohin tej fasades se sistemeve totalitare etj.

    E ilustrojme kete me politiken e jashtme, qe po e shoh une. Nuk jam ekspert i kesaj ngjarje, por le te marrim prishjen me sovjetiket. Si ne dokumentet arkivore, por edhe ne ate te veprave te Hoxhes duket sikur shkak ishte ruajtja e sovranitetit te shtetit, anti-kolonializma e te tjera qendrime e terma te huazuara nga diskursi post-kolonial i viteve 50-60. Por kjo mund te jete ne rrafshin ligjerimor, ne ate personal motivet ishin te tjera (rezistenca ndaj Moskes per te nderruar te gjithe kasten e pushtetit), dhe perzjere kjo me qendrimet anti-sovjetike te disa anetareve te elites revolucionare mund te dalin edhe arsye te politikes te brendshme (presioni apo ndryshimi i aleancave brenda kastes). Ose mund te jene te gjitha (qendrimi anti-kolonial si karakteristik e kultures parochiale politike, tradites kombetare historike, aspekte te tjera sociale te nderthurura me biografine e profilin psikologjik te Hoxhes e te tjereve – nje model brenda FPA p.sh.). Por te gjitha keto nivele analize dhe elementesh brenda tyre duhen shqyrtuar nje nga nje.

    Identifikimi i ghost writer-s eshte edhe kontribut ne historine e elitave. P.sh. mua me interesojne pytje si: A kishte E. Hoxha mundesi te artikulonte nje diskurs anti-kolonial e teorik marksist? Hiq huazimet nga kinezet, kush ishte ne gjendje ta bente nje gje te tille: nje person i arsimuar ne B.S., mundesisht historian apo i diplomuar ne Institutin e Marredhenieve Nderkombetare ne Moske (Arben Puto?) etj. E nuk jam i interesuar ne biografine e Hoxhes, thjeshte ne burimin e politikave dhe gjetjen e personave kyc qe jo vetem artikulonin, por edhe influenconin politikberjen.

    Megjithate, sic thashe kjo ishte thjeshte nje lloj proof of concept, pse nuk kam ndermend te merrem me kete, se paku per nja nje vit :).

    1. Për politikën e jashtme, unë do të shihja ndikimin e specialistëve si Sofokli Lazri dhe Agim Popa. Në fusha të tjera, Hamit Beqja dhe Androkli Kostallari. Kushedi edhe Harilla Papajorgji.

      1. E si mendon? Keta beheshin pergjegjes per deshtimet apo ndryshimet? Cfare i ruante? Me siguri jo thjeshte ekspertiza, as miqesite personale. Sa ishin keta? Se ja dy ne gjuhesi, nje ne histori, nje ne edukim e tjetri ne politiken e jashtme. Po te tjeret qe punonin nga Spaci?

        1. Enver Hoxha ishte i rrethuar me ekspertë, kryesisht të formuar në Bashkimin Sovjetik, që i formulonin dhe i përpunonin qëndrimet – por vendimet merreshin tjetërkund. Për Androkli Kostallarin, mbaj parasysh se para se të profilohej në gjuhësi, kish punuar edhe si gazetar (ka qenë kryeredaktor i Bashkimit, në mos gabohem, menjëherë pas Çlirimit, kur Bashkimi ishte gazeta kryesore në vend).

          Synimi i politikës së jashtme të Shqipërisë totalitare ishte që të mbetej Enver Hoxha në pushtet. Të gjitha të tjerat në funksion të kësaj.

          Ekspertët që punonin në aparatin e KQ të PPSH-së dhe në Institutin e Studimeve M-L pak a shumë njihen, në kuptimin që listat e tyre mund të gjenden, nuk kanë qenë sekrete. Këta u përkisnin shkencave sociale, përfshi edhe ekonominë politike. Për fushat e tjera – industria, ndërtimi, bujqësia – ekspertizën besoj se e siguronte qeveria nëpërmjet ministrive dhe Universiteti (më pas edhe Akademia e Shkencave).

          Spaçi nuk besoj se hynte në këto ekuacione.

      2. Lexova me interes si shkrimin e zt. Shahini, ashtu edhe komentin, shterrues sipas mendimit tim, te Ardian Vehbiut rreth kesaj teme. Si bashkekohes i disa prej figurave te nivelit te mesem te dekades se fundit te regjimit komunist, mund te konfirmoj sa pohojne dy zoterinjte e mesiperm. Pervec kesaj, nuk duhet te injoroni rolin e institucioneve te tjera qendrore te perfshira ne pergatitjen e dokumenteve te rendesishme politiko-ekonomike te asaj periudhe. Te tilla jane Akademia e Shkencave dhe institutet e vartesise se kesaj akademie, duke perfshire edhe Institutin e Studimeve Ekonomike ku kam punuar une ne periudhen 1982 deri sa u mbyll (1992), por edhe te nje numri individesh te rrjetit te shtepive botuese te kohes. Nderkaq duhet te mbajme parasysh se rol “udheheqes” ne vjeljen e ideve apo drejtimin “de facto” te procesit te shkrimit te fjalimeve, letrave, pjeseve te vecanta per veprat, etj., ka patur gjithnje Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste i kontrolluar politikisht dhe deri ne detaje nga e shoqja e diktatorit Hoxha, por edhe stafi i gazetes “Zeri i Popullit”. Nuk duhen injoruar dhe perkthimet e pershtatjet e Ministrise se Brendshme, ne mjaft raste duke shfrytezuar edhe punne e te denuarve ne burgjet shqiptare, duke fshehur autoresine (kryesisht nga bota lindore dhe ajo ruso-sovjetike) si dhe emrat e perkthyesve, te cilat jane shitur si ide te “udheheqest”… Personalisht kujtoj se edhe ide te cmendura sic ishte tufezimi i bagetive dhe zvogelimi i oborrrit kooperativist, apo “mekanizmi i ri ekonomik” (1985) ishin kopjime te verbera te kesaj natyre, te cilat i kam gjete ne botime revistash apo librash te ekonomise sovjetike te nje apo dy dekadave te meparshme (1954-1964)… Gjithashtu duhet mbajtur ne konsiderate edhe fakti se ato qe njihen si “vepra” te tij, ne shumicen e rasteve kane te bejne me rektifikimin e historise apo te ngjarjeve te kohes, apo me sakte me rishkrimin e tyre me shume se njehere ne kontekstin e kohes kur jane publikuar. Kjo do te thote se vetem nje numer tejet i kufizuar individesh ishin “te informuar” perndryshe te autorizuar, apo kishin te drejte te deformomin ngjarje, data, personazhe, qendrime, etj., te vete diktatorit. Le te kujtojme me kete rast nder qindra pirueta te tilla edhe retushimin e firtmatreve te pavaresise diku andej nga 1961-62 apo ndryshimin disa here te qendrimit ndaj ish funksionarit te larte komunist Nako Spiru… Shkurt, pertej perceptimit te shkalles se formimit qyetar, politik, vizionit, etj., te diskutueshem te diktatorit, sipas mendimit tim, trashegimia e shkruar e asaj periudhe qe mban emrin e tij nuk eshte vetem e tij… Ajo mban vulen e kohes dhe per rrjedhoje ne analizen dhe interpretimin e saj nuk mund te aplikohet e njejta metodologji si me shkrimtaret, mendimtaret apo lider te botes se sotme qe me vizionin dhe me vendim-marrjet e tyre kjane lene gjurme ne zhvillimet historike te kohes se tyre. Nese dikush do te mesoje me shume rreth formimit te tij, per kete mund te ndihmojne figura te ndryshme te kultures shqiptare qe e kane njohur, por edhe personalitete te shquara sic eshte historiani Aurel Plasari qe pati fatin te merrte ne dorezim biblioteken e tij. Nga struktura e asaj biblioteke mund te gjykohet shume me teper se sa nga cfaredo hamendesimi me metodat bashkohore te analizes se “veprave” te nje paranojaku te tille si diktatori Hoxha, ende i pashkulur nga “mind-set” i nje pjese relativisht te mire te shoqerise se sotme shqiptare…

        1. Te faleminderit per nderhyrjen, edhe pse asnje analize nuk mund te jete shteruese. Socializimi me praktikat e institutit paska qene ca i demshem :). Pertej shakase, pretendimi se dicka shteron ne analize eshte problematik ne trajtimin e asaj periudhe, sidomos kur brezi juaj do te largohet. Studiuesit e mevonte do te kene vetem dokumentet arkivore si deshmi te regjimit, dhe nese dikush nuk shkruan per mendimin politik, juridik dhe ekonomik te personave te perfshire direkt ne vendimmarrje, do te duket serish sikur i ka bere te gjitha Hoxha, se vetem ai ka lene gjera te shkruara. Dhe do te shkruhet pastaj serish per njerzit e medhenj, Hoxhen e Skenderbeun. Mjafton te shohim qe sot neper gazeta nje lloj fetishizmi mbi dokumentacionin arkivor, dhe rrezikun qe paraqitet per brezat e mevonte.

          Megjithate, Instituti i Studimeve Ekonomike, eshte pikerisht nje rast interesant per te studiuar ate qe quhet Ideengeschichte, histori e mendimit ekonomik ne rastin e institutit. Sa influence p.sh. kishte H. Banja mbi M. Shehun, sidomos kur ISE ishte nen kryeministrine? Nga sa kuptoj, nga leximet e raporteve dhe studimeve te ISE, duket sikur ishte me shume ne rolin e justifikimit te politikave te caktuara, jo ne hartimin e tyre.

          Po lexoja p.sh. para ca kohesh nje studim i 1978 mbi Bashkimin Europian (Tregun e Perbashket Europian) nga ISE. Studimi i shkon me tej Institutit te Studimeve Marksiste-Leniniste. Edhe pse i atashuar prane Akademise, prej 1976 ne mos gaboj, instituti vazhdonte te merrte udhezime joformale nga M. Shehu dhe i dergonte raporte direkt ketij. Vec kultures organizative te institutit, qe mesa duket ka qene shume hierarkik e burokratik ngase i vogel, ndryshe ndoshta nga ai i gjuhes, studimi mbi TPE nuk i referohet asnje materiali vec E. Hoxhes mbi kritiken marksiste ndaj TPE-se. Une do ta gjurmoj kete citim per kureshtjen time (Raport ne Kongresin e 7-te te PPSH, f. 200) dhe kam nje ide se do te kete dale ose nga nje studim i ISE, ose nese ju e konfirmoni, nga ndonje kopje gjekundi.

          Por, dua te dal tani ne nje problematike tjeter. Para ca kohe po lexoja mbi doktrinen penale te regjimit, e kam shkruar ketu te peizazhet mbi ligjshmerine socialiste, per te cilin Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) se fundi ka organizuar nje konference per ne shtator 2020. Ismet Elezi ka qene nje prej individeve me te rendesishem e te pergatitur per te krijuar nje doktrine te tille, e megjithate ne librat pas viteve 1990 ai i fshin duart nga gjithe ajo ngrehine dhe thote thjeshte se sistemi penal ishte nen ndikimin ideologjik. A mund ti atribuohet E. Hoxhes doktrina penale, mendimet mbi ligjshmerine? Kush ja shtin ndermend ketyre revolucionareve se ligjshmeria eshte e rendesishme? Cfare lloj ligjshmerie etj.? Dmth. Ardiani e sheh nga pikempamja gjuhesore dhe i mjafton Enveri si veper, por per nje qe studion mendimin politik apo procesin e vendimmarrjes, vepra eshte pikerisht burimi nga nuk duhet nisur.

          1. Shkruan:

            A mund ti atribuohet E. Hoxhes doktrina penale, mendimet mbi ligjshmerine? Kush ja shtin ndermend ketyre revolucionareve se ligjshmeria eshte e rendesishme? Cfare lloj ligjshmerie etj.?

            Nëse do t’i studiosh ndonjëherë këto punë, them se duhet ta fillosh me verifikimin nëse janë përkthime ose përshtatje nga rusishtja. Kam një bindje se 99% e ideve teorike dhe argumentimeve kanë vazhduar të vijnë nga Moska deri në fund të viteve 1980.

  2. Aurel Plasari nuk eshte historian.
    Nje nga problemet e studimit te historise shqiptare eshte pikerisht mungesa e punimeve te historianeve te shkolluar per histori.
    Kete mungese mundohen ta zene studiues te ndryshem si psh Plasari por edhe individe me profesione me te largeta si psh gazetare ( Fevziu ka nje liber per Enverin) dhe Ilir Ikonomi (VOA) nje per Esat Toptanin.
    Lexon njeriu nje “peripatike” por ne fund del me me shume pyetje se sa pergjigje.
    Nuk dua te them qe punet e te tjereve nuk kane vlere. Kane shume.
    Por eshte mire qe te jemi te vetedijshem per ndryshimin midis historianit dhe jo-historianit.

    1. Aurel Plasari është historian: i ka kredencialet në rregull. Ja ku mund të verifikohet:

      http://asa.edu.al/site/qesh/wp-content/uploads/sites/7/2019/01/Aurel-Plasari.pdf

      Në Shqipëri nuk ka pasur (dhe nuk ka) universitet ku të shkollohen historianët. Fakulteti Histori-Filologji ka pasë përgatitur mësues të historisë dhe të gjeografisë për shkollat e mesme (edhe diploma ashtu jepej). Kjo për mua do të thotë se në Shqipëri historiani bëhet i tillë (me përjashtim të atyre pak vetëve që janë diplomuar në fushën e historisë në universitete jashtë Shqipërisë.

      Me këtë kriter, do të na duhej të thoshim se edhe Aleks Buda dhe Kristo Frashëri nuk janë historianë.

      Ky diskutim nuk vazhdon më tutje.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin