(nga Stanislaw Lec*)
Nuk është e mundur ta mbash për një kohë të gjatë një kurorë me gjemba autentike – gjembat do të shkërmoqen.
Poezia është një llokum dinamiti që po të mos shpërthejë, vret.
Kush arrin t’i bëjë ballë tundimit për të lindur?
Zgjedha ndonjëherë ka formën e një ornamenti.
Mos e ushqe ambicjen për ta ngritur nivelin e kundërshtarëve të tu. Do të ta lexojnë vendimin e dënimit me vdekje në latinisht.
Kujdes: në çdo mit ka një thërrmijë së vërtete që mund të bëhet sërish buka jonë e përditshme.
Jam realist, nuk harroj kurrë që jeta është ëndërr.
Ai njeri është rrënojë, por e pabanuar nga fantazmat.
Ndonjëherë nuk i kuptoj mendimet e mia. Por nuk jam fodull, e di që të tjerët do të m’i shpjegojnë.
I mungonte shkronja J e enciklopedisë. Nuk e dinte çfarë është “Jeta”.
Bëhu njeri! Ja, majmuni ia doli mbanë.
Fjalë zhvlerësohet në mënyrë të çuditshme. Ndonjëherë duhen hequr nga qarkullimi ato të mëdhatë.
Njeriu – një kryqëzim i majmunit dhe i kohës.
Ekzistojnë të ndyrët nga truri dhe të ndyrët nga zemra.
Poetët – papagaj që përsëritin të pathënshmen.
“Libri është miku yt!” Për më tepër, duhet ta blesh.
Ai jeton me Muzën! Por përdor kontraceptivë.
Ndonjëherë, duhet t’i duartrokasësh platetë e heshtura.
Zakonisht, mbi shtyllat e sistemit qëndron ballkoni nga ku flet despoti.
Vërtet, jo të gjithë luanët janë shqiponja.
Kur duam t’i shpalosim flamujt, na duhet të shkojmë kundër erës.
Jeta mbaron në atë moment kur nuk fillon.
Mos u neverit nga armiku. Po sikur të të duhet ta kullufitësh?
Ndonjëherë duartrokitjet shkundin prej veprave pluhurin e harresës.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).