Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (XLVIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Mos i përdorni për të folur intervalet midis mendimeve!

Kur njeriu kërkon t’i flasë një tjetri, duhet ta heqë thikën nga dhëmbët. Problemi është se ashtu e merr në dorë.

Do të bëhemi pleshtat e kozmosit, që kërcejnë nga një yll në tjetrin.

Po dobësohet sensi ynë estetik, teksa hamë rosa në vend të mjellmave.

Kur t’i copëtojnë trikëmbëshat, kujdes se mos po e bëjnë për të ndezur turrat e druve.

Tha tirani për një poet të ri: “Talent jetëshkurtër.” Shumë shpejt, poeti përfundoi nën shpatën e xhelatit. Tiranët kanë gjithnjë të drejtë.

O gocë, mos e prit dashurinë këmbë mbi këmbë.

Pikëpyetja është stema e lirisë.

Një herë vajta në festën e datëlindjes së një shkrimtari. Tek e uroja, nuk arrija të kujtoj sa vjet kishin kaluar që prej vdekjes së tij.

“Shkurtabiqët rriten!” – bërtasin edhe optimistët, edhe pesimistët.

Na ushqejnë me gënjeshtra, sepse e vërteta është kafshatë që s’kapërdihet.

Është njeri i heshtur – mund të flasë me orë, pa thënë asgjë.

Me siguri zemra nuk është organi kryesor i njeriut. Sa herë më ka plasur! Dhe pastaj?

Për çudi, shumica e optimistëve janë njerëz pa pikë humori.

Edhe në shoqëritë e përsosura do të sundojë paligjshmëria. Ligji do të jetë i panevojshëm.

Ka gjëza, të cilave duhet t’u gjesh vetëm autorin.

Ndonjëherë gratë të godasin në zemër pasi ta kanë përçmuar gjithçka tjetër.

“Thuaj të vërtetën!” bërtasin gjithnjë inkuizitorët. Pastaj duan t’i mbash si luftëtarë për të vërtetën.

Nuk marr vesh nga gratë, i dalloj prej burrave vetëm në bazë të seksit.

Klishetë janë parafabrikate të shkëlqyera për satirën.

Edhe banaliteti ka pasur kohën e vet të shkëlqimit.

Në dashuri, paratë luajnë rol të dorës së dytë: vetëm si mjet pagese.

Ka periudha kur janë të modës jetët e shkurtuara.

Fikeni atë errësirë!

Të pastrehët ua hapin dyert të gjithëve.

Rojtarët e rendit e quajnë veten krye-ëngjëj të harmonisë.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin