Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim

TË VOTOSH ME LIKE

Nëse Facebook-u është libri mitologjik i fytyrave, ose vendi ku i shfaqemi Tjetrit online, atëherë esenca jonë në këtë rrjet mbase nuk është selfie, as batutat që hedhim dhe as komentet që bëjmë, por akti i të pëlqyerit, ose vendosja e LIKE te një postim a koment. Nga pikëpamja statistikore, identiteti ynë në atë rrjet themelohet mbi miratimin: më thuaj bën LIKE, të të them se cili je.

Kaq e vërtetë është kjo, sa për një LIKE ka ndodhur deri edhe të prishen miqësi dhe fejesa, të zënë fill hasmëri të përgjakshme, të shkatërrohen reputacione, të humben vende pune dhe – kushedi – edhe të rrëzohen kryetarë dhe qeveri.

Po çfarë është kjo LIKE tamam? Përfytyrojeni veten në momentin kur e bëni, ç’ju motivon – kënaqësia intelektuale a estetike, dëfrimi i marrë falas, (ar)miqësia për personin në fjalë, dëshira për ta thënë një fjalë të mirë; apo vullneti a imperativi moral për t’u rreshtuar përkrah atij personi ose për t’u paraqitur botërisht si mbështetës i idesë së shprehur në postim? Dinamikat e Facebook-ut janë të tilla që, nëpërmjet LIKE-eve të përsëritura, krijohen mirëmbahen dhe riprodhohen grupe dhe aleanca, të cilat pastaj shtrihen e veprojnë edhe në përjashta rrjetit – edhe kur nuk migrojnë në Facebook të gatshme nga gjetiu. Disa të tjerë japin LIKE sepse ua kërkon vendi i punës, angazhimi profesional, anëtarësia në një organizatë, zotimi që kanë marrë para dikujt, përkushtimi ideologjik; për të mos folur për ata që i kanë krijuar profilet vetëm për këtë synim – shpërndarës të LIKE-eve.

3200 vetë i japin VOTËBESIMIN një posti të kryeministrit Rama me një citat kinse nga Shën Agustini – përndryshe të provuar si i rremë.

LIKE-et janë sasi dhe cilësi: një post që ka marrë 15,000 like konfirmon pushtet dhe influencë; por zerot e shtuara amplifikojnë edhe anonimitetin, duke u imponuar si shënjuese të turmës – të paktën sa kohë që shërbejnë si metrikë e simpatisë ose autoritetit. Ndonjëherë një LIKE i vetëm, nga një personalitet publik, do të mjaftonte – por LIKE të tilla sjellin gjithnjë me vete edhe mizërinë e të panjohurve. Për të mos folur për bot-ët, këta proletarë të virtualitetit, të modeluar sipas formulës: “bëj LIKE pra jam.” Shumë prej fytyrave që ndeshen në Facebook janë bot-ë pa e ditur: qenia ende nuk ua ka përcaktuar ndërgjegjen shoqërore – mbase marksisti do të gjente këtu ndërgjegje të rreme.

Sërish pyes: çfarë është kjo LIKE tamam? Jo fjalë, por gjest; jo ligjërim, por akt; jo përgjigje, por as pyetje; unë do ta quaja performativ të identitetit, që realizohet si de-artikulim i diskursit, de-linguistizim i opinionit, një thënie pa fjalë, mbase edhe duartrokitje me një dorë (me një gisht, të madhin, vetëm)[1]. LIKE duket sikur thotë se personit në fjalë “i pëlqen diçka” – por zakonisht e bën këtë për të kumtuar edhe diçka tjetër, dhe pikërisht që “këtu jam edhe unë” (diçka më shumë se “më ke mua”), si shënjim territori, spruco e shkurtër urine daci ambicioz, te një rrënjë qepe ose fundja edhe rrapi. Dhe meqë jemi te metaforat zoologjike, ngjashëm edhe me vezullimin e xixëllonjës në mbrëmje – jo më kot Facebook-u funksionon si agjenci e parazgjedhur shkuesish virtuale, për matchmaking. Njëherazi anulim i vetëdijshëm i zeros anonimike, por edhe amplifikim i saj. Bëj LIKE, pra jam.

Dhe që këtej, si në rrethana marrëzish të tjera, nuk mungon t’ia behë megalomania – sa kohë që, për disa prej nesh, hapësira virtuale që jep rrjeti social shërben si motiv për të ngritur sarajet e bardha të egos; ose për ta kultivuar veten si aftësues të realitetit përreth. Për këtë kallëp, LIKE është si rrezja e dritës që e bën të dukshëm objektin, ose autorizim për ekzistencën e tjetrit. Unë të bëj LIKE që të jesh. Derisa performativi të shndërrohet (të katandiset?) në obligim etik – ose në detyrimin për të vendosur LIKE, si dhuratë bujare (hyjnore) ndaj botës.

Kjo do të vlente edhe si zgjidhje ndaj kontradiktës, ose paradoksit të sasisë: ti jep një LIKE si shenjë miratimi ose pëlqimi ndaj tjetrit (manifestimit të tjetrit); me shpresë se ke qëlluar në shenjë dhe se performativi yt t’i përgjigjet realitetit; por nëse kjo ndodh, atëherë LIKE-i yt do të humbasë mes mijëra të tjerave dhe askush nuk do ta vërë re. Identiteti yt, si miratues vlerash publike, do të humbasë me përkufizim.

Njëlloj edhe kur ky LIKE yti i shkon kundërshtarit, armikut të grupit tënd, Trockit të stalinizmit tënd – ose kur performativi i pëlqimit tënd shpreh, në fakt, jo miratim, por mosmiratim; jo pranim, por refuzim; ose kur duartrokitja jote, gjithnjë me një dorë, dëgjohet si fishkëllimë: kur ti kërkon të dërgosh një mesazh, edhe pse me qitje të largët; një sinjal se besnikëria jote nuk duhet marrë si e mirëqenë; se ka diçka më shumë tek ti, përtej gatishmërisë për të lëshuar poshtë e lart LIKE të parashikueshme. Dhe ja paradoksi tjetër: nëse ti kërkon konfirmim të identitetit tënd intim në rrjet, këtë mund ta bësh vetëm duke bërë LIKE jashtë pritmërive, ose në kundërshtim me stereotipin që ke krijuar. Sipas motos: distancohem, pra jam.

Kjo sepse një LIKE e paparashikuar a rebeluese, thotë më shumë se një LIKE pëlqimi e thjeshtë, madje duke shërbyer ndonjëherë si e vetmja rrugë për të hapur një debat të heshtur me autoritetin (tënd): unë të kundërshtoj jo drejtpërdrejt – sepse nuk ma mban, ose mendoj se nuk ia vlen të rrezikoj – por tërthorazi, duke miratuar postin e kundërshtarit tënd. Gjasat janë që ti, si synim i këtyre manovrave, të mos e vësh re fare këtë; por të ngushëllohesh me dixi et salvavi animam meam “fola dhe shpëtova shpirtin”. Ka një lloj voodoo-je, te ky distribucion anormal i LIKE-ve, teksa ti vihesh të shposh me gjilpëra kukullën e sajuar të autoritetit.

Zgjidhja tjetër do të ishte të viheshe në kërkim postesh të pafat, që nuk kanë marrë asnjë LIKE; sepse ashtu emri yt do të mbetej, qoftë edhe përkohësisht, i dukshëm për shfletuesit e tjerë. Kjo, me kusht që ti vetë të mos jesh popullor – sepse, në të kundërtën, LIKE yt do të mjaftonte për të tërhequr pas ndjekësit, konformistët, koristët, ithtarët e safety in numbers, cheerleaders, miratuesit profesionistë të miratimeve – dhe ashtu sakaq do të tretej si kripa në ujë. Ose më mirë akoma, si kripa në det.

Kjo ua vështirëson punën edhe rrëmuesve profesionistë të LIKE-eve (LIKE MINERS): si ta marrësh vesh, që nëpunësi yt modest i ka bërë LIKE statusit të kreut të opozitës (ose sekretarja jote bashkëshortes së tij), përveçse duke zbritur, me fener në dorë, në katakombet e “anonimitetit nëpërmjet numrave”?

Në thelb, këto LIKE, si performativë minimalisht të nyjtuar, janë vota surrogato, mishërim i një të drejte të imagjinuar për performativ në rrjetet sociale – ose riprodhimi ynë i identitetit publik, nëpërmjet një teatri të votimit[2]. Kjo mbase do të shpjegonte, sado pjesërisht, suksesin e Facebook-ut, si kompensim për kapitullimin e demokracisë elektorale në epokën e super-mediave, ose si lojë masive e votës online, në një epokë kur vota e secilit prej nesh është anonime jo vetëm në kuptimin e fshehtësisë, por edhe në kuptimin e efektit të saj ndaj zhvillimeve politike.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi nga mediat: kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Vetë shenja e thumbs-up nuk është krejt e pafajshme, në Internetin shqip. Gjesti ka pasur të tjera efekte, në traditën e gjestualitetit kombëtar – por pastaj i ka bërë vend kuptimin të ri, duke u rehabilituar nga shprehje e përbuzjes obscene, në komunikim të pëlqimit ngazëllyes a të bashkëfajësisë me shkelje syri. I ka bërë vend, por jo duke e mohuar veten tërësisht, jo duke e asgjësuar kuptimin e vjetër të aluzionit ndaj një penetrimi anal, me ose pa “pëlqimin” e tjetrit. Gati-gati, ky kuptim i shfronësuar është shtyrë në pavetëdije – aq sa shumë shqipo, që e mbajnë mend përdorimin tjetër, mund të ndiejnë edhe një lloj bezdie viscerale nga emotikona universale e gjestit; ose një refuzim subliminal, mbase edhe të përjetuar si familjaritet të tepërt, të llojit “u njohëm pak si shumë bashkë.”

[2] Këtu ndihmon edhe paralelizmi midis shenjës “thumbs-up” me gishtin e madh të ngritur dhe numërimit me gishta, si formë elementare e numërimit; pa shkuar fare te përdorimi i gishtit në votim, si instrument verifikimi i identitetit numerik anonim (duke e njollosur me bojë, etj.).

4 Komente

  1. LIKE-at!!

    lájk/ë,-a emër i gjinisë femërore; kryesisht; numri shumës; -a(t)
    1. lëvdatë e gënjeshtërt a e tepruar për dikë për ta marrë me të mirë e për të nxjerrë ndonjë përfitim: i bënte lajka; e mori me lajka e lajkatoi.
    2. përkëdhelje, ledhë; ledhatim: ka shumë lajka.

  2. Sërish pyes: çfarë është kjo LIKE tamam? Jo fjalë, por gjest; jo ligjërim, por akt; jo përgjigje, por as pyetje; unë do ta quaja performativ të identitetit, që realizohet si de-artikulim i diskursit, de-linguistizim i opinionit, një thënie pa fjalë, mbase edhe duartrokitje me një dorë (me një gisht, të madhin, vetëm).

    Aklamacion, më duket se është fjala që i përmbledh të gjitha këto; një votim i hapur, vetëm me ngritje ose mosngritje dore, me gishtin lart apo të ulur, me një Po ose një Jo publike. Një aklamacion pa vlerë në facebook sot, por që mund të bëhet i vlefshëm “nesër” si varianti digjital i votimit demokratik, ndoshta si një urë drejt demokracisë direkte, kushedi mbase edhe duke zëvendësuar votimin e sotëm, të fshehur brenda kabinës së votimit, me votimin e hapur, publik, me një Po ose një Jo të bërë me app, si një rikthim i vonuar – i mundësuar nga teknologjia digjitale – në origjinën e demokracisë athinase, atë të qytetarëve të lirë që votojnë publikisht për çështje publike, tashmë në “agoranë” virtuale të qytetit /komunitetit.
    [Po pastaj mund të na ngelen pa punë partitë politike, kështu që më mirë ta lemë këtë muhabet, sa pa ngrënë kokës ndonjë akuzë si ekstremist… 🙂 ]

  3. Jam dakort me Gjilperen, like po kthehet ne nje eksperiment te demokracise direkte/pjesemarrese. Epoka digjitale dhe votimi elektronik do e kthejne kabinen elektorale ne nje relike te se shkuares dhe votimin ne nje proces me kosto shume te uleta. Kushdo mund te votoje nga telefoni apo nje kompjuter cfaredo me ta zeme nje numer personal votimi ose ne rast permiresimi teknologjik ne te ardhmen edhe me shenjat e gishterinjve.

    Ndoshta, duke vene ne dyshim qellimet e atyre lart, prandaj edhe Facebook-u ka modifikuar se fundmi algoritmin, qe t’i mundesoje nxerrjen ne pah te tematikave jopolitike, ne menyre qe te ule perdorimin politik dhe kulturen e votimit e demokracise pjesemarrese qe po zhvillohet.

    Perfaqesuesi si ndermjetes mes votuesit dhe pushtetit, tashme nuk dallon nga sekseri, ne kuptimin qe ka humbur cdo legjitimitet moral e intelektual, por edhe legjitimitetin politiko-ideologjik. Ata njerez te pakte qe gezojne ende ndonjefare legjitimiteti, zakonisht pozicionohen shume lart ne hierarkine e perfaqesuesve, nderkohe qe gjithe te tjeret jane kthyer ose perceptohen gjeresisht si seksere, mes votuesit dhe atyre pak qe jane ne maje te piramides.

    Mes nje demokracie sekseresh dhe demokracise pjesemarrese, kjo e dyta terheq me shume edhe instiktikivisht, pavaresisht prirjeve kulturore e te tradites, qe e shtyjne individin te mendoje per nevojen e udheheqesit dhe majen e piramides.

    Pershtypja ime eshte se tashme ne nivel europian, ndoshta boteror, publiku majtas apo djathtas, i ka vene vizen demokracise perfaqesuese/seksere dhe do te pozicionohet sipas ”instikteve”, te majtet drejt demokracise pjesemarrese, direkte, kurse te djathtet drejt lidershipit, duke kerkuar presidencializem.

    Shtresa intelektuale gjendet ne pikepyetje meqenese te dyja format heqin monopolin e legjitimitetit moral e intelektual, i cili perkthehet ne vlere reale politike vetem ne demokraci perfaqesuese.

    Like mundeson zhvillimin e nje kulture politike qe ben te mundur si eksperimentin e demokracise pjesemarrese, si ate te demokracise presidenciale puro ose autokracise se bute 4 apo 8 vjecare, dicka alla Perikli ne Athinen e lashte (paradoksi i demokracise se mirefillte, qe njerezit kane te drejte te votojne per autokracine).

    Megjithate nevojat funksionale te organizimit nuk i shpetojne ligjit te hekurt te oligarkise, keshtu qe demokracia pjesemarrese maksimumi qe mund te beje eshte te rindergjegjesoje elitat se perfaqesuesi si sekser eshte eksperiment i deshtuar, keshtu qe duhet kapercyer kriza e perfaqesimit nepermjet nje procesi riperterimi te legjitimiteteve, morale, intelektuale e ideologjike, ne menyre qe perfaqesuesi te jete vlere e shtuar dhe jo nje hallke e tepert spekullatori.
    Perndryshe, te njejtat nevoja funksionale do te prodhojne autokrate, te cilet jane organikisht te lidhur me funksionalitetin e piramides se shtetit e pushtetit.

  4. […] për një LIKE ka ndodhur deri edhe të prishen miqësi dhe fejesa, të zënë fill hasmëri të përgjakshme, të shkatërrohen reputacione, të humben vende pune dhe – kushedi – edhe të rrëzohen kryetarë dhe qeveri.

    Ja dhe një kuriozitet nga Zvicra ku Gjykata Federale gjykoi sot se një LIKE mund të jetë edhe akt penalisht i dënueshëm për personin që e jep. Arsyetimi është pak a shumë kështu: kur i bën LIKE një diçkaje në facebook, ti jo me patjetër (ose jo vetëm) i jep një vlerësim personal – “më pëlqen” – materialit në fjalë, por ti ndihmon edhe në përhapjen e tij, madje duke marrë parasysh ndërlidhjet e panumërta që mundësojnë rrjetet sociale, ky material mund të bëhet edhe viral nga LIKE-t e shumta. Nëse kjo diçkaja është një shpifje dhe ti i bën LIKE asaj, atëhere ti je duke ndihmuar në përhapjen e shpifjes, akt ky i dënueshëm nga ligji zviceran (në rastin në fjalë, dënim me gjobë).

    E rëndësishme pra për gjykatësit është nëse LIKE bëhet vetëm si vlerësim apo bëhet për ta bërë materialin në facebook të dukshëm për persona të tretë. Kjo varet nga algoritmi i rrjetit social por edhe nga personal settings të përdoruesit.

    Po ashtu, sipas gjykatës, një LIKE është në thelb një vlerësim neutral («grundsätzlich wertungsoffen»), pra kur bën një LIKE ti nuk tregon me patjetër se je i një mëndjeje me autorin, por mund të jetë edhe thjesht një pëlqim i stilit – pra jo i përmbajtjes – ose thjesht solidarizim me autorin si person.

    Për t’i rënë shkurt: për një LIKE mund të shkosh edhe në burg!

    Për t’i rënë andej nga kasollja jonë: prit kur ta përfshijnë LIKE-n te “paketa anti-shpifje”! haha

    https://www.nzz.ch/schweiz/bundesgericht-facebook-likes-koennen-ehrverletzend-sein-ld.1541671
    —————————————————————————————————————————————

    Përshëndetje Dies Irae,
    Meqë jemi te Zvicra dhe te vota me LIKE, si varianti digjital i votimit demokratik, që do të mundësonte teknikisht demokracinë direkte: Zvicra është sot vendi më i përshtatshëm ku mund të bëhet realitet votimi elektronik me app, pa nevojën e kabinës së votimit. Jo vetëm është një vënd i vogël dhe me popullsi homogjene – në kuptimin politik, social-kulturor dhe ekonomik -, çka lehtëson politikisht vënien në zbatim të demokracisë direkte, por Zvicra ka përdorur prej vitesh elementin bazë të demokracisë direkte: referendumin (p.sh. që në 2018-ën zviceranët votuan për dhjetë referendume, të përmbledhura në katër data votimesh). Madje, me sa shoh, këto vitet e fundit ka edhe disa projekte pilot për votimin elektronik në disa kantone dhe për emigrantët, por në 2019-ën ka pasur edhe një iniciativë kundër votimit elektronik për arsye sigurie – vazhdimi nuk dihet.

    Besoj se demokracia direkte dhe votimi elektronik – sidomos votimi i hapur elektronik – mbeten projekte të së ardhmes së largët dhe kjo jo vetëm nga mungesa e sigurisë (votimi duhet të jetë 100% i sigurt) por, më kryesorja, nga mungesa e vullnetit politik të establishmentit për demokracinë direkte…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin