nga Edion Petriti
« Ana vriste mendjen se pse dorëshkrimet, letrat e dashurisë që i dërgonte Çimi, vinin era peshk. Në atë kohë, ajo pak e dinte, – në mos nuk fare, – se në vendin e bekuar ku komunizmi ndërtohej vërtet, nuk kishte shirita të zinj për makina shkrimi, ndaj dhe shumë vetë përdornin bojën e sepies për t’u dhënë ngjyrë… — (nga romani im i ri, që sapo ka dalë nga shtypi). »
Nuk e di se përse dreqin, – një ditë më parë – më shkrepi t’u punoja një rreng të vogël shumë prej miqve që kam në platformën time sociale, Facebook. Gjithçka nisi me një paragraf të shkruar në celular, në autobusin e linjës, mbi një çift me emrin Ana dhe Çimi (sa banale!); ky i fundit autor i ca letrave dashurie, me shije të dyshimtë letrare dhe që vinin era peshk, për faktin se djalka ynë shpresëmirë reliktet e veta në lëmë të letërsisë i shkruante në makinë shkrimi dhe për mungesë shiritash të zinj, u jepte atyre ngjyrë duke përdorur bojën e sepjeve. Shtoji kësaj edhe një kopertinë fiktive të cilën e punova me aplikacionin «Canva». Libri mëtonte se ishte botuar në Tiranë, më 2019 dhe mbante titullin e lavdishëm «Ngazëllime të komunizmit». Autori isha po unë, Edión Petriti, dora vetë!
Gjithçka nisi të bëhej e sikletshme kur nisa të merrja urimet e para nga miq të mirë, mendimet dhe ndjenjat e afeksionit të të cilëve i doja dhe i çmoja… nisa të ndihesha pak si keq. Shumë veta e bashkëndanë (i bënë « share »), diçka edhe më e çuditshme; madje, një i afërmi im në Gjermani u ofrua ta blinte në Amazon.com, gjithmonë nëse kishte dalë nga shtypi dhe mund të blihej. Më premtonte t’i bënte reklamë në të gjitha qarqet shqiptare të emigrantëve të atjeshëm; në këtë mënyrë do kisha mundësi të hiqja edhe një pjesë të shpenzimeve të librit. Dihet… intelektualët dhe paratë këtu në vendin tim nuk para shkojnë mirë bashkë (veç në mos qofsh një intelektual i përkëdhelur i listave me tituj letrarë të ndonjë ministrie arsimi).
Një miku im më këshilloi ta vazhdoja lojën; në fund të fundit edhe po të dilte në shesh, do diskutohej për nja tri ditë dhe më pas, do harrohej dhe pikë! Madje, faqe botës shpallte : Nëse ma lejon një këshillë, si lexues i parë i librit dhe që e kam ndjekur hap pas hapi, do të lutesha të mos bëje gabimin e shumë të rinjve, dhe te mos e botoje menjëherë. Libri ka lëndë të rrëfyer me stil dhe qasje origjinale. Ka ende hapësirë për përpunim. Sidomos, periudha pas vdekjes së diktatorit e veçanërisht personazhi i shoqes «A».
Për fat të keq, e gjithë çështja nuk mbaroi me kaq; nisa të merrja mesazhe të ethshme nga një mësues gjeografie i shkollës së mesme, i cili betohej, duke cituar listën e shtëpisë, se e kishte lexuar librin me një frymë dhe i kishte pëlqyer jashtë mase; do ishte mirë vetëm që mbyllja (eh, ajo e shkretë mbyllje!) të ishte pak më e arrirë. U ndjeva vërtet i prekur në sedër! E përse libri im – i paqenë, meqë ra fjala! – duhej ta paskësh pasur mbylljen më të arrirë? A thua se unë nuk arrija dot të stisja një farë «closure» për atë paçavure, siç i thonë rëndom veprës në zhargon letrar? A thua të jem edhe unë një shkrimtar mediokër, që nuk arrin të mbyllë dot një libër në dorëshkrim dhe që makinën e shkrimit e ka blerë pikërisht për prokrastinim, për ta shtyrë e për ta shtyrë shkrimin e më pas botimin e romanit të madh shqiptar të viteve ’20?
Megjithatë, e falënderova për fjalët e mira dhe i premtova t’i dërgoja një kopje, sapo të më dërgonte adresën e shkollës; thellë në shpirt shpresoja të ishte nga ato zona që nxënësit e kishin braktisur në masë, për të shkuar në Gjermani e për të mos u rikthyer më kurrë, që ta dinte edhe ai se ç’ishte hidhërimi – në mos ai i një shkrimtari, librat e të cilit nuk e kishin mbylljen të arrirë, të paktën ai i një mësuesi të gjeografisë të shkollës së mesme, i cili i shpjegonte një klase bosh!
Tani e kuptoj përse në Shqipëri, kritika letrare nuk ekziston! Të gjithë besojnë menjëherë atë që e shohin në mediet sociale, pa e vënë në pikëpyetje! Pa e vënë në diskutim, pa e parë me sy e prekur me dorë (parimi i shën Thomait) një vepër të paqenë, e cila e sheh dritën aty për aty, për të vdekur menjëherë më pas, po në mediet sociale! Imagjino… në çdo cep rruge, në çdo kryqëzim, nga një autor të inatosur, – ç’po them… të xhindosur, furi e tërbuar – dhe kritikë të pafajshëm që bëjnë shëtitje, pa e ditur se ku po shkojnë (a thua se vetë Krishti t’i kish porositur të shkonin mes lexuesve si « qengja në mes të ujqërve! »). Eh, « punë e rôndë », do thoshte një hoxhë kosovar mjaft popullor i ditëve tona! Kësaj ia kam pasur gjithmonë frikën!
© 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Duro edhe pak, Edion: po afrohet sezoni i çmimeve të mëdha letrare.
Ardian, do ishte më mirë që të jepeshin çmime edhe për veprat imagjinare, si për shembull ato që nuk janë shkruar ende. Do të duheshin disa… tip “trillimi më i mirë imagjinar”; “libri imagjinar studimor”; libri më i mirë artistik, kuptohet… që nuk është shkruar ende. Kam frikë se kishin për të fituar po ata emrat e zakonshëm! 🙂
Madje do të shtoja se, edhe kur vepra ekziston vërtet, çmimi i shkon zakonisht “kundërveprës” imagjinare…
ku mund ta gjejme kete librin, ne te cilin shkruhet mbi librin e pashkruar?
Thotë autori: “Tani e kuptoj përse në Shqipëri, kritika letrare nuk ekziston! Të gjithë besojnë menjëherë atë që e shohin në mediet sociale, pa e vënë në pikëpyetje!”
Ndërkohë, duket se fqinjët tanë helenë pranuan të kategorizojnë një grua 31 vjeçare si një nga grekët më të mëdhenj të historisë duke besuar – pa kurrfarë verifikimi – pretendimet e kësaj për zbulime shkencore të hatashme dhe “breakthrough”: https://www.bbc.com/news/world-europe-49753214
Paraqitja e faqes 99 ketu ne ptf (qofte edhe krejtesisht e bardhe) do te zgjeronte se tepermi auditorin edhe keshtu te panumert.
Nuk e kuptova mirë këtë shkrim, i cili del në një konkluzion mbi gjëndjen e kritikës letrare duke marrë për bazë budallallëkun e shprehur të një mësuesi gjeografie! Ndonëse edhe ky viktimë e një rrene, si shumë dashamirës të autorit.
Në një rast hipotetik, kur autori të kish vërtet një libër joimagjinar për të botuar, mungesa e urimeve mund t’i faturohej fare mirë dështimit të kritikës letrare. Por a është në të vërtet kështu? A ka ndonjë lidhje midis seleksionimit të vlerave në kulturë, dhe popullaritetit? Them se jo.
Në kushte normale do t’ua besonim këtë seleksionim institucioneve kulturore dhe akademike. Që këto institucione mungojnë apo nuk e luajnë roilin e tyre nuk e kanë gjë fajin dashamirësit e shkrimtarit apo artistit, as budallallëku i mësuesit të gjeografisë. Por me sa duket nuk paska ndonjë barrier që mund ta ndaloj sëmundjen e humbjes së besimit që të kalojë nga niveli institucional në marrdhëniet më intime e personale, në shoqërinë tonë.
Mistifikimet letrare janë një zhanër i respektuar letrar. P.sh. çështja Sokal… artikulli “Transgressing the Boundaries: Towards a Transformative Hermeneutics of Quantum Gravity”, u botua në nr. pranverë/verë 1996, të “Social Text”, (“Luftërat shkencore”). Ishte një artikull tërësisht i stisur dhe arriti të kalonte gjithë barrierat e botimit, peer review-et etj.
Edion,
Në rastin e çështjes Sokal, institucioni ishte revista akademike ku ai botoi shkrimin hoax. Kurse në rastin tuaj më duket se institucioni mungon dhe po i drejtoheni një publiku naiv që nuk ka ndonjë arsye të dyshoj tek ju (unsuspected public). Të paktën deri në momentin kur shfaqet mësuesi i gjeografisë. Më tej meriton të trajtohet si një shaka facebook-u, ndonëse fine.
Në një Potemkin Village si ky vëndi ynë ku gjithë institucionet dhe shteti janë një BIG HOAX, dhe operojnë me fasada, gënjeshtra, dhe me pretendime fallco, mungesa e institucionit të kritikës nuk ka nevojë për ndonjë tjeter experiment, apo hoax, për tu evidentuar.
Nuk po dua ta vendos shakanë tuaj, përndryshe fine, në të njëjtën kategori me hoax-et e përditshmërisë shqiptare. Por më duket jashtë kontekstit dhe nuk besoj t’i ketë ato pretendime që i vishni ju.
Shkruaj një roman – qoftë edhe të dobët – më mirë se të bësh sikur e të shpërndash lajme “sikur”-i.
Syte plot, por mendja bosh, rreshtohen me rradhe shkrimtaret shqiptare. Valle ky do te jete realitite letrar?
Përderisa Trim Ademi merr çmimin Skënderbé të bashkisë Krujë, për këngën e Hatixhes… pse jo? Realiteti letrar nganhëherë ia kalon edhe fiksionit (trillimit).