nga Agron Alibali
(pjesa II)
- Biblioteka e jashtëzakonshme albanologjike e Krist Malokit në Graz
Sikurse përmendëm në Hyrje, deri sot njohim dy biblioteka të famshme albanologjike të ngritura dhe të pasuruara jashtë vendit, të cilat i janë lënë trashëgim Shqipërisë. E para, është e Faik Konicës;[1] e dyta, e Norbert Joklit.[2]
Mirëpo lënda arkivore e CIA-s na njofton, pa dashur, edhe për një bibliotekë të tretë, tejet të pasur albanologjike, dhe pikërisht të Krist Malokit. Të dhënat edhe këtu jepen prej informatorit të lartpërmendur. Sipas Raportit vlerësues, interesi i Tiranës për Malokin “konsistonte me sa duket” për shkak të bibliotekës së tij të jashtëzakonshme. Duke iu referuar këtij informatori, zyrtari i CIA-s raportonte se Maloki kishte një koleksion unik librash shqip të grumbulluara në të katër anët e botës për afro 40 vjet “nga vetë Krist Maloki”. Duke cituar drejtpërdrejtë informatorin, hartuesi i Raportit vlerësues shkruan se vlefta e bibliotekës së Malokit arrinte atë kohë në shumën deri në $30,000, që sot është baras me $225,813.[3]
Sipas një dëshmie tjetër, Biblioteka e Krist Malokit, “e bleme me djersë balli e pare urije”, mbushte katër muret e një dhome të madhe dhe ishte e kataloguar dhe e rregulluar më së miri.[4]
Mirëpo përtej interesit të pretenduar për bibliotekën aq të vyer të Malokit, për Tiranën do të kishte vlerë të shumëfishtë politike e propagandistike sidomos ngulja e përhershme në Shqipëri e një personaliteti si Maloki, siç do ta shohim më tej.
Po kujt mendonte t’ia dhuronte Krist Maloki bibliotekën pas vdekjes? Sipas Raportit vlerësues, “[Prof. Zeta][5] mësoi nga Maloki se ai [Maloki] dëshironte që t’ia dhuronte të gjithë librat e tij Universitetit të Prishtinës, Jugosllavi, pasi Maloki ndjente se i detyrohej më shumë Kosovës sesa Shqipërisë”.[6]
Pas vdekjes së Malokit për Bibliotekën e tij u interesuan Prishtina dhe Tirana.[7] Sipas së shoqes së Malokit, libra nga Biblioteka e Malokit kishin marrë Hamdi Oriçi, Fejzi Domi dhe “dy persona…nga Prishtina, nga Instituti Albanologjik”, “një burrë dhe një grua”, rreth vitit 1990.[8]
Nga sa më sipër, mund të themi se, bashkë me atë të Konicës dhe të Joklit, biblioteka albanologjike e Krist Malokit është e treta pasuri e çmuar bibliotekare e krijuar jashtë kufijve politikë të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila u është lënë amanet institucioneve akademike studimore vendase.
Krist Maloki u nda nga jeta me 24 nëntor 1972. Deri në momentin e hartimit të këtij punimi, në mes të muajit tetor 2017, nuk dihet fati i bibliotekës së tij.[9]
- Të dhëna të tjera personale për Krist Malokin
Pas paraqitjes së biografisë profesionale shkencore, raporti hyn mandej në karakterin dhe jetën private të Krist Malokit.
“Maloku është tip sentimental” dhe “me karakter shumë të vështirë”, raportonte informatori. “Mbi të gjitha, ai është në një gjendje të vazhdueshme brengosjeje” [continuous state of dejection].[10] Dhe më tej:
“Maloki u martua në vitin 1954 me një grua austriake, ish-kolege e tij, dhe profesore në Graz. Ata nuk kanë fëmijë. Të dy, Maloki dhe e shoqja, janë katolikë të devotshëm dhe ndjekin rregullisht shërbesat kishtare. Maloki tash është në pension dhe vuan nga një sëmundje sysh; Maloki është thuajse i verbër”.[11]
Informatori besonte se sëmundja e syve e Malokit “e kishte demoralizuar atë së tepërmi”.[12]
Gjithsesi, informatori raportonte se pozita ekonomike e financiare e Malokit në atë kohë ishte “shumë e mirë“. Sipas tij, vetëm nga qeraja për pronat në Austri çifti Maloki vilte të ardhura që arrinin deri në $8,000 në muaj.[13]
- Tirana josh Malokin
Sikurse u theksua më herët, Krist Malokin e kishte në qendër të vëmendjes edhe regjimi komunist shqiptar. Statusi i tij si dijetar e studiues i pavarur e me reputacion, me prejardhje nga Kosova, dhe që kishte mbajtur qëndrim përgjithësisht korrekt gjatë Luftës dhe deri diku neutral ndaj regjimit, e shtonte interesin e Tiranës ndaj tij.[14]
Nga ana e vet, “Maloki kishte shpresuar gjithnjë që të kthehej në Shqipëri, me gjasë për të zënë një pozitë të lartë kulturore atje”, raportonte informatori i CIA-s.[15]
Ambasada e Shqipërisë në Vjenë mbante lidhje të rregullta me Malokin. Nga Shqipëria atij i dërgoheshin vazhdimisht libra e literaturë, dhe me të ishte diskutuar edhe ngritja e Shoqatës së Miqësisë Austri – Shqipëri. Malokit mund t’i jetë akorduar edhe një dekoratë nderi nga shteti shqiptar. Kuptohet se të gjitha këto aktivitete nuk mund të mos kalonin nën filtrin e imët të organeve të kundërzbulimit shqiptar, dhe sigurisht, as atij Perëndimor.[16]
Sipas Raportit të vlerësimit të vitit 1966, “Tirana i kishte premtuar Malokit fitime të dyfishta të ndjeshme [double large profits] për përkthime dhe shërbime të tjera në fushën e propagandës“.[17] Madje, Maloki mund të kishte “fitime të mëdha me përkthime nga gjermanishtja në shqip në fushën e ekonomisë [economics]”.[18]
Ndërkohë, sikurse u përmend, atij po i avitej mosha e pensionit. Në vitin 1962 Maloki vizitoi Shqipërinë “me mendimin se, me të dalë në pension, ai mund të shkonte bashkë me të shoqen në Shqipëri”. Ai i pat rrëfyer “Profesorit Zeta” se “në Graz jetonte i izoluar, dhe se dëshironte të kalonte pensionin në Shqipëri, ku kishte shokë të shkollës, si Prof. Eqrem Çabejn“.[19]
Vizita në Shqipëri i la Malokit mbresa të thella. Regjimi i rezervoi pritje shumë të mirë. Atij iu krijua përshtypja se miqtë e tij “bënin jetë shumë të këndshme” [his friends in Albania have a very pleasant living], ngaqë, “përveç punës së tyre, ata fitonin para me përkthime nga gjermanishtja në shqip.”[20]
Atij i kishte bërë veçanërisht përshtypje se “Aleks Buda dhe intelektualë të tjerë shqiptarë banonin [were assigned] në vila të mobiluara mjaft mirë në periferi të Tiranës.”[21]
Mirëpo kjo përshtypje iluzore merr përmasat e një tragji-komedie. Sipas Raportit vlerësues “Prof. Eqrem Çabej kishte në dispozicion edhe një apartament të mobiluar në plazhin e Durrësit, përveç vilës së tij në Tiranë”.[22] Nuk del e qartë se kush ishte burimi i këtij informacioni. E vërteta është se Çabej jetonte në atë kohë në një apartament shumë modest tek Rruga e Dibrës në Tiranë. Të ishte ky një inskenim i përkryer i Tiranës, keqkuptim i vetë Malokit, apo keqinterpretim apo lajthitje e informatorit?
Raporti vlerësues i CIA-s na sjell edhe një bisedë midis Krist Malokit dhe Spiro Kolekës, udhëheqës i lartë komunist, gjatë vizitës së të parit në Shqipëri në vitin 1962. Në atë kohë, kur Shqipëria sapo ishte prishur me Moskën dhe ishte shkëputur nga “kampi socialist”, në rend të ditës shtrohej pyetja se nga do të anonte Shqipëria: kah Lindja apo kah Perëndimi? Prandaj edhe takimi Maloki – Koleka nuk mund të zhvishet nga rrethanat e veçanta të kohës. Me sa duket, Maloki duhet t’i kishte përmendur bashkëbiseduesit ndryshimet dhe përparimet që kishte vërejtur në Shqipëri. Kjo mund t’i kishte dhënë shkas Kolekës për ta pyetur Malokin se çfarë mendonte për ekonominë shqiptare. Si gjithnjë, Maloki e dha mendimin e vet haptaz dhe drejtpërdrejt, çka ishte në karakterin e vet. Sipas tij, “Shqipëria nuk mund të jetonte me prodhimet e veta sepse ishte vend malor”. Dialogu më tej shkoi si vijon:
Koleka: “Ne po hapim kudo toka të reja dhe bukën do ta sigurojmë vetë“.
Maloki: “Po të çelni toka të reja ju do të shkatërroni kullotat malore, sepse të punosh tokën në mal dhe kodër do ta rrezikonte atë nga shirat dhe erozioni” [eruption në origjinal].
Dhe më tej vjen këshilla interesante e Malokit:
“Shqipëria duhet të fuqizojë blegtorinë [sheepbearing] dhe ta lidhë ekonominë e saj me Europën Perëndimore…“.[23]
Natyrisht Maloki nuk ishte aspak naiv. Edhe pse për vizitën e tij në Shqipëri, si për këdo, u morën me kujdes masa që të paraqitej ana pozitive e regjimit, Maloki prapëseprapë kishte vënë re se gjërat nuk shkonin ashtu siç dukeshin. Kjo pasqyrohet edhe në raportin e CIA-s. Gjatë udhëtimit Maloki “vizitoi disa qytete në Shqipëri, duke vërejtur se, me gjithë progresin e arritur, populli jetonte në një regjim terrori dhe frike“.[24]
Vizita e çiftit Maloki në Shqipëri në vitin 1962, përshtypjet, episodet dhe rrethanat surreale të saj pasqyrohen edhe tek burime të tjera. Vizita zgjati përreth 2 muaj dhe çifti Maloki vizitoi Shqipërinë nga Gjirokastra në Shkodër. Dy episode të tjera spikasin: (i) vizita në Muzeun e Shkodrës, ku Maloki kritikoi haptaz një artefakt që pretendonte të pasqyronte nënshkrimin e Bajram Currit, ndërkohë që, sipas Malokit, ky nuk dinte të shkruante, dhe (ii) vizita incognito e Malokit, pasi ky i shpëtoi vëzhgimit të Sigurimit Shqiptar duke dalë nga dera e pasme e hotelit, për tek një frat françeskan në Gjuhadol të Shkodrës, që me gjasë, ka qenë Justin Rrota.[25]
Në këtë pikë, Raporti na sjell edhe përmbajtjen e një bisede surreale, të zhvilluar diku në një dhomë në Shkodrën e vitit 1962. Përballë janë Krist Maloki dhe Justin Rrota “atë françeskan dhe linguist i mirënjohur”. Gjatë bisedës Maloki me sa duket i tregoi Rrotës dëshirën për t’i kaluar vitet e pensionit në Shqipëri. Mirëpo, sikurse Maloki “i rrëfeu” [confessed] në mirëbesim informatorit, “Justin Rrota e shkurajoi që të kthehej në Shqipëri”.[26]
Eshtë dramatike, e atëhere edhe mjaft e rrezikshme, se si thelbi i një bisede kokë më kokë, të kryer në rrethana të thella privatësie në një qytet të Shqipërisë, si dhe në besë të plotë midis dy miqsh, e kishte gjetur veten të pasqyruar tek një raport i CIA-s drejtuar qendrës në kryeqytetin amerikan.
Mirëpo pengesa kryesore e Malokit për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri duket se ishte e shoqja. Sipas Raportit, “ajo nuk dëshironte të jetonte as edhe një ditë të vetme në Tiranë”, pavarësisht nga premtimet që regjimi i kishte bërë Malokit.[27]
Zbulimi, si profesion dhe teknikë, bazohet tek faktet. Fjalët apo thashethemet kanë vlerë relative. Mirëpo Raporti, papritur, përcjell edhe të dhëna me bazë thashethemesh. Shkruhet aty:
“[Prof. Zeta] kishte dëgjuar disa kohë më parë në Mynih prej Prof. Babinger[28] se njerëzit në Tiranë nuk e pëlqenin gruan e Malokit sepse, sipas tyre, ajo ishte mëndjemadhe [she is a megalomaniac]”.[29]
Mirëpo në letrën e tij për Çabejn të vitit 1962 Maloki jep një version paksa më ndryshe:
Dokumenti 2 – Facsimile e pjesshme e letrës së Malokit për Çabejn, 1 tetor 1962.[30]
Kujt t’i besojmë? Përshtypjeve të drejtpërdrejta të Malokit të tetorit 1962, apo informatave të tërthorta, të shprehura në takimin e Mynihut në nëntor 1966?
Sa i takon së ardhmes së Malokit dhe raporteve të tij me Shqipërinë dhe Kosovën, informatori “Prof. Zeta” i raporton shefit të tij amerikan se:
“Maloki vlerësohet lart nga intelektualët e rinj kosovarë, dhe, në atë drejtim, dera mbetej gjithnjë e hapur; pra, me fjalë të tjera, Maloki do të kishte gjithnjë qasje të mirë me botën e kulturës në Jugosllavi, kurse mundësitë e afrimit të tij me Tiranën ishin praktikisht shumë të vakëta [very poor thing].”[31]
- Intriga kundrejt Çabejt
Prof. Eqrem Çabej [1908 – 1980] ishte ndër personalitetet më të shquara të gjuhësisë shqipe në mbarë botën. Ai kishte kontakte të hershme me kolegë në Lindje dhe në Perëndim.
Është fakt se, për vite me radhë, Prof. Eqrem Çabej kishte qenë objekt vëzhgimi të rreptë dhe hetimi të stër-imët prej Sigurimit të Shtetit në Shqipëri.[32] Çabej ndiqej kryesisht si “agjent i mundshëm i zbulimit gjerman” në nivelet e përpunimit 2/A dhe 2/B.[33] E thënë shkurt, Çabej kishte qenë vazhdimisht, dhe deri në fund të jetës, në buzë të greminës.
Miqësia e Çabejt me Malokin i kishte fillesat në vitet 1930, kur të dy studionin në Graz. Në fund të viteve 1930 të dy kishin dalë në shtypin e specializuar shqiptar me shkrime thelbësore në lëmin e kritikës letrare dhe për vendin e Shqipërisë midis Lindjes dhe Perëndimit.[34] Nuk dihet nëse të dy shokët e shkollës i kishin ruajtur në vijim lidhjet.
Sipas dëshmisë së Freya Malokit, “shok të mirë [Maloki] kishte Eqrem Çabejn që prej kohësh së studimeve në Vjenë dhe në Graz”.[35]
30 vjet më pas, në vitin 1962, sikurse u përmend, Maloki do ta takonte Çabejn në Tiranë, do ta vizitonte tek apartamenti i vet modest në Rrugën e Dibrës, si dhe në plazhin e Durrësit.[36]
Për takimin e Malokit me Çabejn në plazhin e Durrësit nuk mund të mungonte versioni i Sigurimit shqiptar në Dosjen Çabej të tij. Shënimet përgjuese agjenturore fillojnë me datë 7 gusht 1962. “Personat që janë takuar me Eqremin janë Vedat Kokona, Pasko Milo, Krist Maloki (që shkruhet Kristaq, shënim i autorit, A.A.), Hajdar Kërçiku, Aleksandër Bushati, Sulejman Resuli, Pashko Gjeçi etj”.[37]
Çabej mori pjesë në Kongresin e parë të Studimeve të Ballkanologjisë në Sofje, në verën e vitit 1966, kurse në fillim të vitit 1967, sipas raportit të informatorit të CIA-s, pritej të udhëtonte me punë në Gjermaninë Perëndimore.[38]
Maloki njihte dhe admironte punën, cilësinë dhe nivelin e lartë shkencor të Çabejt. Rrethanat e veçanta të Luftës së Ftohtë vështirësonin së tepërmi veprimtarinë shkencore dhe shkëmbimet përkatëse. Një Konferencë Balkanologjike [Balkanologen Tagung] do të mbahej në Mynih të Gjermanisë Perëndimore në tetor 1962. Aty do të ftoheshin edhe tre shkencëtarë nga Shqipëria, dhe kjo i ishte lënë në dorë Malokit. I ndërgjegjshëm për rëndësinë e aktivitetit, për vështirësitë e komunikimit me Tiranën, dhe për problematikën shtesë të lidhur me atmosferën e Luftës së Ftohtë, si dhe për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së studiuesve shqiptarë të nivelit më të lartë në fushat e tyre, Maloki i shkruan Çabejt në tetor 1962:
“Sa për sektorin e historisë, kam propozue me grishë o Aleks Budën o Hasan Cekën; sa për sektorin Albanologjisë, Ti e dijsh mirë se kush mund të propozohet”…[39]
Duke ripërmbledhur, dy dokumentet e vitit 1966 të analizuara më sipër përcjellin këtë zinxhir ngjarjesh dhe galeri personazhesh:
(i) Të paktën një oficer i zbulimit amerikan i mbuluar me detyrë diplomatike në Vjenë, me gjasë Shefi Rajonal i CIA-s [Chief of Station, Vienna] udhëton në Mynih në nëntor 1966, ku takon informatorin e përmendur, “Profesorin Zeta”;
(ii) Gjatë dy ditëve të qëndrimit ata takohen dhe mbulojnë aspekte të inteligjencies shqiptare, kryesisht në fushën e gjuhësisë dhe letrave;
(iii) Bazuar në informatat e marra në Mynih prej “Prof. Zetës”, që kishte takuar Malokin në korrik të po atij viti, zyrtari i zbulimit amerikan harton Raportin e Vlerësimit për Malokin, si dhe Dispatch-in për Qendrën;
(iv) Sikurse përmendim tek (i), me gjasë, oficeri i zbulimit amerikan ka qenë vetë Shefi i Stacionit të CIA-s në Vjenë. Një Shënim në fund të Raportit të Vlerësimit përmend diplomatët shqiptarë që punonin asokohe në Vjenë, çka nënkupton se i pari përdorte mbulesën diplomatike, që i kishte mundësuar të kishte dijeni për punonjësit e Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, si p.sh. Gaqo Neshon.[40]
Pikërisht në momentet mbas kthimit nga Mynihu, Dispatch-i drejtuar Qendrës përmban një pasazh të çuditshëm. As më pak, as më shumë, aty yshtet manipulimi i Malokit për të përdorur Çabejn për qëllime zbulimi ndaj Enver Hoxhës. Me të vërtetë, pasi Dispatch-i pranon se,
“…edhe pse MALOKI nuk duket që të jetë vetë ndonjë objekt tejet premtues [extremely promising target], ai ofron mjet për qasje [access] tek Eqrem ÇABEJ, i cili raportohet se është në marrëdhënie të mira [good terms] me Enver HOXHËN dhe Mehmet SHEHUN…”.[41]
Nuk është e vështirë që të përfytyrohet rreziku me të cilin ballafaqohej gjuhëtari i madh, pasuesi i Gustav Mayer-it dhe nxënësi e miku i Norbert Jokl-it, i ndjekur nga Sigurimi shqiptar si “agjent i mundshëm i zbulimit gjerman”, nëse skenari i përdorimit të Malokit për të përdorur Çabejn dhe për të shfrytëzuar “afërinë” e supozuar të tij me udhëheqësit komunistë të Shqipërisë të ishte transformuar në hapa konkrete operacionale…
Dihej botërisht se Çabej e kishte prejardhjen nga Gjirokastra, vendlindja e Enver Hoxhës. Mirëpo shumë pak veta mund ta dinin se Çabej dhe Enver Hoxha njiheshin, dhe që, sipas raportit, kishin afërí [good terms].
Për më tepër, informacioni se Enver Hoxha dhe Eqrem Çabej kishin “afëri” ishte i ekzagjeruar, për të mos thënë se paraqiste, të paktën, zell të tepruar. Edhe pse të lindur në një qytet, vërsnikë dhe madje, me lidhje të largët farefisnie, të dy ishin takuar vetëm një herë në Gjirokastër në fillim të viteve 1930, kur Çabej ishte me pushime në vendlindje. Pas lufte kontaktet e tyre ishin shumë të rralla, aq sa mund të numëroheshin me gishtat e dorës.[42]
- Cili ishte “Profesori Zeta”?
Edhe pse emri i agjentit informator është fshirë, të dhëna biografike për “Profesorin Z.” dalin aty-këtu në faqet e të dy dokumenteve.
Theksojmë se nuk është aspak qëllimi i këtij punimi çmaskimi [unmasking] apo identifikimi i “Prof. Zetës”, emërtim që në këtë punim nënkupton njëjësin ose shumësin (pra, mund të jetë një ose më shumë persona).[43]
Nëse hipotetikisht emrat e fshirë në kllapa ia atribuojmë “Prof. Zetës”, nga të dyja raportet mësojmë se “Profesor Zeta” (i) në nëntor 1966 jetonte në Mynih, ku edhe u takua me shefin e byrosë së CIA-s në Vjenë.[44] Ai “ende nuk e kishte marrë shtetësinë gjermano-perëndimore”,[45] çka nënkupton se ai (ii) nuk ishte gjerman. Po ashtu, nga dokumenti del qartë se Prof. Z. (iii) ishte studiues në fushë të filologjisë, pasi përmendet interesimi për “Kongresin e Filologjisë Ballkanike” të Sofjes, të mbajtur në datat 29 gusht – 2 shtator 1966. Kjo, megjithatë, nuk e kishte penguar atë të siguronte një listë të delegacionit shqiptar. Dhe më tej, “Prof. Z.” madje (iv) ishte studiues në linguistikën shqipe, pasi po atë vit “kishte botuar një libër” në këtë lëmë.[46]
Të dhëna të tjera për “Prof. Zetën” mësojmë edhe nga Raporti vlerësues për Malokin.
Kështu, në vitin 1952 ai kishte qenë në Beograd, Jugosllavi, “ku kishte njohur Krist Malokin“, kur ky kishte takuar “intelektualët e rinj kosovarë që studionin në Universitetin e Beogradit“.[47] Pra, mund të themi se “Prof. Zeta” (v) kishte studiuar në Universitetin e Beogradit në vitin 1952. Në fakt, korrespondenca midis tij dhe Malokit kishte nisur në vitin 1951.[48] Kurse në korrik 1966, d.m.th. 5 muaj para takimit me oficerët e CIA-s në Mynih, “Prof. Z.” kishte takuar Krist Malokin në Graz.[49] Pra, informacionet e “Prof. Zetës” të vjela nga Maloki dhe të pasqyruara në dokumentet e përmendura, ishin të freskëta.
- Konkluzione
Episodi i dokumentuar në Dosjen Maloki të CIA-s tregon se Lufta e Ftohë zhvillohej në çdo terren të mundshëm të aktivitetit njerëzor, dhe se objekt i saj ishte edhe inteligjencia shqiptare, e cila nuk mbetej më as imune, dhe aq më pak, as jashtë vëmendjes së veprimtarive zbulimore apo operacionale të shërbimeve përkatëse.[50]
Ky episod i veçuar i Luftës së Ftohtë shpalos jo vetëm luftën e madhe e të paskrupullt që zhvillohej nga të gjitha palët pjesëmarrëse për të fituar, dhe pse jo, për të manipuluar mendjet e inteligjencies shqiptare “në të trija anët e kufirit”, por ai nxjerr në pah edhe interesin e ndikimin relativ që organet e zbulimit amerikan treguan për ecurinë e studimeve shqiptare, më saktë, të gjuhësisë.
Në shënjestër të zbulimeve nga të dyja anët e Perdes së Hekurt ishin edhe shkencëtarë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Çabej ishte nën ndjekjen e Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, kurse Krist Maloki në Austri ishte objekt i CIA-s amerikane.
Studiues nga të dyja anët angazhoheshin përkatësisht edhe si informatorë. Dosja Çabej përmban një mori informatorësh me pseudonime nga më të ndryshme; Dosja Maloki mbështetet kryesisht tek informatat e “Prof. Zetës”. Me shumë gjasë, kjo lagje studiuesish – informatorë, apo informatorësh – studiues siguronte mbështetje edhe për avancim në karrierat e tyre akademike, si dhe merrte mbështetje e ndihmë të prekshme përmes financimeve e sponsorizimeve të ndryshme.
Sikurse shihet më poshtë, zbulimi perëndimor financonte edhe shpërndarjen e literaturës shkencore të krijuar nga agjentura e vet për në vendet e Lindjes, përkatësisht në Shqipëri. Shembulli konkret është vepra studimore e “Prof. Zetës”. Me të vërtetë:
“Libri i ri i [Prof. Zetës] për linguistikën shqiptare tashmë është botuar”, përfundonte Dispatch-i i lartpërmendur, “dhe ai ua ka dërguar me postë 6 kopje personave të treguar në listën bashkëngjitur.“[51]
Fjala ishte për listën, hartuar nga “Prof. Zeta”, e delegacionit shqiptar që sapo kishte marrë pjesë në “Kongresin e Filologjisë Ballkanike” të Sofjes, 29 gusht – 2 shtator 1966.
Vijohet më tej:
“Sikurse u sugjerua në EAVW-20076 të 17 gushtit 1966, ne e paguam [Prof. Zetën][52]për këto kopje, dhe do të paguajmë për blerjen dhe postimin edhe të disa kopjeve të tjera dhuratë”…[53]
Mbetet për t’u verifikuar nëse ky libër i paidentifikuar, i paguar nga CIA edhe si vleftë, edhe si postim, dhe që mund të përmbante dedikimin e autorit informator, ndodhet edhe sot e gjithë ditën në bibliotekat albanologjike të pasardhësve të profesorëve të nderuar në Shqipëri.
Nga pikëpamja e CIA-s, të dhënat e imta të marra nga informatori i tyre në takimin e Mynihut nuk kishin ndonjë vlerë të veçantë. “Edhe pse në materialin e [Prof. Z.-ës][54] nuk kemi gjetur asgjë me vlerë të qartë shpërndarëse [dissemination value], besojmë se disa nga të dhënat biografike [personality data] në raportin e bashkëngjitur të kontakteve mund të meritojnë indeksime për përdorime të mundshme të mëvonshme operacionale” [possible later operational use], i raportonte qendrës në Dispatch-in e tij Shefi i Stacionit të CIA-s në Vjenë.[55]
Me shumë gjasë, raporti i munguar i kontakteve përmbante edhe emrin e Eqrem Çabejt, çka mund të vërtetohet tërthorazi nga përmendja e emrit të tij në paragrafin tjetër sipas linjës Maloki – Çabej – Hoxha / Shehu. Ishte pikërisht perspektiva e përdorimit të mundshëm “operacional” të kësaj linje që do të përbënte rrezik ekzistencial për Çabejn.
Mirëpo pikëtakimet, rastësore apo të kurdisura, të botës së inteligjencies shqiptare me jashtë, shiheshin me vëmendje, “vigjilencë” apo shqetësim edhe nga Tirana. Krist Maloki ankohej me takt në letrën e tij drejtuar Çabejt në adresë zyrtare të Universitetit të Tiranës. “Prej Teje – i shkruan Maloki Çabejt drejtpërdrejt dhe me respekt të veçantë[56] – kam marrë vetëm njat ekstrakt mbi fjalët shqipe të terminologjisë buzë-detare. Mjerisht as nga shokët dhe kolegat e tjerë nuk kam patur gjër më sot donjë korespondencë me letra. Se ku qëndrojnë ndalesat apor pengesat nuk e marr vesht. Por nejse!”[57]
Nga ana e vet, sikurse përmendëm, Çabej i ishte nënshtruar vazhdimisht survejimit të pashembullt nga Sigurimi i Shtetit. Kurse jo më shumë se 7 vjet më vonë, në vitin 1973, udhëheqja komuniste shqiptare do të ndërmerrte një ndër fushatat spastruese më të bujshme, masive e gjakatare kundrejt inteligjencies vendase në historinë e pasluftës të vendit të vogël ballkanik e më gjerë.
Përplasja e nëndheshme midis dy zbulimeve antagoniste të Luftës së Ftohtë – CIA-s amerikane dhe Sigurimit shqiptar – për fatin e Krist Malokit, por sidomos përfshirja në këtë betejë të zinxhirit surreal të përbërë nga (i) “Prof. Zeta” [Mynih, Gjermani] – (ii) Krist Maloki [Graz, Austri]- (iii) Eqrem Çabej [Tiranë, Shqipëri] – dhe (iv) udhëheqja komuniste e Tiranës, ishte episod tejet i çuditshëm, thuajse tragjik. Përmes veprimtarisë në fushën e inteligjencës [zbulimit e kundërzbulimit], fushëbeteja gjeopolitike ishte zhvendosur tashmë edhe në lëmin e brishtë, të kthjellët, por plot mistere e gjetje shkencore, të albanistikës, gjuhësisë, filologjisë e letrave shqipe, si dhe të studimeve ballkanologjike.
Kësisoj, nga areali i saj i natyrshëm i librave, arkivave e konferencave, inteligjencia shqiptare befas gjendej e zhvendosur në “tehun” e mprehtë të Luftës së Ftohtë. Pyetja hipotetike është se si do të reagonte regjimi komunist në rast se kombinacioni i mundshëm Prof. Z. – Maloki – Çabej – Hoxha, të ishte vënë në zbatim?
Për fat kjo nuk ndodhi. Nuk ka të dhëna se amerikanët e ndoqën idenë e dalë nga takimi i Mynihut i nëntorit 1966. Megjithatë, pyetjes hipotetike mund t’i jepet përgjigje konkrete, dhe kjo del tek fatet e të dërguarve të ndryshëm të misioneve të përparshme të CIA-s etj. në Shqipëri,[58] apo tek ngjarjet dhe spastrimet që pasuan Plenumet e IV, V, VI të KQ të PPSH në vitet 1973-1975 në Shqipëri.
Kërcënimet dhe rreziku ndaj jetës, me të cilin ballafaqoheshin shkencëtarë të mirëfilltë shqiptarë, si Eqrem Çabej, nga survejimet dhe hetimet e pafund të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, apo nga kombinacionet e mundshme operacionale të shërbimeve perëndimore ishte real, konkret dhe i skajshëm. E thënë figurshëm, sipari i Perdes së Hekurt për ta mund të kthehej në çdo kohë në satër.
Në mbyllje, lidhur me fatin e Bibliotekës së Krist Malokit, konfirmojmë se, pas vdekjes së të zotit, një pjesë e saj u kthye vërtet në Kosovë, më saktë, në gjirin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.[59]
Kurse, duke përfunduar me Çabejn, sikurse përmendëm, raporti Dispatch u hartua me 30 dhjetor 1966. Eqrem Çabej ndërroi jetë me 13 gusht 1980. Pra, ai jetoi edhe pak më shumë se 12 vjet. Qysh nga viti 1967 e deri në mbyllje të jetës, Prof. Çabej i dha fushës së dijes edhe 93 vepra, artikuj, kumtesa e punime të tjera madhore në fushë të gjuhësisë e të studimeve shqiptare.[60] Është vërtet fat që kombinacioni zbulimor i sugjeruar në Mynih në nëntor 1966 nuk u vu në jetë. Përndryshe, mund të përfytyrohet lehtas humbja e jashtëzakonshme për shkencën në përgjithësi, dhe studimet shqiptare në veçanti, nëse Prof. Eqrem Çabej do të ishte bërë pré e intrigave zbulimore të Luftës së Ftohtë.
Agron Alibali
Manchester-by-the-Sea, MA, SH.B.A.
Tiranë, Shqipëri
Tetor – nëntor 2017
Dokumenti Nr. 3 – Facsimile e letrës së Malokit për Çabejn.[61]
Dokumenti 4 – Facsimile e Dispatchit shoqërues të Raportit Maloki
Dokumenti 5 – Lista A dhe B me personalitetet “e dëshiruara” dhe që “duheshin përjashtuar” nga planet amerikane për Shqipërinë.[62]
[1] Për më shumë shih Agron Alibali, “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, Argeta LMG, Tiranë, 2016, ff. 547-578, 625-637.
[2] Shih Shaban Sinani, “Hebrenjtë në Shqipëri, Prania dhe shpëtimi”, Naimi, Tiranë 2009, ff. 109-116; Ardian Ndreca, “Norbert Jokl dhe fati i një biblioteke që i përkiste Shqipërisë, http://tinyurl.com/yc2y4kgo; Agron Alibali, “Amaneti i papërmbushur i Norbert Joklit”, Milosao, 25 qershor 2017, Gazeta Shqiptare, f. 14.
[3] Shifra llogaritet me aplikacionin “what is a dollar worth” zhvilluar nga Banka Federale e Rezervës në Minneapolis, MN.
[4] Hamdi Oruçi, “Prof. Krist Maloki vdiq”, tek “Krist Maloki, refleksione, kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, përgatitit Albert Ramaj, Konica, Prishtinë, 2005, f. 320-321.”Edhe kur e lanë sytë, në vjetët e fundit, nji ditë më tha: ‘Merre atë libër në raftin e tretë, âsht i shtati në radhë, ka kapak të zí, e lexoje faqen 30 deri 37″. Po aty.
[5] Në dokument, në kllapa, është i fshirë emri i agjentit informator, që duket se përbëhet nga 5 germa, dhe të cilin ne e kemi quajtur “Prof. Zeta”.
[6] Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 3. Dosja Maloki.
[7] Intervistë me Freya Malokin nga Albert Ramaj, tek tek “Krist Maloki, refleksione, kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, përgatiti Albert Ramaj, Konica, Prishtinë, 2005, f. 340-341.
[8] Po aty. Vetë Maloki zhduku disa dorëshkrime dhe korrespondencë nga biblioteka e vet para vdekjes, nga dëshpërimi dhe që të mos dëmtohej ndonjë mik i tij nëse binin në dorë të pushtetmbajtësve në Tiranë dhe Beograd. Po aty.
[9] Biblioteka e Krist Malokit nuk i pat kaluar bibliotekës së Universitetit të Grazit. Nga kërkimet në motorin e kërkimit online të bibliotekës së Universitetit të Grazit del vetëm një libër i Krist Malokit, Die Grundprobleme der Kunsterziehungsbewegund, v. 1929. Po ashtu, kërkimi në koleksionin e veprave në shqip në atë bibliotekë nuk nënkupton pasurimin e saj me koleksionin e menduar të Malokit. Sipas një komunikimi me Universitetin e Graz-it, Krist Maloki, “lindur në Prizren me 8 prill 1900,…ka dhënë leksione në universitet për “Ekonominë dhe Kulturën e popujve të Europës Juglindore” nga viti 1941 deri më 1948.” I njëjti burim i Universitetit të Grazit deklaron se “nuk kemi ndonjë informacion për dhurim librash për bibliotekën [nga Krist Maloki, shtesë e A.A.] “. Komunikim përmes postës elektronike, datë 16 tetor 2017. Përfundimisht, vetë Biblioteka e Universitetit të Grazit konfirmoi një ditë më pas se “nuk kishin koleksion të librave të Krist Malokit”. I njëjti medium, datë 19 tetor 2017.
[10] Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 1.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Po aty.
[14] Raportime të ndryshme në Dosjen Maloki të CIA-s përcjellin sa më poshtë: Maloki ishte propozuar për të marrë dekoratë nga Shqipëria [dt. 20 mars 1964]; “paraqiste interes për shërbimin e zbulimit shqiptar” dhe për Legatën Shqiptare në Vjenë [dy raporte, dt. 2 korrik 1964]; ishte në kontakt me Jorgaq Mihalin, e Legatës Shqiptare në Vjenë [dt. 31 korrik 1964]; po ashtu, me ministrin shqiptar në Vjenë, Gaqo Nesho [10 dhjetor 1964]; po ashtu, me Sekretarin e Parë Llazo Dano [16 shkurt 1965]; Dosja Maloki e CIA-s.
[15] Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 1.
[16] Shih Shënimin 47. Po ashtu, Malokit i ishte propozuar të punonte me përkthime për Legatën. Diskutimet për Malokin dhe me Malokin brenda Legatës Shqiptare në Vjenë përcillen me imtësi mbresëlënëse në Raportin Ref. ROMA – e palexueshme, datë 12 maj 1966 lidhur me “Kristo Malokun” [sic] dhe Hajdar Kërçikun.
[17] Po aty, f. 3.
[18] Po aty, f. 2.
[19] Po aty, f. 1.
[20] Po aty, f. 2.
[21] Po aty, f. 2.
[22] Po aty, f. 2.
[23] Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 1.
[24] Po aty, f. 2.
[25] “Krist Maloki, refleksione, kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, përgatiti Albert Ramaj, Konica, Prishtinë, 2005, Hamdi Oruçi, “Prof. Krist Maloki vdiq”, ff. 317-318, dhe “Intervistë me Freya Malokin”, ff. 335-338; kjo e fundit përmend pozitivisht Ramadan Sokolin gjatë vizitës në Shqipëri: “Kur ishte Ramadan Sokoli me ne e ndija veten më të sigurt…”. Po aty, ff. 336.
[26] Po aty, f. 2. Sipas Raportit, vetë Maloki “ia kishte rrëfyer” informatorit këtë episod.
[27] Po aty, f. 3.
[28] Profesori i njohur gjerman Franz Babinger [1891 – 1967), studies, historian, turkolog dhe albanolog i shquar, autor, ndër të tjera, edhe i veprës “Fundi i Arianitit” [Das Ende der Arianiten], vdiq aksidentalisht në plazhin e Durrësit në qershor 1967. Shih BABINGER, FRANZ [15.1.1891 – 23.06.1967), tek Robert Elsie, A Biographical Dictionary of Albanian History, f. 22.
[29] Po aty, shih Shënimin 60 më lart.
[30] Letër e Christoph Malokit për Eqrem Çabejn, Graz, 1 tetor 1962. Arkiva e Institutit Çabej, mirënjohje [courtesy] Brikena Çabejt.
[31] Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 3. Për raportet e Malokit me Kosovën shih edhe Sesionin shkencor “Krist Maloki në Kosovë”, mbajtur me rastin e Javës së Bibliotekës në Kosovë, 5, Prishtinë, prill 2008.
[32] Shih Dosjen Formulare 2383, kategorija 2/B, Nr. 2885 për Eqrem Çabej, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Punëve të Brendshme, Tiranë, botuar pjesërisht në Gazetën 55, 18 shtator – 27 shtator 2008.
[33] Po aty. Niveli II-A është përpunim aktiv, d.m.th. ndjekje e plotë e një personi apo grupi që zhvillon veprimtari aktive “armiqësore”.Niveli II-B është kontroll operativ për persona me origjinë armike, por që nuk shfaqin veprimtari “armiqësore”. Kastriot Dervishi, Sigurimi i Shtetit, 1944 – 1991, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2012. Shih edhe “Aleksandër Meksi përmes fjalës së tij”, Tiranë, Luarasi, 1997, ff. 83, 84.
[34] Eqrem Çabej, “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Hylli i Dritës, Shkodër, 1938, Krist Maloki, “A asht poet Lasgush Poradeci?”, Përpjekja shqiptare, Ti;anë, nr. 18-24, ff. 333-350; nr. 25-27, ff.10-31.
[35] Intervistë me Freya Malokin nga Albert Ramaj, tek “Krist Maloki, refleksione, kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, përgatitit Albert Ramaj, Konica, Prishtinë, 2005, f. 337. Shton znj. Maloki: “Çabejn edhe unë e kam njohur. Ky njeri për mua ishte gjentelmen që meritonte respekt. Ai më shkruante mua edhe pas vdekjes së Kristit. Me të jam takuar disa herë”. Po aty.
[36] Vetëm në vitin 1968 Çabejt iu dha një apartament pak më i gjerë, pra edhe me një dhomë pune, ku jetoi deri në mbyllje të jetës së tij. Sipas dëshmisë gojore të Brikena Çabejt, së bijës së Prof. Çabejt, tetor 2017.
[37] “Si ndiqej Eqrem Çabej nga Sigurimi i Shtetit”.”Ndjekja e plotë e Çabejt gjatë kohës së pushimeve në Durrës”, Dosja Formulare 2383, kategorija 2/B, Nr. 2885, për Eqrem Çabej. Dossier 7, Gazeta 55, e mërkurë, 24 shtator 2008, ff. 16-17.
[38] Dispatch EAVA 39417, 29 dhjetor 1966. “Vizita” e Çabejt në Gjermaninë Perëndimore nuk ka ndodhur. Çabejt, në fakt, i ishte propozuar të jepte mësim në Universitetin e Vjenës në vitet 1967-1968, por kjo nuk u miratua nga regjimi. Dëshmi e Brikena Çabejt.
[39] Nënkuptimi qartazi i drejtohej Çabejt. Letër e Christoph Malokit për Eqrem Çabejn, Graz, 1 tetor 1962. Arkiva e Institutit Çabej, mirënjohje [courtesy] Brikena Çabejt. Termin “Albanologie” e gjejmë të përdorur për herë të parë nga Jacob Phillipp Fallmerayer, tek “Albanesische Element in Griechenland”, Munchen, 1857, f. 13.
[40] Gaqo Nesho shfaqet si i Dërguar i Jashëzakonshëm me gradën Ministër i Republikës së Shqipërisë në Vjenë në “Österreische Zeitschrift für Aussennpolitik”, Volume 6. Sekretar i Parë i Ambasadës del Rakip Zeqiri. Nesho ishte akredituar me 9 mars 1962, Akten zur Auswärtigen Politik der Bundesprepublik Deutschland, 1962, f. 2186.
[41] Pikat e retiçencës janë në origjinal. Despatch EAVA 39417, 29 dhjetori 1966, para 2.
[42] Sipas dëshmisë së Brikena Çabejt, tetor 2017. Sa u takon marëdhënieve me Mehmet Shehun, raporti është i pasaktë, sepse ato ishin inekzistente, pasi ky i fundit dëshmohet se shprehej negativisht ndaj Çabejt. Po i njëjti burim.
[43] Për analogji, i referohemi këtu rastit hipotetik të spektatorit në sallën e teatrit para se të ngrihet sipari. Ai nuk e di se sa aktorë janë pas perdes, një, dy, ose më shumë. Kllapat në dokument janë si perdja. Ne nuk e dimë se çfarë emri apo emrash fshihen midis tyre. Emërtimi “Prof. Zeta” është krejt gjenerik. Krahaso, p.sh. me “John Doe”.
[44] Shih Dispatch, EAVA 39417, 29 dhjetor 1966, para. 1. Dosja Maloki.
[45] Po aty, para 3.
[46] Po aty, para 4.
[47] Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 1.
[48] Po aty, f. 1.
[49] Po aty, f. 2.
[50] Për një “përthyerje” më bashkëkohore të bashkëveprimit midis inteligjencies dhe shërbimeve të “inteligjencës” në universitetet amerikane, shih Daniel Goldon, “Spy Schools, How the CIA, FBI and Foreign Intelligene Secretly Exploit American Universities”, Melia Publishing Services, 2017.
[51] Dispatch EAVA 39417, 29 dhjetor 1966, para. 4.
[52] Emri bosh midis kllapave mendojmë se i referohet “Prof. Zetës”.
[53] Dispatch EAVA 39417, 29 dhjetori 1966, para 4.
[54] Idem, si Shënimi 84.
[55] Dispatch EAVA 39417, 29 dhjetori 1966, para 1.
[56] Ndofta ky letërkëmbim na sjell një risi veçanërisht të bukur në letrat shqipe, atë të Njëjësit të Respektit. Në dallim nga Shumësi i Respektit, që në shqipen jepet me “Ju”, Maloki na përcjell këtu afërinë sëbashku me respektin dhe shoqërinë e pastër përmes trajtës së rrallë me “Ti” të Njëjësit të Respektit.
[57] Letër e Christoph Malokit për Eqrem Çabejn, Graz, data e papërcaktuar; nga zarfi del gusht 1963. Arkiva e Institutit Çabej, mirënjohje [courtesy] Brikena Çabejt.
[58] Shih, p.sh. morinë e dokumentacionit të deklasifikuar në rreth 20 kuti për operacionet zbulimore përkatëse tek NARA, si dhe botimet e ndryshme, si p.sh. Ben Macintyre, A Spy Among Friends, Kim Philby and the Great Betrayal, with an aferward by John Le Carré. Crown Publishers, New York, 2014, ff. 121-122, 124-128, 129-131, 138-141.
[59] Një fond prej rreth 700 njësish bibliotekare nga biblioteka personale e Krist Malokit, disa prej të cilave me “vlerë të jashtëzakonshme”, i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga Mark dhe Gonxhe Kaçinari. Korrespondencë përmes postës elektronike me Rudina Tahiraj, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, datë 18 tetor 2017.
[60] Eqrem Çabej, Bibliografi, (1929 – 1981), hartuar nga Prof. Jup Kastrati, variant i plotësuar, botuar në Prishtinë nga Prof. Begzad Baliu. Arkiva e Institutit Çabej.
[61] Po aty.
[62] National Archives and Records Administration, NARA, Plan for Albania, Dosjet e CIA-s për operacionin OBOPUS BGFIEND, ff. 24-25.
Fjala e urte shkencore, “nje studjues qe pershkruan imtesisht pemen, por qe nuk di me c’eshte pylli”, i shkon me se miri ketij shkrimi me dy pjese, dhe me rreth 100 referime/citime, (me te shumta se vete shkrimi!). Ne fund lexuesi pyet: cfare mesova une ndonje gje te re nga ky shkrim! Pergjigjia eshte: asnje gje te re (nga fronti spiunazhit bajat). Ato te dhena qe perpiqeshin te mbilidhni agjente te ndryshem, me raporte te ekzagjeruara dhe premtim-dhenese, per te justifikuar rrogen e tyre dhe kenaqur pseudo-orekset e shefave, nuk eshte gje e re. E vetmja kunje qe mban shkrimin “ndezur”, eshte ajo “shprese” e nje mbledhesi informatash per te aktivizuar intelektuale te ndryshem deri prane E. Hoxhes! Kemi nje afije te rendomte amerikan (apo gjerman) i cili na mblidhka “te dhena” nga “Z”-eta, i cili duket qenka Martin Camaj i shkrete, nje shkrimtar i nderuar, i cili nuk ka qene kurre informator ose spiun, por thjesht do jete vjelur nga idioti-spiun i CIA-s. Ne anen tjeter, ne Shq. ka qene i njohur fakti i survejimit te Eqerem Cabej nga sigurimi, per shkak te fjaleve qe leshonte here e tuk; po keshtu edhe me Aleks Buden, por keta nuk survejoheshin kemba-kembes, sepse aq idiot nuk ishte sigurimi, por nga nje here ne te ralle u tregonte prezencen e vet dhe keta i ulnin puplat. Keto lloj “informatash” te deklasifikuara, monotone dhe pa rendesi tregojne idiotsine e kohes se kaluar! Mw me interes do te ishte nje punim mbi punimet e studjuesit Krist Malokit, si emer i panjohur ky ne Shqiperi.
Korrigjim per komentin tim: shkrime te ketilla behen mire qe jepen per lexuesit, sepse tregojne idiotsine, manipulimet dhe kotesine e shume veprimeve te sherbime te fshehta, gje qe edhe sot vezhdon me kete kategori njerzish-hafije.
Kam pershtypjen se merrni persiper nje barre qe nuk besoj se e mbani dot, kur gjykoni sherbinet e fshehta.
Pershtypjen mos e ndrysho, por lexoji dhe nje here faktet e rendomta ne shkrimin monoton te mesiperm, (monoton, sepse bazohet ne dokumenta te deklasifikuara e pa rendesi), dhe pastaj (mbi)vlersoje punen e spiunazheve dhe gjithfare llumi qe merr pjese ne ‘to. Vete puna e spiunve cic-mic dhe shume teknike, i ben keta njerez pa ide te larta e te medha per njerezimin, sic nxjerrin p.sh. njerezit e shkencave te ndryshme, (ndonjehere edhe ndonje poltikan). Dhe vete fakti qe keta njerez e mbivleresojne veten, tregon gjithashtu nivelin e tyre, qofshin shqiptare, amerikane, kineze, afrikane, etj.
Qe gjithfare llumi merr pjese ne spiunazh, qe ka shume cic – mice teknike, qe nuk kane ide te larta e te medha per njerzimin etj. etj nga keto, si psh edhe qe nuk ndahet cmim Nobel per spiunin e vitit, nuk e ndryshon faktin qe sherbimet informative kryejne nje rol te pazevendsueshem ne arritjen e objektivave politike – ushtarake te shteteve te cilave u sherbejne. Nga kjo pikpamje une kam pershtypjen qe pata dhe qe sipas edhe kehilles suaj po vazhdoj ta ruaj. Disa dokumente te deklasifikuara nuk perbejne te gjithe “thesarin”. Perpjekjet per te kuptuar ndonje gje nga keto dokumente, qofte edhe te pjesshme nuk me duket se jane te pavlefshme.
Mjaft intersante dhe interpretuar e komentuar me profesionalizem. Veçse ka te ngjare qe CIA i qaset albanologjise jo fort “se brendeshmi”, pra jo si shkence qe paraqet ndonje lloj interesi strategjik ne luften e ftohte, por thjesht sepse qelloi qe kontaktet e saj kishin njohje me persona te kesaj fushe, qe ishte nga te vetmet, qe regjimi lejonte te ruanin ndonje kontakt a raport pune. Gjithsesi te habit imtesia dhe cilesia pergjithsisht e mire e informacionit qe arrin te nxjerre nga Shqiperia e kohes. Duket gati i pabesueshem shfrytezimi i nje kanali te tille. Gjithsesi ka rol edhe aftesia vezhguese e Malokit, qe ndryshe nga shume te tjere qe e hanin sapunin per djathe dhe e shihni Shqiperine si toke e se ardhmes, ai ka mundur te pikase terrorin qe sundonte.
E habiteshme mbetet qe ndersa Cia zoteron gjithe keto raporte analitike e sintetike te gjendjes ne nje vend aq te izoluar e te pa interes si Shqiperia, ajo nuk arriti te pikase as 24 ore me pare renien e murit te Berlinit, shembjen e botes komuniste, arsyen kryesore te ekzistences se saj. Monumentale!
Ne lidhje me te dhenen se CIA nuk e kishte pikasur renien e murit te Berlinit as 24 ore me pare, (duke u bazuar ne libra dhe emisione televizive), do thoja se kjo e thene 1. nuk duhet marre kaq bardhe e zi, dhe 2. nuk duhet besuar 100%. Qe CIA ka qene ne kontakte te gjithe asaj levizje ato dy muaj (shtator deri fillim nentori 1989) kjo nuk ka diskutim. Por qe nuk e ka ditur diten dhe oren se kur do te binte muri i Berlinit, kjo eshte per tu besuar, pasi dihej qe dicka po ndryshonte ato dite tetori-nentori, por kerrkush nuk mund te profetizonte diten. Me 9 nentor, byroja politike diskutoi gjate per lejimin e qytetarve per te udhetuar me pashaporta. Ne mbremje doli ne konferencen per shtyp Gunter Shabovski (antar i byrose) dhe gjithe pjesa tjeter besoj mbetet histori, qe e ka pare gjithkush ne emisione televizive. Keshtu dhe CIA vete, ka mundesi dhe KGB-ja, nuk e prisnin ate vrull te menjehershem njerzish ne 10 te nates drejt pikave kufitare te Berlinit. Nje ngjarje epokale, sot e zbehur nga aktiviteti spiunazho-kaleceror ndaj islamizmit, armikut te ri te prodhur po ne zyrat e spiunve perendimore.
E njejta gje mund te thuhet edhe per sigurimin tone. Duke patur nje ne 3 shqiptare spiune si perflitet duhej te kishin parashikuar shume ngjarje si shahiste te mire 40 levizje perpara se te ndodhnin. Perkundrazi ata u kapen gafil. Ose rrjeti i spiuneve nuk ka qene aq i madh sa mendohej, ose kane qene komplet debile qe duke patur 1 milion hafije ne dispozicion, te mos jesh ne gjendje te kuptosh se shteti kishte marre fund dhe situata ishte eksplozive.
Have you Alba ever heard of something called “denial”?
Rrjeti i spiuneve ka qene goxha i madh Alba. Deri dhe ne bankat e shkolles.
Por sistemi kishte kohe qe e pat kaluar point of no return. Dhe kjo s’ kishte aspak te bente me aftesine e hafijeve apo te shtetareve ( thuhet shpesh se ne cfaredo sistemi, prap me te aftet dalin ne krye). Kishte kryekeputesisht te bente me invisible hand dhe pasojat e paplanifikuara shoqerore te vendimeve dhe veprimeve te njerezve ne sherbim te interesave te tyre vetjake. Kishte te bente me produktivitetin, (pa)punesimin, dhe perdorimin e cfaredo resursi (already limited in an autarkic system) basuar ne ideologji.
Nga sa shoh, te njejtat fenomene po perfshijne gjithe perendimin. Per dike qe vjen nga lindja realitet eshte i qarte si dita e djellit. Per dike qe vjen nga perendimi, entuziazmi per problemet “madhore” te kohes si ndryshimet e klimes, barazia dhe drejtesia sociale, gjinite e shumta, lufta kunder proteines me origjine shtazore etj, etj kane nje gjitheperfshirje, qe te sjell ndermend nismat e shumta te periudhes se komunizmit.
Qenia sociale e njeriut percakton koshiencen e tij, – thoshte Mao. Kushtezoje me fiat kete qenie, dhe rruga aty te con. Ku te gjithe do te fillojne te bejne sikur…
Ju Ksamil thoni:
“Per dike qe vjen nga perendimi, entuziazmi per problemet “madhore” te kohes si ndryshimet e klimes, barazia dhe drejtesia sociale, gjinite e shumta, lufta kunder proteines me origjine shtazore etj, etj kane nje gjitheperfshirje, qe te sjell ndermend nismat e shumta te periudhes se komunizmit.”
Por me duket se harroni qe nismat e shumta te periudhes se komunizmit vinin te gjitha nga establishmenti ideologjik- pushtetar i kohes. C’don Populi ben Partia, c’thote Partia ben populli. te kujton ndonje gje kjo parrulle, ku ne fakt vetem gjysma e dyte ishte reale, kurse e para ishte vetem antipasta qe ta bente me te pertypshme pjesen e dyte, apo keni qene i vogel dhe nuk e mbani mend. Rrjedhimisht nuk mund te kene ate gjitheperfshirje budallallekshe qe kishin NISMAT e periudhes se komunizmit.
Kurse sot ne Perendim asnje nga “nismat” qe permendni ju, per te bere analogji me vendet e lindjes komuniste, nuk e ka zanafillen nga qeverite, perkundrazi disave prej tyre qeverite jane te detyruara t’i pergjigjen me gjoja “masa” ( kam parasysh sumitet e mitingjet farse per ndryshimet klimatike, apo ngrohjen globale sic perdorej me pare dhe qe u ndryshua sepse u diskreditua, gjinive te shumta te cilat perbejne problem vetem ata qe nuk ndihen as M as F, proteinat shtazore qe i duken se sjellin koronavirusin gjeniut shqiptar Sazan Guri etj.). Keto nisma jane produkt i aktivizem – militantizmit shterp: NA JEP NJE KAUZE se duam te kalojme diten e te dalim edhe ne ndonje televizion, apo te bejme ndonje headline.
Neqoftese doni te thoni se kapitalizmit si sistem po i vjen fundi si komunizmit duke krahasuar simptomat besoj se nuk e keni drejt. Kapitalizmi nuk eshte perfekt, ndonje dite ndoshta edhe do t’i vije fundi, por tani per tani nuk po duket ndonje sistem radikalisht i ndryshem qe te jete me i mire. Sigurisht shoqerite e pasura dhe qe i kane mundesite mund te rrisin sociallizimin e sistemit, po sa per ndryshime radikale si ato qe u provuan ne Shqiperi e gjetke, dhe qe aktualisht krenohen e entuziazmohen ne Korene e Veriut, well…
Unë dyshoj fort se, me zhvillimet politike dhe ekonomike specifike në Shqipërinë e pas1990-ës, arma e Sigurimit e ruajti pushtetin e vet më mirë se ç’do ta kish ruajtur nën regjimin e vjetër.
E drejte, por une nuk mendoj se Shqiperia ka patur nje sherbim zbulimi te vertete. Gjithçka, mbi te gjitha ato qindra e mijra eshtra te zhdukurish qe nuk po gjenden as sot e kesaj dite, flasin se ajo ka patur nje polici politike te ngjashme me Gestapon, e cila mbeshtetej nga nje hordhi prokuroresh kriminele qe leshonin fatwa edhe per ata qe thonin “u zhduke si vaji i ullirit” . Ky kontigjent me pas emigroi masivisht dhe krijoi krahun me debil te kombetarizmit, si perpjekje per te fshehur te kaluaren kriminale.
Jashte vendit, spiunet e ambasadave i benin presion ndonje fakiri te arratisur, duke e kercenuar se do t’i degedisin familjen ne nje kamp me te larget internimi, po qe se nuk i tregon se çfare thote ai shefi lokal i Ballit kombetar… Kusuri i ngjarjeve te tjera dihet se ku e ka origjinen.
Kam përshtypjen se vetëm në retrospektivë duket e tillë situata, sikur atëhere nuk kishte rrugëdalje tjetër përveçse shembjes së murit të Berlinit dhe me të edhe të perdes së hekurt dhe të komunizmit. Në fakt, ky rezultat ishte një nga rezultatet më pak të mundshme, nuk ishte as default option, as i pashmangshëm. Po të shohim “zgjidhjen” që i dha Kina një situate të ngjashme – Tiananmen-i – dhe drejtimin që mori vendi dhe historia më vonë, apo përvojën e revoltës hungareze dhe të Pranverës çeke dy dekada më parë, nuk më duket se kishte ndonjë determinizëm në zhvillimet e 1989-ës në RDGJ dhe në Evropën Lindore (të paktën deri në rënien e murit, se më pas ndryshuan gjërat, pas “çarjes së digës”). Fati i tyre – dhe i yni – në atë moment të historisë mund të përmblidhet në një emër të vetëm: Mikhail Gorbachev.
Falemnderit, Agron! Kisha vene zilen dhe u zgjova shume heret sot te punoja per dy leksione qe me duhet te jap sot paradite. Por ky shkrim ma coi krejt mengjesin ne nje drejtim tjeter, dhe zor te bej punen per te cilen u zgjova. Shume interesant dhe i shkruar me mjeshteri. Nese mendohet ndonjehere qe kjo histori te behet film, aman, aman aman, “shenomeni edhe mua”. Mendoj se mund te ndihmoj, dhe dua aq shume te punoj drejt nje transformimi te tille qe mund te kishte shume vlere per njerezit dhe te ardhmen qe te kuptohet nje periudhe aq komplekse dhe vuajtese qe shkaterroi themelin intelektual tonin qe zor ta marre me veten per kete shekull. I ka te gjitha karakteristikat e nje filmi magjepses dhe historiku perfect sa makro- aq edhe mikrokozmik te Pasluftes ne marredheniet mes Europes se Madhe, asaj te Vogles dhe SHBAve.
Pergjithesisht, ‘historitë interesante’ dalin filma te keqij keshtu qe duhet te mjaftohemi me bukurine dhe interesin e shkrimit.
Edhe une mendoj se potenciali ekziston, por kesaj pune i ka dale para C. Reed me filmin Our man in Havana, por edhe G. Green me nje roman te mrekullueshem me te njetin titull. Mbetet mundesia per nje version po aq alternativ po te shikohet ai shefi amerikan i zyres se Vjenes si nje lloj Borati. Skena e pare mund te jete ai episodi ku Cia merr persiper t’i paguaje pullat e postes njeriut tone ne Munih, prof Z! Desh rashe nga karrigja.
Edhe mua me preku ajo skena me pulla, si edhe permendja e tyre ne raport. Per situaten aq qesharake. Por ajo eshte nge episodet qe ma ben shume te vertete ndodhine. Komedi e zeze ky behet, por s’eshte aspak ajo qe kisha ne mendje. As Our man in Havana, dhe as The quiet American nuk jane cfare kam ne mendje. Do ishte nje film me shume per njerezit. S’guxon i mjeri Homo Somniator as vetem t’i hape pakez sirtarin nje endrre…