Fjala ulluk, në shqipe, njihet si turqizëm i rëndomtë (nga uluk, oluk); dhe e njëjta fjalë turke ka hyrë në gjuhë të tjera ballkanike, si uluk në bullgarishte dhe serbokroatishte, uluc në rumanishte, e kështu me radhë. Meyer-i pat shpjeguar kështu edhe shqipen lug, si të ardhur nga fjala turke, por Jokli më pas tregoi se nuk kish gjasë të ishte kështu; madje, përkundrazi, ishte shqipja lug, fjalë vendi, që kish hyrë në turqishte si uluk, dhe pastaj nga turqishtja ish kthyer sërish në shqipe, duke marrë formën ulluk. Këtë shpjegim të fundit, të ulluk si fjalë e “riatdhesuar” në shqipe, e jep Çabej, duke përmendur edhe një studim të A. Maidhof, me titullin “Rückwanderer aus den islamitischen Sprachen im Neugriechischen”, botuar në Glotta 10, 1919, f. 1-22, ku lexuesi mund të gjejë shembuj të tillë si kalem, nga turqishtja kalem, kjo nga arabishtja kalam dhe kjo e fundit nga greqishtja χαλάμι çfarë edhe na sjell prapë te shqipja kallam, madje edhe te shqipja kallm, e cila mund të jetë huazuar nga greqishtja (e vjetër) κάλαμος.
Dukuri e ngjashme me këtë “rikthim të huasë”, është kur një fjalë e një gjuhe A huazohet nga gjuha B më shumë se një herë – një shembull do të ofronin fjalët shqipe kallm dhe kallám, të dyja nga greqishtja, por në epoka të ndryshme (këtë e tregon pozicioni i theksit).
Të shumta janë fjalët, gjithnjë në shqipe, që kanë hyrë më parë nga latinishtja ose nga një formë mesjetare e italishtes ose venecianishtes, dhe pastaj më pas nga italishtja ose ndonjë gjuhë tjetër romane moderne – p.sh. kum(b)onë, këmborë nga italishtja mesjetare campana dhe pastaj kambanë, nga italishtja moderne.
Ndonjëherë këto lidhje kërkojnë syrin e etimologut, që të pikasen, si ajo mes dëgjoj, nga latinishtja intelligere; dhe inteligjent, në thelb nga italishtja intelligente; ose ajo mes mriz “vendi ku mërzen bagëtia”, dhe meridian; e cila kalon përmes latinishtes meridies “mesditë”, me sqarimin që meridian është fjalë e re librash, ndërsa mriz fjalë e vjetër baritore (gjithnjë sipas Çabej, SE V); e cila ka dhënë edhe mërzej. Natyrisht, shqipfolësi nuk e ndien lidhjen mes mriz dhe meridian, pavarësisht rrënjës së njëjtë.
Shqipja mokër njihet si huazim emblematik i shqipes së vjetër (protoshqipes) nga greqishtja e vjetër (dorishtja) μᾱχανά, por fjala dorike, nëpërmjet latinishtes machĭna dhe dora-dorës italishtes, ka hyrë sërish në shqipen moderne si makinë (ndoshta me ndërmjetësimin e turqishtes makine, frëngjishtes machine, rumanishtes mașină ose të ndonjë gjuhe tjetër, për shkak të pozicionit të theksit), ndërsa greqishtja e vjetër μηχανικός, nëpërmjet latinishtes mechanicus dhe ndërmjetësimit roman, ka dhënë në shqipen mekanik, në të gjitha kuptimet; dhe më tej makineri, mekanizëm, etj.
Më tej akoma, shqipja mjeshtër pranohet se vjen nga latinishtja magister, e cila ka dhënë në italishte, me kohë, maestro dhe ashtu edhe është huazuar sërish nga shqipja si term i muzikës; me të njëjtën temë latine lidhet edhe mashtroj, huazim sipas Çabejt mjaft i vjetër nga italishtja (SE V); në një kohë që mjeshtërí është formim i brendshëm i shqipes.
Një shembull kurioz jep fati i latinishtes imperator në shqipe (dhe i foljes imperare që lidhet me të): duke dhënë perëndí (sipas shumë etimologëve, nga Bopp-i te Çabej dhe Topalli; duke pasur këtu parasysh edhe formën femërore perëndeshë), por edhe perandor që e marrin të ardhur nga italishtja imperatore, nën ndikimin e perëndí; dhe më në fund mbret, që mendohet të vijë edhe ajo prej latinishtes imperātor, edhe pse disa etimologë e nxjerrin nga rumanishtja împărat[1].
Ja edhe një shembull disi më kompleks. Shqipen zell e nxjerrin si huazim nga italishtja zelo, e cila vjen nga latinishtja e vonë zelus dhe, në analizë të fundit, nga greqishtja ζῆλος, me kuptimin “frymë emulacioni, zell”. Ndërkohë, në shqipe ka edhe zili, nga greqishtja e re ζήλεια, e cila lidhet me ζῆλος; por që shqipfolësi sot nuk e lidh gjë me zell; dhe, sikur të mos mjaftonte kaq, është futur në mes edhe xheloz, që fjen nga italishtja geloso, kjo vetë nga italishtja e vjetër dhe latinishtja mesjetare zelosus (khs. anglishten zealous), që vjen, sërish në analizë të fundit, nga e njëjta fjalë greke ζῆλος.
Këtu gjuhëtari gjithnjë duhet të pyesë se çfarë lidhje ka, tamam, midis ita. zelo, gelosia, gk. ζῆλος, dhe shq. zell, zili, xheloz – ose, edhe më mirë, çfarë lidhje ka, nëse ka vërtet, midis fjalëve shqipe zell, zili dhe xheloz, përtej një ngjashmërie jo shumë të madhe në formë dhe në kuptim. Gjuhësia historike e shekullit XIX fliste lirisht për huazime dhe fjalë të njëjta, që kalojnë nga një gjuhë në tjetrën; në kuptimin që, nga pikëpamja historike, shqipja zell është “e njëjtë” me italishten zelo, nga e cila “ka ardhur”. Por, me Saussure-in e këtej, ky koncept i identitetit diakronik është marrë seriozisht në pyetje; përtej dhe pavarësisht parimit të njohur se historia e një fjale ose e një forme nuk ndikon në përdorimin dhe as në statusin e saj sinkronik.
Çështja shtrohet kështu: (1) çfarë do të thotë që greqishtja e vjetër (dorishtja) μᾱχανά është huazuar nga proto-shqipja për të përfunduar në mokër? (2) çfarë raporti kanë mes tyre μᾱχανά dhe mokër, nëse mund të flitet për raport? dhe (3) çfarë raporti kanë mes tyre mokër dhe makinë, ose zell dhe zili dhe xheloz, ose lug dhe ulluk, në gjuhën shqipe? Përgjigjja nuk është triviale, aq më tepër kur njësi të tilla nuk janë të ndërkëmbyeshme, dhe as forma gramatikore të së njëjtës leksemë. Për gjuhëtarin krahasimtar të shekullit XIX, ishte gjëja më e natyrshme të thoshte: “shqipja mjeshtër është identike me latinishten magister”; por që me Saussure-in e këtej, shprehje të tilla u shpallën si mistifikuese, ose presupozuese të një miti të gjuhës[2], sa kohë që vetë konceptit të identitetit në diakroni iu lëkundën themelet. Madje sipas Nigel Love-it[3], pas Saussure-it gjuhësia historike-krahasuese nuk ka arritur dot ta përligjë veten teorikisht; edhe pse vetë metoda krahasimtare e presupozon këtë lloj identiteti. Kështu, për t’iu përmbajtur mënyrës si e shtron çështjen N. Love më lart, të thuash që latinishtja magister ka dhënë në shqipe mjeshtër, do të thotë që gjatë kalimit nga magister në mjeshtër diçka ka mbetur e pandryshuar, dhe e ka ruajtur identitetin e vet në kohë. Por në çfarë konsiston tamam ky identitet diakronik? Në analizë të fundit, nuk ka folës të shqipes të cilët ta kenë përjetuar kalimin nga magister në mjeshtër ose, për të kaluar në morfo-fonologji, kalimin nga një shumës *plaki në një shumës pleq dhe mund ta dëshmojnë këtë si fakt. Saussure-i, thotë Love, do të kish dhënë këtë shpjegim: baza e identitetit diakronik është “të postulohet një zinxhir i pashkëputur i akteve komunikative, i tillë që çdo hallkë në zinxhir të farkëtohet nga ideja se çfarë është transmetuar dhe marrë është e njëjta shenjë gjuhësore” […] dhe “në asnjë pikë të identifikueshme nuk ka pasur ndonjë pavijueshmëri (discontinuity) në procesin e transferimit të shenjës nga një mendje te tjetra.” Kjo teori, vazhdon Love, do të mbështetej në idenë se shenjat gjuhësore janë entitete me ekzistencë të vijueshme në kohë; çfarë do të përftonte një paradoks, sepse ndryshimi gjuhësor, në atë masë që ndodh, e vë në pikëpyetje vijueshmërinë diakronike mbi të cilën mbështetet etimologu.
Sa i përket historisë së shqipes, çfarë na intereson veçanërisht këtu është një fenomenologji e “huazimit”, ose hyrjes (marrjes) së një fjale nga një gjuhë tjetër.
[vijon]
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa leje.
[1] Çabej vëren se mbret mungon te autorët e vjetër dhe te arbëreshët, të cilët përdorin rregullisht regj nga latinishtja regem; khs. edhe krajl, kral në disa dialekte të Veriut, që është sllave. Gjithnjë sipas Çabejt, fjala i përket “romanitetit lindor”.
[2] Sipas N. Love, në The Language Myth in Western Culture, Routledge; 1 edition (May 13, 2013), “Miti gjuhësor i sheh shenjat gjuhësore si invariante neutrale ndaj kontekstit”, f. 35.
[3], Vep. cit., ff. 30-32.
M’u kujtua fjala e shqipes “dallavere”, të cilën rëndom folësi i zakonshëm (nuk di çdo të thoshte studiuesi i specializuar) e etiketon si turqizëm. Ndoshta ka hyrë në shqipe përmes greqishtes, në të cilën haset si νταραβέρι, por prejardhjen e ka nga italishtja veneciane “dare – avere”, e përdorur rëndom në regjistrat tregtarë (shpenzime – të ardhura). Është gjegjëse e turqishtes “allishverish”, që do të thotë të njëjtën gjë: marrie-dhënie.
Për t’u kthyer tek problemi teorik i Saussure, shqipja është rast i vështirë, pasi ecja pas në kohë dhe inventarizimi i gjuhës së shkruar përpara shek. XIX janë procese pothuajse të pamunduara, ca herë edhe të rrezikshme. Kësisoj gjurmimi i fjalëve mbetet i mundur, por pa metodën e idetitetit diakronik, teksa fenomenologjia është shumë interesante.
Sokol, nuk e di nese ka hyre nga Gr. Me duket me e mundur te kete hyre nga turqishtja ne te dy gjuhet si gr si shqip. Dhe ‘dallaverexhi’ qe gjithashtu ekziston ne te dy gjuhet. Une besoj se eshte huazim nga veneziano ne turce, pastaj ne Gr dhe kendej. Por duhet pare kur shfaqet ne te dy vendet qe te sigurohemi.
Edhe per punen e Saussure besoj se shqipja dhe cdo gjuhe tjeter, pavaresisht se kur jane shkruar, krijojne te njejtin problem filozofik. A ka ne fakt nje pike ne histori ku njesia e huazuar dhe ajo huazuese ishin e njejta gje? Nuk besoj. Per nga jeta e pavarur dhe e lidhur me kontekste qe paraqiten only “here and now” fjala e huazuar eshte njelloj si cdo fjale tjeter ne gjuhe.
Μείζον Ελληνικό Λεξικό Φυτράκη (Fjalori i madh i gjuhës greke, botimet Fytrakis), e jep si huazim nga italishtja. Ciladoqoftë rruga që ka ndjekur, si osmanishtja (ose turqishtja), si greqishtja janë thjesht bartëse mes italishtes dhe shqipes. (E di, do thotë ndokush “pse, s’e merrnim dot vetë nga italishtja?” Pak gjasa ka, teksa gjatë periudhës osmane tregtia me gadishullin Apenin e më tutje nuk ishte aq e zhvilluar, sa të shkaktonte ndikime edhe në gjuhë.)
Dy fjalorët kryesorë etimologjikë të greqishtes Andriotis dhe Babinjotis e japin si huazim nga italishtja i pari dhe huazim nga italishtja i dyti, por që hyri në greqishte nëpërmjet turqishtes. Personalisht anoj nga mendimi i dytë pasi nuk e kam gjetur në ndonjë fjalor të greqishtes mesjetare që disponoj (Du Cange, Kriaras) dhe, ç’më bën më shumë përshtypje, nuk e shikoj as në fjalorin e huazimeve italiane në aktet e publikuara noterike të ishujve jonianë (Dokos & Melenti). Edhe përhapja e fjalës në gjuhët e tjera ballkanike si serbokroatishtja e arumanishtja flet më shumë për një hyrje të fjalës nga turqishtja.
Këtu duhet të ndalemi dhe të marrim frymë thellë. Turqishtja dalavere – flas për turqishten e sotme – jep si kuptime të kësaj fjale “truk (angl. trick), dredhi, manipulim, mashtrim, intrigë, ngatërresë, skemë (piramidale), vjedhje (me mashtrim), sajim”; po ashtu, borsa dalaveresi ka kuptimin “manipulim i tregut”, seçim dalaveresi është “manipulim i votës” etj. Në të gjitha kuptimet, mbizotëron ideja e “mashtrimit”, e “trukimit”. Përkundrazi, burimi i supozuar i kësaj fjale, italishtja (venecianishtja) dare-avere i referohet sistemit kontabël me hyrje të dyfishtë (partita doppia, double entry), meqë dy seksionet e një llogarisë, ose dy kolonat, titulloheshin njëra “dare” (ose “addebitare”) dhe tjetra “avere” (ose “accreditare”). Dallimi kuptimor mes dare-avere dhe dalavere është domethënës, edhe pse jo i pakapërcyeshëm: rëndësi ka të gjejmë se ku, në cilën gjuhë ka ndodhur. Me sa shoh, kjo gjuhë nuk mund të jetë italishtja, por turqishtja osmane ose greqishtja; madje, po të kemi parasysh se fjalët italiane të fushës së kontabilitetit me gjasë hynin në osmanishte si terma, përmes llogaritarëve grekë, ndoshta edhe mund të themi se fjala ka ndërruar kuptim njëkohësisht në të dy gjuhët, në regjistrin vernakular (në mjedise ku transaksionet mes tregtarëve shihen gjithnjë me dyshim). Për krahasim, sjell këtu turqishten alışveriş, me kuptimin “shitblerje, tregti, këmbim, të marra e të dhëna”; por që në shqipen bisedore ka marrë kuptimin “marrëveshje të fshehta, tregti jo e pastër”, duke ndjekur një trajektore ndryshimi të ngjashme me atë të kalimit nga dare-avere në dalavere (të kombinuar me keqësimin e përgjithshëm në konotacion të fjalëve turqisht, pas Rilindjes). Kujtoj këtu edhe që këtë dalavere, në turqishte, e shpjegojnë alternativisht edhe nga turqishtja e vjetër talamak + vermek.
Vijimi po vonon! Duket ka patur ndonje perplasje midis udhes diakronike dhe statusit sinkronik te mepasem!? Misticizmi dhe hermesticizmi duhen ne keto raste per te shpetuar, si neper perrallat e ndryshme me shkop magjik!
Avash-avash, tha. Janë tema të vështira.
XhaXha, ka gjasë që këtu të kemi një gabim “zinxhir” i cili e ka fillin me Andriotin. E them këtë se ky (bot. I, 1951) përbënte bazën për çdo fjalor eksplikativ apo etimologjik të greqishtes, POR përbën edhe burimin kryesor për krhasimin me gjuhët e tjera në ndërtimin e fjalorëve etimologjikë. Kështu vepron Çabej, Papahagi, Skok, fjalori etimologjik i bullgarishtes (BER) etj. E them këtën ngaqë kam gjetur gabime të Andriotis që më pas i përsërisin të tjerët. Një gabim psh tek Çabej (SE V), është fjala “karafile” (lloj pushke) që jep shpjegimin nga firma prodhuese Carlo e Figli. Ky shpjegim (etimologji) buron nga fjalori i Andriotis (Çabej nuk citon) dhe përsëritet edhe tek BER (me citim). Nuk do zgjatem pse është gabim etimologjia por duhet thënë se ishte një ide popullore që qarkullonte në Greqi në shekullin e kaluar. Çfarë dua të them me këtë është se edhe tek fj. dallavere, mund të kemi thjesht një etimologji të gabuar që e fillon Andrioti, u përsërti nga të tjerë pas tij dhe ngeli.Kështu që një fjalë e turqishtes, u “maskua” si me thënë me një tjetër të italishtes.
Për fjalën e turqishtes, nuk di ç’të them – më duhet t’u besoj burimeve dhe, kur janë në kundërshtim mes tyre, t’i citoj pranë e pranë. Turqishtja e periudhës osmane ka një traditë huazimesh të tilla gjysmë teknike nga italishtja, dallavere nuk është fjalë e izoluar ose kuriozitet. Nga ana tjetër, shpjegimi alternativ, që e kam gjetur në Internet, nuk është se vjen nga ndonjë autoritet, sidomos po të mbajmë parasysh edhe disa teprime të gjuhësisë turke të shekullit XX. Krahasimi që solla me allish-verish më bind që kalimi kuptimor si ai në dallavere mund të ndodhë, në rrethana të caktuara. Për më tej, do të duhej parë historia e dallavere në tekstet osmanishte.