Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

NGA METEOROLOGJIA NË POLITIKË

nga Oltion Kadaifçiu

Një verë e nxehtë që ndihet dikur me njerëz që e kanë mendjen tjetërkund është pikërisht stina kur mendja është tjetërkund, por pikërisht në politikë kjo tjetërkundmendje është më e pëlqyera. Dhe këto periudha i bëjnë lëmsh njerëzit për gjithë vitin. Por askush nuk mund të thotë se vera është edhe një stinë kaq solide. Sidomos kjo e sivjetshmja.

Në fillimet e kësaj vere të 2018-ës, i humbur nëpër Shqipërinë tonë dëgjoja në radio një intervistë të shokut Koço Kokëdhima. Unë pra, një dëgjues i painteresuar i radios që rastisi isha dëshmitar në deklarata të tipit: “Po qe nevoja të derdhet gjak.” Ja kështu thoshte shoku Kokëdhima, duke iu referuar nevojës për përmirësim të qeverisjes së vendit. Dhe gjithashtu nuk pranonte koalicion në zgjedhjet e ardhshme as me PDnë as me LSInë pa kërkuar këto që më herët falje për krimet që kanë bërë kundër popullit shqiptar. Dhe ishte shumë i shqetësuar për djegien e plehrave në vend, kampet e refugjatëve që u përfliskan dhe të këqija të tjera. Kjo ndoshta rastisi radioja e vet, por unë prapë se prapë thashë, heu! Gjak!?

Po sikur nuk u tremba shumë. Gjak gjak, dëgjohej në ato kohë. Teatri ka përmendur nja ca herë luftë e gjak. Opozita.

Por ajo verë iku, më pas na mbyti shiu që e lan gjakun që pa u derdhur. Dhe nuk dëgjohet më gjë. Në shi, Luli, nga shpuesi i territ me gisht tregues për qyfyre kriminaliteti kthehet në shpjegim të afërsisë që ka me vëllain e atyre të atij thesarit 3.4 milion dollarësh që shoku ynë i policisë e zbuloi në makinën e shënjuar.

Dhe fap, u hap, prap, moti dhe ligji për teatrin në parlament u kalua, por protesta nuk ishte jo-domethënëse. Opozita protestoi. Kartonët e kuq të votës ‘kundër’ ja bënë shi në kokë shkëlqesisë së tij. Por shiu është një ogur i mbarë, për këtë shi punojmë të gjithë. Stërnipi i njërit që njoh unë ka për t’i hedhur tre grushta monedha antike në dasmë ndonjë sulltani najkah nëpër nahije të vet, vetëm prej këtij shiu.

Ndërkohë, pemë gjithandej. Sheshe. Stadiume me kullë gjigande që do t’i shërbejë lojës ndërkombëtare si orë diellore, që mos i shkojë në mend njeriu të bëjë me hile. Thiatro të re që nuk e keni pa as m’ondërr, mër kodosha, keni për të marrë. Lloj reforme.

Por, paraprakisht na duhet të dimë çfarë e përcakton rezultatin e konkurrimit politik, që të parashikojmë nga do fryjë era dhe ç’gunë të veshim (të paktën në nivel individual).

Për një ndjekës letrar të politikës si puna ime, duket si fort i zgjuar interpretimi i realitetit tonë si në kushte të pamundësisë për të gjeneruar energji politike të mjaftueshme për përmbushur aspiratën e vet organizative.

Kjo është një histori e vjetër dhe e paprerë, por vetëm duke i konsideruar shqiptarët si dashamirës dhe relativisht të qetë. Kauzat? Ngrohtësia e shkulmeve të lekut? Veprimi në marrëdhënie besueshmërie të mpakur ose më pak të mpakur të kultivuar që në fëmijëri? Intensiteti i fushatës dhe zgjatja e saj e përqendrimi në alternativa për tematika extra-relevante? Oratoria e spikatur dhe marrëdhënia e shëndetshme me gratë dhe burrat? Leverdia e gjerë?

Ndoshta asnjëra? Sepse mungesa e alternativës politike e rrjedhimisht e kostos politike vjen prej paaftësisë së shoqërisë që të ketë prurje të vazhdueshme me potencial real për sipërmarrje në politikë? Natyrisht organizmi i rrjetit të bashkëveprimit është i vështirë për t’u ndërtuar, ose ndodh nëpër aktivitete që nuk kanë ndonjë dobësi për politikë si në clubing ose churching. Ose komunitet tjetër fetar. Në fakt individi që angazhohet politikisht ka pak ku të mbështetet, veç rrjetit personal dhe zgjatimeve të tij.

Por ja ca vëzhgime:

Artistët një dëshmi e vërtetë e pamundësisë së organizmit profesional për të kultivuar ndonjë lloj kapitali politik. Kauza është e gjallë dhe artistët militojnë në të. Por kolektivi i teatrit nuk është më aty. Aty tani ka nja dy gjysmëpolitikanë, dy-tre artistë me një masë relativisht të gjerë të rinjsh nga pas. Ca aktivistë profesionistë, të rinj dhe që merren me këto probleme si angazhim kronik. Por artistët nuk arritën kolektivin me mbështetje popullore. Protesta e tyre është një koalicion me bazë të gjerë. Një konfederatë organizatash profesionale e civile, me simpati publike të mjaftueshme për veprim.

Shoqërisë sonë dy grushta bojë të zezë mu në surrat. Kush më shumë se artistët ndër ne, shokë, ka mundësinë t’i rrijë afër njëri tjetrit në kushte që mundësojnë komunikim e nevojë për mirëkuptim? Dhe ja pra, mbrojtja e teatrit rezultoi në një mundësi të pashfrytëzuar. Pa një komunikim mes veti, pa një njeri të flasë, e një këshillë pleqsh, duart u zgjatën për nga mikrofonat.

Secili artist u desh të komunikonte për vete, dhe bëri me veten atë që deshi. Vetëm Jezu Krishti kur ngjalli Llazarin kish bërë të këtilla mrekulli. Ngjallu i tha Jezu Krishti. Fap u ngjall Llazari. I vetmi që është ngjall nga vdekja përveç Jezuit. Pa pra kolektivitet. Ai duhet të ndërtohet e kullojë në vazhdimësinë disa-javore.

Vetëm vullnetmëdhenjtë e rreptë dhe jashtëzakonisht të pasurit bëjnë punë akoma. Dhe u hahet muhabeti edhe me njëri-tjetrin dhe mpakin peshën e rastit. Po hajde gjeje gjuhën me ta.

Kjo padyshim është vazhdë e regjimit diktatorial që shkaktoi atë superprodhim qesharak në bashkëveprimin politik që kërkoi. Pastaj komanda shpërndau e hutoi plotësisht kuadratin e marshimit. Natyrisht në masë të madhe prej anësisë politike, institucioneve dhe varfërisë dhe ngutit të nevojave, që nuk lejonin shumë, vullneti kaq i tepërt për pushtet, e të tjera shprehi të gjetjeve historiko- filozofike.

Dhe ajo që mbetet është Rama. Dhe atë as nuk e fajëson dot se ai sikur është zhdukur nëpër këtë praninë e vet konstante. Një zhdukje prej pranisë njihet. Atë nuk e fajëson dot se ai është në filan katun ose brenda kompjuterit. Atë edhe po e arrestuan trupat paramilitare të Koços nesër pasnesër e ta gjykojnë për tradhti ndaj atdheut, ai do thotë “Burrë motre, unë isha në Qerret, sa kalon Bërxullin rrugës për Fush Kuqe.” Edhe do ta lejnë ata, se ai me vërte ka qenë atje, vetëm po të jenë të poshtër pastaj.

Por ai gjithsesi nuk është edhe aq i rëndësishëm. Vrulle historike më të mëdha lëvizin dallgët andej këndej. Gjeopolitike. Shiko ti tani. Ne harrojmë kontekstin tonë paskomunist dhe dobinë që ka për të kuptuar zhvillimet ndër ne prej pranisë në këtë kontekst. Berisha atëbotë ishte i ngjashëm me liderë të tjerë europianolindorë dhe ky afrimitet na rikthen vëmendjen tek zhvillime rajonale apo të kontekstit historik të përdorshëm.

Në Hungari shokët tanë ankohen se Orbani kontrollon mediat dhe nacionalizmi i tij po destabilizon marrëdhënien e hungarezëve me Bashkimin Evropian. Shokët europianë u inatosën që me Sorosin, por ai u inatos me mundësinë e emigrantëve. Ai madje thotë se elita europiane dështoi dhe se dështimi pati emblemë Komisionin Europian. Por ai kryeson.

Polakët po bëjnë një reformë në drejtësi. Gjysmën e Gjykatës së Lartë kanë shkarkuar. Si ish-komunista. Reforma e tyre në drejtësi heq  me shumë inat komunistat dhe ndikimin e tyre dhe nga ky istikam nuk e rruan fare veç për investime BE-je, dhe hajt shnet. (Gjyshi i tij shkoi i pari në Irak pas amerikanëve.)

Çekët kanë biliarderin Babiç në drejtim të një partie të qendrës me emrin Partia e Qytetarëve të Pakënaqur, e mbahet në këmbë sot prej aleancës me komunistët që kanë 15 ndër 200 deputetët e parlamentit. Pas Babiçit me 40 për qind, të tjerët janë liliputë elektoralë. Me 10 për qind, janë të gjithë dhe qeverinë e formojnë komunistat. Imagjino ti tani që vend të shokut tonë jashtëzakonisht efikas Ilir Meta, të kemi shokun Qemal Cicollari, kryetarin e komunistëve shqiptarë (sipas Wikipedias). Kritikë ironikë çekë të tillë e përshkruajnë situatën.

Në Itali dhe Greqi e majta e thellë bashkëkohore dhe e djathta e thellë bashkëkohore janë në koalicione qeverisëse bashkë.

Sulltani Erdogan kontrollon gjithçka, vendi po ndërtohet dhe rritja nuk është e keqe, por ai mund ta shpallë një luftë nga krevati. Nga Putini gjithashtu dëgjohet muzikë, kurse më tej amerikanët me Donaldin mbi krye.

Çoviçi, që e rriti gjyshi Sheshel, duket burrë i mirë atje përkrah.

Vëllezërit kosovarë që nuk merren hiç me politikë po janë sul drejt të ardhmes në garë e burrnorët që duhet me kompensu një fëmijëri privimesh e duhet m’u rujtë, kryesojnë.

Por ajo që tërheq vëmendje është prania e damarit anti dhe komunist nëpër politikë. Ne që më të fortë se shokët e patëm komunizmin dhe më të vrullshëm ndërveprimin, ai tingull na mbërrin i harruar. Megjithëse, Partia Socialiste, pasardhëse e Partisë së Punës qeveris, reformimi i saj nuk mund të ishte më rrënjësor. Kujtimi i saj mbahet vetëm prej elektoratit thuajse të njëjtë dhe ndonjë pasardhësi sa për nishan. Asnjë nuk do kish dalluar sot që nipat do ta zhbëjnë të kaluarën.

Berisha u zhduk nga froni i PD-së si kec me halucinacione. Se nga iku? Mbushi bulçitë me të gjelbrën e artë që ishte përtokë dhe firoi nga ai shkëmb, që për t’u ngritë e për t’u mbajt kishte pas nevojë për ndodhi e dalldi ma shumë se ç’ka te purgatori i Dantes. Iku dhe e la fronin shkëmbor ta glasojnë petritët që u ruhen shqiponjave atyre anëve. Diçka thellësisht e dyshimtë ringjallet për të. Por ai e kishte retorikën antikomuniste pasion, dhe në një masë të madhe Partia Demokratike themelin e vet e ka tek një opozicion me punistët e socialistizuar. Por kalimi pastaj tek common sense-i egoistik deviant i zhbëri demokratët. Diskursi i tyre i sotëm është vetëm korrupsioni dhe keqqeverisja, por këtu nuk ka asgjë politike. Ky është një argument që me po aq meritë dhe dashuri i shërben edhe shumicës qeverisëse.

Por antikomunizma pati një ndodhi këtyre kohëve. Një mundësi për të matur funksionimet e aksh iniciativave. Të më falin autorët për subjektivizmën e tepërt që nevojitet për të folur në këtë kontekst por në terma të depërtimit nëpër publik ndodhia është e tillë:

Ema Andrea ka idenë të ftojë njerëz për të lexuar kujtime të shqiptarëve që prej një kundërshtie të profetizuar ideologjikisht u gjendën nën represionin gjakatar të qeverisjes prej komunistëve shqiptarë. Oficerë të pashpirt komandojnë ushtarë, gjakatarë dhe të bindur, për të thyer njerëz mu në shtyllë të kurrizit, lidhur me litar. Një valë sadizmi e paparë, komunizmi. Burra që kishin mbajt vendin mbi supe u kapën e u përdhosën me dajak. Foshnja që vdiqën urie të urryer, fëmijë të dhunuar, ose që ua përplasën kokat deri në verbim, që të tregonte e ëma ku i fshihej i ati, që pastaj u dorëzua e u sakatua. Hetues e sigurimsa ishin një trupë represive e pashembullt harbutësh të plotfuqishëm që padyshim ndonjë profesionist i humanërirave ka si i interpreton.

Sythe degëzimesh intelektuale urbane apo rural-religjioze të çfarëdolloji që po ngrinin kryet në shoqërinë tonë të prapambetur u bënë që në fillim pre e tokmakut komunist. Gjithë sythet. Torturat për konfiskimet ishin lemeri. Mitrush Kutelin e rreh polici me shkop. Të rinj 13-14 vjeçarë i shtyjnë në pus, të rinjve ua gangrenizojnë gjymtyrët nëpër dëborë e akull, ua sakatojnë me hunj. Ua presin me sharra. I përdhunojnë. I nxisin në vetëvrasje. I çmendin. Ua zhdukin kufomën nga tre herë me radhë. I internojnë. I zotërojnë.

Por nuk është ky objekt i hulumtimit tim. As estetik e as etik. Në këtë rast. Unë mendoj që ishte një kohë e keqe. Diku pranë fatet ishin po aq të këqija. Një luftë e dytë botërore që kish çakërdisur të madh e të vogël kish ndodhur. Nga njerëz që kishin katër pesë vjet që endeshin malesh me pushkë në krah ishte kollaj të përzgjidhje grupe e individë me orientim kriminal. Grupi i dhunuar u izolua dhe shoqëria u tremb që të mos përfshihej as në njohje as në kujtim. Faktorët si të jashtëm si të brendshëm ishin dashakeq dhe ndërtimi i diçkaje të re kish nisur e të mëdhenj e të vegjël ishin brezi i ri. E ardhmja e vendit. Familjariteti ynë me dhunën në atë kohë ishte i lartë dhe njerëzit që njihje shpesh ishin aq pak sa nuk e krijoje një ide për njerëzimin. Marrëdhënia jonë me vlerat e veprimit tonë e pakët. Ne edhe sot e mezi po e harrojmë këtë inatin rrugaçëror traumatizues.

Në terma të këtij kuriozitetit sociologjikopolitik, pragmatizmi për këtë histori është një llogari pëlqimesh Facebooku. Se duam nuk duam, ajo që na intereson është depërtimi i saj në shoqëri. Ndonjë gjurmë që ajo mund të na tregojë për zhvillime. Nuk kanë pse të jenë dominante. Tematika politike ke s’ka mo.

Ndër shikimet, më të lartën e kishte Ema Ndoja. Me 24,500 shikime (në kohën kur bëra unë njëfarë numërimi të krahasuar, që nuk po i hyj prap ta numëroj), i dyti ishte Donald Lu, me 16,000, pastaj Gjon Radovani, drejtor ekzekutues i iniciativës në kuadër të së cilës zhvillohet projekti e njëkohësisht arkitekt i nderuar në Gjermani që ka gjithashtu përfshirje shoqërie e përgjegjësie shoqërore ,  me 11, 000, Ylli Gurra, një hoxhë i Shqipërisë së mesme, Rita Gjeka me 9,500, Viktor Zhusti me 8,500, Juxhin Plovishti (??), Majlinda Bregu dhe Ema Andrea me pak më shumë se shtatë mijë…

Por plot video, 58 a gjashtëdhjetë. Përfaqësues të UN, ambasadorja e BE-së për 4 pesë qind pëlqime nuk e arriti kufirin e shtatëmijëve, ambasadori i Spanjës, i Italisë, suedezi e plot të tjerë se 58 a 59 video. Edhe plot të tjerë duan t’i bashkohen iniciativës.

Prania e theksuar e aktorëve në rangjet e para është mbresëlënëse dhe na rikthen në karakterin artistik të iniciativës që ka Agron Tufën si përpunues të teksteve në formën e rrëfimeve autobiografike që zgjasin deri në pranë një minuti e gjysmë. Ndërkohë, vetë zoti Tufa qe ankuar se pse reforma në drejtësi nuk ka asnjë referencë në bashkëpunimet e të shqyrtueshmëve për përzierje me përndjekësit komunistë.

Por çfarë na thotë përhapja e këtillë?

A ka një potencial për të distiluar energji politike në tematikë të dhunës, që fsheh egërsi e armiqësi ndërkrahinore nën urdhra jugosllavë? Apo thjeshtë një grup jo-përfaqësues i përfshirë në trupat e batalionit sekret? Ndër lexime tregohet për një nënë që ka humbur të birin prej pak kohe e pastaj tërbohet ndaj shokut të tij të ngushtë e pështyn në fytyrë kur para gjyqit ku djaloshin e shpërdorojnë për sjellje të babait. E ajo e zgjeron shumë rrethin e bashkëpunëtorëve, por prap të spikaturit janë hetues gjakatarë, oficerë fuqiplotë sadistë me ngjyrime krahinore ndër theksa.

Por vështirë se marrim vesh për lidhje mes përmbajtjes së narracionit dhe interesit të publikut dhe shikimeve të videove në internet.

Por një lidhje mes shikimeve dhe ndonjë karakteristike të leximit duket se ka. Ka një tjetër në marrëdhënien mes videos dhe interesit që ajo ngjall. A është kjo marrëdhënie vetëm tek njeriu? A është fati i keq i rikthimit tek refreni monoton i rrjeteve personale të komunikimit?

Nuk ka si të jetë kështu.

Prandaj një lidhje ka dhe ajo është interesante, për të izoluar një retorikë të caktuar mobilizuese  e të matur disi në një log virtual. Meqenëse shumica e lexuesve të leximeve i ka shpërndarë videot prej të njëjtës bazë, që ka hapur projekti, besoj se numri i shikimeve në videot e këtij logu është i mjaftueshëm për ca hamendësime.

Ka gjasa që njerëzit të kenë pasur akses tek gjithë videot dhe pastaj të kenë zgjedhur njerëzit që ju interesojnë, por kryesisht videot nuk çojnë tek e tëra, videot e sugjeruara në vazhdimësi kryesisht nuk përfshijnë video nga kjo seria që po flasim.

Që lidhja ekziston është një qëndrim jo fort i rastësishëm. Ja për shembull, myslimanët siguruan 11,000 shikime, përfaqësuesi i tyre i rrëfeu historinë e konfiskimit të 10,000 librave prej shtëpisë së Hafiz Aliut, njohësit të shtatë gjuhëve. Tre të gjalla e katër të vdekura. Për ortodoksët është ekzekutimi i at Gjergj Sulit në pikë të mëngjesit bashkë me një pari intelektuale të Gjirokastrës. Me 4.400 shikime. Ndërsa katolikët tregojnë historinë e dikujt që u dorëzua pas një amnistie ku premtohej gjykim e përfundoi në një rrahje barbare nën tingujt e një fizarmonike të çjerrë që duhet të mbulonte ulërimat e dhimbjes në shtëpinë ku kryhej masakra. Me 2.200 shikime.

Edhe pëlqimet e shpërndarjet e reflektojnë raportin.

Pra asnjëra prej tyre nuk duket se arrin të përfitojë prej brendisë në vëllazërinë ndërfetare. Për më tepër duket sikur njeh edhe raportet e besimit në vend. Të më falin komunitetet nëse shohin në këto raporte pasaktësi, por duket se ka diçka. Edhe predikuesi protestant merr 4200 shikime, duke pasur parasysh grupin që iu bashkua këtij besimi dhe duke marrë parasysh aftësitë e tyre të shtuara për të përdorur teknologjitë mund të themi se jemi mjaftueshëm afër.

Për ne me interes është ekstrakti politik dhe ai duket i pakët në këtë damar. Shumicës ndër ne kjo i duket irrelevante. Ndaj karakteri artistik i iniciativës bëhet dinamik. Politika është e pranishme, por rrjeti i aksesit në publik është i tjetërqyshtë.

Numri i shikimeve ka lidhje me shpërndarjet. Ndoja ka 219 shpërndarje, ndërkohë që ndjekësit e saj stopojnë në sigurimin e rreth 100 shpërndarjeve. Pra shikimet dhe promovimet lidhen, megjithëse kush arrin më shumë me ca shpërndarje e kush më pak.

Një video jo informuese e kryeministrit, me ca violina në alarm, pa fjalë, për një varrezë të lashtë gjetur  diku poshtë dronit qeveritar merr 109 mijë shikime për dy ditë. Ndërkohë që dalin edhe dhjetë video të tjera e fotografi e fjalime.

Nuk na mbetet veç t’ia valëvisim krahun e zemrës shkëlqesisë së tij dhe të urojmë të ketë  humorin e mirë. Një pyetje kam: Ato kullat te teatri pse të jenë aq të ulëta? Unë mendoj që gjithë ai kuadrat që nis te unazat aty rrotull SHQUPIT demokratas, katedrales e Dajtit e deri te kulla e sahatit te bashkia e Plaza të ndërtojmë ku të mundet grataçela me fytyrat e shokëve të byrosë politike në vitin e mbarë 1976-të. Me nga 76 kate, që të kuptohet metafora, dhe t’u çojmë një sinjal të koduar brezave që do vinë dhe pastaj i vejmë nga një kryq të zi në fytyrë për të dënuar atë të kaluar aq të zymtë. Grataçelën e Skënderbeut e bëjmë 468 katëshe, meqenëse 1405 katëshe nuk e bëjmë dot.

Kështu krijojmë edhe rritjen e nevojshme ekonomike për miletin edhe Gëzimin e kënaqim.

Sa pa ardh vjeshta.

(c) 2018, autori

2 Komente

  1. Shkrim interesant dhe forme e gjetur per t’i hedhur nje veshtrim freskues panorames politike te dites, larg analizave inatçore te gazetave, qe veshtire t’i dallosh nga njera tjetra. Ralle here (per oportunizem, se kurre nuk me kujtohet) qellon qe edhe ironia te behet e pranishme ne analizat politike.Dhe kur behet, si ky rast, ajo vertet qe flet shume.
    Veçse kur eshte fjala per kete paragraf “…Diskursi i tyre i sotëm është vetëm korrupsioni dhe keqqeverisja, por këtu nuk ka asgjë politike. Ky është një argument që me po aq meritë dhe dashuri i shërben edhe shumicës qeverisëse…” une nuk e kuptoj mire nese eshte vrejtje apo lavdrim.

    Dihet qe eshte marrezi te vazhosh te “kritkosh politikisht” dhe te vazhdosh ta identifkosh te majten e sotme me komunizmin e dikurshem (Saliu nuk i kujton me as te atin Rames, por e identifikon si piktor te pasuksesshem) dhe po qe se eshte arritur vertet kjo qe thoshte autori i shkrimit, qe kritikat e opozites t’i sherbejne shumices, atehere çfare do me ky popull? Jemi ne zemer te nje evolucioni dialektik qe do te na e kishin zili te gjitha vendet. Me kusht qe te jete e vertete, ama.

  2. Dhe keshtu do te kalonim nga politika ne metereoarkitekture, dhe jo metaforike, kaq monotone, por mistiko-sufidientecale, sic i kemi qejf ne shqiptaret. Shkrim qe me terhoqi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin