Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

NJË FENOMENOLOGJI E ARSIMIT TË LARTË SHQIPTAR

nga Rushit Bilbil Mavromati

Paradigma e zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri përgjatë dy dekadave të fundit – që nga mandati i socialistëve në fillim-vitet 2000, përmes qeverive të Berishës (2005-2013), e duke kulmuar me politikat e Ramës pas vitit 2013 – veçse pohon ngritjen e një skeme të mirë-llogaritur neoliberiste, me qëllim shndërrimin e sektorit arsimor në një hallkë të rëndësishme të procesit të kapitalizimit të prodhimit.

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

Në krye të viteve 2000 oferta arsimore e lartë pësoi një zgjerim të konsiderueshëm, rrjedhojë e natyrshme e licencimit të institucioneve universitare private. Kësisoj dija, apo më saktë certifikimi i saj përmes një diplome formale të lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë, mori përmasat e një koncesioni, fenomen ky që u thellua ndjeshëm andej nga 2008-2009-a. Përgjatë kësaj kohe u rrit numri i “patentave” universitare që lëshoheshin dokudo.

Zgjatimi socio-kulturor i gjithë këtij mekanizmi vajti e kushtëzoi kërkesën e konsumatorëve, duke bërë që arsimimi universitar të merrte trajtën e një etape të detyruar për gjithë përbërësit e shoqërisë – kushdo, ngado, në çfarëdo pa kushtëzime të mëdha mund të diplomohej. Universitetet kishin uri për studentë, të cilët nuk ka rëndësi se të ç’cilësie ishin; ata mjafton të paguanin: kjo ishte buka e vërtetë e këtyre shkollave. Thënë ndryshe, lehtësia e marrjes së një diplome ecte në të njëjtin hap me libralizimin e patentave për ta dhënë atë, çka nënkupton, mbi të gjitha, rritjen e ofertës pikërisht për të shpërndarë diploma. Më shumë universitete në treg, më shumë diploma për të gjithë; në këtë kohë akreditimi i këtyre institucioneve, si proces i vlerësimit të cilësisë së tyre, i ngjante shumë më tepër pirjes së një gote uji.

Rritjes së numrit të universiteteve i bashkëngjitej dhe rritja e kërkesës, po nga ana e shumësisë së universiteteve private, për më shumë docentë dhe studentë nëpër auditorë – pavarësisht rënies në cilësi të këtyre dy kategorive të fundit (studentë që hynin pa një testim paraprak, mjaftonte që të paguanin; pedagogë që u ngarkoheshin katedra pa marrë parasysh aftësitë e tyre të vërteta apo dhe formimin pararendës, mjaftonte që të ligjëronin).

Me kaq shumë flamuj universitarë që valëviteshin, gjithkush nisi ta mendonte arsimimin e lartë jo vetëm si mundësi, por dhe si detyrim. Masterët kaluan nga specializim i dijeve të përftuara, në certifikim për rritje rroge. Kund tjetër ata u kthyen në justifikim për mbajtjen e vendit të punës. Shteti dhe administrata vetë kontribuonin në këtë thagmë, duke përligjur nxitje të ndryshme që i bëheshin nëpunësve nëse i shtonin vetes së tyre një master më tepër. Tashmë drejt universiteteve me studime të përshpejtuara dhe të thjeshtëzuara derdheshin dhe ata që diploma kishin, por përse mos të kishin dhe një tjetër?… Më shumë studentë në auditorë, më e fortë prirja për të “mesatarizuar” mësimdhënien dhe më e dobët kërkesa e llogarisë për mësimnxënie.

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

Mandej, në një fazë të dytë, pas vitit 2013, erdhi shtrëngimi i numrit të institucioneve të arsimit të lartë përmes mbylljes së disa prej tyre, duke lënë në këmbë një numër më të pakët. Kjo lëvizje, mes të tjerash, shkaktoi dy efekte të menjëhershme: rritjen e ofertës së pedagogëve (shumë tashmë, të mbetur të papunë nga universitetet e mbyllura) dhe të studentëve konsumatorë diplomash. Çka u përkthye në më pak universitete të mbetura në këmbë, më pak nevojë për pedagogë, pavarësisht se numri i studentëve të mbetur në rrugë prej institucioneve të mbyllura u dynd tek ato që ende gjallonin.

Me ardhjen e koalicionit PS-LSI në pushtet, shoqëria vazhdoi të “drogohej” me diploma universitare, por dhe me ndërgjegjësimin se numri i universiteteve qe rritur përtej normales. Kjo përmasë, megjithatë, nuk implikonte numrat studentorë. U rrit numri i kuotave në universitetin publik dhe u shqyen dyert e institucioneve private për të pritur ata që në të parin nuk hynin dot. Vetë nxitja për “kap ku të mundesh” një diplomë nuk ra, pavarësisht se numri i universiteteve ofruese u shtrëngua. Çka u rrit, përkundër, qe oferta e punës nga ana e pedagogëve. Tashmë, të ishe dhe/apo të deklaroheshe si kandidat për një punë të tillë qe aq e lehtë sa të merrje diplomë. Masat e marra më vonë, sipas të cilave përftimi i gradës “Doktor i shkencave” bëhej thuajse e detyrueshme për stafet akademike të universiteteve, çoi ujë në mullirin e disa institucioneve private që “shpërndanin” doktorata me thes (ndërkaq që doktoratat “publike” pësuan një ndërprerje për shkak të mbiprodhimit sasior dhe nivelit degradues cilësor të deriatëhershëm).

Njëkohësisht shënoi rritje dhe numri i studentëve, duke futur mes tyre edhe ata që ishin me tituj të ndërprerë në mes, të cilët “shtegtuan” drejt universitete të mbetura në këmbë. E gjithë kjo dinamikë lejoi në shumë raste që institucionet e arsimit të lartë të mbijetuar të ulnin pagat e docentëve (tashmë që kishte shumë të lirë në treg) dhe, nëse e shihnin të mundshme, të rrisnin çmimet për studentët (këtyre të fundit u ishin shkurtuar shumë zgjedhje).

Të parëve nuk u kërkohej dhe aq cilësi, sesa urtësi për të pranuar kushtet e punës. Të dytët, diku do ta plasnin kokën dhe pak universitete të mbetura mund të binin më lehtë dakord për të administruar bashkë çmimet e singjashme. Vetëm për të zënë një punë, shumë pedagogë do pranonin paga më të ulëta; në të njëjtën mënyrë, vetëm për të përftuar një diplomë, një shoqëri e ushqyer me idenë se kushdo mundej – duhej – diplomuar, do pranonte çfarëdolloj çmimi për ta blerë atë.

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

Në të ardhmen, një mbyllje e mëtejshme e institucioneve të arsimit të lartë privat, nëse nuk bëhet përmes një vlerësimi serioz të normave të cilësisë dhe sidomos me efekt prapaveprues (mbi studentë, docentë dhe mijëra e mijëra tituj diplomash e doktoratash të lëshuara në këto vite) – operacion ky i fundit, që nënkupton një shpenzim të madh, të stërmadh, burimesh kohore, financiare dhe njerëzore – do prodhojë veç një efekt progresiv të përqendrimit të kapitalit (monetar por dhe njerëzor) në akoma më pak duar.

E në fund fare, të njëjtat duar do shkojnë, në mos kanë shkuar tashmë, në fytin dhe xhepin e institucionit publik të arsimit të lartë, i mbizotëruar nga po e njëjta kastë vetë-riprodhuese që reforma e qeverisë Rama mbi arsimin e lartë as që mori mundimin të ngacmonte. Dallimi i sotëm mes neoliberizmit që solli në jetë universitetet private dhe neofeudalizmit që mban në jetë hierarkitë e universitetit publik është vetëm formal, jo thelbësor. Mes tyre, në fakt nuk ka një contest mbi dijen, por veçse mbi prodhimin e një cope diplome. Kështu, ose universiteti publik do të kapitalizohet si pasojë, ose gjithë privatët do të feudalizohen prej një klikë ndërkufitare që shtrihet mes shtetit dhe privatit.

Çka dhe duket se është shpjegimi i gjithë strumbullarit që po duket sot.

 

23 Komente

  1. duket si pseudonim ky emri. Universitetet private nuk jane per natyren e tyre problematike, por per veprimtarine e disa pronareve qe kane njeren kembe ne institucionet publike (Angjeli – Mesdhetari, UFO – Deputeti PD nga Berati, UET – Grida Duma, PD e Cili (asgjekundi). Ka institucione private qe jane shume me te mira se UT, (Epoka p.sh.), te mos flasesh per Elbasanin, Shkodren e Gjirokastren qe kane shitur e shesin me shume diploma sesa Kristali e Mesdhetari te marra se bashku.

    Gjithmone kur kerdisen institucionet arsimore private, harrojme qe keto praktika vijne nga institucionet publike. Kush ka qene rektor apo dekan te Kristali kur shiteshin diplomat ne nje pike karburanti? Njeri kishte qene rektor i UPT, e tjetri dekan ne fakultetin juridik te UT. Keta e morren zullumin me vete se nuk e kishin problem nese ishte nje deputet apo pronari qe i komandonte te leshonin diploma badihava.

  2. Gjimnazet private jane duke nxjerre gjysmen e gjimnazisteve me mesatare 9.8 e lart, pra shtresa e larte dhe e mesme, sidomos mesolart, eshte duke ia ndier lezetin lekut qe ne gjimnaz. Nqs gjithnje ne shtet me hater eshte mbajtur femija i mesuesit apo i drejtorit gjekundi, i sekretarit te pare, dyte e trete, sot po mbahen me hater gjithe femijet e atyre qe kane leke apo njefare gjendjeje. Eshte i qarte pastaj avantazhi pseudomeritokratik qe kane pasur e kane te mbajturit me hater ne gjimanz per te pasur mundesine e hyrjes ne universitet. Numri i hapur me nje kriter mesatar note zgjidh pabarazine qe prodhohet ne gjimnaz, ose heqja fare e notes, si ka qene nje periudhe duke bazuar hyrjen ne universitet tek testimi ( mbaj mend gjera te lezetshme nga testimi, si u rrokullisen ne humnere notat e gjimnazit). Sa me pak fuqi diskrecionale te kete mesuesi/profesori aq me i paster eshte sistemi. Nje nga gjerat me vlere te kesaj proteste eshte edhe lufta kunder fuqise diskrecionale te profesoratit, nepermjet perfaqesive studentore, sepse kjo fuqi perkthehet ne korrupsion te paster e demtim te cilesise. Ideja se profesorati perbehet nga njerez te ndershem e me integritet, qe kane per synim madhor pergatitjen e brezit te ri, thyhen hundet me realitetin. Po ashtu pengon gjithe kerkimin shkencor, duke qene se oret e leksioneve e seminareve perbejne nje fraksion te orarit bazik konceptual te punes, prej 40 oresh javore. Qe profesorati publik nuk ka nje 40 orarsh javor, kjo lidhet me supozimin se eshte i pergjegjshem qe duhet te merret kryesisht me kerkim shkencor. Merret e mireqene kudo ne bote, qe ato 5-6 oret javore qe u dedikohen studenteve me leksione seminare e me pritje, nuk jane GJITHE puna e profesorit universitar, por nje fraksion, i rendesishem, por dytesor, duke qene se duhet te harxhoje 35 oret e mbetura me kerkim shkencor. Jo te studioje Lakanin dhe Marcusen, por te merret me kerkimin shkencor per te cilin mban graden apo titullin. Shqiperia vjen nga nje tradite e mykur, ku profesorit universitar i duket vetja si mesues gjimnazi qe do rrije te merret me nxenesin e pastaj do beje punet qe deshiron, kur ne fakt koha e bollshme ne dispozicion e mundesia per te perdorur asistente per leksione e seminare, jane ne funksion te kerkimit shkencor. Prandaj, si pasoje e kesaj tradite te mykur qe nuk eshte vetem shqiptare, profesori ne vend qe te merret me kerkim ben 7 pune ne 7 universitete e borde drejtuese te ndryshme dhe e ka mendjen si te ushtroje supremacine mbi studentin, per nje lende te cilen profesori/pedafogu e di permendesh qe ne vitin e dyte te punes dhe nuk i duhet asnje minute per pergatitjen e leksionit apo seminarit. Fuqia diskrecionale e profesoratit ne materialin didaktik dhe ne percaktimin e oreve te punes se vet duhet kufizuar sepse krijon anomalo serioze ne raportin student-pedagog dhe profesor-shkence.

    1. Shkruan:

      Ideja se profesorati perbehet nga njerez te ndershem e me integritet, qe kane per synim madhor pergatitjen e brezit te ri, thyhen hundet me realitetin.

      Dje po e bisedoja këtë. Dhe pikërisht duke thënë se profesorët kanë si shumë pushtet ndaj studentit, në një kohë që duhej ta kishin ndaj lëndës që japin.

      Një zgjidhje e pjesshme do të ishte zëvendësimi total i provimeve me testimin anonim.

      Sa me pak fuqi diskrecionale te kete mesuesi/profesori aq me i paster eshte sistemi.

      Pikërisht!

      Do të korrigjoja pak thënien më lart: pritet që profesorati të përbëhet nga njerëz të ndershëm dhe me integritet se studenti. Në fakt, duhet supozuar e kundërta.

      Pa e idealizuar megjithatë studentin. Edhe studenti nuk është se ka rënë nga qielli. Ka studentë që korruptojnë, që janë parazitë, që janë kokëboshë ose kunguj, që duan ta mjelin sistemin, që u bëjnë presion ose shantazh pedagogëve, që janë gati t’i blejnë provimet dhe diplomat, që duan t’i marrin provimet duke fjetur me profesoratin.

      Dallimi kryesor i tyre me profesorët është se të parët (studentët e pamoralshëm) nuk kanë pasur kohë t’i rafinojnë veset, sepse nuk e kanë mbaruar “shkollën” e sistemit.

      Gjithsesi, zgjidhja që propozon ti vlen dyanshëm.

  3. Kjo puna e ekonomisë së tregut e applikuar gjithandej, në arsim, kulturë, urbanistikë, është njësoj sikur ai mirëmbajtësi (handyman) që i duhet të kujdeset për riparimet elektrike, hidarulike, mekanike, kozmetike, por në kutinë e veglave ka vetëm gozhdë dhe çekan. Sigurisht në rastin tonë kjo nuk ndodh seps shteti nuk i ka në dorë të gjitha mjetet, por sepse kështu i intereson. Është kollaj dhe ka përfitime të aty-për-atyshme kur ia lëshon terrenin tregut (një industri më shumë për tu privatizuar dhe përfituar në vazhdën e matrapazllikut shqiptar). Pse të lodhesh me ruajtjen e strukturave sociale që nuk i hyjnë kujt në xhep?

    Por, roli i shtetit duhet të jetë, që ndërsa garanton liritë ekonomike, të garantojë edhe stabilitetin social.

    Problematikat ekonomike, sociale, kulturore, arsimore, urbanistike, vërtet ndërthuren por kanë ligje të ndryshme. Më e pakta që mund të thuash është që ndërsa tregu ka nevojë për politika liberalizimi që të funksionojë, problemet sociale kanë nevojë për politika mbrojtëse dhe shtrënguse që të garantojnë integritetin e shoqërisë nga efektet anësore të tregut.

    Duke folur pa shumë njohuri në fushë, më duket mua se politikat arsimore kanë dy komponente. Së pari, roli i shtetit si garantues i mbarëvajtjes ekonomike, dhe së dyti roili i universiteteve (rektorateve?) si garantues të hierarkisë së vlerave, nga rrjedh edhe autonomia e tyre. Duket se të dyja këto komponente të politikave arsimore janë në krizë.

    Ndërkohë hapja e universitetve private nuk duket se ka sjell ndonjë risi, as në aspektin ekonomik, as në modifikimin e hierarkisë së vlerave. Në mos e ka përkeqësuar situatën po qe se marrim për të miëqënë ato që thuhen në shkrim mbi dukurinë e blerjes së diplomave dhe titujve, kanë shaktuar një qark të shkurtër midis tregut dhe hierarkisë së vlerave.

  4. Persa i perket paragrafit te fundti. Mendoj se kjo gje ka ndodhur tashme. Ka vite qe universitetet shteterore jane kthyer ne dyqane diplomash, ashtu sic ka vite qe ne universitetet private sundojne klika te stervitura te universiteteve publike.

    Dicka qe me ben pershtypje ne artikull eshte se te krijohet ideja se masivizimi i universiteteve eshte shkaktari kryesor i kesaj gjendje ne arsim. Une them qe jo por ndoshta gabohem. Se paku nuk ka qene faktor i rendesishem.
    Masivizimi, ashtu sic e shikoj une, ka pajisur me diploma ata nepunes shteti te dores se dyte qe punonin tashme ne institucione periferike. Ndonje cilesi te madhe nuk u solli por dem nuk beri kurrsesi. Ata ato vende i kishin edhe me pare. Nuk eshte se po te iknin ata dhe do te zevendesoheshin nga njerez te zote.

    Interesant eshte fakti qe drejtuesit e arsimit te larte kane qene po te njejtet si para masivizimit, ashtu edhe gjate tij por edhe mbrapa tij.

    Meqe te keqijat e masivizimit dihen po shtoj edhe disa te mira te cilat nuk permenden fare.

    – Masivizimi u krijoi mundesi studimi edhe atyre studenteve te cilet kishin potenciale te shumta por qe per nje arsye apo tjetren nuk e kishin fituar te drejten e studimit (psh emigracioni, mesatarja etj).

    -Ai cliroi disi arsimin e larte duke u hapur rruge pedagogeve te rinj qe nuk qaseshin ne universitetet publike qe trajtoheshin dhe trajtohen si prona te babait nga ata qe drejtojne. Kjo ka funksionuar mire sidomos per ata pedagoge te shkolluar jashte qe shiheshin si rrezik nga klika ekzistuese. Nese shohim njefare fryme te re ne mendimin e studenteve sot, nje merite te madhe kane edhe ata .

    -Masivizimi permiresoi disi edhe literaturen. Ky eshte problem i madh akoma edhe sot por vite me pare literatura ka qene ne nivele katastrofike. Ajo jepej me pikatore nga pjesa me e madhe e pedagogeve te vjeter te cilen nuk e konsideronin ate si nje gje qe duhet ndare por si nje ekskluzivitet per te mbajtur magjine e pedagogut dhe sundimin e tij ndaj studentit. Kishte dege ku mungonin tekstet per 80% te lendeve.

  5. Ke te drejte xha xha, duhet shtuar nje ‘me’ qe te jemi brenda. Studenti e meson hilene qe me heret dhe aty synon, prandaj duhet ajo ‘me’ perpara, qe profesori t’ia mbledhe studentit, kur ky synon hilene. Problemi eshte qe qysh ne vitet ’90 filloi blerja e provimeve nga vete prinderit e studenteve, mbaj mend nja dy ‘mama’ qe shkonin e blinin provime ne Elbasan. Po ne Tirane kishte studente qe ekzistonin si emer e i merrnin te gjitha 10, me siguri gjeni, por qe nuk permbushnin detyrimin per t’u paraqitur neper seminare me detyrim, ku me disa mungesa nuk hyje dot ne provim. Ka nisur nga shteti/pedagoget e nga prinderit ky proces seleksionimi negativ,.qe me vone u masivizua me blerje ne dore tek privati e shteti. Batuten, ta dija se ishte kaq e lehte shkolla e larte do kisha bere edhe te mesmen, jashte shtetit nuk do ta kuptonte njeri e do digjej si batute. Ky seleksionim negativ ka kohe ne Shqiperi dhe per mendimin tim eshte pothuajse e pamundur te zgjidhet vetem brenda sistemit arsimor. Mund te vendosen barriera, si ajo qe propozojne studentet apo edhe mendime te ndryshme qe qarkullojne, qe fenomeni te mos jete kaq masiv sa eshte dhe te lejoje njefare qarkullimi ajri atje lart, po qe te ajroset tamam duhen hapur dritare e dyer dhe duhen mbyllur prape. Arsimi publik ne kapitalizem
    eshte per shtresen e varfer dhe te mesme, te pasurit shkojne tek privati ku ka edhe kushte me te mira, klasa me te vogla ne numer, ku profesori eshte me shume pedagog sesa profesor, pra kujdeset me shume nga pikepamja pedagogjike, po edhe si privat kudo te shkosh rrezik edhe ne Harvard, njefare mbyllje syri per noten kaluese do ekzistoje se privati e krijon vleren e shtuar me nxenesit e 10-s, fale kushteve e cilesise qe ofron, keta te peses i duhen per te mbyllur pozitivisht bilancet vjetore. Ne kete kuptim shtresa e varfer dhe e mesme qe popullon universitet publike ne gjithe boten, ka nevoje edhe per universitetin publik si mundesi reale per te pasur shanse te barabarta (qe sdo jene kurre te tilla, por njefare shansi), ai qe do te intelektualizohet te kete mundesine nepermjet bibliotekave e aksesit te lire tek libri, ai qe do te specializohet ne ndonje shkence po ashtu, ai qe do te behet profesionist i dalluar po ashtu. Nqs ne kapitalizem nuk ofrohet cilesi dhe kushte minimale tek universiteti publik atehere penalizimi i shtreses se varfer e te mesme eshte i garantuar dhe kjo do te thote penalizim i kapaciteteve te 90% te popullsise, te cilet pastaj gjenden ne dilemen, o me dele o me kapele, dhe nuk do shume mend qe njeriu ambicioz zgjedh kapelen. Keshtu e bleve besnikerine e kapeles dhe do themi, ku ishim, asgjekundi, ca beme hic asgje.

  6. Lexojme e degjojme keto dite qe s’ka arsim falas, se as ne komunizem nuk ka falas. Ne fakt, nje nga shume paradokset eshte qe ne komunizem nuk ka asgje falas, kurse ne kapitalizem ekziston mundesia per kosto totale te uleta dhe kosto direkte zero. Ne komunizem, shteti e pervetesonte gjithe vleren e shtuar te punes dhe te jepte sa te mbaje frymen gjalle, nderkohe qe ne arsim nuk stimulonte askend falas, kushdo qe donte te larten e kishte koston te spiunlliku ne rast se vinte nga shtresat e permbysura, te besnikeria pa kushte e familjeve te paperfshira ne politike dhe tek propaganda e femijeve te komunisteve. Ne fshat mund te behej e mesmja, zakonisht bujqesore ose induatriale, po ngaqe nuk stimulohej kush, keto te mesme i kapnin zakonisht shtresat e permbysura, femijet e prinderve qe dinin shkrim e kendim apo kishin pare bote me sy ose thjesht per arsye fiziologjike, sepse edhe ne sistemin me demotivues del nje femije qe ka qejf te lexoje. Pra, komunizmi jo qe ska arsim te larte falas, po ka kosto shume te larta morale dhe ne teresi demotivon intelektin e lire, kuriozitetin e fantazine. Por sot jemi ne kapitalizem dhe ne kete sistem ka ze gjithsecili, jo vetem komunisti dhe interesi e pushteti i tij. Keshtu shteti demokratik ne kapitalizem ofron mundesine teorike te kostove direkte falas, po ne teresi meqe gjysma e taksave jane te konsumit, TVSH, akciza, dogana, takse qarkullimi tek nafta etj atehere kostot totale nuk jane asnjehere falas, por te pakten gjysma. Nqs nje student eshte edhe ne pune, ky paguan 50-60% taksa totale shtetit nga te ardhurat e rroges, eshte i ri s’ka nevoje per spitale e ilace, po paguan tek taksat edhe pensionin, perpos ilacevr te pensionistit, atehere cfare tarife direkte arsimi do t’i ngopesh dikujt qe po mban pensionistet me buke e ilace, pa harruar qe ndonjehere mbulon edhe ndonne kosto per prinderit. Pra, kategoria e studentit punetor eshte super e taksuat nga shteti, tarifat e universitetit thjesht jane ngopja edhe nje takse se i do bytha te diplomohet ketij. Jo vetem qe pergjysmimi eshte i llogjikshem por edhe falja e kesaj tarife eshte domosdoshmeri ose ndershmeri publike. Kur sheh pensioniste qe i turren kesaj kategorie super te taksuar, qe po i paguan pensionistit ilacet dhe pensionet eshte me se paku qesharake per nga mosmirenjohja. Apo duhet te guxoje i punesuari te cilin kjo kategori po e ndihmon qe prindi te kete pension e ilace ? Falas mund te mos kete per ceshtje principi qe te mos mesohen njerezit t’i nxjerrin gjerat qyl, por kategoria e studentit punetor nuk eshte kategori qylaxhinjsh, por aktualisht kategoria me e taksuar ne sistem. Eshte ceshtje drejtesie kjo, jo lloqe kavaje.

  7. Me sa interes po e lexoja shkrimin ne fillim, sepse sillte fakte nga jeta arsimore ne Shq., mirpo nga fundi shkrimi perpiqet te kaloje ne rezume ideologjike e politike, por pa sugjeruar rruge konkrete per zhvillimin e ketij arsimi. Ngaqe une vete nuk e njoh sistemin e tashem arsimor te larte ne Shq., nuk me lejohet te bej komente. Por dicka me terheq vemendjen, me aq sa di. Te gjitha dipllomat e universiteteve shqiptare, (pervec fakultetit/ universitetit bujqesor te Kamzes, me duket) nuk njihen nga bota. E te mendosh, se arsimi i larte shqiptar i viteve 60 deri ne fillim te 90-ave, ishte ku e ku me i larte ne krahasim me arsimin e larte ne vende te tjera perendimore. Diku u permend se matematika eshte hequr nga shume fakultete! Ky eshte vetem nje fakt, qe tregon ku gjindet arsimi i larte shqiptar. Duket se ky vend eshte destinuar ti sherbeje Europes perendimore ne dekadat e ardhme per fuqi e thjeshte punetore (bujqesi, gastronomi, shendetsi, etj.).

  8. Gjasat janë që tarifat e arsimit të lartë publik ose do të hiqen krejt ose ose do të ulen edhe më: gjë e mirë për studentët dhe për familjet e tyre (dhe për politikanët që fitojnë pikë elektorale). Gjasat janë edhe që kjo hapje dyersh të rritë edhe më numrin e studentëve anembanë Shqipërisë. Por shpresoj që dikush gjithnjë të bëjë pyetjen: çfarë do të bëjnë gjithë këta studentë? A është në gjendje ekonomia e sotme që t’i punësojë? A ka nevojë për gjithë këta të diplomuar ekonomia dhe shoqëria shqiptare? A përcaktohet numri i studentëve për degë në bazë të kërkesave për punë? Sepse nëse arsimi i lartë shndërrohet në një inkubator për papunësinë e nesërme, atëherë efektet e zbutjes/heqjes së tarifave do të ishin: OSE nxitje e palumturisë masive a të njerëzve të pakënaqur, sepse nuk po i realizojnë dot aspiratat që u kanë kultivuar në shkollë; OSE emigracion në masë. Ky i dyti e zbraz vendin nga shtresa potencialisht më produktive, në çdo kuptim; pa folur për çfarë i ndodh demografisë. Për ta kuptuar më mirë, Italisë fqinje po i largohen 28 mijë të diplomuar çdo vit (28mila laureati se ne vanno ogni anno. E no, non è retorica: è la prima emergenza dell’Italia). Dhe nëse të diplomuarit nesër do të mbeten pa punë dhe do të ikin nga Shqipëria, atëherë i bie që shteti të investojë sot në arsimin e lartë për të subvencionuar emigracionin, me shpresë se të ikurit do t’u dërgojnë ndonjë para familjeve të tyre, të paktën për të paguar këto ilaçet. Në afat të gjatë, këtë fenomen të ikjes së shtresës së arsimuar do të mund ta zgjidhë vetëm imigracioni – mjeku shqiptar në Gjermani do t’i dërgojë para nënës së vet në Shqipëri, që kjo të mund të strehohet në një azil ku t’i shërbejnë infermiere nga Bangladeshi.

    1. Sikurse e tha edhe Aleksi në një koment tek tema tjetër problemi nuk është masiviteti i sistemi arsimor, por mungesa e tregut të punës. Këta të rinjë, me apo pa arsim, përsëri mbeten më së paku kontigjent i emigracionit. Sikur për asgjë tjetër, arsimi masiv i ndihmon këta të rinjë të mos mbeten edhe kontigjent i krimit.

      Përndryshe, pretendimi se mund të ketë arsim cilësor në Shqipëri pa ekonomi të shëndoshë, qoftë edhe me pesë student, është iluzion.

  9. Italine e ka rrenuar sistemi arsimor dhe deindustrializimi i nxitur nga BE-ja, euroja, inflacioni i ulet dhe nxitja e ‘imprese medio-piccole’. Simbol eshte largimi i Fiatit ne Hollande e Angli, dhe eshte per te shqyer syte, sesi Fiati nuk eshte ndermarrje italiane. Nga pikepamja e punesimit ne ekonomine aktuale shqiptare, ne fshat eshte per t’u mbajtur me detyrim dhe falas arsimi fillor dhe per t’u taksuar arsimi 9 vjecar, sepse askujt nuk i duhet per te punuar token ndonje kompetence me e madhe se fillorja, shkrim e kendim dhe matematike bazike deri tek tabela e shumezimit. Po ashtu fshataret duhet te taksohen shume rende per te mesmen dhe ta kene te pamundur te larten. Ne qytet falas 9 vjecarja, taksim super i rende per gjimnazin dhe teknikumet dhe heqja e universiteteve. Universiteti ne Shqiperi duhet te zhduket, jane rreth 10% te popullsise qe kane leke per t’i cuar femijet ne te mesme e te larte ne Perendim, kthehen me diplomat ne Shqiperi dhe kane vendet e punes. Qe ne kete sistem ekonomik ne kemi universitet eshte per t’u habitur, duke qene se ka aq te pasur dhe te shtreses mesolart qe mund t’i cojne femijet jashte ne universitete publike e private Perendimore. Nderkohe qe shteti mund te financoje pak te varfer te 10-s, t’i coje me burse me Perendim e t’i marre mbrapsht per nevojat e administrates publike. Qe ne sistemin shqiptar ka studente eshte e cuditshme.

  10. Po dëgjoja në emisionin e Zhejit, ku i ftuar është edhe Taulant Muka. Po diskutohej rreth ndërvarësisë së ekonomisë me arsimin, dhe pyetjes së Zhejit se a mund të ketë arsim cilësor pa një ekonomi të fortë, Muka dhe të tjerë i përgjigjen, duke perifrazuar, se nuk mund të ketë një ekonomi të fortë pa një arsim cilësor, me argumentin se elitat e ardhshme që do dalin nga ky arsim jo cilësor do kenë ndikim edhe në ekonomi. Dakort. Tingëllon shumë mirë.

    Problemi është se baza e ekonomisë nuk është patjetër dija (knoëledge) por e drejta për të shkëmbyer në liri. Po ashtu nuk ka ndonjë evidencë që eliatat e arsimuara sigurojnë ekonomi të zhvilluara, sepse fare mirë ato mund të jenë të korruptuara.

    Arsimi masiv ndoshta i shërben tregut në mënyrë indirekte, por kur ky ekziston dhe jo anasjelltas.
    Nëse shqiptarët, pra jo vetëm studentët, nuk e kuptojnë se kjo lëvizje është për barazi dhe liri ekonomike atëherë e kanë humbur toruan.

    1. Pyetja e Zhejit eshte e gabuar, pergjigja e Mukes edhe me e gabuar. Arsimi e forcon ekonomine dhe ekonomia e forcon arsimin, me nje avantazh te lehte tek arsimi, sepse nje industri kur do te beje investim ka nevoje per inxhinjerin menjehere dhe inxhinjeri duhet te jete gati e jo ta sjellesh nga jashte me kosto te stermedha apo ta porositesh qe te dale pas 5 vjetesh. Arsimi e pararend zhvillimin ekonomik brenda nje vizioni te qarte. Eshte me mire te kesh teprica njerezish te kualifikuar, sesa te kesh mungesa e t’i marresh nga jashte me kosto 10fish mente larta. Nderkohe qe arsimi i larte dhe elitat jane gjera pa lidhje, elitat duhet te kene sot 3 mastera shkencore 5 mastera profesionale e ato akademiket se sben nje doktorature. C’pune kane elitat me diplomen universitare, ato duhet te shkojne tek dija multidisiplinore postdiplomim. Universiteti duhet te prodhoje profesioniste me te larten, elitat duhet te djersitin 7 kemisha me shkollim apo dije ne shume disiplina. Qe ne kemi Ramen qe mbytet me shifrat e qeverisjes, Bashen qe sdi tabelen e shumezimit dhe Monikes qe s’di te lexoje nje numer me 7 shifra , kjo eshte skandaloze, pse nga keta presim ekonomi kur mbyten tek matematika e fillores.

      1. Nuk mendoj se pyetja e Zhejit ishte e gabuar. Dhe, për të mos i hyrë në hak Taulantit, “elitën” si term mund ta kem perifrazuar edhe unë gabim, ose mund të këtë qënë edhe lapsus. Ideja ishte që duhej një masë të arsimuarish që të mundësojnë zhvillimin e ekonomisë.

        Nuk ëshët se mendoj që Taulanti është plotësisht gabim. Spse nuk do shumë mënd që ekonomisë i duhen njërëz të arsimuar. Porse arsimin masiv nuk e kthen dot mbrapsh. Vetëm mund ta modifikosh. Por problemet e tij me ekonominë mbeten po ato. Këto probleme nuk zgjidhen dot me ekonominë aktuale.

        Pra çfarë jemi duke i kërkuar politikës? Social enginnering? Facada? Buzëkuq?

  11. Me kujtohet qe Blushi ka pase hedhur tezen qe shkolla e mesme duhet te behet e detyrueshme. Brenda nje koncepti modernizimi teza me duket e qendrueshme. Tashme realiteti eshte kompleks, ka dhjetera disiplina shkencore, duhen 3 universitete e 7 mastera per te kuptuar si duhet ndonje prej fenomeneve moderne. Ndjekja e nje modeli madhor si Gjermania, Anglia apo Amerika, nenkupton ndryshime rrenjesore. Keto jane sisteme ku ne bujqesi punojne 1-2% e popullsise, ne industri 20-30% e popullsise dhe 70-80% ne sherbime. Te punon ne industri e sherbime te duhet minimalisht nje shkolle e mesme per te arritur nivele te mira produktiviteti,i cili ne sherbime eshte i lidhur edhe me zanatin si i tille ,por edhe me nje kapacitet komunikimi, per te cilin ka vlere edhe shkollimi e kultura. Po ne industri sa me e specializuar dhe teknologji te larte ajo ka , aq me shume duhen inxhinjera dhe teknike me te mesme, per te mundesuar maksimumin e produktivitetit, sepse manualiteti i ka lene vendin automatizimit. Ne funksion te se ardhmes s’duhet te kete me njerez pa te mesme, gjimnaz nga 6 ose 7 e siper, te mesme profesionale poshte. Ne te larten perpos limitit hyres te 6 apo edhe 6.5 , duhet menduar per keta poshte, qe duhet te kene mundesine e ndonje kursi 1 apo 2 vjecar per sherbime te avancuara. Pra gjithe sistemi ne cdo hallke duhet te ofroje opsionin A per ata mbi nje note qe mund te mesatarizohet tek 6.5 (apo 7 ne nje moment fillestar) , dhe nje opsion B per ata me nje note nen 6.5 (apo 7 ne moment fillestar). Ketu duhet nje shans per te gjithe qe te kualifikohen ne dicka e te kene synimin e berjes para. Per kete duhet hapur ne radhe te pare kapitalizmi ne cdo sektor, duhet dale nga feudalizmi i fshatit dhe i qytetit. Sepse nqs modelohet vendi sipas Gjermanise, Danimarkes apo Belgjikes, ne radhe te pare duhet dale nga feudalizmi, duke qene se feudalizmi eshte nje sistem ku nuk eshte fare e nevojshme te kete shkollim, sepse mjafton me ken shkodran, se tana i ban. Ky mentaliteti feudal ku gjithe shqiptaret jane shkodrane, ul ne menyre drastike produktivitetin, i cili per te qene maksimal ka nevoje per specializim maksimal, biles edhe disa specializime te peraferta qe maksimizimi te mos vije nga shtimi i oreve te punes, po nga produktiviteti maksimal ne 8 oreshin e punes.

  12. Po arsimi masiv nuk kthehet dot mbrapsht duhet te jete politika dhe ekonomia qe ecin shpejt dhe drejt. Me ne fund Shqiperise i erdhi dita qe te mendohet ore po si do i punesojme keta qe s’duan te ikin jashte. Se kjo ndodhi me arsimin masiv, deri tani ai me 8-9 vjecare ikte dhe i thoshin shume mire qe ike na sill ndonje lek, kurse tani edhe pse del ndonje gdhe e Rilindjes qe thote ikni te gjithe jashte, te shumte po fillojne po mendojne ore po si ia behet t’i punesojme keta. Ky qe duhet te ishte problemi madhor i shoqerise, si ti punesojme njerezit, pse nuk po hapen vende pune, pse qeveria vjedh kur duhet te investoje, vetem tani pra po lind si problem madhor. Kjo eshte gje e jashtezakonshme, qe ka vene ne krize Ramen, se per te plotesuar kerkesat i duhet te vjedhe me pak vitin tjeter. Thene kjo, Muka qe me pranimin e postit dhe pastaj doreheqjen me motive kalamalleqe si uji dhe kafja, do bente mire te shkonte ne Zvicer ku ofrohen plot postdoc 3 mujore deri ne 2 vjecare per mjekesi e farmakologji se zviceranet jane vend lider ne prodhimit e barnave e kane nevoje. Per te tjerat ia bene mire studentet qe nuk e lane te fliste ne shesh, se nuk eshte shume larg Lali Erit, me perjashtimin e rendesishem qe Lali Eri ska diplome.

  13. Dikush duhet t’ua thote hapur Te verteten e hidhur shqiptareve se arsimi I larte ne shqiperi eshte nje humbje e madhe kohe per te rinjte per shkak Te nivelit teper te dobet te tij .mijera te rinj shumezuar per 4 vjet Po flasim per qindra mije vjet te humbura kot.jeta e individeve eshte pasuri kombetare .
    Qe ne vitet 80 kur kishim vetem nje universitet ku ishin perqendruar energjite e kombit per arsimin e larte u hodh alarmi nga kupola e shtetit se :” po shperndajme diploma e jo dije “.behej fjale per nje kohe kur kishte displine ,behej mesim I rregullt e korrupsioni nuk ishte kaq I larte .c’mund te thuhet pas 3 dekadash rremuje ?
    Qellimi I arsimit Te larte eshte te pregatise profesioniste qe te konkurrojne ne tregun global Te punes.sa per analogji vetem 5-6% e inxhiniereve qe diplomohen ne Indi apo ne kine konsiderohen te punesueshem .behet fjale per dy fuqi ekonomike boterore .shumica e autoreve Te librave te shkencave ekzakte te kolegjeve amerikane mbajne mbiemra indiane me 18 rrokje.sa % e diplomanteve te UT jane te standardit te punesohen direct nga Google,Microsoft,Boeing,Benz,Honda etj ?sa % e inxhiniereve Te sapo diplomuar ne gjendje te projektojne apo te menaxhojne ndertimin e nje autostrade ,dige ,aeroplani makine nga A ne Z?sa % jane ne gjendje te programojne njohin codet gjenetike etj ?sa komplet i dobet e I pavlere eshte sistemi arsimor I larte tregon fakti qe nuk kemi terhequr dot asnje kompani Te huaj serioze Te hape filiale ne shqiperi .apo fakti qe pavaresisht diplomimit Te mijera specialisteve bujqesore une UB e kamzes shqiperia nuk ka asnje lloj arritje ne shkencen bujqesore apo se importon pothuaj gjithe ushqimin e saj .megjitheato investime ne UB duhej Te ishim si izraeli qe krijon bime me rendimente te larta ne mes te shkretetires apo e pakta graduatet e UB me dijet e marra duhej te ishin sipermarres te sukseshem .niveli i konkurrueshmerise se graduateve te UT ndaj atyre ne vendet e zhvilluara krahasohet me ate te nje gomari te cale me nje ferrari.a do te vazhdojme te genjejme te rinjte se gjoja Po marrin dije ne UT apo atyre me te mireve t’u sigurojme mundesine te studiojne diku gjetke ndersa te tjeret do ti sherbejne me mire kombit familjes e vetes duke mesuar ndonje zanat .

    1. Alba,

      Unë them: TË MBYLLET!
      Edhe le ta themi pa frikë tani, se më duket se nuk po e kemi të qartë reformën: Fakultetet të mbyllen, duke filluar nga ai i mjekësisë i pari që po bën hatara.

      Hapi dytë: Shqiptarët ja të vdesin në vendin e vet, ja të marrin arratinë.
      A nuk na e kanë thënë që jemi të paaftë të menaxhojmë burimet tona natyrore, fqinjët tanë dashamirës?

      Të mbyllet dhe pikë.

      Jam me Taulant Mukën dhe gjithë shqiptarët që dinë ta luajnë belin e shqiptarizmës.

      1. “sa komplet i dobet e I pavlere eshte sistemi arsimor I larte tregon fakti qe nuk kemi terhequr dot asnje kompani Te huaj serioze Te hape filiale ne shqiperi”

        Arsimi qënka fajtori… Dhe unë gënjehesha me ca gjoja-ekonomistë të dhomave tregtare që e shpjegonin këtë punën e filialeve të kompanive të huaja, herë me taksat e larta, herë me klimën e pasigurt të biznesit dhe herë me përzënie me dru kurrizit nga mavrinjtë vendas të të huajve që duan të investojnë.

  14. Po pse e beri te cale gomarin e graduateve te UT-se nuk e kuptova. Te mos e gjymtonte te pakten gomarin e shkrete. Apo i cale i eshte dukur nga “Ferrari” i universitetit ku eshte graduatuar.

  15. Ka një poemë nga një pastor gjerman që thotë pak a shumë:

    “Në fillim erdhën për socialistët por nuk fola se nuk isha socialist,
    pastaj erdhën për sindikalistët por nuk fola se nuk isha sindikalist,
    pastaj erdhën për çifutët por nuk fola se nuk isha çifut.
    Në fund erdhën për mua por nuk kishte ngelur asnjeri që të flasë për mua”.

    Kjo poemë më erdhi në mendje kur para ca ditësh, krejt rastësisht (ashtu siç ndodh në raste të tilla), duke kërkuar disa informacione me interes onomatologjik në internet rrash mbi një artikull të XhaXhait botuar në vitin e largët 2009 me titull “EMRA FËMIJËSH”. Nga sa mbaj mend artikulli kishte mjaft interes, dhe nga statistikat që publikonte XhaXhai ishte nga më të vizituarit, gjë që është e kuptueshme po të mendojmë se prindër në tentativë apo të sapo bërë të tillë kërkojnë emrat e fëmijëve të tyre ti gjejnë gati në internet apo kërkojnë ndonjë ide. Edhe tani nëse google-oni “Emra fëmijësh” do ju dali në faqen e parë artikulli i XhaXhait. Në atë artikull kisha dhënë edhe unë një kontribut modest, bashkë me referencat përkatëse shkencore për të qenë korrekt me të gjithë. Mirëpo çfarë ka ndodhur? Dy persona të panjohur për mua, nga të cilët njëri me gradën Prof. Dr. në Universitetin e Prishtinës më kanë kopjuar informacionin dhe e kanë përcjell si punën e tyre! Pa cituar për minimum as faqen e PtF! Dhe më paralajmëronte XhaXhai, ata që na kopjojnë të mos i gjejnë gati referencat!

    Ja pra arsimi në Shqipëri (në fakt këtu në Kosovë) dhe hordhitë e panumërta të doktorëve, PhD, MD, LLD, DDS, DDiv. dhe magjistarëve me më shumë grada e dekorata se Brezhnjevi vetë. I erdha një çikë anash por më duket se e përshkrova gjallërisht fenomenin e plagjiaturave aq të përfolur këto ditë në protestat studentore. Them të reagoj tani, se mbase është rasti i fundit që shikojmë diçka kaq origjinale në Shqipëri.

    Për krahasim:

    (Emra fëmijësh)

    https://peizazhe.com/2009/09/07/emra-femijesh/

    [Caka, Nebi & Caka, Ali. (2010). Motivimi i emërtimit të fëmijëve në Kosovë 1912-2008 (The naming of children in Kosova 1912-2008). AKTET – Journal of Institute Alb-Shkenca. 3. 554-556.)]

    https://www.researchgate.net/publication/255687323_Motivimi_i_emertimit_te_femijeve_ne_Kosove_1912-2008_The_naming_of_children_in_Kosova_1912-2008

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin