Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

MODELE ELITASH TOTALITARE

Cave do t’ju kujtohet, nga 1984-a e Orwell-it, se anëtarëve të kupolës së partisë (“members of the Inner Party”), si O’Brien-i u lejohej që ta fiknin “telekranin”, ose aparatin dy-kahësh që, në çdo shtëpi, ia mundësonte regjimit totalitar edhe propagandën, edhe përgjimin 24-orësh të shtetasve (“the telescreen received and transmitted simultaneously”). Ajo elitë totalitare ia lejonte vetes privilegjin e shkeljes së tabusë, të cilën përndryshe ua impononte dhunshëm të tjerëve. Duket si e natyrshme, për një elitë që sundon arbitrarisht, që ta gëzojë këtë privilegj, edhe pse në fakt nuk është kështu. E kam të vështirë të përfytyroj një teokraci myslimane edhe bashkëkohore, ku elita të nginjet me mish derri; përkundrazi, mund të mendoj një elitë fanatike që t’ia imponojë vetes tabutë dhe arbitraritetet përkatëse edhe më rreptë, se ç’bën me popullin poshtë. Nga ana tjetër, në Shqipërinë totalitare, Enver Hoxha dhe rrethi i tij me familjarët ia lejonin vetes disa privilegje, që për të tjerët ishin tabu; p.sh. televizionin italian, ose ndonjë udhëtim herë pas here jashtë shtetit, për arsye të sajuara. Në bibliotekën e Hoxhës gjeje gjithfarë librash që në Shqipëri përndryshe nuk i gjeje dot – madje ky lexonte rregullisht materiale që shtetasve nuk u lejoheshin. Kjo tingëllon sërish banale, por nuk është. Tregon diçka esenciale, për hierarkitë e atij regjimi. Në krahasim me si jeton sot elita në Shqipëri, privilegjet e Hoxhës & Co. tingëllojnë modeste, madje qesharake; por në të vërtetë rëndësi për privilegjin ka ekskluziviteti, jo natyra e tij. Këtu më vjen në ndihmë një tjetër roman i afërt me 1984-ën e Orwell-it: Brave New World, i Huxley-t, që e fut lexuesin në një botë utopike (distopike?) ku tradita është, praktikisht, tabu (“History is bunk!”). E megjithatë, Mustapha Mond, “The Resident Controller for Western Europe”, një nga dhjetë guvernatorët e planetit, ia lejon vetes – mes të tjerash – Shekspirin. “Meqë unë i bëj ligjet këtu,” i thotë Mond-i Të Egrit, “unë mund edhe t’i thyej.” Kontrollori Mond ia lejon vetes të ketë një bibliotekë të Kanonit Perëndimor – duke filluar me Biblën, në një shoqëri dhe kulturë që ia kanë kthyer tashmë shpinën fesë. Kontaktin me traditën Mond-i e përjeton si barrë, ose si haraçin që paguan për t’i shërbyer komunitetit; i pyetur nga I Egri për Zotin, ai i thotë: “unë besoj se ka Zot, por në këtë moment Ai ka vendosur ta shfaqë veten si mungesë.” Duke e shpjeguar deri në fund arsyen që mbështet parimet e shoqërisë së atjeshme, Mond-i e vë kështu veten deri edhe mbi Zotin, duke shpjeguar pse për Të nuk po ka më kush nevojë. Paradoksi këtu është se këtë “më të mirë të botëve” e drejtojnë njerëz të cilët nuk u binden parimeve (tabuve) që u kanë imponuar të tjerëve. I vetmi koncesion i Mond-it, në këtë mes, është se ai përnjëmend e konsideron shkeljen e tabuve si pjesë të detyrës së vet. Bota e re e Huxley-t është edhe ajo emanacion i së vjetrës, por që i është ndaluar vetëdija e traditës. Freud-i do të kish thënë, ndoshta, se nuk mund ta ndalosh nënën, si rol social, pa e dëshiruar. Pa çka se ajo botë ngrihet mbi hedonizmin dhe mungesën e dhimbjes. Ndryshe nga, të themi, stalinizmi puritan, që ia diktonte modelet e tabuve edhe Hoxhës në Shqipëri. Madje edhe Stalini, që jetonte një epokë teknologjikisht më pak të ndërlidhur se ajo ku jetonte Hoxha, ia lejonte vetes disa shkelje tabush – duke filluar nga filmat Western, që projektonte në kinemanë e vet private. Të gjithë ne, që jemi rritur në kohën kur duhani për moshën tonë konsiderohej ves i përbuzshëm, e dimë tashmë se sa më të rrepta dhe absurde të jenë tabutë, aq më të pafajshme do të jenë transgresionet: Stalini shihte filma amerikanë, Hoxha lexonte romane frënge, ne pinim cigare në nevojtore dhe dëgjonim “I Wanna Hold Your Hand” të Beatles-ave. Ishte kulturë me volum të ulur. Edhe pse kjo nuk lidhet doemos me hipokrizinë e elitave, që ishin pajtuar me ekzistencën e një palë tabuve për vete, dhe një palë tabuve të tjera për “miletin”. Obscene, në këtë mes, nuk është shkelja e tabuve, por morali i dyfishtë, i tipit “bëni si them unë, mos bëni siç bëj unë”, pa çka se regjimit të Hoxhës një farë diskrecioni, në këtë lëmë, i duhet njohur. Një lloj aversioni mikroborgjez ndaj konsumit të spikatur (conspicuous consumption), ose vullneti – deri në ç’masë hipokrit – për t’i dhënë popullit një shembull. Për djemtë e Hoxhës thoshin se ishin të shkëlqyer në sjellje: sa hipokrite mund të ketë qenë kjo? Prandaj, nëse duam të kuptojmë vetëdijën e asaj elite, le të pyesim sa fajtorë ndiheshin të gjithë ata që i thyenin tabutë; ose më mirë, që e gëzonin thyerjen e tabuve si privilegj. Nëse nuk ndienin ndonjë lloj faji – siç nuk ndiente me siguri Hoxha – atëherë le të flasim për një elitë që nuk e mban veten për pjesë të shoqërisë; por që paraziton mbi të. Model i përhapur, por jo absolut. Solla më lart shembullin e një regjimi teokratik: nëse liderët janë vërtet fanatikë, atëherë respekti i tyre për tabutë do të jetë pjesë e identitetit të tyre: jo vetëm e imazhit, por edhe e jo-imazhit; e publikes dhe e privates. Për ta shpjeguar më mirë – këta liderë nuk do të jenë në gjendje ta fikin telekranin në shtëpitë e tyre; madje edhe më tej, këta liderë do të kenë edhe telekranet më eficiente. Do t’i japin shembull vetes, para se t’ua japin të tjerëve. Ka momente të caktuara, në histori, kur shoqërive u lind dëshira për regjime të tilla – ose që të udhëhiqen nga urdhra murgjish. Njerëz që vuajnë, gjejnë ngushëllim në idenë se edhe liderët e tyre vuajnë. Shoqëritë totalitare, që kanë në krye elita të tilla homorganike, më ngjajnë me ushtritë – ku gjenerali jeton në një çadër mes çadrave dhe pi çaj nga kazani i përbashkët. Te Dimri i madh, Enver Hoxha kujton takimin e vet të parë me Stalinin: “Stalini u takua me të në kohë të muzgut. Biseda ishte e shkurtër. E di që jeni ngushtë për vete, tha Enver Hoxha në mbarim të saj, por ne jemi edhe më keq. S’kemi bukë. Stalini dëgjonte. Ai e ftoi të hanin darkë bashkë. Ai ishte vetëm. Në një tryezë druri dikush kishte vënë ca kupa të mbuluara. Ishin gjellët. Stalini u ul dhe i tha atij: Ulu të hamë. Enët e mbuluara dukeshin si enigma. Stalini zbuloi njërën prej tyre. “Ha,” tha ai përsëri…” (Onufri 2012, f. 160). Episodi rrëfehet në vazhdim të një dialogu ku Enver Hoxha, ende i zemëruar, përmend batutën e Hrushovit gjatë vizitës së tij në Shqipëri: “Aq grurë sa prodhon Shqipëria, te ne, në Bashkimin Sovjetik e hanë minjtë.” (po aty, f. 138). Nëse ka ndonjë vërtetësi ky rrëfim a është përrallë propagandistike, kjo nuk ngre peshë për argumentin këtu: Stalini që ha supë nga një tas nuk ka shumë të përbashkët me Stalinin e orgjive legjendare në Kremlin, për të cilat ka shkruar gjerë e gjatë Hrushovi në kujtimet. Por supë nga tasi ha ai gjeneral, që sapo e ka fituar luftën me ushtrinë e vet. Dhe unë e kam njëfarësoj më të lehtë të besoj te murgjëria e seminaristit fanatik Xhugashvili, se tek ajo e dandy-t të vogël Hoxha, me ombrellë të arnuar. Çfarë më tërheq, te kjo histori, është lehtësia relativisht e madhe me të cilën elitat kalojnë nga puritanizmi në hedonizëm (por jo viceversa). Që nuk lidhet vetëm me dobësinë e natyrës njerëzore, por mbase edhe me bindjen se një elitë qeveris më mirë, po të parazitojë, ose po të ketë vetëdijen e privilegjit të përzier me ndjenja faji.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. thjeshte ata mendojne se e meritojne… e meritoj -thote- qe fitova luften, kam akoma koken time dhe te atyre qe u investuan si une- e meritoj qe mendoj per popullin, qe firmos qindra shkresa ne dite, bej ndonje nder larte e poshte.. keshtu eshte, e meritojne.. dhe shperndajne merita.

  2. Ka mundesi te jete e lidhur me kulturen judeo-kristiane (hedonizmi… etj) : Maon apo Ho Shi Minin (per shembull) nuk mund ta fusesh tek ky ‘model’ qe ndofta nuk eshte dhe aq universal sa duket…

    1. Çdo elitë që i detyron masat si duhet të mendojnë dhe veprojnë, ndryshe në mëngjes she ndryshe në darkë, është hipokrite me përkufizim. Mao zë vëndin e parë në listë për këte.

      Por mos ke dashur të thuash që Mao dhe Ho Shi Min i kishin qëllimet e mira? Jo si këta të tjerët që ia kishin revolucionit proletar me hile.

    2. Pas dites se shtate Z*** beri pushim. Thua qe perandoret kineze e kishin angari veprimtarine me konkubinat?

    3. Për Maon, ka gjithfarë historish – që lidhen jo aq me zgjedhjen mes asketizmit dhe hedonizmit, por me mënyrën si e perceptonte ai hedonizmin.

      Për Ho Shi Minin, besoj se modeli i murgut do të përshtatej më shumë. Edhe pse nuk di shumë nga jeta e tij.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin