Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Totalitarizëm

GJITHÇKA QË MBETET PAS

Që nga rënia e Murit të Berlinit, jeta në pjesën e dikurshme komuniste të Gjermanisë, në atë që njihej si Gjermania Lindore apo DDR, ka qenë në origjinë të disa prej sukseseve më të mëdha të kinemasë gjermane. Besoj se shikuesit e shumtë do të kujtohen gjatë për filma të tillë si Berlin is in Germany (2001) i H. Stöhr, Tuneli (2001) i R. Suso Richter, Barbara (2012) i C. Petzold për të ardhur pastaj te dy më të suksesshmit, Good Bye, Lenin ! (2003) i W. Becker (2003) dhe Jeta e të tjerëve (2006) i F. H. von Donnersmarck. Tani së fundi vjen edhe filmi Ballon-a, i regjisorit Michael Herbig.

Është historia e dy familjeve që arratisen (nga Lindja) në Perëndim. Në çastet e para, kur nuk e ke gjithë informacionin e duhur, sikundër unë kur u ula në sallën e kinemasë, je i prirur të thuash se kush më mirë se ne “lindorët” mund të kuptojë dëshirën për t’u arratisur nga një vend komunist (edhe pse aty ku ishin, personazheve tanë nuk u mungonte një farë komoditeti si vetura familjare e plot gjëra të tjera krejt të paimagjinueshme për një familje shqiptare) dhe për këtë qëllim të sajosh me mjete rrethanore një ballon (cohën e rëndomtë të të cilit e blen në dyqan dhe e qep në bodrumin e shtëpisë, pastaj bashkon si të mundesh një impiant me ca bombola gazi…) por kur sheh se në këtë farësoj balloni personazhet tanë hipin edhe fëmijët e vegjël (fotoja anash) dhe ndezin rubinetet e gazit, duke patur më shumë gjasa të shkojnë drejt vdekjes se sa drejt lirisë, atëherë të gjitha këto të ngjallin dëshirën t’u thuash skenaristëve: jo deri këtu, e keni tepruar ca (është e njohur se si mund ta turbullosh emocionalisht spektatorin duke vënë në lojë jetë fëmijësh).

E pra, nuk e kanë tepruar hiç fare! Filmi është mbështetur mbi një ngjarje të vërtetë, e për më tepër mësoj se një “version” i parë është realizuar që më 1983 dhe jo prej një studioje dosido, por nga vetë Walt Disney (duket në një moment përpjekjeje për të dalë nga stereotipi i përrallave gjithë sheqer, me të cilat zakonisht shoqërohej emrit saj).

Nuk është se këtë film (që po shfaqet këto ditë nëpër kinematë franceze më titullin Era e lirisë), e cilësoj si nga më të mirët që kam parë së fundi, por pa dyshim është mjaft i bukur, ndërkohë që ende nuk di të them se çfarë më tërhoqi më shumë realizimi apo ngjarja. Këtu gati kam dëshirë të përmend shprehjen mjaft të njohur të J. Gabin-it, për të cilin një film i mirë është: une bonne histoire, une bonne histoire et une bonne histoire, që përfundimisht e citova vetëm për të dalë të e veçanta e tij: ky filim jo vetëm që është une bonne histoire, por historia që ai trajton, siç thashë është krejt e vërtetë dhe ka ndodhur plot dhjetë vjet para se të bjerë Muri i Berlinit.

Regjisori i filmit Michael Herbig (i cili është edhe skenarist i tij bashkë me Kit Hopkins dhe Thilo Röscheisen) thotë se u shty të realizojë një subjekt të tillë sepse vërente që rinia gjermane pak interes po tregonte për të kaluarën e vendit të saj.

Jemi dikur në shtator 1979, në një qytet fare të vogël të Gjermanisë Lindore, Pössneck. Rekuizita e zgjedhur e shpreh një gjë të tillë në të gjitha detajet. Familja Strelzyk sapo kthehet nga një veprimtari tipike komuniste, ajo e betimit dhe shpërndarjes së teserave të rinisë, ku në podium, bashkë me fëmijë të tjerë është ngjitur edhe djali i tyre i vogël.

Këtu kemi rast të njihemi edhe edhe me ndonjë nga komshinjtë, siç është familja e një punonjësi lokal të Stas-it, policisë sekrete të Gjermanisë së Honekerit. Por marrëdhëniet e z. Strelzyk (interpretuar nga Fredrich Mücke) me komshiun e tij të frikshëm duken se janë normale, madje babaxhani i Stas-it i kërkon këtij të fundit, si elektricist i mirë që është, t’i rregullojë ca “kanoçen” televizorit të tij me qëllim që edhe ai të shohë një kanal që transmetonte një lloj erotizmi soft që vinte nga tv-të perëndimore, gjë me të cilën duket të gjithë gjermanolindorët synonin t’i bënin më pak monotone mbrëmjet e tyre komuniste. Një pasion ky që do t’u kujtojë diçka shumë qytetarve shqiptarë që kanë jetuar atë kohë.

Ndërkohë shikuesi befasohet ca kur sheh interesin e pazakonshëm të z. Strelzyk për të mësuar drejtimin e erës nga buletinet meteorologjikë të radios. Eshtë e vështirë të besosh se ata po ndërmarrin një aventurë aq të rrezikshme siç është arratisja me ballon ( më saktë me një mongolfierë, sipas mbiemrit të dy vëllezërve francezë që e shpikën një teknikë të tillë, këtu e 250 vjet më parë) duke u mbështetur në një informacion të tillë aq të përgjithshëm. Por me sa duket ka ardhur çasti që ata e prisnin; era së fundi po frynte andej nga duhej (është e njohur që mongolfierat nuk komandohen veçse për t’u ngjitur e zbritur, ndërkohë që marrin drejtimin andej nga i shtyn era). Bashkë me të shoqen, Dorisin (interpretuar nga Karoline Schuch) ata nisen menjëherë të takojnë miqtë e tyre, Wetzel, me të cilët kanë pregatitur prej kohësh planin e guximshëm. Dhe këtu lindin problemet e para. Günter Wetzel (interpretuar nga David Cross) sipas kalkulimeve që ka bërë, mendon se balloni i tyre e shumta mund të ngrejë në ajër katër vetë, por jo tetë. Volumi i ajrit të ngrohtë është mjaft i kufizuar.

Familja Strelzyk niset e vetme të tentojë aventurën drejt lirisë. Dhe meqë koha nuk pret, ata ngarkojnë ballonin në një rimorkio të vogël që e lidhin pas veturës së tyre dhe drejtohen te një lendinë në një pylli në të dalë të qytetit. Gjithçka bëhet gati në një gjendje të dukshme ankthi e frike. Së fundi ata hapin rubinetat bombolave të gazit dhe presin litarët e ankorimit. Balloni nis e ngjitet në ajër. Ndërkohë që djali i madh ndihmon të atin, duke i treguar lartësinë nëpërmjet një barometri të rëndomtë shtëpie, ai i vogli që nuk e kupton tamam se çfarë po ndodh, dëgjon të ëmën t’i thotë se kur të kalojnë “matanë”, ai do të ketë një VTT (mountain bike) të vërtetë.

Gjithçka po shkon mirë deri në çastin kur z. Strelzyk vendos të ngjitet edhe me lart, midis reve me qëllim që të mos diktohen nga rojet kufitare, për shkak të ndriçmit të flakës së gazit. Veçse nuk kishin llogaritur që në kontakt me retë, lagështia do të shtohej dhe do të shpërbënte cohën e tejngopur të ballonit. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe gazi shteron i gjithi.

Balloni nis të humbasë lartësi dhe i afrohet tokës gjithnjë e më shpejt. Një rënie nga retë. Je gati të besosh se gjithçka mori fund përgjithnjë. Por shansi është ende në anë e tyre. Ata bien mbi pemë dhe degë pas dege arrijnë deri në tokë, pa lëndime të mëdha fizike. Aty, e para gjë që bëjnë, pasi binden se janë ende gjallë dhe një copet, nisin të llogarisin sa kohë kanë “udhëtuar” në ajër për të kuptuar nese janë “këndej apo andej kufirit”. Dhe së fundi kuptojnë se fatkeqësisht janë ende “këndej”.

Gjithsesi kthehen me shpejtësi për të zhdukur gjurmët që mund të tradhtonin aktin e tyre. Ose të paktën autorët e aktit sepse vetë balloni i shqyer dhe disa ushtarë të kufirit që i kanë parë nga larg, janë dëshmitarë të një tentative për arratisje.

Edhe pse panë vdekjen me sy, edhe pse nga ana e policisë fillon një hetim dhe ndjekje frenetike e “tradhtarëve”, kjo nuk i shkurajon personazhet tanë. Pas një tentative tjetër të dështuar të Strelzyk-ëve për t’u futur në ambasadën amerikane, të dyja familjet e rifillojnë nga e para planin e tyre. Këtë herë për të përgatitur një balloni më të madh, por e gjitha kjo nën një presion gjithnjë e më të lartë psikologjik. Pas çdo çasti që kalon, hetuesit e Stas-it u afrohen gjithnjë e më shumë kandidatëve për tradhëtarë…

Nga jeta në një vend komunist kisha menduar se mund të nxirren edhe subjekte filmash horror, por nuk kisha besur se mund të realizohej një thriller i vërtetë mbi një ngjarje që tashmë është pjesë e historisë së një shteti që nuk ekziston. Dhe filma si “Ballona” me sa duket është gjithçka që mbetet pas prej tyre. Ose të paktën me të regjisori Michael Herbig shpresoj t’u kujtojë brezave të rinj se ka ekzistuar edhe një Gjermani komuniste…

(c) 2019, autori.

1 Koment

  1. Diku aty ne fund te viteve ’80, nje shok me thosh: nese ngjarjet tona do te behen filma, per 25 vjet rresht keto filma do te fitojne cmimin e pare ne bote. Mendoj se kishte te drejte.
    Per ate kohe -ne mos gaboj- jane bere vetem dy-tre filma. Por nuk kane lene gjurme. Vetem filmi “Mao Ce Dun” me Fadil Hasen, me duket ka qene pak me shije.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin