Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Sociologji

WIKI SI VIRUS

Që informacioni i hapësirës shqiptare në Internet ka nevojë për (s)pastrim nuk ka pikë dyshimi. Si unë, ashtu edhe Xha Xhai, por edhe Parrulla, i kemi kushtuar jo pak vëmendje cilësisë së tij të dobët në gjuhën shqipe. Por a mbetet i kufizuar në hapësirën shqiptare virusi i informacionit të mangët? Kam frikë që jo.

Në hapësira të hapura si enciklopedia Wikipedia online, si rregull cilësia e informacionit duhet të ishte tendencialisht në rritje. Kjo për arsyen se kontrolli kolektiv normalisht ushtrohet duke e përmirësuar informacionin në dispozicion. Por nuk ndodh gjithnjë kështu. Le të marrim një shembull të vogël. Dikush fut një shkrim, ta zëmë, për mjekësinë alternative. Pas kësaj pritet që një përdorues tjetër të shtojë diçka më shumë, ose të korrigjojë gabimet e shkrimit fillestar. Kjo nënkupton, pa dyshim, një farë përgatitjeje nga ana korrektuesit, ose të paktën një përgatitje pak më të madhe se autori i mëparshëm. Mirëpo, teorikisht (dhe praktikisht) mund të ndodhë që ndokush, në “ndreqje e sipër”, ta prishë tekstin me gabime nga më të ndryshmet; ndokush tjetër, nga lartësia e injorarrogancës së vet, thotë “E çë pastaj?”. Kjo batutë, në praktikë, mund të përkthehet fare mirë me një fshirje fizike të asaj që është shkruar, vetëm për faktin se nuk ia mbushi mendjen lexuesit të radhës.

kompjuter-banjeNa duhet të diskutojmë herë tjetër për arsyet dhe prejardhjen e këtij mentaliteti interventist (ndërhyrës), çka shoqërohet me përçmim të pamohueshëm ndaj diturisë, meqë ky qëndrim nihilist mund t’i aplikohet çdo gjëje. Madje edhe vetë shprehjes “E çë pastaj?” mund t’i përgjigjemi pafundësisht me “E çë pastaj?”. Gjithsesi, menaxhimi i informacionit të lirë kërkon pjekuri kolektive, përveçse ndërgjegje të lartë sociale.

Paçavuret dhe pasaktësitë internetiane në gjuhën shqipe nuk kanë të sosur. Secili prej nesh ka përvojë të hidhur në këtë drejtim. Do të ishte krejt normale, sikur ky informacion të mbetej i ngujuar në hapësira margjinale, si dikur sarhoshët në pijetoret e lagjeve periferike. Dihet që janë atje, dihet që nuk shqetësojnë kërkënd; si të thuash, hanë, pinë e ngacmohen për qejf të vet. Problemi është se informacioni në internet shkon fill tek nxënësit e shkollave, madje edhe tek temat e diplomave universitare, ku shndrisin përkrah edhe firmat e dr/prof. emërmëdhenj. Ndotja, pra, shkon drejt tek brezat e ardhshëm.

Në një nga komentet për Wikipedian shqiptare, më thuhet se pasaktësitë i paskan kaluar kufijtë e gjuhës shqipe. Me fjalë të tjera, më thuhet se shqiptarët japin informacion të diskutueshëm jo vetëm në gjuhën e tyre amtare, por edhe në të tjera. Ndoshta pehlivanët e informacionit po stërviten edhe në palestra të huaja. Vërejtja e komentuesit më bëri të mendohem. Nuk kam kohë për kërkime të përthelluara nëpër lagunat e internetit, por nja dy shembuj që pashë sikur i dhanë të drejtë komentuesit të mësipërm. Me sa duket, disa shqiptarë “të zellshëm” shkojnë e shkruajnë në gjuhë të huaj për argumente të ndryshme, kryesisht për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vetvete, pra të shkruarit në gjuhë tjetër, përbën akt të lavdërueshëm, madje të urueshëm, për sa kohë respektohen parimet bazë të informacionit e të diskutimit. Gjithsesi, qëllimi kryesor – sipas gjasës njohja e shqiptarisë në botë – nuk mund ta justifikojë cilësinë dhe mënyrën se si transmetohet informacioni rreth argumentit.

Përndryshe, efektin bumerang nuk na e shmang kush.

Pa Komente

  1. Hmm, kritika bëhet më kollaj se krijimi dhe mirëmbajtja e informacionit në Wikipedia. Çfarë duhet të themi, bravo që e keni kritikuar? Mallkime për ata që shkruajnë keq? Të mbyllet Wikipedia?

    Mua më intereson më tepër se si nuk janë gjendur 20, 30, 100 shqiptarë, siç kanë gjuhët e tjera mirëmbajtës, që të shkruajnë mirë e t’i kushtojnë ca kohë Wikipedias. S’habitem që ka më shumë që kritikojnë se sa që punojnë. Puna do punë, kritika bëhet më kollaj, sidomos kur Wikipedia në shqip është në gjendje mjerane.

    Pse unë do thuash ti? Pse s’kam mënyrë më të mirë për të harxhuar kohën time? Në qoftë se jo ti, kush? Kush mendon se krijoi Wikipediat në gjuhët e tjera që janë në gjendje më të mirë?

    1. AC, ndoshta si shkrues, në Wiki, ke të drejtë që revoltohesh kur shikon që ndokush mund të fyejë sadopak mundin dhe kontributin tënd, por nuk mund të bësh me faj të tjerët që nuk shkruajnë.
      Përderisa gjejmë kohë që të diskutojmë në blogje dhe forume, TË GJITHË NE, do të gjenim kohë edhe për të kontribuar disi në Wiki, por, jo dhe aq sepse jemi allergjikë nga ‘puna vullnetare’ (megjithse nuk janë të paktë ata që mezi pritën të çliroheshin nga ajo mendësi), por edhe për vështirësinë që shumë prej nesh ndeshin praktikisht për të shkruajtur atje.
      Më shumë se disa herë jam regjistruar dhe jam përpjekur që të kuptoj mekanizmin e të shkruarit atje… rezultati: ZERO.
      Jo se jam kushedisekush, por kur shikoj kolonën e majtë të Wikit që tregon gjuhët e tjera që kanë trajtuar një argument të caktuar, sidomos kur ato kalojnë mbi 15, më vjen inat që një argument i tillë, me kaq interes për gjuhët e tjera të mos ishte dhe në gjuhën shqipe… por nëse nuk mungonte vullneti dhe dëshira e mirë për të hyrë e përkthyer gjithë materialin nga gjuhët e tjera (kuptohet, janë argumente të cilat i njoh nga studimet ose i kam ndjekur si i apesionuar), kur vjen puna për të shkruajtur: Ndihem IDIOT…. sepse edhe istruksionet janë dhënë në një gjuhë shumë të pakuptueshme për mua.

      P.s: Përse Wikipedianët shqiptarë (dmth ata që kanë shkruajtur vazhdimisht atje), nuk hapin një faqe në internet (ose të vënë disa adresa), ku, çdokush që ka pasion për ndonjë argument, të mund t’ju dërgojë materialin dhe ata të bëjnë postimet në Wiki ashtu siç duhet?

    2. Rruga më e mirë do të ishte mobilizimi i studentëve; nën orientimin e pedagogëve. Kapedani e pat bërë këtë vjet; por praktika duhet përgjithësuar. Ashtu, studentëve të historisë, në universitetet publike dhe private, mund t’u kërkohet, si pjesë e kurseve që ndjekin, të plotësojnë artikujt përkatës të Wikipedia-s, në bazë kriteresh të hartuara prej profesorëve.

  2. Hartuesit e saktë të Wikipedias shqip kanë gjithë admirimin tim. Në të vërtetë, edhe për hir të tyre vazhdoj ta kritikoj pjesën me gabime të saj, sepse faqet mjerane ia degradojnë dhe ia paragjykojnë cilësinë të gjithë enciklopedisë.
    Mirëpo kësaj here, desha të nënvizoj posaçërisht se rreziku i përmbyjtjes po del nga shtrati i shqipes për të shkuar më pas në fushat e gjuhëve të tjera. Them se kjo nuk na bën mirë. Ne shqiptarëve.

  3. Per hir te se vertetes, ne qarqet akademike te Europes, wikipedian askush nuk e keshillon. madje ta citosh si burim, rrezikon te penalizohesh.

  4. Për hir të së vërtetës duhet thënë edhe që Wikipedia nuk synon të zëvendësojë bibliotekat dhe të tjera burime referencash akadamike. Autorët që shkruajnë në të jo detyrimisht synojnë karriera akademike.
    Por nuk ka kuptim që dikush, për të parë a bërë një faqe për fshatin e tij, për rapsodin e vet të dashur, të presë këshilla nga Akademia Frënge, të themi…

  5. A duhet nixtur shtrirja “virale” e kontributeve të shqiptarëve në Wikipedia? Bindja ime është po, qoftë edhe vetëm duke u nisur nga varfëria jonë e përgjithshme në dokumentime, dokumentim të gjithçkaje që mund të ishte kontribut shifror në lënien e përvojës për brezat e tjerë.
    Sa herë jemi ankuar kur shohim se si në pjesë të tjera të botës ka dëshmi shekullore për gjëra deri edhe nga më të rëndomtat?

    Por mund të kishte një të mirë tjetër kjo përhapje, më të dëshiruar, atë të çlirimit të shumë njerëzve, gradualisht, nga përdhuna që ka pësuar fjala e tyre, opinioni i tyre. Deri më sot bërësit dhe kanalizuesit e opinioneve nuk lënë shteg për gjëra të tilla. Dhe ne kemi sipas statistikave 580 mijë përdoruesa të Internetit, (954 mijë duke llogaritur edhe ata në Kosovë), të tulatur dhe skellëvër të klikimeve. Shumë pakë prej tyre përdorin tastierën, qoftë kjo në Wikipedia, qoftë në blogosferën shqipe.
    Nëse për dje shfajësohemi me gjyshërit e katragjyshërit që nuk dinin shkrim e këndim, sot dembelizmi duket sheshit.

  6. Eshte e ditur qe perdoruesit aktive te nje komuniteti dmth. ata qe jo vetem konsumojne por edhe krijojne aktivisht informacion per komunitetin perbejne mesatarisht rreth 5-10% te totalit te anetareve (meqe ra fjala per te njejten arsye edhe ne kete blog ka me siguri shume me pak komentues sesa lexues). Pra wiki shqip nuk eshte i humbur pasi i duhesh imponuar shume shume nja 50-100 perpunuesve/editoreve aktuale. A ka njeri informacione te brendshme sa editore ka wiki shqip?

    Megjithate qe te jemi te sinqerte, wiki ne formen e tanishme (flas tani per ate internacionalin e jo vecanerisht per ate shqip) do ta kaloje shpejt ciklin e tij te dobishmerise. Pasi cfare eshte wiki pervec se nje mini-Internet, thjesht me i strukturuar semantikisht ku temat jane te lidhura me njera tjetren ne menyra me te specifikuara sesa lidhjet qe gjen ne Internet? Nese ne Internet thuhet se gjendemi ne epoken e rrjetit 2.0 (Web 2.0, wisdom of crowds, etj.) shkalla e ardhshme e evolucionit te internetit qe po pregatitet tashme ne laboratoret e universiteteve e firmave do te jete i ashtuquajturi “rrjeti semantik” (Semantic Web) ku publikimet ne Internet do te kene pershkrime (meta-data) te lexueshme per robotet dhe makinat se cfare lidhjesh semantike kane me tema te tjera. Pra shpejt do te kemi nje internet me te strukturuar qe do ta beje Wikin anonim te formes se sotme te tepert.

    Per kete aresye Wikit per te mbijetuar i duhet te evoluoje nga produkti i nje komuniteti gati-anonimesh qe eshte sot ne nje enciklopedi me nje sistem reputacioni shkencor autoresh e veresimesh te artikujve. Kjo nuk do te thote qe Wiki aktual eshte kot pasi thjesht masa e madhe e artikujve aktuale eshte shume e vlefshme per shkallen e ardhshme te evolucionit.

  7. I jam futur njehere punes, ne italisht e sidomos anglisht(citime), copa te vogla mbi iliret, me referenca per te dobesuar sundimin e Wilkes, po greket s’linin asgje ne anglisht, kane thurur harta e teori sipas midese se tyre, e vetem kohet e fundit (nga kembengulja mesa duket) sundimi i Wilkes eshte dobesuar. Megjithate ndonje minoritar qe njeh edhe ‘poezine’ e bejtexhinjve (se grek i Greqise , sma ha mendja), na ka hapur edhe nje faqe ‘te shkelqyer’ mbi pederastine shqiptare ne anglisht.

    Vullnetare ka pak, kryesisht diaspora/emigracioni, po ne radhe te pare wikipedistit shqiptar i takon te luftoje me cfare shkruhet ne anglisht per Shqiperine e shqiptaret, para se te merret me shkrime ne shqip.

  8. I hodha nje sy Martinit, qe paskesh pase qene shume i shqetesuar per Wikipedine ne shqip, persa i perket historise se Serbise dhe kultures kroate.

    Meqe dinte shqip pse nuk u hapi syte shqiptareve ky miku. Ato jane faqe foshnje, e sheh edhe bufi dhe kane te bejne me ngjarje qe jane me interes me te menjehershem.

    Po ky miku i takon nje faqeje te dyshimte ku vershojne komunistet dhe meqe kam pasur te bej qysh para shume vjetesh me keta tipa ua njoh mire serbofiline dhe biles jam zene. Nuk eshte aspak rastesore qe ka gjurmuar tek sllavet.

    Sidoqofte edhe une si ai pres nga intelektualet e vjeter e te rinj te mbushin wikipedine ne shqip dhe historine e Serbise apo kulturen kroate me informacione te sakta.

  9. (me kapi syri kete koment te zgjeruar te Peshku pa Uje per shkrimin me siper dhe m’u duk me vend ta percjell ketu me shpresen se do te nxise debat)

    PTF po sillet si ciniket e llozhes se Muppet Show. Qe wikipedia shqiptare ka shume probleme eshte e lidhur edhe me ate qe njerez si puna juaj, qe flasin per rendesine e wikipedias, nuk i ndotin duart me wikipedian, bile as per fusha specifike tuajat, si gjuhesia, albanologjia (qe jane ku i therret QA-ME-TI, dhe kjo, me siguri, do te jete teme e artikujve te tjere te PTF).

    Hidhuni dhe punoni se ka shume nevoje per ju, dhe mos te te haje fare meraku per nderhyrjet, se trafiku nuk eshte bere akoma kaq i madh sa ty te te fillojne te te pushtojne ankthet, paranojat dhe reflektimet e/per/me/mbi ripunimin nga tjetri. Hyrjet, psh, qe kam bere une para gjashte muajsh nuk i ka prekur njeri me dore.

    Kuptohet, do riskoni qe kontributi juaj do kaloje pa terhequr vemendje, pa u cituar emrat, pa komente, pa duartrokitje apo fishkellima, pa cheer-leaders; do ndodhe qe besserwisser-at e nje llozhe tjeter do ju perqeshin apo anal-izojne, por ajo qe do ngelet eshte nje vlere e shtuar per dijen ne shqip dhe, bile, per breza te tere!!!

    Sigurisht, do ishte shume mire te perfshiheshin edhe universitet ne menyre aktive aty, por jo vetem; me duket se edhe studiuesit, ose ata qe e konsiderojne veten te tille, mund te fusin punimet e tyre ne wiki, ose me sakte, abstrakte te artikujve peer review, ne menyre qe te integrohej edhe dija me e fundit. Kjo eshte ajo qe po kerkohet tashme ne wikipedian ne en-Sprache.

    Nga eksperienca dhe perfshirja ime ne kete projekt mund te informoj llozhen se Wikipedia Shqiptare nuk vuan nga padija e rrugeve se si mund te kontribuohet per te, ka plooooot publikime per to; une mund t’ju ndihmoja me nje liste te gjate referencash te artikujve qe flasin per eksperiencat institucionale dhe joinstitucionale te wikipediave te tjera. Njerezit e angazhuar ne wikipedia i dine ato.

    Wikipedia shqiptare vuan nga mungesa e interesit, ne cdo nivel, per te kontribuar per te! Wikipedia shfaq te gjitha problemet e botes shqiptare me dijen dhe shkencen. Dhe, mbi te gjitha, Wikipedia tradheton raportin e botes shqiptare perkundrejt punes, dhe sidomos asaj pa perfitim personal!

    1. Ka një element të fortë ad hominem në kritikën më lart.

      Çështjet që ngre Pishaku në shkrimin e vet, kritika mëton t’i zëvendësojë me çështje të tjera – pse nuk kontribuon Pishaku dhe të tjerët e PTF në Wikipedia, pse merren vetëm me kritika, etj. Këto të tjerat ndoshta qëndrojnë ndoshta jo, por në vetvete nuk kanë të bëjnë me çështjet që ngre shkrimi; as ka të bëjë zgjidhja e tyre me zgjidhjen e mundshme të çështjeve që ngre shkrimi.

      Natyrisht Pishaku do t’u përgjigjet vetë kritikave, nëse gjen kohë; por unë po ia lejoj vetes të shtoj, në këtë mes, se më duket pak e tepruar ta kritikosh dikë për çfarë nuk bën dhe pse nuk po e bën; meqë këtë mund t’ia bëjë, bie fjala, një komandant toge ushtarit të vet, por jo një koleg blogtar kolegut blogtar në Internet. Nëse më pyesin mua se pse, bie fjala, po shkruaj tani këtu, në vend që të shkoj dhe t’i gatuaj drekën një plake të sëmurë në pallat, unë nuk do të di si të përgjigjem…

      Prandaj kritika, gjithnjë sipas meje, vlen për ato akte të cilat kryhen me vullnet; mund të kritikosh një shkrim ose seksion të Wiki-t, sepse autori e ka hedhur aty me vetëdije; por nuk mund të kritikosh thatësirën ose faktin që dikujt i bëjnë alergji vezët. Sa kohë që nuk kemi fakte për të kundërtën, duhet të supozojmë se gjithsekush prej nesh bën aq sa mundet – çka qëndron si në rastin e Pishakut, ashtu edhe në rastin e atij autorit anonim në Wiki, i cili ka dështuar jo ngaqë nuk e ka kryer detyrën e vet, por sepse është marrë me diçka për të cilën nuk i ka kompetencat (edhe pse inkompetenca e një autori nuk mund të përdoret për të kritikuar autorët që qëllojnë të jenë kompetentë për po atë temë, lëndë ose kategori).

      Tek e fundit, materiali në Internet është produkt i një rrjeti të madh autorësh – ku dështimet e një pale nuk duhet ta bëjnë palën e suksesshme të ndihet me faj. Nëse unë ha sot salmon të tymosur për drekë, kjo nuk duhet të më bëjë të ndihem fajtor, meqë një fëmijë në Afrikë po vdes urie; as të ma zërë drekën në fyt.

      Edhe problemet, mangësitë dhe karagjozllëqet e Wiki-t shqip nuk zgjidhen dot duke gjetur dhe qortuar “fajtorët” që nuk shkruajnë atje, por duke propozuar mënyra dhe forma organizative për t’i nxitur kompetentët që të shkruajnë.

  10. Per arsye, qe ne analize te fundit jane te ngjashme me ato shqiptaret, edhe ne Kanada Wikipedia mbahet larg, kur vjen puna per tu perdorur si burim formimi. Vlera informuese po, por vetem kaq. Asnje nuk e lejon qe ajo te behet vlere formuese.

    Ne klase te 8 ne Kanada, projektet fillojne e perdoren shume si methode didaktike. Faqja e fundit duhet te permbaje bibliografite, apo burime e shfrytezuara.
    Wikipedia nuk pranohet e nuk lejohet ne to. Madje po ta pane ta hedhin gjithe punen poshte.
    Me sa di, e njejta gje ndodh ne te gjitha nivelet e arsimit. Pra skepticizmi apo deri dhe vete dyshimi ndaj Wikipedias, u mesohte dhe u kerkohet njerezve qe se vogli.

    1. Megjithatë, mua më ka qëlluar disa herë të përdor vepra ose artikuj të nxjerrë nga bibliografia e zërave të Wikipedia-s.

  11. Pèrshèndetje Pishak!
    Unè kam zbuluar para ndonjè viti Wikipedia- n, dhe nuk ja dola dot tundimit pèr tè shkruar diçka e cila èshtè e lexueshme akoma dhe sot. Mè çuditi lehtèsia … pèr tu bèrè autor .. pa meritat dhe kompetencat e duhura profesionale.
    Me kalimin e kohès mu poq ky mendim nè kokè: studiuesit profesionistè pèrdorin librin, studimet shkencore, konferencat, botimet enciklopedike, botimet multimediale, ndèrsa “amatorèt” bisedat nè sallone, bar, proloco, nè Wikipedia, nè tren, nè komunitete virtuale etj.
    Si mendoni?
    Iliri

  12. Pa ndonje kureshti kushedi se cfare hyra e pashe c’behej ne wikin ne shqipe (ne wikin shqip them se duhet te jete gabim). Kishte pak me pak se 25000 artikujt te perpunuar 625 mije here. Qe i bie mbi 20 e ca here nderhyrje, por edhe me shume po te mendosh se artikullin e 20 mijte “Sallate me rrepa te kuqe” veshtire se mund ta kete perpunuar kush vec atij/asaj qe e hodhi atje.
    Mbase duhej thene, ajo qe dihet, se artikujt atje jane dy llojesh: artikuj kryekeput shqiptare, origjinale, unike, etj etj, dhe artikuj te ndertuar mbi bazen e artikujve nga vepra te tjera apo te perkthyera (te shqiperuara mu duken) nga faqet e wikit nga … anglishtja sa pashe une.
    Qenia e dy llojeve te artikujve dhe kontributeve e do qe edhe gjykimin per to ta ndash.
    1.Keshtu, per artikujt me baze materiale te gatshme nga faqet e tjera te wikit, apo perkthimet a shqiperimet them se punohet se koti, ne mos prej megalomanise, per te rritur numrin e artikujve e renditur me mire se vendi i 55 ne boten-wiki. Nuk ka shqiptar qe hyn ne internet e adresohet tek wiki qe te mos dije nje gjuhe tjeter te madhe, nga ku lexon, dendur drejt e ne gjuhen e autorit, ate qe kerkon. Por edhe sikur te kete te tille po ju sjell kete shembull:
    Fjalia nga wiki ne anglisht:
    “Phenomenology” comes from the Greek words phainómenon, meaning “that which appears”, and lógos, meaning “study”. In Husserl’s conception, phenomenology is primarily concerned with making the structures of consciousness, and the phenomena which appear in acts of consciousness,
    Po ajo fjali e perkthyer ne shqip automatikisht me google translator:
    “Phenomenology” vjen nga fjalët greke phainómenon, do të thotë “ajo që shfaqet”, dhe logos, do të thotë “studim”. Në konceptim e Husserl, phenomenology është e shqetësuar kryesisht me marrjen strukturat e ndërgjegjes, dhe fenomeneve që shfaqen në aktet e vetëdijes,
    Une them se eshte me mire te permiresohen e perdoren trasnlatoret online, se sa shqiptare te perkushtuar te nicknamen roboti e te mbushin wikin me artikuj jo krejt pa gabime.
    Sa per kalimin po te ketyre shqiptareve ne faqet e gjuheve te tjera te wikit, vura re se wiki perdor nje lloj certifikimi gjuhesor te atyre qe kontribuojne atje – dhe kaq.
    2.Artikujt origjinale te shqiptareve po i ndaj ne dy nendarje: a) Arikujt, autoreve te te cileve une do tu heq kapelen (ne me rastiste ti gjej edhe tek wiki) dhe b) artikuj, qe s’jane artikuj, qe duhen grisur sipas termave te wikit apo pastruar e spastruar. Ketu duhen ndrequr artikujt me gabime a teprime, duhen mbaruar nisje-artikujt e garisteve entuziasteve se kush ka numrin me te madh por ketu duhet vene dore dhe mbi kulturen e luleve artificiale. C’eshte kjo? Kjo… ju kujtohet zakoni i vendosjes se luleve te fresketa ne varre – nder shqiptare ky eshte kthyer ne zakonin e vendosjes se luleve artificiale ne varre. Druaj se kjo kulture mund te mbizoteroje wikin ne shqip nese shqipfolesve ju futen katalizatore(vullnetarizmi?) dhe reagente(sedra?) nga jashte. Mund te jete reaksion jashte kontrollit. Nese serish insistohet te qellohet per persona kompetente ngulmoj se keta njerez do te benin shume here me mire te ndermerrnin dicka tjeter e jo plotesimin e wikit ne shqipe.
    Shqetesimin ne shkrimin e Pishak Zhgabes (qe sa keq e ke lene te mbeshtetet ne thashetheme) mund ta radhis ne arsyet pse jo, ndersa pres te mesoj arsyet pse po nxitjes se kontributit ne wiki.

  13. Gjatë prezantimit të librit tim për imigracionin shqiptar, diku andej nga veriu i Italisë, e mori fjalën edhe një bashkëqytetar, i cili ma kritikoi ashpër librin, në prani të 150 vetëve, sepse “nuk i kisha kushtuar aspak vëmendje persekutimit të regjimit komunist dhe vuajtjeve në kampet e përqendrimit”. Përgjigja ime ishte lehtësisht e parashikueshme: “Mizoritë e totalitarizmit shqiptar nuk përbëjnë objektin e librit tim”. Kujtova se ia mbusha mendjen, por më pas i interesuari më akuzoi paq për menefregizëm ndaj vuajtjeve të të persekutuarve sepse, pavarësisht nga tema e librit, duhet ta kisha trajtuar gjithsesi argumentin, meqë ishte me rëndësi historike. Duke mos ditur çfarë të thosha më tej, u mbrojtja in extremis duke i kujtuar se në këto raste njerëzit duhen gjykuar për çka bëjnë jo për atë që nuk bëjnë. Sepse sipas logjikës së kritikuesit tim, edhe unë mund ta akuzoja pa mëshirë meqë ai, edhe pse i persekutuar, nuk kishte shkruar asnjë vepër për kategorinë e vet.

    Meqenëse jemi në fushën e kujtimeve, më vijnë në mend fjalët e një kantautori, i cili në këngët e veta fliste gjithnjë për të varfrit dhe të vuajturit. Kur i thanë pse nuk shkon në Afrikë e Indi për t’i ndihmuar të uriturit në mënyrë praktike, ai u përgjigj: “Djema, le të mos i ngatërrojmë gjërat. Unë di vetëm të këndoj”. Natyrisht, askush nuk ia hiqte të drejtën që të kritikonte politikat që ndiqen ndaj botës së tretë dhe të nxiste solidaritetin ndaj të vuajturve.

    E fundit. Pa përsëritur fjalët e sakta të Xha Xhait, desha të nënvizoj se në Internetin shqip parapëlqej më shumë një faqe bosh se sa një faqe të shkruar keq e me mangësi konceptuale. Në rastin e parë, të paktën, studentët do të detyrohen të konsultojnë enciklopeditë dhe librat në letër, që për fat të mirë e ruajnë ende dinjitetin e veprës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin