Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

KRISTOFORI I MITILINIT

(Një ekstrakt nga poezia satirike bizantine)

nga Sokol Çunga

Kur themi “Bizant”, prej vetiu në përfytyrim na fanepsen mure fortesash, armë që vringëllijnë, perandorë hijerëndë në fron, intriga oborresh dhe krime çnjerëzore, po aq sa dhe fytyra shenjtorësh të përvuajtur që na shohin prej ikonave dhe afreskeve. Pakkush ka dëgjuar a, ku ma gjen, lexuar se Bizanti shquhet edhe për letërsinë dhe dashurinë për librin. Mjafton këtu të përmendim shkurt lëvizjen kulturore të shek. X, e quajtur Rilindja Maqedonase, kapërcyell epokash kulturore, falë së cilës bota e Rilindjes dhe Iluminizmit trashëgoi prej Mesjetës pothuaj të gjitha kryeveprat e shkruara që ishin ruajtur dhe konsideroheshin të dobishme deri në shek. X.

Gjatë karantinës së detyruar mora e rilexova ca tekste që s’i kisha shfletuar prej kohësh, e një prej tyre ishte Letërsia bizantine nga prof. Herbert Hunger. Më mbeti syri tek njëri prej poetëve të Bizantit, e përgatita këtë prezantim dhe këtë përkthim të shkurtër, me shpresën se në të ardhmen do të mundem të sjell më shumë lëndë kulturore prej Bizantit të shkëlqyer.

Kristofori i Mitilinit (rreth 1000 – rreth 1050 pas Kr.) ishte zyrtar bizantin dhe poet që jetoi në gjysmën e parë të shek. XI. Lindi në Konstandinopojë, në një familje, me gjasë, të pasur dhe me influencë në oborrin perandorak. Prejardhjen e kishte nga ishulli i Mitilinit, gjë të cilën e mbante dhe për mburrje, pasi vendin e prejardhjes ia bashkëngjiti emrit.

Kristofori pati shërbyer në detyra të ndryshme zyrtare, si në atë të patricit, zëvendës-konsullit dhe gjykatësit në temat e Armenisë dhe Paflagonisë. Gjatë jetës së tij i shërbeu tre prej perandorëve të Bizantit: Mikaelit IV të Paflagonisë, në fron gjatë viteve 1034-1041, Mikaelit V Kalafatit, në fron për ca muaj gjatë vitit 1042, dhe Konstandin IX Monomakut, në fron gjatë viteve 1042-1055.

Vepra e tij letrare përbëhet nga poezi, epigrame dhe kalendarë (= sinaksare, jetë shenjtorësh në vargje). Shumë prej epigrameve distike të këtij poeti të Bizantit janë përfshirë në librat liturgjikë që përdoren edhe sot në adhurimin e Kishës së Lindjes.

Vargje të ndryshme nga Kristofori i Mitilinit, patrici, zëvendës-konsulli, gjykatësi i Paflagonisë dhe Armenisë është një përmbledhje prej 145 poezish me përmbajtje të ndryshme. Shumë prej këtyre poezive janë epigrame me tematikë fetare, kurse disa të tjera përshkruajnë ngjarje historike. Mjaft prej tyre janë epigrame të përmbivarrshme që i pati shkruar për persona të afërt, miq a familjarë. Të tjera epigrame u kushtohen miqve, priftërinjve apo edhe mbretërve. Mes tyre ka edhe poezi-gjëza, si dhe poezi satirike.

Në poezitë satirike Kristofori thumbon drejtuesit e qerreve që merrnin pjesë në gara, të cilët humbën garën, bashkëshortët që i tradhton gruaja, murgjit hipokritë, pseudo-intelektualët, etj.

Poezia e mëposhtme “Për murgun Andrea, të cilit tregtarët i shesin eshtra shenjtorësh dhe mbledh me tepri nga pjesët e trupave të shenjtorëve” vlen të veçohet nga të tjerat, pasi në të kritikon një murg, i cili nga dëshira për të zotëruar sa më shumë lipsane, blinte edhe eshtra të rreme, për t’ua treguar, më pas, njerëzve të thjeshtë si lipsane autentike.

Kjo poezi satirike drejtuar murgut Andrea nuk përbën burim historik, për sa i përket çështjes së shumëpërfolur të falsifikimit të eshtrave të shenjtorëve, por synon të thumbojë maninë e murgut në fjalë për të mbledhur sa më shumë lipsane. Botimi që kemi përdorur, përgatitur nga Eduard Kurtz, Die Gedichte des Christophoros Mitylenaios, Leipzig, 1903, jep 135 vargje të kësaj poezie, por ndoshta varianti fillestar ka pasur më shumë të tillë. Teksa letërsia bizantine është e gjetshme përkthyer në shqip vetëm kur paraqitet në formën e teksteve liturgjike, për kënaqësinë tonë dhe kureshtjen e lexuesit, sjellim këtu 22 vargje përkthyer në shqip nga origjinali për kënaqësi të lexuesit, duke i shoqëruar edhe me origjinalin.

 

Për murgun Andrea, të cilit tregtarët i shesin eshtra shenjtorësh dhe me tepri mbledh pjesët e trupave të shenjtorëve

Më thonë shumë veta, (s’di a me të drejtë),
Me fjalë po më bindin, (me sy s’kam parë vetë),
se fort gëzohesh, o murg dhe atë,
tek mbledh lipsane të qashtra, pamatë,
të burrave dëshmorë e dëshmoreve të nderuara,
lipsane të shenjta, në këllëfë të mbuluara,
që i hap për t’ua treguar miqve të çmuar;
nga dëshmori Prokop i ke dhjetë duar,
nga Theodhori pesë, si dhe nofulla dhjetë,
kurse këmbë të Nestorit ke sindonja tetë,
nga Gjergji i shenjtë gjete veç katër kafka,
pesë gjinj të plotë nga athloforja Barbara;
dymbëdhjetë krahë ke mbledhur plot
nga dëshmori Dhimitër, bukurmundës i zot’,
Pandeleimonit njëzet nyej ia mblodhe ti,
s’të gjendet shok i dytë (ah, ç’begati)!
Thua se me besë gjithmonë i grumbullon,
nuk dyshoj aspak, asfare s’kundërshtoj,
por shoh se këllëfët shpesh rrotull shëtit,
u falesh si të qenë dëshmorë të Zotit Krisht.
Ajme, ky zelli yt i besës, Andre,
të ka bërë të mbledhësh çdo eshtër përdhe!

Përktheu nga origjinali: Sokol Çunga

 

Marrë nga: Kurtz, Eduard: Die Gedichte des Christophoros Mitylenaios, Leipzig, 1903, fq. 76-77, vargjet 1-22.

[Πολλοὶ λέγουσιν (εἰ δ᾿ ἀληθεῖς οἱ λόγοι
οὐκ οἶδα) πλὴν λέγουσι· καὶ πείθουσί με,
ὡς σφόδρα χαίρεις, ὦ μοναστὰ καὶ πάτερ,
εἴ τις σὲ σεπτοῖς δεξιοῦται λειψάνοις
ἀνδρῶν μαρτύρων ἢ σεβαστῶν μαρτύρων,
θήκας δὲ πολλὰς λειψάνων θείων ἔχεις,
ἃς ἐξανοίγων τοῖς φίλοις σου δεικνύεις·
τοῦ Προκοπίου μάρτυρος χεῖρας δέκα,
Θεοδώρου δὲ πέντε καὶ δέκα γνάθους,
καὶ Νέστορος μὲν ἄχρι τῶν ὀκτὼ πόδας,
Γεωργίου δὲ τέσσαρας κάρας ἅμα,
καὶ πέντε μαστοὺς Βαρβάρας ἀθλοφόρου·
καὶ νῦν μὲν ὀστᾶ δώδεκα βραχιόνων
τοῦ καλλινίκου μάρτυρος Δημητρίου,
νῦν τ᾿ αὖ καλάμους εἴκοσι σκελῶν ὅλων
τοῦ Παντελεήμονος (ὢ τῆς πληθύως!).
Λέγεις δὲ πίστει ταῦτα πάντα λαμβάνειν,
οὐκ ἀμφιβάλλων, οὐκ ἀπιστῶν οὐδ’ ὅλως,
αἰδῶ τε πολλῆν τοῖς κιβωτίοις νέμειν
καὶ προσκυνεῖν ὡς ὄντα Χριστοῦ μαρτύρων.
Βαβαὶ ζεούσης πίστεως σῆς, Ἀνδρέα,
ἥτις σε πείθει τοὺς μὲν ἀθλητὰς ὕδρας.]

4 Komente

  1. Oh, Sokol, na kenaqe! Ç’ishte kjo gje kaq e bukur per mengjes? Perkthim mjeshteror… Dhe me zhyt ne nje bote fare te panjohur dhe per te cilen kam aq kureshtje

  2. Mytilene nuk eshte ishull, por qytet (i lashte) ne ishullin e Lesbosit. Ma vrau shume syrin forma latine mitilini, edhe pse korrekte. Nuk di ndonje gje per letersine bizantine, por periudha e shkelqimit te Romes Lindore pas dyndjeve avaro-sllave e arabe eshte shek 11, mes Vasilit II dhe Romanit, qe u shpartallua ne Manzikert. Si simbol mbahet filozofi (e jo vetem) Mehill/Mihal Psello. Poezia e zgjedhur ka tematike me interes ”arkeo-fetar” dhe sa me takon nuk me pelqeu. Mund te ishte zgjedhur dicka jofetare per te ilustruar poezine apo letersine bizantine, meqe flitet per Rilindje dhe percjellje e dijes se te lashteve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin