Nga Tomor Plangarica
Kujtesa historike si mundësi e shërimit të plagëve sociale
Vjen një kohë kur plagët sociale të bartura e përvijuara si drama individësh a të grupeve të individëve të caktuar fillojnë e shërohen si pasojë e përkujdesjes së shoqërisë, empatisë dhe respektit ndaj vuajtjeve të të dënuarve padrejtësisht dhe, në këtë mënyrë, shoqëria duket se lehtësohet disi nga ajo ngarkesë që pati sëmurur organizmin social.
Por plagët sociale janë bartëse e dëshmi edhe të një dëmi tjetër, disi më i padukshëm, por po aq i pranishëm sa edhe dramat individuale ; është fjala për një dëm social që shkaktohet nga persekutimi i individëve a grupeve të individëve, kur ato përfaqësojnë komunitete kontribuesish në zhvillimet sociale, institucione që formësohen si të tilla për të përmbushur misione sociale, për të kontribuar në trajektoren e zhvillimeve intelektuale, kulturore në një kohë e hapësirë të caktuar. Në këto raste, distanca kohore nuk është lehtësuese e atij dëmi, nëse ajo plagë nuk ekzaminohet dhe nuk gjenden shkaqet që e kanë shkaktuar atë: dhe përmes këtij ekzaminimi, të gjenden rrugët e shmangies së të keqes, që gjithnjë mund të strehohet në forma të fshehura a latente në trupin e shoqërisë. Për këtë arsye, një shoqërie që priret e kërkon të emancipohet (të tillë e konsiderojmë shoqërinë shqiptare aktualisht) kujtesa historike i krijon një prej mundësive të shërimit të plagëve sociale të trashëguara.
Përtej dramave vetjake, sërish një hapësirë e gjerë që pret shqyrtim e interpretim
Përballë dramave të shkaktuara si pasojë e persekutimit të mësimdhënësve a studiuesve të arsimit për arsye politike e ideologjike, më së paku dy janë rrugët që tregojnë se shoqëria ka filluar të reagojë:
- njohja e respekti ndaj viktimave;
- njohja, shpjegimi e interpretimi i përmasave të së keqes përtej dramave vetjake. 1
Gjithsesi, rruga e parë, më imediatja, më e atypëratyshmja, më humania është njëherazi edhe më lehtësisht e përshkueshmja. E dyta, kërkon reflektim më të thellë, kompetencë shkencore, filozofike, sociologjike …, ndaj dhe është më vështirësisht e kaptueshme.
Ndryshimet e ndodhura në fillim të viteve ’90 mundësuan një reflektim të shoqërisë ndaj vlerave të mënjanuara dhunshëm dhe padrejtësisht, ndaj kontributeve të shpërfillura mendjelehtësisht, thjesht për motive ideologjike, e sidomos ndaj persekutimit të padrejtë ndaj intelektualëve, si pasojë e zbatimit të luftës së klasave që u imponua edhe ndaj komuniteteve intelektuale.
Ky reflektim mundësoi atë çka e cilësuam si “rrugë të parë” të domosdoshme për t’u përshkuar, për të shëruar plagët e lehtësuar dhimbjet; ky reflektim u shoqërua me nxjerrjen në pah, njohjen dhe respektimin e vuatjes dhe dramës së përjetuar prej intelektualëve që kanë pësuar diskriminimin dhe persekutimin; nxjerrjen prej harresës të akteve të tyre (publike ose jo), akte që i kanë shkaktuar përndjekjen a persekutimin; përshkrimin përmes kujtimeve të vetive etike a morale të tyre, çka na përfton një lloj modeli për të cilin gjithmonë shoqëria ka nevojë; pasurimin e institucioneve (në radhë të parë të muzeve) me të dhëna që gjithnjë konsiderohen të vlefshme,
kur i përgjigjen një domosdoshmërie sociale për të cilën ato institucione janë krijuar e ekzistojnë; ndërmarrjen e studimeve monografike për figura që kontribuan në zhvillim e kanë lënë gjurmë në atë zhvillim përmes veprës e kontributit të tyre, etj.
Empatia dhe një lloj nxitjeje e vetvetishme që ofron në shqyrtim vështrimi empirik e përqendrimi në faktet individuale, në data e ngjarje, na nxit më tej të vërejmë më nga afër edhe historinë e institucioneve me të cilat këta individë kishin të lidhur jetën e veprimtarinë e tyre; kjo mënyrë studimi bart tregues që çojnë në ndriçimin e të vërtetave në lidhje me institucionin dhe mbetet gjithnjë e dobishme.
Në lidhje me Shkollën Normale këto pikëvështrime kanë sjellë një material të gjerë e interesant, i cili është tashmë pjesë e historikut të këtij institucioni tepër të rëndësishëm të arsimit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX.
Nëse do të priremi t‘u referohemi fakteve e shifrave, për të parë se ç‘pësoi ky institucion, ose ç‘pësuan pedagogët e nxënësit e Normales nga represioni i regjimit të pas 1944-ës, të dhënat do të jenë tronditëse. Duke marrë në shqyrtim veçse rastet e persekutimit të pedagogëve e studentëve-mësues të Normales brenda mjedisit qytetar të Elbasanit, në bazë të të dhënave të mbledhura e konservuara në muzeun e kësaj shkolle, e në botime të natyrave të ndryshme, vërehet se kemi këto shifra që nuk duan koment: të pushkatuar 7 pedagogë e mësues, të burgosur 37, të rrahur publikisht e të vënë nën trysninë e vazhdueshme të përndjekjes 13; të internuar 11; të përjashtuar nga profesioni i mësimdhënësit 104. 2
Është vërtet tragjike: bëhet fjalë për eliminime fizike, për jetë të humbura e të shkatërruara, karriera të ndërprera e të zhbëra, personalitete të denigruara, përbaltura, shpërfillura e përbuzura.
Por është i nevojshëm ky përkushtim jo thjesht si empati ndaj atyre individëve e vuajtjeve të tyre, por edhe për shqyrtimet e mëtejshme për të gjykuar për dëmin që ka sjellë në shoqëri e në aspektin intelektual e shkencor pengimi i ligjërimit të tyre, pengim që ka çuar në shprishjen e trajektores së zhvillimit, në përftimin e vakuumit intelektual që ka ngadalësuar ritmet e zhvillimit, e për më tepër, ka zhvendosur hullitë nga të cilat ai zhvillim do të nxitej për arritje më funksionale.
Kjo dramë i zmadhon përmasat, kur njëherazi me këtë persekutim është eliminuar, shkatërruar, shpërfillur e përbuzur një komunitet diskursiv, zëri i të cilit kontribuonte në trajektoren e zhvillimit të arsimit shqiptar. Në fakt, i tërë ai persekutim u shfaq nga një mospërputhje e devijancë që ka të bëjë me një problemi social, por edhe ideologjik, që është gjithnjë i pranishëm në shoqëri : të raportit mes intelektualit me politikën, raport që perceptohet shtrembër në regjimet diktatoriale, duke krijuar drama, madje tragjedi të atyre komuniteteve.
Kjo pamje bëhet tejet e rëndë, kur mendohet që ka të bëjë me atë institucion që kishte rrezatuar dije, kulturë e arsimim në të gjitha trojet shqiptare dhe që, për më tepër, vijonte të ruante si funksion të parë pikërisht pajisjen me dije e kulturë të brezave.
Parantezë: S’mund t’i shmangemi në këtë rast një paranteze që na çon te një vlerë e një natyre krejt tjetër, që duket se del jashtë hapësirës së problematikës që po trajtojmë, por që i ngjan, gjithsesi, e shkon përtej saj, që është konkrete e, njëherazi, ideale, që është frymë, mentalitet, që ka përmasa të tjera, të papërcaktueshmeS; një vlerë e përftuar përtej një a disa individëve, përtej madje edhe institucionit që e nxiti, por që edhe e përforcoi statusin e tij në prani të asaj vlere; s’mund t’i shmangemi, pra, evokimit të asaj fryme a vullneti të familjeve elbasanase për arsim e projeksionit për të mëkuar arsimim, që ishte përtej ideologjisë a politikës, përtej koniukturave të çastit; që ekzistonte si frymë, si formë ekzistence, si mentalitet. Kjo vlerë s’mund të denigrohej nga ideologjitë a politikat; në rastin më të vështirë, thjesht mund të mitizohej, duke iu bashkëngjitur mitit të institucionit me të cilin qe përftuar përmes një raporti metonimik tejet shprehës: Elbasani – djepi i arsimit kombëtar.
Është një ndjesi e bukur e tejet humane (dhe pse është e tillë e ka të panevojshme t’u nënshtrohet arsyetimeve), ajo çka ndien ndërsa njihesh me devotshmërinë e elbasanasve ndaj Normales, “që e mbajtën, pse e deshën” dhe pse e deshën, iu dhanë, iu përkushtuan asaj me të gjitha energjitë, duke pranuar heshturazi e fisnikërisht çdo sakrificë që i kërkonte përmbushja e misionit që ai institucion kultivonte. Me dëshirën e pasionin jo të zakontë për t’i shkolluar fëmijët në atë institucion, familjet elbasanase kompensuan me bujari shumë prej nevojave të ngutshme për mësimdhënës në të tëra trevat shqiptare. Ishte një përkushtim i këtyre familjeve që cenoi normalitetin e funksionimit të natyrshëm familjar, projektimin e natyrshëm të ardhmërisë së fëmijëve, duke ndezur kësisoj pasione të fokusuara te mësimdhënia e arsimimi (djali a vajza në pothuaj çdo familje do të largohej e shërbente përgjithësisht larg saj, madje tejet larg; madje, jo pak herë, përgjithnjë atje larg). Është e pakrahasueshme me mjediset sociale në qytetet e tjera ky qëndrim fatlum që Normalja i mundësoi atij mjedisi qytetar, që e lidhi funksionimin e tij me një mision të tillë madhor. Është një sakrificë që do ta përngjasonim me dhurimin e gjakut që ai mjedis bënte për shëndoshjen e trupit të shoqërisë shqiptare në të gjithë hapësirën shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Janë energji sociale dhe intelektuale që u përqendruan në atë mision, që e parakuptonte këtë sakrificë, ndërkohë që po të njëjtat energji mund të krijonin tjetër komoditet social e intelektual, nëse do të shpërnguleshin edhe në fusha të tjera të veprimtarisë intelektuale.
Si produkt i atij kontributi ishte mirënjohja kombëtare ndaj atyre misionarëve; e në kushte të tjera të pas 1944-ës, përvijimi i mitit të Normales, që e ngjizi dhe e shprehu në një formë tjetër atë mirënjohje. Riqasja në interpretim ndaj këtij përkushtimi, ndaj kësaj sakrifice është gjithsesi një homazh dhe shenjë mirënjohjeje që duhet t’ia blatojmë pa mëdyshje e në vijimësi kësaj vlere të këtij komuniteti.]
Pengimi i diskursit të komuniteteve intelektuale shkakton vonesë në zhvillimin e shoqërisë
Kur intelektualët (do të parakuptojmë me ‘intelektualët’ jo thjesht njerëzit e shkolluar, por ata që njohin thellë dhe në mënyrë sistemore dijen e fushës së tyre dhe që janë në rrugën e krijimit e përhapjes së dijeve të përftuara në formën e mesazheve – të shkruara a të folura – që përthithen e ndikojnë te një publik i caktuar; që nxisin zhvillime teorike e përvoja të suksesshme praktike në sektorë të caktuar të shoqërisë, që projektojnë e veprojnë për të arritur një të ardhme më të mirë, që i japin peshën e duhur pushtetit të kulturës, letërsisë dhe shkencës) përfaqësojnë zëra të fuqishëm të komuniteteve që formësojnë a ngjizin formimin e opinionet e njerëzve, indiferenca ndaj fatit të tyre është e pamotivueshme. Duhet të shqyrtohen pasojat e heshtjes së tyre, për të mënjanuar në kohë të tjera shkaqet që e kanë shkaktuar atë dëm, atë heshtje, atë pengim të diskursit të tyre.
Është një problematikë që i ka të pamjaftueshme thjesht përvijimin e të dhënave; është një problematikë që kërkon interpretime, kompetencë e metodologji sa më të sigurt në shqyrtim. Është një problematikë së cilës mund t’i qasesh nga pikëvështrime të ndryshme; nga këndvështrimi i historianit të arsimit, sociologut, politologut, filozofit etj.
Duke mos pasur kompetencën e kërkuar në ata lëminj shqyrtimi, do t’i qasemi kësaj problematike nga pikëvështrimi i një tjetër dijeje bashkëkohore, me konceptet dhe parashtrimet e së cilës ndjehemi më pranë. E vështrojmë këtë problematikë përmes dijes së përvijuar tashmë në analizën e diskursit, dhe koncepteve të tilla operuese në të, si institucion, komunitet diskursiv, ideologji, traditë, imazh kolektiv e dije të përftuara përmes njohurive nga njëra anë, e besimeve e bindjeve nga ana tjetër.
Siç ndodh rëndom, konceptet mbushen me brendi në hapësirën e një dijeje të caktuar dhe si terma funksionojnë duke bartur veçantinë e përdorimit në atë kontekst dituror. Konceptet e mësipërme, në këndvështrimin tonë do t’i parakuptojmë me këtë brendi: me institucion do të parakuptojmë një formë a strukturë sociale që “karakterizohet nga një diskurs i vazhdueshëm që mundëson formimin, të shprehurit, transmetimin dhe transformimin e bindjeve dhe qëndrimeve prej të cilave individët bëhen pjesëtarë në atë formacion a strukturë” (Alice, 2012:22); me komunitet diskursiv në përbërje të institucionit do të parakuptojmë grupin social i cili ekziston a shfaqet i pranishëm aty pikërisht përmes të shprehurit me anë (të diskurseve), të teksteve që ata prodhojnë dhe shpërndajnë sipas normash përgjithësisht të kodifikuara rreptësisht” (Alise, 2012:23); me imazh kolektiv do të paramendojmë “paraqitjet mentale që ndërtojnë një organizim të reales përmes imazheve a parafytyrave mentale, vetë ato të bartuara prej diskursit (…) që janë të përfshira në realen, madje janë të dhëna për vetë realen” (Dictionnaire, 2002: 504).3 Ndërsa me ideologji do të parakuptonim “diskursin mbi botën, si një prirje për ta sistemuar atë nën pikëvështrimin e një ideje drejtuese” (në vitet e para të pas 44-ës prej së cilës do të marrim shembujt, ideja drejtuese ishte “lufta e klasave” – prej këtij koncepti lind prirja që çon në eliminimin e atyre që e kontestojnë atë (me likuidim fizik, me reduktim në heshtje), sepse, sipas asaj ideologjie, që nuk i pranon dhe i përjashton të tjerat, kontestatorët vonojnë përmbushjen e procesit historik dhe ardhjen në pushtet të së vërtetës. Ndërsa me traditë do të parakuptojmë një “lëvizje të vazhdueshme të transmetimit të të menduarit, të dijes, të mënyrës së të qenit …; në sajë të traditës, metoda më e mirë nuk është dyshuese, por kritike. Çdo traditë është kritike me atë çka ajo transmeton (Renouvin, 2004).
Synojmë të shkelim nëpër këto hapësira e të shqyrtojmë përmes këtyre koncepteve teorike, për të amplifikuar atë zë që u mbyt, u shua, u konsiderua si gjurmë e të mundurve, por në fakt prania e të cilit do të na kishte pozicionuar sot në të tjera kuota të intelektualizmit e mendimit shkencor e didaktik. Na mundëson kjo mënyrë shqyrtimi të rikujtojmë pohimin e Fukosë (Foucault) dhe të mos ndjehemi të qetë edhe pas verifikimit të fakteve, personave e dramave të tyre. “Po, vërtet, – thekson Fukoja, – do të më pëlqente të shkruaja historinë e të mundurve. Shumë nga ne e kanë këtë ëndërr fisnike: t’u japësh më në fund fjalën atyre që deri më sot nuk e kanë marrë dot kurrë, atyre që u detyruan të heshtin nga historia, nga dhuna e historisë, nga tërë sistemet e sundimit dhe të shfrytëzimit” (M. Foucault, La torture, c’est la raison në “Dits et Ecrits”, Gallimard, Paris, 1994, vol. III, p. 390, shih edhe O. Azizi, në parathënien e botimit në shqip, 2009, faqe 15).
Ky komunitet diskursiv kishte një status të tillë që nuk karakterizohej nga përplasjet spektakolare, duke besuar që forca e ideve do t’i mposhte përvojat ideologjike e politike, që rezultojnë shkaktuese dramash e tragjedish. Por vetë produkti që përftohet prej tij, dhe një qëndresë ashtu heshturazi, por konsistente, sepse lidhej me dijen e profesionin e mësimdhënies dhe traditën e formësuar tashmë, është dëshmi e një vlere që duhet njohur, respektuar e shqyrtuar. Është një model, ndaj qasja ndaj tyre mbetet “një ëndërr fisnike” që duhet bërë diçka reale, do të theksonim duke ndjekur Fukonë.
Mbi këto parametra metodologjikë të vendosur në shqyrtim, institucione të tilla të arsimit, institucione si Normalja nuk do të ishin thjesht struktura a formacione arsimore të mësimdhënies, por do të fitonin një status tjetër, më prestigjioz, atë të institucionit ku përftohen komunitete diskursive, ku misioni i arsimimit përmbushet përmes një marrëdhënieje e raporteve më pretenduese e më ndikuese në zhvillimin e shoqërisë. Ato ishin pjesë e përpunimit të mendimit pedagogjik e për pasojë edhe të politikave arsimore që mund të nxisnin a ngadalësonin zhvillimin. Një komunitet diskursiv, zëri i të cilit po rezononte në vijimësi me idetë e praktikat perëndimore të arsimimit, në tekstet e diskurset e të cilit kishin zënë vend ndërkohë këndvështrimet e Kantit a Shkollës së Re, të Claparede-it a Decroly-së; e për më tepër, jo pak prej atyre zërave ishin edhe studentë të drejtpërdrejtë të atyre personaliteteve. Dhe Normalja ishte një institucion që qysh prej krijimit të tij më 1909-ën e deri në vitet 30-40 të shekullit të kaluar i tejkaloi përmasat e një shkolle të mesme, por synoi, në ato kushte, “të synonte të vinte bazat e intelektualizmit dhe të profesionalizmit te një kontingjent nxënësish të ardhur nga tërë hapësira kombëtare; një institucion që kishte përfaqësuesit e tij në shumë prej majave të mendimit psiko-pedagogjik shqiptar të kohës; një institucion që përballoi me sukses problemet e hartimit të teksteve dhe kontribuoi në mendimin tekstologjik; një institucion në të cilin herë kolektivisht, e herë individualisht u hartuan programet mësimore për cikle të caktuara shkollimi dhe zbërthimet metodike të tyre; një institucion me një organ botues për vite me radhë; një institucion që përfaqësohet në botimet e viteve 20-40 me mbi 30 firma studiuesish; një institucion që inicioi në shtyp mbi 100 firma studentësh, prej të cilëve u afirmuan më tej mbi 30; një institucion që mundësoi një plejadë të tërë intelektualësh që trajtuan apo u prirën drejt zgjidhjes së shumë prej problemeve mbizotëruese të mendimit pedagogjik, psikologjik apo të aspekteve të zbatuara të shkencave të tilla si gjuhësia, letërsia, historia, matematika etj.” (Shih më gjerë Plangarica, T. “Univers i vlerave të munguara, Sejko, 2002, 60-69, 35-59).
Ndaj, nëse shkojmë më tej se drama individuale a persekucioni individual, qasja e parë në lidhje me këtë problematikë ka të bëjë me qartësimin e statusit të këtij institucioni, i cili arriti të shndërrohet në një “komunitet diskursiv”. Si i tillë, fati tragjik i zërave të goditur s’është më dramë individuale, por edhe plagë që pëson intelektualizmi, kërkimi shkencor, përvoja e praktika didaktike. Zëvendësimi i pikëvështrimit perspektiv që po kultivohej përmes shfrytëzimit të efektshëm të traditës së formësuar ndërkohë, e që i transmetonte vlerat të tejçuara përmes filtrit kritik, me vlerat që synoheshin të përftoheshin duke u mbështetur në dogmën ideologjike të imponuar, ishte jo thjesht refuzim, shpërfillje dhe eleminim i kontestatorëve, por edhe mohim një tradite të tërë. Ishte një mëkat i pangushëllim.
Duke përgjithësuar mbi të dhënat dhe duke u munduar të vërejmë dëmin dhe shkaqet e së keqes, do ta klasifikonim përmes një shkallëzimi konvencional këtë dëm, duke patur parasysh edhe larminë e formave të goditjes e pengimit të kontributit të atyre zërave:
Së pari, përfshijmë në këtë hapësirë shqyrtimi produktin e atij institucioni, studentët-mësues të formuar në atë institucion. Siç nënvizon D. Maingueneauja “Komuniteti diskursiv” nuk duhet të kuptohet ngushtë: ai nuk parakupton vetëm grupe (institucione dhe lidhje mes aktorësh veprues aty), por edhe gjithçka që këto grupe implikojnë në planin e organizimit material dhe mënyrës së të jetuarit”. Në këtë këndvështrim është pjesë e këtij komuniteti diskursiv të Normales edhe gjithë ajo traditë e përftuar brenda e jashtë institucionit, nga ai grup social që i dha jetë institucionit, por qe njëherazi edhe produkt i tij. Në këtë këndvështrim goditja e ideve e përvojave të transmetuara ngadalësoi a pengoi përmbushjen e plotë të misionit që studentët-mësues kishin marrë përsipër të përmbushnin.
U shprish në këtë mënyrë trajektorja e zhvillimit të mendimit didaktik e përvojave të mësimdhënies. Terrori psikologjik e mpakte dhe e detyronte komunitetin e mësuesve të mos guxonin të lëviznin jashtë hapësirave të përcaktuara nga ideologjia e vetme, që do të duhej të udhëhiqte çdo qelizë të arsimimit, edhe pse në nënvetëdije, madje në mendje mund të ishin të gjalla parimet, metodologjitë, qëndrimet a interpretimet e pronësuara nga vitet e shkollimit në Normale; ishte në thelb një devijim konceptual që do të sillte pasoja të pallogaritshme në shoqëri dhe edukimin e brezit të ri. Brenda këtij grupi, një tërësi zërash të spikatur në përvojat mësimdhënëse të kohës, të cilët u munduan t’i kundërqëndronin hapur trysnisë së ideologjizimit, qenë viktimat e para ndaj të cilave u drejtua goditja (në rastin “më të favorshëm”, ata u shpërfillën dhe u detyruan të punonin në periferinë e shërbimit të mësimdhënies, duke shkuar dëm përvojën e grumbulluar ndërkohë, e cila mund të shërbente për ritme të tjera premtuese të mësimdhënies).
Së dyti, është një plejadë pedagogësh, didaktësh e studiuesish që morën tharmin e atij misioni në Normale, e zhvilluan pasionin e tyre duke u shkolluar në institucione nga më të përmendurat europiane në fushën e pedagogjisë dhe më tej u kthyen në atë institucion për ta vijuar atë mision, a për ta përhapur në të gjitha trojet shqiptare; jeta e tyre intelektuale u ndërpre, madje kaluan në ferrin e burgjeve e më tej persekutimit të vijueshëm social e politik. Dhe për fat të keq (duke mos ndjekur statistikat jashtë Elbasanit, por duke i përqendruar veçse brenda këtij mjedisi), të dhënat janë sërish tronditëse.
Janë intelektualë që ishin integruar natyrshëm në mjedisin shkencor pedagogjik të viteve 1930-1940, me botime tejet të dobishme shkencore për kohën, me kontribute me shumë vlerë për mendimin pedagogjik, që pasqyronin të rejat më të fundit të fushave në të cilat kontribuonin, refleks i mendimit pedagogjik e psikologjik të kohës që përpunohej në ato vite në perëndim, në institucionet ku ato ishin formuar.
Ishin intelektualë të diplomuar në Normalen e Linzit a të Gracit, në Institutin Zhan Zhak Ruso të Zvicrës, Normalen e Lionit, Robert Kolegjin në Stamboll, në Institutin e Pedagogjisë a akademitë e tjera në Itali, Austri, Gjermani e Francë, që pësuan ndalimin e kontributit të tyre, duke mpakur kështu diskursin e atij komuniteti.
Përmes teksteve, studimeve, shkrimeve të ndryshme teorike a përkthimeve që trajtonin çështjet nga më bashkëkohoret në mendimin psiko-pedagogjik të kohës, përmes programeve e materialeve didaktike që po implementonin arritjet e kahjeve më të suksesshme europiane në mësimdhënie, përmes punës së vështirë e shkencore që kërkonte zhvillimi i terminologjisë e përshtatjes së dijeve shkencore në gjuhën shqipe e praktikat e mësimdhënies, ky komunitet ishte bërë prej kohësh pjesë e zhvillimit të mendimit psikopedagogjik shqiptar të kohës, po nxiste ritme më të shpejta në atë zhvillim, me entuziazmin që lindte, nga ana tjetër, edhe nga përthithja e këtij diskursi te brezi i ri, që po ashtu po përfshihej etshëm në atë kërkim dhe ato përvoja. Le të kujtojmë punën e bërë për programet e materialet didaktike sipas parimeve të shkollës aktive, të përgatitura qysh më 1929-ën, apo artikuj të tillë si “Mësime shembullore”, “Mësime sendesh”, modelet për metodën shtjelluese-kallëzuese, mënyrat e përdorimit të kallëzimeve e përrallave”; po ashtu studimin “Metodika e veçantë e klasës së parë”, të Fadil Gurmanit, diplomuar në Normalen e Gracit e pushkatuar më tej më 1948; le të përmendim veprimtarinë e gjerë praktike, drejtuese e shkencore të Sulejman Harrit, diplomuar në Normalen e Linzit, i cili pati bërë një karrierë të suksesshme kërkimore e mësimdhënëse; ishte bashkëpunëtor i revistave Edukata e Re, Përpjekja shqiptare, etj., autor i botimeve të tilla si “Ushtrime njehsimi” për vitin I shkollor”, “Libër metodik e praktik të vitit II shkollor, “Këndimi për rendin V të shkollave fillore (me bashkautor) e një morie materialesh didaktike, por u burgos më 1947, dhe asnjëherë më nuk u pranua në mësimdhënie e kërkim shkencor; le të përmendim shkrimet me karakter shkencor e didaktik të Mehmet Daiut, shkolluar pranë Institutit Zhan Zhak Ruso, i kthyer në Shqipëri edhe pas ofertës së atij institucioni për të punuar si pedagog atje, bashkëpunëtor në revistat Shkolla Shqiptare, Shkolla Kombëtare, me studime të tilla, si “Eksperimenti në psikologji”, Ç’është personaliteti”, “Për metodikën e matematikës”, “Format e zhvillimit të dijes”, apo përshtatjet si “Besimet dhe halucinacionet”, “Jeta shpirtërore e pavetëdijshme”, e një mori materialesh të përkthyera nga fondi albanologjik i autorëve gjermanë; u burgos më 1947, u sikteris kanaleve të Kënetës së Maliqit dhe nuk iu mundësua asnjëherë të japë kontribut në ato fusha ku zëri i tij do të ndikonte më së tepërmi në zhvillim; po ashtu, Skënder Sejdini, shkolluar pranë Institutit Zhan Zhak Ruso, me botime të tilla si “Mençuria dhe suksesi shkollor”, “Psikologjia e mençurisë”, “Elektroencefalogrami”, “Programi i shkollave fillore”; ose përshtatjet si “Pesha e trurit dhe mençuria”, “Si funksionon truri ynë”, “Origjina e të folurit”, “Qendra e të parit”, etj.; burgoset dhe e mbyll jetën si punëtor krahu në ndërmarrjen komunale të Elbasanit; Peter Elezi, shkolluar në universitetin e Lionit, me botime të tilla, si “Puna në shkollë”, “Ndihmësi i mësuesit”, e kontribute të spikatura në folkloristikë, frazeologji, histori etj., i burgosur dhe i braktisur më tej në periferitë e mësimdhënies; Teki Tela, diplomuar për matematikë në Linz e Vjenë, me botime të vlerta në fushën e matematikës, mes të cilave “Kursi i plotë i matematikës për shkollat e mesme (me bashkautor) e kontribut të veçantë në terminologjinë e kësaj disipline, pas një përvoje mbi njëzet vjeçare në Normale, përjashtohet e del në pension në shkollat periferike të sistemit arsimor, i shpërfillur e denigruar; Ismail Xhaja, diplomuar në Institutin për pedagogji në Itali, pas një pune të vlerësueshme në Normale, një pune po ashtu të palodhshme intelektuale (përgatit një fjalor trigjuhësh Frëngjisht-italisht- shqip, të lënë në dorëshkrim), përjashtohet nga ai institucion për motive ideologjike e politike e përfundon punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit; Veniamin Dashi, diplomuar për histori në Vjenë, autor i disa botimeve që plotësonin nevojat për tekstet e historisë në klasa të ndryshme të gjimnazeve, liceve a Normales, por edhe të cikleve më të ulëta, në lëndën “Historia e kohës së vjetër”, etj.; burgoset dhe më tej përfundon si punëtor krahu, duke u angazhuar si përkthyes nga gjermanishtja; konsiderohej nga përkthyesit më të mirë të kohës për atë gjuhë; Sotir Paparisto, diplomuar pranë Institutit Zhan Zhak Ruso, bashkëpunëtor në revistat Shkolla Kombëtare, Përpjekja shqiptare, Shkolla e Re, me studime të tilla, si “Shpirti i fëmisë në dritën e psikologjisë së re”, “Ç’është sugjestioni”, “Parimet e metodave të reja mbi shkrimin e këndimin”, “Sistemi pedagogjik i O. Dekrolit”, etj.; po ashtu edhe përkthyes i veprës së Rusoit: “Emili, ese mbi edukatën”, i cili po ashtu u end periferive të sistemit, pa mundur të vijojë kontributin shkencor. E jetë të përfunduara në mënyrë të tillë tragjike në lidhje me profesionin patën edhe Xhevdet Skilja, diplomuar në Akademinë e Sporteve në Itali, që nga mjediset e Normales, arrestohet, burgoset e punon më tej si punëtor krahu; Kamber Kazazi, i pushkatuar më 1947, etj.4
Dhe bëhet edhe më i papërballueshëm tragjizmi, kur mendon që në atë komunitet shuhet zëri i shkrimtarëve të tillë, si E. Haxhiademi, krijues dhe më i njohuri tragjik shqiptar, dënuar me vdekje e më tej me 25 vjet burg e vdekur atje; apo zëri i dy talenteve, Genc Lekës e Vilson Blloshmit, të mëkuar me sumumin e vlerave të trashëguara nga ai institucion, pushkatuar më 1977.
Së treti, le të përmendim mpakjen deri në shuarje të zërit të atij komuniteti diskursiv si pasojë e terrorit psikologjik, frikësimit, tutjes brenda institucionit në 3-4 vitet e para pas 44-ës, si pasojë e diferencimit klasor apo ideologjik të vetë profesoratit, diferencim që solli dalëngadalë më tej një ligjërim të gjymtë, të penguar, deri të ndaluar e përjashtuar; e për pasojë, një formim me të njëjtat karakteristika të produktit (nxënësve) që do të ishin marrësit a pritësit e atij ligjërimi.
Ky terror dhe kjo goditje u drejtua në mënyrë të qëllimshme ndaj atij komuniteti, sepse është komuniteti më i gjerë ndaj të cilit vërtet indoktrinimi vepron më intensivisht, por njëherazi edhe gjen rezistencë; është komuniteti që i kundërqëndron natyrshëm dogmës, sepse raportin me një doktrinë politike a ideologjike e formëson apo e vendos përmes kalimit paraprak nëpërmjet raportit me dijen a njohuritë disiplinore shkencore; është komuniteti misioni i të cilit është shumë më i gjerë se mësimet e një doktrine a dogme, e ndaj ka të ekspozuar ndaj goditjes pikërisht ata zëra e përfaqësues më të spikatur të tij që e kanë të vështirë të qëndrojnë brenda hapësirave të dogmës; ndaj edhe goditjet më të para qenë ndaj atyre pedagogëve që ishin shkolluar në perëndim; ndaj tehu i luftës së klasave drejtohej më së pari tek ata zëra të atij komuniteti që ishin më të ekspozuar politikisht në kundërqëndresë ndaj indoktrinimit, edhe pse nuk ishin funksionarë a persona në veprimtari politike, por në një mision që përhapte formim, arsimim (por përmes disiplinave a dijeve disiplinore që përgatisnin/duhej të përgatisnin qytetarin a qytetarinë e aktualitetit e të së ardhmes).
Le të theksojmë në këtë rast se të folurit dhe të shkruarit përllogariten si akte. Bartësit, subjektet e këtyre akteve janë, në radhë të parë, pikërisht pedagogët, didaktët, letrarët e intelektualët, qëndrimi social i të cilëve përftohej po ashtu natyrshëm dhe rrezatohej në publik si frymë, si prirje. Për pasojë e këtij angazhimi, ndaj edhe persekutimi e përndjekja ndaj tyre në diktaturë është më e skajshme; por për këtë arsye edhe dëmi social i përftuar është po ashtu po aq i skajshëm.
Ndaj kundërqëndresa atje lindi natyrshëm. Është një kundërqëndresë heshturazi e një komuniteti i cili s’mund të devijonte nga tradita e formësuar ndërkohë në përmbushjen e misionit në edukim, për t’ia përshtatur një imazhi propagandistik për të cilin ishin të bindur se s’mund të ishte funksional. Kemi një përthyerje interesante në këtë komunitet të asaj që quhet “paraqitje sociale” a “imazh kolektiv”, të përftuar si koncept që parakupton një lidhje mes domethënies, realitetit dhe imazhit të tij, nga njëra anë dhe qëndrueshmërisë së këtij komuniteti për të parë përtej “ekranit të ndërtimit të një realiteti”, që synohej thekshëm nga ideologjia e propaganda e kohës, nga ana tjetër; që përbënte një botë që propagandohej e ofrohej si realitet.
Është simbolikë tejet domethënëse cilësimi “inaktiv” ose “indiferent politikisht” për shumicën e zërave të këtij komuniteti në karakteristikat që kërkoheshin nga Ministria e Arsimit; nga 25 pedagogë në vitin 1946, 19 prej tyre cilësoheshin inaktivë e indiferentë politikisht, ndërkohë që u theksohej kompetenca e lartë profesionale dhe shkollimi i plotë, shumica në shkollat perëndimore.5
Siç është, nga ana tjetër, po aq domethënëse pamja që përftohej nga propaganda e diskursi i ideologjizuar që synohej të futej e imponohej në indet më të ndjeshme të trupit social, te fëmijët a të rinjtë, madje tek ata që po përgatiteshin të ishin mësimdhënës, të formonin brezat e ardhshëm, së cilës ai komunitet ata intelektualë duhet t’i kundërqëndronin.
Është një situatë deri në grotesk kur vëren se sa larg ishin të pozicionuar zërat e këtij komuniteti që vinin prej një tradite e po përftonin një rrugë të tyre në vijim të asaj tradite, me atë çka mëtohej të futej në edukim nga propaganda e regjimit; ç’mund t’i përafronte ata intelektualë, studiues e didaktë me botën që ishte tejet larg me formimin e tyre, botëkuptimin e tyre. Ja se ç’modele, ç’brendi, ç’domethënie, ç’realitete dhe çfarë imazhesh kolektive kërkohej të imponoheshin përmes fjalës së shkruar në formën e dhuratave, madje për nxënësit më të mirë e më të talentuar të shkollës; ja ç’tituj mbizotërojnë të dhuruar në ato vite (po citojmë vetëm vitin 1947) si literaturë nxënësve më të dalluar të shkollës: Portreti i Komandantit, Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Si u kalit çeliku, Lufta për çlirimin e Jugosllavisë, Lenini, Ata që nuk shtrohen, Probleme të leninizmit, Kryengritja e Tetorit, Jeta e Maksim Gorkit, Fjalimi i Komandantit, Sistemi sovjetik, Mbi bazat e leninizmit, Fjalimi i Zhdanovit, Raporti i Stalinit, Stalini (monografi), Krijimi i botës së Re, Biseda e komunistave të rinj, Serbija e Shqipnija, Ç’ janë kolkozet, etj. (Marrë nga materialet në Muzeun e Shkollës) .
Natyrën e diskursit që ajo propagandë e regjimit kërkonte të mëkohej te fëmija, për fëmijët, e sjell me një sarkazëm të motivuar një përjetues i asaj trysnie në ato vite, shkrimtari H. Ceka, i cili mes të tjerave sjell edhe vargjet: Bam-bam-bam!/Pushkën e kam,/Luftoj e shkatrroj,/Armiqt’ i dërrmoj! Ose: Me dyfek, mitraloz,/Do t’i vras, do t’i shfaros,/Gjithë armiqtë,/Zemërliqtë! Këtij diskursi ata duhej t’i kundërqëndronin.
Ishte i papranueshëm ky agresivitet përballë modeleve që vinin nga tradita, madje edhe nga vetë profesorët e atij institucioni, për shembull: Shkolla jonë e dashur,/Të gjithë na bashkon! /Këndimin dhe shkrimin/Ti neve na mëson.; apo Këngë për vjeshtën, këngë për dimrin.. .Ja, na erdhi vjeshta/Dhe gjethet na ranë,/Rrushi nëpër vreshta/Praron anembanë… /Oj, si godasin/Me topa bore f ’mija!/Disa lozin, shkasin/N’akull, nëpër vija.. (cituar nga Hyjni Ceka, Albanon, 2019/5 faqe 64-66).
Është ai antagonizëm që u jep meritë konceptualizimeve të atij komuniteti diskursiv që nuk devijon nga misioni, nga dijet që ofrojnë njohuri, ndaj trysnisë së pushtetit që kërkonte të impononte bindje ideologjike e politike në dobi të partisë a pushtetit, qoftë edhe përmes asaj kundërqëndrese heshturazi, përmes të qenit “inaktiv”, “indiferent politikisht”.
Ishte përftuar në Normalen e atyre viteve ajo çka emërtohet nga kognitivistët si “mjedisi kognitiv i dyanshëm/i lëvizshëm/mutuel” në të cilin po përballeshin ajo çka përcaktohet si “dije prej njohurive” dhe “dije prej besimit a bindjes”. Njohuritë, “procedojnë me anë të një paraqitjeje/imazhi të arsyetuar mbi ekzistencën e qenieve dhe të fenomeneve të botës (…). Këto njohuri janë të afta ta përllogarisin a ndriçojnë botën në mënyrën më objektive të mundshme (Charaudeau, 1997:44). Ato janë të përftuara qoftë nga përvoja e jetës (…), qoftë me anë të dijeve teknike ose savante. Ato përfshijnë pra gjithçka që është e natyrës faktuale, që mundet të jetë e verifikueshme dhe e shpjegueshme sipas parimit të shkakësisë së vërtetë. Besimet rezultojnë a përftohen prej një vështrimi subjektiv që njeriu hedh mbi ngjarjet e botës. Besimet u korrespondojnë më pak një tentative arsyetimi të botës sesa një tentative “për vlerësimin a vlefshmimin e saj nëpërmjet legjitimitetit dhe vlefshmërisë, në sajë të efekteve të saj mbi njeriun dhe rregullave të saj të jetës (Charaudeau.1997:46). (Dictionnaire … 125). Ai komunitet, besnik i dijeve që vinin prej njohurive, prej të cilave realizonin formimin e nxënësve të tyre për t’i bërë misionarë të zhvillimit, s’mund të bëhej ithtar i predikimeve a besimit ideologjik; rezistenca përmes qëndrimit inaktiv a indiferent politikisht ishte shfaqje e kësaj qëndrese. Gjithsesi, represioni do të rritej dhe thyerja e qëndresës do të ishte çështje kohe dhe çështje e kohës.
Pasojë e kësaj batice ideologjike, përmbytëse e fshirëse vlerash të përftuara ndërkohë është një realitet që pas përfundimit të ciklit të baticës, përgjatë zbaticës e mpakjes së vrullit e vërshimit vëren që gjithçka kishte mbetur në sipërfaqe, pa prekur thellë në shpirtin e individëve e grupeve, por gjithsesi, duke penguar formimin më të plotë të tyre.
Në mbyllje
Të vlerësosh një traditë, do të thotë të pozicionohesh në një pikëvështrim kritik në raport me vlerat e përftuara, do të thotë të kuptosh thelbin e nocionit traditë, që është transmetim i përvojave nën filtrin e përqasjes me rezultatet e përftuara nga ato përvoja, të cilat mbeten të vlerta, e gjithnjë në evoluim e rinovim pikërisht sepse vlerësohen përmes filtrit kritik në raport me zhvillimin. Normalja e gjysmës së parë të shekullit XX na la një model, një frymë të kësaj tradite ; është e vlefshme edhe kjo frymë, ky model i vlefshëm aktualisht, që mund të na orientojnë të përzgjedhim hullitë më funksionale të lëvizjes, në realitetet e sotme shkencore të fushës së edukimit, duke mësuar njëherazi edhe nga përvojat negative që shkaktohen nga devijimi prej saj. Është një tjetër model ky i historisë së atij institucioni që na bën të jemi gjithnjë të vëmendshëm. Në një shoqëri, e cila është e rrezikuar gjithnjë nga dogmat e indoktrinimi, kjo vëmendje është e vlertë.
© 2019, autori, ADE. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Kjo ese është botuar për herë të parë nga Arkivi Digjital i Elbasanit, me titullin Shuarja e zërit të një komuniteti diskursiv si dramë sociale. Titulli i tanishëm është i redaksisë së PTF.
Bibliografia
Bishqemi A. (2016), Elbasani ndër vite për librin, Biobibliografi enciklopedike, Shtëpia botuese « dy Lindje dhe dy Perëndime ».
Charaudeau P., Maingueneau D. (dir) (2002), Dictionnaire d’analyse du discours, Edition du Seuil.
Charaudeau P. (1997), Le Discours d’information médiatique. La construction du miroir social, Paris, Nathan-INA, 1997.
Foucault M. (2009), Pushteti dhe dija, katër sprova, ISP&DITA 2000.
Plangarica T. (2002) Univers i vlerave të munguara, Sejko, 2002.
Renouvin B. (2004), Res Publica, 04/04/2004.
____________________________________
1 E theksojmë edhe këtë ‘rrugë të dytë’, sepse mes komuniteteve që preken e pësojnë goditje nga ndryshimet e dhunshme sociale, ndër më të ekspozuarat janë komunitetet intelektuale që përpunojnë e nxisin formimin e njeriut, mes tyre mësimdhënësit dhe institucionet në të cilat ato përfshihen për të kryer mësimdhënien e kërkimin shkencor. Pjesë përbërëse e atyre komuniteteve intelektuale, në kohë dhe hapësira të caktuara brendainstitucionale, ato grupe intelektuale, në rastet më fatlume arrijnë të përftojnë komunitete diskursive (duke mos mbetur thjesht mësimdhënës a përçues dijeje, por edhe krijues të saj, duke përfaqësuar kahje të caktuara teorike e teorizuese), e në këtë mënyrë shuarja e zërit të tyre nuk është thjesht një dramë e atyre individëve, por është një dramë sociale. Profesorati i Normales në vitet 1930-1940 kishte arritur të shndërrohet në një komunitet diskursiv, që përfaqësonte një linjë të përvijuar tashmë në mendimin didaktik shqiptar të kohës, madje edhe një ligjërim që karakterizonte studentët-mësues që e përhapnin këtë frymë e dije në një hapësirë të gjerë kombëtare në edukim.
2 Të dhënat janë marrë pranë Muzeut të Shkollës “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, pasrendëse e Normales.
3 Kemi paraqysh në këtë rast edhe pohimin e D. Charaudeau-së: imazhet që konfigurohen në diskurse sociale, të cilat dëshmojnë disa diskursin e përftuar prej një dijeje që sjell njohuri mbi botën, të tjerat të një diskursi të përftuar prej një dijeje të mbështetur te bindjet a besimet e përftuara në një sistem vlerash të mbyllur me të cilat pajisen individët për të gjykuar atë realitet” (Charaudeau-së 1997:47).
4 Për të dhëna më të hollësishme, shih A. Bishqemi, 2016S; S. Domni, 2009S; T. Plangarica 2002,
5 Të dhënat janë marrë pranë Muzeut të Shkollës “Luigj Gurakuqi” Elbasan, pasrendëse e Normales.
Persekutimet ndaj ketij kolektivi mesuesish tregohen ne nje artikull mjaft te gjate e me fraza te bukura! Kjo e ben lexuesin mos ta dalloje dhimbjen e vertete aty brenda! (Vete arrita deri pak me shume se gjysma e shkrimit, -te jem i sinqerte.)
Shume interesante te dhenat mbi pedagoget e Normales. Por eshte mire qe keto librat e cituar nga studiuesit vendas te jene edhe online falas. Cfare do te sugjeroja edhe per drejtuesin e blogut. Se jam i sigurte qe nuk fitojne ndonje para nga botimet, po keshtu se paku te fitojne ndjekes. Ne libgen eshte nje biblioteke e tere online, e mund te ngarkohen aty, eshte joftimprurese, e keshtu edhe studiuesit jashte vendit, apo te huaj, kane qasje ne studimet tuaja.
Ka nje faqe ne internet qe ka thuajse gjithe veprat e E. Hoxhes dhe Historine (zyrtare) te Partise se Punes. Keto citohen me shume nga studiuesit jashte Shqiperise, pasi u mungon aksesi ne librat e studiuesve shqiptar qe i shohin me sy kritik fjalimet apo te tjera pretendime te narratives zyrtare. Se fundmi pash njerin qe kish shkruar doktorature per filozofine e edukimit te E. Hoxhes, nga Ohio, USA, shqiptar. Une nuk di te kete pasur ndonje filozofi E. Hoxha, jo me te edukimit. Po ja qe ky, sikur te ish Hamit Beqja qe i shkruante fjalimet E. Hoxhes, i kish vendosur ne goje gjithefare cudirash. Pse? Se i mungon pikerisht nje perballje me studiuesit e lemit. Nuk besoj se e ka bere nga budalleku, por thjeshte nga pertacia dhe i kish hyre veprave te merzitshme te E. Hoxhes.
Eshte i mundimshem kerkimi bibliografik si qemoti. P.sh. te porosisesh nga Bukinisti.al, jo vetem eshte shtrenjte, por edhe do 1 muaj. Mua p.sh. do te me pelqente te citoja autorin ne lidhje me keta intelektuale elbanas, por do te me duhen 3 muaj e ca para qe mund ti investoj diku tjeter me mire, per te shtene ne dore librin. Keshtu qe mjaftohem te citoj blogun, se artikulli duket serioz, por ama libri ngelet pa lexuar.
Nuk e di ne i ka shkuar ndermend drejtuesit te Blogut, por nje menyre do te ishte te hapej nje biblioteke online e lidhur me amazon ku te komercializoheshin keta libra ne format elektronik. Blogu e lot shume mire vendin e kritikes apo te prezantimit te librave e studimeve.
Durimpak. Ismail Xhaja ishte gjyshi im dhe une e kam shfletuar shume here fjalorin e permendur me lart dhe disa libra te tjere te mbetur ne doreshkrim te fshehur ne nje cep te shtepise. Jane akoma ne doreshkrim.
Goditja a atij brezi edukatoresh nuk qe e paqellimshme dhe sic thote autori
” Pasojë e kësaj batice ideologjike, përmbytëse e fshirëse vlerash të përftuara ndërkohë është një realitet që pas përfundimit të ciklit të baticës, përgjatë zbaticës e mpakjes së vrullit e vërshimit vëren që gjithçka kishte mbetur në sipërfaqe, pa prekur thellë në shpirtin e individëve e grupeve, por gjithsesi, duke penguar formimin më të plotë të tyre.”
Ironikisht nje pjese e mire e brezit tim te cilit historia iu tregua sipas versionit qe i interesonte pushtetit dhe ideologjia iu fut ne tru me perdhune qe foshnje akoma vazhdon te besoje ne fitoret e LANC duke e anashkaluar qellimisht ose nga trushplarja faktin qe rezultati i LANC solli ne pushtet nje nga diktaturat me te ashpra te Europes Lindore dhe nuk ka interes as ta permende lere me ta njohe kete pjese te historise, ngjarjet , viktimat dhe veprat
Nga ana tjeter Tiranes zyrtare per arsye qe dihen nuk duket se u intereson nje rehabilitim i atij brezi edukatoresh qe permenden me lart dhe as te vepres se tyre.
Zera si I autorit te ketij artikulli jane te pakte dhe te shperndare ne bote. Kjo e ben te veshtire nga ana logjistike krijimin e nje biblioteke per keta autore. Gjithsesi duhet te them se nje ide e tille me duket shume interesante. Po do doje kohe dhe perpjekje.
Dhe se fundi desha te falenderoja autorin dhe botuesin e artikullit. Diku dhe dikush duhet te filloje te vere gjerat ne vend.
Per ke eshte I interesuar ti lexoje ka nje organizate ( Arkivi Digjital Elbasan) dhe nje website te krijuar enkas per digjitalizimin e dokumentave historike dhe veprave letrare – si fillim per Elbasanin me idene per tu shtrire me tutje
https://elbasaniad.org/
Te faleminderit. Se ajo fjalia me batica e zbatica nuk kuptohet fare.
Te jemi rehat te gjjthe: elitat jane nderruar perdhunshem ne Shqiperi. Edhe keta qe sot pleqerojne si te tranzicionit, tjeter lloj bataku, do te rrotullohen e do te vine te tjere. Nuku ka gje me te bukur. Secili ka shans te behet.