Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë / Art / Histori / Kulturë / Udhëtime

VINCENT-I PARA VAN GOGH-UT

Reportazh

Ftesa për një vizitë shtatë-tetë orëshe në Borinage, një zonë e njohur qymyrmbajtëse në Wallonie (Belgjikë), ku Vincent Van Gogh-u ka kaluar disa vite të rinisë së tij, nuk refuzohet pa rrezikuar që të ndjesh keqardhje më pas. Aq më tepër që marshimet e gjata më këmbë janë gjëja që kam mësuar të bëj më mirë në jetë. Eshtë  e djelë, 28 korrik dhe shiu që ka rënë gjithë natën, sapo ka pushuar.

Takimi është lënë në fshatin Colfontaine, rruga Vilson 221, shtëpia ku ai ka banuar ndërsa zbriti për herë të parë në këto anë, dikur në dhjetor 1878. Shpreson të fillojë një jetë të re dhe ka bindjen se kishte lindur për të predikuar Fjalën e Zotit, por ende nuk e di se ky i fundit nuk ka të njëjtin mendim me të.

Përpara shtëpisë gjej një grup prej pesëmbëdhjetë vetësh, shumica të panjohur për njëri tjetrin dhe pothuaj të gjithë flamande e flamandë. I fundit erdhi arganizatori i vizitës, Filip Depuydt, udhërrëfyesi ynë i pasionuar (dhe meqë emrin e shkruante Filip dhe jo Philippe, kjo më ka lënë të kuptoj se edhe ai ishte flamand). E theksoj këtë sepse më tej, ndonëse do ta kishin mjaft më të lehtë komunikimin në gjuhën e tyre (që i bije të jetë edhe gjuha amtare e qiraxhiut të lartë të shtëpisë ku ndodhemi), vlerësova së tepërmi delikatesën që treguan duke u shprehur vetëm në frëngjisht në praninë time.

Dita filloi me një vizitë të ngeshme në shtëpinë para së cilës u takuam, ku natyrisht, për nevojat e sit-it të saj, bëmë edhe një foto grupi (këtu sipër). Përmendet në të gjithë librat e historisë së artit se pronari saj më 1878 ishte Jean Baptiste Denis. Ishte ai që i ofroi bukë dhe një shtrat Vincent-it (ishte Teo, i vëllai, që i paguante faturat), të cilit deri atë çast asgjë nuk po i ecte mbarë në jetë. Në të vërtetë sapo është përjashtuar nga një shkollë formimi për pastor, në Leaken dhe, siç mendohet, ka qenë një shok i kursit, që e këshilloi të shkonte ca kohë në Borinage, duke i dhënë edhe rekomandimet e nevojëshme. Ka një arsye që e shpjegon këtë. Ndryshe nga zonat katolike rrotull, aty gjendej një komunitet i vogël besimtarësh protestantë, të cilët kishin ikur nga Franca shekuj më parë për t’i shpëtuar persekutimeve.

Janë një seri letrash që Vincent-i i dërgoi Teos (faksimilet e të cilave janë afishuar pjesërisht nëpër muret e shtëpisë), që japin informacion të saktë e mundësojnë të ndiqen me detaje përshtypjet që i lanë atij këto anë. Janë letra aq të bukura, sa të shkon mendja të thuash se po të mos ishte bërë piktor, ai do të qe një shkrimtar i shkëlqyer. “Fshtarat këtu, thotë ai, kanë pamje të mjerë, të shkretuar, të vdekur sepse jeta është përqendruar nën tokë e jo sipër saj…”

Shtëpia vetë, më saktë restaurimi i saj, nuk më la përshtypje të mirë. Materialet e përdorura për restaurim ishin të shijes dhe kohës sonë, vështirë se të kujtonin atmosferën e një shtëpie bujku të shek. 19. Po ç’rëndësi kishte, atë ditë ne ishim të zotët e saj. Lëviznim lirshëm gjithandej, zbrisnim poshtë në kuzhinë, dilnim në kopsht, ngjisnim shkallët e qëndronim një copë herë te dhoma e sipërme, ku ndodhej shtrati i evangjelistit tonë 25 vjeçar (i fundit që ka fjetur aty është K. Douglas për xhirimet e një filmi Lust for Life nën drejtimin e V. Minelli-t), Ky shtrat, thotë Filipi, Vincent-it tonë nuk i solli shumë fat se vdiq i ri, por Douglas-it, ama! As që ka më ndërmend të vdesë!

Unë (midis nesh) e shumta besoj se mund të jetë një shtrat i asaj kohe, i atij modeli, por kurrsesi i piktorit të madh, por duke mos qenë fort i sigurtë, gjej rastin dhe bëj nje foto pranë tij. Gjithsesi, them.

A ka më të reja nga Vincent-i?

Në të vërtetë qëllimi ishte të marshoja disa orë në ato vende që ai i përshkruan aq mrekullisht ne letrat që i dërgon të vëllait, të shihja rrugët dhe fshatrat e asaj zone, të njihja diçka nga jeta e minatorëve të kohës, të zgjasja kokën te puset e thella e vdekjeprurës të qymyrit ku kishte zbritur edhe ai vetë, të njihja birraritë ku ishte futur për “një teke”, shtëpitë e minatorëve ku kishte predikuar me aq pasion, një pjesë e të cilave janë ende në këmbë, por edhe të mësoja diçka për jetën e pasardhësve të tyre. Është e tepruar deri në kufijtë e pa edukatës të thuash se shkova në Borinage të kërkoj gjëra të pathëna ndonjëherë për Van Gogh-un (sikundër është e pakëshillueshme të shkosh aty pa ditur gjë për të), ndërkohë që me qindra monografi kanë rrëmuar e skanuar çdo sekondë të jetës së tij. Po, a ekziston vërtet një mundësi e tillë, a mund të mësosh aty gjësendi të re. Mbase (pak si nën zë)…

Ndonëse ka një njohje të mirë të pikturës (diku në letrat e Teos atë fshat ai e krahason me tablotë e Brughel-it etj.), do të jetë vetëm dy vjet më vonë, në fshatin Cuesmes (jo shumë larg prej këtu), që Vincent-i (pasi provon edhe një zhgënjim të rëndë, për të cilin do flas më pas), vendos të bëhet piktor. Dhe si fillim, i kërkon Teos ca riprodhime të veprave të J.F.Millet, që t’i kopjojë. E, pra, këtu mësoj se ambicjet për t’u bërë i tillë, piktor, ai i ka treguar që më parë…

Filip-i, që nuk ngurron të komentojë çdo detaj të shtëpisë, dikur thotë: nja tridhjetë vjet më parë (kur sapo ishte emruar të punonte aty), tek ato shtëpitë në anën tjetër të rrugës, kam njohur një grua të moshuar, gjyshi i së cilës kishte patur mjaft miqësi me Vincent van Gogh-un. Midis të tjerash, ai i kishte treguar mbesës se kur erdhi këtu në Borinage, Vincent-i mbante gjithnjë pranë tabakë letre të një farë formati, në të cilat vizatonte me një lloj lapsi qymyri. Bënte me dhjetëra vizatime të fshatit, të banorëve të tij, të cilat pastaj i linte mënjanë, qoftë në dhomën e tij, qoftë në kuzhinë. E zonja e shtëpisë ishte e kënaqur nga një gjë e tillë. Shumë e kënaqur, madje. I bënte shuk ato, kudo që i gjente dhe i përdorte për të ndezur zjarrin. Ja, tek oxhaku që ka qenë këtu, thotë Filipi (duke më bërë të ngrihem instinktivisht në këmbë), ju mund të përfytyroni vetë se sa vepra të tij janë ngjitur lart dhe kanë shkuar në qiell në trajtë tymi.

Nuk di ta kem lexuar gjëkundi një gjë të tillë, edhe pse duhet verifikuar një monografi e vitit 1925, që dikush e ka bërë duke u mbështetur në dëshmitë e banorëve të këtij fshati, ku artistin e mbanin mend ende, por me emrin Monsieur Vincent. Si rregull duhej t’i thonin zoti famullitar, po ai nuk kishte titull zyrtar për një gjë të tillë. Por ndërkohë që punonte  vullnetarisht aty, do të ndodhë që fshatarët të ankohen te autoritetet protestante sepse nuk kishin një famulli të tyren dhe detyroheshin të shkonin në një fshat tjetër për ceremonitë e rastit. Ishte tamam një ankesë e tillë, që i shtyu autoritetet fetare t’i japin një shans atij vullnetarit me emrin Vincent Van Gogh, që rropatej prej disa muajsh atyre anëve. Dhe i firmosën një kontratë për gjashtë muaj, duke i thënë se mund të përtërihej më tej.

Ishte hera e parë dhe e fundit që ai do të ketë një rrogë në jetën e tij.

Fshat më fshat

Pasi morëm udhëzimet e duhura dhe ca të dhëna e detaje të zonës minerare dhe të fshatrave nga do të kalojmë, terrilet (kodrat me mbetjet e papërdorëshme të minierave) që do të ngjisim, birrarinë e fshatit ku janë bërë porositë për të ngrënë drekë, njoftohemi edhe për një pushim të fundit të Nadine Gravis, ku do të kemi rast të hamë një ëmbëlsirë karakteristike të zonës të njohur me emrin pagnon borain. Dhe nisemi për rrugë.

Mbase është rasti të thuhet se për shkak të një krisjeje tektonike që nxori në sipërfaqe një damar të rëndësishëm qymyri, në këtë zonë njerëzit e kanë mbledhur atë prej kohësh në sipërfaqe, në qiell të hapur. Në kohët e mëpastajme nisi edhe hapja e puseve. Kjo bëri të mundur që qymyri që nxirrej këtu, tamam këtu, nën këmbët tona, të ishte në origjinë të revolucionit industrial që nisi në shek. 19. Qe një energji e konsiderueshme dhe relativisht e lirë që zhvilloi industrinë siderurgjike, prodhimin në sasi të hekurit, që do të lehtësojë ndërtimin e hekurudhave, makinave, anijeve metalike, makinave të tezgjahut, por edhe të armëve të rënda etj.. etj.

Kalojmë mes pyjesh dhe arash të sapo kositura që ndajnë fshatrat dhe vështrojmë nga afër shtëpitë e minatorëve, qëndrojmë e diskutojmë rreth puseve të mbyllura tashmë dhe galerive të nëndheshme, që sot mbahen nën kontroll të rreptë, për të shmangur shembjet, meqë nëntoka poshtë shtëpive nga kalojmë ngjan të jetë poroze, si brendësia e një rrote djathi emental. Historia e këtyre fshatrave është plot tragjedi e dhimbje, shembjet dhe shpërthimet e gazit deri vonë ishin të shpeshta. Do të kemi rast të vizitojmë ndonjërën që ka shkaktuar viktima të shumta.

A kishte bindje politike Vincent-i?

Rrugës nga sit-i në sit kam rast të eci në krah me Filip-in dhe përfitoj ta pyes për çështje të ndryshme. Meqë zona të tilla ishin edhe vatra të veprimtarisë politike (mjafton të njohësh historinë Sindikatave dhe të Partisë Punëtore Belge, mjaft aktive në atë kohë), natyrshëm të vjen pyetja: a kishte ai, Vincent-i opinione politike, se kurrë nuk kam dëgjuar të flitet?

Qe një çështje që e pasiononte edhe Filip-in, por ndërsa thotë se nuk kishte dokumente që flasin për pjesëmarrjen e tij në ndonjë formacion politik, përkundrazi, kishte mjaft të dhëna që tregonin se në prani të vuajtjes dhe shfrytëzimit që shihte gjithandej, ai në shumë raste u bënte thirrje njerëzve të protestonin, të ngriheshin dhe revoltoheshin.

Bravo, Vincent! Jo fort në përputhje me misionin e një aspiranti për prift, por duket se artisti brenda tij nuk mund të heshtë.

Gjurmë jete…

Pas pyllit të Colfontaine-ës zbresim në një fshat të vockël me emrin Petit Wasmes, Filipi na tregon një portë të mbyllur me grilë metalike në radhën e një numri shtëpish të njëpasnjëshme. Lart te një frizë graniti është shënuar viti i ndërtimit të saj, më shumë se njëqind e pesëdhjetë vjet më parë.

Ai ul zërin dhe na thotë se personi që e ka blerë këtë shtëpi, nuk dinte shumë se çfarë të bënte me të, por vërente se shpesh aty vinin njerëz të huaj që e fotografonin (gjë që e bëmë edhe ne, fotoja pranë). I bezdisur shumë ai nisi të interesohej të kuptonte se çfarë kishte ndodhur në kthinën që kishte blerë. Dhe mëson diçka që nuk e dinte. Ajo shtëpi kishte qenë një birrari (brasserie), ku herë-herë vinte e kthente ndonjë gotë edhe Monsieur Vincent-i. Që atëherë atij i lindi ideja ta shndërrojë atë përsëri në birrari, i bindur se e ka të siguruar klientelën e ardhshme. Dhe shihet se ka filluar punimet…

Pak më tutje, shoqëruesi ynë, që shpesh ecën së prapi që të na ketë përpara vetes tek tregon gjithë zjarr, na premton se do të vizitojmë një shtëpi të veçantë, jo larg prej aty. Eshtë fjala për “Salon du bébé” i pranishëm në të gjithë librat e historisë së artit. Eshtë tamam shtëpia që komuna ia linte Vincent-it në përdorim për të predikuar fjalën e Zotit. Quhej e tillë sepse aty, në kohën e lirë familjet mblidheshin edhe për të luajtur një lojë me origjinë pagane, që kishte të bënte me fshehjen e në një fëmije që pastaj e gjenin në pyllin pranë…

Filip-i ndalon para saj dhe na siguron se e njeh të zonjën e shtëpisë që banon tani aty. Madje pak ditë më parë ka marrë premtimin e saj se edhe mund të fusë aty disa vizitorë. Jeni me fat, thotë dhe i bie ziles i kënaqur. Presim, por nuk dëgjojmë asgjë tjetër veç lehjes së dy qenve. Mbase ka dalë të bëjë pazar thotë ai, por unë pata përshtypjen se diçka lëvizi tutje perdes. Zonjës së moshuar do t’i ketë hyrë frika tek ka parë gjithë ato burra e gra që i kanë ndaluar para shtëpisë dhe e ka ndarë mendjen të mos e hapë. Në mos ka harruar fare bisedën me Filip-in dhe po mëdyshet nëse duhet të lajmërojë policinë apo jo. Do të qe në interesin tonë të përbashkët të zhdukeshim sa më shpejt prej aty…

Pusi

Një orë më vonë, hëngrëm drekë në birrarinë Millenum të fshatit Dour, ku më shumë më tërhoqi vëmendjen një turmë burrash e grash të gëzuara që pinin rrotull dikujt që rrinte gjysmë i shtrirë në një karrige me rrota, krejt indiferent ndaj gjithçkaje që ndodhte aty. Natyrisht, të prekur nga një eufori rurale, ne nuk munguam të rrëkllenim edhe nga nje shishe birrë të titulluar “La nuit étoilée” (Nata me yje), që jam i sugurt se do t’ju kujtojë nje tablo të fameshme.

Me tej, rruga vazhdonte përmes një pylli të dendur, ku me pak vëmendje aty mund të shihje ende mbetjet arkeologjike të një siti të madh industrial që vegjetacioni po e përpinte të tërin.

Kur dolëm prej andej, kishim mbërritur në Marcasse, një kompleks gjigant strukturash minerare tashmë të braktisura. Aty i ngjatemi një pusi të thellë prej 700 m, ku Vincent-i ka zbritur për t’u njohur me punën e minatorëve dhe në një letër që i shkruan të vëllait i jep përshtypjet e tij.:” …Kam kaluar gjashtë orë në thellësi të një miniere. Një nga më të vjetrat dhe më të rrezikshmet në këto anë që quhet Marcasse. Gëzon një emër të keq sepse shumë minatorë kanë gjetur vdekjen aty, qoftë ndërsa zbresin në thellësi, qoftë kur ngjiten, qoftë nga ajri i helmuar, nga shpërthimi i gazit, nga ujërat e nëndheshme apo nga shembja e galerive të vjetra. Eshtë një vend i zymtë dhe sapo e sheh gjithçka rrotull të duket ogurzezë dhe funebre…”

Në të vërtetë, ndërsa afrohemi aty shohim ende një altar ku digjen disa qirinj dhe një listë të gjatë emrash të gdhendur në mermer të zi.

Aty pranë, Nadine Gravis, na pret në një nga sallat e mbetura të atij siti industrial të braktisur. Na fton të ulemi rrotull ca tavolinave prej dërrasash të trasha dhe na ofron të hamë pagnon borain (nuk më pëlqeu). Rrotull muret e nxira që nga kohët e shkuara kur siti ishte funksional, janë mbushur me portrete të Van Gogh-ut. Dhe nga ato që na tregon, nuk ka dyshim se ajo grua pak e ngjallme dhe me pamjen e një gjysheje të mirë, që bën gjithçka që të kënaqë ata që ka rrotull, del të jetë nga njohëset më të shkëlqyera të Van Gogh-ut!

Ajo tregon për dashurinë dhe empatinë e tij të thellë për minatorët dhe familjet e tyre, si përpiqej e bënte gjithçka që të ndihej sa më afër tyre, si u merrte grave koshat me qymyr dhe i mbante vetë në kurriz, si zhgërryhej në fytyrë në qymyr, që të ngjante me ta. Më pas nuk shkonte më fare të flinte në shtëpi, të cilën ia la një burri të pastrehë, por te një kapanon (që është shembur vonë), me qëllim që të ishte në afërsi të përqendrimit të minatorëve, nuk lahej më, flinte me gjithë rroba…

…Dhe vjen një ditë që aty shfaqen tre pastorë të dërguar nga Qendra. Ka përfunduar koha e kontratës së parë prej gjashtë muajsh dhe ata duan të bëjnë një lloj bilanci të punë së tij. Por edhe t’i shpallin vendimin e tyre për zgjatjen e saj apo jo. Dhe realizohet varianti më i keq i mundshëm: ata refuzojnë ta shtyjnë më tej punësimin e tij sepse me jetën që bën ai “cënon dinjitetin e priftërisë”. .

Nadine thotë se mbase atyre u është dukur se ai bënte më shumë sa sa duhej.

Gjithsesi ai vendim bie si një sëpatë e ndryshkur në kokën e Vincent-it. Dheu i ikën nga këmbët. Nuk ka humbur vetëm të ardhurat e vetme që kishte mundur të fitonte në jetë, por edhe një punë që e donte me gjithë shpirt.

Janë këto rrethanat kur tërhiqet në fshatin Cuesmes, 7 km. më tutje. Aty mbyllet në vetvete dhe i shfaqen krizat e para, që iu acaruan edhe nga mardhëniet jo të mira me të zotin e shtëpisë… Pastaj qetësohet disi dhe i dërgon Teos atë letrën ku i kërkon riprodhime të tablove të J.F. Millet, për t’i kopjuar. Van Gogh-u po lind, edhe pse sa ishte gjallë askush nuk e mori vesh.

Ai nuk do të ktheht më kurrë në Colfontaine, por më tej do ta kujtojë këtë periudhë si më të bukurën e jetës së tij (Në Arles, ku shkoi më pas, banorët organizuan peticione dhe mblodhën firma që të shporrej sa më parë nga qyteti i tyre).

Më shkon mendja edhe te ata tre priftërinjtë, nuk e di nëse e kanë kuptuar ndonjëherë se vendimi i tyre i privoi  minatorët e varfër të Wallonie-së nga një famullitar i përkushtuar me emrin Monsieur Vincent, por i dha botës një piktor “të çmendur” me emrin Van Gogh?

Nga ana ime nuk e di nëse do të shpjegohet ndonjëherë se si është e mundur që jeta e njërit nga artistët më të mëdhenj të të gjithë kohërave do të kalojë si të qe një bezdi për të gjithë ata që e rrethuan?

Nadinë, që ëndërron ta kthejë atë gërmadhë në një qendër kulturore kushtuar piktorit të madh, ngrihet e na përcjell te dera. Unë përfitoj nga rasti t’i bëj një foto.

Rrugës së kthimit i ndjej ende të forta përshtypjet e asaj vizite dhe pyes veten se sa ka ndikuar te shëndeti i tij mendor mizerja dhe vuajtjet që jo vetëm i pa nga afër, por edhe u përpoq t’i jetojë në trupin e tij?

Gjatë punës sime si animator social, një farë famullitari i kohëve moderne, kam bërë mjaft formacione dhe specializime që kishin për qëllim përsosjen e teknikave të dëgjimit. Porosia që na jepnin psikologët ishte se përballë problemeve dhe vuajtjeve që ndeshnim te njerëzit me të cilët merreshim, duhet të dime edhe të “ulim perden”. Me këtë donin të thonin se njerëzit me të cilët punojmë duhen dëgjuar me korrektësinë më të madhe për problemet që kanë, duhen ndihmuar me të gjitha mundësitë që na jepnin ligjet ku mbështetej puna jonë, por nuk është e nevojshme të marrim pjesë njëlloj si ta në vuajtjen e tyre. Ndryshe, na thonin, do ta keni të vështirë të mbani në veten tuaj të vogël vuajtjet dhe mizerjen e të gjithë botës. Eshtë me pasoja. Tërthorazi pra, këshillohej një lloj distancimi profesional.

Nuk ka dyshim se Vincent van Gogh-u, jo vetëm i njohu nga afër, por ai i ndjeu në mishin e nervat e tij vuajtjet e tmerrshme të komunitetit më të cilin jetoi aty, në Borinage. Në këto rrethana, a mund të mendohet se shëndeti i tij mori goditje të pariparueshme (edhe) sepse nuk pati pranë dikë ta këshillojë të “ulë perden”?

Pyes sa për të kaluar kohën. Kam rrugë të gjatë për t’u kthyer në shtëpi.

……………….

Të gjitha fotot janë të autorit.

 

2 Komente

  1. Pergezime autorit per reportazhin. E lexova me shume interes.Kam patur rastin (fatin) te vizitoj Muzeun e Van Ghog ne Amsterdam dhe me ka rene shume ne sy ndryshimi i ngjyrave dhe atmosferes ne tablote e kesaj periudhe nga ato te Frances. Ky shkrim jep nje shpjegim shume te detajuar te arsyeve pse.

    1. Ne vitin 2015, kur qyteti belg Mons, 10 km larg Borinage, u shpall kryeqytet evropian i kultures (per ata qe e njohin vetem si vendndodhje te Shtabit ushtarak te NATO-s, i siguroj se eshte nje qytet i mrekullueshem), u çel edhe nje ekspozite e jashtezakoneshme me vepra te Van Gogh-ut, qe e vinte theksin pikerisht ne kete ane: çfare mbarti artisi i madh nga ajo periudhe vendimtare e jetes se tij? Faleminderit.

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading