Rastësisht dëgjoja mbrëmë një debat në RAI, ku një përfaqësuese e së djathtës italiane (Giorgia Meloni, Fratelli d’Italia) akuzonte të majtën e tanishme në pushtet se e kish ideologjizuar nevojën e mbrojtjes ndaj Covid-19 duke kundërshtuar karantinën për kinezët me banim në Itali, që ktheheshin pas pushimeve në atdhe; me arsyen se kjo lloj karantine do të ishte “raciste” (u pat thënë atëherë se virusi më i rrezikshëm për Italinë ishte dhe mbetej “racizmi”). Nuk e kam ndjekur në hollësi këtë punën e karantinës për kinezët dhe as jam i sigurt që koronavirusin në Itali e sollën imigrantët kinezë – por e kuptoj pse e djathta sovraniste, në Itali, mund të ndihet e shpaguar, tani që Italia nuk i mbrojti dot “kufijtë” nga sëmundja. Viruset vërtet nuk bëjnë dallim mes racave dhe as e perceptojnë realitetin e kufirit midis shteteve (tani janë italianët që i vënë në karantinë); por sistemet shëndetësore, strukturat sociale dhe kulturat, përfshi edhe kulturën e higjienës, në vende të ndryshme, shprehen pastaj edhe në diferencat në shëndetin e një, të themi, italiani dhe një kinezi ose një pelegrini mysliman në Qom e kështu me radhë. Atëherë edhe “të mbrohesh nga një sëmundje që ka rënë në Kinë” kërkon një lloj qasjeje, qoftë kjo edhe ideologjike, që nuk mund të shpërfillet vetvetiu si raciste: ka në fakt arsye, që disa nga këto epidemi nga viruse të reja, deri dje të panjohura, kanë zënë fill në tregjet fshatare të Azisë, ku njerëz dhe kafshë, ndonjëherë të egra, janë pak si tepër në kontakt mes tyre dhe ashtu qëllon që një agjent të kapërcejë nga një specie te tjetra, duke kaluar kufirin që na ndan nga kunadhja a kali i qyqes. Por kjo nuk do të thotë, megjithatë, se në Europë sëmundje të tilla gjithnjë “vijnë” nga jashtë dhe prej tyre mund të mbrohesh vetëm duke forcuar kufijtë shtetërorë (në kuptimin që nuk mund të krahasohet ardhja e virusit nga Kina në Europë, me kalimin e virusit nga lakuriqi i natës te njeriu, sikurse mendohet të ketë ndodhur në Wuhan); fakti mbetet që sëmundjet kurdo dhe kudo, në çdo pikë të globit, vijnë, gjithë duke kaluar (ilegalisht) membranën mes botës përjashta dhe trupit tonë brenda. Sikurse pat ndodhur me SIDA-n, hipoteza se virusi e ka origjinën gjetiu, te një vend tjetër, i largët, ekzotik, i prapambetur, etj., nuk e shlyen dot prej vetes fillesën raciste; aq më tepër kur përfshihet në kontekstin e një narrative jo dhe aq periferike, për refugjatët dhe imigrantë dhe vizitorë si sjellës sëmundjesh të rralla dhe vdekjeprurëse në Perëndim – më kujtohet se këtë e patën thënë italianët edhe për shqiptarët në vitin e largët 1991, kur këta zbrisnin të sfilitur prej anijeve në brigjet e Puglia-s. Mirëpo refugjatët, shqiptarë qofshin apo afrikanë apo sirianë, janë aq të rraskapitur dhe të kequshqyer dhe të stresuar, kur kapërcejnë detin për të mbërritur në Perëndim, sa janë të parët më të rrezikuarit për t’u sëmurur dhe për të vdekur nga viruset edhe më banale; sëmundjet më shumë se i sjellin me vete, i marrin rrugës. Dhe, sidoqë të jetë shëndeti i tyre, metafora që identifikon trupin e Tjetrit, të ardhurit, të huajit me vektorët e sëmundjeve është bërë tashmë pjesë e përfytyrimeve të një pjese të qytetarëve në Europë; sikurse ka qenë edhe më parë, në Mesjetë dhe më herët, në kohën e epidemive të mëdha, kur murtaja dhe lia vinin me anije nga deti. Pa çka se pandemitë, sikurse kërcënon të bëhet edhe kjo e tanishmja, amplifikohen tej mase nga globalizmi; dhe globalizimin dihet kush e çon përpara dhe pse. Siç e vështroj unë tani, frika e italianit nga kinezi, në një autobus urban, i bashkon këta të dy nën një emërues, viktima të së njëjtit proces VIRAL, ku njerëzit shkëmbejnë mes tyre jo vetëm mallra, para dhe punë (labor), por edhe material gjenetik dhe, natyrisht, baktere dhe viruse. Mbase e djathta italiane – Salvini dhe Meloni dhe të tjerët – patën të drejtë kur kërkuan kontrolle më të rrepta, ndaj hyrjeve në Itali nga bota, dhe sidomos nga Azia, gjatë ditëve të para të epidemisë; por këta të djathtë kishin kohë që e kishin shndërruar çështjen e kufijve shtetërorë, të shkeljeve dhe të kontrolleve në flamur të luftës së tyre politike, prandaj edhe kërkesa që mund të kenë bërë, edhe sikur të ketë qenë e drejtë dhe e motivuar, detyrimisht do të lexohej në kontekstin e ideologjisë së tyre “të mbylljes” (aq e vërtetë është kjo, sa sot nuk di ku lexova se pandemia e koronavirusit po i shërben drejtpërdrejt përhapjes së sovranizmit në Evropë: çfarë paradoksi, që të vijë ky efekt nga një agjent si virusi, që veç synon përhapjen përmes dhe përtej çdo lloj kufiri dhe barriere). I njëjti kontekst që i pat shtrënguar të majtët ta refuzojnë propozimin për karantinë dhe kontrolle, duke parë atje jo një përpjekje të sinqertë për të mbrojtur shëndetin kolektiv të italianëve, por një pozë sovraniste të kalkuluar, për të përfituar nga frika e përgjithshme, demokratike, barazuese, përballë së panjohurës së virusit. Prandaj edhe kufiri që u përvijua më qartë, në këtë mes, ishte ai mes dy krahëve të politikës italiane, që duket sikur u japin përparësi, edhe këtë herë, sovraniteteve ideologjike përkatëse.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Në raste të tilla është e nevojshme që shigjeta e cila vlerëson raportin midis lirisë dhe domosdoshmërisë të anojë nga kjo e dyta. Askush nuk mund të pretendoj që shkalla e masave të ndërmarra të kaloj ato të cilat një sistem diktatorial, ta zëmë, si ai yni, praktikoi në mënyrë të përjetshme për tu mbrojtur nga “virusi i lirisë”. Ajo ishte një karantinë e ngritur për të siguruar membranën mbrojtëse ndaj lirisë natyrale të shpirtit njerëzor. Kur ajo që kërkohet në këtë rast është për të mbrojtur ekzistencën fizike të gjithkujt. Natyrisht, kjo është më e lehtë për t’u siguruar, pasi me vullnet të lirë, dhe sidomos i shtyrë nga frika e rrezikut për jetën, njeriu ndihmon vetë “për të futur kokën në zgjedhë”, duke siguruar me këtë rast membranën ndarse midis tij dhe virusit. Autoriteteve nuk u mbetet gjë tjetër veç të menaxhojnë mjetet mbrojtëse.