Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

KËNGËT E BILBILIT (II)

Intertekstualiteti

Edhe teksti, edhe muzika e një kënge, për të funksionuar artistikisht dhe për t’i përcjellë diçka të vyer publikut, kanë nevojë për intertekstualitet (të cilin e kanë përkufizuar si “formësimi i kuptimit të një teksti nga një tekst tjetër”).

Intertekstualitetin e gjen edhe në poezinë e mëvetësishme, por që andej ka hyrë edhe në lirikat e kantautorëve, të cilët u japin fjalëve të këngëve të tyre rëndësi të veçantë.

Po sjell një fragment nga kënga L’aggettivo “mitico” e Francesco De Gregori-t, nga albumi Amore nel pomeriggio (2001):

Oggi tutto sembra sotto controllo
Oggi si versa il vino, si spezza il pane,
Duemila volte che canta il gallo
Socrate grida domande per strada
E il Beato Angelico dipinge muri di periferia
La risposta confusa nel vento a tradimento
Li prende alle spalle e li spazza via

De Gregori, që i përket një tradite bardësh të muzikës italiane qytetare, të ndikuar rëndshëm nga Bob Dylan dhe kultura pop amerikane, këtu i sjell referencat intertekstuale varg pas vargu: që nga buka dhe vera që i referohen një konteksti biblik, te kënga e gjelit (Shën Pjetri) te Greqia e vjetër e Sokratit që tani ka marrë rolin e një “homeless-i” që u flet njerëzve në rrugë, dhe më tej, te Mesjeta e Beato Angelico-s (Fra Angelico), këtij të fundit duke ia krahasuar afreskët me pikturat e sotme murale në periferitë e metropoleve. Mitikja e djeshme, tanimë mbijeton e shndërruar në mbiemrin “mitico” (i cili ka fituar një përdorim karakteristik, në italishten e folur).

Pastaj teksti i këngës vazhdon:

Guarda come vanno veloci le navi, come vanno lontano
Come salutano i passeggeri, fanno ciao con la mano
E brindano al suono del diavolo e del suo violino
E buttano benzina sul fuoco del mare, color del vino

Pa u zgjatur edhe më në analizën (magjepsëse) të intertekstualitetit në këto vargje, po ndalem vetëm te kjo e detit “color del vino”, ngjyrë vere, një metaforë që të befason, po ta marrësh drejtpërdrejt. Megjithatë, De Gregori ka në mendje atë dëgjues të këngës së vet, që e di se “mare color del vino” është një metaforë klasike, e Homerit, të cilën anglisht e kanë përkthyer wine-dark sea (gr. οἶνοψ πόντος) dhe që te poemat homerike del pesë herë tek Iliada dhe dymbëdhjetë herë tek Odisea, zakonisht për të përshkruar ngjyrën e detit të trazuar. Italianët e letrave e njohin mirë këtë shprehje, ngaqë e kanë studiuar në liceun klasik (sikurse e njohin edhe linguistët si unë, për shkak të përdorimit enigmatik të mbiemrit për ngjyrën e detit: lexoni këtu). Çfarë i hyn në punë analizës këtu, është se De Gregori i referohet Homerit jo për të treguar kulturë, ose besnikëri ndaj klasikëve, por gjithnjë në kontekstin e një ri-themelimi të mitikes, në realitetin post-modern (ka edhe Leonardo Sciascia një përmbledhje tregimesh, me titull Il mare colore del vino).

Pa u larguar nga kantautorët italianë, sjell tani një shembull nga teksti i këngës Cuccuruccu Franco Battiato-s, që në albumin La voce del padrone, të vitit 1981:

Le serenate all’istituto magistrale
nell’ ora di ginnastica o di religione
per carnevale suonavo sopra i carri in maschera
Avevo già la Luna e Urano nel Leone

“Il mare nel cassetto”
“Le mille bolle blu”
“Da quando sei andata via non esisto più”
“Il mondo è grigio il mondo è blu”.

Cuccurucucu Paloma
ahi  ai ai – ai cantava

[…]

Lady Madonna
I can try
With a little help from my friends
Oh oh goodbye Ruby Tuesday

Come on baby let’s twist again
Once upon a time
you dressed so fine, Mary
Just like a woman
Like A Rolling Stone.

Kjo këngë, që në titull, i çon dëgjuesit te një këngë e Tomás Méndez e vitit 1954: Cucurrucucú paloma, që u bë pastaj tejet e njohur anembanë botës.

Por praktikisht i gjithë teksti i këngës u referohet këngëve të tjera: “Il mare nel cassetto” nga Milva, Sanremo 1961; “Le mille bolle blu” nga Mina, sërish 1961; “Il mondo e grigio il mondo è blu”, një këngë e Eric Charden e rikënduar italisht nga Nicola Di Bari në 1968; dhe më tej “Lady Madonna” e Beatles-ave, “With a Little Help from My Friends”, sërish e Beatles-ave, “Ruby Tuesday” e Rolling Stones-ve, “(Let’s) Twist Again” nga Chubby Checker, “Once upon a time you dressed so fine”, “Just like a woman” dhe “Like a Rolling Stone” – këto tre të fundit tituj ose vargje këngësh të Bob Dylan-it. I gjithë ky mitralim intertekstual, i shoqëruar me jehona të melodive përkatëse (sidomos te refreni Cuccuruccucu Paloma) përcjellin në këngë një atmosferë nostalgjike, duke funksionuar si kolazh.

Intertekstualiteti shfaqet edhe në melodi, në orkestrim ose në aspekte të tjera jo-gjuhësore të këngëve. Ju ftoj të dëgjoni këngën e mëposhtme, Il cuoco di Salò, të nxjerrë sërish nga albumi i lartcituar, Amore nel pomeriggio, i De Gregorit, dhe të ndaleni te zëri i sopranos në sekondën 48, i cili qartazi i referohet një forme muzikore tejet italiane si opera:

 

dhe pastaj, pak më pas, nga ndërhyrja e një trumpete ceremoniale në minutën 1:22, që vazhdon deri në fund të këngës.

Tekstin e këngës po e sjell më poshtë:

Alla sera vedo donne bellissime
Da Venezia arrivare fin qua
E salire le scale e frusciare
Come mazzi di rose
E il profumo rimane nell’aria
Quando la porta si chiude
Ed allora le immagino nude aspettare.
Sono attrici scappate da Roma
O cantanti non ancora famose
Che si fermano per una notte
O per una stagione
Al mattino non hanno pudore
Quando scendono per colazione
Puoi sentirle cantare

Se quest’acqua di lago fosse acqua di mare
Quanti pesci potrei cucinare stasera
Anche un cuoco può essere utile in una bufera
Anche in mezzo a un naufragio si deve mangiare

Che qui si fa l’Italia e si muore
Dalla parte sbagliata
In una grande giornata si muore
In una bella giornata di sole
Dalla parte sbagliata si muore

E alla sera da dietro a quei monti
Si sentono colpi non troppo lontani
C’è chi dice che sono banditi
E chi dice Americani
Io mi chiedo che faccia faranno
A trovarmi in cucina
E se vorranno qualcosa per cena

Se quest’acqua di lago potesse ascoltare
Quante storie potrei raccontare stasera
Quindicenni sbranati dalla primavera
Scarpe rotte che pure gli tocca di andare

Che qui si fa l’Italia e si muore
Dalla parte sbagliata
In una grande giornata si muore
In una bella giornata di sole
Dalla parte sbagliata si muore
……
Qui si fa l’Italia e si muore.

Prapa kësaj atmosfere enigmatike, është drama – për disa tragjedia – e të ashtuquajturës Republikë e Saló-së (Repubblica Sociale Italiana), që u krijua prej gjermanëve nazistë dhe mbijetoi për ca kohë, te qyteti i vogël Salò, buzë Liqenit të Gardës, afër Brescia-s. Teksti i De Gregori-t e përshkruan fundin e fashizmit në Itali me ngjyra të një dekadence aristokratike (me ndonjë imazh të referuar edhe nga filmi Salò o le 120 giornate di Sodoma i Pasolini-t?), të rrëfyer nga kuzhinieri i republikës (“Anche un cuoco può essere utile in una bufera, Anche in mezzo a un naufragio si deve mangiare”). Në këtë kontekst, edhe zëri i sopranos së operës që vjen drejtpërdrejt nga sallonet e mbrame të një bote tashmë të perënduar, merr vlerë tjetër; sikurse rikontekstualizohet edhe bronzi i trumpetave shoqëruese, duke iu referuar edhe pompës ceremoniale, edhe ushtrive që venin e vinin, në Italinë e viteve 1943-1945.

Shtoj se këtë këngë, nga më të mirat e De Gregorit por edhe shumë të diskutuar për tonet “revizioniste” në qasjen ndaj një plage të madhe të së shkuarës italiane; këtë këngë, pra, e ka orkestruar Franco Battiato-ja.

Një formë tjetër intertekstualiteti ilustron teksti i këngës Come Together nga John Lennon (Beatles), të cilin e cekëm pak në pjesën e parë të këtij shkrimi dhe që po e risjell këtu më poshtë për lehtësi:

Here come old flat-top, he come groovin’ up slowly He got ju-ju eyeball, he one holy roller
He got hair down to his knee
Got to be a joker, he just do what he please

Shoot me…

He wear no shoeshine, he got toe-jam football
He got monkey finger, he shoot Coca-Cola
He say, “I know you, you know me”
One thing I can tell you is you got to be free

Shoot me…

He bag production, he got walrus gumboot
He got Ono sideboard, he one spinal cracker
He got feet down below his knee
Hold you in his armchair, you can feel his disease

Come together, right now
Over me.

Kjo këngë u pat nisur si këngë fushate për acid-guru hippy-n Timothy Leary, që po merrte pjesë në zgjedhjet për Guvernator të Kalifornisë – me parullën “Come Together, Join the Party” (që i referohej kulturës së drogës).

Teksti i Lennon-it, i plotësuar pasi Leary hoqi dorë nga fushata, nuk ka ndonjë kuptim (“pa kuptim”, e pat quajtur Lennon-i vetë: “Come Together is me writing obscurely around an old Chuck Berry thing…It’s gobbledygook…”). Muzikalisht, kënga i referohej një kënge të Chuck Berry-t, “You Can’t Catch Me”, e vitit 1956; ku shfaqej, mes të tjerash, edhe vargu “here come old flat-top”.

Teksti vetë, si një kolazh frazash të gatshme kryesisht të zhargonit të hippies, i ngjan të ashtuquajturës “écriture automatique” të surrealistëve: gjithçka që ka kuptim, e merr këtë intertekstualisht.

Por disa idiosinkrazi gramatikore – si përdorimi i foljeve në vetën e tretë: “he come, he wear, he got, he say, he just do what he please” i referohen sociolektit urban në metropolet amerikane; dhe kjo lloj gramatike gjallon sot e kësaj dite në muzikën rap dhe hip-hop. Zakonisht identifikohet me të ashtuquajturën AAVE (African-American Vernacular English). Kur shfaqet në tekstet e Beatles-ve, që i përkisnin muzikës pop britanike, AAVE qartazi i referohet traditës amerikane të blues-it, rock-and-roll-it dhe zhanreve të ngjashme.

Po i mbyll këto shënime, duke u kthyer njëfarësoj te “molla e sherrit” – kënga e Elvana Gjatës në festival.

 

Edhe kjo këngë, në llojin dhe kategorinë e vet, vjen me referenca intertekstuale, mes të cilave shumë e vunë re dhe e përfolën “gegnishten” e tekstit, madje disa duke e arsyetuar si provë se dialekti i Kosovës tashmë po shërben si zhargon i turbo-pop-it dhe formave të tjera të pop-it shqip. Nuk u fol për intertekstualitetin muzikor, edhe pse ma merr mendja se ata që e ndjekin këtë lloj muzike (ndryshe nga unë) janë në gjendje t’i dallojnë lidhjet dhe referencat me krijime të tjera, edhe në tekst edhe në muzikë. Unë u ula ta dëgjoj këngën vetëm për t’u orientuar në zjarrin e kryqëzuar të polemikave – dhe më la përshtypjen e një produkti të konfeksionuar me disiplinë të rreptë zhanri, nga zëri te motivet muzikore te vallëzimi te paraqitja skenike. Gjithçka e skriptuar në imtësi. M’u duk se dallova, të paktën në versionin e interpretuar live në Festival, përtej stilemave standard të turbo-pop-it, një jehonë të një përdorimi kitsch të stilit new flamenco, ndoshta për shkak të kitarës in controvoce (por që nuk e dëgjova te official audio); por edhe në strukturën harmonike. Vetëm se kam frikë që edhe ky stil do të ketë mbërritur këtu, pasi është homogjenizuar nga industria agresive e europop-it. Ndërkohë, teksti nuk është veçse një ornamentacion dhe katalizator vokal i ritmit të këngës, me elemente të gegnishtes; do të thoja që gegnishtes lirike ai tekst vetëm sa i bën një sampling, njëlloj siç i bën orkestrimi një sampling kitarës flamenco. Ata që u morën seriozisht me “gegnishten” e këngës, me gjasë nuk e kanë përfillur mënyrën si funksionon kjo teknikë në pop. Por në përgjithësi, kënga e Elvanës m’u duk si një pije freskuese (soda pop) me përbërës tërësisht artificialë – me sa duket, kësi produktesh paragjykohen si të përshtatshëm për Eurofestival. Mund të jetë vërtet kështu, por Festivali i Këngës, në Tiranë, ka një traditë tjetër për të respektuar – prandaj më duket edhe se ajo këngë, e projektuar për një kontekst tjetër, nuk ishte në mjedisin e vet të natyrshëm. Por këto vërejtjet e fundit i shtova vetëm për hir të plotësisë; nuk kam tagrin e duhur, për të gjykuar një këngë të një zhanri që nuk e ndjek.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

Në kopertinë: Francesco De Gregori.

3 Komente

  1. U bu u bubu, s’me kish shkuar mendja deri ketu. BRAVO Ardjan.

  2. Elvana Gjata ka nje album (?) me kenge te shkruara nga Piro Cako. Kenget kendohen ne “gegnishten “ e Tiranes ( jo tironce me ftere dhe me hardic) por ajo gjuhe qe flitet rrugeve te Tiranes sot e gjithe diten.
    Ky album eshte per mua produkti me i mire muzikor i dekades se fundit.
    Eshte ne traditen e kengeve jo tamam underground por gjithesesi te pasanksionuara te kohes se komunizmit si ne stil muzikor edhe ne ngarkese emocionale- dashni e pareciprokte, fat i shkruar etj.
    Ristana e Madhe e kenduar nga shume por e incizuar nga pak eshte nje perfaqesuese e mire e ketij stili muzikor.
    Quhet 3P? Me duket? Albumi, them…

  3. Shumë interesante, Ardian, të dy artikujt, për më tepër që veçse sjellin një ylber mbresash, mendimesh dhe analizash, nuk e shterrin problematikën, por krijonë shtigje të reja për mendimin.

    Nuk do të vijoj më tej, por do të ndalem tek një tjetër pranëvënie. Merr mundimin e hap këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=xlFmIAfE5BY
    e ki veshin mprehur në 0:46. Pastaj shko tek video e Elvana Gjatës dhe ki veshin mbrehur në 0:43. Në mos qoftë plagjiaturë, diçka aty afër është… Ironia e gjithë kësaj? Video e katërshes Anxhela, Aurel, Blerina & Erik është sjellë nga Mikaela Minga si shembull tek footnonte nr. 30 në artikullin e saj “Tallavaja në Shqipëri” [https://peizazhe.com/2016/07/28/tallavaja-ne-shqiperi/] dhe e vura re teksa po rilexoja artikullin dhe po ridëgjoja shembujt. Ndoshta tani kënga e Elvanës merr një dimension krejt tjetër…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin