Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PËR ZGJEDHJET NESËR

Nuk jam më qytetar i Shqipërisë dhe nuk jetoj atje; pavarësisht se gjithçka në jetën time publike i është kushtuar kulturës shqiptare.

E kuptoj se të gjitha opinionet e mia për situatën politike të atjeshme kushtëzohen edhe nga fakti që unë nuk jetoj atje dhe as e ndiej, në planin personal, presionin e politikës të atjeshme. Zgjedhjet dhe preferencat e mia politike për Shqipërinë nuk vënë në pikëpyetje as të ardhmen time, as të familjarëve dhe të dashurve të mi.

Në një situatë të ngjashme, kur u ftova të hedh votën – pak vjet më parë në SHBA – për të zgjedhur midis Donald Trump-it dhe Hillary Clinton-it President, të dy të pashijshëm për mua, vendosa të mos votoj, edhe pse atje pa rrezikuar gjë.

Por e kam të qartë edhe që rrethanat në Shqipëri janë të tjera, madje shpesh të paimagjinueshme për dikë si unë, që jeton kaq larg.

Prandaj dua vetëm t’ju lutem miqve të mi, që i lexojnë këto rreshta dhe që nesër do të shkojnë të votojnë, që në momentin kur të hedhin votën, të ndalen vetëm një çast dhe të reflektojnë për çfarë janë duke bërë dhe për efektin e aktit të tyre individual.

Vota e nesërme nuk është vetëm votë për pushtetin lokal, por edhe instrument për të riprodhuar një konfigurim politik të caktuar – i cili, siç e treguan ngjarjet e muajve të fundit, në Shqipëri ka dështuar.

Në shumë qendra votimi, zgjedhësve madje u mungon alternativa: ata ftohen të votojnë për një forcë politike vetëm, sepse krahu tjetër është tërhequr tashmë nga zgjedhjet.

Unë, që e kam jetuar sistemin e mëparshëm dhe e di se çfarë funksioni të pështirë, rreshtor, koreografik kishte vota në monizëm, këtë herë do të kisha hedhur votë të bardhë, sepse do të mundesha; ndryshe nga më parë, kur nuk mundesha.

Kjo do të ishte një mënyrë për ta refuzuar sistemin e sotëm politik, gjithë duke votuar. Jo duke u vënë zjarrin strukturave publike dhe as duke rrëzuar statuja. Duke votuar.

Vendimi i palës në pushtet dhe i PS-së për të vazhduar normalisht me zgjedhjet lokale ishte vendim i dëshpëruar, edhe pse njëfarësoj i diktuar nga rrethanat.

Zgjedhësit ende i kanë mundësitë për ta refuzuar këtë sistem politik edhe qesharak edhe tallës me ta, duke përgatitur kështu terrenin për një asamble kushtetuese, e cila t’i japë më shumë fuqi qytetarit kundër partive dhe partitokracisë.

Në një vend ku organet e larta të gjyqësorit i kanë shpërndarë, ku legjislativit i ka mbetur vetëm gjysma, ku Presidenti revoltohet kundër Kushtetutës dhe ku një parti bën fushatë elektorale (të kushtueshme), feston, shkrep fishekzjarrë, organizon koncerte dhe tund flamujt përballë vetes në pasqyrë; në një vend të katandisur kështu, zgjedhjet – çfarëdo zgjedhjesh – vetëm i shërbejnë riprodhimit të krizës.

Zyrtarët dhe funksionarët e huaj, miqtë dhe aleatët e Shqipërisë, që janë shprehur për këto zgjedhje, e kanë bërë këtë ngaqë u është kërkuar me këmbëngulje prej palëve në Shqipëri. Por nuk mund të pritet prej tyre të bëjnë atë që duhej të bënin dhe që mund ta bëjnë vetëm zgjedhësit – ose që të legjitimojnë një pushtet i cili po rrezikon të humbë çdo lloj legjitimiteti në raport me qytetarët e vet.

Për sistemin kushtetues të tanishëm kërkohet vetëm mëshirë: ishte një përpjekje e dështuar e disa pak entuziastëve dhe oportunistëve, për të kopjuar kultura dhe vende me të cilat nuk na lidh shumë, veç dëshirës. Ndoshta qytetarëve u takon tani të shqetësohen më shumë se çfarë sistemi kushtetues do të meritonin ata vetë, në vend që të rrinë dhe të ruajnë se çfarë do të thonë konsujt e Fuqive të Mëdha, të cilët – nëse janë vërtet miq – nuk mund veçse të na ndihmojnë për t’i marrë vetë punët tona në dorë.

Në këto 30 vjet janë harxhuar ndoshta miliarda euro nga gjithë bota, për ta “qytetëruar” politikisht Shqipërinë. Nëse rezultat i këtij investimi është votimi absurd i këtij 30 qershori, atëherë edhe më syleshi nga zgjedhësit duhet ta ketë kuptuar se kështu nuk vazhdohet më dhe se loja është luajtur dhe është fituar tjetërkund.

Edhe një herë, miq: ju meritoni shumë më tepër, prandaj gjeni pak kohë, qoftë edhe një sekondë të vetme, për të reflektuar, kur të jeni përballë kutisë së votimit dhe ndërgjegjes suaj politike nesër.

(c) 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

28 Komente

  1. Thirrje e çmuar!

    Ne kushte kaq te jashtezakonshme, vetem nje bojkot apo vote e bardhe masive, do te ishte mesazhi i duhur qe as socialistet nuk e duan nje autokraci te tyren. E tyrja eshte sa per sy e faqe, se dihet kush i nxjerr perfitimet e kush i merr tenderat e koncesionet.

    Sfida me e madh eshte te thuash , nuk e dua autokracine, as kur eshte e kryetarit te partise time. Legalisht bashkite do te jene njesoj te Rames, se ne gjysmat e bashkive ska asnje konkurrent, as sa per sy e faqe, keshtu qe fitohet edhe vetem me voten e kandidatit.
    Sfida e socialisteve eshte morale, me veten, por edhe do tia bejne te qarte elektoratit gri, nese Partia socialiste eshte parti e pashprese per nje vend demokratik apo ka ende ndonje shprese.

    Gjithsesi nuk besoj se socialistet do bojkotojne ne mase, se nuk besoj tek ndonje vlere demokratike apo pergjegjesi e tyre, sipas meje do zene radhen per te votuar qe ne 6 te mengjesit.

    Do thone po nuk vajtem, opozita do thote qe jemi te tyret dhe Rama do te jete me i dobet ne negociatat ne vijim, prandaj do votojme… e do votojne.

  2. Nje thirrje e papergjegjshme dhe e pabesueshme qe vjen nga nje person i cili, nga c’kam pare dhe lexuar deri me sot, eshte person paqesor dhe jo i dhunshem.
    Te besh nje thirrje te tille, do te thote te aprovosh qasjen e PD-se – partia qe e shkaktoi mungesen e alternatives ne keto zgjedhje. Do te thote te aprovosh molotovet, dhe intimidimin e njerezve qe ne mos Ed Ramen – cunin tone – duan paqen dhe besojne ne idene qe sistemet permiresohen me paqe dhe me miresi dhe jo me ekstremizma dhe dhune.

    1. Asnjë nga këto që thua, Vendet Tona, nuk gjendet në shkrimin tim. Përkundrazi. Unë jam që zgjidhja të vijë nga kutia e votimit. Shpresoj, uroj dhe lutem që gjithkush që voton, të reflektojë për një moment para se ta hedhë votën. Të shkosh të votosh, nesër dhe kurdoherë tjetër, nuk është si të shkosh në palestër dhe ta vësh trurin në stand-by. Natyrisht nuk mund t’u them njerëzve se si të votojnë. Por po të më pyeste kush, do t’u thoja që të hidhnin votë të bardhë (scheda bianca). E dhunshme është edhe kjo? (M’u përgjigj për këtë të lutem, nuk është pyetje retorike). Se po të jetë edhe vota e bardhë e dhunshme, atëherë nuk do të kish gjë më të dhunshme, se fushata elektorale para pasqyrës, dhe djegia e miliona lekëve të qytetarëve për një super-farsë… Të gjithë do të përfitonin nga vota e bardhë, madje edhe PS-ja.

      1. Keto jane llafe te bukura dhe te mire menduara, qe ne fund kane nje firme- RAMA IK.
        “Dog whistling” i thone ne anglisht kesaj qasjes tende.
        Eshte komplet normale te mos duash njerin apo tjetrin politikan, por dhuna dhe braktisja e sistemit edhe dicka qe une, nga njerez si ty, pres te denohet me terma te ashpra, ose ne rastin me te keq te mos aprovohen dhe sanksionohen.

        1. Në fakt jo. Vota e bardhë është refuzim i sistemit nga brenda sistemit. Edhe më shumë se, bie fjala, bojkotimi i votës. Dhe gjithsesi, këtu po flitet për punë më të rëndësishme se “Rama ik”, me të cilat engledisen ca në Shqipëri. Nëse sistemi është në krizë, Rama ka përgjegjësinë e vet për të mbajtur.

          Dhe gjithsesi, atë punën e dog whistle e di edhe unë. Por unë s’kam nevojë për dog whistles, sepse nuk jam politikan dhe as i flas ndonjë baze. Unë mund t’ia lejoj vetes të flas nga pozita etike, gjë që shumë të tjerë nuk e bëjnë dot. Por ky avantazh imi është i rastit, sepse nuk jam burrë më i mirë se të tjerët.

          Sikurse Dies Irae më lart, edhe unë jam i bindur se edhe PS-së i ka ngecur monizmi në dorë dhe duhet të gjejë një mënyrë për ta kthyer normalitetin, pa u gangrenizuar plaga.

          Dhe më në fund, Vendet Tona, sido që ta rrotullosh, komenti yt i parë ishte prej trolli. Nuk ka as thirrje, as implikim thirrjesh për dhunë në shkrimin tim.

        2. Hajde dhune llogjikes hajde. Autori te con tek kutia e votimit pa dhune, ti thua kjo eshte dog whistle se kerkon largimin e Rames me dhune! JO! Vota e bardhe kete here i heq cdo te drejte morale cdo partie per te pretenduar se dolen te fituar edhe ne humbje.

        3. Koment jo vetem prej trolli, sic thote Vehbiu, por prej trolli qe e ben te qarte shume filoRamizmin e tij duke klithur per gjoja dhunen qe nuk po denohet por po nxitet. Po mor po, Rama duhet te iki nje ore e me pare sepse edhe vetem si njeriu me i pushtetshem ne Shqiperi dhe si teresisht autokrat e autoritar ne ushtrimin e ketij pushteti, pa marre parasysh faktet e tjera, eshte pergjegjesi kryesor i krizes. Rama eshte ne pozitat qe ishte Berisha ne Mars te 1997-tes, ku ne vend qe te jepte doreheqjen vendosi te rizgjidhej president ne mes te gjendjes se jashtzakonshme, kur shteti ishte shkerrmoqur, kur qeveria Meksi kishte dhene dorheqjen e parlamenti gjysmak e kukull kishte dale nga zgjedhjet katastrofe te majit 1996. Zgjedhjet e nesermeve jane 3 Marsi i Rames.

  3. E drejte, pergjigje trolli. Edhe inferiori.
    Pse? Sepse nuk bie dakort me ty.
    Normalisht, nese ti do mendoje qe kjo eshte nderhyrje trolli, do me censuroje direkt dhe nuk do kishim kete shkembim bashke. Nejse…
    Dhe jo, ka edhe nje parti tjeter aty ne zgjedhje- Partia Bindja Demokratike.
    Si edhe disa kandidate te pavarur.
    Por ti tashme e ke marre vendimin qe keto jane zgjedhje farse!
    Pse?
    Sepse cdokush qe ka vene kandidature eshte bere pjese e sistemit. Dhe ti, qe tashme e ke marre vendimin per sistemin, e konsideron cdokend qe luan brenda sistemit si jo-legjitim dhe si kukull te cunit tone.
    Ti aprovon dhe sanksionon qasje extra-legale.
    Mbaje!
    Kane nje jave ketu me mesazhe anti-semite me Soros dhe nuk ndihesh, lere me qe ti qortosh, por kercen pupthi me ofendime personal kur dikush te del ballazi.
    Hajde naten tani, dhe mos m’u zemero, se “kush leu, mendjen e vet pelqeu”.

    1. Nuk i kam “studiuar” komentet tek tema tjetër, por edhe nuk kam parë ndonjë gjë flagrante anti-semite. Kam parë dialog dhe debat mes njerëzish të interesuar për marrëdhëniet e një personi privat – George Soros-it – me Shqipërinë. Edhe unë e kam vënë re se ka ndonjë rast kur Soros-i kundërshtohet dhe denoncohet në kontekste diskursesh anti-semite, por nuk besoj se kjo ka ndodhur te Peizazhet. Hapësira shqiptare nuk ka pasur dhe as ka problem anti-semit. Gjë e importuar prej majmunëve politikë, si edhe shumë të tjera… I vetmi përfundim që mund të nxjerr nga insinuata më lart, pa të lënduar personalisht, është se ti nuk e di se çfarë është anti-semitizmi.

      Lexim i sugjeruar:

      https://www.adl.org/anti-semitism

      Të lutem mos e vazhdo më këtë temë në këtë kontekst diskutimi. Se të akuzova për troll për një koment, kjo nuk do të thotë se duhet të më japësh të drejtë me çdo kusht.

  4. Nga pikepamja teorike ka pasur e ka debat nese duhet te kete quorum edhe per zgjedhjet, perpos referendumit qe e ka gjithnje e ne çdo vend kuorumin e vlefshmerise. Maqedonia fqinje ka kuorum, te pakten per zgjedhjet e fundit.

    Pra terheqja e opozites nga zgjedhjet nga pikepamja e debatit doktrinor per kuorumin e vlefshmerise, eshte llogaritur si mjet i mundshem legjitim per anullimin e zgjedhjeve.
    Vlen gjithnje per referendumet, qe po u terhoq opozita kuorumi nuk plotesohet asnjehere.

    Pra nuk eshte se doktrina demokratike eshte e qarte dhe e prere persa i takon penalizimit te opozites ne rast te braktisjes se zgjedhjeve. Maqedonia eshte prove dhe Maqedonia nuk eshte ne Oqeani.

    Nuk mund te pretendohet qe kur nje pale nuk paraqitet ne zgjedhje, pala qe fiton ne tavoline ka edhe doktrinen demokratike nga prapa. Ka legalitetin, por jo automatikisht doktrinen demokratike. E kunderta eshte e vertete, doktrina demokratike ben me faj edhe palen qe fiton ne tavoline, qofte nepermjet mundesise se kuorumit, qofte nepermjet vete fitores absolute.

    Vete fitorja absolute nuk mund te pranohet si demokratike dhe shprehese e vullnetit te sovranit, sepse nuk ka sovran ne bote qe eshte 100% i nje mendjeje.
    Fitorja absolute eshte anomali ne demokraci dhe norme ne diktature.

  5. Ne fakt zgjedhjet e neserme jane te lehta. Votohet me prani ose mosprani. Kane shans edhe ithtaret e votes se bardhe por edhe ne kete rast kjo zgjidhet me mire me mospranine e tyre. Pse? Sepse komisioneret do te jene vetem te PS-se dhe shkuarja masivisht per te hedhur vote te bardhe do numerohet sic duan specialistet e perhershem te ketyre puneve.
    Prandaj neser eshte e thjeshte. Edhe ata qe duan t’i vene kryq, mund t’ia vene me mospranine e tyre. Voten e bardhe mund ta aplikojne vetem ata qe jane te detyruar te shkojne si psh administrata.

    Une e shoh me te komplikuar ne zgjedhjet e ardheshme kete punen e dilemes se zgjedhjes apo edhe votes se bardhe.

    1. Ne fakt duke pase komisionere e numerues ata mund ti mbushin vete fletet e votimeve dhe te dale sikur kane votuar nja 2 milion votues, plebishit i vertete, 2 milion shpulla. Ka ndodhur qe ne kuti te kete pasur me shume vota sesa votues te regjistruat ne zone, sipas parimit e tejkaluam planin me 110 %.

      Gjithsesi te pakten do kenaqet Zaloshnja keto dite.

  6. Chapeau A.V. për këtë thirrje!

    Që kur u bëra qytetar i vendit ku jetoj tani unë nuk kam lënë asnjë votim të më shpëtoj pa shkuar dhe votuar – zgjedhje qëndrore apo komunale, të Evropës apo referendume, gjithnjë e gjej një 15-minutësh të shkoj e të votoj; vota në demokraci është sa e drejtë, aq edhe obligim. Por farsës së nesërme në Shqipëri – që qeveritarët aty paturpësisht e quajnë votim demokratik – unë do t’i rrija larg si murtajës, ose, po të më detyronin të votoja – si bëjnë pushtetarët socialistë me nëpunësit e shtetit aty – vota ime do të ishte e bardhë.

    Nuk mund të legjitimohen zgjedhjet kur horra në pushtet dhe me pushtet u bëjnë terror mësuesve dhe nuk u hyn gjemb në këmbë:

    “Merri në telefon një nga një. Ditën e hënë keni shku për lesh të gjithë. Gjithë drejtorat në telefon, thuaji ‘raportoni për kë keni marrë në telefon’ se janë tu fjet gjumë. Gra burra, ca të jenë. Do ja kujtoni një më një të gjithë mësuesve sipas listës që keni pru. Nëse duan që ditën e hënë të jenë në punë. Nëse nuk dun, në p**** të s**** se ja kam q* r***.”

    (Para zgjedhjeve vendore në Dibër në 2016-ën, Arben Keshi, atëherë drejtor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i thotë Drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Dibër Drini Gjeçi; nga përgjimet e Bild-it, të pakonfirmuara por edhe të pakontestuara)

  7. Ja ku e shkruar xhaxha, e zeza ne te bardhe.

    Vota e nesërme nuk është vetëm votë për pushtetin lokal, por edhe instrument për të riprodhuar një konfigurim politik të caktuar – i cili, siç e treguan ngjarjet e muajve të fundit, në Shqipëri ka deshtuar.
    Po votove -pavaresisht se per KE voton, ja zgjat jeten ketij, qe te perdor nje tjeter term tendin nga shkrime te shkuara, “regjimi”.
    Kete thote PD-ja. Kete thua edhe ti. Ti do ti deligjitimosh votimet, mu si PD-ja. Ti e aprovon qasjen ku nje parti politike (pd-ja ne kete rast) e ndikon dhe e afekton sistemin politik me metoda jashte-ligjore ose para-ligjore. Pra une nuk marr pjese ne zgjedhje dhe si rrjedhim zgjedhjet nuk duhet te behen!!!!
    Prandaj t’u turra edhe une.
    Me beso, nese do thoje votoni per cdo njeri tjeter por KURRE per PS-ne dhe Ed Ramen -cunin tone, as nuk do kisha problem fare.

    1. Vendet tona ti je nje shembull qe ilustron tezen time ne diskutimin me Engjellin, qe Sorrosi ka deshtuar ne demokratizimin e vendit se puna e fondet e tij japin si rezultat njerez qe flasin si puna jote dhe mbeshtesin kapjen e te gjitha pushteteve nga nje person. Ndahemi me Engjellin se ai thote fajin e kane njerezit si puna jote por jo Sorrosi, kurse une them se fajin nuk e kane njerezit ai puna jote, por Sorrosi. Tani, njerezit si puna jote, qe jane edhe produkt i Sorrosit, krahas aktoreve te tjere demokratizues te ketyre 30 vjeteve, jane shume te gezuar keto dite dhe mendojne se e kane ne xhep qe Gj.Kushtetuese do behet me njerez qe ka zgjedhur Amerika (socialiste kuptohet, jo te saliut), te cilet do certifikojne zgjedhjet e do shkarkojne Meten, keshtu se shpejti Rama do te kete edhe Presidencen. Duke pare edhe ligjin per shpifjen qe afron konceptualisht me ligjin per agjitacion e propagande, i bie qe shume shpejt do te degjojme vetem pordhet tuaja. Pastaj Rama do lexoje filxhanin dhe do vijne rilindasit euro-amerikano-sorrosiane e do na thone ca ka thene filxhani i Rames. Gjithsesi xha xhai ka shprehur disa here se nuk do i vinte keq te ishte disident. Si po duken bathet, Rama mund t’ia plotesoje kete deshire.

    2. Vendet tona, mblidh veten se je duke shkruar jangllësh.

      Autori sugjeroi votimin me fletë të bardhë, dhe kjo është diçka që NDODH brenda sistemit të votimit. Edhe arsyet që dha ishin normale, të buruara nga bota e arsyes. Sistemi ka dështuar dhe kjo është e dukshme. Shkakun i dështimit gjendet brenda sistemit vetë. Sistemi në këtë formë riprodhon dështimin e vet.

      Një mënyrë fisnike për t’i bërë rezistencë një sistemi të dështuar që riprodhon veten është më siguri edhe vota e bardhë. Madje nuk e di se cila do të ishte diçka tjetër më efikase për t’i thënë sistemit, që UNË TË REFUZOJ NË KËTË FORMË, se si ti më ofrohesh si alternativë për të zgjedhur, ngaqë kjo është farsë.

      Edhe unë kam votuar këtu në botën time dy herë në zgjedhjet lokale duke e bërë fletën e votës të pavlefshme. I vura një kryq diagonal të gjithë fletës, për të treguar refuzim për partinë që zgjidhja ato kohë. Ideja e autorit, për ta hedhur fletën e bardhë më duket madje edhe më adekuate për situatën shqiptare, ngaqë zgjedhësi thotë kështu, se nuk do të bëhet pjesë aktive e kësaj farse.

      Dhe zgjedhësi në Shqipëri i ka të gjitha të drejtat për të besuar, sot, se zgjedhjet politike atje janë farsë. Nuk i shkruaj këto rreshta me shpresën të të ndërroj mendimin, ngaqë ti je partizan, por vetëm ngaqë janë mendime që duhen shprehur publikisht prej kujtdo, që ka respekt për veten dhe për komunitetin.

      Ajo që u mundove të bësh, ta vësh idenë e autorit në një kontekst brendapartiak shqiptar uroj të ketë qenë gafë nga mungesa e dijes. Me përjashtim tëndin dhe të ndonjëherë të dikujt tjetër, i cili “kallet” për një kauzë, në përgjithësi njerëzit në këtë blog kujdesen shumë për një higjienë politike personale të mbështetur në parime etike të larta. Edhe aludimi për ta qasur autorin në një farë mënyre me dhunën është jashtë logjikës së gjërave. Nuk kishte dhunë askund, dhe ta përmendësh atë, do të duhesh ta shpikësh. Ose ta shpifësh. Dhe këtu fillon mizerja e trollit.

  8. X-i thote do bej shtet. Shteti behet me ligje, ndaj X-i ben ligjet. Po X-i zgjedh Y-in ne postin me te larte te shtetit. Ligjet e shtetit i japin Y-it tagrin per caktimin e dates se zgjedhjeve. Y-i cakton daten 30 qershor per zgjedhjet lokale; me vone -per arsyet qe ai i sqaron- e anulon kete date dhe cakton nje tjeter te mevonshme. X-i nuk eshte dakort me kete vendim te ligjshem te Y-it! Keshtu X-i del kundra vetevetes, duke shkelur i pari ligjet e shtetit, keshtu i bie me shqelm asaj qe po nderton. Cfare duhet bere ne kete rast? Vendet Tona duhet te kete nje mendim ndoshta!? Po pati! (Shembulli i mesiperm esht i pergjithshem, ndaj nuk ka pse lidhet me Shqiperine, apo me Edi Ramen, apo me Ilir Meten.)

    1. X-i nuk eshte dakort me kete vendim te LIGJSHEM te Y-it!

      Ah, cdo krahasim calon, tha, por disa krahasime calojne me shume se te tjeret.

      Nese nje vendim eshte i ligjshem apo jo, kete e vendos gjykata.

      Gjykata tha ky vendim ishte i PALIGJSHEM.

      Presidenti do mund te ankohej per mungese juridiksioni nga Kolegji Zgjedhor.
      Ai nuk e beri. As nuk shkoi si pale as si amicus curiae. Pra e leshoi mbrojtjen e vet “aforfe”.
      As e apeloi vendimin dhe as nuk rezervoi te drejten per apelim.
      Presidenti zgjodhi te injoroje gjykatat LEGJITIME te Republikes.
      Me vendimin e dekretimit te zgjedhjeve per 13 Tetor Presidenti gjendet ne gjendje rebelimi te hapur ndaj Republikes- High Treason- i thote frengu, gjendje qe kodi penal nuk e aprovon merr vesht…

      1. Cila gjykate e ka shqyrtuar dekretin e presidentit?!? Dhe cila gjykate ka te drejte (kuptohet ligjore) ta gjykoje nje dekret te presidentit?
        Cfar beri Kolegji Zgjedhor me kerkesen e nje partie, qe kerkoi ta terhiqte kandidimine vet pas daljes se dekretit presidencial, mund ta interpretojme edhe sipas menyres se kundert, qe ky kolegj nuk kishte cfare kandidature te hiqte nga konkurimi, perderisa zgjedhjet ishin anuluar!
        Ketu nuk eshte problemi tek figurat politike, perfshi dhe koktulen e Skraparit, ketu problemi eshte juridik dhe si i tille duhet trajtuar. Ketu nuk mbeshtet as opozita e degraduar shqiptare. Esht per te ardhur keq, qe diskutimet behen akoma duke u bazuar tek simpatite dhe interesat partiake dhe individuale.

    2. kushtetuta nuk thote specifikisht se kur anallohet data e zgjedhjeve .logjika thote qe data e zgjedhjeve shtyhet ne rast lufte fatkeqesie natyrore etj kur qeveria nuk eshte ne gjendje te ushtroje funksionet e saja dhe te garantoje zgjedhje te lira e te ndercme.vendi nuk eshte ne lufte as ne fatkeqesi natyrore .qeveria megjithe te metat eshte funksionale e pervecse zones se bulevardit ne ditet e protestes se pd ne vend eshte qetesi .shpallja e zgjedhjeve te vjedhura perpara se ato te zhvillohen nuk eshte nje argument qe gjen perkrahje te madhe .nga opozita nuk u shpall asnje platforme se si te permiresohet sistemi pervecse thirrjeve skizofrenike :Rama ik.

  9. Zgjedhjet nuk jane farse persa kohe te percaktuara ne ligj. Nje pale (pd+lsi) vendosi ti bojkoje zgjedhjet. Duke vendosur te mos hyje ne zgjedhje kjo pale i imponohet pales tjeter gjithashtu qe ka pergjegjigjesine te mbaje zgjedhjet sipas ligjit, te mos behen sepse pa ate zgjedhjet nuk na qenkerkan pluraliste po moniste. Dmth te kam ne dore e ligjin e rregullat i ndryshojme! Do bejme zgjedhje kur me do QEJFI mua, jo sipas rregullave te percaktuara. Dua, s’dua, s’dua, dua, jo me kete kusht po pa kete kusht e keshtu me radhe. Sot njera pale ska qejf, neser tjera, pasneser tjetra, perderisa ne emer te pluralismit cdonjera ka ne doren tjetren dhe 30 vjet te tjera ne “Albania is a mess”. Ekuacioni eshte shume i thjeshte dhe ne fatkesisht coroditemi me shume arsyetime, dhe harrojme baziken, te thjeshten fare: respekto rregullat e lojes, mos bojkoto zgjedhjet. Tani qe i bojkotove, paguaj cmimin, maturohu, kalit durimin dhe pergatitu per betejen e radhes ose shperbehu se je nje force e paafte. Keto zgjedhje nuk jane farse, po nje perpjekje per te futur proceset ligjore ne binare. Nje demokraci pluraliste pa rregullin e ligjit ngeler anarki. Anarki!

    1. Rregullat e lojes duhen respektuar se pari duke mos i vjedhur, blere, e shantazhuar votat me Avdylaj, Kesher, Robert Ager etj etj., perndryshe nuk me rregulla loje per te cilat ke rene dakort fare dhe si rrjedhoje s’ke me loje.

    2. Nga nje tjeter Vend,

      Çfarë do të thotë specifikisht “qejf”, kur shkruan: “Sot njera pale ska qejf, neser tjera, pasneser tjetra”?

      1. Qe opozitaret jane pa qejf, me dhimbje koke, grykesh apo barku. Besoj se po thote qe duhet te vizitohen tek mjeku se mund te kene nevoje per antibiotike.

  10. opozita nuk shfaqi asnje alternative pervecse kapricos “ik ti te vij une”.nuk beri asnje propozim ligjor apo institucional per te permiresuar sistemin pervecse kercenime te tipit mafioz:’ik se te zhdukem , do te djegim , ta terheqim zvarre etj.thirrje te cilat pervecse alarmuan komunitetin nderkombetar te cilet nuk ia ngene nje vatre tjeter krize ne ballkan jane edhe krim sipas kodit penal.

  11. Per aq sa e kuptova autorin, dhe kam besim se e kuptova, ai kerkon te thote ate cka une po e pozoj telegrafikisht:
    – zgjedhjet nuk duhen bojkotuar! Jane menyra e vetme per marrjen e pushtetit ne demokraci.
    – mosbojkotimi i zgjedhjeve, nga ana tjeter, rrezikon te lexohet ne menyre manipulative nga partia ne pushtet, sikur shumica absolute e votuesve jane pro qendrimeve por edhe performances se saj disa vjecare. Per te pamundesuar kete lexim si edhe per ti dhene edhe maxhorances nje leksion (gjithaq permes mjetesh qe sistemi i ofron), vota e bardhe vlen.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin