(me trembëdhjetë lëvizje)
Nga Arben Dedja
1
Ju mjaftojnë dyzet-pesëdhjetë. Migjeni ynë, Noli – dy nga poetët tanë më të mëdhenj, tërë jetën as e kaluan dot këtë numër “të mallkuar”. E përse ta kaloni ju? Nëse nuk e dispononi menjëherë numrin e duhur të poezive nuk ka problem: ju rekomandoj të gërmoni sirtarëve, nga me siguri do të nxjerrin kokë poezi tuajat të dikurshme, të moshës sonë më të artë, adoleshencës. Ua keni harruar ekzistencën, siç harrohen gjërat që bën njeriu në adoleshencë (vjedhja e stilolapsave, masturbimi, grisja e çorapeve…)? Ato poezi prapë janë aty dhe mezi ç’presin dritën e botimit.
2
Shtojuni tani poezi të tjera atyre adoleshenciale për të arritur numrin e duhur. Që t’i shkruani, zgjidhni në fillim titullin e çdo poezie, që t’ju shërbejë si kallauz, yll polar. Hapni, pra, tryezën e lëndës të një vëllimi poetik të një poeti të shquar shqiptar dhe huazoni prej aty titujt më interesantë, për shembull: Vesa dhe loti, Durimi, Fluturimi, Flaka, Sot u pamë, Pendimi, Gremina, Ku vemi shpesh, Të kërkova me qiri. Filloni të hidhni në letër diçka në prozë, duke e vërtitur pak a shumë muhabetin me radhë rreth secilit titull. Ky moment i juaj drejt botimit të librit duhet të zgjasë pak.
3
Njësoni stilin e poezive (atyre të dikurshmeve me të rejat). Për këtë ju rekomandoj procedurën si më poshtë vijon:
- a) të gjitha tekstet duhet t’i keni në prozë, por pa shenja pikësimi përveç pikës në fund;
- b) shtypini: një faqe një tekst;
- c) lidhini sytë me një shami të zezë dhe, kësisoj në mënyrë të verbërt, hiqni me laps dy vija vertikale për çdo rresht. E keni ndarë kështu poezinë në vargje (një rresht proze = tre vargje). Edhe në qoftë se vija ndarëse ka qëlluar në mes të fjalës, nuk ka problem, më mirë bile: fjala do të dalë e ndarë në dy vargje. Jeni pionier i kohës suaj, jeni, si pa dashje, më modernist se modernistët.
4
Kontrolloni mos rastësisht ka mbetur aty-këtu ndonjë rimë. Hiqeni me çmos! Aq shumë poezi kanë shkruar shqiptarët nga koha e Buzukut e këndej sa ia kanë harxhuar gjuhës të gjitha rimat. Me pak fjalë dhe për ta dhënë me dy shembuj: vargu i parë i strofës mbaron me fjalën “yll”? Në vargun e dytë fillon të fryjë një erë e lehtë, duken gjethet e para: nuk ka asnjë dyshim që vargu i tretë do të mbarojë me fjalën “pyll”. Ose: vargu i parë përfundon me fjalën “liri”? Në vargun e dytë fillojnë të buthtojnë, si nën diellin e perëndimit, hijet e stërzgjatura të gishtërinjve lart: nuk ka më asnjë dyshim: vargu i tretë do të mbarojë me fjalën “demokraci” duke ia hequr gjithë efektin surprizë lëvizjes së dhjetorit.
5
Fillojini gjithmonë vargjet me germë të madhe. Sipas drejtshkrimit shqip vargjet nuk kanë pse të fillojnë me germë të madhe, por ju mos i zini besë gjuhës së standartizuar nga komunistët. Fillimi i vargut gjithmonë me germë të madhe është prerogativë anglo-saksone dhe ne jemi me Amerikën.
6
Për t’i renditur poezitë në vëllim veproni kështu: shkruajini gjithë titujt e poezive nëpër copa të vogla letrash, shtijini në një kësulë dhe përziejini mirë e mirë. Lidhni përsëri sytë me shaminë e zezë që përdorët për pikën 3 dhe filloni t’i nxirrni një nga një letrat nga kësula. Mbani kësisoj shënim radhën e poezive në libër.
7
Duhet tani të gjeni titullin e vëllimit. Natyrisht, nuk keni nevojë për ndihmën time, por, nga përvoja, më lini t’ju sugjeroj disa nga fjalët kyçe: mall, dashuri, i/e trishtuar (akoma më poetike është i/e trishtë), lot (akoma më poetike është vesë), mëngjes, etj. E dini pak a shumë se për çfarë flasin poezitë tuaja? E kuptoj që po pretendoj shumë, por e bëj për t’ju ndihmuar të gjeni një titull për të qenë. Në kuptimin që titulli duhet të jetë i kundërt me poezitë që mëton t’i përmbledhë nën krahun e tij. Kështu dehni lexuesin dhe hutoni botuesin.
8
Ndërkaq ka ardhur koha të filloni të mblidhni shumën e duhur të parave për librin. Ju kujtoj që jemi në kapitalizëm, që librat me poezi shkojnë pak, ose aspak (për librat e të tjerëve flas), që shtëpia botuese e ka shumë të vështirë të mbijetojë nën një shtet që nuk i bën asnjë lloj favori fiskal, por e trajton librin si të ishte një kile domate. Hëpërhë, me dhimbje e kokëçarje të pashoq, përgjysmoni numrin e kafeve që pini në bar: kryeherazi, kur nuk e kishit kallën e poezisë të ngulur në tru, pinit gjashtë kafe (shoqëruar me ujë mineral), tani numri bie menjëherë në tre, dy nganjëherë (për ujin as që bëhet fjalë), aq sa kamarierët fillojnë të dyshojnë mos jeni i sëmurë, bile hapin llafin e keq për këtë; ju e kapni, por thellë-thellë kjo ju shkon pas midesë, ndërkohë që i fshiheni ndokujt që ju ka qerasur me kushdi sa kafe, por bash kur vjen radha juaj, ju shpifet kjo sëmundje e paudhë e misterioze. Pas muajit të parë, nga një llogari e thjeshtë e kuptoni që me kursimin e kafeve nuk shkoni kurrkund, librin me poezi me këtë ritëm arrini ta botoni vetëm pas 97 vjetësh, ndaj merrni masa më drastike: për shembull, nuk dorëzoni në shtëpi shpërblimin e fundvitit (dhe me këtë rast i jepni pe të tjerrë gruas për qeverinë e pacipë, që i vodhi financat sapo siguroi fitoren në zgjedhje); apo blini vaj ulliri të tipit acid te fshatari në cep të rrugës dhe e pikoni pastaj ngadalë në mesnatë te shishja bosh e vajit të një marke të njohur, që e kishit fshehur nën krevat kur duhet ta hidhnit në plehra; apo ndërprisni ilaçet e tensionit duke rrezikuar rëndë jetën (ç’nuk bën njeriu për artin e vërtetë). Avash avash shuku i parave i fshehur tek Enciklopedia Shqiptare (enkas keni zgjedhur librin më të trashë dhe të palexueshëm të bibliotekës personale) majmet: e shihni atë me admirim, zëvendësoni, në orët e thella të natës, kartmonedhat me prerje të vogla me ato me prerje më të mëdha (kaloni nga Noli te Bogdani me një fjalë, por idealja për ju është natyrisht Gjergj Kastrioti), kartmonedhat e vjetra e të yndyrshme me të reja e të shkëlqyeshme, u mbani erë fshehurazi, vijnë era fabrikë, ju përmallon e gjithë kjo. Shuma po i afrohet me shpejtësi marramendëse shifrës së parashikuar.
9
Nuk mjafton, i dashur, të mendoni vetëm për shukun e parave që do t’i jepni botuesit. Me to ai do të shtypë – tërë pordhë – një mijë kopjet e librit që i keni kërkuar (pardon: paguar). Ah, se harrova, në çmim përfshihet (nuk ka rëndësi që harrova unë, rëndësi ka që nuk harron botuesi t’ua përmendë deri në veleritje) edhe kopertina. Ju duket një detaj kjo? Ç’vramendje e mundime thotë ai që ka hequr për të nxjerrë kopertinën aq të fortëndërruar prej jush, që do t’i rrijë me dinjitet përbri kopertinës së Valles së yjeve, ose (në rastin aspak të rrallë kur shkruani në variantin geg), Njeriut më vete e me tjerë! Është me të vërtetë tragjike të dëgjoni vuajtjet e botuesit, i përballur me injorancën dhe pazotësinë e botës, vetëm e vetëm për të nxjerrë në kohën e duhur kopertinën që do të bukurmbështjellë e mbajë ngrohtë perlat e tua. Ah, ato ngjyra që feksin e farfurijnë në çdo raft, sado të mekur të jenë qirinjtë e llambave të librarive ku libri juaj do t’i bëjë karshillëk Mjedës, Naimit, Visarit! Qoftë të zgjedhë ballinën me liqen të bruztë ku një varkë lundron mbi titullin e vëllimit dhe dy të dashuruar puthen nën emrin tuaj fatos, qoftë atë me një pemë në plan të parë plot lule e gjethe teksa në horizont perëndon dielli, suksesi është i garantuar. Sa i përket të pasmes së kopertinës: aty dominon si gjigantografi një fotografi e juaja e para pesëmbëdhjetë vjetëve.
10
Pavarësisht nëse botuesi ju bën nderin e skajshëm tua sjellë kopjet e librit me shoferin, apo ju shkoni t’i tërhiqni ato dora vetë e t’i çoni në apartamentin tuaj me mjete të rastit, i ndihmuar nga i vetmi shok besnik gjimnazi që ju ka mbetur (dhe që ju ka shkruar parathënien), tani fillon pjesa më galvanizuese e krejt rrugëtimit të vëllimit tuaj poetik: shpërndarja. Janë njëqind pako me nga dhjetë libra, mbështjellë fshatarçe nga tipografi me tabakë tekstesh poetikë të librave të tjerë që – ndryshe nga xhevahiri juaj – të venitur, nuk e panë kurrë dritën e botimit (ndoshta thjesht pse autorit iu mbaruan lekët). Hapni me tërbim, gati me epsh, dy prej pakove dhe filloni të trokisni nëpër komshinjtë e pallatit e të falni majtas-djathtas kopje – përfshi edhe komshiun sipër, me të cilin sa s’u therët kur filloi të të pikonte banja – mëtoni, bile, ta vazhdoni dhuresën në pallatin përmbi, por bashkëshortja ju bllokon (hëpërhë) me disa porosi prozaike që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e familjes. E nesërmja, ama, vjen shpejt: dita e madhe dedikuar shpërndarjes. Fusni pakot në çantën e sportit, niseni menatë të kapni shpërndarësit e gazetave nëpër rrethe, ngulmoni me ta t’u blejnë dy-tre kopje, ua kërkoni paratë në vend, teksa i shihni të dridhen nga i ftohti i fillim marsit apo mungesa e të hollave; nuk u hapni udhë, çukërmoni që ende s’e kuptojnë që kanë të bëjnë me atë farë poeti. Nëpër libraritë e Tiranës ndiheni shqerak: aty i tërheqin kopjet me njerëzi, do të thosha me edukatë, dhe shënimet i mbajnë në kompjuter; ka rëndësi thelbësore të mos mbetet asnjë librari pa “u krehur”, bile as shitësit e trotuareve, që mbajnë shënim kopjet e huajtura prej jush në fletore të yndyrshme. Të gjithëve u lini numrin tuaj të celularit: le t’ju marrin në çdo moment, sapo kopjet e dorëzuara të mbarojnë. Një koncesion po ia bëni Tiranës: paratë nuk i kërkoni menjëherë, keni mundësi të ktheheni prapë te gjithsecili për t’i larë hesapet.
11
Ajo shprehja e mësipërme: “për t’i larë hesapet”, po del e vërtetë (flas për aspektin e vet metaforik): kanë kaluar dy javë dhe asnjë librari s’telefonon për të kërkuar kopje shtesë. Si kështu? Në Blitzkrieg-un që pasoi e konstatuat me sy Padrejtësinë: libri juaj fshehur pas atij të Xhevahir Spahiut; i përdorur si mbajtëse për shishen e ujit; i flakur brenda një kulupie mediokritetesh; por, sidomos, ju vret pretendimi që nuk shitet. Shtrëngoni fort gishtërinjtë në grusht. Kujtoni vargje poetësh të dikurshëm mbi grushtin dhe vendosni ta titulloni pikërisht kështu – si sfidë ndaj njerëzimit – “Grushti”, pra, vëllimin tuaj të ardhshëm poetik. Tani filloni të planifikoni një fushatë të fuqishme prezantimesh: bllokoni në të dalë të ashensorit pronarin e stacionit televiziv të Rrashbull-it: i kërkoni një kronikë për librin, patrulloni nga mëngjesi në darkë te hyrja e studios së vetme televizive të stacionit deri sa ia arrini, ndërkohë që një kushëri i tretë ka shprehur admirimin e tij për poezitë me një artikull te një gazetë e kryeqytetit. Hyni në versionin online të gazetës nga pesë pika interneti larg lagjes suaj dhe me pesë identitete të ndryshme (kryesisht emra kritikësh letrarë të kohës së komunizmit – të gjallë ose të vdekur –) komentoni me superlativa librin në fund të artikullit për të. Por celulari hesht.
12
Ndiheni pak i shkurajuar tashmë. Gjysmën e bibliotekës personale e zënë kopjet e pashpërndara të librit tuaj, ndërkohë që bashkëshortja ka filluar të ankohet për aftësinë e madhe që kanë të mbledhin toz. Atëherë bëni lëvizjen e parafundit (ndërkohë që në nën-ndërgjegje po ju mugullon edhe ajo e fundit fare – definitivja): një prezantim i librit në librarinë kryesore të kryeqytetit. E mendoni gjithçka në detaj: ftesat janë të një sqime të veçantë, telefonatat ad personam mikluese dhe frytsjellëse. Edhe moti është me ju: një pranverë e vonë gjithë polene: kryefjalë e poetikës suaj. Ngaqë nuk keni bërë ndonjëherë prezantim kaq të rëndësishëm – e rrëkëlleni paraprakisht thuajse krejt njërën nga dhjetë shishet e verës që keni taksur për takimin (bashkëshortes i keni rrëfyer ndërkohë përrallën që verën e ofron vetë libraria). Jeni i pangrënë, vera ju bie në kokë. Kjo ndihmon mjaft që gjatë prezantimit të flisni çapraz, duke fituar titullin e “poetit të çmendur”. E lidhur kjo me frazat e shqiptuara në takim – titulli ju shkon. Por aureola e “poetit të çmendur” që, bile, do ta thosha me gojën plot, transhendon drejt asaj të “poetit të mallkuar”, kulmon në banketin e shkurtër gostitës menjëherë mbas prezantimit, tek çokitje me të ftuarit (pate përshtypjen se një pjesë syresh kish ardhur aty vetëm për verën) gotat plastike. Kështu pija pa hesap dhe injoranca e disa prej të pranishmëve ndaj personit tuaj dhe artit të poezisë ishte urori që ndezi atë tërbim levend që, në ditët në vazhdim, u komentua gjatë nga gazetat e vendit në faqen e kronikës së zezë: filluat me grushtet tuaj të fuqishëm (ato grushte që do t’i hidhni më vonë në vargje) të shkatërroni librarinë ku sapo kishit përfunduar prezantimin, ndoshta të mahnitur nga efekti domino i librave kur rrëzohen, por pastaj raftet u thyen dhe reaksioni u riprodhua në një shkallë shumë më të lartë, ndonëse me të njëjtën trajtë të materies. Hapësira ku u zhvillua prezantimi ish gjendur e rrethuar rastësisht nga libra filozofie dhe qe me të vërtetë një aspekt kurioz dhe i makthshëm të asistoje në rrëzimet nga lartësi të ndryshme të vëllimeve të Platonit, Fugës, veprës së pakuptueshme të Heidegger-it, teksa, për hir të së vërtetës, Montaigne rrëshqiste mes tyre me një savoir-faire të lindur. Dy policë hynë aty sakaq, ndoshta prej zhaurimës së shurdhët të librave në rrokopujë, apo thjesht për afinitetin e policisë me fjalën e shkruar, por, të goditur në tru nga aroma e alkolit, iu vërsulën gabimisht shokut astem të gjimnazit që vetëm sa kish shkruar parathënien i cili, i tromaksur, vdiq.
13
Kjo qe tepër! Me çmos duhet ta hidhni tani hapin e fundit, të trembëdhjetin. I sapokthyer nga funerali, diç kërkoni me ngut në sirtarin e almiseve. E gjeni mbas një dare dhe një rrote izolant. Me të në dorë ndiheni i sigurt që vepra juaj do të rrojë në përjetësi. E kontrolloni parë e prapë veglën që do ta bëjë të mundur. E mirëvajisur. Është një pistoletë e rrëmbyer më 1997-n nga depot ushtarake të Rrashbull-it. E vendosni në tëmthin e majtë dhe e shkrepni duke pulitur sytë. Por vaji i ullirit i tipit acid të fshatarit në cep të rrugës fatlumturisht i ka rrafshuar vjaskat. Ju mbetet vetëm të shpluhuroni bibliotekën.
(c) 2020, Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Duhet t’ia lemë përgjegjësinë pandemisë që kishte shpëtuar pa lexuar më parë kjo perlë?
Një esé satirike e mrekullueshme. Përgëzime autorit!
“Matit” me 13 lëvizje do t’i shtoja një variant 4/1 në lëvizjen 4:
“Përdorni sa më shumë fjalë të rralla, krahinarizma nga të katundit, mundësisht në gegnisht, si ato që keni mësuar gjatë shërbimit ushtarak në qytetin verior. Ngjajnë shumë moderne sot në epokën e diktaturës së toskërishtes.
Tek e fundit, a nuk jeni poet i madh edhe ju, bash si i ardhuri nga “balta e arave”?Apo si “aj” që sjell meloditë baritore të “fyellit të lugut” në kryeqytetin mëndjemadh e indiferent?
Përfytyroni lexuesin kureshtar që rrok me padurim kryeveprën tuaj tek kruan kokën për t’ia gjetur kuptimin e thellë filozofik vargut aliterativ “mos e zdraj mushkën që zgajtet zdrënk”.
Urime edhe njëherë për pendën plot elegancë e përmbajtje.