Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Kujtime

GJUHËSI FUSHORE

Një kujtim mbase pa kuptim, por nga vitet 1980 (kur asgjë nuk kishte shumë kuptim).

Atëherë sa kisha filluar punën në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë; por na kishin çuar një pasdite, kolektivisht, të rrëmonim dheun te një djerrinë, afër Kombinatit Ushqimor.

Na duhej të mirëmbanim llagëmet e cekëta që lidhnin mes tyre bunkerët përreth; ato llagëme ku pritej të lëviznin ushtarët, në kohë lufte, për t’u zhvendosur nga një “pozicion zjarri” në tjetrin.

Sipas doktrinës ushtarake zyrtare.

Hidhnim ndonjë kazmë a lopatë përtace, rrinim në këmbë duke bërë muhabet, pinim cigare DS, vrisnim kohën duke matur zgjatjen e hijeve përdhe, derisa të mbërrinte urdhri për t’u kthyer në Tiranë.

Djerrina në periferi ishte nga ato hapësira ku takohet qyteti me jo qytetin: gjeografi e rrëgjuar, shtylla tensioni të lartë, traga të thara rrotash traktori, fllad i lehtë konfuz si qen rrugësh, bori të mbytura Skodash nga rruga e Kavajës përtej, gjithçka e pluhurosur me një tis bloze nga oxhaku hijerëndë i Fabrikës së Bukës përbri.

Vende jo-vende, që evokojnë braktisje, varfëri, djegie plehrash të vjetra; në atë kohë, edhe fatin e njeriut urban, përballë shtetit hekurishte e dalë prej dheut.

Dikur shfaqet atypari një vajzë rom (“gabele”), mbase me fëmijë në krah. E rreshkur, si e mbuluar edhe ajo me blozë, veshur me shtresa ylberi, pak e stolisur, shumë kurioze. Nuk di si ndodhi që ca nga djemtë e grupit tjetër e angazhuan në muhabet. Nuk di as çfarë muhabeti mund të bëhej me të, veç shkëmbimit të buzëqeshjeve. Romët nuk i pyesje dot as ku e kanë shtëpinë…

Pastaj nga grupi ynë shkëputet historiani i gjuhës S.M., më i miri që kishim në Institut; dhe që kish punuar gjatë me Çabejn: burrë i shtruar dhe i qetë, taban bisedash dhe debatesh mirëfilli qytetare.

I afrohet vajzës rome, nis t’i bëjë pyetje të njerëzishme, me vetullat pak të ngritura. Ashtu nga larg dialogu mes tyre, ngaqë nuk dëgjohet, merr pamje surreale, a thua po merren vesh për ndonjë pazar të improvizuar. Ti aq unë kaq. Vazhdojnë për një copë herë, vajza qesh. Ka një lloj ritmi në përgjigjet e saj, të shoqëruara me shenja gishtash; por edhe pak siklet tinzar, si t’i ketë kërkuar S.M. që ta heqë bluzën, kundrejt një shpërblimi jo për t’u refuzuar.

Pastaj S.M. tund kokën për të falënderuar, largohet dhe kthehet tek ne që presim durim-sosur: dhe na raporton se i kish kërkuar vajzës rome të numëronte nga një në dhjetë, në gjuhën e saj (“gabelçe”).

Nuk kam asnjë dyshim, na thotë. Ishte gjuhë indo-europiane.

 

© Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

.

 

4 Komente

    1. E bukur kjo. Me kujtoi ate barsaleten me ate tipin ne restorant qe I fuste gishtin ne bythe pules dhe e gjente nga kishte ardhur. Studies te tille nuk i kane munguar kurre ketij kombi. 🙂

  1. Arixhishtja eshte gjuhe indo-europiane e trungut iranian thone .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin