Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Botime / Letërsi / Lexim

INSTITUCIONE DHE PLATFORMA

Në një koment në Facebook, për temën e letërsisë shqipe online që kemi trajtuar me një seri shkrimesh kohët e fundit, Ines Topi shkruan:

çfarë e bën një tekst, apo edhe një fjali te vetme online, letërsi? Kush vendos? Publiku i gjerë? Njoh njerëz që shkruajnë romane të tëra në Facebook, si tip ditari, me statusin ‘public’, të cilët për mua futen te gjërat që normalisht nuk i interesojnë njeriu tjetër. Për shembull si e çoi fëmijën në kopsht, çfarë i dha për të ngrënë, pushimet në Disneyland…dhe prapë këto statuse lexohen, edhe ndoshta vetëm për faktin që janë qesharake. Ka pastaj njerëz që mund të shkruajnë për të njëjtat tema, por me një stil apo humor të veçantë, të cilët e bëjnë leximin e statuseve të tyre një kënaqësi ditore për shumë lexues/e. Ka njerëz që vënë poezi në Instagram, të cilat botohen dhe kanë publik, i cili do të bënte xheloz çdo shkrimtar/e tjetër, por që edhe kritikohen si tekste me gjasë jo-letrare. Ka fan fiction, që e përmend dhe Adela [Radovani], i cili shpesh për mua është më interesant se libri origjinal. Interneti i jep publikut mundësinë të zgjedhë vetë çfarë do të lexojë, por është njëkohësisht i mbushur me gjëra jo-relevante për një botim internacional online 🙂. Ka dhe një fenomen tjetër që është tërheqës në kohët e Internetit: një tekst i botuar (p.sh. në një revistë apo gazetë), i cili përhapet brenda disa orëve në versionin online – it goes viral – dhe lexohet nga njerëz, të cilët nuk do ta kishin blerë apo lexuar revistën. Edhe ky është pra një sukses online i tekstit.

Koment i pasur me spunto dhe që, për mendimin tim, mund edhe të reduktohet në pyetjen: çfarë është sot letërsia? Dhe, më konkretisht, çfarë është sot letërsia shqipe? Dallimi nuk është trivial, për arsye që do ta qartësoj në vazhdim. Gjithsesi, përkufizimi i letërsisë nuk vjen lehtë, madje edhe po të mjaftohemi me fiction; një përkufizim tradicional do të ishte që LETËRSI është gjithçka që botohet (shtypshkruhet). Ky do të ishte edhe një përkufizim institucional i letërsisë, meqë, në thelb, nëse diçka botohet e shtypshkruar apo jo, këtë e vendos një institucion që – të paktën në botën tonë – është shtëpia botuese. Nëse unë shkruaj ditar dhe ua tregoj dy-tre vetëve, kjo ende nuk është letërsi, por quasi letërsi; madje e tillë do të mbetej, në përkufizimin tradicional të letërsisë, edhe sikur ditarin tim ta shumëfishojnë dhe ta shpërndajnë – për shembull për të më tallur mua, etj. Botimi, në këtë kontekst, është edhe akt performativ: nuk e bën dot kushdo, por vetëm një institucion i autorizuar: shtëpitë botuese kanë kështu fuqinë a titullimin për të caktuar se çfarë është letërsi dhe çfarë nuk është. Për letërsinë fiction vjen pastaj në vështrim edhe vlera e përdorimit, që do të ishte për arsye estetike ose për t’u dëfryer – çfarë do trajtuar gjetiu.

Përkufizimi tradicional vendos edhe një ndarje domethënëse midis krijimit të tekstit (të shkruarit) dhe botimit, që përfshin dhënien e tekstit në trajtë të shtypur (libër, revistë, etj.) dhe shpërndarjen e tij, përfshi këtu edhe shitjen. Tek e fundit, shtëpitë botuese, si institucione me të drejtë të vendosin se çfarë është letërsia, janë edhe sipërmarrje zakonisht për qëllim fitimi, çfarë do të thotë se e marrin vendimin duke pasur parasysh edhe tregun. Kjo nuk do të funksiononte me mallra të tjera: një fustan që ta ka qepur tezja mbetet fustan; një bukë e pjekur në shtëpi mbetet bukë. Por një fletore me poezi të shkruara me dorë ende nuk i plotëson të gjitha kushtet, për t’u quajtur letërsi: plotëson vetëm disa, por jo të gjitha.

Tani, si institucione, shtëpitë botuese pritet që ta përligjin statusin e tyre performativ – duke iu përgjigjur besimit të publikut. Dhe pikërisht, të botojnë tekste të denja për t’u quajtur letërsi; çfarë vjen në vështrim edhe te komenti i Ines Topit më lart, ku theksohet aspekti formal, estetik, stilistik i një teksti. E realizojnë këtë duke marrë në punë ose duke angazhuar profesionistët përkatës – zgjedhësit e talenteve, redaktorët, kritikët letrarë e kështu me radhë, çfarë është edhe në interesin e tyre; meqë një shtëpi botuese që nxjerr letërsi të keqe do të rrezikojë falimentimin.

E gjithë kjo në teori. Në praktikë të gjitha këto janë vënë diskutim. Duke filluar edhe nga vetë përkufizimi i letërsisë: çfarë peshe i mbetet institucionit botues, kur ndodh që një këngëtar folk/rock, si Bob Dylan-i, të fitojë Çmimin Nobel në letërsi? Nga ana tjetër, çfarë efekti ka, në prodhimin dhe konsumin letrar, mundësia që u jepet të gjithëve për t’i publikuar tekstet e tyre pa ndonjë ndërmjetësim dhe menjëherë, në platforma jo-konvencionale si rrjetet sociale, ku mund t’i lexojnë miliona? Shto këtu edhe që, në Shqipëri dhe në botën shqiptare në përgjithësi, shtëpitë botuese po e humbin gradualisht privilegjin institucional, sa kohë që lejojnë botime veprash letrare me pagesë si të ishin vanity presses; çfarë nuk i dallon nga rrjetet sociale? Aq më tepër, kur një autor ose dikush që dëshiron të bëhet autor e ka më të garantuar publikun po të botojë online se po të botojë një libër që nuk do t’ia blejë kush? Dhe kur, sërish, shtëpitë botuese, nuk kanë interes të promovojnë letërsi vendëse dhe as të kërkojnë dhe të lançojnë autorë të rinj vendës, meqë i nxjerrin fitimet me mënyra të tjera?

Me fjalë të tjera – sa i përket letrave shqipe, nuk është thjesht botimi lirshëm në rrjetet sociale, mungesa e filtrave profesionalë dhe vështirësia e autorëve që botojnë online për t’u “rritur” estetikisht; por edhe konteksti i botimit shqip në krizë, modeli i gabuar që ndjekin shumë shtëpi botuese, çinteresimi kriminal (e theksoj, kriminal) i shtetit ndaj letërsisë shqipe bashkëkohore dhe rënia e interesit për librin edhe për shkak të çmimit të lartë, që problematizojnë skajshëm statusin e letërsisë online. Për brezin e ri, shtëpitë botuese e kanë humbur prestigjin dhe autoritetin e dikurshëm – dhe aq të nevojshëm – për t’u konsideruar si garante të letrarësisë së një teksti: ngaqë kushdo është në gjendje ta kuptojë se një shtëpi botuese, që i kërkon një autori para për t’ia botuar librin, nuk meriton status kulturor; dhe duhet futur në një kategori me qendrat e masazhit, floktoret dhe shërbimet e tapicerisë. Me këtë nuk dua të them se çdo libër duhet botuar; por vetëm që institucionet botuese serioze janë të tilla edhe ngaqë u respektohet refuzimi i botimit. Prandaj edhe ky autor, që mendon se ka diçka për të thënë dhe që nuk beson se, duke paguar për librin e vet, do t’i bëjë vetes dhe teksteve të veta shërbimin e duhur, parapëlqen t’i hedhë krijimet online.

Çfarë po ndodh, mu nën sytë tanë, është de-institucionalizimi i enteve botuese; ose de-coupling-u i letërsisë nga libri. Dobësimi i rolit kulturor të shtëpive botuese sjell de-masivizim të botimit, që nuk mund të kompensohet me nisma të tipit “të lexojmë së bashku”; nga ana tjetër, masivizimi që të lejon platforma botuese e uebit 2.0 dhe rrjeteve sociale gjithnjë kundërpeshohet nga atomizimi: ka autorë, ka lexues, ndoshta ka edhe komentues, por të gjithë këta e kanë të vështirë të funksionojnë në sistem. Për mënyrën si e shoh unë, problemi real, për të gjithë ata që zgjedhin të botojnë online, është si të rriten si shkrimtarë, ose si ta lënë veten pas, për të rizbuluar një vete superiore. Platforma vetë nuk garanton asgjë.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin