Kritika sociologjike, pa folur për atë ideologjike staliniste-zhdanoviane, e kanë lënë praktikisht mënjanë vendin e Migjenit në poezinë shqipe, duke iu shmangur pyetjeve se (1) nga erdhi Migjeni dhe (2) çfarë la pas Migjeni në këtë poezi.
Është vënë në dukje jo vetëm origjinaliteti i Migjenit, por edhe kontrasti i tij aq dramatik me traditën poetike të kohës – fryma moderne që solli ky poet, në një kontekst të sunduar nga tradicionalizmi, veçanërisht në Shkodër.
Por nuk është sqaruar filiacioni i Migjenit vetë: nëse ky nuk u mbështet në traditën poetike të kohës, atëherë ku?
Koliqi ka shkruar për këtë:
“Lidhet me grupimin e poetëve serbë të quejtun razocarani (të zhgënjyemit). I stolisi poezitë e veta me reminishenca që vijnë nga kjo rrymë. Veç të tjerash, poezia e tij tash asht shprehë me nji shqipe të pasigurtë e jo të njitrajtshme, qi nxjerr në pah mungesën intime të çdo zàmi idiomatik…”
(citoj sipas një eseje të Gazmend Krasniqit, (Ri)leximi dhe leximet konvencionale)
Duke u ndalur në gjykimin e parë, për raportet e Migjenit me këta razocarani-t serbë, më duket me vlerë që këto raporte (ndikime) të shqyrtohen më tej, nga studiues të letërsisë së krahasuar. Me logjikë, nëse stili poetik aq revolucionar i Migjenit nuk gjen shpjegim brenda letërsisë shqipe, atëherë është afërmendsh që të përsiaten ndikime dhe polenizime nga gjetiu, nga përtej.
Poezia serbe vjen në vështrim edhe duke pasur parasysh edhe formimin intelektual të Migjenit.
Kultura letrare në Shqipëri nuk më duket e përgatitur që t’i shohë risitë në stil, nga poetë dhe prozatorë të rëndësishëm, si importe intertekstuale; pa çka se importet e kanë formësuar letërsinë tonë më shumë se ç’kujtojmë.
Problemi kryesor me importet është se këto mund të shkëlqejnë, por e kanë të vështirë të zënë; sepse i flak tutje tradita me inercinë e vet. Vetëm këmbëngulja mund t’ua lehtësojë mbijetesën. Përmend, si shembull, vargun nëntërrokësh, të cilin e lëvruan me sukses të madh që nga Lasgushi te Kadareja, në poezi origjinale e sidomos në përkthime – dhe vetëm falë vijueshmërisë e fitoi një farë qytetarie përballë tetërrokëshit tradicional.
Të kthehemi te Migjeni, dhe te pjesa e dytë e pyetjes sime: çfarë ndikimi pati ky poet në poezinë shqipe të Pasluftës?
Në vitet 1950 poezia shqipe – ajo e Realizmit Socialist – kish mbetur robinjë e tradicionalizmit, trimave me fletë, bareshave dhe ograjave.
Në Shqipëri u deshën të vinin vitet 1960 dhe brezi i ri i poetëve – i identifikuar në triadën Kadare-Agolli-Arapi – që të modernizohej radikalisht shprehja poetike.
Çfarë roli pati Migjeni në këtë mes? Nuk besoj se pati ndonjë rol përcaktues.
Risitë në stil, në metër, në figuracion dhe në frymë, që sollën Kadareja, Agolli dhe Arapi nuk kanë shumë lidhje me Migjenin as me ndikimin e tij në distancë.
Po të kemi parasysh se këta poetë e ndryshuan rrënjësisht stilin e tyre pasi u kthyen nga studimet në vendet e Lindjes, mund të kuturisemi e të themi se revolucioni në formën poetike të poezisë shqipe të atyre viteve – të paktën në Shqipëri – i detyrohet “infektimit” të këtyre poetëve të rinj me poezinë moderne, në mos moderniste, që kishin gjetur në metropolet e Lindjes.
Poezia shqipe e viteve 1960 vjen më shumë si jehonë e Majakovskit se e Migjenit. Çfarë e bashkon me Migjenin është, para së gjithash, refuzimi i traditës – i temave pastorale, i vargut të matur dhe i klisheve të Rilindjes e të viteve 1930.
Nuk them dot nëse diçka e ngjashme ndodhi edhe në Kosovë, dhe aq më pak nëse kjo ndodhi si pasojë e kontakteve kulturore të poetëve kosovarë të brezit të ri me kolegët e tyre në viset e tjera të ish-Jugosllavisë.
Por edhe për Kosovën mund të pyetet: ku i ka rrënjët modernizmi (aq i vonuar, njëlloj si në Shqipëri) i poezisë kosovare?
Sërish roli i Migjenit më duket i tillë, sa të më lejojë ta shoh si një dukuri ishullore, në letërsinë shqipe, të paintegruar me prirjet e kohës.
Dhe ndryshe nga poetët e viteve 1960, të cilët patën sukses me importet e tyre, importet e Migjenit nuk gjelbëruan dot.
Kadareja, i cili e ka vlerësuar shumë Migjenin, nuk më duket të ketë ndikim prej tij, në poezinë e vet – dhe nuk e kam fjalën vetëm për formën.
Ndoshta Kadareja ka parë te Migjeni një paraardhës të vetin, si dikush që thyen konvencionet e traditës, qoftë edhe nëpërmjet importeve intertekstuale.
Këto importe kërkojnë detyrimisht edhe talent të madh, për t’u integruar: prej Majakovskit u ndikua, të themi, edhe Llazar Siliqi, por poezitë e këtij nuk zunë vend na kanon si ato të Kadaresë.
Sikurse kërkojnë edhe një terren të caktuar lashtëletrar, për të hedhur rrënjë: revolucioni në shqipen poetike nuk do të ndodhte dot jashtë kontekstit social të industrializimit dhe revolucionit teknologjik në Shqipëri.
Gjithsesi, këto janë tema që kërkojnë jo vetëm specialistët përkatës të letërsisë së krahasuar, por edhe një farë guximi intelektual për të dalë nga tradita mbytëse e kritikës letrare sociologjike.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.