Illiers-Combray është një komunë franceze që nuk është quajtur gjithnjë kështu. Deri në vitin 1971 ajo njihej thjesht me emrin Illiers. Në fëmijërinë e tij Marcel Proust-i ka kaluar aty shumë kohë, te tetoja e tij Elisabeth Proust-Amiot (teto Leonija). Në kujtimet që ai do të sjellë te Du côté de chez Swann (vëllimi i parë i “A la recherche du temps perdu), ky vend del me emrin Combray. Në vitin e largët 1971, komuna vendosi që emrin fiktiv të kujtimeve të autorit t’ia bashkojë emrit të saj të origjinës. Sot, në çdo dokument dhe hartë ajo quhet: Illiers-Combray. Nuk di të ketë një rast të tillë të dytë.
Në kërkim të Marcel Proust-it
Për një ceremoni të tillë ripagëzimi viti 1971 u zgjodh sepse përkonte me qindvjetorin e parë të lindjes së Proustit, Por këtë vit, 2019, kemi një qindvjetor tjetër, atë të dhënies së çmimit Goncourt. Nga 11 deri më 19 maj në Illiers-Combray do të zhvillohet një numër i madh aktivitetesh, si vizita në Château de Villebon (që te romani Në kërkim… del me emrin Guermantes), do të përshkohet një itinerar ku vizitorët do të ndjekin gjurmët e autorit, ndërkohë që aktorë të njohur do të lexojnë pjesë nga romani ku përshkruhen pikërisht këto vende, do të kalohet në Méréglise, pastaj është parashikuar një ndalim në Tansonville, ku mund të shihet prona e Charles Swann dhe ku, siç thonë organizatorët mund të imagjinohet një takim me Gilberte-ën (emra këto që i njohin mirë lexuesit e veprës së Proust-it ), por në asnjë rast pa lënë pas dore edhe shijimin e ndonjë “madeleine”, emri i së cilës është i lidhur përgjithnjë me atë të autorit të madh, do të jepen pjesë teatrale, do të çelen ekspozita me objekte që prekin veprimtarinë e tij etj, etj….
Skandali
Përpara se lexuesit e veprës së tij të vihen në kërkim të Marcel Proust-it, veprimtari kjo së cilës mund t’i kthehemi në një rast tjetër, është vendi të thuhet se përkujtimi i dhënies së çmimit Goncourt nuk është pa lidhje me faktin se në kohën e tij ai u cilësua si një skandal i vërtetë. Pra, në thelb ky është edhe përvjetori i një skandali që ka përmasën e madhështisë së autorit të tij.
Pas disa projekteve letrare që ai i braktisi pa u shkuar deri në fund, M. Proust-i nisi më 1907 veprën e tij madhore À la recherche du temps perdu (Në kërkim të kohës së humbur), shtatë vëllimet e së cilës u botuan midis viteve 1913 (Du côté de chez Swann) dhe1927.
Vëllimit të dytë À l’ombre des jeunes filles en fleurs (Në hijen e vajzave të porsaçelura) i u dha çmimi Goncourt më 1919, ndërkohë që Proust-it i kanë mbetur fare pak vite për të jetuar? Ai do të vdesë më 18 nëntor 1922, krejt i rraskapitur nga një brokit i mjekuar keq.
Ku ishte origjina e skandalit, çfarë i kritikonin autorit bashkëkohësit e tij? Kësaj teme T. Laget i ka kushtuar një libër të tërë (Proust, Prix Goncourt, une émeute littéraire ), rezultat i një pune kolosale kërkimesh nëpër arkiva dhe shtypin e kohës, por që u ndihmua edhe nga botimi kohët e fundit i korrespondencës së M. Proust-it.
Pak a shumë i kritikojnë gjithçka, shkruan ai. Kritikojnë faktin se ai është mjaft i vjetër (48 vjeç), se është mjaft i pasur (dhe se 5 000 frangat e çmimit do të qenë më të dobishme për një autor më nevojtar), se është tepër mondan dhe e kalon kohën nëpër sallone (në të vërtetë ai ka kohë që nuk lëviz shumë nga shtrati), se flet shumë (romani ka 400 faqe), se është shumë i çmendur…
Dhe pothuaj të gjithë kanë ndonjë opinion se kujt i duhet dhënë çmimi. Natyrisht, për këtë luan shumë rol edhe gjendja e vendit menjëherë pas L1B. Ishin ende të nxehta plagët. Franca numëronte pothuaj 2 milion të vrarë dhe 4.5 milion të plagosurve. Nuk kishte familje që të mos ishte prekur nga një masakër e tillë. Dhe në këto kushte pjesa më e madhe e njerëzve ishte e mendimit se çmimi duhet t’i jepej shkrimtarit Roland Dorgeles për romanin Les Croix de bois (Kryqet e drunjtë), që fliste për sakrificat e ushtarëve në front. Për më tepër autori vetë kishte luftuar katër vjet nëpër llogore.
Në këto rrethana, juria ndihej nën një presion të fortë, për të vendosur në linjën e frymës patriotike që ishte e pranishme në të gjitha nivelet e opinionit publik.
Këto ishin rrethanat kur më 10 dhjetor 1916, juria u mblodh në një nga sallat e restorantit Drouant (aty ku mblidhet edhe sot e kësaj dite) dhe pas tre turesh votimi shpalli fitues veprën e Marcel Proust-it.
Ndërkohë, ky flinte. Zakonisht zgjohej aty te ora katër pasdite, por shërbyesja e tij besnike dhe e devotshme Céleste (Albaret) nxiton ta zgjojë dhe i jep lajmin. Ai e dëgjon dhe pastaj shqipton një nga frazat më të shkurtra të jetës së tij: “Ah!”
E megjithatë, skandali vetëm sa ka filluar. Shtypi nis një sërë insinuatash rreth orientimit të tij seksual, duke lënë të kuptojë se “miqësia e veçantë” që Proust-i ka me Lucien Daudet, ka ndikuar së tepërmi te vendimi i jurisë, meqë në këtë të fundit bën pjesë edhe vëllai i tij, Léon Daudet (që të dy bij të A. Daudet, po nuk gabova).
Më tej autori do të vuajë një fushatë të tërë shpifjesh, të denjë për fake news që përcillen nëpërmjet rrjeteve të sotme sociale. Kështu u fol gjatë “proustitution” (vëreni analogjinë me prostitucion) apo për “Goncourtisans” (theksi vihet te kurtizan… ) etj.
Thuhet se Marcel Proust-i nuk ishte indiferent ndaj kësaj përbaltjeje. U trishtua së tepërmi. Por mbi të gjitha kishte frikë se shpifjet dhe stuhia e polemikës së padenjë që u ngrit do të linte në hije vetë veprën e tij, do ta nxirrte atë në plan të dytë. Siç ndodh rëndom në kësi rastesh kur “autori zëvendëson veprën”.
Por nuk ndodhi.
Vajzat e porsaçelura nuk i bënë hije çmimit Goncourt. Ai mbetet me i vlerësuari çmim në botën frankofone dhe ajo që ndodhi vetëm se shtoi shkëlqimin e tij. Skandali i ngritur më 1919 sot cilësohet si pjesë e lavdisë së tij, si provë e shkruar në gur e paanshmërisë së vendimeve që merr.
Dash: Urime! Nje shkrim aq i lidhur, me mase te kontrolluar mire, dhe qe ne asnje fjali te vetme nuk del nga qellimi i tregimit.
Une ate “ah” s’e gjej dot tamam se cfare nenkupton. Ka nja 10 min qe e mendoj. Dhe “ahet” e mundshme dhe kuptimisht te justifikueshme, jane aq te ndryshme kuptimisht nga nj-tj. Di tamam cili ish ai i Proustit?
Thuhet se cdo kateder italishteje duhet te kete nje dantist, dhe cdo kateder frengjishteje, nje Proustist. Mendon ti se Proust eshte aq i rendesishem, ose nje Dante per Francen? Apo vlerat e tij jane rritur pak artificialisht prej elitave te nje tipi te caktuar?
Eda, faleminderit. Po e filloj me te dyten. Ajo qe thoni ju ka te ngjare te jete e vertete. Pa qene italian (nuk beso se dyshon njeri per kete) m’i kane rrefyer (jo lexuar) historite e “Ferrit” te Dantes qe ne femijerine larget po ashtu sikunder une u kam rrefyer kalamajve te mi perrallat e vellezerve Grim. Me vone i jam kthyer e rikthyer pafundesisht vepres se Dantes, por per ta kuptuar ate gjithmone kam ndjere (dhe ndjej) nevojen e dantisteve te ndryshem, per ndonjerin prej te cileve, si D. Mauro, kam folur gjeresisht edhe ketu ne ptf. Absurditeti i dhunes se pa institucionalizuar te Italise mesjetare eshte teper komplekse e nuk mund te trajtohet e shihet si nje faqe e zakoneshme e historise. Per mua linja e tij rrefimtare eshte e thjeshte, por qe ta vendosesh ate ne konteksin qe duhet, vertet qe ke nevoje per nje te “brendeshem” qe ta shpjegoje.
Sa i perket Proust-it, te siguroj se e kam lexuar disa here, por kurre nga fillimi deri ne fund. Edhe sot e kesaj dite, ne shtepine time ate nuk e kam asnjehere me larg se dy metra, dhe per pasoje jane te panumerta rastet qe zgjas doren, hap librin ne nje faqe ku te qelloje, lexoj njezet a tridhjete faqe dhe e mbyll per ta marre ne dore heren tjeter, perseri ne nje faqe a kapitull si ta sjelle hera. Dhe gjithnje jane çaste kenaqesie te veçante per mua…
Shoqeria franceze, megjithe se ka kaluar neper nje revolucion teper te ashper, perseri mbetet mjaft e diferencuar, keshtu as qe duhet pritur qe Proust-i te kete vleren e nje emruesi te perbashket, sikunder Dantja per Italine. Nganjehere me duket si puna e Marksit qe e citojne te gjithe por nuk e ka lexuar askush, por megjithate dekadat kalojne duke mbuluar me hi shume figura vezulluese, por ai, edhe pse i mohuar nga nje ideologji e caktuar, ai eshte perseri aty… Ka nje subtilitet te tille qe nuk e zbulon menjehere, por ai te ndjek pas dhe ti sheh se me moshe, kur nis e seleksionon vete gjerat e parendesishme, kupton se letersia e tij ka bere te njeten gje per ty…
Pse tha “Ah”? Dua te besoj se ai ka vuajtur shume qe bashkekohesit nuk e kane kuptuar. Dhe jo vetem masat e medha. Me sa mbaj mend vellimin e tij te pare e botoi me parate e veta, se nuk ia vleresuan. E botoi dhe perseri askush nuk po interesohej, nderkohe qe ai i kishte punuar detajet me nje skrupolozitet te pashembellt (gje qe vertet nuk eshte garanci suksesi), por ai besonte qe po punonte dhe mbante ditarin e nje bote qe po zhdukej (mendimi im ky). E megjitate… Para pak muajsh u botuan ca letra e sekrete te lezçme fort. Ai del qe shkruante ndonje artikull lavderues per librat e tij dhe interesohej qe, nepermjet pageses, artikulli te dilte me firmen e ndonje kritiku te njohur ne gazetat e kohes.
Kjo thjesht per te thene se sa shume vuante dhe se e kishte hequr çdo shprese se do te kuptohej e vleresohej ne te gjalle te tij. Keshtu, kur Celestina e zgjoi per t’i dhene lajmin, çfare mund te thoshte tjeter veçse “Ah”? Nje duhme qe i dilte nga shpirti, se me ne fund…
🙂 dmth, “ah” – me ne fund! Tani mund edhe te fle!
Ne univeritetin tim ka nje Proust scholar relativisht te ri, por nga me te miret sot. Dhe biblioteka jone ka nje seksion te vecante me letrat e proustit. Tani sapo i bene te gjitha elektronike.
…dmth, “ah” – me ne fund! Tani mund edhe te fle! (rehat, kete here:-))
Linket m’u duken me shume interes, por me fort me habit pasioni i studiuesve ne moshe te re, qe te merren me Proust-in. Edhe pse kam pershtypjen se duhet te jene te rralle. Eshte autor i nje vepre qe kerkon edhe nje fare pervoje jetsore, per te kapur thelbin e tij. Ose te pakten nje pervoje jetesore ndihmon mjaft ne interpretimin e tij, gje qe nuk mund te thuhet per kedo, qofte edhe per autore edhe te kalibrit te V. Hugo-se.
po! ashtu mendoj edhe une. Per te dy gjerat me lart. Por une Proustin e njoh sh pak. Dhe e kam lexuar sh me pak se ti. Edhe Danten e njoh pak. Me sh kam lexuar per ta, sesa ata. Dhe tek Dante, me sh kam pasur interes per veprat e tjera sesa Komedine.
Por me te degjuar, di qe nese Danten ka njerez qe e kane lexuar krejt, per Proustin nuk gjenden. 🙂
Dy autoret jane bere te domosdoshem per letersite perkatese jo se kane ndonje lloj njgjashmerie ne permbajtje e stil, por per peshen dhe rendesine ne letersite e veta e me tej. Madje edhe kjo ngjashmeri, ka shkaqe e menyra te ndryshme ekzistence.
u
https://www.library.illinois.edu/rbx/kolbproust/proust/corr/
edhe ketu
https://frit.illinois.edu/news/2018-12-06/illinois-french-partners-digitizing-prousts-letters