Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

BOTIME TË EGRA, REAGIME TË FSHEHTA

Ndonjë mik dhe koleg dashamirës më ka shkruar privatisht, për të thënë se shkrimi “NJË BOTIM I EGËR”, nga prof. dr. Bardhyl Demiraj, i shkelte caqet e etikës së komunikimit publik; caqe të cilat revista jonë, Peizazhe të fjalës, është përpjekur t’i mbrojë, t’i rafinojë dhe t’i promovojë në vite.

Kjo, edhe pse autori dhe nënshkruesi i shkrimit është emër i njohur në albanologji, si studiues, autor i një numri të madh veprash të rëndësishme dhe drejtues i katedrës së albanologjisë në Universitetin Ludwig Maximilian, në Mynih dhe shpreh atje një shqetësim të madh të tijin për fatin e trashëgimisë filologjike të shqipes dhe të studimeve shqiptare, i cili është urgjent dhe duhet sjellë në vëmendje të gjithë të interesuarve.

Bardhyl Demiraj është i mirëpritur në Peizazhet; ai i del zot fjalës së vet dhe ka autoritet si pakkush tjetër për t’u shqiptuar për tema të tilla. Çfarë mund të bëjë dhe çfarë do ta bëjë Peizazhet, është të mos pengojë kritikat dhe kundërshtimet që mund t’u bëhen qëndrimeve të prof. Demirajt – si komente ndaj shkrimit të tij, ose si shkrime më vete; përfshi këtu edhe një reagim të mundshëm nga personat e përmendur në shkrim. Ne si botues gjithnjë shpresojmë që shkrime të tilla, me natyrë polemike, të bëhen shkas për debat – çfarë edhe na motivon drejtpërdrejt në politikat tona editoriale. Është një model që mund ta çojmë përpara vetëm nëpërmjet bashkëpunimit tuaj.

M’i dërgoni, pra, sa më shpejt, të dashur miq dhe kolegë, objeksionet dhe distancimet tuaja, për t’i botuar te revista jonë.

Si administrator i Peizazhe të fjalës, asnjëherë nuk kam menduar dhe as kam arsye të mendoj se autori i shkrimit e ka “përdorur” revistën tonë për të larë hesape personale. Përkundrazi, mendoj se kritika si ato të tijat duhen formuluar haptazi dhe se ashtu i shërbejmë më mirë albanologjisë dhe kulturës.

Unë e njoh mirë edhe personin e qortuar në shkrim dhe shpresoj se ai do të gjejë kohë, për t’iu përgjigjur, mundësisht në faqet tona. Edhe kjo është etikë e komunikimit publik, të cilën ne si revistë duam ta artikulojmë dhe ta promovojmë më tej.

Për temën e cekur në shkrimin e Demirajt, Peizazhe të fjalës ka një qëndrim të vetëm editorial: ajo meriton të diskutohet publikisht. Diskutimi publik do të sqaronte edhe ato çështje që, palë të treta, kanë arsye të mendojnë se janë trajtuar njëanshëm nga autori i shkrimit fillestar.

Unë vetë, si autor dhe publicist, në rrjedhë të viteve, i kam provuar të dyja: jam sulmuar ashpër prej të tjerëve dhe kam sulmuar vetë ashpër, kur e kam parë me vend. Dhe gjithnjë kam menduar se reagimi publik ndaj kritikës, edhe kur ka qenë imi, edhe kur ka ardhur prej palës tjetër, ka vlejtur më shumë – për të gjithë – se objeksionet private dhe sinjalizimet e virtytit.

Edhe një herë, faqet e revistës sonë janë të hapura për përgjigjet tuaja, reagimet dhe distancimet dhe mospajtimet e kolegëve. Jam i bindur se shqetësimet tuaja për temën në fjalë dhe në përgjithësi kanë po aq të drejtë dhe meritë publikimi tek ne sa edhe ato të shefit të albanologjisë në Mynih.

© 2020, Peizazhe të fjalës.

5 Komente

  1. Ne shkrimin e presor Bardhylit une nuk arrita te dalloj ndonje debat, polemike, replike (ndonse kjo e fundit permendej aty); ndoshta kjo vjen ngaqe perzihem aty-ketu me tema “me te nxehta”. dallova vetem ate problem fjalori, kopimi te tij, harrimi, mos-harrimi, lenie, terci-verci, si ato serialet me 1 milion seri, hy ne nje dhome e dil nga nje dhome. Po nejse, tani, meqe ketu rrihet problemi i polemikes e debatit, mendoj se presor Bardhyli mund te jepte mendimin e tij ne lidhje me te nderuarin tone dhe parakaluesin e katedres qe ai drejton tani, Martin Camajn, i cili ne nje shkrim te para dy muajve ketu tek PTF mbi inteligjencen dhe spiunazhin, na del si agjent me emrin Zeta, -kjo dallohej ashiqari nga te dhenat e atij shkrimi me dy pjese. Une isha i vetmi qe komentova kundra kesaj perbaltje. Per cudi ju intelektualet shqiptare e late te perbaltet emri i gjuhetarit dhe letrarit tone Martin camaj! Pervec kesaj, meqe jemi tek tema e debatit, mua do t’me interesonte pikerisht tema e perkthyesve gjermane. Si ka mundesi, qe nga katedra e Mynihut kane dale me qindra gjermane te mesuar me gjuhen shqipe, dhe vetem dy-tre prej tyre kane perfunduar si perkthyes!? Ku kane vajtur qindra te tjere? Jane bere agjente te shtetit gjerman dhe penetrojne ne trojet shqiptare? (Kam frike se po te diskutoj tema te ketilla presor Bardhyli, padiskutim qe brenda 24 oreshit i thote lamtumire karrikes se tij!) Kot sa per diskutim i shtrova keto pyetje, meqe ishte ketu tema e diskutimit dhe polemikes!

    1. Shkruan:

      Si ka mundesi, qe nga katedra e Mynihut kane dale me qindra gjermane te mesuar me gjuhen shqipe, dhe vetem dy-tre prej tyre kane perfunduar si perkthyes!? Ku kane vajtur qindra te tjere?

      r.th., je duke folur qesim. Dhe kjo, ngaqë ndoshta nuk e ke të qartë si funksionojnë universitetet në Perëndim. Me qindra studentë të universitetit të Mynihut mund të kenë ndjekur kurset e Camajt vit pas viti, por kushedi për ç’arsye? Më shumë kuptim do të kish të pyetej se sa vetë kanë mbrojtur diplomën nën udhëheqjen e tij, ose për albanologji. Se një kurs të shqipes mund ta bëjë kushdo. Unë kam dhënë shqipen në Institutin Oriental të Napolit, për gjashtë vjet; kam pasur edhe unë me dhjetëra studentë italianë (shumica arbëreshë), por shumica e tyre nuk i jepnin ndonjë prioritet shqipes. Thjesht e ndiqnin si lëndë, sepse u dukej e përballueshme ose e lehtë, ose për ndonjë arsye sentimentale. Njëlloj, me po aq çinteresim dhe indiferencë, do të kishin ndjekur edhe një kurs për kinemanë jug-koreane ose për politikën seksuale të gorillave. Edhe në Mynih, besoj se interesi për albanologjinë duhet parë në kuadrin e studimeve të romanistikës, të balkanistikës, të historisë në përgjithësi, të diplomacisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare, të bllokut socialist (në atë kohë), të sovietologjisë e të kushedi çfarë tjetër. Më konkretisht: një student që specializohet në historinë e ushtrisë gjermane në frontin e Lindjes gjatë Luftës II Botërore, mund të vendosë të ndjekë një kurs të shqipes, mes të tjerash. Kanë qenë dhe janë shumë të paktë ata studentë, në Perëndim, që të fokusohen në shqipen dhe në kulturën shqiptare.

      1. Aahhh, e po po qe keshtu, u qetesova atehere! Jo per gje, po thash, mos na hidhet ne ere donje ure!

  2. Ku kane vajtur qindra te tjere?

    I ngjyejne me jeshile,
    Qe mos i diktonjem na…

  3. Nuk është e thënë që si student të zgjedhësh albanologjinë apo thjesht mësimin e shqipes në një unversitet të huaj dhe doemos do dalësh nga kursi përkthyes ose albanolog. Arsyet i numëron më lart A.Vehbiu. Edhe ne në fakultet ndoqëm për dy vjet një gjuhë ballkanike (unë vetë rumanishten), por veç 20-30 fjalëve e pak fjalive që mbaj mend dhe kënaqësisë së vizitës në Rumani, gjë tjetër nuk para mdaj mend. Të përkthyerit së pari do Ppasionin dhe talentin, ashtu sikundër të qenit studiues a shkencëtar kërkon përkushtim dhe prirje të veçantë. Çështja që shtronte prof. B.Demiraj mua m’u duk parimore, ashtu sikundër i vërtetë fakti që profesori i cituar ende nuk ka një vepër të vetën të botuar, ani se në moshë të shtyrë tashmë. Ai rezulton veç si bashkëautor në disa botime, përfshi dhe FGJSH dhe në FESH. Kjo, të kuptohemi, nuk ia heq meritën e pedagogut për vite me radhë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin