Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Psikiatri

AMERIKA PA FRYMË – NJË VAJTIM

nga Ernest Nasto

(mbi motive të Librit biblik të Vajtimeve)

 

Amerika është pa frymë.
Amerika vajton.

Kjo javë ishte nga ato që thyejnë në mijëra copa shkëlqimin e lustrën e një kombi, ja hapin kanat shpirtin, skutat më të errëta të të cilit mund të shihen qartë jo vetëm prej të tjerëve (kjo po e po), por kryesisht e në radhë të parë prej kombit vetë.

Si u katandis kështu më e madhja ndër kombet?

Amerika vajton…mes gjithë atyre që e donin nuk gjendet askush që ta ngushëllojë…kundërshtarët e saj janë bërë sundimtarë…armiqtë e saj begatohen…tërë ata që e nderonin e përçmojnë sepse e kanë parë lakuriq…duket sikur Zoti e ka dënuar për shkak të morisë së shkeljeve e mëkateve të saj.

Amerika është pa frymë jo vetëm sepse ka mëkatuar rëndë (kjo po e po), por kryesisht e në radhë të parë sepse ajo ka refuzuar me kokëfortësi të shohë mëkatet e saj e ashtu të përpiqet t’i ndreqë ato.

Amerika vajton sepse ka zgjedhur të jetojë si e verbër e si shurdhmemece. Përkundër dëshmive, të qarta e të kudondodhura, të një racizmi të rrënjosur thellë, ajo vazhdon të kthejë kokën mënjanë.

Amerika është pa frymë sepse George Floyd* vetëm iu lut policëve ta linin të merrte pak frymë, sepse Eric Garner** vetëm iu lut kureshtarëve përreth ta dëgjonin tek rënkonte: ”S’marr dot frymë!”

Amerika vajton sepse listat e atyre të cilëve iu mohua fryma vijojnë të zgjaten, sepse morgjet janë të mbushura me kufoma, me kufoma të zeza, sepse të shumtë janë të lënët pa asnjë mundësi të përparojnë, tepër të shumtë janë të flakurit jashtë sistemit, tepër të shumta akuzat e kundërakuzat, tepër të shumta padrejtësitë, e përsëri ajo vazhdon të kthejë kokën mënjanë.

Amerika është pa frymë sepse zemra e saj është ngurtësuar, sepse ka besuar iluzionin (apo më mirë, gënjeshtrën) se të zinjtë e të bardhët kanë të njëjtat mundësi. Amerika s’arrin dot të pranojë që jeta e të bardhëve është po aq e kushtëzuar prej racizmit sa edhe ajo e të zinjve, vetëm se të bardhët përfitojnë prej tij, ndërsa të zinjtë e pësojnë.

Amerika vajton sepse ajo beson se sistemi nuk i sheh ngjyrat, se ligji nuk i konsideron ngjyrat, se parimi i saj famëmadh i qeverisjes ”së popullit, nga populli dhe për popullin” është në një farë mënyrë i paanshëm e që siguron drejtësi për të gjithë.

Amerika është pa frymë sepse ajo i ka trajtuar e vazhdon t’i trajtojë vrasjet e të zinjve si incidente të izoluara, të kryera nga ”individë kriminelë”, pra në çdo rast nga ”një mollë e prishur” që s’mund të tregojë kurrsesi cilësinë e shportës. Por kjo ka qenë, e vazhdon të jetë, e rreme, dhe pa ndërhyrje e ndryshime themelore do të vazhdojë të mbetet e rreme.

Amerika vajton sepse ajo ka harruar të shohë të vërtetën rreth varfërisë së thellë të të zinjve, por edhe të të bardhëve në zonat e thella rurale, duke u fshehur pas xhinglave si televizorët e celularët, e duke u përpjekur kësisoj të argumentojë se ata ”s’janë në fakt të varfër” meqë kanë aso xhinglash.

Amerika është pa frymë sepse ajo është e përçarë në reagimet e saj, për protestuesit ndaj masave izoluese nga COVID-19 fokusi është tek sjellja e tyre, ndërsa për protestuesit ndaj dhunës policore fokusi është tek arsyet e protestave. E djathta i bashkohet së majtës në kritikën e brutalitetit policor, ndërsa e majta refuzon t’i bashkohet së djathtës në dënimin pa ekuivok të vandalizmave. Amerika ka harruar kësisoj fjalët e të madhit Martin Luther King*** se ”duhen kritikuar me të njëjtën forcë edhe vandalizmat edhe kushtet jetësore që çojnë atje…segmente të mëdha të shoqërisë së bardhë shqetësohen më shumë për ruajtjen e statu quo-së e të qetësisë se sa për drejtësi shoqërore…nëse vonohet zgjidhja këto vandalizma do të përsëriten.”

Amerika vajton sepse ka harruar fjalët e veprimet e presidentëve të mëparshëm në rolin e tyre si kryevajtues e kryengushëllues të kombit në çaste tragjedish kombëtare. Ka harruar fjalët e presidentit Lincoln pas betejës së Gettysburg në mes të Luftës Civile, sfidës më të madhe ekzistenciale të historisë amerikane, kur ai, komandanti i njërës palë ndërluftuese, nderoi njëlloj të rënët nga të dy palët. Ka harruar fjalët e presidentit Reagan me rastin e tragjedisë së anijes kozmike Challenger më 1986. Ka harruar fjalët e presidentit Clinton me rastin e atentatit terrorist në Oklahoma City më 1995 se ”dhimbja juaj është e papërfytyrueshme …por s’duhet lejuar të kthehet në urrejtje, por në kërkesë për drejtësi”. Ka harruar fjalët e mëdha të presidentit George W Bush mbi gërmadhat e Kullave Binjake pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001 se ”…po, ju dëgjoj…gjithë Amerika ju dëgjon…gjithë vendi ju dërgon dashuri dhe dhembshuri”. Ka harruar se si presidenti Obama, pas vrasjes së 9 pjesëtarëve të një kishe zezake në Raleigh, North Carolina, më 2015 këndoi në funeral himnin e famshëm abolicionist kristian ”Hiri Mahnitës i Perëndisë” (Amazing Grace), apo fjalët e tij se ”besimi ynë kristian kërkon vepra e jo vetëm fjalë…se vënia e tij në jetë është thirrje jo thjesht për akte të veçanta mirësie, por për imperativin e një shoqërie të drejtë”.

Amerika është pa frymë sepse s’ka sot një kryevajtues e kryengushëllues si ata që sapo përmendëm, s’ka dikë që të mund të ndjejë e të shprehë dhimbje, të qeshë e të qajë si të gjithë njerëzit xhanëm, që të jetë i aftë të shohë ekzistencën reale të vdekatarëve të tjerë në vetvete, e jo vetëm lidhur me interesin e tij personal, dikë që të ketë burime shpirtërore, letrare e historike të cilave të mund t’u drejtohet në rast krize.

Amerika vajton sepse partia e ashtuquajtur e majtë ka refuzuar në vazhdimësi të bëjë diçka për punëtorët e të gjitha ngjyrave, duke u kënaqur me ato xhinglat që thamë më sipër, e duke preferuar të merret me politika identitare, me studime gjinore, e të tjera tema të tilla ”tepër shqetësuese”.

Amerika është pa frymë sepse ajo ndodhet edhe në krizë shpirtërore, sepse liderët e korruptuar të së Djathtës Fetare në vend që të jenë ndërgjegjja e kombit e t’i thonë të vërtetën pushtetit, kanë rënë kokë e këmbë në prehrin e atij pushteti dhe refuzojnë me ngulm të bëjnë kritikën më të vogël ndaj amoralitetit që buron nga maja e kupolës. Besimtarët kristianë evangjelikë, populli i Zotit, që duhet të jenë ”drita dhe kripa e tokës” janë kthyer kësisoj në bllokun mbështetës me besnik të amoralitetit në fjalë.

Amerika vajton!

Amerika është pa frymë!

(c) 2020, Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

====

*personi me ngjyrë që vdiq së fundi në Minneapolis gjatë përpjekjes së policisë për ta arrestuar, pasi njeri prej oficerëve e mbajti për disa minuta rresht të mbërthyer përdhe me gjurin në qafë. Vdekja e tij u dha shkas trazirave që përfshinë javën e kaluar qytetet anembanë Shteteve të Bashkuara.

** person me ngjyrë që vdiq më 2014 në New York pasi oficerët që po e arrestonin e mbajtën për disa minuta në pozicion mbytës, e pasi ai, i shtrirë në trotuar, përsëriti 11 herë fjalët ”s’marr dot frymë”.

*** udhëheqësi i lëvizjes për të drejtat civile të zezakëve në vitet 1960. Fjalimi i cituar është mbajtur më 1967, pas trazirave raciale në Detroit. King u vra me atentat më 1968.

50 Komente

  1. Si u katandis kështu më e madhja ndër kombet?

    Protesta te tilla ka patur qe kur s’mbahet mend ne SHBA.Viktima nuk ishte engjell,kishte bere ca vjet ne hapsane per robbery .Officeret thyen ligjin megjithate .Familja e viktimes ka te drejte te hedhe qytetin ne gjyq e te marre ca miliona $$ demshperblim .Kuptohet qe parate nuk ta kthejne te dashurin ne jete por as djegia e vendit nuk do ta ngjalle ate .Protestat jane shprehje e zemerimit te kushteve ne te cilat varferia e dhuna pjellin varferi e dhune ,nje pjese e komunitetit zezak ka ngecur e nuk del dot .

  2. Alba, ju falenderoj për komentin. Fakti që protesta të tilla kanë ndodhur gjithmonë vetëm sa e përforcon nevojën për të vajtuar, sepse gjërat vazhdojnë të mos ndryshojnë. Prandaj citati nga MLK mbetet aktual megjithëse ato fjalë janë shqiptuar 53 vite më parë.
    Sa për viktimën ju këshilloj të konsultoni edhe një herë burimet e informacionit tuaj sepse ai ishte kthyer në fakt në një engjëll, mishërim i fjalëve të Gandhi-t ”be the change you want to see in the world”. Ja kjo për t’ju ndihmuar:

    https://www.christianitytoday.com/news/2020/may/george-floyd-ministry-houston-third-ward-church.html

    1. Let us not seek to satisfy our thirst for freedom by drinking from the cup of bitterness and hatred .
      MLK

      1. E drejtë, prandaj vajtimi është për të dy anët e spektrit politik, bile edhe për ata të mesit!

      2. Eksperimentin me lirine te zinjte e SHBA e bene ne Liberi.
        Ajo e ashtuquajtur etje eshte thjesht nje pelhure per te mbulur gjithshka me te, e per ti dhene cdo trilli instiktiv ne gjak te njeriut nje forme te pertypshme shoqerore.

        Etja per liri te jep edhe Romen. Te jep edhe Monrovian..

        Mbaj mend nje here ne Rome ne 1993, kur sa hapa kangjellen e deres se metalte per te dale perjashta pash nje gryke Berete drejtuar mu ne goje. Ne katin e pare te nderteses ishin nja 2-3 liripelqyes marokene qe dealning me droga te renda ne sasi te madhe, te cilet policia italiane kishte ardhur ti pyeste per shendetin. As 3 muaj, megjithese edhe Il Messaggero kish shkruar per ta, perfunduan prap ne katin e pare. Nje mbremje mu duken si te vdekur. I pashe nga dritaria ashtu te ngrire. Ah – thashe – Rigor mortis. Sepse mendja dhe syri im i “virgjer” s’kish pare ndonjere kur liridashesit binin ne meditim te thelle.
        Mora ne telefon nje liripelyqese tjeter, Suzanen, zviceriane kjo, dhe i thashe te vinte sa me shpejte se shoket e vet ne kerkim te lirise, kishin zbardhur syte.

        Liria eshte e veshtire. Eshte e lodhshme. Eshte e merzitshme. Eshte mosmirenjohese. Shpesh kerkon nga ty me shume sa c’te jep, apo se sa c’mendon ti se i takon. Ka cmim te larte. Per te gjitha palet.

        1. Liridashesit shqiptare nuk jane shume larg atyre marokene.Me kujtonet kur u vinin flaken stacioneve te policise,gjykatave ,shkollave bibliotekave .
          Matthew 7 :: NIV. “Do not judge, or you too will be judged. For in the same way you judge others, you will be judged, and with the measure you use, it will be measured to you.

  3. Keep Calm & Don’t Hold Your Breath.
    Poezia ishte shkruar me ndjenje sidoqofte. Kudos.

  4. I mbyllur per te kaluar kete situate te shkaktuar nga Covid19, e kam bere te udhes, jo vetem te lexoj cfare shkruhet ketu tek “Pejzazhet e Fjales”, por sidomos te shoh shpesh ne YouTube video nga vende te ndryshme te botes. Se fundi ndoqa disa video ku paraqiteshin ndryshimet mahnitese te disa prej qyteteve te medha kineze, si Shanghai, Beijing, Chong Qing, etj. Habitet njeriu duke pare autostrada te panumerta,ndertesa te larta me arkitekture ultramoderne, rruge qytetese plot ndricim e gjelberim, e shume ndryshime te tjera marramendese.

    Duke ndjekur videot, nuk di pse mu kujtua ajo periudhe e miqesise tone me kete vend te madh dhe pyeta vehten: Po sikur shoket kinez te kishin degjuar dhe marre ne konsiderate mesimet dritedhenese te shokut Enver ne ate kohe, ku do te ishin sot valle? A do ta kishin bere realitet parrullen e famshme ” lufta per buke eshte lufte per socializem” ? Dhe jo vetem kaq, por a do ta kishin realizuar valle objektivin madhor te prodhimit te orizit ne vend?

    1. Se mos mendon ndonje sikur po beje analogji, qe, ashtu si dikur shoku Enever donte te shpetonte Kinen ,shoku Nasto po bene te njejten gje per te shpetuar Ameriken?

      1. S’besoj se autori kerkon te shpetoje Ameriken, me duket me teper si nje vajtim, jo si polemike, per gjendjen ku kjo ka rene. Ketu ne Amerike dhimbja eshte reale dhe secila parti kryesore ka propozimet e veta lidhur me konfliktin e racave. Asnjera prej tyre s’me ngjan me rrugen e Enverit. Republikanet akuzojne demokratet se rruga e tyre do ktheje Ameriken nga USA ne USSA, United Socialist States of America, si aludohet nga komenti juaj. Garanci ne kete bote s’ka per asgje, por do te ishte marrezi e madhe nga demokratet qe te kishin kete objektiv sot pasi Rusia sovjetike ka 30 vjet qe eshte shembur. Po te ishin demokratet komunista do ishin perpjekur ta benin kete gje atehere kur sistemi ishte ende ne kembe. Megjithate shume amerikane, po paska edhe shqiptare, e besojne nje marrezi te tille

        1. Cila qenka marrezia qe besoj une zoteri Horse Whisperer? Vertete ju shkon ne mendje se ka te marre qe te mendojne se raportet e dy Partive kryesore amerikane ndryshojne ne qendrimin ndaj diktaturave dhe vecanerisht asaj komuniste? Ndoshta Ju mund te keni kontakte me boten perendimore ne kete 30 vjetshin e fundit, Zoteri, kurse une jam rritur duke degjuar “Zerin e Amerikes” dhe jam njohur me komentet e tij brilante ku pasqyroheshin pikpamjet e qeverise amerikane qysh nga mosha 12 vjecare. Ajo qe mua me tmerron, qendron ne faktin, se, si eshte e mundur qe ne si popull te mos heqim dore nga megalomania absurde per ti dhene mend botes. Dhe qe ta kuptoni drejt komentin tim, po ju them, se qellimi i tij eshte vetem te ve ne dukje marrezine tone konstante qe nuk na u shqit edhe pas kaq vjetesh ne liri..
          Por me sa duket , ju nuk duhet keni degjuar per projektin madheshtor demokristian, si ai ne Italine e pasluftes, te cilen zoti Nasto po perpiqet ta implementoje sic thote ai, “..edhe ne kete ane te Atllantikut”, per ti ndryshuar faqen Amerikes. Vete zoti Nasto na bente te ditur ne nje shkrim te paradokoheshem, ku na premtonte per nje trajtim te hollesishem dhe rrenjesor te ketij problemi kardinal ne nje te ardhme jo te larget, te cilin une, si gjithe Amerika, mezi po presim te dale ne drite. Vete une jam me zemer te ngrire, sepse edhe ne moshe jam i shtyre, dhe ky i flamosur koronavirus mund t’ma hiqte mundesine per ta pare, duke bere me kete rast te mos me treste as dheu nga meraku i madh per te renen ne kontakt me kete xhevahirprojekt.

        2. F.A. nuk e di ku jetoni ju por ketu ne Amerike ku jetoj prej disa vjetesh ka shume e shume qe besojne se demokratet do e bejne vendin socialist po te fitojne.
          Une s’e kam arritur kohen e Zerit te Amerikes, dhe me vjen keq qe s’kam qene aq me fat brilant sa ju. Kete blog s’ka shume qe kam filluar ta lexoj, e kam mesuar mjaft gjera. Ketu shkruhet nga autore qe jetojne ne vende te ndryshme e qe patjeter flasin edhe per probleme te vendeve ku jane, z. Nasto s’me duket se ben perjashtim. Thjesht me beri pershtypje revolta juaj saqe mendova per nje moment se mos ju kane denuar te lexoni kete blog gjithe diten e sidomos shkrimet e z. Nasto. Qofsha gabim!

        3. Horse, ju thoni:” Megjithate shume amerkane, POR PASKA DHE SHQIPTARE, e besojne nje marrezi te tille”
          Natyrisht, shqiptari qe ju bind per kete marrezi qenkam une. E kujtova Zerin e Amerikes, per te cilin ti duket ndjen nje kenaqesi te parrefyer ta ironizosh, si argumet, se eshte ai qe ma ka bere te ditur qysh femije, qe eshte vertete marrezi te marresh me mend nje qendrim te ndryshem nga dy forcat kryesore politike ne Amerike ndaj ideologjise komuniste.
          Ne komentin tim, une pata parasysh zotin Nasto dhe qendrimet qe ai pasqyron ne shkrimet e tij, si objekt shqetesimi. Nuk ma merrte mendja se do shqetsoja dike tjeter. Kur ai flet ne shkrimet e tije mbi mundesine e transferimit te ideve majtiste “edhe ketej atllantikut”, njeriu nuk ka si mos te shqetsohet, (nje shqetesim ndoshta fare i paarsyeshem) qe komunistet, ate te cilen nuk munden ta realizojne nepermjet Rusise Sovjetike, duket, kane filluar ta enderroje se mos ndoshta mund ta realizojne nepermjet Amerikes. Te shqetesohesh zoteri, nuk do te thote aspak te besosh. Besimi bene fjale per bindje te kristalizuar, shqetesimi eshte thjesht nje parashikim, menyre per ti dale cdo te keqe perpara.
          Pasta vazhdimi i ironise tuaj, ku ju aludoni sikur mua me paskan “..denuar te lexoj kete blog gjithe diten e sidomos shkrimet e zotit Nasto”, eshte nje arritje vertete mbreslenese ne fushen e humorit.

      2. F.A. ndjese per kete nderhyrje te vockel ne kontributet tuaja dashamirese por vetem sa per sqarim do t’ju keshilloja te rishikoni burimet. Nese do t’i thoshit ndonje italiani asokohe (por edhe sot) se demokristianet ishin (jane) majtiste, do ta kishit punen pisk, le pastaj sikur te justifikoheshit me Zerin e Amerikes!

        1. Per te bere te qarta raportet e demokristianeve me te majtet, besoj se rasti Moro eshte i mjaftueshem. Por per t’ju bindur edhe me teper per njohurite e mia modeste per raportin ne fjale, po tregoj cfare me tha nje socialist italian kur ndodhesha per disa kohe ne ate vend, i cili kish qene aviator gjate zbarkimit italian ne Shqiperi: “Sinqerisht, une kurre nuk arrij ta kuptoj se si ju keni mundur te duroni komunizmin per nje periudhe aq te gjate”. Pra shkurt, kur nje socialist, qe eshte i majte i deklaruar ka kete bindje, merret me mend lidhja e demokracise kristjane me te majten.
          Une, Zoti Nasto, i perkas atij brezi, qe me te shumten e jetes e kaloi ‘duke i fryre qullit’. Per zakon, nuk mendoj se ndonjehere gabimish mund “ti fryje edhe kosit”, duke harruar ne ndonje rast qe jetojme ne kohe tjeter. Gjithe ate qe kam dashur te ve ne dukje, po e permbledh me pak fjale. Ne jemi nje vend dhe popull i vogel. Fakti qe na jepet mundesia te kontaktojme me te medhenj, nuk duhet t’na beje te mendojme se jemi te barabarte me ta. Dhe c’eshte me kryesorja, energjite ndoshta eshte mire ti veme ne sherbim te mbrothtesise te atij vendi qe na ka falur zoti. Kjo nuk do te thote aspak se nuk duhet te punojme me te njejtin zell edhe ne ate vend ku rasti e solli te jetojme.
          Dhe per ta mbyllur perfundimisht, nuk mund te mos ve ne dukje, se konsideratat per te cilin ne po shkembejme mendime jane te ndryshme; ju niseni nga premisa ideologjike, une nga ato politike. Ky besoj del e tepron si shkak per debatin e krijuar.

  5. Në New York prej muajsh janë mbyllur shkollat, janë mbyllur restorantet, janë mbyllur teatrot, janë mbullur muzeumet, janë mbyllur operat dhe filarmonia, por janë hapur burgjet. Qytetarët janë kyçur në shtëpi dhe kriminelët në rrugë. Tani që po shkruaj Midtown Manhattan është duke u plaçkitur.
    Pain!

      1. Target, Apple apo kompanitë e tjera paguajnë taksat, inshurancat dhe pensionet e puntorëve dhe të biznesit sipas ligjeve. Ndryshe nuk rrinë dot në biznes, pavarësisht se ç’thoni ju. Kur kontestohen sipas “prevailing wages laws” këto kompani shkojnë në gjyq. Edhe atëherë i paguajnë dëmshpërblimet sipas ligjeve (win or lose). Këta i marrin rrisqet sipas ligjit, jo sipas Maliqit. Çfarë taksash paguajnë këta që vjedhin? Kujt i përgjigjen këta? Ndërkohë shancet janë që këto dyqane nuk hapen më, por do jenë vakant. Që do të thotë papunësi, varfëri dhe shkatërrim urban.

        Nuk ke si të kesh dhimbje kur nuk i kupton gjërat.

  6. Sapo e lexova si nje nga prurjet qe me sugjerohen sapo hap sitet e internetit. . e shkruar qe meriton falenderim..si komunikim i pare shtysa per ta lexuar erdhi ngaqe autori eshte atje..Jane thene keto gjera sikur shkruhen sot ? Eshte mbushur terreni i filoz e konceptual me permendore ..championsa te lirise, championsa te demokracise…Po andej guxon njeri te shprehet se cfare po bejne championsat ketu…kane shkretuar institucionalisht e deri ne rrenje te drejten… nuk me takon te gjej njollat se ku jane e kush i ka ne tere ate vend…as te ster-perseris se jane ndoca …Ketej modeli qe na ofrohet ska lidhje me asgje konceptuale pervecse ca batuata te kripura ish presidentesh, thua se jemi kindergarden kid-sash qe duhet te mbajne ne memorie permendesh ca fjali pa kontekst e konceptualitet sagllam si vademecum sikur te jemi mendjelehte ne udhetim pa krye…mirekuptohem qe ndava nje opinion..gjith te mirat !

  7. Jam dakort me autorin qe fajin e kane te krishteret, do vecoja anglikanet e amerikes( episkopalet) te cilet jane pak dhe kane rreth 25% te pasurise se Amerikes. Po ashtu fajin e kane edhe cifutet, qe jane pak dhe kane nje perqindje te madhe pasurie. Qe te krishteret anglikane dhe cifutet te jene te kamur, duhet te zezaket dhe hispaniket te jene te skamur dhe kete nuk e leviz as topi, persa kohe qe Anerika nuk perben ndonje risi evolutive ne shperndarjen e te ardhurave. Zezaket kane te drejten e tyre te protestojne, por gishtin duhet ta ngrene kunder pakicave anglikane e cifute, dhe jo kunder racizmit te te bardheve ne pergjithesi. Ai polici e police te tjere, bashke me supremaciste te bardhe e kuklusklaniste te ndryshem jane thjesht buratine, kukulla ne duart e pakicave pasanike anglikane e cifute qe e kane te nevojshme ekzistencen e te skamurve. Nqs pasuria ne Amerike nuk shperndahet, zezaket do rrine gjithe ekzistencen e tyre te skamur ( si kane tashme 4 shekuj do kalojne edhe 40 shekuj te tjere) ndersa cifutet dhe anglikanet do jene te pasur.

    1. Unë nuk do I hyja shumë me anglikanë dhe çifutë, por i ke rënë pikës. Problemi nuk është racizmi sot, në kuptimin e atij nga sistemi (systemic racism), që sikurse e kanë shpjeguar të tjerë, sot nuk ekziston më, ndryshe nga forma individuale të racizmit që do ekzistojnë gjithmonë sa kohë kjo tokë të mbajë budallenj. Problemi është që ndërkohë plaçka ishte ndarë. Është njësoj si të vendosësh një arbitrim të pa-anshëm pjesën e dytë por ke bërë 10 gola offside pjesën e parë, për ta banalizuar.

      1. Kyçi tek shprehja “systemic racism”, është tek “systemic”. Çdo kush e përkufizon sistemin sipas botëkuptimit dhe eksperiencave personale, që variojnë nga ato që shohin tek sistemi mishërimin e rracizmit, tek ata që nuk gjejnë asnjë lidhje midis të dyjave.

        Le të supozojmë se e vërteta duhet të jetë diku midis të dyjave dhe e pranojmë systemic racism si të mirëqënë, si diçka që duhet të ndryshojë. Për mendimin tim ka një lloj konsensusi ne US që diçka duhet të ndryshoj. Pyetja shtrohet si duhet të ndryshojë?

        Ka dy mënyra që po prezantohen, së pari duke ndryshuar sistemin vet, ose së dyti duke rritur pavarësinë e individit nga sistemi, si të thuash për t’ia ulur fuqinë sitstemit.

        Për mendimin tim, vala e tanishme e protestave kërkon të ndryshojë sistemin, pa adresuar shumë pavarësinë e individit nga sistemi, dhe për rrjedhojë duke anashkaluar edhe përgjegjësitë individuale. Kjo lloj përqasje përkon me një tendencë të së majtës politike për socializimin e shoqërisë, ku vendimet dhe përgjegjësitë janë shoqërore dhe jo individuale. Ndërkohë nuk është e rastësishme që kësaj i parapriu një nga eksperimentet më të guximshme në perëndim (por edhe më katastrofike do thosha unë), politikat e “pandemic lockdown”, që në vetvete përfaqsojnë kapërcimin përfundimtar të pragut (threshold) drejt socializimit të qytetërimit perëndimor, që deri më tash ka qënë i themeluar mbi konceptin e lirive individuale.

        1. Me systemic racism kam parasysh institutional racism.

          https://en.m.wikipedia.org/wiki/Institutional_racism

          Bie dakord me ty që në fakt ka një sistem tjetër, më kompleks, dhe më fluid për tu përkufizuar. Diku e kanë quajtur dhe uber racism.

          https://www.annualreviews.org/doi/abs/10.1146/annurev-soc-071811-145508

          Ky është problemi.
          Puna është që nga ky lloj sistemi nuk del kot kollaj siç thua ti. Ose ja dhe dole xhanëm, prapë nisja është e pabarabartë.

          Se tani, për ta vazhduar atë analogjinë me futbollin se e kam qejf, këta prapë 10 gola mbrapa do nisen.

          Dhe më ironikja është kur del ky ekipi në avantazh dhe i thotë këtyre : po mirë ore ja arbitrin dhe rregullat ua sollëm tani, prapë 10 gola mbrapa mbetët o të lodhur? Na se po ju falim tek tuk dhe ndonjë korne, se gjynah.

          1. Nuk më duket se analogjia e futbollit qëndron. Kjo presupozon trashëgiminë e plotë të pronës, dhe privilegjeve nga brezi në brez. Tocqueville e përmënd pamundësinë e formimit të një aristokracie, biles edhe në jugun skllavopronar, si një nga arsyet e demokracisë amerikane. Dhe këtë ia dedikonte ligjeve të trashëgimisë që kërkonin ndarje të barabartë të pronës midis trashëgimtarëve, ç’ka e bënte të pamundur akumulimin e pasurive në breza.

            Ndërkohë kapitalizmi American është i ashpër, dhe falimentimi i zakonshëm. Kompanitë më të mëdha për të mbijetuar kanë shumë sheareholders. Shumica e CEO-ve të corporatave amerikane janë minoritete.
            Po ashtu njërzit më të pasur në US janë shumica të gjeneratës së parë që e kanë nisur nga zero.
            Pra narrativa është false dhe e pa mbështetur në realitet.

        2. Tokevili ia futi kot; shpejt e shpejt, Rokfeleret me kontrollin e Standart Oil/Exxon ( nr 1 i naftes), Morganet me MorganChase ( banka me e madhe amerikane), Dypontet e nemurit ( Du Pont, nr 1 industrine kimike) etj. qe jane tashme me kontroll fisnor se jane familje te vjetra, por me kontroll familjar kemi psh Walmart qe nr 1 boteror per te ardhura/xhiro vjetore/revenue , nderkohe qe Standart Oil/Exxon mobil eshte nr 2 ne Amerike per xhiro vjetore.

          Nuk eshte e nevojshme te hyhet tek borxhet publike te shteteve se kush i kontrollon, por qe mjafton nje logjike elementare, askush nuk behet i pasur me 3-4 % interes vjetor qe paguajne borxhet publike, pra pasaniket qe i kane jane pasanike te vjeter qe kane trasheguar parate dhe qe u dalin e teprojne 3-4% fitim vjetor.

          Nqs Tokevili do kish qene i vemendshem ndaj Hollandes sa u tregua Marksi do e shihte se cdo vend do modelohej sipas Hollandes te shek 18, kur nja 10 familje/fise te vjetra kontrollonin shumicen e borxhit publik dhe vete shtetin hollandez.

          Keta qe dalin ne televizor jane karremi per popullin, bejne show, familjet/fiset e vjetra kontrollojne ndermarrjet e bankat dhe institucionet e medha financiare, perfshire nje pjese te majme te borxheve sovrane te shteteve.
          Anglikanet jane pronaret e medhenj, sepse kontrollojne pasuri te patundshme duke nisur nga bregdeti lindor ne kohen e kolonive angleze dhe u zgjeruan ne pasuri te patundshme kudo ku u zgjerua shteti amerikan, kane 400 vjet qe trashegojne tapite ne familje e fis.

      2. Duke supozuar rishperndarjen e pasurise ( ose uljen e koeficentit Gini) si dukuri revolucionare, atehere cdo revolucion lidhet me faktore etnike, racore, fetare apo etno-gjuhesore. Kjo eshte edhe ne natyren e gjerave, persa kohe qe pasuria mblidhet ne duart e pakicave qe rendom jane etnike, racore, fetare apo etno-gjuhesore. Po ashtu si thote Aristoteli edhe skllaveria eshte ne natyren e gjerave ( pavaresisht se skllaveria mund te marre forma te ndryshme, kufizimi i renduar i lirise, ekziston masivisht edhe sot, sikunder dje – nuk kishte ndonje dallim te madh i persekutuari i komunizmit nga zezaku skllav, apo hispaniket ilegale qe punojne sot ne bujqesine amerikane). Fakti qe e majta kapitaliste i anashkalon plotesisht keto 2 probleme qe jane ne natyren e gjerave, e ben qe te jete thjesht justifikuese e pakicave pasanike. Nuk mund te jete problem gjysma e bardhe e Amerikes dhe Trampi, problemi jane thjesht 2-3 pakica mes te bardheve, te cilet e bazojne kamjen e tyre tek skamja e te zinjve, hispanikeve dhe shume te bardhesh te tjere, qe rendon nuk i takojne komuniteteve te tyre etnike, racore e fetare.

    2. “Jam dakort me autorin qe fajin e kane te krishteret, do vecoja anglikanet e amerikes( episkopalet) te cilet jane pak dhe kane rreth 25% te pasurise se Amerikes. Po ashtu fajin e kane edhe cifutet, qe jane pak dhe kane nje perqindje te madhe pasurie”

      DI, ju falenderoj per komentin por me duket se kemi te bejme me nje apo disa keqkuptime: askund në artikull nuk thuhet se ”fajin e kane te krishteret”. Nese e keni fjalen per paragrafin e fundit, e Djathta Fetare dhe ndjekesit e saj qe kam permendur nuk perfeqesojne aspak ”te krishteret” si grup.
      Ata jane nje pakice mes besimtareve te krishtere, paçka se nje pakice e konsiderueshme ne spektrin politik aktual. Kjo pakice ka sot ne dore megafonin me te madhe e me te fuqishem, pikerisht per arsye te kompromisit te saj faustian me pushtetin, e prandaj duhet kritikuar me force.
      Sa per anglikanet, ata jane ne vijen e pare te kundershtimit te se Djathtes Fetare dhe te te gjitha politikave te saj, ne ndihmen ndaj te varferve e pakicave me ngjyre, etj, prandaj nuk hyjne fare ne kete mes.

      1. Me falni, qenkam keqkuptuar. Nuk e dija se anglikanet qenkan kulmi i hipokrizise; edhe pasaniket me te medhenj ne prona te patundshme, edhe bamires per te zinjte. Mungon edhe qe cifutet pasaniket me te medhenj ne kapital financiar te jene bamires te te zinjve dhe si e shoh une, hipokrizia te jete galaktike.

        E djathta fetare eshte republikane, zezaket jane 99% demokrate, ketu kemi mosperputhje politike/partiake, jo problem racor .

        1. Po e perseris qe anglikanet a Amerikes (episkopalianet) S’KANE lidhje me te Djathten Fetare, e cila ishte objekti i kritikes sime ne paragrafin e fundit te shkrimit. Po ashtu ”hipokrizia e episkopalianeve” nuk ishte fare objekt i atij shkrimi. Ndersa çifutet ca me pak.

          Tashti, nese doni te mesoni diçka per te Djathten Fetare mund te shikoni nje numer shkrimesh te miat ne faqet e PTF. Por nese ngulni kembe te episkopalianet dhe doni te sillni diçka per hipokrizine e tyre, jeni i,e lutur ta beni me te dhena konkrete, jo me fjale ne ere.
          Hipokrizia do te tregohej p.sh. nese do te jepnit perqindjen e te ardhurave te tyre qe shkon per vepra bamiresie, ta krahasonit kete me grupet e tjera besimtare dhe ajo te dilte me e vogel. Me te dhena te kesaj natyre do te respektonit rregullat e debatit e po ashtu do t’i shtonit diçka atij.

          Perndryshe, nese doni te mbeteni te hipokrizia galaktike, nje burim i dores se pare me rezulton ky:
          https://www.reddit.com/r/Stellaris/comments/8mu21c/galactic_hypocrisy/

  8. @LA çdo analogji çalon, po përpiqu të kapësh atë pjesë e cila nuk çalon.

    Puna është se ti e sheh trashëgiminë në terma shumë të thatë, leku dhe prona. Nuk është ashtu, ose më saktë jo vetëm ashtu.

    Trashëgimia në këtë rast është edhe shkollim, infrastrukturë, neighbourhood, connections, traditë, e më the të thashë. Të gjitha këto janë tools që robi ka në dorë për të ecur përpara. Ka një butterfly effect aty, një zinxhir i gjatë shkaqesh dhe pasojash, të cilat në nivel makro do s’do e nxjerrin kokën.

    Shkurt puna edhe më tepër sesa pronë, është një environment. Sistemi pra që po flisnim.

    Nejse nuk po e zgjas më së ja prishëm poezinë Ernestit.

    @Parrulla/Ardian më hiqni dot këtë moderimin e komenteve të mia ju lutem?

    1. (Adresa jote dhe emri nuk po moderohen prej nesh. Nuk di pse ndodh që disa komente pengohen – edhe Ernest Nastos i ndodh e njëjta gjë, edhe disa të tjerëve. Mbrëmë i ndodhi Lorjanit. Duhet të jetë WordPress-i vetë që kushedi se cfarë sheh tek adresat (të tre ju jeni të regjistruar te Peizazhet si autorë). Mund të jeni ju që përdorni VPN?

    2. Peshperitesi,

      E thjeshtova jo pa qëllim. Relaiteti është kompleks. Por është pikërisht kompleksiteti i relalitetit që zakonisht përdoret për të fshehur qëllimin e mesazhit, ose zhurmës që dëgjojmë në media.

      Argumentin më të mirë në linjat që shtroni ju është bërë para disa vjetësh nga Ta-Nehisi Coates në një artikull të titulluar “The Case for Reparations”.

      https://www.theatlantic.com/magazine/archive/2014/06/the-case-for-reparations/361631/
      Autori është i vërtet dhe i sinqetrë në argumentin që bën.

      Megjithatë unë kam tjetër mendim. Më shumë sesa “reparation”, amerikanët e zinj kanë nevojë të bëhen pjesë e projketit amerikan, asaj që quhet nryshe “American Dream”. Sot afro-amerikanet nuk identifikohen dot me kapitalizmin amerikan, por identifikohen me “welfare state”.

      Në Amerikë emigrantët, sidomos minoritet aziatike janë shumë të suksesshëm, edhe brënda një gjenerate. Biles më të suksesshëm se të bardhët. Nëse gjithë teoritë e racizmit do ishin të vërteta atëherë si do e shpjegonim këtë realitet, sepse ka kaluar më shumë se një gjeneratë që nga koha e “civil rights movement”?

      Ka vërtet një “environment” siç thoni ju, por ky environment, ose barrier më saktë, është më shumë politike, sesa social ekonomike. Nga njëra anë Demokratët janë të interesuar të ruajnë statusquonë e “welfare state” sepse kanë kyçur një pjesë të mirë të elektoratit, kurse Republikanët në rastin më të mirë janë të painteresuar, kurse në rastin më të keq e kuptojnë se ç’ndodh por prapëseprapë janë të interesuar të ruajnë statusquonë, dhe punojnë për ta ruajtur, spese kështu milkojnë një pjesë të elektoratit të tyre që në të vërtet është rracist. Ndërsa e dinë se është shumë e vështirë të marrin votat e të zinjve.

      Trump, pak para Covid, ishte një rrezik real në votimet e ardhshme për ta thyer disi ciklin e kycjes politike të elektratit afro-amerikan. Not anymore.

      1. LA, e lexova artikullin. Më duhet të të falënderoj sepse mu duk vërtetë shumë i mirë, dhe po, është shumë afër asaj se si e mendoj unë këtë punë.

        Përveç zgjidhjes. Jo se ai e ka keq, por sepse jam 100% I bindur që është e pamundur dhe nuk ka për të ndodhur kurrë. Amerika nuk është Gjermani, me gjithë të mirat dhe të këqijat që sjell kjo.

    3. Zoti peshperitsi!
      Lutem, a mund t’me beni te ditur, se mbi cilen ligj, apo baze shkencore, logjike, e mbeshtesni menyren e te shkruajturit, si ne kete koment? Si mund te shkruhet nje fjali ne dy gjuhe, sic beni ju ne kete rast? Pra, e filloni fjaline ne shqip, e vazhdoni ne anglisht dhe e mbyllni po ne shqip! Perse kjo menyre te shkruari? Mund ta kuptoj njeriu domosdoshmerine e paraqitjes se nje burimi reference ne gjuhen qe eshte shkruar, por te perdoresh dy gjuhe per ndertimin e nje fjalie, kjo mua me duket e habitshme. C’eshte valle ky zakon, mundet te me jepni nje sqarim, ju lutem, qofte ky edhe me dy rreshta?

      1. I nderuar,

        Kërkoj ndjesë, e kam të qartë që diçka nuk shkon aty.

        Ta them kështu shqeto fare, ky lloj debati në arealin shqip thuajse mungon, ndaj gjithë kohës jam mësuar ti ndjek këto gjëra në anglisht. Çdo terminologji aty vjen me një kontekst dhe konotacion të vetin. Për të shmangur ndonjë keqkuptim apo gafë, ose për ti hequr ca siklet vetes, I bie shkurt ndonjëherë dhe nuk I përkthej.

        Por kritika juaj qëndron.

  9. Kush tha që arti nuk është profetik.

    Miami 2017 – Billy Joel

    Seen the lights go out on broadway
    I saw the Empire State laid low
    And life went on beyond the Palisades
    They all bought Cadillacs
    And left there long ago
    They held a concert out in Brooklyn
    To watch the island bridges blow
    They turned our power down
    And drove us underground
    But we went right on with the show

    I’ve seen the lights go out on Broadway
    I saw the ruins at my feet
    You know we almost didn’t notice it
    We’d seen it all the time on Forty-second Street
    They burned the chuches up in Harlem
    Like in the Spanish civil war
    The flames were ev’rywhere
    But no one really cared
    It always burned up there before

    https://www.youtube.com/watch?v=KBPbOjA_cWg

  10. Amerika nuk vajton, Amerika gjithmone vallzon! Tashme i jane ngaterruar pakez kembet, per te vazhduar vallzimin serish pas disa javesh, e gjithmone me nderprerje te vogla kembesh! Ndonje konflikt i ri me tej e ben vallen me gazmore! Te vajtosh, do te thote te ndjesh dhimbje! Dhe Amerika nuk e ka ndjere pergjate 150 vjeteve te fundit dhimbjen ne palce. Dhimbjen e kane ndjere Xhorxhi Fllojdi, e ema e tij, ai tjetri e tjetri, nje sot e nje neser, dy kete muaj e tre te tjere muajin qe vjen. Keta qe e kane ndjere dhimbjen, si dhe disa te tjere qe e dine c’eshte dhimbja, jane bashkuar tani ne disa protesta. Por serish jane pak dhe te pafuqishem qe ti tregonin Amerikes se c’eshte dhimbja e tyre! Dhe atehere Amerika, Trumpi, Kongresi, policia, gjykatat, gazetari, Ernesti, x e y-i ta shihnin qarte se c’do te thote dhimbje, se c’do te thote te te rrahin kot, te te poshterojne sepse nuk je i klases elitare, te te kerkojne dokumentat sepse je zezak, te te mbajne ne nje pike kufitare sepse je shqiptar, pse jo edhe te te kthejne, …. (nje agjenti te FBI-s i kerkonin dokumentat policet vetem pse ishte zezak; kur ia nxorren nga xhepi pasi e lidhen dhe e pane kush ishte ia liruan menjehere duart dhe u terhoqen si zgjebsa).
    Kam pershtypjen se ju Ernest i dashur nuk keni ndjere dhimbjen, (dhe uroj te mos ndjeni kurre), ndaj dhe e keni te lehte te shkruani esse te ketilla vajtim-konstatuese (gati perkedhelse)! Por po te hyni ne gjoksin e Xhorxh Fllojdit, apo ate te mamase se tij, te gjitha konstantimet tuaja mjaft te sakta ne shkrim do te ishin thirrje per … nuk e di per hakmarrje, ose revolte, revolucion, nuk e di. Une e kam te veshtire te shkruaj i qete per keto ngjarje qe nuk kane fund.

    1. Ca eshte ky, kunderhartim apo qortim hartimi?
      Ne kohe menefregizmi ndaj 400 mije te vdekurve prej korones, me menefregistet kane marre gjithfare parrullash per nje vrasje padashje, qe nuk eshte shume ndryshe nga nje vdekje automobilistike e shkaktuar nga nje i dehur.

      Apo rri e rri e duhen leshuar ca parrulla e klithma per te qetesuar ndergjegjet qe behen ”pis” qysh nga e nesermja e klithmave, prej menefregizmit ndaj shoqerise qe ka qindra vite qe nuk ndryshon gje ne thelb.

      Keto jane protesta qe rigjenerojne urrejtjen racore.

      Elita te caktuara duan qe amerikanet te urrehen mbi baza racore, aq sa te rrine te vecuar e te mos kene besim tek njeri-tjetri, jo urrejtje per t’u vrare.

      Nderkohe qe ka nje aksion, te koordinuar deri diku, qe opinioni publik shqiptar te kultivoje antipati per racen e bardhe ne Amerike dhe simpati per racen e zeze.

      Edhe ca e me kete propagande, pasi te futemi ne Europen afro-aziatike qe quhet BE, do kerkojme vullnetarisht kuota afro-aziatikesh qe te behemi si gjithe Europa e Perendimi. Ti kemi edhe ne ca qe duhet te ngrihen ne proteste kunder te bardheve.

      1. Programet, idete dhe surrogatot qe permend me poshte (antifa, ekologjiket, etj) nuk benin pjese ne “hartimin” tim! Une thjesht i kujtova autorit dhe kujdo tjetri ate DHIMBJE qe shume njerez provojne vetem sepse nuk jane te bardhe, apo se i perkasin nje kombi te vogel, apo se s’kane dipllome, apo se s’jane te pasur, apo se s’kane mbrojtje, apo se s’i njohin mire ligjet, apo se i perkasin nje religjioni te caktuar. Kjo dhimbje nuk njihet nga nje shumice njerezish, te cilet per shkak te disa rrethanave dhe kushteve te caktuara (te pasur, te bardhe, elitare, shtetare, etj) nuk i kane provuar, (dhe uroj mos ti provojne). Vetem nje pakice mjaft e vogel e tyre i ndjejne dhimbjet qe provojne te tjeret.

        1. Sa shqiptare emigrante kane lene kockat ne kufirin me Greqine apo ne det, aq te mira qofshin. Jane vrare prej racizmit grek e italian dhe askush nuk ka bere nje proteste te vetme ose me sakte nuk e ka vene ujin ne zjarr ndonjehere. Shume shume kemi bere batuta me kinezet qe perfundonin ne det dhe peshkaqenet qe ishin merzitur duke ngrene kineze e donin ndryshim menuje.

          Tani befas, na del ceshtja e dhimbjes per 1 zezak ne nje vend 5 mije kilometra larg. Le te mos e rrejme kaq shume njeri-tjetrin.

    2. Nje gje eshte e cuditshme se shumica e kryetareve te bashkive te qyteteve ne te cilat ndodhin me se shumti keto incidente jane zezake .Departamentet e policise jane ne varesi te bashkive .Eshte e vertete se Trump eshte racist por keto gjera kane ndodhur edhe ne kohe te Obames.Kur ndodhi vdekja e Fredi May ne Baltimore gjysma e policeve te akuzuar per vdekjen e tij ishin zezake .
      Duhet pare problemi edhe nga prizmi I policise .SHBA jane nje vend teper I rrezikshem ,me nje popullsi te armatosur dhe me probleme mendore .Policet rrezikojne jeten ne cdo moment qe I afrohen nje personi .Eshte e kuptueshme qe nga 800 mije vete te cilet kryejne nje pune me ankth e stress do te kete disa individe qe do te kapercejne ligjin .

      1. Tani ti thua Trampi eshte racist, tjetri thote nje pjese e votuesve te Trampit jane raciste, por meqe Trampin e votojne te bardhet ( edhe pse jo ekskluzivisht), pak mungon qe te deklarohet hapur se votuesit e Trampit jane raciste.
        Kjo eshte nje nga dy te majtat qe po kristalizohen pas komunizmit, e majta (anti-)raciste , te ciles i duhen emigrantet, mundesisht afro-aziatike, kurse tjetra eshte e majta ekologjiste anti-industrialiste e anti-teknologjike. Dy te majta, qe jane karikatura te se majtes se djeshme.

        Ky grupimi Antifa, eshte i mirenjohur qe mbledh huligane nderkombetare dhe qe si ndodh historikisht me ektremistet e majte ushqehet nga e majta politike.
        Keta huligane bashkohen me zezake raciste e ca te bardhe trushpelare dhe bejne nje gjullurdi, qe thjesht con uje ne mullirin politik te demokrateve, pa asnje efekt tjeter.
        Keto jane protesta karikatura te protestave te viteve 60, te cilat ishin protesta te shendetshme e rezultative ( formalisht, se substancialisht nuk ndryshon gje).

        1. Jo te gjithe votuesit e Trumpit jane raciste por te gjithe racistet qe njoh votuan per te dhe eshte i vetmi president per te cilin bejne be e rrufe.

          “If you can convince the lowest white man he’s better than the best colored man, he won’t notice you’re picking his pocket. Hell, give him somebody to look down on, and he’ll empty his pockets for you.”

          ― Lyndon B. Johnson

        2. Me siguri gjithe racistet e zinj votuan Obamen dhe Hillarine . Nuk eshte ndonje befasi qe enveristet votojne per Ramen apo fashistet ne Itali votojne per partite e djathta.
          Ajo qe ben pershtypje eshte qe racistet qe ti permend jane ne shumes, pra ti njeh shume raciste dhe i bie qe keta jane kategori shume e perhapur, perndryshe i bie se je ti qe shoqerohesh me raciste.

          Pra racizmi, qenka shendoshe si kokrra e molles ne politike, mjaft i perhapur dhe njerezit qenkan gati te marrin pushket.

          Por nuk eshte keshtu, ky eshte thjesht imazhi qe duhet shitur. Askush nuk ka per te marre pushket dhe per te bere ndonje lufte civile nr 2.
          Ketà do bejne politike e do nxisin format e njohura te aparteidit, vecanerisht getot, si deri me sot, nuk do lejojne mulatizimin e Amerikes,si deri me sot, do perpiqen te cmontojne edhe hispaniket mbi baza racore ( perpos etnike) dhe do vazhdojne te sundojne mbi nje Amerike te percare mbi baza racore dhe etnike, ose ndryshe multietnike, multiracore e multigjuhesore. Zanafilla 11:6 – 11:7

  11. Nderkohe qe ka nje aksion, te koordinuar deri diku, qe opinioni publik shqiptar te kultivoje antipati per racen e bardhe ne Amerike dhe simpati per racen e zeze.”
    Ka ndonje fakt qe mund ta ilustroje kete qe thua?Te bardhet e Amerikes ne pergjithesi emigrantet si dhe minoritetet e tjera I konsiderojne poshte vetes .

  12. Qe amerika eshte si eshte, per kete edhe shqiptaret e kane nje cope vend te lene shenim..me terheq vemendjen se ne amerike paska rrezikshmeri, jane te depresuar dhe me arme cep me cep..nje grafi e tille te shtyn te thuash .. kane te drejte keta amerikaner te bejne Reforma ne Shqiperi e te hudhin bomba per te rrezuar diktatore…per cfare te flasesh per ameriken..per demagogjine e dhunen… a mund te pakten te flasim per shqiperine dhe ameriken qe kemi neper kembe ketu…jo si vajtim, si shkaterrim..ngrihemi aq sa te flasim per veten…..sa e ndjen amerika shqiperine e sa i vlejne djemte e vajzat e shqiperise qe hodhohen te ngrihen mbi dertet e shqiperise e te konceptualizohen si eksperte madhore….me vjen ne mend sizifi

    1. Cfare sugjeroni qe SHBA , i vetmi mbrojtes qe shqiptaret kane ne kete dynja te mbyllin gojen e te mos kerkojne qe Shqiperia te luftoje korrupsionin ne drejtesi meqe tek tuk ndonje polic amerikan tejkalon autoritetin ?
      “Ikni shikoni vendin tuaj” eshte pergjigja kur ata nxisin shqiptaret qe te heqin nga puna gjykatesit te cilet me paga $1000 ne muaj jane bere me te pasur se anetaret e gjykates supreme te SHBA?

  13. Faleminderit nese me perfshini ne fashen e nderuar te ketij portali. Por per kete do doja dhe mirekuptimin e te nderuarit z. Vehbiu. Ndofta duhet tia adresoj dikujt a disave nuk e di. Dhe per dreq qe akoma nuk zoteroj administrimin virtual, jam i kohes se bojes akoma…Perpara se amerika mijra km larg te shquaje korrapshenin e shqipeve…duhet te dije kushdo se institucionet e se drejtes ne shqiperi pas 90 es, nuk i konstituan shqipot…ndersa korrapsheni eshte tegel moral…institucionet nuk luftojne korrapshenin…pasi ka aq shume forma e aq shume mendyra sa nuk mund te ngrihen aq institucione per ta …etjjj…Fishta thoshte korrupcioni duel prej europe e u perhap…etjjjj Institucionet mbrojne ne se munden zbatueshmerine e ligjit..shkeljet e ligjit i vendos gjykata e jo amerikonet,.. qe me ckane erdhur ketu e llafosin, si here e pare ndaloj llafin ti quaj …..te papergjegjshem…I perkas gjykates nje familjar i imi po keshtu……nuk di pasurine e gjykatesve ne hamerrike, as ne pllanet e as ne kontinent..veshtire te vije dita qe te ndodhe une perballe nje gjykatesi amerikon..me transparence e me letra njoni e tjatri..perballe..ama ,nje gje e di me siguri…si bir i zotit kam, e nuk jam pa vese…po ne vende tjera mund te ofroj ndihme e sugjerim si ju mua..por te nxis percarjen mes vendalive si ketu amerikanet e erdhur …e te nxis shqipon kunder shqipos..si bir shqipoje kete se kam bere e sdo ta beja kurre…nuk e eshte e qarte per mua urdheresa …ikni, shikoni vendin tuaj…si ju japin te shtymen ikni..apo ikni eshte mos na dilni perpara se jeni aq beterr nga korrapsheni..sinqerisht jam i paqarte..nuk do zgjatesha por e mirekuptova dhe ju respektoj kur komunikojme sidomos per vendin tone e dertet e saj..pertej ketij respekti kuptohet jemi njerez dhe besoj te afruar ne nje teme a tematike debati…me respekt per cka marr nga ky portal e modestisht cka mund te ofroj..

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin