(vijim)
Adela Radovani, një nga interpretueset më virtuoze të mediumit dhe autore native e rrjeteve komenton kështu:
Për mua botimi në internet ma ndryshon qasjen tërësisht nga le të themi, kur jam duke shkruar tregim që do dua të botohet fizikisht (një ditë). Është tërësisht më personal nëse është shkrim i destinuar për Facebook, më pak i thelluar, më provokativ. Shpesh u referohet ngjarjeve të rastit që cilat edhe muaj më vonë nuk do kuptoheshin dot shpejt e qartë për shkak të mungesës së shpjegimeve në tekst. Nga ana tjetër, shkrimi që planifikohet të postohet në faqen time personale, nxitet nga mundësia për lexues, një mundësi e cila buron nga lehtësia e shpërndarjes, fakti që mbetet falas dhe e lirëgjindshme për të gjithë që kanë një telefon të thjeshtë, Internet dhe “miqësinë” time e cila nuk është e limituar. Është fast-food por nuk mendoj që është e keqe. E kush i thotë jo sot sufllaqes? Lehtësia në rastin e letërsisë online është për të dyja palët, lexuesi nuk ka nevojë të fusë dorën në xhep e as të ndahet nga rrjeti social ndaj të cilit është tashmë i varur, dhe autori nuk ka pse t’i hyjë debateve me redaktorë, botues inatçorë e klanorë për të mos arritur në dorën e syrin e shumë njërëzve. Sidomos letërsia bashkëkohore shqiptare e vuan mungesën e lexuesit, shumë i ndjekin në faqet online por pak i lexojnë veprat e tyre që mund të jenë të mira, por kush e di? E prapë, autori i kurrëbotuar e vuan mungesën e seriozitetit me të cilën e trajtojnë dhe do donin të merreshin më seriozisht, në këto raste ata ndjekin rrugë të mesme, hapje të blogjeve, lidhjes me shkrimtarë të tjerë dhe bashkëpunimit në grupet e ndërtuara dhe këto në facebook. E prapë me aq sa vë re, një autor online e ka librin e botuar sa për ta vënë në cover të profilit të tij, sepse audiencën e ka tashmë të fituar dhe nuk pret t’i shtohen të tjerë nga katër kopje që shet në vit. Mendoj që përkthimi, esetë, poezitë, tregimet dhe gjithçka tjetër e cila botohet fillimisht në internet e mbeten ose jo aty, është tentativë e përbashkët për të bërë letërsi në kushte të reja, në një mjedis ku libri po bëhet objekt luksi dhe zbukurimi. Është një përpjekje e arrirë për të bërë diçka me vlerë, me shpejtësinë e kohës që po jetojmë.
Për ta nisur nga fundi: Radovani përmend shpejtësinë me të cilën një tekst mund të kalojë nga autori te lexuesi, në kontrast me vonesën e detyruar që shoqëron procesin e botimit. Kjo shpejtësi, neutrale në vetvete, mund të shfrytëzohet për mirë ose mund të ketë efekte anësore të padëshiruara. Shpejtësia, ose “çastmëria” (për ta thënë me një neologjizëm) është karakteristikë e jetës bashkëkohore në përgjithësi – aq sa vetë pritja ka ardhur duke marrë konotacione të negativitetit, dështimit dhe të vdekjes. Një autore e mësuar me komunikimin e menjëhershëm online e ka të vështirë të përshtatet me ritmet prej breshke të editorisë. Aq më tepër që editoria tradicionale gjithnjë detyrohet të marrë parasysh aspektin ekonomik ose mirëfilli komercial të botimit: sa do të shesë ky libër që më sugjerohet? Çfarë shprese ka që të kthehet njëfarësoj investimi i bërë, qoftë edhe vetëm material? Në përgjithësi, shtëpitë botuese në Tiranë nuk kërkojnë talente, as interesohen për të investuar në emra të rinj – paradoksi i këtyre sipërmarrjeve që, përndryshe sillen në mënyrë tejet komerciale, por që nuk duan të angazhohen në produkte të reja, potencialisht shpërthyese. Në rrethana të tilla, për shumë autorë libri i botuar shërben si një lloj kupe sportive ose medaljeje olimpike, që ekspozohet në vitrinën personale; në një kohë që komunikimi i mirëfilltë me lexuesin ndodh online. Tundimi për ta shpërfillur krejt hallkën e botimit duhet të jetë i fortë, sidomos për brezin e ri, që është formuar si lexues në një ekosistem tjetër. Gjithnjë për t’u shënuar se kjo dukuri, të paktën për letërsinë shqip, lidhet edhe me prestigjin e ulët që kanë sot entet botuese, të cilat shumë lexues i shohin si reshperë të librit, ose si agjenci që përpiqen të parazitojnë mbi marrëdhënien e lexuesve me letërsinë.
Poeti dhe eseisti Elind Sulko, edhe pse nga mosha i përket brezit të digital natives, është edhe më i prerë në gjykim:
Të them të drejtën, botoj online nga halli, jo nga qefi. U jam drejtuar gati të gjitha shtëpive botuese dhe asnjëherë nuk jam marrë vesh: ose mosmarrveshje dizajni libri, ose më kanë kërkuar lekë dhe nuk kam pranuar ose nuk më kanë kthyer përgjigje fare. Shkruaj vazhdimisht, prej shumë vitesh, por nuk i postoj online. Shumë pak kam postuar. E kam bezdi, pasi shpesh nuk më duket vendi i përshtatshëm: është sikur të lexosh një libër mbi anatominë e trupit njerëzor, para se të fillosh një stand up comedy. Mbase, jam duke e ekzagjeruar, por kështu më duket ndonjëherë: pasi njerëzit i marrin vargjet jashtë kontekstit, pa një qasje shqyrtuese dhe janë të etur për argëtim. Po të më botonin librat me poezi, as nuk do e merrja mundimin fare t’i vija në Facebook. Por të qenit jashtë Shqipërisë dhe të qenit i pabotuar ende në fletë, më bëjnë t’i postoj ndonjëherë krijimet në Facebook.
Sulko tërheq vëmendjen ndaj kontradiktës midis subjektivitetit të krijimit letrar të përshtatshëm për postim online (poezisë, skicës) dhe natyrës masive që ka rrjeti social; këtë lloj ekspozimi “lakuriq” të teksteve disa krijues mund ta përjetojnë si traumë. Në të vërtetë, jo çdo autor e kërkon lexuesin masiv; ka syresh që janë të gatshëm ta këmbejnë numrin e lexuesve me cilësinë e leximit dhe ndaj “arenës” së rrjetit social të parapëlqejnë një bisedë kokë më kokë me lexuesin individual. Ndonjëherë edhe mua më shkuar në mendje, madje e kam thënë në biseda me lexuesit, se në analizë të fundit unë si autor shkruaj për një lexues; dhe se kolektivi i atyre që do të ma lexojnë librin nuk është veçse një koleksion ose grumbullim artificial individësh. Mirëpo rrjeti social i sjell lexuesit e tu bashkë ndryshe nga libri i njëjtë që mund të kenë blerë; madje shpesh edhe duke i konstituuar si grup i mirëfilltë, përballë teje. Tani, dhe për t’u kthyer te komenti i Sulkos, jo kushdo e mirëpret këtë lloj organizimi të lexuesve të vet; por është i detyruar ta pranojë, sa kohë që “industria editoriale” e librit shqip nuk ka interes për të zbuluar autorë me potencial. I çuditshëm ky biznes, që nuk i beson produktit të vet. I çuditshëm dhe madje i sëmurë. Nga ana tjetër, dhe kjo gjithashtu duhet thënë, digital natives jo gjithnjë e gjejnë gjuhën e përbashkët me dinosaurët e editorisë dhe, në përgjithësi, me institucionet e kulturës tradicionale – aq më tepër në Shqipëri, ku këtyre u mungon vetvetiu prestigji (një gjë është të ta refuzojë një dorëshkrim Einaudi; një gjë tjetër të ta refuzojë shtëpia botuese Vëllezërit Selishta).
Për kontradiktën midis elitizmit të vetvetishëm të një publikimi dhuratë dhe ekspozimit masiv të tekstit në rrjetet sociale flet edhe përkthyesja e njohur Aida Baro:
Përpiqem ta trajtoj Facebook-un si blogjet dikur, dmth, kur lexoj diçka, poezi kryesisht, dhe kam shtysën ta përkthej, më duket një mënyrë për t’u komunikuar të tjerëve një ndjesi timen. Sigurisht që në fillimet e mia e kam pasur mendjen dhe te mënyra se si do ta shohin përkthimin, si do ta presin, po tani, ndoshta sepse kam fituar siguri, nuk më shqetëson kjo. Kuptohet që poezitë që zgjedh unë nuk kanë atë sukses te publiku fejsbukian sa ç’mund të ketë një foto, apo një poezi dashurie. Dikur kam bërë një eksperiment, përktheva “Mos u dashuro pas një gruaje”, që në thelb është poezi populiste, jo dhe aq në shijet e mia, mirëpo ajo poezi ka marrë pëlqimet më të shumta. Edhe për ata që shkruajnë, mendoj se vlen e njëjta gjë: do të shkruash atë që je, apo atë që pëlqen masa. Mendoj se publiku i Facebook-ut tërhiqet edhe nga simpatitë apo miqësitë personale, është rast fatlum kur shijet e tua përkojnë realisht me ato të një të njohuri thjesht nga Facebook-u. E kisha mbyllur llogarinë time në FB për pothuajse 7-8 muaj dhe kisha lënë vetëm faqen e blogut, ku e dija që më lexonin shumë më pak njerëz, por ndihesha më mirë, si më e mbrojtur nga mllefi dhe energjia negative që mbizotëron; dhe prapë mendoj ta mbyll, sepse më ngarkon shumë negativisht zhaurima e njerëzisë.
Megjithatë, duhet shënuar se Baro ka botuar tashmë një numër përkthimesh të vlerësuara edhe nga publiku edhe nga kritika, dhe në rrjetet sociale ndoshta kërkon diçka më tej, më të rrallë dhe të posaçme, që vetëm një kontakt i afërt, i drejtpërdrejtë me një lexues mund t’ia sigurojë – ndryshe nga anonimiteti që sjell me vete libri në treg. Çfarë mund të interpretohet edhe kështu: rrjeti social mund t’i shërbejë krijuesit për të gjetur atë çfarë nuk ia jep dot suksesi.
Autorja dhe përkthyesja tjetër e njohur Mimoza Hysa, teksa vëren se publikimi online “është rruga më e shpejtë për t’u vendosur në komunikim me lexuesin” dhe se “[s]hërben si vitrinë për të tërhequr lexuesin” vëren se
Shërben deri në një farë mase për të kuptuar se cili është lexuesi i interesuar për krijimtarinë që boton, qoftë përkthim apo krijim.
Ja edhe një e mirë tjetër e rrjetit social – i cili i shërben autorit për të kuptuar më mirë lexuesin e vet. Natyrisht, çdo autor e ka një lexues në mendje, kur ulet të krijojë; por ky lexues jo gjithnjë përkon me lexuesin real – përkundrazi. Madje ky i fundit, si shprehje e realitetit në procesin e komunikimit letrar, do kuptuar edhe si muri i fundit, me të cilin përplas kokën autori; ose ku ndalon imagjinata, shpresa dhe iluzioni.
Armanda Kodra-Hysa, më shumë e njohur si studiuese dhe eseiste, por që herë pas here boton edhe poezi dhe copëza letrare online, beson se “Facebook-u si medium […]ka qenë dhe mbetet një nga gjërat më të bukura dhe serioze që u është ofruar ndonjëherë njerëzve të zakonshëm për të bërë publike mendimet e veta”, për të shtuar:
Sa për letërsinë, për mua Facebook-u është test për diçka që është në punim e sipër. Proza e shkurtër dhe poezia që unë vë në profilin tim është gjithnjë varianti i parë, bruto, i papërpunuar.
Çfarë edhe varet, në analizë të fundit, nga mënyra si punon autori me tekstin – për disa prej nesh, një tekst jetërsohet në momentin që shihet nga syri i Tjetrit (ka diçka nga mekanika kuantike, në këtë përjetim); për disa të tjerë, vënia e tekstit në qarkullim, qoftë edhe fare të kufizuar, brenda një grupi miqsh në një rrjet social, është fazë e parë, por e domosdoshme, për redaktimin dhe përmirësimin e mëtejshëm, pavarësisht nga feedback-u i marrë demokratikisht prej lexuesve.
(Fund i pjesës së parë të këtij dossier-i. Në pjesën e dytë do të ndalem në raportet midis mediumit dhe formave letrare që po lëvrohen, gjithë duke sjellë kontributet dhe komentet e miqve dhe të kolegëve të intervistuar.)
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.